Mësime të Presidentëve
Kapitulli 15: Ngritja e Kauzës së Sionit


Kapitulli 15

Ngritja e Kauzës së Sionit

“Ndërtimi i Sionit është një kauzë që i ka interesuar popullit të Perëndisë në çdo kohë; është një temë mbi të cilën profetët, priftërinjtë dhe mbretërit janë ndalur me ëndje të veçantë.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Nga fillimi i qershorit 1831, vetëm pak javë pasi përfundoi grumbullimi nga Nju-Jorku në Ohajo, shenjtorët u mblodhën në Kirtland për një konferencë të Kishës. Më 7 qershor, ditën pasi përfundoi konferenca, Jozef Smithi mori një zbulesë që i ktheu mendimet e anëtarëve të Kishës drejt Sionit: “[Konferenca] e ardhshme, … duhet të mbahet në Missouri, në tokën që unë do t’ua përkushtoj njerëzve të mi” (DeB 52:2).

Shenjtorët ishin të interesuar gjallërisht për ngritjen e Sionit – një qytet i shenjtë, një strehë paqësore për të drejtët që largoheshin nga ligësia e botës. Për të përgatitur shenjtorët, Zoti i kishte këshilluar vazhdimisht ata: “[K]ërkoni të filloni e të ngrini kauzën e Sionit” (DeB 6:6; 11:6; 12:6; shih gjithashtu 14:6). Tani udhëheqësit e Kishës do të largoheshin menjëherë për të përcaktuar vendndodhjen e Sionit. Jozef Smithi, Sidni Rigdoni dhe të tjerë nisën udhëtimin prej 1448 kilometrash për në kontenë Xhekson të Misurit, më 19 qershor, duke udhëtuar me lundra, me karroca dhe për shumë kilometra në këmbë. Udhëtimi ishte i vështirë dhe i lodhshëm, por Profeti ndjeu kujdesin mbrojtës të Zotit: “Pavarësisht nga prishja dhe neveria e kohëve, si dhe nga shpirti i lig i shfaqur kundrejt nesh në lidhje me besimin tonë në Librin e Mormonit, në shumë vende dhe midis personave të ndryshëm, përsëri Zoti vazhdoi në përkujdesjen e Tij vigjiluese dhe mirësinë e dashur për ne, për çdo ditë; dhe ne e bëmë si rregull, kurdoherë që shfaqej një mundësi, të lexonim një kapitull në Bibël dhe të luteshim; dhe këto çaste adhurimi na dhanë ngushëllim të madh.”1

Nga mesi i korrikut, Profeti mbërriti në Misurin perëndimor, një zonë e mrekullueshme e një stepe të begatë me kodrina, plot me lule. Atje, në përgjigje të përgjërimit të tij për të njohur vendndodhjen specifike të Sionit, Zoti zbuloi se “vendi që tani quhet Independence, është vendi qendror; dhe një vend për tempullin shtrihet në perëndim, mbi një vend që nuk është larg nga gjykata” (DeB 57:3) dhe se duheshin blerë ngastra toke. Më 2 gusht, Jozef Smithi dhe të tjerët u takuan për të filluar ndërtimin e Sionit. Profeti shënoi: “Unë ndihmova degën e Kishës në Kolesvil për të vendosur traun e parë, për një shtëpi, si themelim të Sionit në qytezën Kau, 19 kilometra në perëndim të Indipendensës. Trau u mbart dhe u vendos nga dymbëdhjetë burra, në nder të dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet lutjes, toka e Sionit u shenjtërua dhe u përkushtua nga Plaku Sidni Rigdon për mbledhjen e shenjtorëve. Ishte një kohë gëzimi për të pranishmit dhe u lejoi t’i hidhnin një sy të ardhmes, koha e të cilës nuk është shpalosur ende për kënaqësinë e besnikëve.”2 Ditën pasuese, Profeti përkushtoi vendin e tempullit.

