Kapitulli 19
Qëndroni të Palëkundur nëpër Stuhitë e Jetës
“Jini të qëndrueshëm, ju shenjtorë të Perëndisë, mbahuni pak më gjatë, dhe stuhitë e jetës do të kenë kaluar, dhe ju do të jeni shpërblyer nga ai Perëndi, shërbëtorë të të cilit jeni.”
Nga Jeta e Jozef Smithit
Natën e 24 marsit 1832, Jozef Smithi kishte ndenjur zgjuar deri vonë duke u kujdesur për birin e tij 11 muajsh, Jozefin, që ishte i sëmurë me fruth. Familja Smith në atë kohë po jetonte në shtëpinë e Xhon Xhonsonit në Hiram të Ohajos. Profeti kishte shkuar të flinte së fundi në një shtrat portativ me rrota kur një turmë me nja dymbëdhjetë ose më shumë burra, që kishin qenë duke pirë uiski, hyri dhunshëm në shtëpi. Më vonë, Profeti përshkroi ngjarjet e asaj nate të tmerrshme:
“Turma shpërtheu derën dhe rrethoi shtratin brenda një çasti, dhe … gjëja e parë që kuptova ishte që po më nxirrnin jashtë derës në duart e një turme të tërbuar. Bëra një përpjekje të dëshpëruar, ndërsa po më nxirrnin jashtë me forcë, për t’u çliruar, por lirova vetëm një këmbë, me të cilën shkelmova një burrë dhe ai ra tek pragu i derës. Menjëherë më pushtuan përsëri; dhe u betuan … se do të më vrisnin nëse nuk do të qëndroja pa lëvizur, gjë që më bëri të rrija qetë. …
Pastaj më kapën prej fyti dhe më mbajtën derisa më ra të fikët. Pasi erdha në vete, ndërsa më kishin çuar rreth 150 metra larg shtëpisë, pashë Plakun Rigdon të shtrirë përtokë, ku ata e kishin çuar duke e tërhequr zvarrë nga këmbët. Mendova se kishte vdekur. Fillova t’u përgjërohem atyre, duke u thënë: ‘Ju do të keni mëshirë dhe do të më kurseni jetën, shpresoj’. Të cilave ata iu përgjigjën: ‘… Kërkoi ndihmë Perëndisë tënd, ne nuk do të kemi mëshirë.’”
Pas disa diskutimesh, turma “vendosi të mos të më vrisnin”, rrëfeu Profeti, “por të më rrihnin dhe çirrnin mirë, të më hiqnin këmishën e pantallonat dhe të më linin të zhveshur. … Ata u kthyen me vrap dhe sollën kovën me zift, kur njëri thirri, me një betim, ‘Le t’ia mbyllim gojën me zift’; dhe u përpoqën të më fusnin me forcë në gojë lopatëzën e ziftit; unë ktheva kokën, kështu që nuk mundën; dhe ata thirrën: ‘… Ngrije kokën dhe na lër të të japim ca zift’. Pastaj ata u përpoqën të më fusnin në gojë me forcë një shishkë dhe e thyen tek dhëmbët e mi. M’i shqyen të gjitha rrobat përveç jakës së këmishës; dhe një burrë u hodh mbi mua dhe më çori trupin me thonj si një mace e ndërkryer. …
Pastaj ata më lëshuan dhe unë u përpoqa të ngrihem, por rashë përsëri; e shqita ziftin nga buzët, që të mund të merrja frymë më lirshëm dhe pas pak, fillova të marr forca, u ngrita dhe pas kësaj pashë dy drita. E bëra rrugën drejt njërës prej tyre dhe zbulova se ishte shtëpia e Atit Xhonson. Kur mbërrita tek dera … zifti më bënte të dukesha sikur isha mbuluar me gjak, dhe kur më pa gruaja ime ajo mendoi se më kishin bërë copash, dhe i ra të fikët. …
Miqtë e mi e kaluan natën duke hequr e larguar ziftin dhe duke larë e pastruar trupin tim; kështu që në mëngjes të isha gati të vishesha përsëri.”
