Mësime të Presidentëve
Kapitulli 24: Udhëheqja sipas Mënyrës së Zotit


Kapitulli 24

Udhëheqja sipas Mënyrës së Zotit

“Unë u mësoj atyre parime të drejta dhe ata qeverisin veten.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Ndërkohë që shenjtorët në Kirtland filluan të punojnë e të sakrifikojnë për të ndërtuar një tempull mes tyre, shenjtorët në kontenë Xhekson të Misurit po përballeshin me përndjekje të rëndë. Ndërsa një numër në rritje i anëtarëve të Kishës u zhvendos në Misuri, u rritën tensionet me kolonët më të hershëm. Misurianasit kishin frikë se mos humbitnin kontrollin politik, ata ishin dyshues ndaj besimeve fetare të panjohura të Kishës dhe nuk u pëlqente prirja e shenjtorëve për të bërë tregti mes tyre. Turmat u bënë gjithnjë e më të dhunshme në përndjekjen e tyre kundrejt shenjtorëve dhe, në nëntor 1833, i nxorën me dhunë prej shtëpive të tyre. Duke e lënë pas shumicën e gjësë së gjallë dhe të sendeve shtëpiake, shenjtorët ikën në veri, fillimisht në kontenë Klej të Misurit, ku gjetën strehim për një kohë.

Profeti Jozef Smith, që po jetonte në Kirtland, ishte thellësisht i shqetësuar për vuajtjet e shenjtorëve në Misuri dhe dëshironte shumë që t’i ndihmonte ata. Në shkurt 1834, Zoti i zbuloi atij që ai duhej të organizonte një grup shenjtorësh për të marshuar drejt kontesë Xhekson. Ky grup, i quajtur Kampi i Sionit, kishte si qëllim të ndihmonte për të rimarrë tokat dhe pronat që u ishin marrë paligjshmërisht anëtarëve të Kishës. (Shih DeB 103:21–40.) Kampi u organizua zyrtarisht më 6 maj 1834 dhe përfundimisht përfshiu mbi 200 vetë. Marshuesit, që ishin armatosur dhe organizuar si një trup ushtarak, mbërritën pranë kontesë Xhekson në mes të qershorit, pasi kishin udhëtuar më shumë se 1450 kilometra.

Anëtarët e kampit ecën çdo ditë për distanca të gjata, shpesh në një vapë shtypëse duke pasur vetëm ushqim të papërshtatshëm dhe ujë të keq për të mbajtur veten. Shoqërimi i ngushtë me njëri-tjetrin gjatë shumë javëve udhëtim, i shoqëruar nga lodhja e uria, i bënë disa prej burrave të grindeshin me njëri-tjetrin dhe të kritikonin Profetin.

Pavarësisht nga gjithë problemet e këtij udhëtimi të rrezikshëm e të vështirë, Jozef Smithi u mësoi anëtarëve të kampit parime të rëndësishme udhëheqjeje ndërsa i udhëhoqi ata dita ditës. Uillford Udraf, një anëtar i Kampit të Sionit që më vonë u bë Presidenti i katërt i Kishës, deklaroi: “Ne fituam një përvojë që kurrë nuk do të mund ta kishim fituar në ndonjë mënyrë tjetër. Ne patëm privilegjin të shihnim fytyrën e Profetit, dhe patëm privilegjin të udhëtonim një mijë e gjashtëqind kilometra bashkë me të, dhe të shihnim veprat e Shpirtit të Perëndisë me të, dhe zbulesat e Jezu Krishtit drejtuar atij, dhe plotësimin e atyre zbulesave.”1

Pasi grupi arriti në Misuri, ata filluan bisedimet me zyrtarët shtetërorë, por këto përpjekje për një zgjidhje paqësore dështuan. Kur konflikti i armatosur dukej i pashmangshëm, Profeti u lut për udhëheqje dhe, më 22 qershor 1834, mori një zbulesë për ta shpërndarë kampin dhe për të deklaruar se Sioni nuk mund të shëlbohej në atë kohë (shih DeB 105). Në lidhje me anëtarët e kampit Zoti tha: “Unë i kam dëgjuar lutjet e tyre dhe do t’i pranoj sakrificat e tyre; dhe është e domosdoshme për mua që ata duhet të sillen kaq larg për një provë të besimit të tyre” (DeB 105:19).

