Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Ç’është e Vërteta?


Ç’është e Vërteta?

Vëllezërit dhe motrat e mia të shtrenjta, miqtë e mi të rinj të dashur, jam mirënjohës për privilegjin që të jem me ju sot. Gjithmonë shpirti më lartësohet kur rrethohem nga të rinjtë në moshë madhore të Kishës dhe më frymëzoni të shpall: “Sioni në Bukurinë e saj të Ngrihet”. Ndërsa jetoni në të gjithë botën, ju përfaqësoni në një mënyrë të bukur të ardhmen dhe forcën e Kishës. Për shkak të dëshirave tuaja të drejta dhe të zotimit tuaj për ta ndjekur Shpëtimtarin, e ardhmja e kësaj Kishe duket e ndritshme.

Ju përcjell dashurinë dhe bekimin e Presidentit Tomas S. Monson. Presidenca e Parë lutet shpesh për ju. Ne gjithmonë i lutemi Zotit t’ju bekojë, ruajë dhe udhëheqë.

Të Verbrit dhe Elefanti

Mbi njëqind vjet më parë, një poet amerikan shkroi në vargje një shëmbëlltyrë të lashtë. Strofa e parë e vjershës tregon për:

Gjashtë burra nga Indostani,

Për të mësuar shumë prireshin,

Që Elefantin shkuan të shihnin,

(Edhe pse të gjithë të verbër ishin),

Që të gjithë me anë të vëzhgimit

Mendjen të kënaqur ta kishin.

Në vjershë secili nga të gjashtë udhëtarët kap një pjesë të ndryshme të elefantit dhe më pas u përshkruan të tjerëve se çfarë ka zbuluar.

Një prej burrave gjen këmbën e elefantit dhe e përshkruan atë të jetë e rrumbullaktë dhe e ashpër si një pemë. Një tjetër prek dhëmbin dhe e përshkruan elefantin si një heshtë. Një i tretë kap bishtin dhe këmbëngul se një elefant është si një litar. Një i katërt zbulon feçkën dhe këmbëngul se elefanti është si një gjarpër i madh.

Secili po përshkruan të vërtetën.

Dhe ngaqë e vërteta e tij vjen prej përvojës vetjake, secili ngul këmbë që ai di çfarë ai di.

Vjersha përfundon:

Dhe kështu këta burra nga Indostani,

Gjatë patën kundërshtim,

Mjaft të sertë dhe të fortë,

Çdonjëri pati të tijin mendim,

Edhe pse secili pjesërisht të drejtë kish,

Të gjithin ishin në gabim!1

Ne e shohim këtë histori nga larg dhe qeshim. Në fund të fundit, ne e dimë se si duket një elefant. Kemi lexuar për ta, i kemi parë në filma dhe madje shumë prej nesh e kemi parë një elefant me sytë tanë. Ne besojmë se e dimë të vërtetën se çfarë është një elefant. Që dikush mund të gjykojë bazuar në një pikëpamje të së vërtetës dhe ta zbatojë atë për tërësinë, duket pa kuptim ose madje e pabesueshme. Nga ana tjetër, a nuk e dallojmë vetveten te këta gjashtë burra të verbër? A kemi qenë ndonjëherë fajtorë për të njëjtin model mendimi?

Mendoj se arsyeja pse kjo histori ka mbetur kaq popullore në kaq shumë kultura dhe pas kaq shumë vitesh, është për shkak të zbatimit të saj mbarëbotëror. Apostulli Pal tha se në këtë botë drita është e zbehtë dhe ne shohim vetëm një pjesë të së vërtetës, sikur po shohim “si në pasqyrë, në mënyrë të errët”2. Dhe prapë duket të jetë pjesë e natyrës sonë, si qenie njerëzore, që të bëjmë hamendje rreth njerëzve, politikës dhe devocionit, bazuar në përvojat tona të paplota dhe shpesh çorientuese.

Më kujtohet një histori rreth një çifti që kishin qenë të martuar për 60 vjet. Ata rrallë ishin grindur gjatë asaj kohe dhe ditët e tyre së bashku kaluan në lumturi dhe kënaqësi. Ata ndanë gjithçka dhe nuk kishin të fshehta mes tyre – përveç një. Bashkëshortja kishte një kuti që e mbante lart një bufeje, dhe i tha të shoqit kur u martuan, se ai kurrë nuk duhej të shihte se ç’kishte brenda.

