Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13: Bindja: ‘Kur Zoti Urdhëron, Bindu’


Kapitulli 13

Bindja: “Kur Zoti Urdhëron, Bindu”

“Jeto me bindje të rreptë ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe ec me përulje para Tij.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Nga dhjetori 1827 deri në gusht 1830, Jozef dhe Ema Smithi jetuan në Harmoni të Pensilvanisë, Profeti udhëtonte herë pas here për në Nju-Jork për t’u kujdesur për punët e Kishës. Në shtator 1830, Jozefi dhe Ema u shpërngulën në Fajet të Nju-Jorkut, për t’u bashkuar me shenjtorët që jetonin në Nju-Jorkun perëndimor. Dhjetorin vijues, Profeti mori një zbulesë që do të kërkonte që anëtarët e Kishës në Nju-Jork të bënin sakrifica të mëdha. Ata duhet të linin shtëpitë, fermat e bizneset e tyre dhe të mblidheshin në Kirtland të Ohajos (shih DeB 37). Atje ata do të bashkoheshin me të kthyer në besim që jetonin në atë zonë për të ndërtuar Kishën dhe, siç u premtua nga Zoti, “do t’ju dhurohe[j] fuqi nga lart” (DeB 38:32). Jozef dhe Ema Smithi qenë nga të parët që iu bindën urdhrit të Zotit, duke e lënë Nju-Jorkun nga fundi i janarit 1831. Ata udhëtuan mbi 400 kilometra deri në Kirtland me sajë, në mes të një dimri veçanërisht të ashpër, ndërkohë që Ema qe shtatzënë me binjakë.

Banori i Kirtlandit, Njuël K. Uitni qe një nga të parët që e mirëpriti Profetin, siç përshkruhet nga nipi i tij, Orson F. Uitni: “Rreth një shkurtit 1831, një sajë që kishte katër persona, udhëtoi përmes rrugëve të Kirtlandit dhe ndaloi tek dera e dyqanit të Gilbertit e Uitnit. … Një nga burrat, një personazh i ri dhe i fuqishëm, zbriti e me hapa të shpejtë hyri në dyqan dhe u drejtua aty ku po rrinte ortaku me kuota më të ulëta.

‘Njuël K. Uitni! Ti je burri!’ thirri ai, duke i zgjatur dorën përzemërsisht, si një të njohuri të vjetër e të afërm.

‘Ti ke epërsi ndaj meje’, u përgjigj [dyqanxhiu], ndërsa kapi mekanikisht dorën e zgjatur – me një vështrim gjysmë të kënaqur, gjysmë të hutuar në fytyrë – ‘unë nuk mundem të të thërras me emër, siç më thirre ti’.

‘Unë jam Jozefi, Profeti’, tha i huaji duke buzëqeshur. ‘Jam këtu për shkak të lutjeve të tua; tani çfarë do prej meje?’

Z. Uitni, i mahnitur, por jo më pak i kënaqur, aq shpejt sa ia lejoi habitja e tij, e udhëhoqi grupin … në anën tjetër të rrugës për tek shtëpia e tij në qoshk dhe ia paraqiti bashkëshortes së tij [Elizabet En]. Ajo qe plotësisht po aq e habitur dhe e ngazëlluar sa ai. Jozefi tha për këtë ndodhi: ‘Ne na mirëpritën e na uruan mirëseardhjen në shtëpinë e Vëllait N. K. Uitni. Unë dhe bashkëshortja ime jetuam në familjen e Vëllait Uitni disa javë dhe na kushtuan çdo mirësi dhe vëmendje që mund të pritej’. [Shih History of the Church, 1:145–146.]”1

Orson F. Uitni deklaroi: “Me çfarë fuqie ky njeri i shquar, Jozef Smithi, e njohu dikë që nuk e kishte parë kurrë më parë në mish? Përse Njuël K. Uitni nuk e njohu atë? Kjo ndodhi sepse Jozef Smithi ishte një shikues, një shikues i zgjedhur; ai vërtet e kishte parë Njuël K. Uitnin të gjunjëzuar, qindra kilometra larg, duke u lutur që ai të vinte në Kirtland. E mrekullueshme – por e vërtetë!”2

Deri në maj, thuajse 200 shenjtorë të tjerë nga Nju-Jorku e kishin bërë rrugën e tyre për në Kirtland – disa me saja apo karro, por shumica me lundër të tërheqshme nëpër kanalin Erie dhe pastaj me avullore ose anije me vela përmes liqenit Erie. Në këtë shpërngulje për në Kirtland, ashtu si në shumë rrethana të tjera sfiduese të jetës së tij, Jozef Smithi i udhëhoqi shenjtorët që t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë, pavarësisht sa e vështirë ishte detyra.

