Mësime të Presidentëve
Kapitulli 33: Dhuratat Shpirtërore të Shërimit, Gjuhëve [të Huaja], Profecisë dhe Dallimit të Shpirtrave


Kapitulli 33

Dhuratat Shpirtërore të Shërimit, Gjuhëve [të Huaja], Profecisë dhe Dallimit të Shpirtrave

“Asnjë njeri nuk mund të jetë një shërbestar i Jezu Krishtit, nëse nuk ka dëshminë e Jezusit; dhe kjo është fryma e profecisë.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Pas një periudhe të shkurtër strehimi në Kuinsi të Ilinoisit, gjatë muajve të parë të 1839-ës, shenjtorët filluan të zhvendosen rreth 80 kilometra në veri për në koloninë e Komersit të Ilinoisit. Pas shpëtimit të tij prej burgimit në Misuri, Profeti kishte filluar të blinte copa toke në dhe përreth Komersit si vende mbledhjeje për mijëra vetët që kishin marrë arratinë prej Misurit dhe tani kishin nevojë për një vend për të ndërtuar rishtas jetën e tyre. Deri në korrik 1839, qindra shenjtorë po jetonin në kamp me tenda dhe karro në anën lindore të lumit Misisipi në Komers, ndërsa të tjerë kishin gjetur strehë në baraka të braktisura ushtarake në anën tjetër të lumit në Montrouz të Ajouas. Në këtë shtëpi të re, shenjtorët punuan që të pastronin dhe kullonin tokën moçalore pranë lumit. Shumë anëtarë të Kishës u pickuan nga mushkonjat dhe u sëmurën seriozisht nga malaria dhe sëmundje të tjera. Disa prej shenjtorëve vdiqën dhe të tjerë qenë pranë vdekjes. Jozef dhe Ema Smithi morën kaq shumë vetë në shtëpinë e tyre prej trarësh për t’u përkujdesur për ta, saqë Profeti dha shtratin e tij, për të fjetur vetë jashtë në një tendë.

Më 22 korrik, në mes të sëmundjes që kishte zënë kaq shumë vetë, shenjtorët dëshmuan atë që Plaku Uillford Udraf do ta quante “një ditë e fuqisë së Perëndisë”1. Atë mëngjes Profeti u ngrit, iu drejtua Zotit në lutje dhe, i mbushur me Shpirtin e Zotit, u administroi të sëmurëve në shtëpinë e tij, në kopshtin përjashta dhe poshtë pranë lumit. Ai kapërceu lumin dhe vizitoi shtëpinë e Brigam Jangut në Montrouz për t’i dhënë atij një bekim shërimi. Pastaj, i shoqëruar nga Sidni Rigdon, Brigam Jang dhe anëtarë të tjerë të Të Dymbëdhjetëve, ai vazhdoi me misionin e tij të mëshirës mes shenjtorëve të tjerë të Ajouas. Plaku Udraf kujtoi një prej shërimeve më të paharrueshme të asaj dite:

“Ne kapërcyem sheshin publik dhe hymë në shtëpinë e Vëllait [Elija] Fordam. Vëllai Fordam ishte në prag të vdekjes prej një ore dhe ne prisnim që çdo minutë të ishte e fundit për të. Unë ndjeva fuqinë e Perëndisë që kishte pushtuar Profetin e tij. Kur hymë në shtëpi, Vëllai Jozef shkoi tek Vëllai Fordam dhe e kapi nga dora e djathtë. … Ai pa se sytë e Vëllait Fordam ishin të ngrirë dhe se ai nuk mund të fliste, dhe ishte pa ndjenja.

Pasi i kishte kapur dorën, [Profeti] pa poshtë në fytyrën e burrit që po vdiste dhe tha: ‘Vëllai Fordam, a nuk më njeh?’ Në fillim ai nuk u përgjigj; por ne të gjithë mund të shihnim ndikimin e Shpirtit të Perëndisë që qëndroi mbi të.

