Mësime të Presidentëve
Kapitulli 36: Marrja e Ordinancave dhe Bekimeve të Tempullit


Kapitulli 36

Marrja e Ordinancave dhe Bekimeve të Tempullit

Tempulli është një vend ku Perëndia mund “t’i zbulojë popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij dhe lavditë e mbretërisë së Tij, dhe t’u mësojë njerëzve udhën e shpëtimit”.

Nga Jeta e Jozef Smithit

Qysh në ditët më të hershme të Rivendosjes, Zoti i kishte mësuar Profetit Jozef Smith rëndësinë e ndërtimit të tempujve. Ndonëse Profeti kishte qenë detyruar të shpërngulej shumë herë dhe ishte përballur vazhdimisht me kërkesa urgjente që kërkonin kohën dhe vëmendjen e tij, ai kurrë nuk e kishte humbur nga sytë nevojën për të ndërtuar një shtëpi të Zotit. Një vend për një tempull ishte përkushtuar në Indipendens të Misurit. Një tempull i mrekullueshëm ishte përfunduar dhe përkushtuar në Kirtland të Ohajos. Në Far-Uest të Misurit, ishin vendosur gurthemelet për një tempull, vetëm që të braktiseshin. Tani, ndërsa anëtarët e Kishës filluan të rindërtonin jetën e tyre në Navu – shumë prej tyre pa ushqimin, strehimin, apo punësimin e duhur – Jozef Smithi e dinte që puna më e rëndësishme e shenjtorëve ishte që edhe një herë të ndërtonin një tempull.

Në përgjigje të urdhrit të Zotit, Profeti dhe shenjtorët përparuan sa më shpejt që mundën për të filluar që të ndërtonin një shtëpi të Zotit. Por Profeti e kuptoi se për ndërtimin do të duheshin vite dhe ai e dinte se shenjtorëve iu duheshin bekimet e plota të tempullit. Si pasojë, më 4 maj 1842, edhe pse tempulli nuk ishte përfunduar, Jozef Smithi ia administroi indaumentin një grupi të vogël vëllezërish besnikë.

Grupi u mblodh në dhomën e madhe të sipërme të Dyqanit me Tulla të Kuqe të Profetit, që ishte “rregulluar të përfaqësonte pjesën e brendshme të një tempulli aq sa mund ta lejonin rrethanat”1. Franklin D. Riçards, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi: “Kur Shpirti i dha nxitje [Jozef Smithit] se puna e jetës së tij po i afrohej fundit dhe kur ai pa se ditët e tij tokësore mund të mbaronin përpara përfundimit të tempullit, ai thirri pak të zgjedhur dhe u dha atyre ordinancat e indaumenteve të shenjta, kështu që thesaret hyjnore të mendjes së tij të mos largoheshin nga bota me vdekjen e tij”2.

Historia e Profetit shënon: “E kalova ditën në pjesën e sipërme të dyqanit, … në këshill me gjeneralin Xhejms Adams, nga Springfildi, patriarkun Hajrëm Smith, peshkopët Njuël K. Uitni e Xhorxh Miler, si dhe presidentin Brigam Jang dhe Pleqtë Hiber C. Kimball e Uillard Riçards, duke i udhëzuar ata për parimet dhe rendin e Priftërisë, kujdesin për larjet, vajosjet, indaumentet dhe komunikimin e çelësave, që i përkasin Priftërisë Aarone, dhe kështu me radhë tek rendi më i lartë i Priftërisë Melkizedeke, duke u paraqitur rendin që i përkiste të Lashtit të Ditëve dhe gjithë ato plane e parime përmes të cilave gjithkush mundësohet që të sigurojë plotësinë e atyre bekimeve që kanë qenë përgatitur për Kishën e të Parëlindurit dhe që vijnë e banojnë në prani të Elohimit në botët e përjetshme. Në këtë këshill u krijua rendi i lashtë i gjërave për herë të parë në këto ditë të fundit.