Katër vjet më vonë, në mes të shumë trysnive prej udhëheqjes së Kishës që po rritej në Kirtland, Profeti shprehu bindjen që karakterizoi jetën e tij: “Asnjë muaj nuk më ka gjetur më të ngarkuar me punë sesa nëntori; por ndërsa jeta ime ishte e mbushur me aktivitete dhe punë pafund, unë e bëra këtë rregullin tim: Kur Zoti urdhëron, bindu.3

Mësime të Jozef Smithit

Kur ne kërkojmë të njohim vullnetin e Perëndisë dhe të bëjmë gjithçka që Ai na urdhëron të bëjmë, bekimet e qiellit do të qëndrojnë mbi ne.

“Që të marrim shpëtimin, ne jo vetëm që duhet të bëjmë disa gjëra, por gjithçka që Perëndia ka urdhëruar. Njerëzit mund të predikojnë e të praktikojnë gjithçka, përveç atyre gjërave që Perëndia na ka urdhëruar të bëjmë, dhe do të dënohen në fund. Ne mund të paguajmë të dhjetën e ryzës, të mendrës e të çdo barishteje dhe përsëri të mos u bindemi urdhërimeve të Perëndisë [shih Lluka 11:42]. Synimi im është që të bindem dhe të mësoj të tjerët t’i binden Perëndisë tamam për atë që Ai na thotë të bëjmë. Nuk ka rëndësi nëse parimi është i përhapur ose jo i përhapur, unë gjithmonë do ta ruaj si një parim të vërtetë, edhe nëse do të qëndroj i vetëm për këtë.”4

“Si Kishë dhe si njerëz na duhet të jemi të mençur dhe të kërkojmë të dimë vullnetin e Perëndisë, dhe pastaj të jemi të gatshëm që ta bëjmë atë; pasi ‘lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë’ thonë shkrimet e shenjta. ‘Rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë’, thotë Shpëtimtari ynë, ‘që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.’ [Shih Lluka 11:28; 21:36.] Nëse Enoku, Abrahami, Moisiu dhe fëmijët e Izraelit, dhe gjithë njerëzit e Perëndisë u shpëtuan duke mbajtur urdhërimet e Perëndisë, ne, nëse do të shpëtohemi ndonjëherë, do të shpëtohemi sipas të njëjtit parim. Ashtu si Perëndia qeverisi Abrahamin, Isakun dhe Jakobin si familje dhe fëmijët e Izraelit si komb; po ashtu ne, si Kishë, duhet të jemi nën udhëheqjen e Tij që të kemi lulëzim, ruajtje dhe mbështetje. Mirëbesimi ynë i vetëm mund të jetë tek Perëndia; urtësia jonë e vetme të fitohet prej Tij; dhe vetëm Ai duhet të jetë mbrojtësi dhe ruajtësi ynë, shpirtërisht dhe fizikisht, ose përndryshe do të biem.