Shenjtorët nga Kolesvili i Nju-Jorkut, qenë nga anëtarët e parë të Kishës që u vendosën në Misuri. Ata kishin kryer udhëtimin e lodhshëm nga Nju-Jorku për në Kirtland të Ohajos, por kishin jetuar në Ohajo vetëm për një kohë të shkurtër përpara se të merrnin urdhrin për të udhëtuar drejt Misurit. Poli Najt, një anëtare e degës së Kolesvilit, udhëtoi për në tokën e Sionit, vetëm që të vdiste atje një javë më vonë. Ndonëse kishte pasur shëndet të dobët, ajo ishte e vendosur që të rezistonte. Biri i saj shkroi: “Ajo ra qetësisht në gjumin e vdekjes, duke u gëzuar në besëlidhjen e re e të përhershme të ungjillit dhe duke lëvduar Perëndinë që jetoi sa të shihte tokën e Sionit. … Vëllai Jozef Smith mori pjesë në funeralin e nënës time dhe na u drejtua në një mënyrë shumë të aftë e ngushëlluese.”3 Ndonëse Profeti u kthye shpejt në Kirtland dhe vazhdoi ta udhëhiqte Kishën që aty deri në 1838-ën, shumë shenjtorë vazhduan të shkojnë në Misuri.

Shenjtorët punuan me zell që të ndërtonin Sionin, por nga fundi i 1833-it, ata i përzunë prej shtëpive të tyre në kontenë Xhekson me përndjekje të egër, duke lënë pas ëndrrat e tyre për ngritjen e Sionit dhe ndërtimin e një tempulli atje. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti zbuloi se nuk ishin plotësuar ende kushtet për shëlbimin e Sionit në atë tokë dhe se ngritja e Sionit duhet “të [priste] për një stinë të vogël” (DeB 105:9).

Mësime të Jozef Smithit

Zoti caktoi kontenë Xhekson të Misurit, si tokën e Sionit – një vend ku do të mblidheshin shenjtorët e kohës së Jozef Smithit dhe ku do të ndërtohej përfundimisht qyteti i shenjtë i Sionit.

“Në qershor [1831], nëpërmjet një vegimi qiellor, unë mora një urdhërim që të udhëtoja në kufijtë perëndimorë të shtetit të Misurit dhe atje të caktoja vendin e saktë që do të ishte vendi qendror për fillimin e mbledhjes së bashku të atyre që përqafojnë plotësinë e ungjillit të përjetshëm. Prandaj ndërmora udhëtimin, bashkë me disa nga vëllezërit e mi, dhe, pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, duke vuajtur shumë vështirësi e mungesa të gjërave më elementare, mbërrita në kontenë Xhekson të Misurit, dhe, pasi vështrova vendin, duke kërkuar me zell nga dora e Perëndisë, Ai na u shfaq neve, dhe na tregoi, mua dhe të tjerëve, vendin e saktë që Ai caktoi për të filluar punën e mbledhjes dhe ndërtimin e një ‘qyteti të shenjtë’ që do të duhej të quhej Sion – Sion, sepse është një vend drejtësie, dhe të gjithë ata që ndërtojnë mbi atë duhet të adhurojnë Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë, dhe të gjithë të besojnë në një doktrinë, madje doktrinën e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit. ‘Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion’ [Isaia 52:8].”4

