Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11: Organizimi dhe Fati i Kishës së Vërtetë dhe të Gjallë


Kapitulli 11

Organizimi dhe Fati i Kishës së Vërtetë dhe të Gjallë

“Ju nuk dini më shumë lidhur me fatet e kësaj Kishe e mbretërie, sesa foshnja në prehrin e nënës së saj. Ju nuk e kuptoni atë. … Kjo Kishë do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut – ajo do të mbushë botën.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në qershor 1829, Profeti Jozef Smith përfundoi përkthimin e Librit të Mormonit. “Kur përkthimi ynë po i afrohej fundit”, pohoi Profeti, “ne shkuam në Palmira në kontenë Uejn të Nju-Jorkut, siguruam të drejtën e autorit dhe ramë dakord me z.Egbert B. Grandin që të shtypnim pesë mijë kopje për shumën prej tre mijë dollarësh.”1 Egbert B. Grandin ishte një i ri, një vit më i vogël se Jozef Smithi, që kishte një dyqan shtypshkrimi në Palmira. Ai sapo kishte blerë një makinë të re shtypshkrimi me teknologji që e bënte mjaft më të shpejtë procesin e shtypjes. Ishte e mrekullueshme që Profeti qe në gjendje të gjente një makinë shtypi në qytetin rural të Palmirës në gjendje të shtypte kaq shumë kopje të një vëllimi të madh si Libri i Mormonit. Meqenëse shtypja e Librit të Mormonit ishte një projekt kaq i madh dhe i kushtueshëm, Martin Herris i la peng fermën e tij z.Grandin për të siguruar pagimin e shpenzimeve të shtypjes.

Nga fundi i verës së 1829-ës, Jozef Smithi, Martin Herrisi dhe disa të tjerë u mblodhën tek dyqani i shtypshkrimit për të këqyrur bocën e faqes së titullit të Librit të Mormonit, faqja e parë e librit që do të shtypej. Kur Profeti deklaroi se ishte i kënaqur me pamjen e faqes, shtypja përparoi aq shpejt sa qe e mundur. Për përfundimin e punës u deshën rreth shtatë muaj dhe kopje të Librit të Mormonit u vunë në dispozicion të publikut më 26 mars 1830.

Tashmë, me përfundimin e punës së përkthimit dhe botimit të Librit të Mormonit, Jozef Smithi vazhdoi më tej për të organizuar Kishën. Në zbulesën që tani gjendet në seksionin 20 të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti i zbuloi Profetit “ditën e saktë në të cilën, sipas vullnetit dhe urdhërimit të Tij, ne duhej të vazhdonim për të organizuar Kishën e Tij edhe një herë këtu mbi tokë”2. Dita e caktuar ishte 6 prill 1830.

“Ne … u bëmë të njohur vëllezërve tanë”, tha Profeti, “se ne kishim marrë një urdhërim për të organizuar Kishën; dhe në përputhje me këtë u mblodhëm së bashku për atë qëllim, në shtëpinë e z. Piter Uitmer Plakut, (duke qenë gjashtë prej nesh), të martën, ditën e gjashtë të prillit, në vitin e Zotit njëmijë e tetëqind e tridhjetë.”3 Afërsisht 60 vetë u mblodhën në shtëpinë Uitmer në Fajet të Nju-Jorkut, duke i mbushur plot dy dhoma në shtëpi. Gjashtë prej burrave të pranishëm u përcaktuan si anëtarët themelues të Kishës së re për të plotësuar ligjin e Nju-Jorkut – Profeti Jozef Smith, Oliver Kaudri, Hajrëm Smithi, Piter Uitmer i Riu, Samuel Smithi dhe Dejvid Uitmeri.4

Ndonëse Kisha ishte shumë e vogël në fillim, Jozef Smithi pati një ndjesi profetike të fatit të saj madhështor. Uillford Udraf kujtoi se gjatë një takimi priftërie në Kirtland të Ohajos, në prill 1834, Profeti u përpoq të ndihmonte vëllezërit të kuptonin gjendjen e ardhme të mbretërisë së Perëndisë në tokë:

