Muzika
Parathënie


Parathënie

Të dashur djem e vajza:

Ky është një libër këngësh posaçërisht për ju. Mund t’i këndoni ato pothuajse në çdo kohë dhe kudo. Mund t’i këndoni disa prej këtyre këngëve që të tregoni mirënjohje ndaj Atit Qiellor dhe disa thjesht për kënaqësinë e të kënduarit.

Teksa këndoni, ju mund të ndiheni mirë brenda vetes. Fryma e Shenjtë ju jep ndjenja të ngrohta për t’ju ndihmuar ta kuptoni se fjalët dhe mesazhet në këngët janë të vërteta. Ju mund të mësoni rreth ungjillit në këtë mënyrë dhe dëshmia juaj do të rritet ndërkohë që mësoni. Do ta kujtoni më me lehtësi çfarë keni mësuar, kur këndoni rreth saj. Melodia e një kënge ju ndihmon të kujtoni fjalët dhe gjithashtu e sjell ndjenjën e këngës në zemrën tuaj. Ilustrimet gjithashtu do t’ju ndihmojnë ta kuptoni atë që ju mësojnë këngët. Pasi t’i dini këngët, ato mund të jenë me ju gjithmonë (si mikesha të mira) për t’ju ndihmuar të bëni zgjedhje të drejta dhe të jeni të lumtur.

Muzika është një gjuhë që çdokush mund ta kuptojë. Fëmijët anembanë botës këndojnë po të njëjtat këngë. Muzika mund të lidhë edhe të shkuarën me të ardhmen. Një ditë ju mund t’i këndoni këto këngë me vetë fëmijët tuaj.

Ka këngë në këtë libër për pothuajse çdo temë të ungjillit. Këngët shpjegojnë besimin tonë rreth jetës në qiell; rreth lutjes, mirënjohjes e nderimit; rreth misionit të Shpëtimtarit; rreth parimeve të ungjillit; rreth rëndësisë së shtëpisë, familjes e trashëgimisë; rreth bukurisë së natyrës e të stinëve; si dhe rreth nevojës për zbavitje e veprimtari. Pjesa e fundit është muzika që mund të luhet përpara ose pas një mbledhjeje – ose në shtëpinë tuaj – për të krijuar një mjedis nderues.

Një ditë ju do të jeni udhëheqës të Kishës dhe të botës. Ajo që mësoni nga këto këngë, do t’ju ndihmojë të jeni besnikë dhe të shërbeni me drejtësi. Ndjenjat e mira që sjellin këngët, do t’ju japin lumturi e guxim dhe do t’ju ndihmojnë ta kujtoni se jeni fëmijë të Perëndisë.