Dhe komunikimet që i bëra këtij këshilli ishin për gjëra shpirtërore dhe që të merreshin vetëm prej mendjeve me orientim shpirtëror: dhe asgjë tjetër nuk iu bë e ditur këtyre burrave, përveç asaj që do t’u bëhet e ditur gjithë shenjtorëve të ditëve të fundit, posa ata të përgatiten për t’i marrë dhe një vend i duhur të përgatitet për t’ia komunikuar ato edhe më të dobëtit të shenjtorëve; prandaj, le të jenë të zellshëm shenjtorët për ndërtimin e Tempullit dhe të të gjitha shtëpive për të cilat ata janë urdhëruar, apo do të urdhërohen nga Perëndia paskëtaj që t’i ndërtojnë.”3

Ndërsa pjesa më e madhe e shenjtorëve do ta merrnin indaumentin e tempullit pasi të përfundohej Tempulli i Navusë, një numër i kufizuar burrash e grash e morën këtë bekim në muajt pas mbledhjes së majit 1842. Mersi Filding Tompson ishte njëra prej tyre. Në kohën kur ajo mori indaumentin e saj, Profeti i tha asaj: “Kjo do të të nxjerrë nga errësira në dritë të mrekullueshme”4.

Mësime të Jozef Smithit

Shenjtorët urdhërohen nga Perëndia që të ndërtojnë tempuj.

Në janar 1833 në Kirtland të Ohajos, Profeti shkroi: “Në Kirtland, Zoti na urdhëroi të ndërtonim një shtëpi të Perëndisë; … kjo është fjala e Zotit për ne dhe ne duhet të bindemi, po, me ndihmën e Zotit, ne do të bindemi: meqë me kushtin e bindjes sonë, Ai na ka premtuar gjëra të mëdha; po, madje një vizitë nga qiejt për të na nderuar me vetë praninë e Tij. Ne frikësohemi shumë përpara Zotit se mos nuk ia dalim ta marrim këtë nder të madh, që Mjeshtri ynë propozon të na e japë; ne po kërkojmë përulësi dhe besim të madh që të mos turpërohemi në prani të Tij.”5

Në shtator 1840, Profeti dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë deklaruan se kishte ardhur koha për të ndërtuar Tempullin e Navusë: “Duke besuar se tani ka ardhur koha kur është e nevojshme të ngremë një shtëpi lutjeje, një shtëpi rregulli, një shtëpi për adhurimin e Perëndisë tonë [shih DeB 88:119], ku mund të marrim pjesë në ordinancat në përputhje me vullnetin e Tij hyjnor, në këtë rajon të vendit – për të përmbushur të cilat duhet të bëhet përpjekje e konsiderueshme dhe do të duhen mjete – dhe meqë puna duhet të shpejtohet në drejtësi, është me vend për shenjtorët që të peshojnë rëndësinë e këtyre gjërave, në mendjet e tyre, me gjithë pasojat e tyre dhe pastaj të ndërmarrin hapa të atillë si është e nevojshme për t’i përmbushur ato; dhe duke u armatosur me kurajë, të vendosin që të bëjnë gjithçka që munden dhe të ndihen aq shumë të interesuar sikur gjithë puna të varej vetëm prej tyre. Duke e bërë këtë ata do të shëmbëllejnë aktet e lavdishme të paraardhësve dhe do të sigurojnë bekimet e qiellit mbi vete e mbi pasardhësit e tyre deri në brezin më të fundit.”6

Në janar 1841, Profeti dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë shkruan: “Tempulli i Zotit është në proces ndërtimi këtu [në Navu], ku shenjtorët do të vijnë për të adhuruar Perëndinë e etërve të tyre, sipas rendit të shtëpisë së Tij dhe fuqive të Priftërisë së Shenjtë, dhe do të ndërtohet në atë mënyrë që të mundësojë që të gjitha funksionet e Priftërisë të ushtrohen siç duhet, dhe ku udhëzime nga Më i Larti do të merren, dhe prej këtij vendi do të përhapen në vende të largëta. Le të përqendrojmë atëherë gjithë fuqitë tona … dhe të përpiqemi fort të shëmbëllejmë me veprimin e etërve e të patriarkëve të lashtë të besëlidhur, për ato gjëra që kanë rëndësi kaq të madhe për këtë brez dhe çdo brez që vijon.”7