“Profeti i thirri të gjithë ata që mbanin Priftërinë që të mblidheshin në shkollën e vogël me trarë që kishin atje. Ishte një shtëpi e vogël, ndoshta rreth 18 metra katrorë. Por ajo mbajti të gjithë ata që kishin Priftërinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që ishin atëherë në qytetin e Kirtlandit. … Kur ne u mblodhëm, Profeti i thirri Pleqtë e Izraelit me të për të dhënë dëshmi për këtë punë. … Kur ata mbaruan Profeti tha: ‘Vëllezër, unë jam lartësuar dhe udhëzuar shumë me dëshmitë tuaja këtu sonte, por unë dua t’ju them juve sot para Zotit, se ju nuk dini më shumë në lidhje me fatet e kësaj Kishe e mbretërie sesa foshnja në prehrin e nënës së saj. Ju nuk e kuptoni atë.’ Unë u habita disi. Ai tha: ‘Ju shihni vetëm një grusht njerëzish që mbajnë Priftërinë këtu sonte, por kjo Kishë do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut – ajo do të mbushë botën’.”5

Mësime të Jozef Smithit

Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit u organizua nga Jozef Smithi në periudhën e plotësisë së kohëve.

Jozef Smith raportoi ngjarjet e mbledhjes së mbajtur më 6 prill 1830, për të organizuar Kishën: “Pasi e hapëm mbledhjen me lutje solemne drejtuar Atit tonë Qiellor, ne vazhduam, sipas urdhërimit të mëparshëm, t’u drejtoheshim vëllezërve tanë për të ditur nëse ata na pranonin neve si mësuesit e tyre në gjërat e Mbretërisë së Perëndisë dhe nëse ata ishin të kënaqur që ne duhet të vazhdonim e të organizoheshim si një Kishë, sipas urdhërimit të lartpërmendur që ne kishim marrë. Këto propozime të ndryshme ata i pranuan me votë unanime.

Unë pastaj, vendosa duart mbi Oliver Kaudrin dhe e shugurova atë një Plak të ‘Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’ pas së cilës, ai më shuguroi mua gjithashtu në detyrën e një Plaku të po kësaj Kishe. Ne pastaj morëm bukë, e bekuam atë dhe e copëtuam në prani të të tjerëve; gjithashtu verë, e bekuam dhe e pimë bashkë me të tjerët. Ne pastaj vendosëm duart mbi secilin anëtar të veçantë të pranishëm të Kishës, që ata të mund të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të konfirmoheshin anëtarë të Kishës së Krishtit. Fryma e Shenjtë u derdh mbi ne në një masë shumë të madhe – disa profetizuan, ndërkohë që të gjithë lëvduam Zotin dhe u gëzuam së tepërmi. …

Ne në këtë çast vazhduam t’u drejtohemi dhe të shugurojmë disa nga vëllezërit në detyra të ndryshme të Priftërisë, ashtu si Shpirti na shfaqej neve: dhe pas një kohe të gëzueshme që kaluam duke dëshmuar dhe ndier vetë fuqitë dhe bekimet e Frymës së Shenjtë, nëpërmjet hirit të Perëndisë dhuruar mbi ne, e mbyllëm mbledhjen me dijen e këndshme se tani ne ishim anëtarë të veçantë dhe të njohur nga Perëndia, të ‘Kishës së Jezu Krishtit’, të organizuar në përputhje me urdhërimet dhe zbulesat që Ai na kishte dhënë neve në këto ditë të fundit, si dhe në përputhje me rendin e Kishës siç shënohet në Dhiatën e Re.”6