Edhe pas kësaj përvoje të rëndë, Profeti qëndroi i palëkundur në kryerjen e përgjegjësive të tij ndaj Zotit. Ditën tjetër qe Shabat. “Njerëzit u grumbulluan për mbledhjen në orën e zakonshme të adhurimit”, shënoi Profeti, “dhe midis tyre erdhën edhe nga ata të turmës. … Me mishin gjithë gërvishtje dhe dëmtime, unë i predikova kongregacionit si zakonisht dhe pasditen e po asaj dite pagëzova tre vetë.”1 Biri i Jozefit dhe Emës, Jozefi, vdiq pesë ditë pas sulmit të turmës, si pasojë e ekspozimit ndaj ajrit të ftohtë të natës ndërkohë që ishte i sëmurë me fruth.
Uillford Udraf, Presidenti i katërt i Kishës, tha: “Zoti i tha Jozefit se Ai do ta vinte në provë, nëse do t’i bindej apo jo besëlidhjes së Tij, madje deri në vdekje. Ai e vuri në provë; dhe ndonëse [Jozefit] i duhej të hahej me të gjithë botën dhe t’i bënte ballë tradhtisë së miqve të rremë, ndonëse e gjithë jeta e tij ishte një skenë mundimesh dhe shqetësimesh, dhe telashesh, përsëri, në të gjitha vuajtjet e tij, burgosjet e tij, kapjet nga turmat dhe trajtimin e keq nëpër të cilin kaloi, ai qe gjithmonë i vërtetë ndaj Perëndisë së tij.”2
Mësime të Jozef Smithit
Ata që ndjekin Jezu Krishtin do të vihen në provë dhe duhet të rezultojnë besnikë ndaj Perëndisë.
“Nuk ka siguri, përveçse në krahun e Jehovait. Askush tjetër nuk mund të na çlirojë dhe ai nuk do të na çlirojë derisa ne të rezultojmë besnikë ndaj tij në andrallat më të ashpra. Sepse ai që do t’i ketë rrobat të lara në gjakun e Qengjit duhet të kalojë nëpërmjet shtrëngimi të madh [shih Zbulesa 7:13–14], madje vuajtjes më të madhe të të gjithave.”3
“Fatet e të gjithë njerëzve janë në duart e një Perëndie të drejtë dhe Ai nuk do t’i bëjë padrejtësi askujt; dhe kjo gjë e vetme është e sigurt, që ata që do të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus, do të përndiqen [shih 2 Timoteut 3:12]; dhe përpara se rrobat e tyre të zbardhen në gjakun e Qengjit, duhet të pritet, sipas Gjon Zbuluesit, që ata të kalojnë përmes shtrëngimi të madh [shih Zbulesa 7:13–14].”4
“Njerëzit duhet të vuajnë që të mund të vijnë në malin Sion dhe të ekzaltohen mbi qiejt.”5
Ndërsa po vuante shumë gjatë burgimit të tij në burgun e Libertisë, gjatë dimrit të 1838–1839-ës, Jozef Smithi u shkroi anëtarëve të Kishës: “Vëllezër të dashur, ne ju themi se, duke qenë që Perëndia ka thënë se Ai do të ketë një popull të sprovuar, se Ai do t’i pastrojë ata si arin [shih Malakia 3:3], tani ne mendojmë se këtë herë Ai ka zgjedhur provën e Tij të rëndë, ku ne jemi sprovuar; dhe ne mendojmë që, nëse do ta kapërcejmë me çfarëdo shkalle të sigurisë, dhe do të kemi mbajtur besimin, kjo do të jetë një shenjë për këtë brez, krejt e mjaftueshme për t’i lënë ata pa shfajësim; dhe ne mendojmë gjithashtu, do të jetë një sprovë e besimit tonë e barabartë me atë të Abrahamit, dhe se të lashtët nuk do të kenë përse të lëvdohen mbi ne në ditën e gjykimit, si të thirrur për të kaluar përmes vuajtjeve më të rënda; që ne mund të mbajmë një ngarkesë të njëjtë në baraspeshë me ta.”6
“Sprovat veçse do të na japin neve dijen e nevojshme për të kuptuar mendjen e të lashtëve. Për sa më përket mua, unë mendoj se nuk do të mund të isha ndier kurrë siç ndihem tani, nëse nuk do të kisha vuajtur padrejtësitë që kam vuajtur. Të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë [shih Romakëve 8:28].”7
Xhon Tejlor, Presidenti i tretë i Kishës, tha: “E kam dëgjuar Profetin Jozef të thotë, ndërsa u fliste të Dymbëdhjetëve në një rast: ‘Juve do t’ju duhet të kapërceni të gjitha llojet e vështirësive. Dhe është tepër e nevojshme për ju të provoheni, ashtu siç ishte për Abrahamin dhe njerëzit e tjerë të Perëndisë, dhe (ai tha se) Perëndia do t’ju vërë ju në provë, do t’ju marrë e do t’ju sprovojë deri në kufij, dhe në qoftë se ju nuk mund ta duroni dot atë, ju nuk do të jeni të përshtatshëm për një trashëgimi në Mbretërinë Çelestiale të Perëndisë.’ … Jozef Smithi nuk pati kurrë shumë muaj paqeje pasi mori të vërtetën dhe së fundi e vranë në burgun e Karthixhit.”8
Perëndia do t’i mbështesë e bekojë ata që i mirëbesojnë Atij në kohët e tyre të sprovave.
