2018
4 Mësime nga Nxjerrja në Dritë e Librit të Mormonit nga Jozef Smithi
Tetor 2018


4 Mësime nga Nxjerrja në Dritë e Librit të Mormonit nga Jozef Smithi

Kur ishte vetëm 24 vjeç, Jozef Smithi u përball me sfida teksa punonte për t’i përmbushur urdhërimet e Perëndisë. Por ai i kapërceu me ndihmën e Perëndisë, edhe ne mundemi.

Pamja
young adult woman holding an old Book of Mormon

Si të rinj në moshë madhore, mund të na kërkohet të bëjmë gjëra që na duken të pamundura pa ndihmën e Perëndisë. Në mënyrë të ngjashme, Jozef Smithi, kur ishte vetëm 24 vjeç, u përball me sfida dhe u ndje i papërshtatshëm ndërsa përpiqej të përmbushte një urdhërim të rëndësishëm – botimin e përkthimit të Librit të Mormonit. Por me ndihmën e Perëndisë, ai e përfundoi gjithçka që iu kërkua dhe shembulli i tij dëfton disa mënyra në të cilat mund ta bëjmë të pamundurën të mundur kur e kemi Perëndinë në anën tonë.

  1. Nuk duhet të jemi të shkëlqyer që Perëndia të kryejë mrekulli nëpërmjet nesh. Kur Jozefi po përgatitej ta botonte Librin e Mormonit, ai ishte një i ri në moshë madhore pa shumë para ose arsimim formal – jo më të kishte njohuri se si përkthehej dhe botohej një anal kaq i rëndësishëm. Gjithsesi, ai shkoi përpara me besim dhe me dhuratën e fuqinë e Perëndisë për ta përfunduar punën që iu kërkua. Nëse i mirëbesojmë Atit Qiellor, Ai mund të na aftësojë që ta bëjmë punën e Tij.

  2. Kur Perëndia na jep një detyrë, Ai do të na sigurojë një mënyrë për t’ia dalë mbanë. Jozefit, shtypja e 5 000 kopjeve të një libri prej 590 faqesh duhet t’i jetë dukur e pamundur. Por, kur ishte koha për ta botuar dorëshkrimin, Zoti e frymëzoi Martin Harrisin që ta hipotekonte fermën e tij të suksesshme, duke siguruar 3 000 dollarë (të barasvlershme me afro 76 000 dollarë sot) për ta ndihmuar Jozefin që ta përmbushte misionin e tij. Sikurse dha mësim Nefi: “[Zoti do të] përgatit[ë] një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” (1 Nefi 3:7). Ati Qiellor i vuri burimet e nevojshme në dispozicion të Jozefit për ta përfunduar projektin. Dhe Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ne.

  3. Perëndia na jep mundësi të dyta. Jozef Smithi bëri gabime që shkaktuan humbjen e 116 faqeve të dorëshkrimit të Librit të Mormonit. Për shkak se i humbi 116 faqet, Jozefi humbi edhe aftësinë për të përkthyer për një kohë të caktuar. Por për shkak se zgjodhi të pendohej, përfundimisht u fal dhe iu dha një mundësi e dytë për ta përmbushur misionin. Zoti i tha: “Perëndia është i mëshirshëm; si rrjedhim, pendohu për atë që ke bërë, e cila është në kundërshtim me urdhërimin që unë të dhashë dhe ende je i zgjedhur e përsëri je i thirrur për veprën” (DeB 3:10). Jeta jonë do të jetë plot me gabime këtu, por ndërsa pendohemi dhe kemi dëshira të drejta në zemër, Zoti gjithnjë do të na japë një mundësi tjetër.

  4. Pritja me padurim e gëzimit të premtuar mund të na ndihmojë t’ua dalim në krye sfidave . Pavarësisht nga të gjitha sfidat me të cilat iu desh Jozefit të përballej, ai mori shumë bekime dhe përjetoi gëzim të vërtet gjatë gjithë punës së tij për ta nxjerrë në dritë Librin e Mormonit. Pasi u botua Libri i Mormonit, Kisha u organizua dhe prindërit e Jozefit u pagëzuan. Atë ditë, Jozefi shkoi në pyll vetëm dhe filloi të qante nga lumturia. Nëse vazhdojmë ta mbajmë kokën lart gjatë sprovave tona, duke e vënë të gjithë mirëbesimin tonë te Perëndia, edhe ne do të jemi në gjendje të gjejmë gëzim dhe paqe.