Kapitulli 27
Ruhuni nga Frytet e Hidhur të Braktisjes
“Në të gjitha sprovat, fatkeqësitë dhe sëmundjet tuaja, në të gjitha vuajtjet tuaja, madje deri në vdekje, kini kujdes të mos tradhtoni Perëndinë … kini kujdes të mos bini në braktisje.”
Nga Jeta e Jozef Smithit
Në javët përpara dhe pas përfundimit të Tempullit të Kirtlandit, në pranverën e vitit 1836, shenjtorët përjetuan një kohë harmonie dhe derdhjeje të bollshme të dhuratave të Shpirtit. Por Profeti Jozef Smith i paralajmëroi shenjtorët që, nëse ata nuk do të vazhdonin të jetonin drejtësisht, gëzimi dhe uniteti i tyre nuk do të zgjasnin shumë. Daniel Tajlër tha për këtë kohë: “Të gjithë e ndienin se ata po shijonin paraprakisht qiellin. Në fakt, qenë disa javë në të cilat ne nuk u tunduam nga djalli; dhe po pyesnim veten nëse kishte filluar mijëvjeçari. Në [një mbledhje të vëllezërve të priftërisë], Profeti Jozef na u drejtua. Midis gjërave të tjera ai tha: ‘Vëllezër, për disa kohë Satani nuk ka pasur fuqi që t’ju tundojë. Disa kanë menduar se nuk do të ketë më tundim. Por e kundërta do të vijë; dhe po të mos i afroheni Zotit, ju do të mposhteni dhe do ta braktisni [Zotin].’”1
Ndërsa ai vit po kalonte, një shpirt braktisjeje u rrit midis disa prej shenjtorëve në Kirtland. Disa anëtarë u bënë krenarë, lakmitarë dhe të pabindur ndaj urdhërimeve. Disa ua vunë fajin udhëheqësve të Kishës për problemet ekonomike të shkaktuara nga dështimi i një institucioni financiar të Kirtlandit, të krijuar nga anëtarët e Kishës. Ky dështim ndodhi në vitin 1837, në të njëjtin vit kur një panik bankar përfshiu Shtetet e Bashkuara, duke iu shtuar problemeve ekonomike të shenjtorëve. Një numër prej dyqind ose treqind anëtarësh u larguan prej Kishës në Kirtland, duke u bashkuar nganjëherë me ata që e kundërshtonin Kishën për të munduar dhe madje kërcënuar fizikisht shenjtorët. Disa braktisës pretenduan hapur se Profeti e kishte humbur thirrjen e tij dhe u përpoqën që të vinin burra të tjerë në vend të tij. Motra Eliza R. Snou kujtoi: “Shumë vetë që kishin qenë të përulur dhe besnikë në përmbushjen e çdo detyre – të gatshëm të shkonin e të vinin në çdo thirrje të Priftërisë – po bëheshin arrogantë në shpirtin e tyre dhe ishin ngritur në kryelartësinë e zemrave të tyre. Ndërsa shenjtorët përqafuan dashurinë dhe shpirtin e botës, Shpirti i Zotit u tërhoq prej zemrave të tyre.”2
Për gjendjen e Kishës në maj 1837, Profeti u pikëllua: “Dukej sikur të gjitha fuqitë e tokës dhe të ferrit po e bashkonin ndikimin e tyre në një mënyrë të veçantë për ta përmbysur Kishën menjëherë. … Armiqtë jashtë vendit dhe braktisësit mes nesh, u bashkuan në makinacionet e tyre … dhe shumë u bënë të pakënaqur kundrejt meje sikur unë të isha shkaku i vetëm i atyre të ligave pikërisht kundër të cilave po orvatesha me të gjitha forcat.”3
Me gjithë këto sfida, pjesa më e madhe e udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës mbetën besnikë. Brigam Jangu, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve gjatë kësaj periudhe të pasigurt, kujtoi një mbledhje në të cilën disa anëtarë të Kishës po diskutonin se si ta shkarkonin Profetin Jozef: “Unë u ngrita në një mënyrë të qartë e bindëse dhe u thashë atyre se Jozefi ishte një Profet dhe unë e dija atë, dhe se ata mund ta shanin e përgojonin atë sa të donin, [porse] ata nuk mund ta shkatërronin caktimin e Profetit nga Perëndia; ata vetëm mund të shkatërronin vetë autoritetin e tyre, të prisnin lidhjen që i mbante ata të lidhur me Profetin dhe me Perëndinë dhe të fundoseshin për vete në ferr. Shumë vetë u inatosën së tepërmi nga kundërshtimi im i vendosur ndaj masave të tyre. …
