2020
Një Vegim më Udhëhoqi drejt së Vërtetës
Nëntor 2020


Një Vegim më Udhëhoqi drejt së Vërtetës

Ta kem imagjinuar vallë statujën?

Pamja
grua e ulur në stol

Disa vite më parë, po takohesha me misionarët dhe kisha vështirësi me shëndetin. Isha e mjeruar dhe gjithçka që doja, ishte të ndieja njëfarë udhërrëfimi në jetën time.

Nuk ndihesha e sigurt apo e emocionuar për asgjë, veçanërisht rreth kësaj kishe për të cilën misionarët vazhdonin të flitnin. Megjithatë, me gjysmë zemre vendosa të merrja pjesë në mbledhjen e sakramentit për herë të parë.

Nëna ime erdhi me mua dhe kur u afruam në godinën kishtare, zemra më rrahu fort kur pashë një statujë të artë vezulluese mbi çati. Ishte pamja më e bukur që kisha parë ndonjëherë! Kjo ndërtesë dukej aq paqësore dhe ftuese saqë i gjithë qëndrimi im u tjetërsua dhe me dëshirë të madhe hyra brenda.

Gjatë sakramentit, mbylla sytë dhe një pamje e Jezusit m’u shfaq në mendje. Gjatë periudhës së rritjes, gjithnjë kisha pasur dijeni rreth Jezusit, por nuk kisha qenë e interesuar për Të deri kohët e fundit. Nuk e kisha lexuar asnjëherë Biblën. Dhe sinqerisht nuk dija asgjë se përse Jezu Krishti vdiq në një kryq, apo përse Ai kishte dymbëdhjetë Apostuj, apo përse aq shumë profetë dhanë mësim rreth Tij.

Por në atë çast, u ndjeva e lidhur me Të. Më së fundi Ai m’u duk i vërtetë. Pata një ndjenjë pushtuese dashurie dhe një dëshirë për të mësuar më shumë. E besova që Ai ishte burimi i së vërtetës dhe i dashurisë që po kërkoja.

Pak ditë më vonë, e pyeta nënën rreth statujës që kisha vënë re. Ajo u duk pak e pështjelluar dhe tha se nuk kishte vënë re asnjë statujë, por donte që të kalonte prapë me makinë afër ndërtesës për ta parë atë pasi ia përshkrova se sa e bukur ishte.

Por kur arritëm te ndërtesa e kishës, statuja që kisha parë vetëm pak ditë më parë, nuk ishte më aty. Nuk mund ta besoja! Vallë ta kishte hequr ndokush?

Në kishë, javën tjetër, e pyeta dikë për statujën. Ajo u hutua dhe tha se ndërtesa nuk kishte pasur kurrë një statujë mbi të. Por kur ia përshkrova se çfarë pamje kishte statuja, ajo tha: “Oh! E ke fjalën për statujën e Moronit? Ato nuk janë mbi ndërtesat e kishës, por statuja e tij është në shumicën e tempujve.” Ajo më tha se Moroni ishte një profet në Librin e Mormonit dhe se gjithashtu luajti një rol në Rivendosje.

M’u mbush mendja se duhet ta kem imagjinuar statujën. Por kontrollova në Librin e Mormonit atje ku përmendet Moroni. Mësova se ai kishte humbur familjen dhe miqtë e tij, se ai vuajti nga mëkatet e botës dhe se pavarësisht të gjithave, ai prapë e zbatoi urdhrin e Perëndisë për të mbrojtur të vërtetën. Mësova gjithashtu se i ishte shfaqur Jozef Smithit shumë herë për t’i dhënë atij mesazhe nga Ati Qiellor. Të mësuarit rreth Moronit dhe mësimeve të tij dhe se si bëri aq shumë përpjekje për ta ndjekur Krishtin dhe për ta ruajtur të vërtetën, më ndihmoi ta ktheja njëmend të gjithë zemrën time tek ungjilli.

Kur më në fund pata mundësinë të vizitoja tempullin e Saporos në Japoni, e pashë statujën ekzistuese të Moronit për herë të parë. Ishte e njëjta statujë që kisha parë sipër ndërtesës sime të kishës. Por ajo që kisha parë atë ditë shndriste përtej gjithë shkëlqimit në këtë botë. Unë besoj se “statuja vezulluese” ishte një vegim nga Ati Qiellor, i cili më ftonte të gjeja dashurinë e Tij dhe të vërtetën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Të mësoja për profetë të lashtë si Moroni që dëshmuan për Krishtin dhe profetë të gjallë që bëjnë të njëjtën gjë. Të gjeja drejtimin të cilin po e kërkoja gjithë dëshpërim.

E di se Zoti e rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe se kemi profetë të gjallë sot që udhërrëfehen nga Ai për të na sjellë të vërtetën dhe për të na ndihmuar që të kthehemi tek Ati Qiellor. E di se Jezu Krishti është burimi i paqes dhe gëzimit në këtë jetë si edhe në tjetrën.

Drita e ungjillit të Tij të rivendosur dhe të gjitha bekimet që ai [ungjill] derdh e kanë ndryshuar kryekëput jetën time dhe, njësoj si në atë ditë të parë në kishë, unë e di se Ati Qiellor do ta udhërrëfejë jetën time teksa vazhdoj ta ndjek Atë dhe lajmëtarët e Tij.