Mësime të Presidentëve
Kapitulli 38: Letra për Uentuorthin


Kapitulli 38

Letra për Uentuorthin

Letra për Uentuorthin është raporti i Profetit Jozef Smith për “lindjen, përparimin, përndjekjen dhe besimin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme”, përfshirë deklaratat e njohura si Nenet e Besimit.

Nga Jeta e Jozef Smithit

Përveç që ishte President i Kishës, Jozef Smithi pati shumë përgjegjësi të tjera në Navu. Në maj 1842 ai u bë kryetar i bashkisë së Navusë, që do të thoshte se ai ishte gjithashtu kryegjykatësi i Gjykatës Bashkiake të Navusë. Ai qe gjeneral-lejtënant dhe komandant i Legjionit të Navusë. Dhe në shkurt 1842, ai mori rolin e botuesit të Times and Seasons [Kohë dhe Stinë], organ periodik i Kishës që botohej dy herë në muaj. Times and Seasons [Kohë dhe Stinë] siguroi një mënyrë që udhëheqësit e Kishës të komunikonin me shenjtorët, të botonin zbulesa dhe fjalime të rëndësishme dhe të ndanin lajme të Kishës. Xhon Tejlor, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, u caktua të merrej me shumë aspekte të botimit nën drejtimin e Profetit.

Në numrin e parë të botuar kur ai qe botues, Profeti shkroi se periodiku do të sillte artikuj mbi “ngjarjet e rëndësishme që po ndodhin për ditë rreth nesh; përparimin e shpejtë të së vërtetës; komunikimet e shumta që po marrim, për ditë, prej pleqve jashtë; si në këtë vend [SHBA], në Angli, nga kontinenti i Europës dhe pjesë të tjera të botës; gjendja e trazuar e kombeve; letrat dhe mësimet e Të Dymbëdhjetëve; dhe zbulesat që po marrim prej Më Të Lartit”1.

Ndërkohë që Profeti shërbeu si botues, Times and Seasons [Kohë dhe Stinë], botoi dokumente me shumë rëndësi. Teksti i librit të Abrahamit dhe dy prej faksimileve u botuan në mars 1842, ndërsa faksimilja e tretë u botua në maj. Gjithashtu në mars, Profeti filloi të botojë “Historia e Jozef Smithit”, raporti që do të bëhej më vonë History of the Church [Historia e Kishës].

Në numrin e Times and Seasons [Kohë dhe Stinë] të datës 1 mars 1842, Profeti botoi atë që njihet si Letra për Uentuorthin. Duke përshkruar arsyet pse e përgatiti këtë dokument, Profeti shpjegoi: “Me kërkesën e Z. Xhon Uentuorth, Botues dhe Pronar i Chicago Democrat, unë kam shkruar skicën që vijon për lindjen, përparimin, përndjekjen dhe besimin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, për të cilin unë kam nderin, nën drejtimin e Perëndisë, të jem themelues. Z. Uentuorth thotë se ai dëshiron t’ia japë këtë dokument Z. [Xhorxh] Barstou, një miku të tij, i cili po shkruan historinë e Nju-Hempshairit. Meqë Z. Barstou ka ndërmarrë hapat e duhur për të siguruar informacionin e saktë, gjithçka që unë kërkoj prej tij është që ai ta botojë përmbledhjen të plotë, të pazbukuruar dhe pa shtrembërim.”2

Në fund, Xhorxh Barstou nuk e përfshiu raportin e Profetit në historinë e tij sepse vendosi të pasqyronte vetëm ngjarjet e vitit 1819 në librin e tij.3 Por Letra për Uentuorthin ka vlerë të pamasë për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ajo është një raport origjinal prej Jozef Smithit që dëshmon për thirrjen e tij të shenjtë prej Perëndisë, vegimet e tij dhe shërbesën e mësimet e tij. Ajo rrëfen lindjen e rritjen e Kishës dhe përndjekjen e shenjtorëve. Ajo përmban një deklaratë profetike të suksesit të ardhshëm të Kishës në tokë nën dorën mbrojtëse të Jehovasë së Madh. Ajo përmban gjithashtu disa hollësira të rëndësishme që nuk gjenden askund tjetër në mësimet e Profetit, përfshirë një përshkrim të fletëve të arta dhe një skicë të përmbajtjes së Librit të Mormonit. Mbi të gjitha, kjo është hera e parë që vetë Jozef Smithi botoi një raport për Vegimin e Parë të tij.