[Jozefi] tha përsëri: ‘Elija, a nuk më njeh?’ Me një pëshpëritje të ulët, Vëllai Fordam u përgjigj: ‘Po!’ Profeti tha atëherë: ‘A nuk ke besim që të shërohesh?’

Përgjigjja, që ishte pak më e qartë se më parë, ishte: ‘Kam frikë se është tepër vonë. Po të kishe ardhur më shpejt, mendoj se do të mundesha.’ Ai kishte pamjen e një njeriu që po zgjohej nga gjumi. Ishte gjumi i vdekjes. Jozefi tha atëherë: ‘A nuk e beson se Jezusi është Krishti?’ ‘E besoj, Vëlla Jozef’, ishte përgjigjja.

Atëherë Profeti i Perëndisë foli me zë të lartë, si në madhështinë e Kreut-Perëndi: ‘Elija, unë të urdhëroj, në emrin e Jezusit të Nazaretit, të ngrihesh e të shërohesh!’

Fjalët e Profetit nuk ishin si fjalët e njeriut, por si zëri i Perëndisë. Mua m’u duk se shtëpia u drodh që nga themelet. Elija Fordam u hodh nga shtrati si një njeri që ngrihet së vdekuri. Një ngjyrë e shëndetshme i erdhi në fytyrë dhe jeta u shfaq në çdo veprim. Këmbët e tij ishin mbështjellë me kompresa me llapà [drithërash]. Ai i hoqi me një shkelm prej këmbëve, duke e shpërndarë përmbajtjen, dhe pastaj kërkoi rrobat dhe i veshi. Kërkoi një tas me përshesh me qumësht dhe e hëngri; pastaj vuri kapelën dhe na ndoqi pas në rrugë, për të vizituar të tjerë që ishin sëmurë.”2

Në kohën e një nevoje të dëshpëruar, shenjtorët përjetuan një derdhje të dhuratës së shërimit në duart e Profetit.

Mësime të Jozef Smithit

Të sëmurët mund të shërohen përmes besimit dhe ushtrimit të fuqisë së priftërisë, sipas vullnetit të Zotit.

“Cila është shenja e shërimit të të sëmurit? Vënia e duarve është shenja apo mënyra e veçuar prej Jakobit dhe zakoni i shenjtorëve të lashtë si u urdhërua nga Zoti, dhe ne nuk mund ta marrim besimin duke ndjekur ndonjë drejtim tjetër përveç mënyrës së veçuar nga Zoti [shih Jakobi [Bibël] 5:14–15].”3

Në korrik 1839, kur shenjtorët sapo ishin transferuar në Komers të Ilinoisit dhe kishte shumë sëmundje mes tyre, Jozef Smithi shënoi: “Shumë sëmundshmëri filloi të shfaqet mes vëllezërve, si dhe mes banorëve të vendit, kështu që kjo javë dhe vijuesja u kaluan përgjithësisht duke vizituar të sëmurët dhe duke u administruar atyre; disa patën mjaft besim dhe u shëruan; të tjerë nuk patën. …

E diel 28. – Mbledhja u mbajt si zakonisht. … Unë fola dhe këshillova anëtarët e Kishës individualisht që të vendosnin në rregull shtëpitë e tyre, të pastronin anën e brendshme të pjatës dhe të mblidheshim Shabatin e ardhshëm për të marrë Sakramentin, në mënyrë që me anë të bindjes tonë ndaj ordinancave, ne të mund të aftësoheshim që të triumfonim bashkë me Perëndinë kundër shkatërruesit dhe që të sëmurët të mund të shëroheshin. E kalova gjithë këtë javë kryesisht mes të sëmurëve, që në përgjithësi po marrin forcë dhe po rifitojnë shëndet.”4

Shumë prej të drejtëve do të bien pre e sëmundjes, murtajës etj., për arsye të dobësisë së mishit, dhe përsëri do të shpëtohen në Mbretërinë e Perëndisë. Pra, është një parim i zvetënuar të thuash se filan njerëz kanë bërë shkelje sepse ata janë bërë pre e sëmundjes ose vdekjes, sepse i gjithë mishi është i ekspozuar ndaj vdekjes; dhe Shpëtimtari ka thënë: ‘Mos gjykoni, që të mos gjykoheni’. [Shih Mateu 7:1.]”5

Qëllimi i dhuratës së gjuhëve është t’u mësojmë ungjillin të tjerëve.