Kampi i Sionit nuk i përmbushi objektivat e tij politike, por ai pati rezultate shpirtërore afatgjata. Në shkurt 1835, kur Profeti organizoi Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumin e të Shtatëdhjetëve, nëntë prej Dymbëdhjetë Apostujve dhe të gjithë të Shtatëdhjetët kishin shërbyer në Kampin e Sionit. Siç e kujtoi Jozef Jangu, një nga anëtarët e parë të Të Shtatëdhjetëve, Profeti u shpjegoi një grupi të këtyre vëllezërve: “Perëndia nuk donte që ju të luftonit. Ai nuk do të mund të organizonte mbretërinë e Tij me dymbëdhjetë burra për t’u hapur dyert e Ungjillit kombeve të tokës dhe me shtatëdhjetë burra nën drejtimin e tyre që të ndiqnin gjurmët e tyre, nëse Ai nuk do t’i merrte ata nga një grup burrash të cilët kishin ofruar jetën e tyre dhe të cilët të kishin bërë një sakrificë po aq të madhe sa bëri Abrahami.”2

Pikërisht në Kampin e Sionit Brigam Jangu, Hiber C. Kimballi, Uillford Udrafi dhe të tjerë fituan trajnim praktik që i bëri të aftë të udhëhiqnin shenjtorët nga Misuri për në Ilinois në vitin 1839 dhe më vonë për në Luginën e Solt-Lejkut. Prej përvojës së tyre me Profetin, këta vëllezër kishin mësuar të udhëhiqnin sipas mënyrës së Zotit.

Mësime të Jozef Smithit

Udhëheqësit u mësojnë parimet e drejta dhe i ndihmojnë ata që udhëheqin të mësojnë të qeverisin veten.

Xhon Tejlor, Presidenti i tretë i Kishës, raportoi: “Disa vite më parë në Navu, në praninë time një zotëri, një anëtar i Parlamentit, e pyeti Jozef Smithin se si ishte e mundur që ai qe në gjendje të qeveriste kaq shumë njerëz dhe të ruante një rend kaq të përsosur; duke vërejtur në të njëjtën kohë se për ta ishte e pamundur ta bënin këtë kudo tjetër. Z. Smith vërejti se ishte shumë e lehtë ta bëje këtë. ‘Në ç’mënyrë?’ pyeti zotëria, ‘për ne është shumë e vështirë’. Z. Smith u përgjigj: ‘Unë u mësoj atyre parime të drejta dhe ata qeverisin veten’.”3

Brigam Jangu, Presidenti i dytë i Kishës, raportoi: “Jozef Smithit iu bë shumë herë pyetja, nga zotërinj që erdhën të shihnin atë dhe njerëzit e tij: ‘Si është e mundur që ju mund t’i kontrolloni njerëzit tuaj kaq lehtë? Duket se ata nuk bëjnë asgjë tjetër përveç asaj që thoni ju; si është e mundur që ju mund t’i qeverisni ata kaq lehtë?’ Ai tha: ‘Unë nuk i qeveris fare. Zoti ka zbuluar disa parime nga qiejt sipas të cilave duhet të jetojmë në këto ditë të fundit. Koha po afrohet kur Zoti do ta mbledhë popullin e Tij prej të ligjve, dhe Ai do ta përshpejtojë punën e Tij në drejtësi, dhe parimet që Ai ka zbuluar unë ua kam mësuar njerëzve, dhe ata po përpiqen të jetojnë sipas tyre, dhe ata kontrollojnë veten e tyre.’”4