Duke përfunduar me 13 deklaratat e doktrinës së Kishës që quhen tani Nenet e Besimit, ajo qëndron si një dëshmi e fuqishme për thirrjen hyjnore të Profetit Jozef Smith.

Mësime të Jozef Smithit

Perëndia Atë dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit në përgjigje të lutjes së tij.

“Unë u linda në qytetin e Sheronit, konteja Uindsër e Vermontit, më 23 dhjetor të vitit të Zotit 1805. Kur [isha] dhjetë vjeç, prindërit e mi u zhvendosën në Palmira të Nju-Jorkut, ku banuam për rreth katër vjet dhe prej aty u zhvendosëm në qytetin e Mançesterit. Babai im ishte fermer dhe më mësoi artin e punës së fermerit. Kur isha rreth katërmbëdhjetë vjeç, fillova të mendohem mbi rëndësinë e të qenit i përgatitur për një gjendje të ardhshme dhe, duke pyetur [mbi] planin e shpëtimit, zbulova se ekzistonte një mospërputhje e madhe në pikëpamjet fetare; nëse shkoja tek një sekt fetar ata më tregonin një plan dhe një tjetër sekt një tjetër plan; duke aluduar secili për besimin e vet të veçantë si summum bonum [e mira më e lartë] e përsosurisë. Duke menduar se nuk mund të ishin të gjitha të drejta dhe se Perëndia nuk mund të ishte autori i kaq shumë ngatërrese, vendosa ta hetoj çështjen më plotësisht, duke besuar që, nëse Perëndia kishte një Kishë, ajo nuk do të ndahej në fraksione dhe, nëse Ai e kishte mësuar një sekt të adhuronte në një mënyrë dhe të administronte një komplet ordinancash, Ai nuk do t’i mësonte një tjetri parime që ishin diametralisht të kundërta.

Duke e besuar fjalën e Perëndisë, pata siguri në deklaratën e Jakobit – ‘Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet’. [Jakobi 1:5.] Unë u tërhoqa në një vend të veçuar në një korije dhe fillova t’i thërras Zotit; ndërsa isha përfshirë me gjithë shpirt në përgjërim, mendja ime u hoq nga objektet me të cilat isha i rrethuar dhe u mbështolla në një vegim qiellor, dhe pashë dy personazhe të lavdishëm, të cilët i ngjanin ekzaktësisht njëri-tjetrit në tipare dhe paraqitje, të rrethuar nga një dritë e shkëlqyer që ishte më e shkëlqyer se dielli në mesditë. Ata më thanë se gjithë besimet fetare po besonin në doktrina të pasakta dhe se asnjëri prej tyre nuk pranohej nga Perëndia si Kisha dhe mbretëria e Tij: dhe mua më urdhëruan shprehimisht të ‘mos shkoja pas tyre’ duke marrë në të njëjtën kohë një premtim se plotësia e Ungjillit në një kohë të ardhme do të më bëhej e njohur.

Libri i Mormonit u shkrua në kohë të lashta mbi fletë të arta dhe iu dorëzua Jozef Smithit nga një lajmëtar i dërguar hyjnisht.

