Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3: Jezu Krishti, Shëlbuesi Hyjnor i Botës


Kapitulli 3

Jezu Krishti, Shëlbuesi Hyjnor i Botës

“Botës nuk mund t’i vinte shpëtimi pa ndërmjetësinë e Jezu Krishtit.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Vite më parë se të lindte Jozef Smithi, gjyshi i tij nga i ati u ndje i frymëzuar se diçka do të ndodhte në familjen e tij që “do të ndryshonte rrënjësisht botën”1. Historia e Jozef Smithit shënon: “Gjyshi im, Azael Smith, kohë më parë parashikoi se në familjen e tij do të ngrihej një profet dhe gjyshja ime ishte plotësisht e bindur që kjo u përmbush me mua. Gjyshi im Azael, vdiq në Stokholmin Lindor, konteja Shën-Lorenc e Nju-Jorkut, pasi e mori Librin e Mormonit dhe e lexoi thuajse të gjithë; dhe ai deklaroi se unë isha tamam Profeti që ai e kishte ditur prej kohësh se do të vinte në familjen e tij.”2

Si Profet i Rivendosjes, një nga rolet më të rëndësishme të Jozef Smithit ishte që të dëshmonte për Jezu Krishtin. Ai pati bekimin të kishte njohuri vetjake për hyjninë e Jezu Krishtit dhe të kuptonte rolin e Tij si Shëlbuesi i botës. Kjo njohuri filloi me Vegimin e Parë, në të cilin djaloshi Jozef pa Atin Qiellor e Jezu Krishtin dhe dëgjoi Atin që deklaroi: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith—Historia 1:17). Në këtë përvojë të shenjtë, Jozefi pati privilegjin të merrte udhëzim nga Shpëtimtari i botës.

Gati dymbëdhjetë vjet më vonë, më 16 shkurt 1832, Profeti po përkthente Biblën, me Sidni Rigdonin si shkruesin e tij, në shtëpinë e Xhon Xhonsonit në Hiram të Ohajos. Pasi Profeti përktheu Gjoni 5:29, që përshkruan ringjalljen e atyre që janë të mirë dhe të atyre që janë të ligj, Jozefit dhe Sidnit iu hap një vegim dhe ata e panë e bashkëbiseduan me Shpëtimtarin:

“Me anë të fuqisë së Shpirtit sytë tanë u hapën dhe të kuptuarit tonë u ndriçua, kështu që të shihnim dhe të kuptonim gjërat e Perëndisë— Madje ato gjëra që ishin nga fillimi, përpara se bota të ishte, të cilat u shuguruan nga Ati, nëpërmjet Birit të tij të Vetëmlindur, që ishte në gjirin e Atit, madje që nga fillimi; Për të cilin ne japim dëshmi; dhe dëshmia që ne japim, është plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit, që është Biri, të cilin ne e pamë dhe me të cilin biseduam në vegimin hyjnor. …

Dhe ne vumë re lavdinë e Birit, në të djathtë të Atit, dhe morëm nga plotësia e tij; Dhe pamë engjëjt e shenjtë dhe ata që shenjtërohen përpara fronit të tij, duke adhuruar Perëndinë dhe Qengjin, të cilët e adhurojnë atë përherë e përgjithmonë.

Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!

Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit—Se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë” (DeB 76:12–14, 20–24).

Jozef Smithi e pa përsëri Shpëtimtarin më 3 prill 1836. Profeti dhe Oliver Kaudri ishin tërhequr tek katedra perëndimore në Tempullin e Kirtlandit. Ata u përkulën në lutje solemne, pas së cilës Shpëtimtari u shfaq para tyre. Profeti shpalli:

“Veli u hoq nga mendjet tona dhe sytë e të kuptuarit tonë u hapën. Ne pamë Zotin duke qëndruar mbi pjesën e sipërme të katedrës, përpara nesh; dhe nën këmbët e tij ishte një dysheme e punuar prej ari të pastër, me ngjyrë qelibari. Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave, madje zëri i Jehovës, duke thënë: Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin” (DeB 110:1–4).