Në përgjigje të një akuze se ai po kërkonte pushtet, Jozef Smithi tha: “Në lidhje me pushtetin që kam unë mbi mendjet e njerëzve, do të thosha se është si pasojë e fuqisë të së vërtetës në doktrinat për të cilat unë kam qenë një vegël në duart e Perëndisë për t’ua paraqitur atyre dhe jo për shkak të ndonjë detyrimi nga ana ime. … Unë pyes, a kam ushtruar ndonjëherë ndonjë detyrim mbi ndonjë njeri? A nuk i kam dhënë atij lirinë që të mos besojë në çfarëdo doktrine që unë kam predikuar, nëse e sheh të përshtatshme? Përse armiqtë e mi nuk i japin një goditje doktrinës? Ata nuk mund ta bëjnë atë: ajo është e vërteta dhe unë i sfidoj gjithë njerëzit që ta hedhin poshtë atë.”5

“Një vëlla që punon në zyrën e ‘St. Louis Gazette’ [‘Gazeta e Seint-Luisit’] … dëshironte të dinte se me çfarë parimi fitova kaq shumë pushtet…. I thashë atij se kam fituar pushtet në parimet e së vërtetës dhe virtytit, që do të zgjatnin edhe kur unë të kisha vdekur e shkuar.”6

Udhëheqësit e marrin urtësinë që u duhet nga Shpirti dhe pohojnë bekimet e Zotit ndaj tyre.

“Një njeri i Perëndisë duhet të pajiset me urtësi, dije dhe kuptueshmëri, që t’i japë mësim dhe të udhëheqë popullin e Perëndisë.”7

Jozef Smithi u shkroi anëtarëve të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe udhëheqësve të tjerë të priftërisë që po shërbenin misione në Britaninë e Madhe: “Unë mund të them se, për aq sa jam njohur me veprimet tuaja, jam plotësisht i kënaqur se ato kanë qenë me urtësi; dhe unë nuk kam dyshim që veçse Shpirti i Zotit ju ka drejtuar; dhe kjo provon sipas mendimit tim që ju keni qenë të përulur, dhe se dëshirat tuaja kanë qenë për shpëtimin e bashkënjerëzve tuaj, dhe jo për karrierën tuaj vetjake dhe interesa egoiste. Për aq kohë sa shenjtorët të shfaqin një gatishmëri të tillë, këshillat e tyre do të miratohen dhe përpjekjet e tyre do të kurorëzohen me sukses.

Ka shumë gjëra me rëndësi të madhe, për të cilat ju kërkoni këshillë, por që për të cilat unë mendoj se do të jeni plotësisht në gjendje të vendosni, përderisa ju jeni më të familjarizuar me rrethanat e veçanta sesa unë; dhe unë kam shumë besim në urtësinë tuaj të bashkuar. …

Vëllezër të dashur, ju duhet të jeni në dijeni në njëfarë mase për ndjenjat e mia, kur unë kundroj veprën e madhe që tani po përhapet dhe lidhjen që kam me të, ndërsa ajo po shtrihet në toka të largëta dhe mijëra vetë po e përqafojnë atë. Unë e kuptoj në njëfarë mase përgjegjësinë time, dhe nevojën që kam për mbështetje nga lart, dhe për urtësi nga sipër, që unë të mund të jem në gjendje t’i mësoj parimet e drejtësisë këtij populli, që tani është bërë një popull i madh, dhe t’i udhëheq ata në përputhje me vullnetin e Qiellit; që ata të mund të përsosen dhe të përgatiten që të takojnë Zotin Jezu Krisht kur Ai do të shfaqet në lavdi të shkëlqyer. A mund të mbështetem në lutjet tuaja drejtuar Atit tonë qiellor për mua dhe në të gjitha lutjet e të gjithë vëllezërve e motrave të mia në Angli (të cilët megjithëse nuk i kam parë, përsëri i dua), që unë të mund të jem në gjendje t’i shpëtoj çdo manovre të Satanit, të kapërcej çdo vështirësi dhe ta sjell këtë popull në gëzimin e atyre bekimeve që janë rezervuar për të drejtët? E kërkoj këtë prej jush në emrin e Zotit Jezu Krisht.”8

