2018
Ndarja Ime më e Keqe Ishte në të Vërtetë Një nga Bekimet e Mia më të Mëdha
Tetor 2018


Ndarja Ime më e Keqe Ishte në të Vërtetë Një nga Bekimet e Mia më të Mëdha

Ndonjëherë ne gjejmë arsye për nxitje dhe ndonjëherë jo. Në të dyja rastet, ne duhet të veprojmë me besim.

Pamja
young woman looking out at the ocean

U ndava me të dashurin tim të parë një natë të kthjellët vere.

Më herët asaj dite, Karteri (emri është ndryshuar) dhe unë patëm grindje – që ishte normale në marrëdhënien tonë trevjeçare me prishje-ndreqje. Ne grindeshim rreth gjithçkaje – nga e ngrëna deri te planet e së ardhmes. Në fillim, unë i shpërfillja dallimet me shprehjen “të kundërtat tërhiqen”. Por ngacmimet tona miqësore të rastit përfundimisht u bënë një varg rraskapitës mosmarrëveshjesh.

Atë natë vere, ne patëm marrë një teleskop në shkretëtirë për të vështruar planetët. Por pamë se shkëlqimi i hënës kundrejt qiellit të vruguar, na e errësonte pamjen. Të acaruar, ne filluam të grindeshim – përsëri.

Si përfundim, unë u largova për të mbledhur veten. “Unë nuk jam kështu”, mendova. Njihesha si paqësore me vëllezërit e motrat e mia dhe flisja sjellshëm e ëmbëlsisht me miqtë e mi të tjerë. Ndaj, përse po i bërtisja djalit që thoja se e doja?

Pashë lart në qiellin e errët dhe u luta për të ditur se si mund ta përmirësoja marrëdhënien time me Karterin. Befas, një paqe vërshuese ma zëvendësoi zemërimin dhe pata përshtypjen se gjëja më e mirë që mund të bëja për ne të dy ishte t’i jepja fund marrëdhënies sonë.

U desh kohë për t’u shëruar. Kishte çaste që tundohesha për të mos e dëgjuar nxitjen për t’u ndarë me Karterin pasi më mungonte afërsia e marrëdhënies sonë. Ndonjëherë ndihesha e acaruar me Perëndinë, duke besuar se Ai kishte mbyllur një derë duke e përplasur pa hapur një tjetër. Megjithatë, unë u mbështeta te këshilla e Plakut Xhefri R. Holland nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve: “Në çaste frike apo dyshimi, ose kohë shqetësimi … mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme” (“Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 94).

Unë nuk e mora atë “dij[e të] mëtejshme” për shumë muaj dhe fillova të pyes veten a do ta merrja ndonjëherë. Pas një lutjeje nga zemra rreth ndarjes, Shpirti më preku në zemër duke më treguar se nxitjet e Atit Qiellor janë për mirëqenien e fëmijëve të Tij. Hollësitë e arsyetimit të Tij nuk janë aq të rëndësishme sa besimi im tek Ai.

Njohuria se Ati Qiellor pati një plan për mua më dha shpresë për të ardhmen time dhe më ndihmoi të filloj të dal përsëri në takime. Një mëngjes, lexova te Doktrina e Besëlidhje 88:40, ku Zoti jep mësim se “drita kapet pas dritës”. Befas unë kuptova se ky parim mund t’i përshtatet daljes në takime. E dija se do të isha më e lumtur me dikë që kishte vlerat dhe dritën time.

Përfundimisht, takova Ostinin. Ne u lidhëm menjëherë, që nga dashuria jonë për takos-at [pitet meksikane] deri te misionet e secilit brenda Shteteve të Bashkuara. Shpirti i tij i butë m’u duk i afërt dhe i përshtatur me timin, dhe përfundimisht unë u martova me të. Ajo që kemi nuk është një marrëdhënie shpërthyese siç mund të prisni në një film të famshëm romance. Ajo është e ëmbël dhe e qëndrueshme – diçka që besoj se mund të vazhdojë përgjithmonë.

Shumë nga ne janë të etur për shpjegim kur marrin nxitje të vështira. Nga përvoja ime, kam mësuar se besimi në Zot mund të na ndihmojë të qëndrojmë të bindur pa e ditur arsyen. Kur i mirëbesojmë Perëndisë së gjithëditur, ne mund të ndiejmë paqe nga vendimet tona për të vepruar sipas nxitjeve deri sa të marrim “dij[en] e mëtejshme” që Ai ua ka premtuar besnikëve.