2010–2019
Të Pastruar nëpërmjet Pendimit
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Të Pastruar nëpërmjet Pendimit

Për shkak të planit të Perëndisë dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të pastrohemi nëpërmjet procesit të pendimit.

Në vdekshmëri, ne u nënshtrohemi ligjeve të njeriut dhe ligjeve të Perëndisë. Kam pasur përvojën e pazakontë të gjykimit të sjelljeve të këqija serioze sipas të dyja këtyre ligjeve – më parë si gjykatës në Gjykatën e Lartë të Jutës dhe tani si anëtar i Presidencës së Parë. Dallimi që kam provuar ndërmjet ligjeve të njeriut dhe ligjeve të Perëndisë, e ka rritur vlerësimin tim për realitetin dhe fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Sipas ligjeve të njeriut, një njeri fajtor për krimet më të rënda mund të dënohet me burgim të përjetshëm pa mundësinë për lirim me kusht. Por sipas planit të mëshirshëm të një Ati të dashur Qiellor, kjo është ndryshe. Unë kam dëshmuar se po të njëjtat mëkate të rënda mund të falen në vdekshmëri për shkak të flijimit shlyes të Shpëtimtarit tonë për mëkatet e “të gjithë at[yre] që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (2 Nefi 2:7). Krishti shëlbon dhe Shlyerja e Tij është reale.

Dhembshuria e dashur e Shpëtimtarit tonë shprehet në himnin e mrekullueshëm, të sapokënduar nga kori.

“Te Jezusi t’vini; v’mendje kushton,

Dhe pse udhën humbët n’errësir’.

Dashuri’ e Tij but’sisht ju drejton

Nga nat’ e errët në dit’, në dit’.”1

Flijimi shlyes i Jezu Krishtit hap derën për “gjithë njerëzit [që] të mund të pendohen e të vijnë tek ai” (Doktrina e Besëlidhje 18:11; shih edhe Marku 3:28; 1 Nefi 10:18; Alma 34:8, 16). Libri i Almës shpall pendim e falje edhe për ata që kanë qenë një popull i lig dhe gjakatar (shih Alma 25:16; 27:27, 30). Mesazhi im sot është një mesazh shprese për të gjithë ne, përfshirë ata që e kanë humbur anëtarësinë e tyre në Kishë nga shkishërimi apo heqja e emrit. Ne jemi të gjithë mëkatarë që mund të pastrohemi nëpërmjet pendimit. “Të pendohesh për mëkatin, nuk është e lehtë”, na mësoi Plaku Rasëll M. Nelson në një konferencë të përgjithshme të mëparshme. Por, trofeu është i denjë për çmimin e tij.”2

I. Pendimi

Pendimi fillon me Shpëtimtarin tonë dhe ai është një gëzim, jo një barrë. Në takimin shpirtëror për Krishtlindje dhjetorin e kaluar, Presidenti Nelson dha mësim: “Pendimi i vërtetë nuk është një ngjarje. Është një privilegj që nuk mbaron kurrë. Është themelor për përparimin dhe pasjen e paqes së mendjes, të ngushëllimit dhe të gëzimit.”3

Disa nga mësimet më të mrekullueshme për pendimin gjenden në predikimin e Almës në Librin e Mormonit drejtuar anëtarëve të Kishës të cilët më vonë ai i përshkroi se kishin qenë në një gjendje të “madhe mosbesimi”, të “ngritur në kryelartësi” dhe me zemrat e vëna “mbi pasuri dhe mbi gjërat e kota të botës” (Alma 7:6). Secili anëtar i kësaj Kishe të rivendosur ka shumë për të mësuar nga mësimet e frymëzuara të Almës.

Ne fillojmë me besim në Jezu Krishtin, pasi “është ai që vjen për të marrë mëkatet e botës” (Alma 5:48). Ne duhet të pendohemi pasi, ashtu si dha mësim Alma, “në qoftë se nuk pendoheni, ju nuk mund të trashëgoni në asnjë mënyrë mbretërinë e qiellit” (Alma 5:51). Pendimi është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë. Për shkak se të gjithë do të mëkatonin në përvojën tonë në vdekshmëri dhe do të përjashtoheshin nga prania e Perëndisë, njerëzit nuk mund “të shpëtohe[shin]” pa pendimin (Alma 5:31; shih edhe Helamani 12:22).