Në vitin 1833 Profeti dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u shkruan anëtarëve në Tompson të Ohajos duke u thënë atyre se Vëllai Salmon Xhi ishte caktuar të kryesonte mbi ta: “Vëllai ynë i dashur Salmon … është shuguruar prej nesh … që t’ju udhëheqë dhe t’ju mësojë gjërat që janë në përputhje me perëndishmërinë, në të cilën ne kemi shumë besim, siç mendojmë se keni dhe ju gjithashtu. Prandaj ne ju themi juve – po, jo vetëm ne, por edhe Zoti – pranojeni atë si të tillë, duke e ditur që Zoti e ka caktuar atë në këtë detyrë për të mirën tuaj, duke e mbështetur me anë të lutjeve tuaja, duke u lutur për të vazhdimisht që ai të mund të pajiset me urtësi dhe kuptueshmëri në diturinë e Zotit, që nëpërmjet tij ju të mund të ruheni nga shpirtrat e ligj, dhe gjithë mosmarrëveshjet e grindjet, dhe të rriteni në hirin e në diturinë e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

… Së fundi, vëllezër, lutuni për ne, që ne të mund të kemi aftësinë që të bëjmë punën në të cilën jemi thirrur, që ju të mund të gëzoni të fshehtat e Perëndisë, madje në plotësi.”9

Profeti i dha këshillën në vijim një grupi udhëheqësish të priftërisë që t’i udhëhiqte ata në diskutimet e tyre: “Secili duhet të flasë sipas radhës së tij dhe në vendin e tij dhe në kohën e stinën e tij, që të mund të ketë rend të përsosur në të gjitha gjërat; dhe … çdo burrë … duhet të jetë i sigurt që ai mund të hedhë dritë mbi temën në vend që të përhapë errësirë, … gjë që mund të bëhet nga burra që i kushtohen drejtpërdrejt studimit të mendjes dhe vullnetit të Zotit, Shpirti i të cilit gjithmonë e shfaq dhe paraqet të vërtetën sipas kuptueshmërisë të të gjithë atyre që janë në zotërim të Shpirtit.”10

“Kur Të Dymbëdhjetët ose cilëtdo dëshmitarë të tjerë qëndrojnë përpara kongregacioneve të tokës, dhe ata predikojnë në fuqinë dhe manifestimin e Shpirtit të Perëndisë, dhe njerëzit janë të habitur e të ngatërruar për doktrinën, dhe thonë ‘Ai burrë ka predikuar një fjalim të fuqishëm, një predikim të shkëlqyer’ atëherë lëreni atë burrë apo ata burra të kujdesen që të mos ia veshin lavdinë vetes, por të jenë të kujdesshëm që të jenë të përulur, dhe t’ia veshin lavdërimin e lavdinë Perëndisë dhe Qengjit; sepse është nëpërmjet Priftërisë së Shenjtë dhe Frymës së Shenjtë që ata kanë fuqinë të flasin kështu. Çfarë je ti, o njeri, përveçse pluhur? Dhe prej kujt i merr ti fuqinë dhe bekimet e tua, përveçse prej Perëndisë?”11

Udhëheqësit në mbretërinë e Zotit i duan ata të cilëve iu shërbejnë.

“Ndërkohë që bëhem më i moshuar, zemra ime bëhet më e dhimbsur për ju. Në çdo kohë unë jam i gatshëm të braktis gjithçka që është e gabuar, sepse unë dëshiroj që ky popull të ketë një udhëheqës të virtytshëm. Unë e kam çliruar mendjen tuaj duke ju bërë të ditur gjërat e Krishtit Jezus. … Nuk kam asgjë tjetër në zemrën time përveç ndjenjave të mira.”12

“Priftërinjtë fanatikë çirren në lidhje me mua dhe pyesin: ‘Përse ky llafazan fiton kaq shumë pasues dhe arrin t’i mbajë ata?’ Unë u përgjigjem: kjo vjen ngaqë unë zotëroj parimin e dashurisë. Gjithçka që unë mund t’i ofroj botës është një zemër të mirë dhe një dorë të mirë.”13