Ne jemi ndëshkuar prej dorës së Perëndisë deri këtë kohë, sepse nuk u jemi bindur urdhërimeve të Tij, ndonëse ne kurrë nuk dhunuam ndonjë ligj njerëzor ose shkelëm ndonjë rregull njerëzor; prapëseprapë, ne kemi trajtuar me lehtësi urdhërimet e Tij dhe jemi larguar nga ordinancat e Tij, dhe Zoti na ka ndëshkuar rreptë, dhe ne kemi ndier krahun e Tij, dhe kemi pranuar ndëshkimin me bindje; le të jemi të mençur në kohën që vjen dhe të kujtojmë gjithmonë që ‘bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve’. [1 Samueli 15:22.]”5

“Kur udhëzohemi, ne duhet t’i bindemi atij zëri, të zbatojmë ligjet e mbretërisë së Perëndisë, që bekimet e qiellit të mund të qëndrojnë mbi ne. Të gjithë duhet të veprojmë në harmoni, përndryshe asgjë nuk mund të bëhet, dhe duhet të veprojmë sipas Priftërisë së lashtë; prandaj shenjtorët duhet të jenë një popull i përzgjedhur, të ndarë nga gjithë të ligat e botës – të zgjedhur, të virtytshëm dhe të shenjtë. Zoti do ta bëjë Kishën e Jezu Krishtit një mbretëri priftërinjsh, një popull të shenjtë, një brez të zgjedhur [shih Eksodi 19:6, 1 Pjetri 2:9], si në kohën e Enokut, që të ketë të gjitha dhuratat siç i ilustrohet Kishës në letrat e Palit dhe mësimet për kishat në kohën e tij.”6

“Çdo njeri mund të besojë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe të jetë i kënaqur me atë besim, dhe prapëseprapë të mos u bindet urdhërimeve të Tij, dhe në fund të dënohet për shkak të mosbindjes ndaj kërkesave të drejta të Zotit.”7

“Jini të virtytshëm e të pastër; jini njerëz me integritet dhe të vërtetë; mbani urdhërimet e Perëndisë; dhe atëherë ju do të jeni në gjendje për të kuptuar në mënyrë më të përsosur ndryshimin midis së drejtës dhe të gabuarës – midis gjërave të Perëndisë dhe gjërave të njerëzve; dhe shtegu juaj do të jetë si ai i të drejtëve, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë [shih Fjalët e Urta 4:18].”8

Uillford Udraf, ndërsa shërbente si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, tregoi: “Presidenti Jozef … lexoi shëmbëlltyrën e hardhisë e të shermendeve [shih Gjoni 15:1–8] dhe e shpjegoi atë, dhe tha: ‘Nëse ne i mbajmë urdhërimet e Perëndisë, ne do të japim fryt dhe do të jemi miqtë e Perëndisë, dhe do ta dimë atë që bëri Zoti ynë’.”9

Perëndia jep ligje që do të na përgatisin për prehje çelestiale nëse u bindemi atyre.

“Perëndia nuk do të japë ndonjë urdhërim, nëse nuk është veçanërisht me vend dhe e përshtatshme, për të përmirësuar gjendjen e çdo njeriu në çfarëdo rrethanash që mund të gjendet ai, nuk ka rëndësi në cilën mbretëri apo vend mund të jetë ai.”10

“Ligji i qiellit i paraqitet njeriut dhe, si i tillë, u garanton të gjithëve që i binden atij një shpërblim shumë përtej çfarëdo shpërblimi tokësor; ndonëse ai nuk premton se besimtari në çdo epokë do të lirohet nga vuajtjet dhe telashet që rrjedhin prej burimeve të ndryshme si rrjedhim i veprimeve të njerëzve të ligj në tokë. Megjithëkëtë, në mes të gjithë këtyre, ka një premtim të bazuar në faktin se ligji i qiellit e kapërcen ligjin e njeriut, po aq sa jeta e përjetshme atë të përkohshmen; dhe po aq sa bekimet që është në gjendje të japë Perëndia janë më të mëdha se ato që mund të jepen nga njeriu. Atëherë, sigurisht, nëse ligji i njeriut është i detyrueshëm për njeriun kur e pranojnë si të tillë, sa më shumë i detyrueshëm duhet të jetë ligji i qiellit! Dhe po aq sa ligji i qiellit është më i përsosur se ligji i njeriut, po aq më i madh duhet të jetë shpërblimi nëse i bindemi. … Ligji i Perëndisë premton atë jetë që është e përjetshme, madje një trashëgimi në vetë anën e djathtë të Perëndisë, të sigurt nga gjithë fuqitë e të ligut. …