Kjo është dhënë mësim që nga fillimi. Zoti e urdhëroi Adamin: “Mësojuani fëmijëve tuaj se të gjithë njerëzit, kudo, duhet të pendohen ose ata nuk mund të trashëgojnë në asnjë mënyrë mbretërinë e Perëndisë, sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë atje, ose të banojë në prani të tij” (Moisiu 6:57). Ne duhet të pendohemi për të gjitha mëkatet tona – të gjitha veprimet apo mosveprimet tona në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Askush nuk bën përjashtim. Pikërisht mbrëmjen e kaluar, Presidenti Nelson na sfidoi: “Vëllezër, ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi”4.

Që të pastrohemi nëpërmjet pendimit, ne duhet t’i braktisim mëkatet tona dhe t’ia rrëfejmë ato Zotit dhe gjykatësve të Tij tokësorë, aty ku kërkohet (shih Doktrina e Besëlidhje 58:43). Alma dha mësim se ne gjithashtu duhet të “s[jellim] vepra drejtësie” (Alma 5:35). E gjitha kjo është pjesë e ftesës së vazhdueshme nga shkrimi i shenjtë që të vijmë te Krishti.

Ne kemi nevojë ta marrim sakramentin çdo ditë Shabati. Në atë ordinancë ne bëjmë besëlidhje dhe marrim bekime që na ndihmojnë t’i mposhtim të gjitha veprimet dhe dëshirat që na pengojnë nga përkryerja që Shpëtimtari ynë na fton ta arrijmë (shih Mateu 5:48; 3 Nefi 12:48). Kur “i moho[jmë] vetes çdo ligësi dhe [e] d[uam] Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën t[onë]”, atëherë ne mund të “[jemi] të përsosur në Krisht” dhe “të shenjtërohe[mi]” nëpërmjet derdhjes së gjakut të Tij që të “bëhe[mi] të shenjtë, pa njollë” (Moroni 10:32–33). Çfarë premtimi! Çfarë mrekullie! Çfarë bekimi!

II. Përgjegjshmëria dhe Gjykimet Tokësore

Një qëllim i planit të Perëndisë për këtë përvojë në vdekshmëri është që të na “provoj[ë] … për të parë nëse … do t’i bëj[m]ë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [jonë], do t[ë na] urdhërojë” (Abraham 3:25). Si pjesë e këtij plani, ne jemi përgjegjës para Perëndisë dhe shërbëtorëve të Tij të zgjedhur dhe ajo përgjegjësi përfshin si gjykimet tokësore edhe ato hyjnore.

Në Kishën e Zotit, gjykimet tokësore për anëtarët aktualë apo të ardhshëm administrohen nga udhëheqës që kërkojnë udhërrëfim hyjnor. Është përgjegjësia e tyre t’i gjykojnë personat që po përpiqen të vijnë te Krishti, për ta marrë fuqinë e Shlyerjes së Tij në shtegun e besëlidhjeve drejt jetës së përjetshme. Gjykimet tokësore përcaktojnë nëse një person është gati për pagëzim. A është një person i denjë për një rekomandim që të marrë pjesë në tempull? Një person, emri i të cilit është hequr nga dokumentet e Kishës, a është penduar mjaftueshëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit që të ripranohet me anë të pagëzimit?

Kur një gjykatës tokësor, i thirrur nga Perëndia e miraton një person për përparim të mëtejshëm, të tillë si për privilegjet e tempullit, ai nuk po nënkupton se ai person është i përkryer dhe ai nuk po fal asnjë mëkat. Plaku Spenser W. Kimbëll dha mësim se pas asaj që ai e quajti “anulimi [i] ndëshkimeve” në vdekshmëri, një person “duhet gjithashtu të kërkojë dhe arrijë nga Perëndia i qiellit një pendim përfundimtar dhe vetëm Ai mund ta heqë fajin”5. Dhe nëse për veprimet dhe dëshirat mëkatare nuk arrihet pendimi deri në Gjykimin Përfundimtar, personi i papenduar do të mbetet i papastër. Përgjegjshmëria përfundimtare, përfshirë ndikimin përfundimtar pastrues të pendimit, është midis secilit prej nesh dhe Perëndisë.