Disa ditë përpara se të shkonte në burgun e Karthixhit, Profeti shprehu dashurinë e tij për shenjtorët: “Perëndia ju ka vënë në provë. Ju jeni një popull i mirë; prandaj unë ju dua me të gjithë zemrën time. Askush s’ka dashuri më të madhe, sesa të japë jetën e vet për miqtë e tij [shih Gjoni 15:13]. Ju keni qëndruar pranë meje në kohë telashesh dhe unë jam i gatshëm të sakrifikoj jetën time për ruajtjen tuaj.”14

Udhëheqësit në mbretërinë e Zotit japin mësim përmes shërbimit dhe shembullit të tyre.

Ndërkohë që anëtarët e Kampit të Sionit marshuan nga Kirtlandi i Ohajos për në Misuri, ata mësuan shumë parime udhëheqjeje nga shoqërimi i tyre me Jozef Smithin. Xhorxh A. Smith, një anëtar i Kampit të Sionit, kujtoi: “Profeti Jozef i provoi plotësisht vështirësitë e të gjithë udhëtimit. Përveç kujdesit për të siguruar për Kampin dhe për ta kryesuar atë, ai eci shumicën e kohës dhe pati përvojën e tij të këmbëve me flluska, të përgjakura dhe të lënduara, që ishin pasoja e natyrshme e një ecjeje prej 40 deri 65 kilometrash në ditë në një stinë të nxehtë të vitit. Por gjatë të gjithë udhëtimit ai asnjëherë nuk lëshoi një mërmërimë ose ankesë, ndërkohë që shumica e burrave në Kamp i ankoheshin atij për gishtat e lënduar të këmbëve, për këmbët me flluska, marshimet e gjata, furnizimet me sasi të pakta, cilësinë e keqe të bukës, çyrekun e keq të misrit [bukë misri], gjalpin e mykur [të prishur], mjaltin me shije të keqe, djathin dhe proshutën e krimbur etj. Madje as edhe një qen nuk mund t’u lehte disa burrave pa mërmëritur ata kundër Jozefit. Nëse do të duhej të fushonin me ujë të keq, kjo gati do të shkaktonte rebelim. Ne përsëri ishim Kampi i Sionit dhe shumë prej nesh qenë të padevotshëm, të shkujdesur, të pakujdesshëm, të pavëmendshëm, të pamend, ose djallëzorë, dhe ne ende nuk e dinim këtë. Jozefi duhej të kishte durim me ne dhe të na mbikëqyrte si fëmijë. Megjithatë, në Kamp kishte shumë vetë që nuk mërmëritën kurrë dhe që qenë gjithmonë të gatshëm dhe të vullnetshëm për të vepruar siç dëshironte udhëheqësi ynë.”15

Sa vijon janë fragmente nga historia e Profetit për majin 1834: “Çdo natë përpara se të tërhiqeshim për të pushuar, kur binte boria, ne përkuleshim përpara Zotit në tendat vetjake dhe i paraqisnim ofertat tona të falënderimit me lutje dhe përgjërim; dhe kur binte boria e mëngjesit, rreth orës katër, çdo burrë qëndronte përsëri në gjunjë përpara Zotit, duke iu përgjëruar për bekimin e Tij për atë ditë.”16

27 maj 1834: “Pavarësisht se armiqtë tanë vazhdimisht shprehnin kërcënime për dhunë, ne nuk u frikësuam, as nuk ngurruam të kryenim udhëtimin tonë, sepse Perëndia ishte me ne, dhe engjëjt e Tij shkuan përpara nesh, dhe besimi i grupit tonë të vogël qe i palëkundur. Ne e dimë që engjëjt ishin shoqëruesit tanë, sepse ne i pamë ata.”17

29 maj 1834: “Unë zbulova se një pjese të shokëve të mi u ishte shërbyer bukë e thartuar, ndërsa unë kisha marrë bukë të mirë, të ëmbël nga i njëjti kuzhinier. Unë e qortova Vëllain Zebedi Koltrin për këtë njëanshmëri, sepse unë doja që vëllezërit e mi të ushqeheshin po aq mirë sa dhe unë.”18

