Mësime të Presidentëve
Kapitulli 41: Të Bëhemi Çlirimtarë në Malin e Sionit


Kapitulli 41

Të Bëhemi Çlirimtarë në Malin e Sionit

“Por si do të bëhen ata çlirimtarë në malin e Sionit? Duke ndërtuar tempujt e tyre, duke ngritur vaskat e tyre të pagëzimit dhe duke shkuar përpara, dhe duke marrë të gjitha ordinancat … në emër të të gjithë të parëve të tyre që kanë vdekur.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Për anëtarët e Kishës që jetonin në Navu në vitet 1840, kryerja e punës mëkëmbëse për të afërmit e tyre të vdekur ishte për së tepërmi në qendër të vëmendjes. Që kur u kryen pagëzimet e para mëkëmbëse në këtë periudhë ungjillore në 1840-ën, shenjtorët kanë kërkuar të dhënat gjenealogjike për paraardhësit e tyre dhe shumë kanë hyrë si mëkëmbës në ujërat e pagëzimit për këta njerëz të dashur të vdekur.

Së pari, pagëzimet për të vdekurit u kryen në lumin Misisipi apo përrenj të zonës. Por në janar 1841, kur shenjtorët po bënin plane për Tempullin e Navusë, Zoti shpalli: “Sepse nuk ka një vaskë pagëzimi mbi tokë, që ata, shenjtorët e mi, të mund të pagëzohen për ata që kanë vdekur— Sepse kjo ordinancë i përket shtëpisë sime dhe nuk mund të jetë e pranueshme nga unë, përveçse në ditët e varfërisë suaj, gjatë të cilave ju nuk jeni në gjendje të më ndërtoni një shtëpi” (DeB 124:29–30).

Pagëzimet mëkëmbëse në lumë u ndërprenë më 3 tetor 1841, kur Profeti njoftoi: “Nuk do të ketë më pagëzime për të vdekurit, derisa ordinanca të mund të kryhet në Shtëpinë e Zotit. … Sepse kështu thotë Zoti!1 Shenjtorët filluan të ndërtojnë me shpejtësi një vaskë pagëzimi të përkohshme prej druri në bazamentin e sapogërmuar të Tempullit të Navusë. Vaska, e ndërtuar me pishë nga Viskonsini, mbështetej mbi shpinat e 12 qeve të drunjtë. Ajo u përkushtua më 8 nëntor, për ta përdorur “derisa Tempulli të përfundohej, kur një e tillë më e qëndrueshme të zinte vendin e saj”2. Më 21 nëntor 1841, gjashtë anëtarë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve kryen pagëzime për 40 njerëz që kishin vdekur, pagëzimet e para për të vdekurit të kryera në vaskë.

Përvojat e hershme të shenjtorëve me pagëzimin për të vdekurit u mësuan atyre rëndësinë e mbajtjes së analeve në Kishën e Zotit. Edhe pse pagëzimet mëkëmbëse në lumenjtë vendorë ishin kryer prej autoritetit të duhur të priftërisë, ato nuk ishin regjistruar zyrtarisht. Si rrjedhojë, ato pagëzime duhet të kryheshin përsëri. Në një fjalim të mbajtur më 31 gusht 1842, Profeti shpjegoi: “Të gjithë personat që pagëzohen për të vdekurit duhet të kenë të pranishëm një regjistrues, që ai të mund të jetë dëshmitar okular për të regjistruar dhe dëshmuar vërtetësinë dhe vlefshmërinë e regjistrimit të tij. … Prandaj le të merremi me kujdes me regjistrimin dhe dëshmimin e pagëzimit për të vdekurit që këtej e tutje.”3 Profeti e diskutoi më gjatë këtë çështje në një letër që u shkroi shenjtorëve ditën tjetër dhe në një letër tjetër të shkruar më 6 shtator. Këto dy letra janë tani seksionet 127 dhe 128 të Doktrinës e Besëlidhjeve.

