2020
Përparimi si Misionar gjatë COVID-19
Nëntor 2020


Përparimi si Misionar gjatë COVID-19

Përqendrimi juaj e sjell gjithë ndryshimin.

Pamja
Misionaret duke ecur me maska të vendosura

Nëse dikush do të më kishte pyetur disa muaj më parë se si e përfytyroja misionin tim, nuk do ta kisha marrë kurrë me mend rrugëtimin që më priste. Por një gjë ka mbetur e njëjtë: Unë jam ende një misionare për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – por tani jam një misionare edhe gjatë një pandemie.

Por çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë të duam të bëjmë vullnetin e Zotit në një mënyrë më të thellë. Do të thotë të përpiqemi që t’i shërbejmë Zotit dhe fëmijëve të Tij ndërkohë që përballemi me ndryshim të vazhdueshëm. Do të thotë të mësojmë të përshtatemi shpejt me situatat e reja. Do të thotë të mësojmë të jemi më elastikë, tolerantë, të duruar dhe të dashur çdo ditë.

Do të thotë edhe të përballemi me shumë pasiguri dhe të bëjmë shumë pyetje të tilla si:

“A do ta dërgojnë shoqen time të misionit në shtëpi nesër?”

“A do të na zhvendosin në një zonë tjetër për shkak të virusit?”

“Çfarë do t’u ndodhë njerëzve që po u japim mësim, nëse do të më duhet të largohem?”

Ne i kemi vazhduar mësimet tona të ungjillit nëpërmjet mediave shoqërore, por nuk është gjithnjë e lehtë – dhe pa dyshim nuk është përvoja e misionit që kishte imagjinuar ndonjëri prej nesh. Sidoqoftë, ne jemi ende këtu, të patundur në vendimin tonë për të shërbyer kudo qoftë, për t’i shërbyer Zotit pavarësisht situatës apo mënyrës se si e bëjmë, për të arritur te zemrat e fëmijëve të Tij.

Përse zgjedh ende të shërbej?

Po, vështirësitë e jetës misionare janë fizike, mendore dhe shpirtërore – të gjithë ne kemi kaluar të paktën një prej tyre. Po, jemi përballur me shumë vështirësi dhe do të vazhdojmë të përballemi me sfida të tjera, por në saje të Jezu Krishtit, i cili dha jetën e Tij për ne, ne e dimë se e gjitha ia vlen.

Kam kuptuar se Ati Qiellor është i vetëdijshëm për ne. Ai e dinte se do të kishte misionarë që nuk do të mund ta kalonin procesin e tempullit apo të vinin këmbë brenda një qendre trajnimi të misionarëve para se të niseshin në misionin e tyre. Ai e dinte se do të kishte të rinj e të reja që nuk do t’u jepej mundësia kurrë të shërbenin në vendet ku ishin thirrur. E sidoqoftë këta misionarë e dinë se Zoti na do dhe na mbron ashtu siç Ai do të bëjë gjithnjë. Dhe se përpjekjet tona janë të mjaftueshme në sytë e Tij. Të gjithë ne kemi mësuar vërtet se mund t’i shërbejmë Zotit dhe ta përhapim ungjillin e Tij kudo dhe në çdo rrethanë. Dhe ia vlen!

Çfarë më bën të shkoj përpara?

Në ditët e vështira, kam kuptuar se ka dy mënyra për ta parë këtë kohë:

  • Me një qëndrim pesimist, duke pritur të paduruar që gjërat të kthehen në normalitet.

  • Ose me një këndvështrim të ri, duke vendosur synime, duke planifikuar pozitivisht dhe personalisht, duke e përdorur këtë situatë si një mundësi për të bërë ndryshimet që i kemi dëshiruar gjatë, por i kemi shtyrë.

Unë përpiqem të zgjedh mundësinë e dytë. Teksa kam menduar për rrethanat e tanishme të botës, kam vrarë mendjen nëse COVID-19 është një mundësi për të na ndihmuar që t’i vlerësojmë më shumë marrëdhëniet tona ose për të na nxitur që t’i hapim zemrat tona edhe më shumë ndaj Krijuesit tonë dhe të jemi të gatshëm ta dëgjojmë Atë. Dhe t’i japim më tepër përparësi ungjillit nga ç’kemi bërë më parë.

Kjo nuk është një kohë e vështirë vetëm për misionarët – është e vështirë për gjithsecilin. Por ashtu siç kapiteni Moroni u bëri thirrje të tjerëve për t’iu bashkuar kauzës për liri (shih Alma 46) edhe ne jemi thirrur që të ngrihemi dhe të mos druajmë. Dhe ta dallojmë se Ati ynë Qiellor është vërtet gjithmonë me ne, duke na aftësuar që të shërbejmë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë, pavarësisht nga ajo që ndodh (shih Doktrina e Besëlidhje 4:2).

Si misionarë të Zotit, ne duhet t’i mbajmë sytë gjithnjë të drejtuar te Shpëtimtari ynë dhe synimi ynë i përjetshëm. Le të mbajmë mend se Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe do që të gjithë ne të kthehemi tek Ai.

Në të vërtetë, sado e vështirë të jetë për të qenë një misionar/e në një kohë me COVID-19, ne mund ta bëjmë këtë kohë më të mirën e jetës sonë. Me gjithë sinqeritetin, kështu ka qenë për mua! Dhe është gjithçka për shkak të përqendrimit tim, sepse përpiqem ta kujtoj gjithnjë dashurinë time për Atin Qiellor dhe dëshirën time për ta ndihmuar Atë që ta mbledhë Izraelin e shpërndarë. Dhe e di se Ai do t’i japë secilit prej misionarëve të Tij mëshirat e dhembshura teksa bëjmë më të mirën tonë për ta përmbushur këtë thirrje që Ai na ka dhënë.