2010–2019
“Eja, Më Ndiq”
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


“Eja, Më Ndiq”

Jezu Krishti na fton të hyjmë në shtegun e besëlidhjeve për t’u kthyer te Prindërit tanë Qiellorë dhe për të qenë me njerëzit që i duam.

Vëllezërit dhe motrat e mia të shtrenjta, bashkëshortja ime, Uendi, dhe unë gëzohemi që jemi me ju këtë mëngjes Shabati. Shumë gjëra kanë ndodhur që nga konferenca jonë e përgjithshme e fundit. Tempuj të rinj janë përkushtuar në Konsepsion, Kili; Barrankija, Kolumbi; dhe Romë, Itali. Ne përjetuam një derdhje të madhe të Shpirtit në këto ngjarje të shenjta.

I përgëzoj shumë prej grave (dhe burrave) që e kanë lexuar kohët e fundit Librin e Mormonit dhe kanë zbuluar gëzim e thesare të fshehura. Unë jam frymëzuar nga raportimet për mrekullitë që u ndodhën atyre.

Mrekullohem nga të rinjtë 11‑vjeçarë të cilët, tani si dhjakë, e shpërndajnë me denjësi sakramentin çdo të diel. Ata shkojnë në tempull së bashku me të rejat tona 11‑vjeçare, të cilat tani po mësojnë dhe po shërbejnë gjithë zell si të reja te Kosheret. Këta të rinj si dhe këto të reja po predikojnë të vërteta të ungjillit me qartësi e bindje.

Unë gëzohem nga fëmijët dhe rinia që po ndihmojnë që të jepet mësim ungjilli në familjet e tyre, ndërkohë që punojnë me prindërit e tyre për të ndjekur programin mësimor të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha.

Morëm këtë fotografi të Bllejkut katërvjeçar që, herët në mëngjesin e një së shtune, mori një libër të Kishës dhe bërtiti: “Unë kam nevojë ta ushqej shpirtin tim!”

Pamja
Bllejku duke ushqyer shpirtin e tij

Bllejk, ne ngazëllehemi prej teje dhe të tjerëve që po zgjedhin ta ushqejnë shpirtin e vet duke u ushqyer me bollëk me të vërtetat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Dhe kënaqemi nga dijenia se shumë po e marrin fuqinë e Perëndisë në jetën e tyre kur adhurojnë e shërbejnë në tempull.

Siç e dini shumë prej jush, familja jonë përjetoi një ndarje të dhembshur tre muaj më parë kur bija jonë, Uendi, u nda nga kjo jetë në vdekshmëri. Në ditët e fundit të betejës së saj me kancerin, unë u bekova me mundësinë që të kisha bashkëbisedimin tonë të lamtumirës babë e bijë.

Ia mbajta duart dhe i thashë se sa shumë e doja dhe se sa mirënjohës isha që isha ati i saj. I thashë: “Ti u martove në tempull dhe i nderove me besnikëri besëlidhjet e tua. Ti dhe bashkëshorti yt mirëpritët shtatë fëmijë në shtëpinë tuaj dhe i rritët ata që të ishin dishepuj të përkushtuar të Jezu Krishtit, anëtarë të guximshëm të Kishës dhe qytetarë ndihmëdhënës. Dhe ata kanë zgjedhur bashkëshortë/e të të njëjtit kalibër. Babi yt është shumë, shumë krenar për ty. Më ke sjellë kaq shumë gëzim!”

Ajo me qetësi u përgjigj: “Faleminderit, babi”.

Ishte një çast prekës, plot lot për ne. Gjatë 67 vjetëve të saj, ne punuam së bashku, kënduam së bashku dhe shpesh shkuam për ski së bashku. Por atë mbrëmje, folëm për gjëra që kanë rëndësinë më të madhe, të tilla si besëlidhjet, ordinancat, bindja, besimi, familja, besnikëria, dashuria dhe jeta e përjetshme.