Profeti foli në një konferencë të pleqve të 1834-ës: “Jozef Smithi dha pastaj një shpjegim të dhuratës së gjuhëve, që është krijuar posaçërisht për t’u predikuar Ungjillin kombeve dhe gjuhëve të tjera, por nuk ishte dhënë për qeverisjen e Kishës.”6

“Për sa i përket dhuratës së gjuhëve, gjithçka që mund të themi është, që në këtë vend, ne e kemi marrë atë ashtu si të lashtët: megjithatë, ne urojmë që ju të jeni të kujdesshëm që të mos mashtroheni në këtë gjë. … Satani pa dyshim do t’ju turbullojë për dhuratën e gjuhëve, po të mos jeni të kujdesshëm; ju duhet ta vëzhgoni atë nga afër dhe të luteni shumë. Zoti ju dhëntë urtësi në të gjitha gjërat.”7

“Unë lexova kapitullin e 13-të të Letrës së Parë Korintasve [në një mbledhje të mbajtur më 26 dhjetor 1841], gjithashtu një pjesë të kapitullit të 14-të, dhe vërejta se dhurata e gjuhëve ishte e nevojshme në Kishë; … dhurata e gjuhëve me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë në Kishë është për përfitimin e shërbëtorëve të Perëndisë për t’u predikuar jobesimtarëve, si në ditën e Rrëshajëve.”8

“Gjuhët u dhanë për qëllimin e predikimit mes atyre gjuha e të cilëve nuk kuptohet, si në ditën e Rrëshajëve etj., dhe nuk është e nevojshme që gjuhët të mësohen në Kishë posaçërisht, sepse çdo njeri që ka Frymën e Shenjtë, mund të flasë për gjërat e Perëndisë në gjuhën e vet si edhe në një gjuhë tjetër; sepse besimi nuk vjen nga shenja, por nga dëgjimi i fjalës së Perëndisë.”9

“Mos jini kaq kureshtarë për dhuratën e gjuhëve, mos flisni në gjuhë [të huaja] përveçse kur ka një përkthyes të pranishëm; qëllimi bazë i gjuhëve është t’u flasim të huajve, dhe nëse personat janë kaq të dëshiruar të shfaqin zgjuarsinë e tyre, le t’u flasin të tillëve në gjuhën e tyre. Dhuratat e Perëndisë janë të gjitha të dobishme në vendin e tyre, por kur ato zbatohen për atë që Perëndia nuk e kishte qëllim, ato rezultojnë në një dëm, një kurth dhe një mallkim në vend të një bekimi.”10

“Kemi pasur gjithashtu vëllezër dhe motra që kanë pasur një dhuratë të rreme të gjuhëve; ata flisnin me një zë me pëshpëritje, jo të natyrshëm dhe trupat e tyre shtrembëroheshin … ; ndërsa, nuk ka asgjë të panatyrshme në Shpirtin e Perëndisë.”11

“Mos flisni në dhuratën e gjuhëve pa e kuptuar atë, ose pa përkthim. Djalli mund të flasë në gjuhë; kundërshtari do të vijë me punën e tij; ai mund të tundojë gjithë klasat e njerëzve; mund të flasë anglisht apo holandisht. Asnjë të mos flasë në gjuhë, po të mos përkthejë, përveç se me miratimin e atij që është vendosur për të kryesuar; atëherë ai mund të dallojë ose përkthejë, ose ndoshta një tjetër.”12