Kjo mbledhje u shpërnda dhe braktisësit nuk qenë në gjendje të bashkoheshin që të vendosnin ndonjë masë për të kundërshtuar. Kjo qe një krizë kur toka dhe ferri duket sikur u bashkuan për të përmbysur Profetin dhe Kishën e Perëndisë. Gjunjët, e shumë prej burrave më të fuqishëm në Kishë, u ligështuan. Gjatë këtij rrethimi prej errësirës unë i qëndrova pranë Jozefit dhe, me të gjithë mençurinë dhe fuqinë që Perëndia më kishte dhuruar, veprova me të gjitha energjitë e mia për të mbështetur shërbëtorin e Perëndisë dhe për të bashkuar kuorumet e Kishës.”4
Mësime të Jozef Smithit
Humbja e besimit tek udhëheqësit e Kishës, kritika ndaj tyre dhe shpërfillja e çfarëdo detyre të kërkuar nga Perëndia çojnë në braktisje.
“Unë do t’ju jap një nga Çelësat e të fshehtave të Mbretërisë. Është një parim i përjetshëm, që ka ekzistuar me Perëndinë në të gjithë përjetësinë: Ai njeri që ngrihet për të dënuar të tjerët, që gjen të meta tek Kisha, duke thënë se ata po ndjekin rrugë të gabuar, ndërsa ai vetë është i drejtë, atëherë ta dini me siguri, që ai njeri po ecën me shpejtësi në rrugën drejt braktisjes; dhe nëse nuk pendohet, do të bjerë në braktisje, ashtu si Perëndia jeton.”5
Hiber C. Kimball, ndërsa shërbente si këshilltar për Presidentin Brigam Jang, raportoi: “Do t’ju jap një çelës që Vëllai Jozef Smith ishte mësuar ta jepte në Navu. Ai tha se hapi i parë drejt braktisjes fillonte me humbjen e besimit tek udhëheqësit e kësaj kishe dhe mbretërie dhe se, kurdoherë që ta dallonit atë shpirt, ju mund ta dinit se ai do ta çonte zotëruesin e tij në rrugën drejt braktisjes.”6
Uillford Udraf, ndërsa shërbente në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, tha: “Vëllai Jozef na këshillonte në këtë mënyrë: ‘Në çastin kur ju ia lejoni vetes që të lini mënjanë çfarëdo detyre që Perëndia ju thërret që ta kryeni, që të kënaqni vetë dëshirat tuaja; në çastin kur ju e lejoni veten të bëheni të pakujdesshëm, ju hidhni themelin drejt braktisjes. Kini kujdes; kuptojeni që jeni thirrur për një punë dhe se kur Perëndia ju kërkon ta bëni atë punë, bëjeni atë.’ Një gjë tjetër që tha ai: ‘Në të gjitha sprovat, fatkeqësitë dhe sëmundjet tuaja, në të gjitha vuajtjet tuaja, madje deri në vdekje, kini kujdes të mos tradhtoni Perëndinë, kini kujdes të mos tradhtoni priftërinë, kini kujdes të mos bini në braktisje.’”7
Uillford Udraf tha gjithashtu: “Më kujtohet që Vëllai Jozef Smith na vizitoi mua, Vëllain [Xhon] Tejlor, Vëllain Brigam Jang dhe disa misionarë të tjerë, kur ne ishim gati të fillonim misionin tonë në Angli. Ne qemë të sëmurë dhe të pikëlluar, shumë prej nesh. Në të njëjtën kohë ndienim që duhet të shkonim. Profeti na bekoi neve, si edhe bashkëshortet e familjet tona. … Ai na mësoi disa parime shumë të rëndësishme, disa prej të cilave po i përmend këtu. Vëllai Tejlor, unë vetë, Xhorxh A. Smith, Xhon E. Pejxh dhe të tjerë ishin thirrur për të plotësuar vendin e atyre [apostujve] që kishin rënë në braktisje. Vëllai Jozef na shpjegoi shkakun se përse ata burra ishin larguar nga urdhërimet e Perëndisë. Ai shpresonte që ne do të merrnim mençuri nga ajo që pamë me sy dhe dëgjuam me veshë dhe se do të ishim në gjendje të dallonim shpirtin e njerëzve të tjerë pa qenë të detyruar të mësonim nga përvoja e hidhur.