Ndërsa kaluan dekadat, erdhi çasti që bashkëshorti i saj e zbriti kutinë dhe pyeti nëse, më së fundi, mund të dinte se çfarë përmbante ajo. E shoqja ra dakord dhe ai e hapi e zbuloi dy çentro dhe 25.000$. Kur e pyeti të shoqen se ç’do të thoshte kjo, ajo u përgjigj: “Kur u martuam, nëna më tha se, sa herë që të isha e inatosur me ty ose kur ti the ose bëre diçka që s’më pëlqente, unë duhej të thurja një çentro të vogël dhe më pas t’i diskutoja gjërat me ty”.

Të shoqit iu mbushën sytë me lot nga kjo histori e ëmbël. Ai u habit që, gjatë 60 viteve të martesës, ai e kishte shqetësuar të shoqen vetëm aq herë sa ajo thuri dy çentro. Duke u ndier tepër mirë për veten, ai mori dorën e së shoqes dhe tha: “Ajo shpjegon çentrot, po për 25.000$?”

E shoqja buzëqeshi ëmbël dhe tha: “Ato janë paratë që fitova nga shitja e gjithë çentrove që kam thurrur gjatë viteve”.

Kjo histori jo vetëm na mëson një mënyrë të pazakontë për të vepruar me mosmarrëveshjet në martesë, por ilustron gjithashtu marrëzinë e arritjes së përfundimeve bazuar në informacion të kufizuar.

Shumë shpesh “të vërtetat” që i themi vetes, janë thjesht pjesë të së vërtetës dhe nganjëherë në realitet nuk janë aspak e vërteta.

Sot dua të flas për të vërtetën. Ndërsa flas, ju ftoj të meditoni për disa pyetje të rëndësishme.

Pyetja e parë është “Ç’është e vërteta?”

E dyta, “A është vërtet e mundur të dihet e vërteta?”

Së treti, “Si duhet të reagojmë ndaj gjërave që duken në kundërshtim me të vërtetat që kemi mësuar më parë?”

Ç’është e Vërteta?

Ç’është e vërteta? Gjatë orëve të fundit të jetës së Tij, Shpëtimtarin e sollën përpara Ponc Pilatit. Pleqtë e judenjve e kishin akuzuar Jezusin për kryengritje dhe tradhti ndaj Romës dhe ngulën këmbë që Ai të dënohej me vdekje.

Kur Pilati u ndodh ballë për ballë me Burrin nga Galilea, ai pyeti: “Ti qenke mbret?”

Jezusi u përgjigj: “Për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; Kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim”3.

Nuk e di se ç’lloj njeriu ishte Pilati, as nuk e di se çfarë po mendonte. Megjithatë, mendoj se ishte i mirëarsimuar dhe kishte parë shumë nga bota që njihej.

Ndiej një farë cinizmi të kapitur në përgjigjen e Pilatit. Dëgjoj në fjalët e tij zërin e një burri që dikur mund të kishte qenë një idealist, por tani – pas mjaft përvoje jetësore – duket disi i ngurtësuar dhe madje i lodhur.

Nuk besoj se Pilati po nxiste një bashkëbisedim kur u përgjigj me tre fjalë të thjeshta: “Ç’është e vërteta?”4

Për ta përforcuar, vras mendjen nëse ajo që po pyeste në të vërtetë, ishte: “Si mund ta dijë ndonjë mundësisht të vërtetën?”

Dhe kjo është një pyetje për të gjithë kohën dhe për të gjithë njerëzit.

A Mund ta Dijë Kushdo të Vërtetën?

Tani, a mund ta dijë kushdo të vërtetën? Disa nga mendjet më të mëdha që kanë jetuar ndonjëherë në këtë tokë, janë përpjekur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Natyra e pakuptueshme e së vërtetës ka qenë një temë e preferuar e poetëve dhe tregimtarëve të mëdhenj të historisë. Shekspiri sidomos u duk plot kureshtje për të. Herën tjetër kur të lexoni një nga tragjeditë e Shekspirit, vini re sa shpesh fabula ngrihet mbi një keqkuptim të një të vërtete të rëndësishme.

Tani, kurrë në historinë e botës nuk kemi pasur të drejtë përdorimi më të lehtë të më shumë informacioni – disa prej tij i vërtetë, disa prej tij i rremë dhe shumë prej tij pjesërisht i vërtetë.