Në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823 pas Krishtit, ndërsa po i lutesha Perëndisë dhe po përpiqesha të ushtroja besim në premtimet e çmuara të Shkrimit të Shenjtë, befas një dritë si e ditës, vetëm se me një paraqitje dhe shkëlqim shumë më të kthjellët e të lavdishëm, shpërtheu në dhomë; në të vërtetë pamja e parë ishte sikur shtëpia të ishte mbushur me zjarr që digjej; pamja prodhoi një tronditje që ndikoi gjithë trupin; në çast një personazh qëndroi para meje i rrethuar me një lavdi edhe më të madhe nga ajo me të cilën isha rrethuar unë tashmë. Ky lajmëtar e shpalli veten se ishte një engjëll i Perëndisë, i dërguar që të sillte lajmet e gëzueshme se besëlidhja që Perëndia bëri me Izraelin e lashtë ishte pranë plotësimit, se do të fillonte shpejt puna përgatitore për ardhjen e dytë të Mesias; se ishte pranë koha kur Ungjilli do t’u predikohej me fuqi të gjithë kombeve, me të gjithë plotësinë e tij, që njerëzit të mund të përgatiteshin për mbretërimin Mijëvjeçar. Më informoi se unë isha zgjedhur të isha një vegël në duart e Perëndisë për të plotësuar disa nga qëllimet e Tij në këtë periudhë të mrekullueshme.

Më informoi gjithashtu në lidhje me banorët e parë të këtij vendi dhe më tregoi se cilët ishin ata e prej nga erdhën; një raport i shkurtër i origjinës, përparimit, qytetërimit, ligjeve, qeverive të tyre, të drejtësisë dhe ligësisë së tyre, dhe se bekimet e Perëndisë ishin hequr së fundi prej tyre si popull, m’u bënë të ditura mua; gjithashtu m’u tha se ku ishin vendosur disa fletë në të cilat ishte gdhendur një përmbledhje e analeve të Profetëve të lashtë që kishin ekzistuar në këtë kontinent. Engjëlli m’u shfaq tre herë në të njëjtën natë dhe më shpalosi të njëjtat gjëra. Pasi mora shumë vizita nga engjëj të Perëndisë që më shpalosën madhështinë dhe lavdinë e ngjarjeve që duhet të ndodhnin në ditët e fundit, në mëngjesin e 22 shtatorit të vitit të Zotit 1827, engjëlli i Zotit më dorëzoi analet në duart e mia.

Këto anale ishin gdhendur në fletë që kishin pamjen e arit; secila fletë ishte 15 centimetra e gjerë e 20 centimetra e gjatë dhe jo aq e trashë sa teneqeja e zakonshme. Ato ishin mbushur me gdhendje, me shkronja egjiptiane dhe të lidhura së bashku në një vëllim si fletët e një libri, me tre unaza që kalonin nëpër të gjitha. Vëllimi ishte rreth 15 centimetra i trashë, një pjesë e të cilit ishte e vulosur. Shkronjat në pjesën e pavulosur ishin të vogla dhe të gdhendura bukur. I gjithë libri shfaqte shumë shenja të lashtësisë në strukturën e tij dhe shumë mjeshtëri në artin e gdhendjes. Bashkë me analet u gjend një instrument i bërë me merak, që të lashtët e quanin ‘Urim dhe Thumim’, i cili përbëhej nga dy gurë të tejdukshëm të vendosur në skaj të një harku të kapur tek një parzmore. Me anë të Urimit dhe Thumimit unë përktheva analin me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

… Ky libër … na tregon se Shpëtimtari ynë u shfaq në këtë kontinent pas ringjalljes së Tij; se Ai mbolli këtu Ungjillin në gjithë plotësinë e tij dhe pasurinë, dhe fuqinë, dhe bekimin e tij; se ata kishin Apostuj, Profetë, Barinj, Mësues dhe Ungjilltarë, të njëjtin rend, të njëjtën priftëri, të njëjtat ordinanca, dhurata, fuqi dhe bekime siç gëzoheshin në kontinentin lindor; se njerëzit u përjashtuan si pasojë e shkeljeve të tyre; se profeti i fundit i tyre që ekzistoi mes tyre u urdhërua të shkruante një shkurtim të profecive, historisë së tyre etj. dhe ta fshihte atë në tokë, dhe se ai do të dilte e të bashkohej me Biblën për plotësimin e qëllimeve të Perëndisë në ditët e fundit. Për një raport më të hollësishëm do t’ju drejtoja tek Libri i Mormonit, që mund të blihet në Navu, ose prej cilitdo prej Pleqve tanë Udhëtues.