Ai pastaj vërejti se cilido burrë, cilido plak në këtë Kishë dhe mbretëri, që ndiqte një drejtim sipas të cilit ai nuk do të merrte parasysh apo, me fjalë të tjera, do të kundërshtonte t’i bindej çfarëdo ligji të njohur, apo urdhërimi, apo detyre – kurdoherë që një njeri e bënte këtë, shpërfillte çfarëdo detyre që Perëndia kërkonte prej dorës së tij në marrjen pjesë në mbledhje, përmbushje misionesh, ose bindje ndaj këshillës, ai hidhte themelin për ta çuar veten drejt braktisjes dhe kjo ishte arsyeja pse ata burra ishin larguar nga Kisha. Ata e kishin keqpërdorur priftërinë e vulosur mbi kokën e tyre. Ata e kishin shpërfillur lartësimin e thirrjeve të tyre si apostuj, si pleq. Ata e kishin përdorur atë priftëri në përpjekje për të ngritur veten dhe për të kryer disa punë të tjera përveç ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë.”8
Në vitin 1840, një grup i vogël, i organizuar anëtarësh të Kishës vazhdoi të jetonte në Kirtland të Ohajos, ndonëse shumica e shenjtorëve ishin mbledhur në Navu të Ilinoisit. Në përgjigje të lajmit se një anëtar i Kishës në Kirtland po përpiqej të shkatërronte besimin e shenjtorëve tek Presidenca e Parë dhe autoritete të tjera të Kishës, Profeti i shkroi një udhëheqësi të Kishës në Kirtland: “Që të administrohen çështjet e Mbretërisë në drejtësi, është krejt e rëndësishme që harmonia më e përsosur, ndjenja mirëdashëse, mirëkuptimi dhe mirëbesimi duhet të ekzistojnë në zemrat e të gjithë vëllezërve; dhe që dashuria hyjnore e vërtetë, dashuria e njërit kundrejt tjetrit, duhet të karakterizojnë të gjitha mënyrat e tyre të veprimit. Nëse ka ndonjë ndjenjë dashakeqësie, ndonjë mungesë mirëbesimi, atëherë krenaria, arroganca dhe lakmia do të shfaqen shpejt; ngatërresa duhet të triumfojë pashmangshmërisht dhe autoritetet e Kishës do të përçmohen. …
Nëse shenjtorët në Kirtland më konsiderojnë të padenjë për lutjet e tyre kur ata mblidhen së bashku dhe nuk përfillin të më mbështesin në lutje përpara fronit të Perëndisë, kjo është një provë e fortë dhe bindëse për mua që ata nuk e kanë Shpirtin e Perëndisë. Nëse zbulesat që kemi marrë janë të vërteta, cili duhet ta udhëheqë popullin? Nëse çelësat e Mbretërisë u janë besuar duarve të mia, cili do të zbulojë të fshehtat e saj?