Na merr malli shumë për bijën tonë. Sidoqoftë, për shkak të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, ne nuk shqetësohemi për të. Teksa vazhdojmë t’i nderojmë besëlidhjet tona me Perëndinë, ne jetojmë me pritshmërinë që do të jemi me të përsëri. Ndërkohë, ne po i shërbejmë Zotit këtu dhe ajo po i shërben Atij atje – në parajsë.1

Në fakt, bashkëshortja ime dhe unë vizituam Perëdajsën [Parajsën] herët këtë vit – Perëdajsën [Parajsën] në Kaliforni, dua të them. Rastësisht, vizita jonë e planifikuar atje ndodhi më pak se 40 orë pasi bija jonë u largua nga kjo botë. Ne, së bashku me Plakun Kevin W. Pirson dhe bashkëshorten e tij, Xhunin, u forcuam nga shenjtorët e Kunjit Çiko në Kaliforni. Mësuam për besimin e tyre të madh, për shërbesën që dhanë dhe mrekullitë që ndodhën madje mes humbjeve të tyre shkretuese nga zjarri më shkatërrimtar në historinë e Kalifornisë.

Ndërkohë që ishim atje, folëm gjerë e gjatë me një oficer të ri policie, Xhonin, që ishte njëri prej shumë njerëzve të parë trima të ndihmës urgjente. Ai solli ndërmend errësirën e thellë që ra mbi Perëdajsën më 8 nëntor 2018, ndërkohë që flakët dhe thëngjijtë përhapeshin me të shpejtë nëpër qytet, duke i përpirë pronat dhe zotërimet si një ndëshkim dhe duke mos lënë gjë tjetër veçse grumbuj hiri dhe oxhakë të zymtë me tulla.

Pamja
Shtëpia e mbledhjeve pas zjarrit

Për 15 orë, Xhoni ngau makinën përmes një errësire të papërshkueshme që ishte e mbuluar me shkopinj si thëngjij kërcënues, ndërkohë që i ndihmonte njerëzit njëri pas tjetrit, familje pas familjeje që të largoheshin drejt sigurisë – e gjitha duke vënë në rrezik jetën e vet. Prapëseprapë, gjatë asaj përvoje të hidhur stërmunduese, gjëja që e tmerronte më shumë Xhonin, ishte pyetja e tij dërrmuese: “Ku është familja ime?” Pas shumë orësh të gjata tmerruese të ankthit, ai më së fundi mësoi për largimin e tyre të sigurt.

Tregimi i shqetësimit të Xhonit për familjen e tij më ka nxitur të flas sot me ata prej jush që mund të pyetin kur janë duke iu afruar fundit të jetës së tyre në vdekshmëri: “Ku është familja ime?” Në atë ditë të ardhshme kur do ta përfundoni provën tuaj në vdekshmëri dhe do të hyni në botën e shpirtrave, ju do të silleni ballë për ballë me atë pyetje zemërthyese: “Ku është familja ime?”

Jezu Krishti na mëson udhën për t’u kthyer te shtëpia jonë e përjetshme. Ai e kupton planin e Atit tonë Qiellor për përparimin e përjetshëm më mirë sesa secili prej nesh. Në fund të fundit, Ai është gurthemeli i të gjithë planit. Ai është Shëlbuesi ynë, Shëruesi ynë dhe Shpëtimtari ynë.

Që kur Adami dhe Eva u dëbuan nga Kopshti i Edenit, Jezusi, Krishti, ka ofruar krahun e Tij të fuqishëm për t’i ndihmuar të gjithë ata që zgjedhin ta ndjekin Atë. Në mënyrë të përsëritur shkrimet e shenjta shënojnë se, pavarësisht nga të gjithë llojet e mëkateve të kryera nga të gjithë llojet e njerëzve, krahët e Tij janë ende të shtrirë drejt tyre.2

Shpirti brenda secilit prej nesh natyrisht ka mall që dashuria familjare të zgjatë përgjithmonë. Këngët e dashurisë përjetësojnë një shpresë të rreme se dashuria është gjithçka që ju nevojitet nëse doni të jeni së bashku përgjithmonë. Dhe disa njerëz gabimisht besojnë se Ringjallja e Jezu Krishtit siguron një premtim se të gjithë njerëzit do të jenë me njerëzit e tyre të dashur pas vdekjes.

Në të vërtetë, Shpëtimtari Vetë e ka bërë mjaft të qartë se, ndërkohë që Ringjallja e Tij siguron që çdo person i cili jetoi ndonjëherë, me të vërtetë do të ringjallet dhe do të jetojë përgjithmonë3, shumë më tepër kërkohet nëse ne duam të kemi privilegjin e lartë të ekzaltimit. Shpëtimi është një çështje individuale, por ekzaltimi është një çështje familjare.