… Perëndia ka të rezervuar një kohë, apo një periudhë të caktuar në vetë kraharorin e Tij, kur Ai do të marrë gjithë subjektet e Tij, që i janë bindur zërit të Tij dhe i kanë mbajtur urdhërimet e Tij, në prehjen e Tij çelestiale. Kjo prehje është e një përsosurie dhe lavdie të tillë, saqë njeriu ka nevojë për një përgatitje përpara se, sipas ligjeve të asaj mbretërie, të mund të hyjë në të dhe të gëzojë bekimet e saj. Duke qenë situata kështu, Perëndia i ka dhënë disa ligje familjes njerëzore, të cilat, nëse zbatohen, janë të mjaftueshme për t’i përgatitur ata që të trashëgojnë këtë prehje. Ky, pra, nxjerrim përfundimin, ishte qëllimi i Perëndisë që na dha neve ligjet e Tij. … Gjithë urdhërimet që gjenden në ligjin e Zotit, përfshijnë gjithashtu premtimin e sigurt të një shpërblimi për të gjithë ata që binden, bazuar mbi faktin se ato janë vërtet premtimet e një Qenieje që nuk mund të gënjejë, Një që është i aftë të plotësojë me tepri çdo grimë të fjalës së Tij.”11

Jozef Smithi dha mësim sa vijon në prill 1843, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 130:20–21: “Ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen—Dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet”12.

“Gjithë bekimet që u shuguruan për njeriun nga Këshilli i Qiellit ishin me kushtin e bindjes ndaj atij ligji.”13

Ata që janë besnikë deri në fund do të marrin një kurorë drejtësie.

“Jeto me bindje të rreptë ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe ec me përulje para Tij, dhe Ai do të të ekzaltojë në kohën e Tij të përshtatshme.”14

“Sa të kujdesshëm duhet të jenë njerëzit për atë që bëjnë në ditët e fundit, që të mos dështojnë në plotësimin e pritshmërive të tyre, dhe ata që mendojnë se qëndrojnë të favorizuar para Zotit do të bien, sepse ata nuk i mbajnë urdhërimet e Tij; ndërsa ju, që bëni vullnetin e Zotit dhe mbani urdhërimet e Tij, duhet të gëzoheni me gëzim të pathënë, sepse të tillët do të ekzaltohen shumë lart dhe do të ngrihen në triumf mbi të gjitha mbretëritë e kësaj bote.”15

“Në kapitullin e 22-të të rrëfimit [të Mateut] për Mesian, ne gjejmë mbretërinë e qiejve të krahasuar me një mbret që përgatiti dasmën e të birit [shih Mateu 22:2–14]. Që ky bir ishte Mesia nuk do të diskutohet, meqenëse ishte mbretëria e qiejve që u përshkrua në shëmbëlltyrë; dhe që shenjtorët, apo ata që gjenden besnikë ndaj Zotit, janë individët që do të gjenden të denjë për të trashëguar një vend në gostinë e dasmës, është e dukshme nga thëniet e Gjonit tek Zbulesa ku ai e përshkruan tingullin që dëgjoi në qiell të jetë ashtu si i ‘një turme të madhe’ apo si “zë bubullimash të forta, që thoshte: ‘Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi! Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve’” [Zbulesa 19:6–8].

Që ata, të cilët mbajnë urdhërimet e Zotit dhe ecin sipas dekreteve të Tij deri në fund, janë të vetmit individë të lejuar të ulen në gostinë e tij të mrekullueshme, është e qartë nga gjërat që vijojnë në letrën e fundit të Palit drejtuar Timoteut, që u shkrua pak para vdekjes së tij, – ai thotë: ‘Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.’ [2 Timoteut 4:7–8.] Asnjëri që e beson rrëfimin, nuk do të dyshojë për asnjë çast në këtë pohim të Palit që u bë, siç ai vetë e dinte, fare pak përpara se ta linte këtë botë. Megjithëse ai dikur, sipas vetë fjalës së tij, e përndiqte Kishën e Perëndisë dhe e shkatërronte atë, përsëri pasi përqafoi besimin, puna e tij qe e pandërprerë për të përhapur lajmet e lavdishme: dhe si një ushtar besnik, kur u thirr të jepte jetën e tij për kauzën që kishte përqafuar, ai e fali, siç thotë, me një siguri për një kurorë të përjetshme.