Për sa kohë vëllezërit e mi më mbështesin dhe më japin kurajë, unë mund t’i luftoj paragjykimet e botës dhe mund ta duroj me gëzim fyerjen [trajtimin e ashpër] dhe abuzimin; por kur vëllezërit e mi mbajnë distancë, kur fillojnë të ligështohen dhe përpiqen ta pengojnë përparimin dhe punët e mia, atëherë më vjen të pikëllohem, por nuk jam më pak i vendosur për të kryer detyrën time, duke qenë i bindur që, ndonëse miqtë e mi tokësorë mund të më lënë në baltë dhe madje të kthehen kundër meje, përsëri Ati im qiellor do të më bëjë të triumfoj.
Megjithatë, unë shpresoj që madje dhe në Kirtland ka disa njerëz që nuk e dënojnë një njeri për një fjalë [shih Isaia 29:21], por janë të gatshëm të qëndrojnë në mbrojtje të drejtësisë dhe së vërtetës dhe kujdesen për çdo detyrë që u është ngarkuar; dhe që do të kenë mençuri për t’i drejtuar ata kundër çfarëdo lëvizjeje ose ndikimi të llogaritur për të sjellë ngatërresë dhe mosmarrëveshje në kampin e Izraelit, dhe të dallojnë midis shpirtit të së vërtetës dhe shpirtit të gabimit.
Do të ishte përmbushëse për mendjen time të shihja shenjtorët në Kirtland që të lulëzonin, por mendoj se koha nuk ka ardhur ende; dhe ju siguroj që nuk do të vijë kurrë derisa një rend i ndryshëm i gjërave të vendoset dhe një shpirt i ndryshëm të manifestohet. Kur besimi të rivendoset, kur krenaria të bjerë, dhe çdo mendje ambicioze të vishet me përulësi si me një mantel, dhe egoizmi t’ia lërë vendin dashamirësisë dhe mirëbërësisë, dhe një vendosmëri e bashkuar për të jetuar me anë të çdo fjale që del nga goja e Perëndisë të jetë e dallueshme, atëherë, dhe jo më parë se atëherë, mundet që paqja, rendi dhe dashuria të trimfojnë.
Është si pasojë e njerëzve ambiciozë që Kirtlandi është braktisur. Sa shpesh persona të tillë e kanë pasur zili shërbëtorin tuaj të përulur në detyrën e tij, që u përpoqën ta ngrenë veten në fuqi në kurriz të tij dhe, duke e parë që ishte e pamundur ta bënin këtë, kaluan tek shpifja e abuzimi i padrejtë dhe mjete të tjera për të realizuar përmbysjen e tij. Persona të tillë kanë qenë gjithmonë të parët për të bërtitur kundër Presidencës dhe për të bërë publike gabimet dhe dobësitë e saj në të katër anët.”9
Ata që bien në braktisje e humbasin Shpirtin e Perëndisë, thyejnë besëlidhjet e tyre dhe shpesh përndjekin anëtarët e Kishës.
“Sado e çuditshme të duket në vështrim të parë, përsëri nuk është më pak e vërtetë sa është e çuditshme, që me gjithë vendosmërinë e deklaruar për të jetuar perëndishmërisht, braktisësit pasi largohen nga besimi në Krisht, po të mos jenë penduar me shpejtësi, shpejt ose vonë kanë rënë në kurthet e të ligut dhe janë lënë pa Shpirtin e Perëndisë, për të shfaqur ligësinë e tyre në sytë e turmave. Prej braktisësve, besnikët kanë marrë përndjekjet më të egra. Juda u qortua dhe ai menjëherë e tradhtoi Zotin e tij në duart e armiqve të Tij, sepse Satani hyri tek ai.
Inteligjencë më e lartë u dhurohet të tillëve ndërsa ata i binden Ungjillit me qëllim të plotë të zemrës, që, nëse mëkatohet kundër [saj], braktisësi lihet i zhveshur dhe pa Shpirtin e Perëndisë dhe ai, vërtet, do të mallkohet shpejt dhe fundi i tij është që ai do të digjet. Kur dikur ajo dritë që ishte tek ata merret prej tyre, ata bëhen aq shumë të errësuar sa ishin më parë të ndriçuar dhe pastaj, nuk është çudi që gjithë fuqia e tyre përdoret kundër së vërtetës dhe ata, ashtu si Juda, kërkojnë shkatërrimin e atyre që ishin mirëbërësit e tyre më të mëdhenj.