Nga përvoja të tilla Profeti mori njohuri të drejtpërdrejtë dhe u bë një dëshmitar i veçantë i hyjnisë së Shpëtimtarit.

Mësime të Jozef Smithit

Në të gjitha periudhat ungjillore, njerëzit e Perëndisë janë mbështetur në Shlyerjen e Krishtit për heqjen e mëkateve të tyre.

“Botës nuk mund t’i vinte shpëtimi pa ndërmjetësinë e Jezu Krishtit.”3

“Perëndia … përgatiti një sakrificë, si dhuratë vetë Birin e Tij, që duhet të dërgohet në kohën e caktuar për të përgatitur një udhë, ose për të hapur një derë me anë të së cilës njeriu mund të hyjë në praninë e Zotit, nga ku është dëbuar prej mosbindjes. Herë pas here, këto lajme të gëzuara arritën në veshët e njerëzve në epoka të ndryshme të botës deri në kohën e ardhjes së Mesias.

Me anë të besimit në këtë shlyerje, ose plan të shëlbimit, Abeli i ofroi Perëndisë një flijim që u pranua dhe që ishte të parëlindurit e kopesë. Kaini ofroi frutat e tokës dhe nuk u pranua, sepse nuk mundi ta bënte me besim; ai nuk mund të kishte besim, ose nuk mund të ushtronte besim në kundërshtim me planin e qiellit. Duhej të derdhej gjaku i të Vetëmlindurit që të shlyhej për njeriun, pasi ky ishte plani i shëlbimit dhe pa derdhjen e gjakut nuk kishte heqje të mëkateve. Dhe meqenëse flijimi u krijua si një simbol me anë të së cilit njeriu të mund të dallonte Flijimin e madh që kishte përgatitur Perëndia, nëse dikush ofron një flijim në kundërshtim me këtë, ai nuk mund ta bëjë atë me besim, sepse shlyerja nuk blihet në atë mënyrë, as pushteti i shlyerjes nuk vendoset sipas këtij rregulli; si pasojë Kaini nuk mund të kishte besim; dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim, është mëkat. Por Abeli ofroi një flijim të pranueshëm, me anë të së cilit ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia Vetë dha dëshminë se i pranoi dhuratat e tij [shih Hebrenjve 11:4].

Sigurisht, derdhja e gjakut të një kafshe nuk mund t’i sillte përfitim askujt, përveçse nëse do të bëhej si imitim, ose si simbol, ose si shpjegim i asaj që do të ofrohej nëpërmjet dhuratës së Vetë Perëndisë – dhe ky veprim të bëhej duke shikuar përpara me një besim tek fuqia e asaj Sakrifice të madhërishme për heqjen e mëkateve. …

… Ne nuk mund ta besojmë se të moçmit në të gjitha epokat ishin aq të paditur për sistemin e qiellit siç mendojnë shumë vetë, pasi të gjithë ata që janë shpëtuar ndonjëherë, u shpëtuan me anë të fuqisë së këtij plani të madh të shëlbimit, para ardhjes së Krishtit po aq sa pas ardhjes; nëse jo, Perëndia kishte pasur plane të ndryshme në veprim (nëse mund ta shprehim kështu), për t’i kthyer njerëzit që të banojnë me Të. Dhe këtë nuk mund ta besojmë, qëkurse nuk ka pasur ndryshim në natyrën e njeriut që kur ai ra; dhe ordinanca apo vendosja e ofrimit të gjakut si sakrificë u krijua që të bëhej derisa të ofrohej Krishti dhe të derdhte gjakun e Tij – si e thamë më parë – që njeriu të mund të shihte përpara me besim tek ajo kohë. …