III. Ringjallja dhe Gjykimi Përfundimtar

Gjykimi i përshkruar më së shumti në shkrimet e shenjta është Gjykimi Përfundimtar që ndodh pas Ringjalljes (shih 2 Nefi 9:15). Shumë shkrime të shenjta thonë se “të gjithë … do të dalim përpara gjykatës së Krishtit” (Romakëve 14:10; shih edhe 2 Nefi 9:15; Mosia 27:31) që “të gjykohe[m]i sipas veprave që janë bërë në trupin e vdekshëm” (Alma 5:15; shih edhe Zbulesa 20:12; Alma 41:3; 3 Nefi 26:4). Të gjithë do të gjykohen “sipas veprave të tyre” (3 Nefi 27:15) dhe “sipas dëshir[ave të] zemrave të tyre” (Doktrina e Besëlidhje 137:9; shih edhe Alma 41:6).

Qëllimi i këtij Gjykimi Përfundimtar është që të përcaktojë nëse kemi arritur atë që Alma e përshkroi si një “ndryshim të madh në zem[ër]” (shih Alma 5:14, 26), në të cilin jemi bërë krijesa të reja, pa “prirje[n] të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2). Gjykatësi i kësaj është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti (shih Gjoni 5:22; 2 Nefi 9:41). Pas gjykimit të Tij, ne të gjithë do të rrëfejmë “se gjykimet e tij janë të drejta” (Mosia 16:1; shih edhe Mosia 27:31; Alma 12:15), pasi gjithëdijenia e Tij (shih 2 Nefi 9:15, 20) i ka dhënë Atij një njohuri të përkryer për të gjitha veprimet dhe dëshirat tona, si për ato të drejtat apo për të cilat jemi penduar, dhe për ato për të cilat nuk jemi penduar apo nuk i kemi ndryshuar.

Shkrimet e shenjta e përshkruajnë procesin e këtij Gjykimi Përfundimtar. Alma jep mësim se drejtësia e Perëndisë sonë kërkon që në Ringjallje “të gjitha gjërat duhet të rivendosen në rendin e tyre të përshtatshëm” (Alma 41:2). Kjo do të thotë se “në qoftë se punët e tyre ishin të mira në këtë jetë dhe dëshirat e zemrave të tyre ishin të mira … ata [do] të rivendosen … në ditën e fundit në atë që është e mirë” (Alma 41:3). Në mënyrë të ngjashme, “në qoftë se punët [ose dëshirat] e tyre janë të liga, ato do t’u rivendosen atyre për të keq” (Alma 41:4–5; shih edhe Helamani 14:31). Në mënyrë të ngjashme, profeti Jakob dha mësim se në Gjykimin Përfundimtar “ata që janë të drejtë, do të qëndrojnë të drejtë akoma dhe ata që janë të fëlliqur, do të qëndrojnë të fëlliqur akoma” (2 Nefi 9:16; shih edhe Mormoni 9:14; 1 Nefi 15:33). Ai është procesi përpara se të qëndrojmë para asaj që Moroni e quan “shufr[a e] këndshme [e] Jehovait të madh, Gjykatësit të Përjetshëm të atyre që janë gjallë dhe që kanë vdekur” (Moroni 10:34; shih edhe 3 Nefi 27:16).

Për t’u siguruar që ne do të jemi të pastër përpara Perëndisë, ne duhet të pendohemi përpara Gjykimit Përfundimtar (shih Mormoni 3:22). Ashtu siç i tha Alma birit të tij mëkatar, ne nuk mund t’i fshehim mëkatet tona përpara Perëndisë “dhe në qoftë se ti nuk pendohesh, ato do të qëndrojnë dëshmi kundër teje, në ditën e fundit” (Alma 39:8; theksimi i shtuar). Shlyerja e Jezu Krishtit na jep të vetmen mënyrë për ta arritur pastrimin e nevojshëm nëpërmjet pendimit dhe kjo jetë në vdekshmëri është koha për ta bërë këtë. Ndonëse na është mësuar se njëfarë pendese mund të ndodhë në botën e shpirtrave (shih Doktrina e Besëlidhje 138:31, 33, 58), ajo nuk është aq e sigurt. Plaku Melvin J. Ballard dha mësim: “Është shumë më e lehtë të mposhtësh [mëkatin] dhe t’i shërbesh Zotit kur si mishi dhe shpirti janë të bashkuar në një. Kjo është koha kur njerëzit janë më të përpunueshëm dhe të prekshëm. … Kjo jetë është koha për t’u penduar.”6

Kur pendohemi, ne kemi sigurimin nga Zoti që mëkatet tona, përfshirë veprimet dhe dëshirat tona, do të pastrohen dhe gjykimi ynë i mëshirshëm përfundimtar që do të marrim, “nuk [do t’i] kujtoj[ë] më ato” (Doktrina e Besëlidhje 58:42; shih edhe Isaia 1:18; Jeremia 31:34; Hebrenjve 8:12; Alma 41:6; Helamani 14:18–19). Të pastruar nëpërmjet pendimit, ne mund të kualifikohemi për jetën e përjetshme, të cilën mbreti Beniamin e përshkroi si “të jet[uarit] me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund” (Mosia 2:41; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 14:7).