Xhon M. Çidester, një anëtar i Kampit të Sionit, kujtoi: “Kampit të Sionit, kur kaloi përmes shtetit të Indianës, iu desh të kapërcente moçale shumë të këqija; si pasojë, ne na duhej të lidhnim litarë tek karrot që të ndihmonim për kalimin e tyre dhe Profeti ishte burri i parë që tërhiqte litarin këmbëzbathur. Kjo ishte karakteristikë e tij në të gjitha kohët e vështira.

Ne e vazhduam udhëtimin tonë derisa arritëm Lumin [Uakenda], pasi kishim udhëtuar dyzet kilometra pa pushuar apo ngrënë. Ne u detyruam ta kalonim me anije-trap këtë rrymë; dhe gjetëm në anën përkundruall të saj vendin më të përshtatshëm për të ngritur kampin, që qe një burim kënaqësie për njerëzit që tashmë ishin të lodhur e të uritur. Kur arritëm në atë vend, Profeti i njoftoi Kampit se ai ndiente përshtypjen që të vazhdonin udhëtimin; dhe, duke marrë drejtimin, ai i ftoi vëllezërit që ta ndiqnin.

Kjo shkaktoi një përçarje në kamp. Liman Uajt dhe të tjerë në fillim kundërshtuan ta ndiqnin Profetin, por së fundi erdhën. Ngjarjet e mëvonshme treguan se Profeti u frymëzua të vazhdonte deri në një largësi prej rreth njëmbëdhjetë kilometrash. Më vonë na u raportua se rreth trembëdhjetë kilometra më poshtë vendit ku ne e kapërcyem lumin, një grup burrash ishte organizuar që të na sulmonte atë natë.”19

Gjatë marshimit të Kampit të Sionit, disa prej pjesëmarrësve mërmëritën dhe u ankuan. Profeti i qortoi ata që u përfshinë dhe i paralajmëroi se do të goditeshin nga fatkeqësi nëse nuk pendoheshin. Ndonëse disa ia vunë veshin këshillës së tij, të tjerë nuk e bënë. Shpejt shpërtheu kolera dhe disa pjesëtarë të kampit vdiqën. Orson Hajd, që më vonë shërbeu në Kuorumin e të Dymbëdhjetëve, kujtoi: “A u qetësua Profeti nga meraku i tij për mbarëvajtjen e kampit? A u tjetërsua ai në ndjenjat e tij për miqtë e tij në orën e tyre të ndëshkimit dhe vuajtjes? A u shndërrua ai në armikun e tyre sepse kishte folur gjëra të rënda kundër tyre? Jo! Zemra e tij u tret nga keqardhja – gjiri i tij digjej nga dashuria, dhembshuria dhe mirësia; dhe me një zell dhe besnikëri prej miku të përkushtuar në orën e rrezikut, ai personalisht u shërbeu të sëmurëve dhe atyre që po vdisnin; si dhe ndihmoi në varrosjen e të vdekurve. Secili veprim i tij gjatë asaj sprove të rëndë i dha siguri të mëtejshme kampit se me gjithë gabimet e tyre, ai ende i donte ata.”20

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni paragrafin e dytë në faqen 302. Çfarë pikash të forta shihni në qasjen ndaj udhëheqjes të Profetit Jozef Smith? Si mendoni ju, si i përgjigjen shumica e njerëzve një udhëheqjeje të tillë?

  • Rishihni mësimet e Profetit mbi nevojën që udhëheqësit të marrin urtësi prej Shpirtit (faqet 303–305). Çfarë mund t’i ndihmojë udhëheqësit që të marrin urtësinë që u duhet?

  • Rishihni paragrafin e tretë të plotë të faqes 303. Përse përulësia dhe vetëmohimi janë karakteristika thelbësore për udhëheqësit? Si mendoni ju, çfarë karakteristikash të tjera duhet të kenë udhëheqësit?