Si pasojë, kurrë në historinë e botës nuk ka qenë më e rëndësishme që të mësojmë se si të dallojmë me saktësi midis së vërtetës dhe së gabuarës.

Pjesë e problemit tonë në kërkimin e së vërtetës është që urtësia njerëzore na ka zhgënjyer shumë shpesh. Ne kemi kaq shumë shembuj të gjërave që njerëzimi dikur i “dinte” se ishin të vërteta, por që nga ajo kohë janë provuar të rreme.

Për shembull, pavarësisht nga miratimi mbizotërues i dikurshëm, toka nuk është e sheshtë. Yjet nuk rrotullohen rreth tokës. Ngrënia e një domateje nuk do të shkaktojë vdekje të menjëhershme. Dhe, sigurisht, njeriu me të vërtetë mund të fluturojë – madje të kapërcejë kufirin e tingullit.

Shkrimet e shenjta mbushen me rrëfime burrash dhe grash që e keqinterpretuan “të vërtetën”.

Në Dhiatën e Vjetër, Balaami nuk mundi t’i bënte ballë “pagë[s së] paudhësisë”5, të ofruar atij nga moabitët. Kështu ai e bindi veten të besonte një të vërtetë të re dhe i ndihmoi moabitët t’i bënin izraelitët ta mallkonin vetveten përmes imoralitetit e mosbindjes.6

Korihori braktisës, pasi largoi shumë vetë nga e vërteta, rrëfeu se djalli e kishte mashtruar deri në pikën ku ai vërtet besoi se ajo që po thoshte ishte e vërteta.7

Në Librin e Mormonit, si nefitët, ashtu dhe lamanitët krijuan “të vërtetat” e tyre rreth njëri-tjetrit. “E vërteta” e nefitëve rreth lamanitëve ishte se ata “ishin një popull i egër dhe mizor dhe gjakatar”8, asnjëherë të aftë ta pranonin ungjillin. “E vërteta” e lamanitëve rreth nefitëve ishte se Nefi kishte vjedhur parëbirninë e vëllait të tij më të madh dhe se pasardhësit e Nefit ishin gënjeshtarë që vazhduan t’i grabisin lamanitët nga ajo që u takonte atyre me të drejtë.9 Këto “të vërteta” e ushqyen urrejtjen e tyre për njëri-tjetrin, derisa më së fundi ajo i shkatërroi ata.

E panevojshme të thuhet, ka shumë shembuj në Librin e Mormonit që bien në kundërshtim me këto dy klishe. Megjithatë, nefitët dhe lamanitët i besuan këto “të vërteta” që i dhanë formë fatit të këtij populli dikur të fuqishëm dhe të bukur.

Natyra Njerëzore dhe e Vërteta

Në një farë mënyre ne të gjithë jemi të ndjeshëm ndaj një mendimi të tillë të çuditshëm.

“Të vërtetat” ku kapemi për të formuar cilësinë e shoqërive tona, si edhe të karaktereve tona individuale. Shumë shpesh këto “të vërteta” bazohen në prova të paplota e të pasakta dhe, nganjëherë, u shërbejnë qëllimeve shumë egoiste.

Pjesa e arsyes për gjykim të keq vjen nga prirja e njerëzimit për të mjegulluar kufirin midis asaj që besojmë dhe së vërtetës. Shumë shpesh ngatërrojmë atë që besojmë me të vërtetën, duke menduar se, ngaqë diçka ka kuptim ose është e volitshme, duhet të jetë e vërtetë. Anasjelltas, ne nganjëherë nuk e besojmë të vërtetën ose e mohojmë atë, ngaqë ajo do të na kërkonte të ndryshonim ose të pranonim se e kishim gabim. Shpesh, e vërteta mohohet ngaqë nuk duket të jetë në përputhje me përvojat e mëparshme.

Kur idetë ose “të vërtetat” e të tjerëve bien në kundërshtim me tonat, në vend që të marrim parasysh mundësinë se mund të ketë informacion që mund të jetë i dobishëm, dhe ta diskutojmë apo shtojmë atë që dimë, ne shpesh arrijmë në përfundime ose bëjmë hamendje se personi tjetër është i keqinformuar, ka probleme mendore ose madje me qëllim po përpiqet të mashtrojë.