Cilin mik më të afërt në tokë ose në qiell kishte Juda sesa Shpëtimtarin? Dhe qëllimi i tij i parë ishte ta shkatërronte Atë. Cili nga të gjithë shenjtorët në këto ditët e fundit, mund ta konsiderojë veten po aq të mirë sa Zoti ynë? Cili është aq i përsosur? Cili është aq i kulluar? Cili është aq i shenjtë sa ishte Ai? A do të gjendet ndonjë? Ai kurrë nuk shkeli ose theu ndonjë urdhërim apo ligj të qiellit – nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e Tij, as dredhi nuk gjendej në zemrën e Tij. Dhe përsëri njëri që hëngri me Të, që shpesh kishte pirë nga e njëjta kupë, qe i pari që ngriti krye kundër Tij. Ku ka ndonjë si Krishti? Ai nuk mund të gjendet në tokë. Atëherë përse duhet të ankohen pasuesit e Tij, nëse prej atyre që dikur i quajtën vëllezër dhe i konsideruan se qëndronin në marrëdhënien më të afërt në besëlidhjen e përjetshme, ata duhet të marrin përndjekje?
Nga cili burim e ka prejardhjen parimi që është shfaqur gjithmonë prej braktisësve të Kishës së vërtetë, që të përndjekin me zell të dyfishtë dhe të kërkojnë me këmbëngulje të dyfishtë që të shkatërrojnë ata për të cilët dikur deklaruan se i donin, me të cilët dikur ata bisedonin ngrohtësisht dhe me të cilët ata dikur u besëlidhën që të përpiqeshin me çdo fuqi në drejtësi për të siguruar pushimin prej Perëndisë? Ndoshta vëllezërit tanë do të thonë i njëjti që e bëri Satanin të kërkonte të përmbyste mbretërinë e Perëndisë, sepse ai vetë ishte i lig dhe mbretëria e Perëndisë është e shenjtë.”10
“Gjithmonë, në çdo periudhë të kishës, ka pasur nga ata që kanë qenë kundër parimeve të virtytit, që kanë dashuruar fitimin e kësaj bote të tanishme, që kanë ndjekur parimet e padrejtësisë dhe kanë qenë armiqtë e së vërtetës. … Ata që janë bashkuar me ne dhe na kanë dhënë shprehjet më të mëdha të miqësisë, shpesh kanë qenë kundërshtarët tanë më të mëdhenj dhe armiqtë tanë më të vendosur; nëse ata do të ktheheshin në të papëlqyer, nëse interesat apo dinjiteti i tyre prekej, ose nëse ata do të zbuloheshin në ligësinë e tyre; ata qenë gjithmonë të parët për të ngritur dorën e përndjekjes, për të shpifur [për të bërë akuza të rrema] dhe përgojuar vëllezërit e tyre dhe për të kërkuar rënien dhe shkatërrimin e miqve të tyre.”11
“Braktisësit ‘mormonë’ kundërshtues po vrapojnë nëpër botë dhe po përhapin fjalë të ndryshme të padrejta dhe shpifëse kundër nesh, duke menduar që në këtë mënyrë të fitojnë miqësinë e botës, sepse ata e dinë që ne nuk jemi nga bota dhe se bota na urren; prandaj ata [bota] i bëjnë vegël këta persona [kundërshtarët]; dhe përmes tyre përpiqen të bëjnë gjithë dëmin që munden, dhe pas kësaj bota i urren këta më shumë se neve, sepse e kuptojnë që janë tradhtarë dhe lajkatarë [ledhatarë] të ulët.”12
Uillford Udraf raportoi: “Unë mora pjesë në [një] mbledhje në Tempullin [e Kirtlandit më 19 shkurt 1837]. Presidenti Jozef Smith kishte munguar për të kryer punët e Kishës, por as për gjysmën e kohës që Moisiu kishte qenë në mal i larguar nga Izraeli [shih Eksodi 32:1–8]; kur shumë nga njerëzit në Kirtland, edhe nëse nuk bënë një viç për ta adhuruar siç bënë izraelitët, përsëri i larguan zemrat nga Zoti dhe shërbëtori i tij Jozef, dhe u përfshinë në aktivitete spekuluese, dhe u lanë udhë shpirtrave të rremë, derisa u errësuan në mendjet e tyre; dhe shumë i qenë kundërvënë Jozef Smithit, dhe disa dëshiruan të caktonin Dejvid Uitmerin që të udhëhiqte Kishën në vend të tij. Në mes të kësaj reje shpirtrash të errët, Jozefi u kthye në Kirtland dhe atë mëngjes u ngrit të fliste nga katedra. Ai dukej shumë i brengosur; por shpejt Shpirti i Perëndisë qëndroi mbi të dhe ai iu drejtua asamblesë me qartësi të madhe për rreth tre orë dhe ua mbylli gojën armiqve të tij.