Dëgjojini këto fjalë të thëna nga Zoti Jezu Krisht profetit të Tij: “Gjithë besëlidhjet, marrëveshjet, kontratat, detyrimet, betimet, zotimet, kryerjet, lidhjet, shoqërimet ose shpresat, që nuk janë bërë dhe lidhur e vulosur me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit, … nuk kanë efektshmëri, virtyt dhe forcë në ringjalljen prej së vdekuri dhe pas saj; sepse të gjitha marrëveshjet që nuk bëhen për këtë qëllim, kanë një fund kur njerëzit vdesin”4.

Pra, çfarë kërkohet prej një familjeje që të ekzaltohet përgjithmonë? Ne kualifikohemi për atë privilegj duke bërë besëlidhje me Perëndinë, duke i mbajtur ato besëlidhje dhe duke marrë ordinancat thelbësore.

Kjo ka qenë e vërtetë që nga fillimi i kohës. Adami dhe Eva, Noeu dhe bashkëshortja e tij, Abrahami dhe Sara, Lehi dhe Saria, si dhe të gjithë dishepujt e tjerë të përkushtuar të Jezu Krishtit – që kur u krijua bota – kanë bërë të njëjtat besëlidhje me Perëndinë. Ata kanë marrë të njëjtat ordinanca që ne, si anëtarë të Kishës së rivendosur të Zotit sot, i kemi bërë: ato besëlidhje që i marrim në pagëzim dhe në tempull.

Shpëtimtari i fton të gjithë ta ndjekin Atë në ujërat e pagëzimit dhe, me kalimin e kohës, të bëjnë besëlidhje shtesë me Perëndinë në tempull dhe t’i marrin e të jenë besnikë ndaj atyre ordinancave të mëtejshme thelbësore. Këto të gjitha kërkohen nëse duam të ekzaltohemi me familjet tona dhe me Perëndinë përgjithmonë.

Ankthi i zemrës sime është që shumë njerëz të cilët i dua, të cilët i admiroj dhe të cilët i respektoj, nuk e pranojnë ftesën e Tij. Ata i shpërfillin përgjërimet e Jezu Krishtit kur Ai u bën shenjë: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”5.

E kuptoj përse Perëndia vajton.6 Edhe unë vajtoj për miq e të afërm të tillë. Ata janë burra e gra të mrekullueshme, të përkushtuar ndaj familjes dhe përgjegjësive të tyre qytetare. Ata dhurojnë bujarisht nga koha, energjia dhe burimet e tyre. Dhe bota është më e mirë për shkak të përpjekjeve të tyre. Por kanë zgjedhur të mos bëjnë besëlidhje me Perëndinë. Nuk i kanë marrë ordinancat që do t’i ekzaltojnë ata me familjet e tyre dhe do t’i lidhin së bashku përgjithmonë.7

Sa do të doja t’i vizitoja ata dhe t’i ftoja që t’i merrnin parasysh seriozisht ligjet mundësuese të Zotit! E kam pyetur veten se çfarë mund të them vallë që ata të mund ta ndiejnë se sa shumë i do Shpëtimtari, ta dinë se sa shumë i dua unë dhe që të arrijnë ta dallojnë se si burrat e gratë që mbajnë besëlidhje, mund të marrin një “plotësi të gëzimit”8.

Ata kanë nevojë të kuptojnë se, ndërkohë që ka një vend për ta pas kësaj jete – me burra dhe gra të mrekullueshme të cilët gjithashtu zgjodhën të mos bënin besëlidhje me Perëndinë – ai nuk është vendi ku familjet do të ribashkohen dhe ku atyre do t’iu jepet privilegji për të jetuar e përparuar përgjithmonë. Ajo nuk është mbretëria ku ata do të përjetojnë plotësinë e gëzimit – të përparimit dhe lumturisë që nuk mbaron kurrë.9 Ato bekime, më të mëdhatë nga të gjitha bekimet, mund të vijnë vetëm duke jetuar në një mbretërim të ekzaltuar çelestial me Perëndinë, Atin tonë të Amshuar; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe anëtarët tanë të mrekullueshëm, të denjë dhe të kualifikuar të familjes.