Që ofrimi i sakrificës ishte vetëm për të drejtuar mendjen e njerëzve përpara tek ardhja e Krishtit, ne e kuptojmë nga këto fjalë të shënuara të Jezusit drejtuar çifutëve: ‘Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua’ [Gjoni 8:56]. Kështu pra, meqenëse të moçmit ofruan flijime, kjo nuk i pengoi të dëgjonin Ungjillin; por shërbeu, si thamë më parë, për t’u hapur sytë dhe për t’u mundësuar të shihnin përpara drejt kohës së ardhjes së Shpëtimtarit dhe të gëzonin në shëlbimin e Tij. … Ne arrijmë në përfundimin se kurdoherë që Zoti iu shfaq njerëzve në lashtësi dhe i urdhëroi t’i ofronin Atij sakrificë, kjo u bë që ata të mund të shihnin përpara me besim drejt kohës së ardhjes së Tij dhe të mbështeteshin në fuqinë e asaj shlyerje për heqjen e mëkateve të tyre. Dhe këtë bënë ata, mijëra që kanë shkuar para nesh, rrobat e të cilëve janë pa njolla dhe të cilët, ashtu si Jobi, po presin me një siguri si e tija, se ata do ta shohin Atë në fund mbi tokë, madje në mishin e tyre [shih Jobi 19:25–26].

Ne mund të arrijmë në përfundimin se, edhe pse kishte periudha të ndryshme, përsëri të gjitha gjërat që Perëndia u komunikoi njerëzve të Tij ishin përllogaritur që t’u tërhiqnin vëmendjen tek objektivi i madh dhe që t’u mësonin të mbështeteshin vetëm tek Perëndia si vepronjësi i shpëtimit të tyre, siç përmbahet në ligjin e Tij.”4

Meqenëse Jezu Krishti u ngrit nga vdekja, gjithë njerëzimi do të ringjallet.

“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj. Por të lidhura me këto parime, ne besojmë në dhuratën e Frymës së Shenjtë, fuqinë e besimit, gëzimin e dhuratave shpirtërore sipas vullnetit të Perëndisë, rivendosjen e shtëpisë së Izraelit dhe triumfin përfundimtar të së vërtetës.”5

“‘Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin’ të gjithë do të ngrihen nga vdekja [1 Korintasve 15:22]. Qengji i Perëndisë ka bërë të ndodhë ringjallja, kështu që të gjithë do të ngrihen nga vdekja.”6

“Perëndia ka caktuar një ditë në të cilën Ai do të gjykojë botën dhe për këtë ka dhënë siguri me atë që Ai ngriti nga vdekja Birin e Tij Jezu Krisht – kjo është pika ku mbështetet shpresa e të gjithëve, që besojnë shkrimet e frymëzuara, për lumturinë dhe gëzimin e tyre të ardhshëm, sepse ‘në qoftë se Krishti nuk është ringjallur’, u tha Pali korintasve, ‘i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja, edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur’ [1 Korintasve 15:17–18]. …

Vetë Krishti sigurisht u ngrit nga vdekja; dhe nëse Ai u ngrit nga vdekja, Ai, me anë të fuqisë së Tij, do të sjellë gjithë njerëzit të qëndrojnë para Tij: sepse, nëse Ai është ngritur nga vdekja, lidhjet e vdekjes së përkohshme janë këputur dhe varri nuk ka fitore. Atëherë, nëse varri nuk ka fitore, ata që i zbatojnë thëniet e Jezusit dhe u binden mësimeve të Tij jo vetëm që kanë një premtim të ringjalljes nga vdekja, por edhe një siguri se do të pranohen në mbretërinë e Tij të lavdishme; sepse, Ai Vetë thotë ‘ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im’ [Gjoni 12:26].”7

“Ata që kanë vdekur në Jezu Krishtin, mund të presin të marrin, kur të vijnë në ringjallje, gjithë gëzimin që kanë pasur ose kanë pritur kur ishin në këtë jetë. … Jam i gëzuar që kam privilegjin t’ju komunikoj disa gjëra, të cilat, nëse kuptohen me kujdes, do të jenë një ndihmë për ju kur tërmetet të ulërijnë, retë të mblidhen, vetëtimat të shkrepin dhe stuhitë të jenë gati të shpërthejnë mbi ju si gjëmime bubullimash. Mbajini fort këto gjëra dhe mos i lini gjunjët ose kyçet të dridhen, as zemrat t’ju ligështohen; dhe atëherë, çfarë mund të bëjnë tërmetet, luftërat dhe uraganet? Asgjë. Të gjitha humbjet do t’ju plotësohen në ringjallje, po qe se vazhdoni besnikërisht. Me anë të vegimit të të Plotfuqishmit, unë e kam parë. …