Sapo u bë i ditur lajmi i këtij zbulimi, fjalë të rreme, shtrembërime dhe përgojimi fluturuan, si në krahët e erës, në çdo drejtim; shtëpia u mësy shpesh prej turmave dhe personave me qëllime të këqija. Disa herë më qëlluan e shpëtova për fije dhe u përdor çdo mënyrë për të më marrë fletët; por fuqia dhe bekimi i Perëndisë më shoqëruan dhe disa filluan të besojnë dëshminë time.

Megjithëse përndjekja mund të tërbohet kundër Kishës, asgjë nuk mund ta ndalojë përparimin e së vërtetës.

Më 6 prill 1830 ‘Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’ u organizua së pari në qytetin Fajet, konteja Seneka, shteti i Nju-Jorkut. Disa pak individë u thirrën e u shuguruan nga shpirti i zbulesës e i profecisë dhe filluan të predikojnë ashtu si Shpirti ua jepte të shpreheshin dhe, edhe pse të papërvojë, prapëseprapë ata u forcuan nga fuqia e Perëndisë, dhe shumë u sollën në pendim, u zhytën në ujë dhe u mbushën me Frymën e Shenjtë me anë të vënies së duarve. Ata panë vegime dhe profetizuan, demonë u përzunë dhe të sëmurë u shëruan me anë të vënies së duarve. Që prej asaj kohe, puna shkoi përpara me shpejtësi mahnitëse dhe u formuan shpejt kisha në shtetet e Nju-Jorkut, Pensilvanisë, Ohajos, Indianës, Ilinoisit dhe Misurit; në shtetin e përmendur së fundi u formua një koloni e konsiderueshme në kontenë Xhekson: shumë vetë u bashkuan me Kishën dhe ne po rriteshim me shpejtësi; ne bëmë blerje të mëdha të tokave, fermat tona prodhuan me bollëk dhe paqe e lumturi gëzoheshin në rrethet tona familjare e nëpër mëhallët tona; por meqenëse ne nuk mund të shoqëroheshim me fqinjët tanë (që ishin, shumë prej tyre, nga njerëzit më të ulët dhe që ishin arratisur nga faqja e shoqërisë së qytetëruar për në vendet kufitare për t’i shpëtuar dorës së drejtësisë), në festat e tyre të shfrenuara netëve, në thyerjen e Shabatit, garat me kuaj dhe kumarin; ata filluan së pari të talleshin me ne, pastaj të na përndiqnin dhe së fundi një turmë e organizuar u mblodh dhe na dogji shtëpitë, leu me zift e pupla dhe fshikulloi shumë prej vëllezërve tanë, dhe së fundi, në kundërshtim me ligjin, drejtësinë dhe njerëzillëkun, i përzuri ata prej banesave të tyre; të cilët, pa shtëpi e katandi, iu desh të endeshin në stepat e acarta derisa fëmijët lanë gjurmët e gjakut të tyre në stepë. Kjo ndodhi në muajin nëntor dhe ata nuk patën mbulesë tjetër përveç kupës së qiellit, në këtë stinë të ashpër të vitit; kjo mënyrë veprimi u injorua nga qeveria dhe, edhe pse ne kishim akte garancie për tokën tonë dhe nuk kishim shkelur asnjë ligj, nuk mundëm të merrnim asnjë dëmshpërblim.

Kishte shumë të sëmurë, që u përzunë kaq çnjerëzisht prej shtëpive të tyre, dhe iu desh të duronin gjithë këtë abuzim, dhe të kërkonin shtëpi ku të mund të gjendeshin. Rezultati qe, që shumë prej tyre, të privuar nga komoditetet e jetës dhe përkujdesjet e nevojshme, vdiqën; shumë fëmijë mbetën jetimë, gra [mbetën] të veja dhe burra të ve; fermat tona u morën në zotërim nga turma, mijëra gjedhë, dhen, kuaj e derra u morën, dhe mallrat tona të shtëpive, dyqaneve, si dhe pajisjet e shtypshkrimit u thyen, u morën, ose u shkatërruan ndryshe.