“Nëse keni një çështje për ta nxjerrë në shesh, le të jetë në gjuhën tuaj; mos u jepni tepër në ushtrimin e dhuratës së gjuhëve, ose djalli do të përfitojë prej të pafajshmit dhe të pamaturit. Ju mund të flisni në gjuhë për rehatinë tuaj, por unë e jap këtë si rregull, që nëse ndonjë gjë jepet mësim me anë të dhuratës së gjuhëve, nuk duhet të merret si doktrinë.”13

Ndonëse vetëm një burrë flet si profet i Kishës, shpirti i profecisë u mundëson të gjithëve të dëshmojnë për Jezu Krishtin.

“Asnjë njeri nuk mund të jetë një shërbestar i Jezu Krishtit pa qenë Profet. Asnjë njeri nuk mund të jetë një shërbestar i Jezu Krishtit, nëse nuk ka dëshminë e Jezusit; dhe kjo është fryma e profecisë [shih Zbulesa 19:10].”14

“Gjon Zbuluesi thotë se dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë [shih Zbulesa 19:10]. Tani, nëse ndonjë njeri ka dëshminë e Jezusit, a nuk e ka ai frymën e profecisë? Dhe nëse ai e ka frymën e profecisë, pyes unë, a nuk është ai një profet? Dhe nëse është profet, a nuk do të marrë ai zbulesë? Dhe cilido njeri që nuk merr zbulesë për veten duhet të dënohet, sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë. Sepse Krishti thotë, kërkoni dhe do të merrni; dhe nëse i ndodh që ai të marrë diçka, pyes unë, a nuk do të jetë ajo një zbulesë? Dhe nëse ndonjë njeri nuk ka dëshminë e Jezusit, apo frymën e Perëndisë, ai nuk është fare i tiji, domethënë i Krishtit. Dhe nëse nuk është i tiji, ai duhet të dënohet.”15

Një vizitor në Navu raportoi se Jozef Smithi dha mësim sa vijon gjatë një bisede: “Profeti Jozef [tha se] … që të jetë një shërbestar i Jezusit, një njeri duhet të dëshmojë për Jezusin; dhe që të dëshmojë për Jezusin, një njeri duhet të ketë frymën e profecisë; sepse, sipas Gjonit, dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë.

Nëse një njeri deklaron të jetë një shërbestar i Jezusit dhe nuk ka frymën e profecisë, ai duhet të jetë një dëshmitar i rremë, sepse ai nuk është në zotërim të asaj dhurate që e cilëson atë për atë detyrë; dhe ndryshimi mes [Jozef Smithit] dhe klerit të këtij brezi është: ai deklaron të ketë në zotërim atë frymë të profecisë që e cilëson atë që të dëshmojë për Jezusin dhe Ungjillin e shpëtimit; dhe kleri e mohon atë frymë, madje frymën e profecisë, që vetëm ajo mund t’i caktojë ata dëshmitarë ose dëshmilënës të vërtetë të Zotit Jezus, dhe përsëri ata deklarojnë të jenë shërbestarë të vërtetë të shpëtimit.”16

“Besimi vjen nga dëgjimi i fjalës së Perëndisë, përmes dëshmisë së shërbëtorëve të Perëndisë; ajo dëshmi shoqërohet gjithmonë nga Shpirti i profecisë dhe i zbulesës.”17

Dhurata e dallimit të shpirtrave e lejon besnikun të dallojë midis ndikimit të shpirtrave të mirë dhe të ligj.

Në ditët e hershme të Kishës së rivendosur, anëtarët e Kishës, ashtu si dhe anëtarë të grupeve të tjera fetare, nganjëherë vepruan nën ndikimin e shpirtrave të ligj, ose të rremë, duke besuar se ata ishin nën ndikimin e Frymës së Shenjtë. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Ngjarje të kohëve të fundit, që kanë ngjarë mes nesh, e bëjnë një detyrë të domosdoshme, që bie mbi mua, të them diçka në lidhje me shpirtrat nga të cilët vihen në veprim njerëzit.