Perëndia ka zbuluar Birin e Tij nga qiejt dhe gjithashtu doktrinën e ringjalljes; dhe ne kemi njohurinë se ata që varrosim këtu, Perëndia do t’i ngrejë përsëri, të veshur e të gjallëruar nga Shpirti i Perëndisë së madh; dhe ç’rëndësi ka nëse i varrosim apo vdesim bashkë me ta, kur nuk mund t’i mbajmë më gjatë? Le t’i ngulim thellë në zemrën tonë këto të vërteta, që të mund të fillojmë të gëzojmë edhe këtu atë që do të jetë e plotë paskëtaj.”8

Nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit dhe bindjes ndaj ungjillit, ne mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë të Krishtit.

“Unë besoj në Hyjninë e Jezu Krishtit dhe se Ai vdiq për mëkatet e të gjithë njerëzve, që në Adamin kanë rënë.”9

Nenet e Besimit 1:3: “Ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”10.

“Pasi Perëndia kishte krijuar qiejt dhe tokën, ai zbriti dhe në ditën e gjashtë tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë’. Sipas shëmbëlltyrës së kujt? Ata i krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndive, mashkull dhe femër, të patëkeq, të pafajshëm e të panjollë, që mbartnin të njëjtin karakter dhe të njëjtën shëmbëlltyrë si Perënditë [shih Zanafilla 1:26–27]. Dhe kur njeriu ra, ai nuk e humbi shëmbëllimin e tij, por karakteri i tij e ruajti përsëri shëmbëllimin e Krijuesit të tij. Krishti, që është shëmbëlltyra e njeriut, është edhe vula e qenies së Atit të tij [shih Hebrenjve 1:3]. … Nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe ringjalljes, si dhe bindjes ndaj ungjillit, ne përsëri do të bëhemi të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, Jezu Krishtit [shih Romakëve 8:29]; atëherë do të kemi arritur shëmbëlltyrën, lavdinë dhe karakterin e Perëndisë.”11

“Ati i shpirtrave tanë [siguroi] një sakrificë për krijesat e Tij, një plan shëlbimi, një fuqi shlyerjeje, një skemë shpëtimi, që kanë si qëllimin e tyre të madh, kthimin e njerëzve përsëri në praninë e Mbretit të qiellit, kurorëzimin e tyre në lavdinë çelestiale dhe bërjen e tyre trashëgimtarë bashkë me Birin të asaj trashëgimie që është e pakorruptueshme, e pandotur dhe që nuk zhduket.”12

“Shkrimi i shenjtë thotë se ata që do t’u binden urdhërimeve do të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin. … ‘Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë me të dhe lavdohemi me të.’ [Shih Romakëve 8:16–17.]”13

“Sa ngushëlluese është për ata që vajtojnë, kur ndahen nga një bashkëshort, bashkëshorte, atë, nënë, fëmijë, apo një i afërm i dashur, të dinë se ndonëse vendbanimi tokësor varroset dhe tretet, ata do të ngrihen përsëri që të banojnë në flakët e përjetshme në lavdinë e pavdekshme, që të mos hidhërohen, vuajnë apo vdesin më, por do të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Jezu Krishtit.”14

Jezu Krishti është i përsosur, i kulluar e i shenjtë dhe Ai na ka thirrur që të jemi si Ai.

