2020
Unë Përjetoj Tërheqje Ndaj së Njëjtës Gjini – A do të më Mirëpresin Sërish Anëtarët e Kishës?
Korrik 2020


Unë Përjetoj Tërheqje Ndaj së Njëjtës Gjini – A do të më Mirëpresin Sërish Anëtarët e Kishës?

Pamja
members greeting man

Ilustrimi nga Getty Images

Më 27 korrik 2013, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Alzhajmerit, partneri im i jetës prej 25 vjetësh ndërroi jetë. Xhei Elldrexh ishte një kardiolog i mirënjohur botërisht. Ne kishim shërbyer të dy në misione për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur ishim të rinj, por më pas u larguam nga Kisha për shkak të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini.

Vdekja e Xheit, ndonëse jo e papritur, ishte dërrmuese. Ndihesha i copëtuar në zemër, i përhumbur dhe i vetmuar.

Ndërkohë që po kthehesha në shtëpi me makinë pasi bëmë organizimet për varrimin, unë e ndjeva ndikimin e Shpirtit që më pushtoi aq fort, saqë m’u desh ta ndaloja makinën në anë të rrugës. E dija se Perëndia po më fliste, po më thërriste drejt Tij, por e përmbajta veten. “A nuk e sheh që po vuaj?” thashë me zë të lartë. “Nuk mund ta përballoj kthimin në kishë tani.”

Por sa më shumë kundërshtoja, aq më shumë Shpirti më trazonte, duke më ftuar që të kthehesha në kishë.

A do të më Pranonin?

Isha thellësisht i shqetësuar rreth kthimit në kishë. Nuk kisha qenë në një mbledhje sakramenti prej 25 vjetësh. A do të më pranonin vallë? A do t’i pranoja unë ata? Çfarë do të thoshte peshkopi? Ndihesha në ankth dhe i pavendosur dhe ende i rënduar nga hidhërimi.

Por dëshmia ime për ungjillin nuk ishte lëkundur kurrë gjatë gjithë atyre viteve. Xhei dhe unë e donim Kishën dhe parimet e saj udhëzuese – pra, dashurinë hyjnore, mëshirën dhe faljen. E dija se Krishti ishte Shpëtimtari im dhe se Kisha e Tij ishte Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. E kam ditur atë që në kohën e kthimit në besim dhe pagëzimit tim në moshën 14 vjeç. Nuk kisha ndërmend ta mohoja atë tani.

Më në fund, pasi mora aq zemër sa duhej, i telefonova Lagjes Linud në Nju‑Xhërsi, SHBA, për të marrë vesh se në çfarë ore fillonte mbledhja e sakramentit.

Teksa afrohej e diela, kundërshtari më vuri shumë pengesa në rrugën time, të cilat mund të më kishin penguar lehtësisht që të mos merrja pjesë. Sa mirënjohës jam që Fryma e Shenjtë ngulmoi!

Ndihesha në ankth teksa hyja në ndërtesë, por himni i hapjes në mbledhjen e sakramentit më siguroi prapë se isha përsëri në shtëpi. Himni “Eni Shenjtorë” (Himne, nr. 21) e ftoi Shpirtin aq fuqishëm saqë më rrodhën lot nëpër faqe. Në atë çast e kuptova se Ati Qiellor ishte në dijeni për mua dhe trishtimin e thellë që po ndieja.

Ajo këngë është bërë njëfarë himni joformal për Kishën, por është bërë edhe himni im vetjak gjithashtu.

“[Eja]” më fton himni. “Dhe pse ky udh’tim duket i vështir’, dita do të ket’ hir.”

Udhëtimi im qe i vështirë. Por hiri preku sipas premtimit.

Peshkopi Derren Bërd dhe pjesa tjetër e bashkësisë ishin të mrekullueshëm dhe mikpritës. Ata më pranuan si vëllanë e tyre në Krisht.

Pajtimi me Perëndinë, nëpërmjet Krishtit

Sidoqoftë, fjalët e himnit “Eni Shenjtor’” morën një kuptim më të madh për mua kur ndjeva Atin Qiellor tek më drejtonte rreth mënyrës se si duhet të vazhdoja më tej.

Vendin do t’gjejm’, Per’ndia na e dha sot

Fort larg në perëndim,

Atje askush s’na tremb e s’na nget dot’;

Shenjtor’t do t’ken’ bekim.

Shkova në perëndim dhe bleva një shtëpi në Fauntin Hills të Arizonës në SHBA, ku takova Peshkopin Xherri Olson. Kur i kërkova që ta takoja dhe i shtrëngova dorën, Shpirti më la mbresë se ky burrë do të më ndihmonte të kthehesha në aktivitet të plotë në Kishë.

Teksa fillova të takohesha me peshkopin dhe mora rrugëtimin drejt pajtimit me Atin Qiellor, unë dëshmova shumë mrekulli shpirtërore. U tregova i hapur me peshkopin, gjë për të cilën ai ishte mirënjohës. Ai tha se kjo e ndihmoi për ta kuptuar më mirë se në ç’gjendje isha dhe se në ç’gjendje jam tani në marrëdhënien time me Perëndinë. Ai gjithashtu më njoftoi me dashuri se kjo ishte hera e parë që kishte pasur mundësinë t’i jepte shërbesë dikujt me tërheqje ndaj së njëjtës gjini dhe ai më kërkoi durim dhe falje nëse thoshte apo bënte diçka që do të më fyente gjatë procesit.