Shumë prej vëllezërve tanë u zhvendosën në kontenë Klej, ku jetuan deri në 1836-n, tre vjet; nuk iu ushtrua dhunë, por pati kërcënime për dhunë. Por në verë të 1836-ës këto kërcënime filluan të merrnin një formë më serioze, prej kërcënimeve, u thirrën mbledhje publike, u miratuan rezoluta, u bënë kërcënime për hakmarrje e shkatërrim dhe punët përsëri morën një pamje të frikshme; konteja Xhekson qe një precedent i mjaftueshëm dhe meqë autoritetet në atë kontè nuk ndërhynë, ata [autoritetet e kontesë Klej] u mburrën se nuk do të ndërhynin; gjë që, kur iu bëmë apel autoriteteve, e pamë që ishte e vërtetë, dhe pas shumë shkatërrimesh e humbjesh të pronave, ne përsëri na dëbuan prej shtëpive tona.

Pastaj ne u vendosëm në kontetë Kollduell dhe Dejvis, ku krijuam koloni të mëdha e të gjera, duke menduar që të liroheshim prej pushtetit të shtypjes, duke u vendosur në kontè të reja me shumë pak banorë në to; por këtu nuk na lejuan të jetonim në paqe, se në 1838-n përsëri u sulmuam prej turmave, një urdhër shfarosjeje u lëshua prej Guvernatorit Bogs dhe, me miratimin e ligjit, banditë të organizuar u përhapën në vend, na grabitën gjedhët, dhentë, derrat etj., shumë prej njerëzve tanë u vranë me gjakftohtësi, dëlirësia e grave tona u dhunua dhe ne u detyruam të nënshkruanim dokumente për dhënien e pronave nën kërcënimin e shpatave; dhe pasi duruam çdo keqtrajtim që mund të na bëhej prej një bande çnjerëzore, të pafe plaçkitësish, dymbëdhjetë deri pesëmbëdhjetë mijë shpirtra, burra, gra e fëmijë, u dëbuan prej vatrave të tyre dhe prej tokave për të cilat kishin akte garancie ligjore, të pastrehë, pa miq dhe pa katandi (në kulm të dimrit) që të endeshin si të dëbuar në tokë, apo që të kërkonin strehim në një mjedis më të ngrohtë dhe mes njerëzve më pak barbarë. Shumë u sëmurën dhe vdiqën si pasojë e të ftohtit dhe vështirësive që iu desh të duronin; shumë gra mbetën të veja dhe fëmijë [mbetën] jetimë e varfanjakë. Do të duhej më shumë kohë nga sa më lejohet mua këtu për të përshkruar padrejtësinë, fyerjet, vrasjet, gjakderdhjen, vjedhjen, mjerimin dhe fatkeqësinë që u shkaktua prej veprimeve barbare, çnjerëzore dhe të paligjshme të shtetit të Misurit.

Në gjendjen e përmendur më sipër, ne arritëm në shtetin e Ilinoisit më 1839, ku gjetëm një popull mikpritës dhe një shtëpi miqësore: një popull që qe i gatshëm të qeverisej prej parimeve të ligjit dhe të sjelljes së njerëzishme. Ne filluam të ndërtonim një qytet të quajtur ‘Navu’ në kontenë Hankok. Ne arrinim në gjashtë deri tetë mijë veta atje, përveç një numri të madh në kontenë pranë dhe në gati çdo kontè të shtetit. Ne na u akordua një akt themelues për qytetin dhe një e drejtë e posaçme për një Legjion, trupat e të cilit tani arrijnë në 1.500 vetë. Ne kemi gjithashtu të drejtë të posaçme për një Universitet, për një Shoqëri Bujqësore dhe Përpunuese, kemi ligjet dhe administratorët tanë dhe zotërojmë të gjitha privilegjet që gëzojnë qytetarë të tjerë të lirë dhe të shkolluar.