Në seksionin 127, Profeti regjistroi udhëzimet vijuese nga Zoti: “Kur ndonjë prej jush pagëzohet për të vdekurit tuaj, duhet të ketë një regjistrues dhe ai duhet të jetë një dëshmitar okular i pagëzimeve tuaja; ai duhet të dëgjojë me veshët e tij, që të mund të dëshmojë për një të vërtetë, thotë Zoti. Që të gjitha regjistrimet tuaja të mund të shënohen në qiell. … Dhe përsëri, të gjitha analet duhet të mbahen në rregull, që ato të mund të vihen në arkivat e tempullit tim të shenjtë, që të mbahen në kujtesë nga brezi në brez” (DeB 127:6–7, 9).

Ndërkohë që shenjtorët përparuan me këtë punë të shenjtë, “shpejt u bë e dukshme se disa kishin anale të gjata për të vdekurit e tyre, për të cilët ata dëshironin të administronin”, kujtoi Plaku Xhorxh A. Smith, anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. “Kjo dukej të ishte thjesht fillimi i një pune të paanë dhe ajo e administrimit të të gjitha ordinancave të Ungjillit morisë së të vdekurve nuk qe detyrë e lehtë. Disa prej Të Dymbëdhjetëve e pyetën Jozefin nëse kishte ndonjë mënyrë më të shkurtër për të administruar për kaq shumë vetë. Jozefi pak a shumë u përgjigj: ‘Ligjet e Zotit janë të pandryshueshme; ne duhet të veprojmë në përputhje të përsosur me atë çka na zbulohet. Ne nuk duhet të presim që ta bëjmë këtë punë të pamasë për të vdekurit në një kohë të shkurtër.’”4

Mësime të Jozef Smithit

Doktrina e shpëtimit për të vdekurit tregon madhështinë e urtësisë dhe dhembshurisë së Perëndisë.

“Të gjithë ata që nuk kanë pasur një mundësi për të dëgjuar Ungjillin dhe që t’u administrohej prej një burri të frymëzuar në mish, duhet ta kenë këtë që këtej e tutje, përpara se të mund të gjykohen përfundimisht.”5

“Nuk është më e pabesueshme që Perëndia duhet të shpëtojë të vdekurit sesa që ai duhet të ngrejë të vdekurit.

Nuk ka asnjëherë një moment kur shpirti është tepër i moshuar që t’i qaset Perëndisë. Të gjithë janë brenda sferës së veprimit të mëshirës falëse, ata që nuk kanë kryer mëkatin e pafalshëm, që nuk ka falje, as në këtë botë, as në botën që do të vijë. Ka një mënyrë për të çliruar shpirtrat e të vdekurve; ajo është me anë të fuqisë dhe autoritetit të Priftërisë – duke lidhur dhe zgjidhur në tokë. Kjo doktrinë duket e lavdishme, duke qenë se paraqet madhështinë e dhembshurisë dhe mirëdashjes hyjnore në qëllimin e planit të shpëtimit të njerëzimit.

Kjo e vërtetë e lavdishme është e llogaritur mirë për të zgjeruar kuptimin dhe për të mbështetur shpirtin që është në halle, vështirësi e ankthe. Për ta ilustruar, supozoni rastin e dy burrave, vëllezër, njësoj të zgjuar, të mësuar, të virtytshëm e të dashur, që ecin sipas të drejtës dhe gjithë ndërgjegjes së mirë, për aq sa kanë qenë në gjendje të dallojnë të drejtë në rrjedhën e ndotur të traditës apo në kuptimin e paplotë të mendjes natyrore.

Njëri vdes dhe varroset pa e dëgjuar kurrë Ungjillin e pajtimit; ndërsa tjetrit i dërgohet mesazhi i shpëtimit, ai e dëgjon dhe e përqafon atë dhe bëhet trashëgimtar i jetës së përjetshme. A duhet që njëri të bëhet përfitues i lavdisë dhe tjetri të dërgohet në humbjen e pashpresë? Nuk ekziston asnjë mundësi që ai të shpëtojë? Sektet e ndryshme përgjigjen ‘nuk ka’. …