“Cili nga të gjithë shenjtorët në këto ditët e mëvonshme mund ta konsiderojë veten po aq të mirë sa Zoti ynë? Cili është aq i përsosur? Cili është aq i kulluar? Cili është aq i shenjtë sa ishte Ai? A do të gjendet ndonjë? Ai kurrë nuk shkeli ose theu ndonjë urdhërim apo ligj të qiellit – asnjë mashtrim nuk doli nga goja e Tij, as dredhi nuk gjendej në zemrën e Tij. … Ku ka ndonjë si Krishti? Ai nuk mund të gjendet në tokë.”15

“Krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, por Krishti e nënshtroi atë me shpresën [shih Romakëve 8:20] – të gjithë i nënshtrohen kotësisë ndërsa udhëtojnë në mes shtigjeve dredharake dhe vështirësive që i rrethojnë. Ku është njeriu i lirë nga kotësia? Asnjë nuk ka qenë i përsosur përveç Jezusit; dhe përse Ai ishte i përsosur? Sepse Ai ishte Biri i Perëndisë dhe kishte plotësinë e Shpirtit dhe fuqi më të madhe se cilido njeri.”16

“Kur ishte ende djalë [Jezu Krishti] kishte zgjuarsinë e nevojshme që ta bënte Atë të aftë të sundonte e të qeveriste mbretërinë e judenjve dhe mund të diskutonte me mësuesit më të mençur e më të thellë të ligjit e të fesë dhe të bënte që teoritë e praktikat e tyre të dukeshin të pamendta në krahasim me urtësinë që kishte Ai.”17

“Shpresojmë që urdhërimet e Zotit tonë po i meditoni vazhdimisht në zemrën tuaj, duke ju mësuar, jo vetëm vullnetin e Tij në shpalljen e Ungjillit të Tij, por zemërbutësinë dhe jetën e Tij të përsosur para të gjithëve, madje dhe në kohët e përndjekjeve dhe abuzimit të rëndë që u grumbulluan mbi Të nga një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës. Kujtoni, vëllezër, se Ai ju ka thirrur në shenjtërim; dhe a ka nevojë të themi që të bëhemi si Ai në pastërti? Sa i mençur, sa i shenjtë; sa i dëlirë dhe sa i përsosur, atëherë ju duhet të silleni si duhet para Tij; dhe kujtoni gjithashtu, që sytë e Tij janë vazhdimisht mbi ju.”18

“Kur meditojmë për shenjtërinë dhe përsosurinë e Mësuesit tonë të madh, që na ka hapur një udhë nëpërmjet të cilës ne mund të shkojmë tek ai, madje duke sakrifikuar veten, zemrat tona treten përbrenda nga denjimi i tij. Dhe kur mendojmë gjithashtu se ai na ka thirrur të përsosemi në të gjitha gjërat, që të mund të përgatitemi ta takojmë në paqe kur ai të vijë në lavdinë e tij me të gjithë engjëjt e shenjtë, ne ndiejmë që të nxisim vëllezërit tanë me guxim, që të jenë të përulur e plot lutje, të jetojnë vërtet si fëmijë të dritës dhe të ditës, që të mund të kenë hir që t’i rezistojnë çdo tundimi dhe të kapërcejnë çdo të ligë në emrin e denjë të Zotit tonë Jezu Krisht. Sepse jini të sigurt vëllezër, se dita është vërtet afër kur Zotëria i shtëpisë do të ngrihet dhe do të mbyllë derën dhe askush, përveç atyre që kanë veshur rrobë dasme, nuk do të lejohet të gëzojë një vend në darkën e dasmës! [Shih Mateu 22:1–14.]”19

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishikoni rrëfimin e vegimeve të Jozef Smithit për Shpëtimtarin (faqet 47–49). Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa meditoni këto përvoja?

  • Në kohët e lashta, flijimet e kafshëve e ndihmuan popullin e Zotit “për [të] hapur sytë dhe [që] … të shihnin përpara drejt kohës së ardhjes së Shpëtimtarit dhe të gëzonin në shëlbimin e Tij” (faqe 51). Cilat janë disa gjëra që ju ndihmojnë të shihni drejt Shpëtimtarit sot?

  • Lexoni paragrafin në fillim të faqes 52. Vini re se në këtë deklarim, një shtojcë është diçka që është e lidhur tek diçka që ka rëndësi më të madhe, e tillë si një degë që është e lidhur tek trungu i një peme. Si mendoni ju, përse dëshmitë e apostujve dhe profetëve për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit janë “parimet themelore të besimit tonë”? Cili mund të jetë qëndrimi juaj ndaj shërbimit në shtëpi dhe në Kishë nëse kujtoni që gjithë gjërat e tjera janë shtojca të këtyre parimeve?