Në konferencën e parë të përgjithshme të Kishës, mbajtur në Fajet të Nju-Jorkut, më 9 qershor 1830, u administrua sakramenti, disa vetë u konfirmuan anëtarë të Kishës, të tjerë u shuguruan në detyra në priftëri dhe Fryma e Shenjtë u derdh mbi shenjtorët. Profeti Jozef Smith shënoi: “Përvoja të tilla si kjo patën si rezultat të frymëzonin zemrat tona me gëzim të papërshkrueshëm dhe na mbushën me nderim e respekt për atë Qenie të Plotfuqishme, me hirin e të cilit ne u thirrëm që të ishim mjete që të sillnim për fëmijët e njerëzve, gëzimin e bekimeve të tilla të shkëlqyera, si ato që po derdheshin mbi ne në atë kohë. Ne e gjetëm veten të përfshirë tamam në të njëjtin rend të gjërave si ai i zbatuar nga Apostujt e shenjtë të lashtësisë. Ne kuptuam rëndësinë dhe solemnitetin e veprimeve të tilla. Dhe ne dëshmuam e ndiem me vetë ndjesitë tona natyrore të njëjtat shfaqje të mrekullueshme të fuqive të Priftërisë. Ne dëshmuam e ndiem dhuratat dhe bekimet e Frymës së Shenjtë si dhe mirësinë e denjimin e një Perëndie të mëshirshëm tek ata që i binden Ungjillit të përjetshëm të Zotit tonë Jezu Krisht. Këto gjëra u ndërthurën për të krijuar brenda nesh ndjesitë e mirënjohjes së gëzueshme dhe për të na frymëzuar me zell dhe energji të reja në çështjen e së vërtetës.”7

Kisha e Krishtit është organizuar sipas urdhrit të Perëndisë.

“Krishti ishte kreu i Kishës, vetë guri i qoshes, shkëmbi shpirtëror mbi të cilin Kisha ishte ndërtuar dhe dyert e ferrit nuk do ta mundnin atë [shih Mateu 16:18; Efesianëve 2:20]. Ai ndërtoi Mbretërinë, zgjodhi Apostujt dhe i shuguroi ata në Priftërinë Melkizedeke, duke u dhënë atyre fuqi të administronin në ordinancat e ungjillit.”8

“‘Krishti … i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues’ [Efesianëve 4:11]. Dhe si u zgjodhën Apostujt, Profetët, Barinjtë, Mësuesit dhe Ungjilltarët? Me anë të profecisë (zbulesës) dhe me anë të vënies së duarve: – me anë të komunikimit hyjnor dhe me anë të ordinancës së caktuar hyjnisht – me anë të mjetit të Priftërisë, të organizuar sipas urdhrit të Perëndisë, me anë të caktimit hyjnor.”9

“[Libri i Mormonit] na tregon se Shpëtimtari ynë u shfaq në këtë kontinent [amerikanin] pas ringjalljes së Tij; se Ai mbolli këtu Ungjillin në gjithë plotësinë e tij dhe pasurinë, dhe fuqinë, dhe bekimin; se ata kishin Apostuj, Profetë, Barinj, Mësues dhe Ungjilltarë; të njëjtin rend, të njëjtën priftëri, të njëjtat ordinanca, dhurata, fuqi dhe bekime siç gëzoheshin në kontinentin lindor.”10

“Një ungjilltar është një Patriark.… Kudo ku Kisha e Krishtit vendoset në tokë, duhet të ketë një Patriark për të përfituar brezat e ardhshëm të shenjtorëve, siç qe me Jakobin që u dha bekim patriarkal bijve të tij.”11

Nenet e Besimit 1:6: “Ne besojmë në të njëjtin organizim që ekzistonte në Kishën Primitive, domethënë, apostuj, profetë, barinj, mësues, ungjilltarë e kështu me radhë.”12

Kisha udhëhiqet nga Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumet e të Shtatëdhjetëve.

“Unë besoj vendosmërisht tek profetët dhe apostujt, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes dhe që flet si një që ka autoritet midis tyre dhe jo si skribët.”13

“Presidentët apo Presidenca [e Parë] janë mbi Kishën; dhe zbulesat e mendjes dhe vullnetit të Perëndisë për Kishën, duhet të vijnë nëpërmjet Presidencës. Ky është rendi i qiellit dhe fuqia e privilegji i Priftërisë [Melkizedeke].”14

“Çfarë rëndësie i bashkangjitet thirrjes së këtyre Dymbëdhjetë Apostujve, që është e ndryshme nga thirrjet apo detyrat e tjera të Kishës?… Ata janë Dymbëdhjetë Apostujt, që janë thirrur në detyrën e Këshillit të Lartë Udhëtues, që duhet të kryesojnë mbi kishat e shenjtorëve. … Ata duhet të mbajnë çelësat e kësaj shërbese, për të çelur derën e Mbretërisë së qiellit në të gjitha vendet dhe për t’i predikuar Ungjillin çdo krijese. Kjo është fuqia, autoriteti dhe virtyti i të qenit të tyre apostull.”15