Duket qartë nga shkrimet e Apostujve [në Dhiatën e Re], se shumë frymëra të rremë ekzistonin në kohën e tyre dhe kishin ‘dalë në botë’, dhe nevojitej inteligjencë që vetëm Perëndia mund ta jepte për të dalluar frymërat e rreme, dhe për të provuar se cilët frymëra ishin nga Perëndia [shih 1 Gjoni 4:1–4]. Bota në përgjithësi ka qenë tepër e paditur në lidhje me këtë gjë të vetme dhe përse duhet të jetë ajo ndryshe – sepse ‘asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë’. [Shih 1 Korintasve 2:11.] …

Gjithmonë, në çdo periudhë, duket të ketë pasur një mungesë inteligjence për aq sa i përket kësaj teme. Shpirtra të të gjithë llojeve janë shfaqur, në çdo periudhë dhe thuajse midis gjithë popujve…. Të gjithë besojnë se kanë shpirtrat e tyre sipas llojit, dhe se të gjithë kanë fuqi mbinatyrore dhe të gjithë hahen se shpirtrat e tyre janë prej Perëndisë. Kush do ta zgjidhë të fshehtën? ‘I vini në provë frymërat’ thotë Gjoni [1 Gjoni 4:1], por kush duhet ta bëjë këtë? I mësuari, gojëtari, filozofi, i urti, kleriku – të gjithë janë të paditur…. Cili mund të nxjerrë në dritën e diellit dhe të shtjellojë misteret e fshehura të shpirtrave të rremë që kaq shpesh janë shfaqur mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme? Ne përgjigjemi se askush nuk mund ta bëjë këtë pa Priftërinë dhe pa pasur dijeni të ligjeve me anë të të cilave qeverisen shpirtrat; sepse, ashtu si ‘asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë’, po ashtu asnjëri nuk e njeh shpirtin e djallit dhe fuqinë e ndikimin e tij, përveçse duke zotëruar inteligjencë që është më tepër se njerëzore dhe duke shpalosur përmes mjetit të Priftërisë veprimet e fshehta të planeve të tij. …

Një njeri duhet të ketë dallimin e shpirtrave përpara se të mund të tërheqë në dritën e diellit këtë ndikim të skëterrës dhe t’ia shpalosë atë botës me gjithë ngjyrat e tij shpirtshkatërruese, djallëzore dhe të lemerishme; sepse asgjë nuk është dëmtim më i madh për fëmijët e njerëzve sesa të jenë nën ndikimin e një shpirti të rremë kur mendojnë se kanë Shpirtin e Perëndisë. Mijëra e kanë ndier ndikimin e fuqisë së tij të tmerrshme dhe pasojave vdekjeprurëse. …

Siç kemi vërejtur më parë, vështirësia e madhe qëndron në paditurinë e natyrës së shpirtrave, të ligjeve sipas të cilëve qeverisen ata dhe të shenjave me anë të të cilave ata mund të njihen; nëse kërkohet Fryma e Perëndisë për të njohur gjërat e Perëndisë; edhe shpirti i djallit mund të demaskohet vetëm përmes po atij mjeti, pastaj vijon si pasojë e natyrshme që, po të mos kenë një komunikim ose zbulesë nga Perëndia, një apo disa persona, që t’u shpalosi atyre veprimin e shpirtit, ata duhet të mbeten përjetësisht të paditur për këto parime; sepse unë debatoj se, nëse një njeri nuk mund t’i kuptojë këto gjëra përveçse me anë të Shpirtit të Perëndisë, dhjetë mijë njerëz nuk munden; është po ashtu jashtë zonës së urtësisë së të mësuarit, gjuhës së gojëtarit, fuqisë së të fuqishmit. Dhe ne së fundi duhet të vijmë në këtë përfundim, çfarëdo që të mund të mendojmë për zbulesën, se pa të ne as nuk mund të dimë as të kuptojmë ndonjë gjë të Perëndisë, ose të djallit; dhe sado jo e gatshme mund të jetë bota që ta njohë këtë parim, është e dallueshme prej besimeve dhe nocioneve gjithfarësh në lidhje me këtë çështje, se ata nuk kuptojnë asgjë për këtë parim dhe është po aq e qartë se pa një komunikim hyjnor, ata duhet të mbeten në padituri. …

