2010–2019
Fuqia e Besimit Mbështetës
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Fuqia e Besimit Mbështetës

Nëpërmjet ngritjes së dorës suaj për të mbështetur, ju bëni një premtim me Perëndinë, shërbëtorët e të cilit janë këta, se do t’i mbështetni ata.

Shumë herë i kam dëgjuar udhëheqësit e priftërisë që të japin falënderime për besimin mbështetës të njerëzve të cilëve u shërbejnë. Nga emocioni në zërin e tyre ju e dini se mirënjohja e tyre është e thellë dhe e vërtetë. Qëllimi im sot është të përçoj mirënjohjen e Zotit për mbështetjen nga ana juaj të shërbëtorëve të Tij në Kishën e Tij. Dhe është gjithashtu që t’ju nxit ta ushtroni dhe të rriteni në atë fuqi për t’i mbështetur të tjerët me besimin tuaj.

Përpara se të lindnit, ju e shfaqët një fuqi të tillë. Mendoni për atë që dimë për botën e shpirtrave përpara se të lindeshim. Ati ynë Qiellor paraqiti një plan për fëmijët e Tij. Ne ishim atje. Luciferi, vëllai ynë shpirtëror, e kundërshtoi planin që do të na lejonte lirinë për të zgjedhur. Jehova, Biri i Dashur i Atit Qiellor, e mbështeti planin. Luciferi udhëhoqi një rebelim. Zëri mbështetës i Jehovës doli fitimtar dhe Ai doli vullnetar që të ishte Shpëtimtari ynë.

Fakti që ju jeni në vdekshmëri tani, na siguron që ju e mbështetët Atin dhe Shpëtimtarin. U desh besim te Jezu Krishti për ta mbështetur planin e lumturisë dhe vendin e Jezu Krishtit në të, kur ju dinit kaq pak për sfidat me të cilat do të përballeshit në vdekshmëri.

Besimi juaj për t’i mbështetur shërbëtorët e Perëndisë ka qenë gjithashtu thelbi i lumturisë suaj në këtë jetë. Kur e pranuat sfidën nga një misionar që të luteshit për të ditur se Libri i Mormonit ishte fjala e Perëndisë, ju patët besimin për të mbështetur një shërbëtor të Zotit. Kur e pranuat ftesën për t’u pagëzuar, ju mbështetët një shërbëtor të përulur të Perëndisë.

Kur e lejuat dikë të vendoste duart mbi kokën tuaj dhe të thoshte: “Merre Frymën e Shenjtë”, ju e mbështetët atë si një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke.

Që nga ajo ditë, duke shërbyer me besnikëri, ju keni mbështetur çdo njeri që ju ka dhënë priftërinë dhe secilin që ju ka shuguruar në një detyrë në atë priftëri.

Që herët në përvojën tuaj të priftërisë, çdo mbështetje ishte një ngjarje e thjeshtë e mirëbesimit ndaj një shërbëtori të Perëndisë. Tani, shumë prej jush kanë përparuar drejt një vendi ku mbështetja kërkon më shumë.

Ju zgjidhni që t’i mbështetni ose jo të gjithë ata që Zoti i thërret – në çfarëdo detyre që Zoti i ka thirrur ata. Ajo zgjedhje ndodh në konferencat në mbarë botën. Ka ndodhur edhe në këtë konferencë. Në mbledhje të tilla, emrat e burrave dhe të grave – shërbëtorëve të Perëndisë – lexohen dhe ju ftoheni ta ngrini dorën tuaj për t’i mbështetur. Ju mund të mos e jepni votën tuaj mbështetëse ose ju mund të premtoni besimin tuaj mbështetës. Me anë të ngritjes së dorës për të mbështetur, ju bëni një premtim. Ju bëni një premtim me Perëndinë, shërbëtorët e të cilit janë këta, se do t’i mbështetni ata.

Këta janë qenie njerëzore të papërsosura, siç jeni ju. Mbajtja e premtimeve tuaja do të kërkojë besim të patundur që Zoti i thirri ata. Mbajtja e atyre premtimeve do të sjellë edhe lumturi të përjetshme. Mosmbajtja e tyre do t’ju sjellë hidhërim juve dhe atyre që i doni – dhe madje humbje përtej fuqisë suaj për ta përfytyruar.