Orson Prat, që shërbeu në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, raportoi: “Zoti … urdhëroi që duhej të organizohej Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, puna e të cilëve do të ishte t’u predikonin Ungjillin kombeve, së pari tek Johebrenjtë dhe më pas tek Judenjtë. Priftëria u mblodh së bashku pas ndërtimit të Tempullit të Kirtlandit dhe, duke folur për Dymbëdhjetë Apostujt, Profeti Jozef tha se ata e kishin marrë detyrën e Apostullit me të gjitha fuqitë që i përkasin asaj, tamam si Apostujt e lashtë.”16

Uillford Udraf, Presidenti i katërt i Kishës, raportoi: “Jozefi thirri dymbëdhjetë Apostuj. Cilët ishin ata? Zoti i tha atij: ‘Të dymbëdhjetët janë ata që do të dëshirojnë të marrin mbi vete emrin tim me qëllim të plotë të zemrës; dhe nëse dëshirojnë të marrin mbi vete emrin tim me qëllim të plotë të zemrës, ata thirren për të shkuar në gjithë botën për t’i predikuar ungjillin tim çdo krijese’. [DeB 18: 27–28.]… Kur Profeti Jozef organizoi Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, ai u mësoi atyre parimin e unitetit. Ai i bëri ata të kuptonin se duhet të ishin të një zemre e të një mendjeje dhe se duhet të merrnin plotësisht mbi vete emrin e Krishtit; dhe se çfarëdo që t’i urdhëronte Perëndia për të bërë, ata duhet të shkonin dhe ta bënin atë.”17

“Të Shtatëdhjetët duhet të përbëjnë kuorume udhëtues, të shkojnë në të gjithë tokën, kudo që Dymbëdhjetë Apostujt t’i thërrasin ata.”18

“Të Shtatëdhjetët nuk thirren për të shërbyer nëpër tryeza [shih Veprat e Apostujve 6:1–2], … por duhet të predikojnë Ungjillin dhe të ngrenë [kishat], dhe të caktojnë të tjerë, që nuk u përkasin këtyre kuorumeve, të kryesojnë [mbi kishat], që janë Priftërinj të Lartë. Të Dymbëdhjetët gjithashtu duhet … të mbajnë çelësat e Mbretërisë tek të gjithë kombet dhe t’u çelin atyre derën e Ungjillit, dhe të thërrasin të Shtatëdhjetë që të vijojnë pas tyre, dhe t’i ndihmojnë ata.”19

Ndonëse forcat e së ligës mund të përpiqen të shkatërrojnë Kishën, “asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë”.

“Që nga organizimi i Kishës së Krishtit, … më 6 prill 1830, ne kemi pasur kënaqësinë të dëshmojmë përhapjen e së vërtetës në pjesë të ndryshme të tokës sonë, pavarësisht se armiqtë e saj kanë ushtruar zell të pandërprerë për të ndalur rrugën e saj dhe penguar përparimin e saj; ndonëse njerëz të prirur për keq e djallëzorë janë ndërthurur për të shkatërruar të pafajshmen, … megjithatë Ungjilli i lavdishëm, në plotësinë e tij, po përhapet dhe po fiton të kthyer në besim çdo ditë; dhe lutja jonë ndaj Perëndisë është që kjo të mund të vazhdojë dhe njerëzit që bashkohen me Kishën të jenë nga ai lloj që do të shpëtohen në përjetësi.”20

“Standardi i së Vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë; përndjekjet mund të egërsohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të futet në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye.”21

“Dhe përsëri, [Shpëtimtari] u paraqiti atyre një tjetër shëmbëlltyrë në lidhje me Mbretërinë, që duhet të ngrihet pikërisht përpara apo tamam në kohën e të korrave, që thotë sa më poshtë — ‘Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet. Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj.’ [Mateu 13:31–32.] Tani mund të zbulojmë qartë se kjo shëmbëlltyrë është dhënë për të përfaqësuar Kishën ashtu si do të vijë në ditët e fundit. Vini re, Mbretëria e Qiellit përngjasohet me të. Tani, si ngjason me të?