Përndjekja nuk e ka ndaluar përparimin e së vërtetës, por vetëm i ka hedhur benzinë zjarrit, ajo është përhapur me shpejtësi gjithnjë e më të madhe. Krenar për kauzën që kanë përqafuar dhe të ndërgjegjshëm për pafajësinë tonë, dhe për të vërtetën e sistemit të tyre fetar, mes shpifjes dhe qortimit, kanë shkuar përpara Pleqtë e kësaj Kishe dhe e kanë mbjellë Ungjillin në thuajse çdo shtet të Bashkimit [SHBA]; ai ka përshkuar qytetet tona, është përhapur në fshatrat tona dhe ka bërë që mijëra prej qytetarëve tanë inteligjentë, fisnikë e patriotë t’u binden urdhrave të tij hyjnore, dhe të drejtohen prej të vërtetave të tij të shenjta. Ai është përhapur gjithashtu në Angli, Irlandë, Skoci dhe Uells, ku, në vitin 1840, u dërguan disa prej misionarëve tanë dhe mbi pesë mijë vetë u bashkuan me Standardin e së Vërtetës; ka shumë vetë tani që po bashkohen në çdo tokë.

Misionarët tanë po shkojnë tek kombe të ndryshme dhe në Gjermani, Palestinë, Hollandën e Re [Australi], Inditë Lindore e vende të tjera, Standardi i së Vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; përndjekjet mund të tërbohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa të ketë përshkruar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar në çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehovai i Madh të thotë puna u krye.

Nenet e Besimit përshkruajnë doktrina e parime themelore të besimit tonë.

Ne besojmë në Perëndinë, Atin e përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë.

Ne besojmë se njerëzit do të ndëshkohen për vetë mëkatet e tyre dhe jo për shkeljen e Adamit.

Ne besojmë se nëpërmjet shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit.

Ne besojmë se parimet dhe ordinancat e para të Ungjillit janë: (1) Besimi në Zotin Jezu Krisht; (2) Pendimi; (3) Pagëzimi me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve; (4) Vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Ne besojmë se një njeri duhet të thirret nga Perëndia me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet, për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij.

Ne besojmë në të njëjtin organizim që ekzistonte në Kishën primitive, domethënë, apostuj, profetë, barinj, mësues, ungjilltarë etj.

Ne besojmë në dhuratën e gjuhëve, të profecisë, zbulesës, vegimeve, shërimit, interpretimit të gjuhëve etj.

Ne e besojmë Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi; ne gjithashtu e besojmë Librin e Mormonit të jetë fjala e Perëndisë.

Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë ende gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me mbretërinë e Perëndisë.

Ne besojmë në mbledhjen aktuale të Izraelit dhe në rivendosjen e Dhjetë Fiseve; që Sioni do të ndërtohet në këtë kontinent [amerikan]; që Krishti do të mbretërojë personalisht mbi tokë; dhe që toka do të ripërtërihet dhe do të marrë lavdinë e saj të parajsës.

Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin.

Ne besojmë në nënshtrimin ndaj mbretërve, presidentëve, sundimtarëve dhe gjykatësve, në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjeve.

Ne besojmë në qenien të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës, të virtytshëm dhe në bërjen mirë të gjithë njerëzve; në të vërtetë, ne mund të themi se ndjekim këshillën e Palit: Ne besojmë të gjitha gjërat, ne shpresojmë të gjitha gjërat, ne i kemi duruar të gjitha gjërat dhe shpresojmë të jemi në gjendje t’i durojmë të gjitha gjërat. Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur, ose me famë të mirë, apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra. [Shih Nenet e Besimit 1:1–13.]

Me respekt etj.,

JOZEF SMITH.”4

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Jozef Smithi e shkroi Letrën për Uentuorthin në përgjigje të një kërkese prej Xhon Uentuorthit dhe Xhorxh Barstout (faqe 466). Kur ju kanë pyetur njerëzit për historinë apo besimet e Kishës? Ndërsa studioni ose diskutoni këtë kapitull, mendoni se si mund t’u përgjigjeni pyetjeve të tilla në të ardhmen. Çfarë mund të mësojmë nga fjalët e Jozef Smithit në Letrën për Uentuorthin për mënyrën si t’u përgjigjemi pyetjeve të tilla?