Një njeri duhet të ketë dallimin e shpirtrave, siç e deklaruam më parë, për të kuptuar këto gjëra, dhe si do ta marrë ai këtë dhuratë nëse nuk ka dhurata të Shpirtit? Dhe si mund të merren këto dhurata pa zbulesë? Krishti ‘u ngjit në qiell, dhe u dha dhurata njerëzve; dhe ai vetë i dha disa si Apostuj, të tjerë si Profetë, të tjerë si Ungjilltarë dhe të tjerë si Barinj e Mësues’ [shih Efesianëve 4:8, 11]. Dhe si u zgjodhën Apostujt, Profetët, Barinjtë, Mësuesit dhe Ungjilltarët? Me anë të profecisë (zbulesës) dhe me anë të vënies së duarve: – me anë të komunikimit hyjnor dhe me anë të ordinancës së caktuar hyjnisht – me anë të mjetit të Priftërisë, të organizuar sipas urdhrit të Perëndisë, me anë të caktimit hyjnor. Apostujt në kohët e lashta mbajtën çelësat e kësaj Priftërie – të mistereve të mbretërisë së Perëndisë dhe, si rrjedhojë, mundësoheshin të shkyçnin dhe të shpleksnin të gjitha gjërat që i përkisnin qeverisjes së Kishës, mirëqenies së shoqërisë, fatit të ardhshëm të njerëzve dhe veprimit, fuqisë dhe ndikimit të shpirtrave; sepse ata mund t’i kontrollonin sipas dëshirës, t’i urdhëronin të largoheshin në emrin e Jezusit dhe të dallonin veprimet e tyre të dëmshme dhe të fshehta kur përpiqeshin të fshihnin veten nën petka fetare para Kishës, dhe të luftonin kundër interesit të Kishës dhe përhapjes të së vërtetës. …

… Shpëtimtarit tonë, Apostujve dhe madje anëtarëve të Kishës u ishte dhuruar kjo dhuratë, sepse, Pali thotë: ‘Dikujt, pra, i jepet larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat’. [Shih 1 Korintasve 12: 10.] Të gjitha këto rridhnin nga i njëjti Shpirt i Perëndisë dhe ishin dhurata të Perëndisë. … Asnjë njeri as grup njerëzish pa autoritetet e caktuara rregullisht, Priftërinë dhe dallimin e shpirtrave, nuk mund të dallojë shpirtrat e vërtetë prej atyre të rremë.”18

“Shpirtra gënjeshtarë po përhapen në tokë. Do të ketë shfaqje të mëdha shpirtrash, si të rremë edhe të vërtetë…. Çdo shpirt, ose vegim, ose të kënduar, nuk është nga Perëndia. … Dhurata e dallimit të shpirtrave do t’i jepet Plakut Kryesues. Lutuni për të që ai të mund ta ketë këtë dhuratë.”19

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni rrëfimin në faqet 405–408. Si mundet ky rrëfim të ndihmojë mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke që të përgatiten për të administruar të sëmurin? Si mund të na ndihmojë ne kur kemi nevojë për një bekim priftërie? Si mendoni ju, përse ishte e rëndësishme që Vëllai Fordam të shprehte besimin e tij tek Jezu Krishti në atë çast?

  • Rishihni mësimet e Profetit Jozef në faqen faqet 408–409. Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar juve të kuptoni fuqinë e priftërisë në shërimin e të sëmurëve? Çfarë parimesh duhet të na udhëheqin në ndarjen e përvojave tona me shërimin e të sëmurëve? Përse disa njerëz nuk shërohen, edhe kur ushtrojnë besim dhe marrin bekime priftërie?