Mund t’ju jetë kërkuar, ose do t’ju kërkohet, nëse do ta mbështetni peshkopin tuaj, presidentin tuaj të kunjit, Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit e Përgjithshëm të Kishës. Kjo mund të ndodhë kur t’ju kërkohet që të mbështetni drejtues dhe udhëheqës në një konferencë. Nganjëherë do të jetë në një intervistë me një peshkop ose president kunji.

Këshilla ime është që t’ia bëni ato pyetje vetes që më parë, duke menduar plot kujdes e lutje. Kur e bëni këtë gjë, ju mund t’i shqyrtoni sërish mendimet, fjalët dhe veprimet tuaja të tanishme. Përpiquni t’i kujtoni dhe formuloni përgjigjet që do të jepni kur Zoti t’ju intervistojë, duke e ditur se një ditë Ai do t’ju pyesë. Ju mund të përgatiteni duke i bërë vetes pyetje si vijueset:

  1. A kam menduar ose folur për dobësinë njerëzore te njerëzit që kam premtuar t’i mbështet?

  2. A kam kërkuar provë që Zoti po i udhëheq ata?

  3. A e kam ndjekur vazhdimisht dhe besnikërisht udhëheqjen e tyre?

  4. A kam folur për provën që mund ta shoh, se ata janë shërbëtorët e Perëndisë?

  5. A lutem për ta rregullisht me emër dhe me ndjenja dashurie?

Për shumicën prej nesh, këto pyetje do të çojnë drejt një ngurrimi dhe një nevoje për t’u penduar. Ne urdhërohemi nga Perëndia që të mos i gjykojmë të tjerët padrejtësisht, por në jetën e përditshme, ne e gjejmë të vështirë ta shmangim atë. Pothuajse çdo gjë që bëjmë kur punojmë me njerëzit, na bën që t’i vlerësojmë ata. Dhe pothuajse në çdo fushë të jetës sonë, ne e krahasojmë veten me të tjerët. Mund ta bëjmë këtë gjë për shumë arsye, disa prej të cilave të arsyeshme, por shpesh kjo na bën që të jemi kritikues.

Presidenti Xhorxh Q. Kenon dha një paralajmërim që po ua them si të ishte nga ana ime. Unë besoj se ai tha të vërtetën: “Perëndia i ka zgjedhur shërbëtorët e Tij. Ai shpall se është e drejta e Tij që t’i dënojë, në qoftë se ata kanë nevojë për dënim. Ai nuk na e ka dhënë neve të drejtën si individë që t’i qortojmë dhe dënojmë ata. Askush, sado i fortë që mund të jetë në besim, sado pozitë të lartë të ketë në Priftëri, nuk mund të flasë keq për të vajosurit e Zotit dhe nuk mund të gjejë faj tek autoriteti i Perëndisë në tokë pa shkaktuar pakënaqësinë e Tij. Shpirti i Shenjtë do të tërhiqet nga një njeri i tillë dhe ai do të shkojë në errësirë. Ngaqë kjo është pasoja, a nuk e shihni se sa e rëndësishme është që ju duhet të jeni të kujdesshëm?”1

Ajo që unë kam parë është që anëtarët e Kishës anembanë botës në përgjithësi janë besnikë ndaj njëri‑tjetrit dhe ndaj atyre që kryesojnë mbi ta. Sidoqoftë, ka përmirësime që mund dhe duhet t’i bëjmë. Ne mund të ngrihemi më lart në fuqinë tonë për ta mbështetur njëri‑tjetrin. Kjo do të kërkojë besim dhe përpjekje. Ja katër sugjerime që i bëj për ne, sipas të cilave të veprojmë në këtë konferencë.

  1. Ne mund të përcaktojmë veprime të posaçme që i rekomandojnë folësit dhe të fillojmë sot t’i vëmë ato në jetë. Kur e bëjmë këtë, do të rritet fuqia jonë për t’i mbështetur ata.