Nga fillimi i vitit 1841, Jozef Smithi dha mësim sa vijon, siç u regjistrua nga Uilliam P. Mek-Intair: “Jozefi tha se Zoti tha që ne duhet të ndërtojmë shtëpinë tonë në emrin e tij, që ne të mund të pagëzoheshim për të vdekurit. Por nëse nuk do ta bënim, ne nuk do të pranoheshim, dhe të vdekurit tanë bashkë me ne dhe kjo Kishë nuk do të pranohej [shih DeB 124:32].”8

Në prill 1842, Profeti tha: “Kisha nuk është e organizuar plotësisht, në rendin e saj të duhur dhe nuk mund të jetë, derisa Tempulli të përfundohet, ku do të sigurohen vende për administrimin e ordinancave të Priftërisë”9.

Në korrik 1842, Profeti deklaroi: “Zoti na ka thënë të ndërtojmë Tempullin [e Navusë] … ; dhe ai urdhër është po aq detyrues për ne sa çdo tjetër; dhe se ai njeri që nuk përfshihet në këto gjëra është po aq një shkelës sa po të thyente çfarëdo urdhërim tjetër; ai nuk është zbatues i vullnetit të Perëndisë, as përmbushës i ligjeve të Tij”10.

Në tetor 1843, Profeti paralajmëroi shenjtorët: “Shpejtojeni punën në Tempull, përtërini përpjekjet tuaja për të çuar përpara gjithë punën e ditëve të fundit dhe ecni para Zotit në maturi dhe drejtësi”11.

Në mars 1844, Profeti u takua me Të Dymbëdhjetët dhe komitetin e Tempullit të Navusë për të diskutuar si të shpërndanin burimet e pakta të Kishës. Në këtë mbledhje, Profeti tha: “Neve na duhet tempulli më shumë se gjithçka tjetër”12.

Në tempull ne mësojmë gjërat e përjetësisë dhe marrim ordinancat e shpëtimit për veten dhe paraardhësit tanë.

“Cili ishte qëllimi i mbledhjes së … popullit të Perëndisë në çfarëdo epoke të botës? … Qëllimi kryesor ishte ndërtimi i një shtëpie për Zotin, në të cilën Ai të mund t’i zbulonte popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij dhe lavditë e mbretërisë së Tij dhe t’u mësonte njerëzve udhën e shpëtimit; sepse ka disa ordinanca e parime që, kur mësohen e praktikohen, duhet të kryhen në një vend apo shtëpi të ndërtuar për atë qëllim.

… Ordinancat e themeluara në qiej përpara themelimit të botës, në priftëri, për shpëtimin e njerëzve, nuk janë shndërruar apo ndryshuar. Të gjithë duhet të shpëtohen sipas të njëjtave parime.

Për të njëjtin qëllim Perëndia mbledh së bashku popullin e Tij në ditët e fundit, për t’i ndërtuar Zotit një shtëpi që t’i përgatisë ata për ordinancat dhe indaumentet, larjet dhe vajosjet etj. Një nga ordinancat e shtëpisë së Zotit është pagëzimi për të vdekurit. Perëndia dekretoi përpara themelimit të botës se ajo ordinancë duhet të administrohet në një pagëzore të përgatitur për atë qëllim në shtëpinë e Zotit. …

Doktrina e pagëzimit për të vdekurit tregohet qartë në Dhiatën e Re; … ajo ishte arsyeja përse Jezusi u tha çifutëve: ‘Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!’ [Mateu 23:37] – që ata të mund të merrnin pjesë në ordinancat për pagëzimin e të vdekurve si edhe në ordinanca të tjera të priftërisë dhe të merrnin zbulesa nga qielli, dhe të përsoseshin në gjërat e mbretërisë së Perëndisë – por ata nuk deshën. Ky qe rasti në ditën e Rrëshajëve: ato bekime u derdhën mbi dishepujt në atë rast. Perëndia shuguroi se Ai do të shpëtonte të vdekurit dhe do ta bënte këtë duke mbledhur së bashku popullin e Tij. …