  • Jozef Smithi tha se dhurata e gjuhëve ishte “krijuar posaçërisht për t’u predikuar Ungjillin kombeve dhe gjuhëve të tjera” (shih faqet 409–410). Si ka ndihmuar kjo dhuratë në përhapjen e ungjillit në mbarë botën? Si e keni marrë ju, apo dikush që ju e njihni, dhuratën e gjuhëve për të ndihmuar në predikimin e ungjillit?

  • Rishihni mësimet e Profetit mbi shpirtin e profecisë (faqe 411). Çfarë do të thotë për ju të dini që secili anëtar i Kishës mund të ketë shpirtin e profecisë?

  • Rishihni mësimet e Profetit mbi dhuratën e dallimit të shpirtrave (faqet 412–414). Çfarë është dhurata e dallimit të shpirtrave? Si mund ta shmangim mashtrimin nga ndikime të liga? Si na ndihmojnë profeti i tanishëm dhe udhëheqës të tjerë të Kishës që të dallojmë ndikime të këqija?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Korintasve 12:1–31; 14:1–6, 22–28; Jakobi [Bibël] 5:14–15; Moroni 10:8–17; DeB 46:1–33; 50:1–36, 40–44; 52:14–19

Shënime

  1. Wilford Woodruff, Journals, 1833–1898, shënim për datën 22 korrik 1839, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Wilford Woodruff, “Leaves from My Journal”, Millennial Star, 17 tetor 1881, f. 670; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  3. History of the Church, 4:555; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 20 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  4. History of the Church, 4:3–5; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; janë fshirë germat e pjerrëta; nga shënime ditari të Joseph Smith-it, 8–10, 28 korrik 1839, Commerce, Illinois.

  5. History of the Church, 4:11; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith-i më 29 shtator 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga James Mulholland.

  6. History of the Church, 2:162; nga protokolli i një konference të pleqve mbajtur më 8 shtator 1834, në New Portage, Ohio; raportuar nga Oliver Cowdery.

  7. History of the Church, 1:369; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar vëllezërve në Missouri, 2 korrik 1833, Kirtland, Ohio.

  8. History of the Church, 4:485; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 26 dhjetor 1841, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  9. History of the Church, 3:379; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 27 qershor 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  10. History of the Church, 5:31–32; nga “Gift of the Holy Ghost”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 qershor 1842, f. 825–826; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  11. History of the Church, 4:580; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga “Try the Spirits”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 1 prill 1842, f. 747; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  12. History of the Church, 3:392; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  13. History of the Church, 4:607; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  14. History of the Church, 3:389; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  15. Cituar nga James Burgess, në përmbledhje fragmentesh të fjalimeve të Jozef Smith-it; James Burgess, Journals, 1841–1848, vëll. 2, Arkivat e Kishës.

  16. History of the Church, 5:407–408; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith-i rreth janarit 1843 në Nauvoo, Illinois; raportuar në një letër nga një korrespondent i paidentifikuar i Boston Bee, 24 mars 1843, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 maj 1843, f. 200.

  17. History of the Church, 3:379; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 27 qershor 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  18. History of the Church, 4:571–575, 580; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “Try the Spirits”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 1 prill 1842, f. 743–745, 747; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  19. History of the Church, 3:391–392; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

Pamja
Joseph healing Elijah Fordham

Më 22 korrik 1839, Elija Fordam u ngrit nga “gjumi i vdekjes” pasi Jozef Smithi hyri në dhomën e tij dhe deklaroi: “Elija, unë të urdhëroj, në emrin e Jezusit të Nazaretit, të ngrihesh e të shërohesh!”

Pamja
missionaries teaching

“Dhurata e gjuhëve me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë në Kishë është për përfitimin e shërbëtorëve të Perëndisë për t’u predikuar jobesimtarëve.”