E falënderova për sinqeritetin e tij dhe i thashë: “Epo, edhe për mua hera e parë është. Do të mësojmë së bashku.”

Kështu nisi një udhëtim dhe një miqësi e mrekullueshme!

Shpejt kisha një plan veprimi se si të bëhesha përsëri një anëtar. E pranova këshillën e dashur dhe plot lutje me një zemër mirënjohëse dhe e fillova procesin.

Pamja
temple

Ilustrimi nga Jenna Palacios

Ngushëllim në Tempull

Më vonë, teksa e ndoqa atë këshillë dhe punova fort që të afrohesha më shumë me Krishtin, mora rivendosjen time të priftërisë dhe të bekimeve të tempullit dhe e pranova thirrjen për të shërbyer në kuorumin e pleqve. Në tempullin e shenjtë, ndërsa i flisja Atit Qiellor, Ai më tregoi se sa shumë Ai i do të gjithë fëmijët e Tij. Ndjeva ngushëllim dhe një dëshirë të thellë që ta kënaqja Atë.

Muaj më vonë, u thirr një peshkop i ri, me të cilin kam zhvilluar gjithashtu një miqësi të ngrohtë. Peshkopi Lerri Redford ishte në dijeni për rrethanat e mia dhe e vlerësoi shërbimin tim në kuorumin e pleqve, ku ai tha se kisha shërbyer me dashuri dhe përkushtim jo vetëm për kuorumin por – më e rëndësishmja – edhe për Perëndinë. Fjalët e tij dashamirëse dhe inkurajimi i tij më ndihmuan të ndieja se Zoti dhe bashkëshenjtorët e mi ishin të kënaqur me shërbimin tim.

Tani shërbej me besnikëri si nëpunës.

Të Kuptoj se Cili Jam

Pasja e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini dhe të qenit një anëtar aktiv i Kishës nuk është gjithmonë e lehtë. Por ndërsa e vendos të gjithë besimin tim te Perëndia dhe i mirëbesoj Atij, unë mund ta ndiej Atë tek më forcon. Kritikuesit pa dyshim që do të thonë se nuk po qëndroj i vërtetë ndaj faktit se cili jam ose që po zhgënjej komunitetin LGBT+.

E kuptoj zemërimin e tyre dhe është e qartë se nuk i kam të gjitha përgjigjet. Mund të flas vetëm nga përvoja ime vetjake. Dhe ajo përvojë më ka mësuar këtë: Unë jam bir i Atit Qiellor, një fëmijë i Perëndisë. Ky është etiketimi i parë dhe i vetëm që ka rëndësi për mua. Si rrjedhojë, përpiqem që të mos i lejoj etiketimet e botës të më përcaktojnë. Druaj se kjo do ta kufizojë potencialin dhe përparimin tim të përjetshëm.

Satani është shumë i zgjuar. Ai e di se duke përdorur etiketime, ai mund të na përçajë ne si komunitet dhe si Kishë.

Me atë këndvështrim në mendje, zgjedhjet që bëj nuk janë të bazuara te tërheqja ime ndaj së njëjtës gjini, por te mënyra se si të jem një dishepull i vërtetë i Krishtit me tërheqje ndaj së njëjtës gjini. Siç tha Nefi:

“O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë. Unë nuk do ta vë besimin tim në krahun prej mishi. …

. … Unë e di se Perëndia do t’i japë me zemërgjerësi atij që kërkon. Po, Perëndia im do të më japë, në qoftë se unë nuk kërkoj pa të drejtë; prandaj unë do ta ngre zërin tim drejt teje; po, unë do të thërras te ti, Perëndia im, shkëmbi i drejtësisë sime. Vini re, zëri im do të ngrihet gjithnjë te ti, shkëmbi im dhe Perëndia im i përjetshëm” (2 Nefi 4:34–35).

Dashuria e Bashkëshenjtorëve të Mi

Gjatë kthimit tim, ndjeva shoqërimin dashamirës të udhëheqësve dhe bashkëshenjtorëve të mi, përfshirë anëtarët aktivë dhe më pak aktivë LGBT+. Gjeta një vend ku mund të përparoja. Gjeta mes tyre cilësitë e Krishtit që i kisha lidhur gjithnjë me besimin tim: mëshirën, dhembshurinë, kuptimin dhe mbi të gjitha, dashurinë.

Kur hasja vështirësi përgjatë shtegut me Shpëtimtarin tim, ndieja ngushëllim dhe paqe teksa i drejtohesha Atij, duke e ditur se nuk po ecja i vetëm në atë shteg. Më qëndruan pranë disa peshkopë. Anëtarët e kuorumit tim. Motrat në lagje. Madje kisha një të ri në lagje që më kërkoi nëse mund ta shuguroja prift. Ftesa e tij dashamirëse më preku thellë. Ai më pa si një burrë që mban priftërinë e Perëndisë dhe që mund ta ushtrojë atë priftëri në shërbim të të tjerëve.

Këto veprimtari për të shërbyer dhe adhuruar me bashkëshenjtorët e mi më kanë lartësuar dhe – bashkë me shumë bekime që kam marrë nga Zoti, më kanë ndihmuar të përjetoj dashurinë, kuptueshmërinë dhe pranimin që më nevojitej.

Shpëtimtari tha: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18). Ato fjalë janë të vërteta! Kisha nevojë për ngushëllim dhe Ai erdhi tek unë, me më shumë bollëk sesa mund ta imagjinoja.