Kur u ngrit ai tha: ‘Unë jam ende President, Profet, Shikues, Zbulues dhe Udhëheqës i Kishës së Jezu Krishtit. Perëndia dhe jo njeriu më kanë caktuar dhe vendosur mua në këtë pozicion, dhe asnjë njeri apo grup njerëzish nuk kanë fuqi të më heqin mua ose të caktojnë dikë tjetër në vendin tim, dhe ata që e ndërmarrin këtë, nëse nuk pendohen me shpejtësi, do të djegin gishtat e tyre dhe do të shkojnë në ferr.’ Ai i qortoi ashpër njerëzit për mëkatet e tyre, errësirën dhe mosbesimin; fuqia e Perëndisë qëndroi mbi të dhe dha dëshmi që thëniet e tij ishin të vërteta.”13
Uillford Udraf raportoi: “Presidenti Smith foli pasdite [më 9 prill 1837] dhe tha në emër të Zotit se gjykimet e Perëndisë do të qëndronin mbi ata njerëz që kishin deklaruar se ishin miqtë e tij e miq të njerëzimit dhe se po ngrinin Kirtlandin, një kunj të Sionit, por që ishin kthyer në tradhtarë të tij e të interesave të mbretërisë së Perëndisë dhe u kishin dhënë fuqi duarve të armiqve tanë kundër nesh; ata kishin shtypur shenjtorët e varfër, dhe u kishin sjellë dhimbje atyre, dhe ishin bërë shkelës të besëlidhjes, arsye për të cilat ata do të ndienin zemërimin e Perëndisë.”14
Daniel Tajlër kujtoi: “Pak pas mbërritjes së Profetit në Komers (më vonë Navu) prej burgut të Misurit, Vëllai Isak Behunin dhe unë shkuam ta vizitonim atë në banesën e tij. Përndjekjet ndaj tij qenë tema e bisedimit. Ai përsëriti shumë pohime të rreme, të papajtueshme dhe kontradiktore të bëra prej braktisësve, anëtarëve të frikësuar të Kishës dhe të huajve. Ai tregoi gjithashtu se si shumë prej oficerëve që me gëzim do t’i kishin marrë jetën kur u arrestua, u kthyen në favor të tij kur krijuan njohje me të. Ai ua la barrën e fajit vëllezërve të rremë. …
Kur Profeti kishte përfunduar së treguari se si e kishin trajtuar, Vëllai Behunin vërejti: ‘Nëse do të më duhet ta lë këtë Kishë unë nuk do të veproj si vepruan këta burra: Unë do të shkoja në ndonjë vend të largët ku nuk është dëgjuar ndonjëherë për Mormonizmin, do të zija vend dhe askush nuk do ta merrte vesh ndonjëherë që unë dija diçka për të.’