  • Lexoni atë që tha Profeti për Vegimin e Parë të tij (faqe 467–468). Herës së ardhme që do t’i tregoni dikujt për Vegimin e Parë, si mund ta ndihmoni atë person të kuptojë Vegimin e Parë dhe çfarë do të thotë ai për ju?

  • Lexoni përshkrimin e Profetit për daljen e Librit të Mormonit (faqe 468–470). Çfarë ndryshimesh ka sjellë Libri i Mormonit në jetën tuaj? Cilat janë disa mënyra se si mund të ndajmë dëshmitë tona për Librin e Mormonit?

  • Në faqet 470–474, Jozef Smithi jep një histori të shkurtër të fillimeve të Kishës dhe pastaj dëshmon për fatin e Kishës. Cilat janë ndjenjat tuaja kur studioni paragrafin që fillon në fund të faqes 473? Si mendoni ju, përse përndjekja nuk është në gjendje të ndalojë përparimin e Kishës? Cilët janë disa shembuj të njerëzve që përparojnë me gjithë kundërshtimin? (Mendoni shembuj nga shkrimi i shenjtë, historia e Kishës dhe vetë jeta juaj.)

  • Rishihni Nenet e Besimit (faqet 474–475). Në çfarë mënyrash ju kanë ndihmuar juve Nenet e Besimit? Si mendoni ju, përse u kërkojmë fëmijëve të Fillores t’i mësojnë ato përmendësh? Mendoni të organizoni një plan që të mund t’i studioni ose mësoni përmendësh Nenet e Besimit.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Joseph Smith—Historia 1:1–75.

Shënime

  1. “To Subscribers”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons, 15 shkurt 1842, f. 696; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  2. History of the Church, 4:535–536; nga një letër e Joseph Smith-it shkruar me kërkesën e John Wentworth dhe George Barstow, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 706. Mbiemri i Z. Barstow shkruhet pasaktësisht “Bastow” në History of the Church dhe Times and Seasons.

  3. Ndonëse letra duket se nuk u botua kurrë nga John Wentworth ose George Barstow, i njëjti raport, me disa shtesa dhe përpunime, u botua në mbarë kombin në vitin 1844 nga I. Daniel Rupp në “Latter Day Saints”, He Pasa Ekklesia [The Whole Church]: An Original History of the Religious Denominations at Present Existing in the United States, f. 404–410.

  4. History of the Church, 4:536–541; fjala në kllapa këndore “mbi” në paragrafin e parë në f. 467, në origjinal; fjala në kllapa këndore në paragrafin që fillon në fund ttë faqes 474, në origjinal; është modernizuar drejtshkrimi dhe përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një letër e Joseph Smith-it shkruar me kërkesën e John Wentworth dhe George Barstow, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 706–710. Në disa raste Profeti Jozef Smith shkroi ose diktoi një raport të hollësishëm të Vegimit të Parë. Raporti në Letrën për Uentuorthin është njëri prej këtyre raporteve. Raporti zyrtar i shkrimit të shenjtë gjendet tek Joseph Smith—Historia në Perlën me Vlerë të Madhe. Gjithashtu, janë bërë një numër ndryshimesh të vogla për të përgatitur për botim Nenet e Besimit në botimin e 1981-it të Perlës me Vlerë të Madhe. Prandaj, ka një numër ndryshimesh të vogla midis variantit të tashëm të Neneve të Besimit dhe variantit të botuar në këtë kapitull.

Pamja
Prophet Joseph writing

“Me kërkesën e Z. Xhon Uentuorth, … unë kam shkruar skicën që vijon për lindjen, përparimin, përndjekjen dhe besimin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, për të cilin unë kam nderin, nën drejtimin e Perëndisë, të jem themelues.”

Pamja
Joseph receiving gold plates

“Në mëngjesin e 22 shtatorit të vitit të Zotit 1827, engjëlli i Zotit më dorëzoi analet në duart e mia.”