  • Rishihni mësimet e Profetit Jozef në lidhje me ringjalljen (faqet 52–54). Çfarë ngushëllimi merrni nga njohuria se “të gjitha humbjet do t’ju plotësohen në ringjallje, po qe se vazhdoni besnikërisht”? Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojë njohuria se do të ringjallemi që “të fillojmë të gëzojmë atë që do të jetë e plotë pastaj”?

  • Ndërsa rishihni faqet 54–55, meditoni për atë që ka bërë Shpëtimtari që ne të mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Të. Mendoni mënyra si mund t’i tregoni mirënjohjen tuaj për sakrificën e Tij shlyese.

  • Në faqet 55–56 Profeti Jozef Smith përmend shumë nga cilësitë e Shpëtimtarit. Për çfarë cilësi të tjera mendoni ju kur meditoni për jetën dhe misionin e Shpëtimtarit? Mendoni për diçka që mund të bëni për t’u bërë më tepër si Ai.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Isaia 53:1–12; 2 Nefi 9:5–26; DeB 20:21–29

Shënime

  1. Raportuar nga George A. Smith, Deseret News, 12 gusht 1857, f. 183.

  2. History of the Church, 2:443; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book B-1, shtesat, f. 5, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  3. History of the Church, 5:555; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 27 gusht 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  4. History of the Church, 2:15–17; janë modernizuar shenjat e pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, mars 1834, f. 143.

  5. History of the Church, 3:30; nga një kryeartikull botuar në Elders’ Journal, korrik 1838, f. 44; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  6. History of the Church, 6:366; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  7. History of the Church, 2:18–19; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, mars 1834, f. 144.

  8. History of the Church, 5:361–362; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 16 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  9. History of the Church, 4:78; nga një letër e Matthew L. Davis drejtuar Mary Davis, 6 shkurt 1840, Washington, D. C., që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith më 5 shkurt 1840, në Washington, D. C.

  10. Nenet e Besimit 1:3.

  11. Cituar nga James Burgess, në përmbledhje fragmentesh të fjalimeve të Joseph Smith; James Burgess, Journals, 1841–1848, vëll. 2, Arkivat e Kishës.

  12. History of the Church, 2:5; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, shkurt 1834, f. 135.

  13. Cituar nga George Laub, në përmbledhje fragmentesh të fjalimeve të Joseph Smith, rreth vitit 1845; George Laub, Reminiscences and Journal janar 1845–prill 1857, f. 31, Arkivat e Kishës.

  14. History of the Church, 6:306; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  15. History of the Church, 2:23; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, prill 1834, f. 152.

  16. History of the Church, 4:358; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 16 maj 1841, në Nauvoo, Illinois; raportuar në Times and Seasons, 1 qershor 1841, f. 429–430.

  17. History of the Church, 6:608; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith më 27 qershor 1844, në Carthage Jail, Carthage, Illinois; raportuar nga Cyrus H. Wheelock.

  18. History of the Church, 2:13; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, mars 1834, f. 142.

  19. Letër nga Joseph Smith dhe priftërinj të lartë drejtuar vëllezërve në Geneseo, New York, 23 nëntor 1833, Kirtland, Ohio, Arkivat e Kishës.

Pamja
Jospeh and Oliver

Shpëtimtari iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit në Tempullin e Kirtlandit. “Veli u hoq nga mendjet tona”, tha Jozefi,“dhe sytë e të kuptuarit tonë u hapën. Ne pamë Zotin duke qëndruar mbi pjesën e sipërme të katedrës.”

Pamja
resurrected Lord

“Qengji i Perëndisë ka bërë të ndodhë ringjallja, kështu që të gjithë do të ngrihen nga vdekja.”

Pamja
Christ with children

“Kur meditojmë për shenjtërinë dhe përsosurinë e Mësuesit tonë të madh, … zemrat tona treten përbrenda nga denjimi i Tij.”