Nga fillimi i viteve 1830, shenjtorët tentuan të hedhin themelin e Sionit në kontenë Xhekson të Misurit, siç u urdhëruan nga Zoti, por nuk qenë në gjendje ta bënin këtë sepse nuk qenë të përgatitur shpirtërisht. Profeti Jozef Smith tha sa vijon për kohën kur Sioni do të themelohej: “Nga asnjë prej komunikimeve të Shpirtit për mua nuk mund të mësoj se Sioni ka hequr dorë nga pretendimi i saj për një kurorë çelestiale, pavarësisht se Zoti ka shkaktuar që të pikëllohet kësisoj, përveç që këta mund të jenë disa individë, të cilët kanë ecur në mosbindje dhe kanë braktisur besëlidhjen e re; gjithë këta persona do të duken nga punët e tyre në kohën e duhur. Unë kam pritur gjithmonë që Sioni do të vuante disa pikëllime, nga ajo që mund të mësoja nga urdhërimet që janë dhënë. Por unë do t’ju kujtoj për një pikë të caktuar në një komunikim të Shpirtit që thotë se pas shumë mundimesh vijnë bekimet [shih DeB 58:4]. Nga ky dhe gjithashtu të tjerë, dhe gjithashtu nga një komunikim i marrë kohët e fundit, unë e di se Sioni do të shëlbohet, në kohën e duhur të Zotit; por se sa do të jenë ditët e pastrimit, vuajtjes dhe pikëllimit të saj, Zoti e ka mbajtur të fshehtë nga sytë e mi; dhe kur unë pyes në lidhje me këtë temë, zëri i Zotit është: Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi. Të gjithë ata që vuajnë për emrin tim do të mbretërojnë bashkë me mua, dhe ai që e jep jetën për hirin tim do ta gjejë atë përsëri. … Dhëntë Perëndia që, me gjithë pikëllimet dhe vuajtjet [tona] të mëdha, asgjë të mos mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit [shih Romakëve 8:35–39].”5

Ne e ndërtojmë kauzën e Sionit duke u bërë një popull që janë të pastër në zemër dhe duke punuar me zell me një zemër e një mendje.

“Ndërtimi i Sionit është një kauzë që i ka interesuar popullit të Perëndisë në çdo kohë; është një temë mbi të cilën profetët, priftërinjtë dhe mbretërit janë ndalur me ëndje të veçantë; ata e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë; por ata vdiqën pa e parë; ne jemi populli i favorizuar që Perëndia e ka përzgjedhur për të sjellë lavdinë e ditëve të mëvonshme; na është lënë neve që ta shohim, të marrim pjesë dhe të ndihmojmë për ta çuar përpara lavdinë e ditëve të mëvonshme.”6

“Çfarëdo vendi ku mblidhen shenjtorët është Sion, të cilin çdo njeri i drejtë do ta ndërtojë si një vend sigurie për fëmijët e tij.”7

“Do të ketë në vende të ndryshme nga një kunj [të Sionit] për mbledhjen e shenjtorëve…. Aty fëmijët tuaj do të bekohen, dhe ju në mes të miqve, ku ju mund të bekoheni. Rrjeta e Ungjillit mbledh gjithfarë lloje gjërash.

… Ne duhet ta kemi ndërtimin e Sionit si objektivin tonë më të madh. … Po vjen shpejt koha kur asnjë njeri nuk do të ketë paqe, përveçse në Sion dhe në kunjet e saj.”8

“Në lidhje me ndërtimin e Sionit, ai duhet të bëhet sipas këshillës së Jehovait, me anë të zbulesave nga qielli.”9

“Nëse Sioni nuk do ta pastrojë veten, që të mund të miratohet në të gjitha gjërat, para Tij, Ai do të kërkojë një popull tjetër; sepse puna e Tij do të vazhdojë derisa Izraeli të mblidhet dhe ata që nuk do ta dëgjojnë zërin e Tij, duhet të presin të ndiejnë zemërimin e Tij. Më lejoni t’ju them, kërkoni të pastroni veten dhe gjithashtu gjithë banorët e Sionit, që inati i Zotit të mos ndizet në egërsi. Pendohuni, pendohuni, është zëri i Perëndisë drejtuar Sionit; dhe sado e çuditshme të duket, përsëri është e vërtetë, njerëzimi do të ngulmojë në justifikimin e vetes derisa të shfaqet gjithë padrejtësia e tyre dhe karakteri i tyre të jetë përtej pikës së shëlbimit dhe ajo që ruhet si thesar në zemrat e tyre të vihet në dukje para njerëzimit. Unë ju them juve (dhe atë që jua them juve jua them të gjithëve,) të dëgjoni zërin paralajmërues të Perëndisë, që Sioni të mos bjerë dhe Zoti të mos betohet në zemërimin e Tij se banorët e Sionit nuk do të hyjnë në pushimin e Tij.”10