Ndiqni veprat e këtij Apostulli që nga koha e kthimit në besim deri në kohën e vdekjes së tij dhe ju do të keni një shembull të pastër të zellit dhe durimit për të shpallur botërisht Ungjillin e Krishtit. I përqeshur, i qëlluar me kamxhik dhe me gurë, në çastin kur u shpëtoi duarve të përndjekësve të tij, ai me po atë zell të përhershëm shpalli doktrinën e Shpëtimtarit. Dhe të gjithë mund ta dinë se ai nuk e përqafoi besimin për të marrë ndere në këtë jetë, as për të fituar të mira tokësore. Çfarë, pra, mund ta ketë shtyrë atë të heqë gjithë këtë mundim? Ajo qe, siç tha ai, që të mund të fitonte kurorën e drejtësisë nga dora e Perëndisë. Askush, mendojmë ne, nuk do të dyshojë për besnikërinë e Palit deri në fund. Askush nuk do të thotë se ai nuk e ruajti besimin, se ai nuk e luftoi luftën e mirë, se ai nuk predikoi dhe nuk i bindi deri në fund. Dhe çfarë do të merrte ai? Një kurorë drejtësie. …

Mendohuni për një çast, vëllezër, dhe pyesni, nëse do ta konsideronit veten të denjë [për] një vend në gostinë e dasmës me Palin dhe të tjerë si ai, nëse nuk keni qenë besnikë? Po të mos keni luftuar luftën e mirë dhe të mos keni ruajtur besimin, a do të mund të prisnit të merrni të njëjtat bekime? A keni një premtim që të merrni një kurorë drejtësie nga dora e Zotit, me Kishën e të Parëlindurit? Këtu atëherë, ne e kuptojmë, që Pali e vendosi shpresën e tij tek Krishti, sepse ai e kishte ruajtur besimin dhe kishte pritur me dashuri të shfaqurit e tij, dhe nga dora e Tij ai kishte një premtim të marrjes së një kurore drejtësie. …

… Të lashtët, edhe pse të përndjekur e të pikëlluar nga njerëzit, morën nga Perëndia premtime të një peshe e lavdie të tillë, saqë zemrat tona shpesh mbushen me mirënjohje që ne madje lejohemi të mësojmë prej tyre, ndërsa sodisim se në vështrimin e Tij nuk tregohet i anshëm, dhe se në çfarëdo kombi, ai që e ka frikë Perëndinë dhe vepron drejtësisht, pranohet nga Ai [shih Veprat e Apostujve 10:34–35]. …

Ne mund të nxjerrim përfundimin se do të duhet të ketë një ditë kur të gjithë do të gjykohen për veprat e tyre dhe do të shpërblehen sipas tyre; se ata që e kanë ruajtur besimin do të kurorëzohen me një kurorë drejtësie; do të vishen me rroba të bardha; do të pranohen në gostinë e dasmës; do të jenë të lirë nga çdo pikëllim dhe do të mbretërojnë bashkë me Krishtin në tokë, ku, sipas premtimit të lashtë, ata do të marrin nga fryti i vreshtit të ri në mbretërinë e lavdishme me Të; të paktën ne gjejmë se premtime të tilla iu bënë shenjtorëve të lashtë. Edhe pse ne nuk mund të pretendojmë këto premtime që iu bënë të lashtëve, sepse ato nuk janë prona jonë, thjesht sepse iu bënë shenjtorëve të lashtë, përsëri, nëse jemi bijtë e Shumë të Lartit, dhe thirremi me të njëjtën thirrje me të cilën u thirrën ata, dhe përqafojmë të njëjtën besëlidhje që ata përqafuan, dhe jemi besnikë ndaj dëshmisë së Zotit tonë ashtu si qenë ata, ne mund t’i qasemi Atit në emër të Krishtit ashtu si ata iu qasën Atij, dhe të sigurojmë të njëjtat premtime për veten tonë.