Kjo doktrinë paraqet në dritë të qartë urtësinë dhe mëshirën e Perëndisë që përgatiti një ordinancë për shpëtimin e të vdekurve, pagëzimin përmes mëkëmbësve, emrat e tyre të regjistrohen në qiell dhe ata të gjykohen sipas veprave të bëra në trupin e vdekshëm. Kjo doktrinë ishte mesazhi qendror i shkrimeve të shenjta. Ata shenjtorë që nuk e përfillin atë në emër të të afërmve të tyre të vdekur, e bëjnë këtë duke rrezikuar vetë shpëtimin e tyre.”6

Në dhjetor 1840 Jozef Smithi u shkroi anëtarëve të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe udhëheqësve të tjerë të priftërisë që po shërbenin misione në Britaninë e Madhe: “Unë them se doktrina e ‘pagëzimit për të vdekurit’ ka mbërritur në veshët tuaj përpara kësaj letre dhe mund të ketë ngritur disa pyetje në mendjet tuaja në lidhje me të. Nuk mundem që në këtë letër t’ju jap gjithë informacionin që mund të dëshironi mbi këtë temë; por … do të thosha se sigurisht që praktikohej prej kishave të lashta; dhe shën Pali përpiqet të provojë doktrinën e ringjalljes prej kësaj doktrine dhe thotë: ‘Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?’ [1 Korintasve 15:29.]

E përmenda së pari doktrinën para njerëzve kur predikova predikimin e funeralit të Vëllait Sejmur Brunson; dhe që atëherë kam dhënë udhëzime të përgjithshme në Kishë mbi këtë çështje. Shenjtorët kanë privilegjin të pagëzohen për ata të afërm të tyre që kanë vdekur. … Pa u zgjeruar mbi këtë çështje, ju pa dyshim do ta shihni lidhjen logjike dhe arsyeshmërinë e saj; dhe ajo e paraqet Ungjillin e Krishtit me ndoshta një qëllim më të gjerë nga sa e kanë përfytyruar disa.”7

Ne bëhemi çlirimtarë në Malin e Sionit duke kryer ordinancat e shenjta për të vdekurit.

“Nëse mundemi, përmes autoritetit të Priftërisë të Birit të Perëndisë, të pagëzojmë një njeri në emrin e Atit, e Birit dhe të Frymës së Shenjtë, për heqjen e mëkateve, është po aq privilegji ynë të veprojmë si një veprues dhe të pagëzohemi për heqjen e mëkateve për dhe në emrin e të afërmve tanë të vdekur, që nuk e kanë dëgjuar Ungjillin, apo plotësinë e tij.”8

“Bibla thotë: ‘Unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit. Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.’ [Malakia 4:5–6.]

Tani, fjala kthehet këtu duhet të përkthehet lidhet, apo vuloset. Por cili është synimi i këtij misioni të rëndësishëm, apo si do të përmbushet ai? Çelësat duhet të dorëzohen, shpirti i Elijas duhet të vijë, Ungjilli të vendoset, Shenjtorët e Perëndisë të mblidhen, Sioni të ndërtohet dhe shenjtorët të ngjiten si çlirimtarë në Malin e Sionit [shih Abdia 1:21].

Por si do të bëhen ata çlirimtarë në malin e Sionit? Duke ndërtuar tempujt e tyre, duke ngritur vaskat e tyre të pagëzimit dhe duke shkuar përpara dhe duke marrë të gjitha ordinancat, pagëzimet, konfirmimet, larjet, vajosjet, shugurimet dhe fuqitë vulosëse mbi kryet e tyre, në emër të të gjithë të parëve të tyre që kanë vdekur dhe t’i shëlbojnë ata që të mund të vijnë në ringjalljen e parë dhe të ekzaltohen në frone lavdie me ta; dhe në këtë qëndron zinxhiri që lidh zemrat e etërve me bijtë dhe të bijve me etërit, që përmbush misionin e Elijas. …

Shenjtorët nuk kanë shumë kohë për të shpëtuar e shëlbuar të vdekurit e tyre dhe për të mbledhur së bashku të afërmit e tyre të gjallë, që edhe ata të mund të shpëtohen, përpara se toka të goditet dhe shkatërrimi i dekretuar të bjerë mbi botën.

