Shkrimet e Shenjta
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta


“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”, Ide për Studimin e Shkrimeve të Shenjta (2021)

“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”, Ide për Studimin e Shkrimeve të Shenjta

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Ja disa mënyra të thjeshta për ta përmirësuar studimin nga ana juaj të fjalës së Perëndisë në shkrimet e shenjta.

Lutuni për Frymëzim

Shkrimet e shenjta përmbajnë fjalën e Perëndisë. Ndërkohë që jeni duke i studiuar ato, kërkojini Atit tuaj Qiellor për udhërrëfimin e Tij dhe merreni Shpirtin e Tij për t’ju ndihmuar që t’i kuptoni ato.

Kërkoni të Vërteta rreth Jezu Krishtit

Shkrimet e shenjta na mësojnë se të gjitha gjërat dëshmojnë për Krishtin (shih 2 Nefi 11:4; Moisiu 6:63), kështu që kërkojeni Atë në ngjarjet, historitë dhe mësimet e shkrimeve të shenjta. Merreni parasysh t’i shënoni ose t’i shenjoni vargjet që na mësojnë për Shpëtimtarin dhe se si ta ndjekim Atë.

Kërkoni Fjalë dhe Fraza Frymëzuese

Ju mund të zbuloni se fjalë dhe fraza të caktuara në shkrimet e shenjta ju lënë mbresë, sikur të ishin shkruar posaçërisht për ju. Ato mund t’ju duken me domethënie vetjake dhe mund t’ju frymëzojnë e t’ju japin shtytje. Merreni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose t’i shkruani ato në një ditar studimi.

Kërkoni të Vërteta të Ungjillit

Nganjëherë të vërtetat e ungjillit (shpesh të quajtura doktrinë ose parime) shprehen drejtpërsëdrejti dhe nganjëherë ato nënkuptohen nëpërmjet një shembulli apo historie. Pyeteni veten: “Çfarë të vërtetash të ungjillit na mësohen në këto vargje?”

Dëgjojeni Shpirtin

Kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja, edhe nëse ato nuk kanë lidhje me atë që po lexoni. Ato mbresa mund të jenë pikërisht gjërat që Ati juaj Qiellor dëshiron që ju të mësoni dhe të ndieni.

grua duke studiuar shkrimet e shenjta 2

Përshtatini Shkrimet e Shenjta me Jetën Tuaj

Merreni parasysh mënyrën se si historitë dhe mësimet që po lexoni, gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, ju mund ta pyetni veten: “Çfarë përvojash kam pasur që janë të ngjashme me atë që po lexoj?” ose “Si mund ta ndjek shembullin e këtij personi në shkrimet e shenjta?”

Bëni Pyetje

Bërja e pyetjeve rreth ungjillit mund t’ju ndihmojë të vendosni se çfarë të studioni. Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, mund t’ju lindin pyetje në mendje. Këto pyetje mund të kenë lidhje me atë që po lexoni ose me jetën tuaj në përgjithësi. Përsiatini këto pyetje dhe kërkoni përgjigje ndërkohë që vazhdoni t’i studioni shkrimet e shenjta. Pas studimit tuaj, pyesni se çfarë do të donte më shumë Perëndia që ju të mësonit dhe shikoni për përgjigje gjatë orëve dhe ditëve të ardhshme.

Përdorni Ndihma për Studimin e Shkrimeve të Shenjta

Për të marrë ide shtesë për vargjet që lexoni, përdorni poshtëshënimet, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) dhe ndihma të tjera për studimin.

Shqyrtojeni Kontekstin e Shkrimeve të Shenjta

Ju mund të gjeni ide kuptimplota rreth një shkrimi të shenjtë nëse shqyrtoni kontekstin e tij – rrethanat ose mjedisin e shkrimit të shenjtë. Për shembull, njohja e sfondit historik dhe e bindjeve të njerëzve të cilëve u foli një profet, mund t’ju ndihmojë të kuptoni qëllimin e mesazheve të tij.

burrë duke studiuar shkrimet e shenjta

Shënojini Mendimet dhe Ndjenjat Tuaja

Ka shumë mënyra se si t’i shënoni mbresat që ju vijnë teksa studioni. Për shembull, ju mund ta shenjoni një fjalë apo frazë kuptimplotë dhe t’i mbani shënim mendimet tuaja duke i shkruar në shkrimet tuaja të shenjta. Gjithashtu mund të mbani një ditar me idetë, ndjenjat dhe mbresat që merrni. Ose mund ta shënoni pyetjen që bëtë përpara fillimit të studimit tuaj, e ndjekur nga përgjigjet drejt të cilave u udhërrëfyet.

Studiojini Fjalët e Profetëve dhe të Apostujve të Ditëve të Mëvonshme

Lexojeni atë që kanë dhënë mësim profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme rreth parimeve që i gjeni në shkrimet e shenjta. Mesazhet e tyre janë në dispozicion te “Konferenca e Përgjithshme”, “Revistat” dhe koleksione të tjera te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Lexojini Historitë

Lexojini historitë në shkrimet e shenjta, duke kërkuar të kuptoni kontekstin e tyre (kohën, vendin, folësin dhe publikun). Tregimet e ilustruara të shkrimeve të shenjta janë një burim i mrekullueshëm për këtë, veçanërisht për fëmijët dhe anëtarët që janë më pak të njohur me shkrimet e shenjta.

Jepni Ide

Diskutimi rreth ideve që dalin nga studimi juaj vetjak është një mënyrë e mirë për t’u dhënë mësim të tjerëve dhe ndihmon në forcimin e të kuptuarit tuaj për atë që keni lexuar.

Jetoni sipas Asaj që Mësoni

Studimi i shkrimeve të shenjta mund të na frymëzojë dhe udhëheqë që ta ndryshojmë mënyrën se si jetojmë. Dëgjojeni atë që Shpirti ju nxit të bëni ndërsa lexoni, dhe më pas zotohuni që të veproni sipas atyre nxitjeve.