Për fat të keq, kjo prirje mund të përhapet në të gjitha fushat e jetës sonë – nga sporti deri te marrëdhëniet familjare dhe nga feja deri te politika.

Ignaz Semelvais

Një shembull tragjik i kësaj prirjeje është historia e Ignaz Semelvaisit, një doktori hungarez, i cili praktikoi mjekësinë gjatë mesit të shekullit të 19-të. Herët në karrierën e tij, Dr. Semelvaisi mësoi se 10 përqind e grave që erdhën në klinikën e tij, vdiqën nga ethet e lindjes, ndërkohë që shkalla e vdekjes në një klinikë pranë ishte më pak se 4 përqind. Ai ishte i vendosur të gjente arsyen.

Pasi i hetoi të dyja klinikat, Dr. Semelvaisi arriti në përfundimin se i vetmi ndryshim i rëndësishëm ishte që klinika e tij ishte një klinikë mësimore ku shqyrtoheshin kufoma. Ai vëzhgoi doktorët që shkuan drejtpërsëdrejti nga kryerja e autopsive te lindja e foshnjeve. Arriti në përfundimin se në një farë mënyre kufomat i kishin ndotur duart e tyre dhe shkaktonin ethet vdekjeprurëse.

Kur ai filloi të rekomandonte që doktorët t’i fërkonin duart me një solucion të kloruar të gëlqeres, ai hasi mospërfillje dhe madje përbuzje. Përfundimet e tij binin në kundërshtim me “të vërtetat” e doktorëve të tjerë. Disa nga kolegët e tij madje besonin se ishte e pakuptimtë të mendohej se dora e një doktori mund të ishte e papastër ose të shkaktonte sëmundje.

Por Semelvaisi nguli këmbë dhe e bëri të detyrueshme që doktorët në klinikën e tij t’i lanin duart përpara lindjes së fëmijëve. Si pasojë, shkalla e vdekjes ra menjëherë deri në 90 përqind. Semelvaisi ndieu se fitoi dhe u sigurua që kjo praktikë do të zbatohej tani në të gjithë komunitetin mjekësor. Por ai u gabua. Edhe përfundimet e tij dramatike nuk ishin të mjaftueshme për ta ndryshuar mendjen e shumë doktorëve të kohës.

A Është e Mundur të Dihet e Vërteta?

Diçka rreth së vërtetës është se ajo ekziston përtej asaj që besojmë. Është e vërtetë edhe nëse askush nuk e beson atë.

Ne mund të themi se perëndimi është veriu dhe se veriu është perëndimi gjithë ditën dhe madje ta besojmë atë me gjithë zemër, por nëse, për shembull, duam të fluturojmë nga Kuito në Ekuador, për në Nju-Jork-Siti në SHBA, ka vetëm një drejtim që do të na çojë atje dhe ai është veriu – perëndimi thjesht nuk do ta bëjë.

Sigurisht, kjo është veç një analogji e thjeshtë aviacioni. Megjithatë, sigurisht ka diçka të tillë si e vërteta absolute – e vërteta e pakundërshtueshme, e pandryshueshme.

Kjo e vërtetë është e ndryshme nga ajo që besojmë. Është e ndryshme nga shpresa. E vërteta absolute nuk varet nga opinioni publik ose popullariteti. Votimet nuk mund ta lëkundin atë. As edhe autoriteti i pashtershëm i mbështetjes nga njerëz të famshëm nuk mund ta ndryshojnë atë.

Pra, si mund ta gjejmë të vërtetën?

Besoj se Ati ynë në Qiell është i kënaqur me fëmijët e Tij kur ata i përdorin talentet dhe aftësitë e tyre mendore për të zbuluar me zell të vërtetën. Gjatë shekujve shumë burra dhe gra të urtë e të frymëzuar – përmes logjikës, arsyes, kërkimit shkencor dhe, po, përmes frymëzimit – kanë zbuluar të vërtetën. Këto zbulime e kanë pasuruar njerëzimin, e kanë përmirësuar jetën tonë dhe kanë frymëzuar gëzim, habi dhe çudi.

Po ashtu, gjërat që dikur menduam se i njihnim, vazhdimisht po pasurohen, ndryshohen ose madje kundërshtohen nga studiues me iniciativë, të cilët kërkojnë të kuptojnë të vërtetën.