“Fuqia e Ungjillit do të na mundësojë të qëndrojmë dhe të mbajmë me durim vuajtjen e madhe që po vjen mbi ne nga të gjitha anët. … Sa më e ashpër të jetë përndjekja, aq më të mëdha janë dhuratat e Perëndisë mbi Kishën e tij. Po, të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për të mirë për ata që janë të gatshëm të japin jetën e tyre për hir të Krishtit.”9
“E vetmja shpresë dhe siguri e imja është në atë Perëndi që më dha jetën, tek i cili është gjithë fuqia, që tani gjendet para meje dhe zemra ime është e zhveshur para syve të tij vazhdimisht. Ai është ngushëlluesi im dhe ai nuk më braktis mua.”10
“Unë e di se tek cili besoj; unë qëndroj mbi shkëmb; përmbytjet nuk munden, jo, ato nuk do të më rrëzojnë mua.”11
Pasi Profetin e liruan nga burgimi i tij në burgun e Libertisë, ai tha sa vijon për përvojën e tij: “Faleminderit Perëndisë, ne u çliruam. Dhe ndonëse disa prej vëllezërve tanë të dashur iu është dashur ta vulosin dëshminë e tyre me gjakun e tyre, dhe kanë vdekur si martirë për kauzën e së vërtetës –
E shkurtër, ndonëse e hidhur ishte dhembja e tyre,
I përjetshëm është gëzimi i tyre.
Le të mos trishtohemi si ata ‘që nuk kanë shpresë’ [shih 1 Thesalonikasve 4:13]; po afrohet shpejt koha kur ne do t’i shohim ata përsëri dhe do të gëzohemi së bashku, pa pasur frikë nga njerëzit e ligj. Po, ata që kanë fjetur në Krisht, Ai do t’i sjellë me Vete, kur të vijë që të mbulohet me lavdi në shenjtorët e Tij, dhe të admirohet nga të gjithë ata që besojnë, por për të marrë shpagim mbi armiqtë e Tij dhe gjithë ata që nuk i binden Ungjillit.
Në atë kohë zemrat e të vejave dhe të jetimëve do të ngushëllohen, dhe çdo lot do të fshihet nga fytyrat e tyre. Sprovat që u është dashur të kalojnë do të bashkëveprojnë për të mirën e tyre dhe do t’i përgatitin ata për shoqërinë e atyre që kanë ardhur përmes shtrëngimi të madh dhe që kanë larë rrobat e tyre e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit. [Shih Romakëve 8:28; Zbulesa 7:13–14, 17.]”12
Profeti u shkroi sa vijon në një letër shenjtorëve më 1 shtator 1842, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 127:2: “Dhe sa për rreziqet që jam thirrur të kaloj, ato më duken vetëm një diçka e vogël, ngaqë zilia dhe zemërimi i njeriut kanë qenë diçka e zakonshme gjatë gjithë ditëve të jetës sime. … Në ujë të thellë jam mësuar të notoj. Ajo e gjitha më është bërë një natyrë e dytë; dhe unë ndihem, si Pali, i përlëvduar në mundim; sepse deri në këtë ditë Perëndia i etërve të mi më ka çliruar prej gjithë atyre dhe do të më çlirojë që tani e tutje; sepse, vini re e shihni, unë do të triumfoj mbi të gjithë armiqtë e mi, sepse Zoti Perëndi e ka thënë atë.”13
Besnikët nuk mërmërisin në vuajtje, por janë mirënjohës për mirësinë e Perëndisë.