“Për aq kohë sa veprimet e padrejta lejohen në Kishë, ajo nuk mund të shenjtërohet, as Sioni nuk mund të shëlbohet.”11

“Gjithkush le të punojë për t’u përgatitur për vreshtin, duke shpenzuar pak kohë për të ngushëlluar ata që vajtojnë; për të ngushëlluar zemërthyerit; për të korrigjuar të përdalët; për të kthyer endacakun; për të riftuar në mbretëri këta që janë përjashtuar prej saj, duke i nxitur që të përpiqen ndërsa vazhdon dita dhe të punojnë drejtësi, dhe, me një zemër dhe një mendje, të përgatiten për të ndihmuar që të shëlbohet Sioni, ajo tokë e bukur e premtimit, ku ata që janë të gatshëm dhe të bindur do të bekohen. …

[Ne] i lutemi Atit tonë qiellor që ju të mund të jeni plot lutje, shumë të përulur dhe shumë mirëbërës; duke punuar me zell, shpirtërisht dhe materialisht, për shëlbimin e Sionit, që të kulluarit në zemër të mund të kthehen me këngë gëzimi të përhershëm për të ndërtuar vendet e tij të shkretuara dhe të takojnë Zotin kur Ai të vijë në lavdinë e Tij [shih DeB 101:18].”12

Sioni, Jeruzalemi i Ri, do të ndërtohet në kontinentin amerikan.

Nenet e Besimit 1:10: “Ne besojmë në mbledhjen aktuale të Izraelit dhe në rivendosjen e Dhjetë Fiseve; që Sioni (Jeruzalemi i Ri) do të ndërtohet në kontinentin amerikan.”13

“Qyteti i Sionit për të cilin foli Davidi, në Psalmin e njëqindedytë, do të ndërtohet në tokën e Amerikës, ‘të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre’ [Isaia 35:10]; dhe pastaj ata do të çlirohen nga rrebeshi përmbytës që do të kalojë nëpër tokë. Por Juda do ta marrë çlirimin në Jeruzalem. [Shih Joeli 2:32; Isaia 26:20–21; Jeremia 31:12; Psalmet 1:5; Ezekieli 34:11–13.] Këto janë dëshmi që Bariu i Mirë do t’i vërë përpara delet e Tij dhe do t’i udhëheqë ato jashtë nga gjithë kombet ku ato janë shpërndarë në një ditë të vrenjtur e të errët, për në Sion dhe për në Jeruzalem.”14

“Unë do të filloj duke cituar nga profecia e Enokut, që flet për ditët e fundit: ‘Dhe drejtësi do të dërgoj nga qiejt; dhe të vërtetë do të dërgoj nga toka, për të dhënë dëshmi për të Vetëmlindurin tim, ringjalljen e tij së vdekuri [këtë ringjallje unë e kuptoj të jetë trupi fizik]; po, dhe gjithashtu ringjalljen e njerëzve; dhe drejtësi dhe të vërtetë do të bëj të derdhet mbi tokë si në një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e mi nga të katër skajet e tokës, në një vend që unë e kam përgatitur, një Qytet të Shenjtë, që populli im të mund të ngjeshë ijet e tij dhe të presë me padurim kohën e ardhjes sime; sepse atje do të jetë tabernakulli im dhe ai do të quhet Sion, një Jeruzalem i Ri’ [Moisiu 7:62].