Siç e dimë të gjithë, është mjaft e vështirë thjesht ta përzgjedhim të vërtetën nga përvojat tona dhe të të tjerëve. Për t’i keqësuar gjërat, ne kemi një kundërshtar, “djalli[n], [që] sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë”10.

Satani është mashtruesi i madh, “paditësi i vëllezërve”11, ati i gjithë gënjeshtrave,12 i cili vazhdimisht përpiqet të mashtrojë që të mund të na mposhtë.13

Kundërshtari ka shumë strategji dinake për t’i mbajtur njerëzit larg nga e vërteta. Ai na ofron të besojmë se e vërteta është relative; duke iu drejtuar ndjenjës sonë për tolerim dhe paanësi, ai e mban të vërtetën reale të fshehur, duke shpallur se “e vërteta” e një njeriu është po aq e vlefshme sa edhe e dikujt tjetër.

Disa i josh të besojnë se ka një të vërtetë absolute diku atje, por është e pamundur që dikush ta dijë atë.

Për ata që tashmë e përqafojnë të vërtetën, strategjia e tij kryesore është të shpërndajë farat e dyshimit. Për shembull, ai i ka bërë shumë anëtarë të Kishës të pengohen kur zbulojnë informacion rreth Kishës, që duket se bie në kundërshtim me atë që kishin mësuar më parë.

Kur e përjetoni një çast të tillë, kujtoni se në këtë epokë të informacionit ka shumë që krijojnë dyshim rreth ndonjë gjëje dhe gjithçkaje, në çdo kohë dhe në çdo vend.

Ju do të gjeni edhe nga ata që akoma shpallin se kanë prova që toka është e sheshtë, që hëna është një hologram dhe që disa artistë filmash janë në të vërtetë alienë nga një planet tjetër. Dhe është gjithmonë mirë të mbajmë në mendje që, thjesht sepse diçka botohet në gazetë, shfaqet në internet, përsëritet shpesh ose ka një grup të fuqishëm pasuesish, nuk bëhet e vërtetë.

Nganjëherë deklarata ose informacione jo të vërteta paraqiten në një mënyrë të tillë që duken mjaft të besueshme. Megjithatë, kur ndesheni me informacion që është në kundërshtim me fjalën e zbuluar nga Perëndia, kujtoni se të verbrit në shëmbëlltyrën e elefantit kurrë nuk do të ishin në gjendje ta përshkruanin me saktësi të vërtetën e plotë.

Ne thjesht nuk i dimë të gjitha gjërat – ne nuk mund të shohim gjithçka. Ajo që mund të duket kundërshtuese tani, në mënyrë të përsosur mund të jetë e kuptueshme kur kërkojmë dhe marrim më shumë informacion të denjë për t’u besuar. Ngaqë shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, ne duhet të besojmë Zotin, i cili i sheh të gjitha gjërat me qartësi.

Po, bota jonë është plot pështjellim. Por në fund të fundit, të gjitha pyetjet tona do të marrin përgjigje. Të gjitha dyshimet tona do të zëvendësohen nga siguria. Dhe ajo ngaqë ka një burim të vërtete që është i plotë, i saktë dhe i padëmtueshëm. Ai burim është Ati ynë Qiellor, pafundësisht i urtë dhe i gjithëditur. Ai e di të vërtetën siç ishte, siç është dhe siç do të jetë.14 “Ai i kupton të gjitha gjërat, … dhe ai është mbi të gjitha gjërat, … dhe të gjitha gjërat janë nëpërmjet tij dhe prej tij.”15

Ati ynë i dashur Qiellor na ofron të vërtetën e Tij neve, fëmijëve të Tij të vdekshëm.

Tani, ç’është kjo e vërtetë?

Është ungjilli i Tij. Është ungjilli i Jezu Krishtit. Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta”16.

Vetëm nëse do të kemi mjaft kurajë dhe besim për të ecur në shtegun e Tij, ai do të na çojë drejt paqes të zemrës dhe mendjes, kuptimit të qëndrueshëm në jetë, lumturisë në këtë botë dhe gëzimit në botën që vjen. Shpëtimtari “nuk është larg nga secili prej nesh”17. Ne kemi premtimin e Tij se, nëse e kërkojmë me zell, do ta gjejmë Atë.18

Detyrimi Ynë për ta Kërkuar të Vërtetën

Por si mund ta dimë se kjo “e vërtetë” është e ndryshme nga çfarëdo tjetër? Si mund t’i besojmë kësaj “të vërtete”?