Le të marrim Librin e Mormonit, që një burrë e mori dhe e fshehu në fushën e tij, duke e siguruar me besimin e tij, që të lindte në ditët e fundit, apo në kohën e duhur; le ta vëmë re ndërsa del nga toka, që vërtet llogaritet si më e vogla nga të gjitha farat, por vini re si degëzohet më tej, po, madje lartësohet me degë të larta dhe madhështi si e Perëndisë, derisa, ashtu si fara e sinapit, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet. Dhe është e vërtetë, dhe ka mbirë e dalë nga toka, dhe drejtësia fillon të dërgohet nga qielli [shih Psalmi 85:11; Moisiu 7:62], dhe Perëndia po dërgon fuqitë, dhuratat dhe engjëjt e Tij që të gjejnë strehë në degët e saj.

Mbretëria e Qiellit ngjasohet me kokrrën e farës së sinapit. Vini re, atëherë, a nuk është kjo Mbretëria e Qiellit që po ngre krye në ditët e fundit, në madhështinë e Perëndisë së saj, madje Kisha e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, si një shkëmb i pakalueshëm, i palëkundshëm në mes të oqeanit të fuqishëm, e hapur ndaj stuhive dhe furtunave të Satanit, dhe që deri tani, ka mbetur e palëkundur dhe ende po i qëndron me kurajë valëve sa një mal të kundërshtimit që po ngrihen nga erërat e stuhishme të aftësive mashtruese që po dobësohen, që janë [përplasur] dhe ende vazhdojnë të përplasen me shkumë të llahtarshme kundrejt Kishës triumfuese; të shtyrë para me furi të dyfishuar nga armiku i drejtësisë?”22

Si pjesë e lutjes së tij në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit, të regjistruar më vonë në Doktrina e Besëlidhje 109:72–76, Profeti Jozef Smith tha: “Kujto të gjithë kishën tënde, O Zot, me gjithë familjet e tyre dhe gjithë të afërmit e tyre, me gjithë të sëmurët dhe të munduarit e tyre, me gjithë të varfërit dhe të dobtit e tokës; që mbretëria, që ti e ke ngritur pa duar, të mund të bëhet një mal i madh e të mbushë tërë tokën; që kisha jote të mund të dalë nga vendi i shkretë i errësirës dhe të shkëlqejë e bukur si hëna, e shndritshme si dielli dhe e tmerrshme si një ushtri me flamurë; dhe të zbukurohet si një nuse për atë ditë kur ti do të zbulosh qiejt dhe do t’i bësh malet të rrjedhin poshtë në praninë tënde e luginat të lartësohen, vendet e ashpra të sheshohen; që lavdia jote të mbushë tokën; që kur boria do të bjerë për të vdekurit, ne do të kapemi në re për të të takuar ty, që ne të mund të jemi përherë me Zotin; që rrobat tona të mund jenë të pastra, që ne të mund të vishemi me rrobën e drejtësisë, me palma nëpër duar dhe kurora lavdie në kokat tona e të korrim gëzim të përjetshëm për gjithë vuajtjet tona.”23

Secili prej nesh ka përgjegjësinë të forcojë Kishën dhe të bëjë pjesën e vet për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.

“Kauza e Perëndisë është një kauzë e përbashkët, për të cilën shenjtorët janë njëlloj të interesuar; ne jemi të gjithë gjymtyrët e të njëjtit trup dhe të gjithë marrim nga i njëjti shpirt, dhe pagëzohemi në një pagëzim të vetëm, dhe zotërojmë njëlloj të njëjtën shpresë të lavdishme. Përparimi i kauzës së Perëndisë dhe ndërtimi i Sionit është i rëndësishëm për një njeri po aq sa për çdo njeri tjetër. I vetmi ndryshim është se njëri thirret të plotësojë një detyrë dhe një tjetër një detyrë tjetër, ‘dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të, dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: “Unë nuk kam nevojë për ty”; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: “Unë nuk kam nevojë për ju”’; ndjenja të kundërta të grupeve të ndryshme, interesa të veçantë, qëllime përjashtuese duhet të mënjanohen në kauzën e përbashkët, në interes të së tërës [shih 1 Korintasve 12:21, 26].”24