Shikuesi i madh u përgjigj menjëherë: ‘Vëllai Behunin, ti nuk e di se çfarë do të bëje. Pa dyshim që këta burra dikur menduan ashtu si ti. Përpara se të bashkoheshe me këtë Kishë ti qëndroje në tokë asnjanëse. Kur ungjilli u predikua, e mira dhe e liga u vunë përpara teje. Ti mund të zgjidhje njërën ose tjetrën. Ishin dy zotërinj të kundërt duke të ftuar t’u shërbeje atyre. Kur u bashkove me këtë Kishë, ti zgjodhe t’i shërbeje Perëndisë. Kur e bëre atë, ti le tokën asnjanëse dhe nuk mund të kthehesh më kurrë në të. Nëse do ta braktisësh Mësuesin të cilit zgjodhe t’i shërbeje, kjo do të bëhet nëpërmjet nxitjes së të ligut dhe ti do të ndjekësh urdhrin e tij dhe do të jesh shërbëtori i tij.’”15
Nëse ne ndjekim profetët dhe apostujt dhe zbulesat e Kishës, ne nuk do të shkojmë në udhë të gabuar.
Orson Hajd, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, raportoi: “Jozef Profeti … tha: ‘Vëllezër, kujtoni se shumica e këtyre njerëzve nuk do të shkojnë kurrë në udhë të gabuar; dhe për sa kohë ju qëndroni në harmoni me shumicën, jini të sigurt se do të hyni në mbretërinë çelestiale.’”16
Uilliam G. Nelson raportoi: “E kam dëgjuar Profetin të fliste në publik në shumë raste. Në një mbledhje e dëgjova të thoshte: ‘Do t’ju jap një çelës që nuk do të ndryshket kurrë, – nëse do të qëndroni me shumicën e Dymbëdhjetë Apostujve dhe me analet e Kishës, ju kurrë nuk do të shkoni në udhë të gabuar’. Historia e Kishës e ka provuar që kjo është e vërtetë.”17
Ezra T. Klark kujtoi: “Unë e dëgjova Profetin Jozef të thoshte se ai do t’u jepte shenjtorëve një çelës me anë të të cilit ata kurrë nuk do të largoheshin nga udha apo të mashtroheshin, dhe ai ishte: Zoti nuk do të lejojë kurrë që shumica e këtij populli të largohen nga udha apo të mashtrohen prej mashtruesve, as nuk do të lejojë Ai që analet e kësaj Kishe të bien në duart e armikut”18.
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Rishihni rrëfimet në faqet 337–339. Si mendoni ju, përse njerëzit mund të ndryshojnë nga drejtësia në braktisje në një kohë kaq të shkurtër? Cilat janë disa ndikime që bëjnë që njerëzit të bien në braktisje sot? Çfarë mund të bëjmë ne për t’u ruajtur prej ndikimeve të tilla?
Cilat janë disa rreziqe të humbjes së besimit tek udhëheqësit tanë të Kishës dhe kur i kritikojmë ata? (Për disa shembuj, shihni faqet 339–342.) Çfarë mund të bëjmë për të mbajtur një ndjenjë respekti dhe vlerësimi për udhëheqësit tanë? Si munden prindërit të nxitin fëmijët e tyre që të respektojnë udhëheqësit e Kishës?
Profeti dha mësim: “Në çastin kur ju ia lejoni vetes që të lëni mënjanë çfarëdo detyre që Perëndia ju thërret që ta kryeni, që të kënaqni vetë dëshirat tuaja; …, ju hidhni themelin drejt braktisjes” (faqe 339). Çfarë kuptimi ka për ju kjo deklaratë?
Lexoni historinë e treguar nga Daniel Tajlër (faqe 345–346). Si mendoni ju, përse ata që e kanë braktisur Kishën shpesh luftojnë kaq fort kundër saj? (Për disa shembuj, shihni faqet 342–346.) Si mendoni ju, si duhet t’u përgjigjemi fjalëve dhe veprimeve të njerëzve të tillë?
Lexoni tre paragrafët e fundit të kapitullit (faqe 346). Përse është e rëndësishme për ne që të kuptojmë dhe të përdorim këtë “çelës” të dhënë nga Jozef Smithi?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Nefi 8:10–33; Helamani 3:33–35; DeB 82:3, 21; 121:11–22
“Cilin mik më të afërt në tokë ose në qiell kishte Juda sesa Shpëtimtarin? Dhe qëllimi i tij i parë ishte ta shkatërronte Atë.”