… Përse të mblidhej populli së bashku në këtë vend? Për të njëjtin qëllim që Jezusi dëshironte të mblidhte çifutët – për të marrë ordinancat, bekimet dhe lavditë që Perëndia ka ruajtur për shenjtorët e Tij. Unë tani pyes këtë asamble dhe gjithë shenjtorët, nëse ju do ta ndërtoni tani këtë shtëpi dhe do të merrni ordinancat e bekimet që Perëndia ka ruajtur për ju; apo nuk do ta ndërtoni për Zotin këtë shtëpi dhe ta lini Atë t’iu shpërfillë e t’ia japë këto bekime një populli tjetër.”13

“Sapo të përgatiten Tempulli [i Navusë] dhe pagëzorja, ne llogarisim që t’u japim Pleqve të Izraelit larjet e vajosjet e tyre dhe të marrim pjesë në ato ordinanca të fundit e më madhështore, pa të cilat nuk mund të marrim frone çelestiale. Por duhet të jetë një vend i shenjtë i përgatitur për atë qëllim. U bë një shpallje gjatë kohës që u hodh themeli i Tempullit për atë efekt dhe janë marrë masa derisa puna të përfundohet, që njerëzit të mund të marrin indaumentet e tyre dhe të bëhen mbretër e priftërinj tek Perëndia Më i Lartë. … Megjithatë, duhet të jetë një vend i ndërtuar nergut për atë qëllim dhe që njerëzit të pagëzohen për të vdekurit e tyre. …

Zoti ka një ligj të vendosur në lidhje me këtë çështje: duhet të ketë një vend të caktuar për shpëtimin e të vdekurve tanë. Unë vërtet besoj se do të ketë një vend kështu që njerëzit që duan të shpëtojnë të vdekurit e tyre, mund të vijnë dhe të sjellin familjet e tyre, të bëjnë punën e tyre duke u pagëzuar dhe duke marrë pjesë në ordinancat e tjera për të vdekurit e tyre.”14

“Bëhet shpesh pyetja: ‘A nuk mund të shpëtohemi ne pa kaluar nëpër gjithë këto ordinanca etj.?’ Unë do të përgjigjesha: Jo, jo plotësia e shpëtimit. Jezusi tha: ‘Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa dhe unë po shkoj t’ju përgatis një vend’. [Shih Gjoni 14:2.] Shtëpia e përmendur këtu duhet të ishte përkthyer mbretëri; dhe cilido person që ekzaltohet në banesën më të lartë duhet të veprojë në përputhje me një ligj çelestial, si dhe me gjithë ligjin gjithashtu.”15

“Nëse një njeri merr plotësinë e priftërisë së Perëndisë, ai duhet ta marrë atë në të njëjtën mënyrë si e mori atë Jezu Krishti dhe kjo nga mbajtja e gjithë urdhërimeve e duke iu bindur gjithë ordinancave të shtëpisë së Zotit. …

Të gjithë njerëzit që bëhen trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Jezu Krishtit do të duhet të marrin plotësinë e ordinancave të mbretërisë së tij; dhe ata që nuk do të marrin të gjitha ordinancat nuk do t’ia dalin të marrin plotësinë e asaj lavdie.”16

“Nëse do të mund të lexonim e të kuptonim gjithçka që është shkruar që nga ditët e Adamit, mbi lidhjen e njeriut me Perëndinë e engjëjt në një gjendje të ardhshme, ne do të dinim shumë pak mbi të. Leximi i përvojave të të tjerëve, apo zbulesave dhënë atyre, nuk mund të na japë neve kurrë një pamje të plotë të gjendjes sonë dhe lidhjes së vërtetë me Perëndinë. Njohuria për këto gjëra mund të sigurohet vetëm me anë të përvojës përmes ordinancave të Perëndisë të dërguara për atë qëllim. Nëse do të mund t’ia ngulnit sytë qiellit pesë minuta, do të dinit më shumë nga sa do të dinit duke lexuar gjithçka që është shkruar ndonjëherë mbi këtë temë. … Unë i siguroj shenjtorët se e vërteta … mund të bëhet e ditur përmes zbulesave të Perëndisë në mënyrën e ordinancave të Tij dhe në përgjigje ndaj lutjes.”17

“Rendi i shtëpisë së Perëndisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i njëjti, edhe pasi të vijë Krishti; dhe pas përfundimit të një mijë vjetëve do të jetë i njëjti; dhe ne së fundi do të hyjmë në Mbretërinë çelestiale të Perëndisë dhe ta gëzojmë atë përgjithmonë.”18

Tempulli është një vend shenjtërie ku ne marrim bekimet më të mëdha që Perëndia ka për fëmijët e Tij.