“Vëllezër dhe motra, jini besnikë, jini të zellshëm, luftoni me këmbëngulje për besimin që iu transmetua njëherë shenjtorëve [shih Juda 1:3]; çdo burrë, grua dhe fëmijë le të kuptojë rëndësinë e punës dhe të veprojë sikur suksesi të varet vetëm nga përpjekja e vet individuale; le të ndihen të gjithë të interesuar për të dhe të mbajnë parasysh se jetojnë në një ditë, mendimi për të cilën ka ngjallur ndjenjat më të thella tek mbretërit, profetët dhe njerëzit e drejtë mijëra vjet më parë – shpresa për të cilën ka frymëzuar notat e tyre më të ëmbla dhe këngët më të ekzaltuara, dhe i ka bërë të shpërthejnë në mënyra të foluri kaq të ngazëllyera, siç janë regjistruar në shkrimet e shenjta; dhe shpejt ne do të na duhet të thërrasim në gjuhën e frymëzimit:

‘Zoti e ka sjellë përsëri Sionin;

Zoti e ka shëlbuar popullin e tij, Izraelin.’ [DeB 84:99.]”25

Siç kujtohet nga Uillford Udraf, Jozef Smithi u bëri deklaratën e mëposhtme anëtarëve të Të Dymbëdhjetëve që po niseshin për një mision në Britaninë e Madhe në 1839-ën: “Pavarësisht se çfarë mund të hasni, shtrëngoni supet e durojeni dhe gjithmonë mbështesni e mbroni interesat e Kishës dhe të Mbretërisë së Perëndisë”26.

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Imagjinoni se si mund të ishte të merrje pjesë në mbledhjen e priftërisë të përshkruar në faqen 142. Si mendoni se do të ishit ndier nëse do të kishit dëgjuar Jozef Smithin të profetizonte se Kisha një ditë do të mbushte botën? Duke hedhur tani vështrimin pas tek ajo profeci, cilat janë mendimet apo ndjenjat tuaja?

  • Rishihni faqet 143–144, duke vënë re veprimet që u ndërmorën në organizimin e Kishës dhe konferencën e parë të përgjithshme. Jozef Smithi tha: “Përvoja të tilla si kjo patën si rezultat të frymëzonin zemrat tona me gëzim të papërshkrueshëm dhe na mbushën me nderim e respekt për [Perëndinë]” (faqe 144). Kur keni pasur ndjenja si ato që përshkroi Jozef Smithi?

  • Rishihni mësimet e Jozef Smithit mbi Kishën në kohën e Jezusit dhe në kohët e Librit të Mormonit (faqet 144–145). Si e ndjek Kisha sot të njëjtin model?

  • Si mendoni, përse na duhen udhëheqës që kryesojnë mbi Kishën mbarëbotërore? (Për disa shembuj, shihni faqet 146–147.) Si jeni bekuar juve nëpërmjet shërbimit të Presidencës së Parë, Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Kuorumeve të Të Shtatëdhjetëve dhe Peshkopatës Kryesuese?

  • Cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja ndërsa lexoni profecitë e Jozef Smithit mbi fatin e Kishës? (Shihni faqet 147–149.) Në çfarë mënyrash mund të marrim pjesë ne në këtë vepër? (Për disa shembuj, shihni faqet 149–150.)

  • Jozef Smithi na mësoi: “Çdo burrë, grua dhe fëmijë le të kuptojë rëndësinë e punës dhe të veprojë sikur suksesi të varet vetëm nga përpjekja e vet individuale” (faqe 150). Mendoni për mënyra të veçanta se si ju mund ta zbatoni këtë këshillë në jetën tuaj.

  • Nëse dikush do t’ju pyeste se përse jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, çfarë do të thoshit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Danieli 2:31–45; Mosia 18:17–29; DeB 20:1–4; 65:1–6; 115:4–5

Shënime

  1. History of the Church, 1:71; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 34, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 1:64; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 29, Arkivat e Kishës.