Unë do t’i këshilloja gjithë shenjtorët që të bëjnë çdo përpjekje dhe të mbledhin së bashku të gjithë të afërmit e tyre të gjallë [në tempull], që ata të mund të vulosen e të shpëtohen, që ata të mund të përgatiten për ditën kur të vijë engjëlli shkatërrues; dhe nëse e gjithë Kisha do të fillojë të punojë me gjithë fuqinë për të shpëtuar të vdekurit e tyre, për të vulosur pasardhësit e tyre, dhe për të mbledhur miqtë e tyre të gjallë, dhe të mos harxhojnë asfare kohën e tyre për botën, ata mezi do t’i mbarojnë para se të vijë nata kur askush nuk mund të veprojë.”9

“Ka pagëzim etj., që t’i ushtrojnë ata që janë të gjallë dhe pagëzim për të vdekurit që vdesin pa dijeni për Ungjillin. … Jo vetëm që është e nevojshme që ju duhet të pagëzoheni për të vdekurit tuaj, por ju duhet të merrni gjithë ordinancat për ta, të njëjtat që keni marrë për të shpëtuar veten. …

… Duhet të ketë një vend ku të gjithë kombet do të ngjiten herë pas here për të marrë indaumentet e tyre; dhe Zoti ka thënë që ky do të jetë vendi për pagëzimet për të vdekurit. Çdo njeri që është pagëzuar dhe i përket mbretërisë ka të drejtë që të pagëzohet për ata që kanë vdekur përpara; dhe sapo ligjit të Ungjillit i binden këtu, miqtë e tyre që veprojnë si mëkëmbës për ata, Zoti ka atje administrues që t’i çlirojë ata. Një njeri mund të veprojë si mëkëmbës për të afërmit e vet; ordinancat e Ungjillit, që u themeluan përpara themeleve të botës, plotësohen kështu për ta dhe ne mund të pagëzohemi për ata me të cilët kemi shumë miqësi.”10

“Të gjithë ata që vdesin në besim shkojnë tek burgu i shpirtrave për t’u predikuar të vdekurve në trup por që janë gjallë në shpirt; dhe ata shpirtra u predikojnë shpirtrave [që janë në burg] që ata të mund të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt dhe njerëz bëjnë shërbesë për ta në mish; … dhe ata bëhen të lumtur përmes këtyre mjeteve [shih 1 Pjetri 4:6]. Prandaj, ata që pagëzohen për të vdekurit e tyre janë çlirimtarët në malin e Sionit dhe ata duhet të marrin larjet e tyre dhe vajosjet e tyre për të vdekurit e tyre njëlloj si për veten.”11

Perëndia ka vendosur mbi ne një përgjegjësi të madhe që të kërkojmë të vdekurit tanë.

“Unë do t’ju hap sytë në lidhje me të vdekurit. Të gjitha gjërat, çfarëdo qoftë që Perëndia në urtësinë e tij të pafundme i ka parë të përshtatshme e me vend që të na i zbulojë, ndërkohë që jetojmë në vdekshmëri, në lidhje me trupat tanë të vdekshëm, na zbulohen në mënyrë abstrakte dhe pavarësisht nga lidhja me këtë tabernakull të vdekshëm, por u zbulohen shpirtrave tanë pikërisht sikur të mos kishim fare trupa; dhe ato zbulesa që do të shpëtojnë shpirtrat tanë do të shpëtojnë trupat tanë. Perëndia na i zbulon duke e ditur se nuk ka shkatërrim të përjetshëm të trupit, apo tabernakullit. Prej këtej vjen përgjegjësia, përgjegjësia jashtëzakonisht e madhe, që bie mbi ne në lidhje me të vdekurit tanë; pasi gjithë shpirtrat që nuk i janë bindur Ungjillit në mish duhet ose t’i binden atij në shpirt ose të mallkohen. Çfarë mendimi solemn! – Çfarë mendimi tmerrues! A nuk ka ndonjë gjë që mund të bëhet? – Asnjë përgatitje – asnjë shpëtim për etërit dhe miqtë tanë që kanë vdekur pa pasur mundësinë që t’u binden dekreteve të Birit të Njeriut? …

Çfarë premtimesh janë bërë në lidhje me temën e shpëtimit të të vdekurve? Dhe çfarë lloj personazhesh janë ata që mund të shpëtohen, edhe pse trupat e tyre po thërrmohen e kalben në varr? Kur urdhërimet e Tij na mësojnë, kjo është sipas këndvështrimit të përjetshëm; sepse ne Perëndia na sheh sikur të ishim në përjetësi; Perëndia jeton në përjetësi dhe nuk i sheh gjërat si i shohim ne.

Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne është që të kërkojmë të vdekurit tanë. Apostulli thotë: ‘Ata të mos arrinin në përsosje pa ne’ [shih Hebrenjve 11:40]; sepse është e nevojshme që fuqia vulosëse duhet të jetë në duart tona për të vulosur fëmijët tanë dhe të vdekurit tanë për plotësinë e periudhës së kohëve – një periudhë ungjillore kjo për të plotësuar premtimet e bëra nga Jezu Krishti përpara krijimit të botës për shpëtimin e njeriut.

… Është e nevojshme që ata që jetuan më parë se ne dhe ata që vijnë pas nesh duhet ta kenë shpëtimin së bashku me ne; dhe kështu Perëndia e ka bërë shpëtimin e tyre të detyrueshëm mbi njeriun. Prandaj, Perëndia tha: ‘Unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit. Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.’ [Malakia 4:5–6.]”12

Profeti Jozef Smith shkroi sa vijon në një letër drejtuar shenjtorëve, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 128:15–18, 22, 24: “Dhe tani, vëllezërit dhe motrat e mia shumë të dashura, më lini t’ju siguroj se këto janë parime në lidhje me të vdekurit dhe të gjallët, të cilat nuk duhet të kalohen me lehtësi, përsa i përket shpëtimit tonë. Sepse shpëtimi i tyre është i nevojshëm dhe thelbësor për shpëtimin tonë, sikurse Pali tha lidhur me etërit—që ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur— as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur.

Dhe tani, në lidhje me pagëzimin për të vdekurit, unë do t’ju jap një tjetër citim të Palit, 1 Korintasve 15:29: Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit, në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen aspak? Përse pagëzohen ata, atëherë, për të vdekurit?

Dhe përsëri, në lidhje me këtë citim unë do t’ju jap një nga profetët, i cili e kishte mendjen të fiksuar në rivendosjen e priftërisë, lavditë që do të zbuloheshin në ditët e fundit dhe, në një mënyrë të veçantë, këtë çështje, më të lavdishmen e të gjitha çështjeve që i përkasin ungjillit të përjetshëm, domethënë pagëzimin për të vdekurit; sepse Malakia thotë, kapitulli i fundit, vargjet 5 dhe 6: Ja, unë do të dërgoj Elijan, profetin, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe të llahtarshme të Zotit. Dhe ai do ta kthejë zemrën e etërve tek fëmijët dhe zemrën e fëmijëve tek etërit e tyre, që unë të mos vij dhe të mos e godas tokën me një mallkim.

Unë mund të kisha dhënë një përkthim më të qartë të kësaj, por është mjaft e qartë për t’iu përshtatur qëllimit tim, sikurse është. Është e mjaftueshme të dimë, në këtë rast, se toka do të goditet me një mallkim, në qoftë se nuk ka një lidhje bashkuese të një lloji ose të një tjetri midis etërve dhe fëmijëve, për një çështje ose për një tjetër—dhe vini re, cila është kjo çështje? Është pagëzimi për të vdekurit. Sepse ne pa ta nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur. …

… Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara. Toka duhet të shpërthejë në këngë. Të vdekurit duhet t’i thonë këngë përlëvdimi të përjetshëm mbretit Emanuel, që ka shuguruar, përpara se bota të ishte, atë që do të na bëjë të aftë për t’i shëlbuar ata nga burgu i tyre; sepse të burgosurit do të lirohen. …

… Si rrjedhim, ne, si një kishë e si një popull dhe si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, le t’i ofrojmë Zotit një blatim me drejtësi; dhe le të paraqesim në tempullin e tij të shenjtë, kur të mbarohet, një libër që përmban analet e të vdekurve tanë, të cilët do të jenë të denjë për t’u pranuar plotësisht.”13

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni faqet 501–503, duke vënë re se si Jozef Smithi dhe shenjtorët e parë u rritën në kuptimin e tyre të doktrinës së pagëzimit për të vdekurit. Mendoni si mund të jenë ndier shenjtorët kur mësuan së pari për shpëtimin për të vdekurit. Cilat qenë ndjenjat tuaja kur morët pjesë së pari në ordinanca për të vdekurit?