  2. Ne mund të lutemi për ta ndërkohë që flasin, që Fryma e Shenjtë t’i çojë fjalët e tyre në zemrën e njerëzve të veçantë, të cilët i duam. Kur mësojmë më vonë se lutja jonë mori përgjigje, do të rritet fuqia jonë për t’i mbështetur ata udhëheqës.

  3. Ne mund të lutemi që folës të veçantë të bekohen dhe lartësohen, ndërkohë që japin mesazhet e tyre. Kur shohim se ata u lartësuan, ne do të rritemi në besimin tonë për t’i mbështetur ata dhe ai besim do të durojë.

  4. Ne mund t’i dëgjojmë mesazhet nga folësit që vijnë në formën e një përgjigjeje ndaj lutjeve tona vetjake për ndihmë. Kur përgjigjet të vijnë, dhe ato do të vijnë, ne vërtet do të rritemi në besimin tonë për t’i mbështetur të gjithë shërbëtorët e Zotit.

Përveç përmirësimit në mbështetjen e atyre që shërbejnë në Kishë, ne do të mësojmë se ka një vend tjetër në të cilin ne mund të rritemi në një fuqi të tillë. Ai vend madje mund të na sjellë bekime më të mëdha. Ai është në shtëpi dhe në familje.

I flas mbajtësit më të ri në moshë të priftërisë, i cili jeton në shtëpi me babanë e tij. Më lejo të të them nga vetë përvoja ime se çfarë do të thotë për një baba që ta ndiejë besimin tënd mbështetës. Ai mund të të duket vetëbesues. Por ai ndeshet me më shumë sfida nga sa di ti. Ndonjëherë ai nuk mund ta shohë udhën përmes problemeve që ndodhen përpara tij.

Admirimi yt për të do ta ndihmojë atë disi. Dashuria jote për të do ta ndihmojë atë madje më shumë. Por gjëja që do të ndihmojë më shumë nga gjithçka, janë fjalët e çiltra si këto: “Babi, jam lutur për ty dhe e kam ndier se Zoti do të të ndihmojë. Gjithçka do të shkojë mirë. E di se do të shkojë mirë.”

Fjalë si ato gjithashtu kanë fuqi në një drejtim tjetër, nga babai te biri. Kur një bir ka bërë një mëkat të rëndë, ndoshta në një çështje shpirtërore, ai mund të ndiejë se ka dështuar. Si babai i tij, në atë çast, ju mund të habiteni kur, pasi luteni që të dini se çfarë të bëni, Fryma e Shenjtë i vë këto fjalë në gojën tuaj: “Bir, unë do të jem përkrah teje pavarësisht nga kjo gjë. Zoti të do. Me ndihmën e Tij, mund të kthehesh sërish tek Ai. E di se mundesh dhe se do të kthehesh. Unë të dua.”

Në kuorumin e priftërisë dhe në familje, besimi i shtuar për ta mbështetur njëri‑tjetrin është mënyra se si e ndërtojmë Sionin që Zoti dëshiron që ne ta krijojmë. Me ndihmën e Tij ne mund ta ngremë dhe do ta ngremë atë. Do të duhet të mësojmë ta duam Zotin me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen e forcën tonë dhe ta duam njëri‑tjetrin porsi veten tonë.

Teksa rritemi në atë dashuri të pastër të Krishtit, zemrat tona zbuten. Ajo dashuri do të na përulë dhe do të na bëjë të pendohemi. Besimi ynë te Zoti dhe te njëri‑tjetri do të rritet. Dhe atëherë ne do të shkojmë përpara duke u bërë një, siç na premton Zoti se mund të bëhemi.2

Unë dëshmoj se Ati Qiellor ju njeh dhe ju do. Jezusi është Krishti i gjallë. Kjo është Kisha e Tij. Ne mbajmë priftërinë e Tij. Ai do t’i nderojë përpjekjet tona që të rritemi në fuqinë tonë për ta ushtruar atë dhe për ta mbështetur njëri‑tjetrin. Unë kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gospel Truth: Discourses and Writings of President George Q. Cannon, bot. Jerreld L. Newquist (1974), 1:278.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 35:2.