Këto premtime, kur i sigurojmë ato, nëse do t’i sigurojmë ndonjëherë, nuk do të jenë sepse Pjetri, Gjoni dhe Apostujt e tjerë … ecën në frikën e Perëndisë dhe patën fuqinë e besimin të triumfonin e t’i siguronin ato; por kjo do të jetë sepse ne, vetë, kemi besim dhe i qasemi Perëndisë në emrin e Birit të Tij Jezu Krisht, ashtu si ata bënë; dhe kur këto premtime sigurohen, ato do të jenë premtime drejtpërdrejt për ne, ose përndryshe nuk do të na sjellin ndonjë dobi. Ato do të kumtohen për përfitimin tonë, duke qenë vetë prona jonë (nëpërmjet dhuratës së Perëndisë), të fituara nga vetë zelli ynë për t’iu bindur urdhërimeve të Tij dhe për të ecur drejtësisht para Tij.”16

“Ne do t’ju kujtojmë juve, vëllezër, për lodhjet, sprovat, mungesat dhe përndjekjet, që shenjtorët e lashtë duruan me qëllimin e vetëm që të bindnin njerëzit për përsosurinë dhe drejtësinë e besimit të Krishtit, nëse sipas mendimit tonë është e nevojshme ose nëse do të shërbente në çfarëdo mënyre që t’ju nxiste të punoni në vreshtin e Zotit me më tepër zell. Por ne kemi arsye të besojmë (nëse ju i bëni shkrimet e shenjta një pjesë të mjaftueshme të studimeve tuaja), se këmbëngulja e tyre njihet nga ju të gjithë; po ashtu që ata qenë të gatshëm të sakrifikonin nderimet dhe kënaqësitë e tashme të kësaj bote, që ata të mund të fitonin sigurinë për një kurorë jete nga dora e Zotit tonë; dhe shembullin e tyre të shkëlqyer në punë, që na manifeston zellin e tyre për kauzën që ata përqafuan, ju po përpiqeni përditë ta ndiqni. Dhe jo vetëm këta shembuj të shenjtorëve, por edhe urdhërimet e Zotit tonë, ne shpresojmë që të mbahen vazhdimisht në zemrat tuaja, duke ju mësuar juve, jo vetëm vullnetin e Tij për të shpallur Ungjillin e Tij, por butësinë e Tij dhe sjelljen e përkryer para të gjithëve, edhe në ato kohë të përndjekjeve dhe abuzimeve të rënda, që u grumbulluan mbi Të nga një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës.

Kujtoni, vëllezër, se Ai ju ka thirrur në shenjtërim; dhe a ka nevojë të themi që të bëhemi si Ai në pastërti? Sa i mençur, sa i shenjtë; sa i dëlirë dhe sa i përsosur, atëherë, ju duhet të drejtoni veten para Tij; dhe kujtoni gjithashtu, që sytë e Tij janë vazhdimisht mbi ju. Duke i parë këto fakte nën dritën e duhur, ju nuk mund të jeni të pavetëdijshëm, që pa një zbatim të rreptë të gjithë kërkesave të Tij hyjnore, ju mundeni, në fund, të gjendeni të mangët në drejtësi; dhe nëse është kështu, ju do ta pranoni, se fati juaj do të jetë i ngjashëm me atë të shërbëtorëve të padobishëm. Prandaj, ne ju kërkojmë me ngulm vëllezër, të përmirësoheni në të gjitha gjërat që ju janë ngarkuar, që të mos e humbni shpërblimin tuaj.”17

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni paragrafin e fundit në faqen 167, duke u përqendruar në rregullin që Jozef Smithi përvetësoi në jetën e tij. Mendoni për urdhra të veçantë që keni marrë kohët e fundit, nëpërmjet fjalëve të profetit të gjallë ose nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Si jeni bekuar kur u jeni bindur këtyre urdhrave pa ngurrim?

  • Rishihni paragrafin e parë në faqen 168. Përse nganjëherë ne duhet të “qëndroj[më] [të] vetëm” për të “ruaj[tur] një parim të vërtetë”? Në çfarë mënyrash ne nuk jemi vetëm në çaste të tilla? (Për disa shembuj, shih faqet 168–170.) Si mund të ndihmojmë ne fëmijët dhe të rinjtë të qëndrojnë të vërtetë ndaj parimeve të ungjillit edhe kur nuk është e përhapur ta bësh këtë?