Si një pjesë tjetër e “plani[t të] rivendosjes” (Alma 41:2) që ka Perëndia, Ringjallja do t’i rikthejë “të gjitha gjërat … në formën e tyre të përshtatshme dhe të përkryer” (Alma 40:23). Kjo përfshin përsosjen e të gjitha mangësive dhe gjymtimeve tona fizike, që marrim në vdekshmëri, përfshirë ato në lindje ose nga trauma apo sëmundja.

A na përsos kjo rivendosje nga të gjitha dëshirat apo varësitë tona të pashenjta ose të pamposhtura? Kjo nuk mund të ndodhë. Ne e dimë nga zbulesa moderne se do të gjykohemi për dëshirat tona, si edhe për veprimet tona (shih Alma 41:5; Doktrina e Besëlidhje 137:9) dhe që edhe mendimet tona do të na dënojnë (shih Alma 12:14). Ne nuk duhet ta “shty[jmë] ditën e pendimit t[onë]” deri në vdekje, dha mësim Amuleku (Alma 34:33), sepse i njëjti shpirt që e ka zotëruar trupin tonë në këtë jetë – qoftë i Zotit apo i djallit – “do të ketë fuqi të zotërojë trupin t[onë] në atë botë të përjetshme” (Alma 34:34). Shpëtimtari ynë ka fuqinë dhe qëndron gati për të na pastruar nga ligësia. Tani është koha për ta kërkuar ndihmën e Tij për t’u penduar për dëshirat e mendimet tona të liga apo të pahijshme, që të jemi të pastër e të përgatitur për të qëndruar përpara Perëndisë në Gjykimin Përfundimtar.

IV. Krahët e Mëshirës

Plani i Perëndisë dhe të gjitha urdhërimet e Tij përshkohen nga dashuria e Tij për secilin prej nesh, e cila është “më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat … dhe më e gëzueshmja për shpirtin” (1 Nefi 11:22–23). Profeti Isaia i siguroi madje edhe të ligjtë që kur ata “të kthehe[n] tek Zoti … [Ai do] të ketë dhembshuri … [dhe do t’i] fal[ë] bujarisht” (Isaia 55:7). Alma dha mësim: “Vini re, ai u dërgon gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre” (Alma 5:33; shih edhe 2 Nefi 26:25–33). Zoti i ringjallur u tha nefitëve: “Vini re, krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj” (3 Nefi 9:14). Nga këto mësime dhe shumë të tjera nga shkrimet e shenjta, ne e dimë se Shpëtimtari ynë i dashur i hap krahët e Tij për t’i pranuar të gjithë burrat dhe gratë sipas kushteve plot dashuri që Ai i ka vendosur që të gëzojmë bekimet më të mëdha që Perëndia ka për fëmijët e Tij.7

Për shkak të planit të Perëndisë dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, unë dëshmoj me “një ndriçim të përkryer të shpresës” se Perëndia na do dhe ne mund të pastrohemi nëpërmjet procesit të pendimit. Na premtohet që “në qoftë se [ne] do të shko[jmë] përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duro[jmë] deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20). Veprofshim të gjithë kështu, unë përgjërohem dhe lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Te Jezusi t’Vini”, Himne, nr. 61.

  2. Russell M. Nelson, “Repentance and Conversion”, Liahona, maj 2007, f. 102; [“Pendimi dhe Kthimi në Besim”, konferenca e përgjithshme, prill 2007, f. 127].

  3. Rasëll M. Nelson, “Katër Dhurata që Ju Ofron Jezu Krishti” (Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen i Presidencës së Parë për Vitin 2018, 2 dhjetor 2018), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  4. Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 69.

  5. The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball (1982), f. 101.

  6. Melvin J. Ballard, në Melvin R. Ballard, Melvin J. Ballard: Crusader for Righteousness (1966), f. 212–213.

  7. Shih Tad R. Callister, The Infinite Atonement (2000), f. 27–29.