2020
5 Siguri në një Botë të Pasigurt
Korrik 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

5 Siguri në një Botë të Pasigurt

Këto pesë të vërteta mund t’ju ndihmojnë të kaloni gjithçka.

Jeta rrallëherë shkon ashtu siç planifikohet. Ajo është plot gërshetime, kthesa dhe befasi për këdo. Pra si mund të përgatitemi për të ardhmen kur nuk e dimë se çfarë do të sjellë ajo?

Për fat, ka disa gjëra tek të cilat mund të mbështetemi gjithnjë. Të vërtetat vijuese nuk do të ndryshojnë kurrë. Ato mund t’i udhërrëfejnë vendimet tona dhe të na nxitin të shkojmë përpara, edhe kur shtegu para nesh duket i errët e i pasigurt.

Ati Qiellor ju do.

Pavarësisht nga ajo që ndodh në jetë, Ai ju do. Ju keni vlerë të madhe për Atin Qiellor (shih Doktrina e Besëlidhje 18:10). Ju vleni sa botë të tëra!1

Mund të mos ndiheni shumë të çmuar. Mund të ndiheni të rrënuar, të vetmuar e të frikësuar. Mund të ndiheni të padenjë. Por sikurse e shpjegoi Motra Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e Fillores, vlera dhe denjësia nuk janë e njëjta gjë.2 Edhe kur mëkatojmë, ne kemi shumë vlerë. Kjo është një nga arsyet pse Shpëtimtari e kreu Shlyerjen (shih Doktrina e Besëlidhje 18:11–13). Për shkak se Ai ju njeh dhe ju do, Ai ka siguruar një mënyrë që ju të jeni të pastër përsëri.

Ati Qiellor ka një plan për ju.

Ju jeni këtu në tokë për një qëllim: që të bëheni si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe të ktheheni për të jetuar me Ta. Ai është synimi i Perëndisë për ju dhe Ai do t’ju ndihmojë ta arrini atë!

Kjo nuk do të thotë se gjërat do të jenë gjithmonë të lehta; ne prapëseprapë do të përballemi me sfida. Por mund të jemi të sigurt se “gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën e atyre që ecin drejt” (Doktrina e Besëlidhje 100:15).

Plani i tij për jetën tuaj mund të duket ndryshe nga plani juaj, por ju mund të mirëbesoni se plani i Tij do të jetë për dobinë tuaj dhe do t’ju udhëheqë drejt lumturisë së përhershme. Lexojini librat udhërrëfyes për jetën: shkrimet e shenjta, bekimin tuaj patriarkal dhe fjalët e profetëve bashkëkohorë. Ato do t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë planin e Tij për ju.

Më pas, ndiqeni drejtimin e Tij. Kur jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Tij, ne do të kemi paqe dhe begati (shih Mosia 2:22). “Merrni zemër”, sikurse tha Presidenti Tomas S. Monson. “E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj.”3

Synimi përfundimtar është jeta e përjetshme.

Ndërkohë që udha jonë përgjatë jetës mund të jetë e pasigurt, vendmbërritja jonë është e qartë. Kur marrim vendime, mund të pyetim: “Ku do të na çojë kjo?”4 Nëse ajo ju largon nga shtegu drejt jetës së përjetshme, nuk është zgjedhja e duhur.

Nganjëherë ne përqendrohemi së tepërmi te vendime të vogla, si detyrat e shtëpisë ose çfarë të hamë për drekë. E humbasim nga sytë qëllimin e vërtetë të jetës – bërjen si prindërit tanë qiellorë. Vërtet, kur jemi drejtuar për tek ai synim, gjithçka do të shkojë mirë. Pra, mbani një këndvështrim të përjetshëm.

Jeta mund të mos shkojë sipas planeve tona. Në fakt, pa dyshim që nuk do të shkojë ashtu. Por është vendmbërritja jonë ajo që ka më shumë rëndësi. Sigurohuni që keni marrë drejtimin e duhur dhe, me ndihmën e Zotit, gjithçka do të shkojë siç duhet. Ai do t’ju udhërrëfejë.

Ju keni lirinë e zgjedhjes.

Ndërkohë që Ati Qiellor e udhërrëfen njëmend shtegun tonë, Ai nuk na thotë gjithçka që duhet të bëjmë. Ai na ka dhënë lirinë e zgjedhjes dhe Ai pret që ne ta përdorim atë.

Sikurse tha Zoti: “Nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka; … njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë” (Doktrina e Besëlidhje 58:26–27). Në këtë rast, të përfshihemi me zell do të thotë të jemi të zellshëm e të përkushtuar.

Ndonjëherë, pasja e lirisë së zgjedhjes mund të mos duket si ngushëllim. Ndonjëherë mund të duam që thjesht të na thonë se çfarë të bëjmë. Por në të vërtetë, liria e zgjedhjes është një bekim i madh. Ajo është një dhuratë nga Perëndia dhe një nga gjërat që na bën ne të ngjashëm me Të. Ajo na jep fuqi.

Pra në çfarë dëshironi të përfshiheni?

Ati Qiellor dëshiron që ne të përparojmë.

Një nga ato kauza të mira në të cilat duhet të përfshihemi mund të jetë zhvillimi ynë vetjak. Ka gjithmonë gjëra që mund t’i përmirësojmë te vetja, gjëra që mund të mësojmë dhe zotësi që mund t’i zhvillojmë. Ka edhe besëlidhje që nevojitet t’i bëjmë e t’i mbajmë.5

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e shpjegoi rëndësinë e përparimit në këtë mënyrë: “Perëndia nuk ka interes që fëmijët e Tij thjesht të bëhen “kafshë shtëpiake” të ushtruara dhe të bindura, që nuk do t’i shqyejnë pantoflat e Tij në dhomën qiellore të ndenjjes. Jo, Perëndia do që fëmijët e Tij të rriten shpirtërisht dhe të bashkohen me Të në punën e familjes.”6

Përgatituni për fatin tuaj të përjetshëm duke u bërë vetja juaj më e mirë. Përcaktojini zotësitë që doni të zhvilloni dhe dhuratat shpirtërore që ju nevojiten për t’u bërë më të ngjashëm me Perëndinë.7 Pastaj bëni një plan për t’i zhvilluar ato gjëra! Forcojini “muskujt shpirtërorë” nëpërmjet praktikës.8

Kur jeta që ju pret duket e frikshme, mbajeni mend se ajo nuk është jashtë kontrollit. Ju nuk jeni vetëm. Ju jeni të fuqishëm. Dhe me Jezu Krishtin, ju jeni të pandalshëm. Ai do t’ju ndihmojë të bëheni gjithçka që keni potencial të bëheni që nga lindja.

Shënime

  1. Shih Brigham Young, “Remarks”, Deseret News, 6 mars 1861, f. 2.

  2. Shih Xhoi D. Xhons, “Vlerë e Pamasë”, Liahona, nëntor 2017, f. 13–15.

  3. Tomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 92.

  4. Dallin H. Ouks ,“Ku do të na Çojë kjo?” Liahona, maj 2019, f. 60.

  5. Shih Geri E. Stivenson, “Katër Minutat Tuaja”, Liahona, maj 2014, f. 84–86.

  6. Dejll G. Renland, “Zgjidhni Sot”, Liahona, nëntor 2018, f. 104.

  7. Shih Xhorxh Q. Kenon, “Kërkimi i Dhuratave Shpirtërore”, Liahona, prill 2016, f. 80.

  8. Shih Huan Pablo Vijar, “Ushtrimi i Muskujve Tanë Shpirtërorë”, Liahona, maj 2019, f. 95–97.