Më 5 dhjetor 1833, Profeti u shkroi udhëheqësve të Kishës të cilët kryesonin mbi shenjtorët që po përndiqeshin në Misuri: “Kujtohuni të mos mërmërisni për veprimet e Perëndisë me krijesat e Tij. Ju ende nuk jeni sjellë në rrethana aq sprovuese sa të profetëve dhe apostujve të lashtë. Sillni në mendje Danielin, tre fëmijët hebrenj [Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon], Jeremian, Palin, Stefanin dhe shumë të tjerë, tepër të shumtë në numër për t’u përmendur, të cilët u vranë me gurë, me sharrë u prenë, u tunduan, u vranë nga shpata dhe [të cilët] u endën të mbuluar me lëkurë dhensh e dhish, nevojtarë, të pikëlluar, të keqtrajtuar, bota nuk ishte e denjë për ta. U sollën nëpër shkretëtira e nëpër male dhe u fshehën nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut; përsëri të gjithë këta morën dëshmim të mirë me anë të besimit [shih Hebrenjve 11:37–39]; dhe në mes gjithë vuajtjeve të tyre ata u gëzuan që u llogaritën të denjë për të marrë përndjekje për hir të Krishtit.
Ne nuk e dimë se çfarë do të na kërkohet të kalojmë përpara se Sioni të çlirohet dhe të themelohet; prandaj, ne kemi nevojë të madhe për të jetuar pranë Perëndisë, dhe të kemi gjithmonë bindje të rreptë ndaj gjithë urdhërimeve të Tij, që të mund të kemi një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe njerëzve. …
… Mirëbesimi ynë është tek Perëndia dhe ne jemi të vendosur, hiri i Tij na ndihmoftë ta ruajmë kauzën dhe të qëndrojmë besnikë deri në fund, që ne të mund të kurorëzohemi me kurorat e lavdisë çelestiale dhe të hyjmë në çlodhjen që është përgatitur për fëmijët e Perëndisë.”14
Pesë ditë më vonë, Profeti u shkroi udhëheqësve të Kishës dhe shenjtorëve në Misuri: “Le të jemi mirënjohës që jemi aq mirë sa jemi, dhe që jemi ende gjallë, dhe ndoshta, Perëndia ka rezervuar të mirë të madhe për ne në këtë brez, dhe dhëntë që ne ende të mund të përlëvdojmë emrin e Tij. Unë ndihem mirënjohës që nuk ka persona të tjerë që kanë mohuar besimin; unë i lutem Perëndisë në emrin e Jezusit që ju të gjithë të mund të qëndroni në besim deri në fund.”15
Ditari i Profetit për datën 1 janar 1836, shënon: “Duke qenë ky fillimi i një viti të ri, zemra ime është mbushur me mirënjohje ndaj Perëndisë që Ai e ka ruajtur jetën time dhe jetën e familjes sime, ndërsa ka kaluar një tjetër vit. Ne jemi mbështetur dhe ruajtur në mes të një brezi të lig dhe të çoroditur, ndonëse të pambrojtur ndaj gjithë vuajtjeve, tundimeve dhe mjerimit që janë pjesë e natyrshme e jetës njerëzore; për këtë unë ndihem që të përul veten mbi pluhurin dhe hirin, ta themi kështu, përpara Zotit.”16
Për shërimin e tij nga një sëmundje në qershor 1837, Profeti tha: “Ky është një nga shembujt e shumtë në të cilët unë kam kaluar befas nga një gjendje e shëndetshme, tek buza e varrit, dhe po aq befas jam shëruar, gjë për të cilën zemra ime mbushet me mirënjohje ndaj Atit tim qiellor, dhe unë ndihem i përtërirë t’ia përkushtoj veten dhe gjithë fuqitë e mia shërbimit për Të.”17
Mirëbesimi në fuqinë, mençurinë dhe dashurinë e Perëndisë do të na ndihmojë të shmangim shkurajimin në kohë sprovash.