  3. History of the Church, 1:75–77; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 37, Arkivat e Kishës.

  4. Ligji i Nju-Jorkut kërkonte tre deri nëntë persona për të organizuar ose krijuar aktivitetin e një kishe. Profeti zgjodhi të përdorte gjashtë persona.

  5. Wilford Woodruff, në Conference Report, prill 1898, f. 57, është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe.

  6. History of the Church, 1:77–79; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 37–38, Arkivat e Kishës.

  7. History of the Church, 1:85–86; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 42, Arkivat e Kishës.

  8. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 23 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; Joseph Smith, Collection, Addresses, 23 korrik 1843, Arkivat e Kishës.

  9. History of the Church, 4:574; nga “Try the Spirits”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 1 prill 1842, f. 744–745; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  10. History of the Church, 4:538; nga një letër e Joseph Smith-it shkruar me kërkesën e John Wentworth dhe George Barstow, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 707–708.

  11. History of the Church, 3:381; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 27 qershor 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  12. Nenet e Besimit 1:6.

  13. Letër nga Joseph Smith drejtuar Isaac Galland, 22 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, botuar në Times and Seasons, shkurt 1840, f. 53; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe.

  14. History of the Church, 2:477; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 6 prill 1837, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Messenger and Advocate, prill 1837, f. 487.

  15. History of the Church, 2:200; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga protokolli i një mbledhjeje të një këshilli të Kishës mbajtur më 27 shkurt 1835, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Oliver Cowdery.

  16. Orson Pratt, Millennial Star, 10 nëntor 1869, f. 732.

  17. Wilford Woodruff, Deseret Weekly, 30 gusht 1890, f. 306; është modernizuar përdorimi i germës së madhe.

  18. History of the Church, 2:202; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book B-1, f. 577, Arkivat e Kishës.

  19. History of the Church, 2:431–432; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith më 30 mars 1836, në Kirtland, Ohio.

  20. History of the Church, 2:22; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, prill 1834, f. 152.

  21. History of the Church, 4:540; nga një letër e Joseph Smith-it shkruar me kërkesën e John Wentworth dhe George Barstow, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 709.

  22. History of the Church, 2:268; fjala e fundit në kllapa në origjinal; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit, germës së madhe dhe gramatika; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, dhjetor 1835, Kirtland, Ohio botuar në Messenger and Advocate, dhjetor 1835, f. 227.

  23. Doktrina e Besëlidhje 109:72–76; lutje e dhënë nga Joseph Smith më 27 mars 1836, në dedikimin e tempullit në Kirtland, Ohio.

  24. History of the Church, 4:609; nga “The Temple”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 2 maj 1842, f. 776; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  25. History of the Church, 4:214; nga një raport i Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë, 4 tetor 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, tetor 1840, f. 188.

  26. Cituar nga Wilford Woodruff, Deseret News: Semi-Weekly, 20 mars 1883, f. 1.

Pamja
printing press

Nga fundi i verës së 1829-ës, Jozef Smithi, Martin Herrisi dhe disa të tjerë u mblodhën bashkë me shtypshkruesin e Librit të Mormonit, Egbert B. Grandin, për të këqyrur bocën e faqes së titullit të Librit të Mormonit, faqja e parë që do të shtypej.

Pamja
organization of Church

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua zyrtarisht nga Profeti Jozef Smith më 6 prill 1830, në shtëpinë e Piter Uitmer Plakut, në Fajet të Nju-Jorkut. Kisha e ditëve të mëvonshme është organizuar në të njëjtën mënyrë si dhe Kisha në kohën e Shpëtimtarit, me “apostuj, profetë, barinj, mësues, ungjilltarë e kështu me radhë”.

Pamja
Sunday School

“Përparimi i kauzës së Perëndisë dhe ndërtimi i Sionit është i rëndësishëm për një njeri po aq sa për çdo njeri tjetër. I vetmi ndryshim është se njëri thirret të plotësojë një detyrë dhe një tjetër një detyrë tjetër.”