Tani unë e kuptoj nga ky citim se … drejtësia dhe e vërteta do të derdhen mbi tokë si në një përmbytje. Dhe tani, unë pyes, si do të derdhen mbi tokë si në një përmbytje drejtësia dhe e vërteta? Unë do të përgjigjem. Njerëzit dhe engjëjt do të jenë bashkëpunëtorë për të bërë që të ndodhë kjo vepër e madhe dhe Sioni duhet të përgatitet, madje një Jeruzalem i ri, për të përzgjedhurit që duhet të mblidhen nga të katër skajet e tokës, dhe të përgatitet një Qytet i Shenjtë, sepse tabernakulli i Zotit do të jetë me ta. …

… ‘Dhe vini re, këtë popull unë do ta vendos në këtë vend, për të plotësuar besëlidhjen që bëra me atin tuaj, Jakobin; dhe do të jetë një Jeruzalem i Ri.’ [3 Nefi 20:22.] Tani ne mësojmë nga Libri i Mormonit tamam kontinentin e pikën e vendit identik ku duhet të qëndrojë Jeruzalemi i Ri dhe ai duhet të merret lart në qiell, sipas vegimit të Gjonit në ishullin Patmos.

Tani shumë do të duan të thonë se ky Jeruzalemi i Ri për të cilin flitet, është Jeruzalemi që u ndërtua nga hebrenjtë në kontinentin lindor. Por ju do ta shihni, nga Zbulesa 21:2, ishte një Jeruzalem i Ri që zbriste nga qielli, nga Perëndia, i stolisur si një nuse për burrin e vet; se pas kësaj, Zbuluesi u ngrit në Shpirt, tek një mal i madh e i lartë dhe pa qytetin e shenjtë e madhështor të zbriste nga qielli, nga Perëndia. Tani, këtu flitet për dy qytete. Meqenëse gjithçka mbi këtë temë nuk mund të shkruhet në një letër, unë do të them me shkurtësi, se ka një Jeruzalem të Ri që duhet të ndërtohet në këtë kontinent dhe gjithashtu Jeruzalemi do të rindërtohet në kontinentin lindor [shih Ethëri 13:1–12]. ‘Vini re, Ethëri pa ditët e Krishtit … Dhe ai foli edhe në lidhje me shtëpinë e Izraelit dhe të Jeruzalemit prej nga duhej të vinte Lehi—pasi të shkatërrohej, ai do të ndërtohej përsëri, një qytet i shenjtë për Zotin; prandaj nuk mund të ishte një Jeruzalem i ri, pasi ai kishte qenë njëherë në kohët e vjetra.’ [Ethëri 13:4–5.]”15

“Profetët kanë thënë në lidhje me Sionin në ditët e fundit: se si lavdia e Libanit do të vijë tek ai, bashkë me selvinë, larshin dhe bredhin, për të zbukuruar vendin e shenjtërores së Tij, që Ai të mund të bëj të lavdishëm vendin ku shkelin këmbët e Tij [shih Isaia 60:13]. Në vend të bronzit, Ai do të sjellë ar; në vend të hekurit, Ai do të sjellë argjend; dhe në vend të drurit bronz; dhe në vend të gurëve hekur [shih Isaia 60:17]; dhe ku banketi me gjellë të shijshme do t’i jepet të drejtit [shih Isaia 25:6]; po, kur shkëlqimi i Zotit merret nga ne parasysh për të mirën e popullit të Tij, llogaritjet e njerëzve dhe lavdia e kotë e botës shuhen, dhe ne thërrasim: ‘Nga Sioni, përsosuri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.’ [Psalmet 50:2.]”16

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Në këtë kapitull, vini re se si Profeti Jozef Smith e përdor fjalën Sion për t’iu referuar vendeve të veçanta dhe popullit të Zotit. Si munden këto përdorime të fjalës t’ju ndihmojnë të kuptoni çfarë do të thotë të ndërtosh Sionin? (Ndërsa mendoni ose diskutoni për këtë pyetje, merrni parasysh të lexoni Doktrina e Besëlidhje 97:21.)

  • Në paragrafin që fillon në fund të faqes 193, Jozef Smithi tregon për dëshirën e tij që të dijë se kur do të ngrihet qyteti i Sionit në kontenë Xhekson, në Misuri. Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Zotit për lutjet e Jozef Smithit?

  • Lexoni paragrafin e dytë të plotë të faqes 194 dhe pastaj dalloni disa vende ku mblidhen shenjtorët. Si mund ta ngremë Sionin në këto vende?