“Të gjitha vështirësitë që mund dhe do të ndeshim duhet të kapërcehen. Ndonëse shpirti do të sprovohet, zemra do të ligështohet dhe duart do të varen poshtë, ne nuk duhet të prapësohemi; duhet të kemi vendosmëri të karakterit.”18
“Duke pasur mirëbesim në fuqinë, mençurinë dhe dashurinë e Perëndisë, shenjtorët kanë qenë në gjendje të ecin përpara përmes rrethanave më armiqësore, dhe shpesh, kur sipas gjithë pikëpamjes njerëzore, nuk paraqitej asgjë përveç vdekjes dhe shkatërrimi [dukej] i pashmangshëm, fuqia e Perëndisë është shfaqur, lavdia e Tij është zbuluar dhe çlirimi ka ndodhur; dhe shenjtorët i kanë kënduar një himn lavdërimi emrit të tij të shenjtë, ashtu si fëmijët e Izraelit, që dolën nga toka e Egjiptit dhe nëpër detin e Kuq.”19
“Unë e di që telashet do të përfundojnë dhe mbretëria e Satanit do të shtrihet në rrënojë me gjithë planet e tij të zeza; dhe shenjtorët do të dalin si ari i rafinuar shtatë herë në zjarr, të bërë të përsosur përmes vuajtjesh dhe tundimesh, dhe se bekimet e qiellit dhe të tokës do të shumëfishohen mbi kokën e tyre; që e dhëntë Perëndia për hir të Krishtit.”20
“Qëndroni të palëkundur, ju shenjtorë të Perëndisë, duroni edhe pak dhe stuhia e jetës do të kalojë, dhe ju do të shpërbleheni nga ai Perëndi shërbëtorë të të cilit jeni, dhe që do të vlerësojë siç duhet gjithë mundimet e vuajtjet tuaja për hir të Krishtit dhe të Ungjillit. Emrat tuaj do t’u kalohen pasardhësve si shenjtorë të Perëndisë.”21
Xhorxh A. Smith, që shërbeu si këshilltar për Presidentin Brigam Jang, mori këshillën që vijon nga Profeti Jozef Smith në një kohë vështirësie të madhe: “Ai më tha se unë kurrë nuk duhet të humbas kurajën, çfarëdo vështirësish të më rrethojnë. Nëse do të mbytesha në gropën më të ulët të Nova Skotias dhe të gjitha Malet Shkëmbore më mbulonin përsipër, unë nuk duhej të humbisja kurajën, por të vazhdoja të duroja duke ushtruar besim e duke ruajtur kurajën e mirë, dhe unë do të dilja në majë të pirgut.”22
Vetëm pak ditë para se Profeti të martirizohej, në një kohë kur ai dhe shenjtorët e dinin se jeta e tij ishte në rrezik, Jozefi i kapi dorën Abraham C. Hoxhit dhe i tha: “Tani, Vëllai Hoxh, le të vijë ç’ka për të ardhur; mos mohoni besimin dhe gjithçka do të shkojë mirë”23.
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Rishihni rrëfimet në faqet 239–242. Si mendoni ju, përse Profeti Jozef Smith qe në gjendje të duronte sprovat që provoi? Cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja kur e përfytyroni atë me “me mishin gjithë gërvishtje dhe dëmtime” duke i dhënë mësim një kongregacioni?
Lexoni paragrafin e parafundit në faqen 242. Si mendoni ju, si na ndihmon vuajtja të përgatitemi për ekzaltim? (Për disa shembuj, shih faqet 242–243.) Çfarë keni mësuar ju nga sprovat tuaja?
Tre herë në këtë kapitull, Jozef Smithi na siguron se “sprovat që [na] është dashur të [kalojmë] do të bashkëveprojnë për të mirën [tonë]” (faqe 244; shih gjithashtu faqe 243). Si e keni parë ju që kjo deklaratë është e vërtetë?
Lexoni paragrafin e parë dhe të dytë në faqen 244. Çfarë përvojash mund të ndani në të cilat Zoti ju ka ngushëlluar në kohë sprovash? Çfarë do të thotë për ju të “qëndro[sh] mbi shkëmb”?
Jozef Smithi i këshilloi shenjtorët të mos mërmërisnin, apo të ankoheshin për veprimet e Perëndisë me ne (faqet 245–246). Në çfarë mënyrash mund të na ndikojë mërmëritja? Cilat janë disa mënyra se si duhet t’u përgjigjemi sprovave? (Për disa shembuj, shih faqet 245–248.)
Çfarë do të thotë të kesh “vendosmëri të karakterit” kur përballesh me vështirësitë? (faqe 247).
Lexoni këshillën e Profetit drejtuar Xhorxh A. Smithit (faqe 247). Si mund t’ju ndihmojë juve kjo këshillë kur përballeni me sprova?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Psalmet 55:22; Gjoni 16:33; Alma 36:3; Helamani 5:12; DeB 58:2–4; 90:24; 122:5–9
Xhon Tejlor
“Mirëbesimi ynë është tek Perëndia dhe ne jemi të vendosur, hiri i Tij na ndihmoftë ta ruajmë kauzën dhe të qëndrojmë besnikë deri në fund.”