Si pjesë e lutjes përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit, dhënë Profetit Jozef Smith me anë të zbulesës dhe të regjistruar më vonë në Doktrina e Besëlidhje 109, Profeti u lut: “Dhe tani, Atë i Shenjtë, ne të kërkojmë … që lavdia jote të mund të pushojë mbi njerëzit e tu dhe mbi këtë shtëpi që ne tani ta përkushtojmë ty, që të mund të shenjtërohet dhe përkushtohet për të qenë e shenjtë dhe që prania jote e shenjtë të mund të jetë vazhdimisht në këtë shtëpi; Dhe që gjithë njerëzit që do të hyjnë në pragun e shtëpisë së Zotit, të mund të ndiejnë fuqinë tënde dhe të ndihen të shtrënguar të pranojnë se ti e ke shenjtëruar atë dhe se ajo është shtëpia jote, një vend i shenjtërisë sate.

Dhe bëj, Atë i Shenjtë, që gjithë atyre që do të adhurojnë në këtë shtëpi, të mund t’u mësohen fjalë urtësie nga librat më të mirë dhe që të mund të kërkojnë të mësojnë me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit, sikurse ti ke thënë; Dhe që ata të mund të rriten në ty e të marrin plotësi të Frymës së Shenjtë dhe të organizohen sipas ligjeve të tua e të përgatiten për të fituar çdo gjë të nevojshme; Dhe që kjo shtëpi të mund të jetë një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, … një shtëpi lavdie, … [dhe] e Perëndisë, madje shtëpia jote; …

Dhe ne të kërkojmë, Atë i Shenjtë, që shërbëtorët e tu të mund të largohen nga kjo shtëpi të armatosur me fuqinë tënde dhe që emri yt të mund të jetë mbi ta e lavdia jote të jetë përreth tyre dhe engjëjt e tu të ngarkohen me përgjegjësi për ta; Dhe nga ky vend ata mund t’u japin lajme tepër të mëdha dhe të lavdishme, me të vërtetë, fundeve të tokës, që ata të mund të dinë se kjo është puna jote dhe që ti e ke shtrirë dorën tënde për të përmbushur atë që ti ke thënë prej gojëve të profetëve, lidhur me ditët e fundit.

Ne të kërkojmë, Atë i Shenjtë, ta ngresh popullin që do të adhurojë dhe me nder do të mbajë një emër e qëndrim në këtë shtëpi, në të gjitha brezat dhe për përjetësi; Që asnjë armë e formuar kundër tyre nuk do të përparojë; që ai që gërmon gropën për ta, do të bjerë vetë në të; Që asnjë kombinim i ligësisë nuk do të ketë fuqi të ngrihet dhe të triumfojë mbi njerëzit e tu, mbi të cilët emri yt do të vihet në këtë shtëpi.”19

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni të dy paragrafët e fundit në faqen 442. Në çfarë mënyrash puna e tempullit “[na nxjerr] nga errësira në dritë të mrekullueshme”? Si mendoni, çfarë do të thotë të jesh me “[mendje] me orientim shpirtëror”? Përse ne duhet të jemi me “[mendje] me orientim shpirtëror” që të mund të marrim dritën e disponueshme për ne në tempull?

  • Kur shenjtorët në Navu po punonin për të ndërtuar një tempull, Profeti Jozef Smith iu tha atyre: “Neve na duhet tempulli më shumë se gjithçka tjetër” (faqe 444). Rishihni faqet 441–444, duke kërkuar arsyet përse ky pohim është i vërtetë. Në çfarë mënyrash pohimi i Profetit është i vërtetë në jetën tuaj?