  • Rishihni paragrafin e parë dhe të dytë në faqen 195 dhe mendoni se si kunjet në Kishë japin siguri dhe paqe. Në çfarë mënyrash jeni bekuar kur jeni mbledhur bashkë me anëtarë të tjerë të kunjit tuaj?

  • Në çfarë mënyrash zbatohet në shtëpitë tona këshilla e Profetit për ndërtimin e Sionit?

  • Profeti Jozef na mësoi se, si pjesë e përpjekjes për të ndërtuar Sionin, ne duhet të pastrojmë vetveten individualisht. Cilat janë disa mënyra se si mund ta zbatojmë këtë këshillë? (Për disa shembuj, shih faqet 194–196.) Përse mendoni se individët duhet të jenë të kulluar përpara se Sioni të shëlbohet?

  • Rishihni profecitë e Jozef Smithit mbi dy qytetet e shenjta (faqet 196–198). Çfarë roli luajmë ne në përmbushjen e këtyre profecive?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Zbulesa 21:1–27; DeB 45:65–71; 97:18–25; 103:1–7; Moisiu 7:16–21, 62–69

Shënime

  1. History of the Church, 1:188–189; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 126–127, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 1:196; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 137, Arkivat e Kishës.

  3. Newel Knight, Autobiography and Journal, rreth 1846-s, f. 32, 34, Arkivat e Kishës.

  4. History of the Church, 2:254; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, shtator 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, shtator 1835, f. 179–180.

  5. History of the Church, 1:453–454; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Edward Partridge dhe të tjerëve, 10 dhjetor 1833, Kirtland, Ohio.

  6. History of the Church, 4:609–610; nga “The Temple”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 2 maj 1842, f. 776; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  7. Cituar nga Martha Jane Knowlton Coray, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i në Nauvoo, Illinois; Martha Jane Knowlton Coray, Notebook, Arkivat e Kishës; ky fjalim datohet 19 korrik 1840 në fletoren e shënimeve të Motrës Coray, por fjalimi ndoshta është mbajtur në një datë më të vonshme.

  8. History of the Church, 3:390–391; fjalët në kllapa në origjinal; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  9. History of the Church, 5:65; nga “The Government of God”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 korrik 1842, f. 858; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  10. History of the Church, 1:316; është modernizuar drejtshkrimi; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar William W. Phelps, 11 janar 1833, Kirtland, Ohio; kjo letër është datuar pasaktësisht 14 janar 1833, në History of the Church.

  11. History of the Church, 2:146; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Lyman Wight dhe të tjerëve, 16 gusht 1834, Kirtland, Ohio.

  12. History of the Church, 2:229–230; shënim në fund të faqes; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “To the Saints Scattered Abroad”, Messenger and Advocate, qershor 1835, f. 138.

  13. Nenet e Besimit 1:10.

  14. History of the Church, 1:315; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar N. C. Saxton, 4 janar 1833, Kirtland, Ohio; emri i z. Saxton jepet pasaktësisht si “N. E. Seaton” në History of the Church.

  15. History of the Church, 2:260–262; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; kompleti i parë i fjalëve në kllapa në paragrafin e parë në origjinal; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, nëntor 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, nëntor 1835, f. 209–210.

  16. History of the Church, 1:198; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 139, Arkivat e Kishës.

Pamja
map of Zion

Në vitin 1833, Jozef Smith dhe Frederik G. Uilliams përgatitën këtë hartë për qytetin e Sionit, që duhej të ndërtohej në kontenë Xhekson, në Misuri. Zonat publike në qendër rrethohen nga blloqe të qytetit prej 4 hektarësh me ngastra 0,2 hektarëshe për shtëpi. Qyteti nuk u ndërtua kurrë, por shumë nga idetë bazë të planit u përdorën më vonë në kolonitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Pamja
ward members

“Çfarëdo vendi ku mblidhen shenjtorët është Sion, të cilin çdo njeri i drejtë do ta ndërtojë si një vend sigurie për fëmijët e tij.”