Ftesa për t’i besuar Zotit nuk na largon nga përgjegjësia për ta ditur për veten tonë. Kjo është më shumë se një mundësi; është një detyrim – është një nga arsyet pse u dërguam në këtë tokë.

Shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nuk u kërkohet ta pranojnë verbazi gjithçka që dëgjojnë. Ne nxitemi të mendojmë dhe ta zbulojmë vetë të vërtetën. Ne pritet të meditojmë, të kërkojmë, të vlerësojmë dhe kështu të arrijmë te një dituri vetjake e së vërtetës.

Brigam Jangu tha: “Kam … frikë se ky popull ka kaq shumë besim në udhëheqësit e tij, sa nuk do të kërkojë vetë nga Perëndia nëse ata drejtohen prej Tij. Frikësohem se do të mësohen në një gjendje vetësigurie të verbër. … Le ta dijë çdo burrë e grua, me anë të pëshpëritjes së Shpirtit të Perëndisë për vete, nëse udhëheqësit e tyre po ecin në shtegun që dikton Zoti.”19

Ne kërkojmë të vërtetë kudo që mund ta gjejmë atë. Profeti Jozef Smith na mësoi se “Mormonizmi është e vërtetë. … Parimi i parë dhe themelor i fesë sonë të shenjtë është që besojmë se ne kemi të drejtë të përqafojmë të tërën dhe çdo pjesë të së vërtetës, pa kufizim ose pa u ngushtuar apo ndaluar nga kredot apo idetë paragjykuese të njerëzve.”20

Po, ne vërtet kemi plotësinë e ungjillit të përjetshëm, por kjo s’do të thotë se dimë gjithçka. Në fakt, një parim themelor i ungjillit të rivendosur është besimi ynë se Perëndia “do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme”21.

Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit doli në dritë ngaqë një i ri me zemër të përulur dhe mendje të mprehtë po kërkonte të vërtetën. Jozefi studioi dhe më pas veproi sipas saj. Ai zbuloi se, nëse ndonjërit i mungon urtia, ai mund të kërkojë nga Perëndia dhe e vërteta do t’i jepet vërtet atij.22

Mrekullia e madhe e Rivendosjes nuk ishte thjesht që korrigjoi idetë e rreme dhe doktrinat e korruptuara – edhe pse sigurisht e bëri atë – por që ajo i hapi tërësisht velat e qiellit dhe filloi një rrjedhje të qëndrueshme të dritës dhe të njohurisë së re, e cila ka vazhduar deri më sot.

Kështu ne vazhdimisht kërkojmë të vërtetë nga gjithë librat e mirë dhe nga burime të tjera të dobishme. “Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra.”23 Në këtë mënyrë ne mund t’i bëjmë ballë mashtrimit nga i ligu. Në këtë mënyrë ne mësojmë të vërtetën “urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull”24. Dhe mësojmë se inteligjenca kapet pas inteligjencës dhe urtësia pranon urtësi, e vërteta përqafon të vërtetën.25

Miqtë e mi të rinj, kur pranoni përgjegjësinë për ta kërkuar të vërtetën me mendje të hapur dhe zemër të përulur, ju do të bëheni më të duruar me të tjerët, më të hapur për të dëgjuar, më të përgatitur për të kuptuar, më të prirur për të ngritur sesa për të prishur dhe më të gatshëm për të shkuar atje ku Zoti dëshiron që ju të shkoni.

Fryma e Shenjtë – Udhërrëfyesi Ynë te Gjithë e Vërteta

Vetëm mendoni rreth kësaj. Ju vërtet keni një shoqërues të fuqishëm dhe udhërrëfyes të denjë për t’i besuar në këtë kërkim të vazhdueshëm për të vërtetën. Kush është ai? Është Fryma e Shenjtë. Ati ynë Qiellor e dinte sa e vështirë do të ishte për ne që të shoshisnim përmes gjithë zhurmës konkurruese dhe të zbulonim të vërtetën gjatë vdekshmërisë. Ai e dinte se ne do të shihnim vetëm një pjesë të së vërtetës dhe Ai e dinte se Satani do të përpiqej të na mashtronte. Prandaj Ai na dha dhuratën qiellore të Frymës së Shenjtë për të na ndriçuar mendjen, për të na mësuar dhe për të na dëshmuar për të vërtetën.