  • Studioni mësimet e Jozef Smithit mbi urdhrin për të ndërtuar tempuj (faqet 443–444). Si mendoni ju, përse Kisha nuk do të ishte “e organizuar plotësisht” pa tempujt dhe ordinancat e tempullit? Çfarë mund të bëjmë ne sot që ta “[shpejtojmë] punën në Tempull”? Përse na duhet të “peshoj[m]ë rëndësinë” e punës në tempull?

  • Rishihni mësimet e Profetit mbi ordinancat e shenjta të tempullit dhe çfarë mësojmë ne prej tyre (faqet 444–447). Cili prej këtyre mësimeve është veçanërisht i dobishëm për ju për të kuptuar rëndësinë e ordinancave të tempullit?

  • Lexoni paragrafin e tretë të plotë të faqes 447. Nëse keni marrë ordinanca tempulli, mendoni se si përvojat tuaja ju kanë mësuar mbi “gjendje[n tuaj] dhe lidhje[n e] vërtetë me Perëndinë”. Nëse nuk keni qenë kurrë në tempull, apo nëse keni disa kohë që nuk keni shkuar atje, mendoni se si mund të përgatiteni për të shkuar në tempull.

  • Cilat janë disa bekime që mund të marrim kur shkojmë në tempull? (Për disa shembuj, shihni faqet 447–448.) Nga çka keni lexuar në këtë kapitull, si mund ta bëni më kuptimplote pjesëmarrjen tuaj në tempull?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Psalmi 24:3–5; Isaia 2:2–3; DeB 124:25–28, 39–41

Shënime

  1. Lucius N. Scovil, Deseret News: Semi-Weekly, 15 shkurt 1884, f. 2.

  2. Franklin D. Richards, “A Tour of Historic Scenes”, Contributor, maj 1886, f. 301; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe.

  3. History of the Church, 5:1–2; është modernizuar drejtshkrimi dhe gramatika; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book C-1, f. 1328–1329, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  4. Mercy Fielding Thompson, “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 korrik 1892, f. 400.

  5. History of the Church, 1:316–317; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar William W. Phelps-it, 11 janar 1833, Kirtland, Ohio; kjo letër është datuar pasaktësisht 14 janar 1833, në History of the Church.

  6. History of the Church, 4:186; është modernizuar gramatika; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, shtator 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, tetor 1840, f. 178–179.

  7. History of the Church, 4:269; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, 15 janar 1841, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 janar 1841, f. 274.

  8. William P. McIntire, raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i nga fillimi i vitit 1841 në Nauvoo, Illinois; William Patterson McIntire, Notebook 1840–1845, Arkivat e Kishës.

  9. History of the Church, 4:603; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  10. History of the Church, 5:65; nga “The Government of God”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 korrik 1842, f. 857–858; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  11. History of the Church, 6:52; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe Times and Seasons, 15 shtator 1843, f. 331–332; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë.

  12. History of the Church, 6:230; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 4 mars 1844, Nauvoo, Illinois.

  13. History of the Church, 5:423–425, 427; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  14. History of the Church, 6:319; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 8 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  15. History of the Church, 6:184; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 21 janar 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  16. History of the Church, 5:424; është modernizuar drejtshkrimi; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  17. History of the Church, 6:50–51; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe Times and Seasons, 15 shtator 1843, f. 331; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë.

  18. History of the Church, 2:309; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 nëntor 1835, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Warren Parrish.

  19. Doktrina e Besëlidhje 109:10, 12–16, 22–26; lutje e dhënë nga Joseph Smith-i më 27 mars 1836, në dedikimin e tempullit në Kirtland, Ohio.

Pamja
Nauvoo Temple

Tempulli i rindërtuar i Navusë qëndron në vendndodhjen e tempullit të parë. Kur po ndërtohej Tempulli i parë në Navu, Profeti Jozef Smith deklaroi: “Neve na duhet tempulli më shumë se gjithçka tjetër”.

Pamja
Cardston Alberta Temple

Tempulli në Kardston të Albertas. Në tempujt e shenjtë, Zoti i zbulon popullit të Tij “lavditë e mbretërisë së Tij” dhe “udhën e shpëtimit”.