  • Lexoni paragrafin e parafundit dhe të fundit në faqen 503. Si e tregon doktrina e shpëtimit për të vdekurit dhembshurinë dhe mëshirën e Perëndisë? Në çfarë mënyrash kjo doktrinë mund të “zgjer[ojë] kuptimin” dhe të “mbështe[së] shpirtin”?

  • Çfarë do të thotë të jesh çlirimtar në malin e Sionit? (Për disa shembuj, shihni faqet 505–507.) Si mendoni ju, përse është e pamundur që paraardhësit tanë të vdekur të bëhen të përsosur pa ne? Si mendoni ju, përse është e pamundur që ne të bëhemi të përsosur pa ata?

  • Rishihni disa nga mësimet e Profetit Jozef Smithit mbi përgjegjësinë tonë të madhe që të “kërkojmë të vdekurit tanë” (faqet 507–509). Çfarë përvojash keni pasur kur keni mësuar për paraardhësit tuaj? Si janë forcuar dashuria për familjen tuaj dhe besimi juaj tek Perëndia kur keni mësuar për paraardhësit tuaj? Si i ka ndikuar ndjenjat tuaja për paraardhësit tuaj kryerja e ordinancave të tempullit për ta?

  • Çfarë mund të bëjmë ne që të ndihmojmë fëmijët të vlerësojnë trashëgiminë e tyre familjare? Çfarë mund të bëjmë ne që të ndihmojmë fëmijët të marrin pjesë në punën e tempullit dhe të historisë familjare?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Romakëve 14:9; DeB 128:8–11

Shënime

  1. History of the Church, 4:426; nga protokolli i një konference të Kishës mbajtur më 3 tetor 1841, në Nauvoo, Illinois; botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1841, f. 578.

  2. History of the Church, 4:446–447; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book C-1, shtesat, f. 44, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  3. History of the Church, 5:141; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 31 gusht 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  4. George A. Smith, fjalim i mbajtur më 25 dhjetor 1874, në St. George, Utah; në St. George Stake, General Minutes, vëll. 4, Arkivat e Kishës.

  5. History of the Church, 3:29; nga një kryeartikull botuar në Elders’ Journal, korrik 1838, f. 43; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  6. History of the Church,4:425–426; nga protokolli i një konference të Kishës mbajtur më 3 tetor 1841, në Nauvoo, Illinois; botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1841, f. 577–578.

  7. History of the Church, 4:231; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Të Dymbëdhjetëve, 15 dhjetor 1840, Nauvoo, Illinois; kjo letër është datuar pasaktësisht 19 tetor 1840, në History of the Church.

  8. History of the Church, 4:569; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 27 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  9. History of the Church, 6:183–184; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 21 janar 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  10. History of the Church, 6:365–366; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  11. Cituar nga George Laub, në përmbledhje fragmentesh të fjalimeve të Joseph Smith-it, rreth vitit 1845; George Laub, Reminiscences and Journal janar 1845–prill 1857, f. 21, Arkivat e Kishës.

  12. History of the Church, 6:312–313; është modernizuar drejtshkrimi; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  13. Doktrina e Besëlidhje 128:15–18, 22, 24; një letër e Joseph Smith-it drejtuar shenjtorëve, 6 shtator 1842, Nauvoo, Illinois.

Pamja
Nauvoo Temple baptistry

Pagëzimorja në Tempullin e rindërtuar të Navusë. Në vaska pagëzimi si kjo, shenjtorët marrin ordinancën e pagëzimit për ata që kanë vdekur.

Pamja
family doing genealogy

“Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne është që të kërkojmë të vdekurit tanë.”