Fryma e Shenjtë është një zbulues. Ai është Ngushëlluesi, që na mëson për “[të] vërtet[ën] e të gjitha gjërave; … që i njeh të gjitha gjërat dhe ka gjithë fuqinë në përputhje me urtësinë, mëshirën, të vërtetën, drejtësinë dhe gjykimin”26.

Fryma e Shenjtë është një udhërrëfyes i saktë dhe i sigurt, për t’i ndihmuar të gjithë të vdekshmit që kërkojnë Perëndinë, ndërsa lundrojnë nëpër ujërat shpesh të shqetësuara të pështjellimit dhe të kundërshtimit.

Dëshmia e së vërtetës nga Fryma e Shenjtë është në dispozicion për të gjithë, kudo, në të gjithë globin. Të gjithë që kërkojnë ta dinë të vërtetën, që e studiojnë atë tërësisht në mendjen e tyre27 dhe që “kërkojnë me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, … [do ta dinë] të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”28.

Dhe Dhurata plotësuese, e papërshkrueshme e Frymës së Shenjtë është në dispozicion të gjithë atyre që e kualifikojnë vetveten nëpërmjet pagëzimit dhe të jetuarit me denjësi për shoqërimin e Tij të vazhdueshëm.

Po, Ati juaj i dashur në Qiell nuk do t’ju lërë kurrë vetëm në këtë jetë në vdekshmëri për t’u endur në errësirë. Ju nuk duhet të mashtroheni. Ju mund ta mposhtni errësirën e kësaj bote dhe të zbuloni të vërtetën hyjnore.

Megjithatë, disa vetë nuk kërkojnë të vërtetën po aq sa përpiqen për grindjen. Ata nuk kërkojnë sinqerisht të mësojnë; përkundrazi, dëshirojnë të debatojnë, të mburren me të ashtuquajturin të mësuar të tyre dhe kështu të shkaktojnë grindje. Ata nuk ia vënë veshin ose e mohojnë këshillën e apostullit Pal dhënë Timoteut: “Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje”29.

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne e dimë se kjo grindje është tërësisht e papërputhshme me Shpirtin, tek i cili varemi gjatë kërkimit tonë për të vërtetën. Siç i paralajmëroi Shpëtimtari nefitët: “Pasi në të vërtetë … unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes”30.

Nëse ndiqni Shpirtin, kërkimi juaj vetjak për të vërtetën në mënyrë të pashmangshme ju çon te Zoti dhe Shpëtimtari, madje Jezu Krishti, sepse Ai është “udha, e vërteta dhe jeta”31. Kjo mund të mos jetë udha më e rehatshme; do të jetë ndoshta udha e shkelur më pak dhe do të jetë shtegu me male për t’u ngjitur, me lumenj të shpejtë për t’u kapërcyer, por do të jetë udha e Tij – udha shëlbuese e Shpëtimtarit.

Unë shtoj dëshminë time si apostull i Zotit se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. E di këtë me gjithë zemrën dhe mendjen time. E di këtë me anë të dëshmisë dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Ju kërkoj të mos kurseni asnjë përpjekje në kërkimin tuaj për ta ditur këtë të vërtetë për veten tuaj – sepse e vërteta do t’ju bëjë të lirë.32

Miqtë e mi të rinj, të dashur, ju jeni shpresa e Izraelit. Ne ju duam. Zoti ju njeh; Ai ju do. Zoti ka besim të madh te ju. Ai i njeh sukseset tuaja dhe është i ndërgjegjshëm për sfidat dhe problemet tuaja në jetë.

Është lutja ime që ju do ta kërkoni me zell dhe pa pushim të vërtetën, se ju do të keni dëshirë të pini nga burimi i gjithë së vërtetës, ujërat e të cilit janë të pastra dhe të ëmbla, “një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”33.

Ju bekoj me mirëbesim në Zotin dhe dëshirë të rrënjosur thellë për të dalluar me drejtësi të vërtetën nga gabimi – tani dhe gjatë gjithë jetës suaj. Kjo është lutja ime dhe bekimi im, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

© 2013 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 8/12. Miratuar për përkthim: 8/12. Përkthim i Ç’është e Vërteta? Shqip. PD50045368 101