  • Studioni seksionin që fillon në faqen 170. Për çfarë arsyesh na jep urdhërime Perëndia? Përse duhet t’u bindemi urdhërimeve të Tij?

  • Rishihni mësimet e Jozef Smithit mbi Mateun 22:2–14 dhe 2 Timoteut 4:7–8 (faqet 172–176). Meditoni se si do të ndiheshit nëse do të pranoheshit në gostinë e dasmës. Çfarë lloj njerëzish duhet të jemi ne që të jemi të denjë për t’u pranuar? Si mendoni, çfarë do të thotë të luftosh luftën e mirë dhe të ruash besimin? Mendoni për dikë që njihni që ka luftuar luftën e mirë dhe e ka ruajtur besimin. Çfarë mund të mësoni nga ky person?

  • Profeti Jozef na nxiti të kujtojmë që Zoti na ka “thirrur në shenjtërim” (faqe 176). Çfarë do të thotë për ju që të thirreni në shenjtërim? Si mundet që të kujtuarit për këtë “thirrje” sjell ndryshim në jetën tonë? Në jetën e pjesëtarëve të familjes dhe miqve tanë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Eksodi 20:1–17; Gjoni 7:17; 1 Nefi 3:7; DeB 58:26–29; Abrahami 3:25

Shënime

  1. Orson F. Whitney, “Newel K. Whitney”, Contributor, janar 1885, f. 125; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika.

  2. Orson F. Whitney, në Conference Report, prill 1912, f. 50.

  3. History of the Church, 2:170; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book B-1, f. 558, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  4. History of the Church, 6:223; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 21 shkurt 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  5. History of the Church, 5:65; nga “The Government of God”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 korrik 1842, f. 857; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  6. History of the Church, 4:570; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 30 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  7. History of the Church, 5:426; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  8. History of the Church, 5:31; nga “Gift of the Holy Ghost”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 qershor 1842, f. 825; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  9. History of the Church, 4:478; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 19 dhjetor 1841, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  10. Letër nga Joseph Smith drejtuar Isaac Galland, 22 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, botuar në Times and Seasons, shkurt 1840, f. 54.

  11. History of the Church, 2:7–8, 12; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, shkurt 1834, f. 135–136.

  12. Doktrina e Besëlidhje 130:20–21; udhëzime dhënë nga Joseph Smith më 2 prill 1843, në Ramus, Illinois.

  13. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Franklin D. Richards, në Franklin Dewey Richards, Scriptural Items, rreth 1841–1844, Arkivat e Kishës.

  14. History of the Church, 1:408; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Vienna Jacques, 4 shtator 1833, Kirtland, Ohio; mbiemri i Motrës Jacques nganjëherë shkruhet gjithashtu “Jaques,” si në History of the Church.

  15. History of the Church, 1:299; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar William W. Phelps, 27 nëntor 1832, Kirtland, Ohio.

  16. History of the Church, 2:19–22; është modernizuar pikësimi; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, mars 1834, f. 144.

  17. History of the Church, 2:13; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, mars 1834, f. 142.

Pamja
Joseph and Newel K. Whitney

Në shkurt 1831, Jozef Smithi mbërriti në Kirtland të Ohajos, hyri në dyqanin e Njuël K. Uitnit dhe tha: “Unë jam Jozefi, Profeti. … Jam këtu për shkak të lutjeve të tua; tani çfarë do prej meje?”

Pamja
child paying tithing

“Kur Zoti urdhëron, bindu”, shpalli Jozef Smithi. Ligji i të dhjetës, ashtu si gjithë urdhërimet e dhëna nga Zoti, u sjell bekime të mëdha atyre që i binden atij.

Pamja
Paul testifying

Pali duke dëshmuar përpara Mbretit Agripa. “Askush”, tha Jozef Smithi, “nuk do të dyshojë për besnikërinë e Palit deri në fund…. Dhe çfarë do të merrte ai? Një kurorë drejtësie.”