E ndiej t’u them miqve të mi që janë mëdyshas:

“Në këtë jetë asnjëherë nuk u mjaftuat me diçka dytësore në asnjë aspekt. Prapëseprapë, kur e kundërshtoni përqafimin tërësor të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, ju po zgjidhni që të mjaftoheni me diçka dytësore.

Shpëtimtari tha: ‘Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa’10. Gjithsesi, kur nuk zgjidhni të bëni besëlidhje me Perëndinë, ju po mjaftoheni me një çati më të dobët mbi kokën tuaj përgjatë gjithë përjetësisë.”

Unë do t’u përgjërohesha më tej miqve të mi që janë mëdyshas, duke thënë:

“Hapjani zemrën tuaj Perëndisë. Pyeteni Atë nëse janë të vërteta këto gjëra. Gjeni kohë që t’i studioni fjalët e Tij. Studioni me të vërtetë! Nëse vërtet e doni familjen tuaj dhe nëse dëshironi të ekzaltoheni me ta gjatë gjithë përjetësisë, paguajeni çmimin tani – nëpërmjet studimit serioz dhe lutjes së zjarrtë – që t’i dini këto të vërteta të përjetshme dhe më pas të jetoni sipas tyre.

Nëse nuk jeni të sigurt që mbase besoni te Perëndia, fillojeni nga ajo. Kuptojeni se në mungesë të përvojave me Perëndinë, dikush mund të dyshojë për ekzistencën e Perëndisë. Prandaj, vendoseni veten tuaj në një gjendje që të filloni të keni përvoja me Të. Përuleni veten. Lutuni që të keni sy të shihni dorën e Perëndisë në jetën tuaj dhe në botën përreth jush. Kërkojini Atij t’ju tregojë nëse Ai është vërtet atje – nëse Ai ju njeh. Pyeteni se si Ai ndihet rreth jush. Dhe më pas, dëgjoni.”

Një miku im i tillë, i shtrenjtë pati përvoja të kufizuara me Perëndinë. Por ai kishte mall të ishte me gruan e tij të ndjerë. Prandaj më kërkoi ta ndihmoja. E nxita të takohej me misionarët tanë me qëllim që të kuptonte doktrinën e Krishtit dhe të mësonte për besëlidhjet, ordinancat dhe bekimet e ungjillit.

Atë gjë ai e bëri. Por ai ndjeu se drejtimi që ata po këshillonin, do të kërkonte që ai të bënte tepër shumë ndryshime në jetën e vet. Ai tha: “Ato urdhërime dhe besëlidhje janë thjesht shumë të vështira për mua. Gjithashtu, ka të ngjarë që nuk mund ta paguaj të dhjetën dhe nuk kam kohë të shërbej në Kishë.” Më pas më kërkoi: “Pasi të vdes, të lutem bëje ti punën e nevojshme në tempull për bashkëshorten time dhe për mua që ne të mund të jemi së bashku përgjithmonë”.

Për fat të mirë, unë nuk jam gjykatësi i këtij burri. Por e vë vërtet në pikëpyetje efektshmërinë e punës mëkëmbëse të tempullit për një burrë i cili e pati mundësinë të pagëzohej në këtë jetë – që të shugurohej në priftëri dhe të merrte bekimet e tempullit ndërkohë që ishte këtu në vdekshmëri – por i cili mori vendimin e ndërgjegjshëm për ta refuzuar atë drejtim.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, Jezu Krishti na fton të hyjmë në shtegun e besëlidhjeve për t’u kthyer te Prindërit tanë Qiellorë dhe për të qenë me njerëzit që i duam. Ai na fton: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”.

Tani, si Presidenti i Kishës së Tij, unë ju lutem juve që e keni larguar veten nga Kisha dhe juve që ende nuk keni kërkuar me të vërtetë të dini se Kisha e Shpëtimtarit është rivendosur. Kryejeni punën shpirtërore për t’i zbuluar këto gjëra vetë dhe ju lutem, bëjeni tani. Koha po mbaron.

Unë dëshmoj se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti. Kisha e Tij dhe plotësia e ungjillit të Tij janë rivendosur për ta bekuar jetën tonë me gëzim, këtu dhe pas kësaj jete. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.