  • Jozef Smithi foli hapur për dashurinë dhe ndjenjat e tij të dhembshura për shenjtorët (faqe 305). Si e dalloni kur një udhëheqës ju do me të vërtetë? Kur jeni bekuar përmes dashurisë së një udhëheqësi?

  • Studioni raportet për Kampin e Sionit në faqet 299–302 dhe 306–308. Çfarë cilësish të udhëheqësit shfaqi Profeti?

  • Mendoni për përgjegjësitë tuaja të udhëheqjes në familjen tuaj, në Kishë, në profesionin tuaj, në shkollën tuaj, në komunitet, apo gjetiu. Mendoni se çfarë mund të bëni që të ndiqni shembullin e Jozef Smithit.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Eksodi 18:13–26; Fjalët e Urta 29:2; Mateu 20:25–28; Alma 1:26; DeB 107:99–100

Shënime

  1. Wilford Woodruff, Deseret News: Semi-Weekly, 21 dhjetor 1869, f. 1; është modernizuar drejtshkrimi dhe përdorimi i germës së madhe.

  2. Cituar nga Joseph Young Sr., në History of the Church, 2:182, shënim në fund të faqes; nga Joseph Young Sr., History of the Organization of the Seventies (1878), f. 14.

  3. John Taylor, “The Organization of the Church”, Millennial Star, 15 nëntor 1851, f. 339.

  4. Brigham Young, Deseret News: Semi-Weekly, 7 qershor 1870, f. 3.

  5. History of the Church, 6:273; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 24 mars 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  6. History of the Church, 6:343; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 25 prill 1844, Nauvoo, Illinois.

  7. History of the Church, 5:426; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  8. History of the Church, 4:228–230; është modernizuar drejtshkrimi dhe gramatika; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Të Dymbëdhjetëve, 15 dhjetor 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 janar 1841, f. 259–260; kjo letër është datuar pasaktësisht 19 tetor 1840, në History of the Church.

  9. Letër nga Joseph Smith dhe të tjerë drejtuar anëtarëve të Kishës në Thompson, Ohio, 6 shkurt 1833, Kirtland, Ohio; Letter Book 1, 1829–1835, f. 25–26, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  10. History of the Church, 2:370; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 15 janar 1836, Kirtland, Ohio.

  11. History of the Church, 3:384; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 2 korrik 1839, në Montrose, Iowa; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  12. History of the Church, 6:412; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 26 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  13. History of the Church, 5:498; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  14. History of the Church, 6:500; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 18 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois. Hartuesit e History of the Church kombinuan raporte gojore nga disa dëshmitarë okularë në një relacion të vetëm të fjalimit.

  15. George A. Smith, “History of George Albert Smith by Himself”, f. 30, George Albert Smith, Papers, 1834–1875, Arkivat e Kishës.

  16. History of the Church, 2:64–65; nga Heber C. Kimball, “Elder Kimball’s Journal”, Times and Seasons, 15 janar 1845, f. 771.

  17. History of the Church, 2:73; nga Heber C. Kimball, “Elder Kimball’s Journal”, Times and Seasons, 15 janar 1845, f. 772.

  18. History of the Church, 2:75; nga George A. Smith, “History of George Albert Smith by Himself”, f. 17, George Albert Smith, Papers, 1834–1875, Arkivat e Kishës.

  19. John M. Chidester, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 mars 1892, f. 151; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  20. Orson Hyde, Deseret News, 30 korrik 1853, f. 66.

Pamja
council meeting

Udhëheqësit në mbretërinë e Zotit “duhet të [pajisen] me urtësi, dije dhe kuptueshmëri, që t’i [japin] mësim dhe të [udhëheqin] popullin e Perëndisë”.

Pamja
men pulling wagon

“Profeti ishte burri i parë që tërhiqte litarin këmbëzbathur”, kujtoi një pjesëtar i Kampit të Sionit. “Kjo ishte karakteristikë e tij në të gjithë kohët e vështira.”