Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
Njeriu im i dashur është gej. Çfarë duhet të bëj?


“Njeriu im i dashur është gej. Çfarë duhet të bëj?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Familja dhe Miqtë (2020)

“Njeriu im i dashur është gej. Çfarë duhet të bëj?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Familja dhe Miqtë

Njeriu im i dashur është gej. Çfarë duhet të bëj?

Filloni me Dashurinë

Të flasësh për tërheqjen ndaj së njëjtës gjini të dikujt mund të jetë tmerruese dhe pështjelluese. Fëmija, bashkëshorti/ja ose pjesëtari i familjes suaj mund të mos ketë ditur se si të flasë me ju për këtë. Ndonjëherë mund të ndiheni të papërshtatshëm. Ndonëse mund të mos dini gjithmonë se si të përgjigjeni ndaj vështirësive me të cilat përballet pjesëtari i familjes suaj, juve nuk do t’ju vijë kurrë keq që jepni ndihmë me dashuri e mirëkuptim.

Nuk do t’ju vijë kurrë keq që i thoni “Të dua”.

Nuk do t’ju vijë kurrë keq që i hidhni krahët në qafë njeriut tuaj të dashur dhe që e përqafoni atë. Nuk do t’ju vijë kurrë keq që e dëgjoni. Nuk do t’ju vijë kurrë keq që përpiqeni të mirëkuptoni.

Nëse e teproni në reagimin tuaj, zemëroheni ose thoni gjëra për të cilat ju vjen keq, mos u shkurajoni. Ky është një çast i vetëm në një bashkëbisedim të përhershëm. Asnjëherë nuk është tepër vonë për të kërkuar ndjesë.

Nëse e merrni vesh nga dikush tjetër për tërheqjen ndaj së njëjtës gjini të njeriut tuaj të dashur, mos e merrni personale. Të flasësh për tërheqjen ndaj së njëjtës gjini mund të jetë tmerruese dhe pështjelluese. Njeriu juaj i dashur mund të mos ketë ditur se si të bisedojë me ju për këtë.

Është e natyrshme të brengoseni. A ndieni se ëndrra juaj për familjen “e përsosur” po ju ikën nga duart? A druheni se mos humbni një marrëdhënie të ngushtë? A druheni se njeriu juaj i dashur nuk do të trajtohet me dashamirësi? Këto ndjenja janë të natyrshme. Nuk është turp të brengosesh.

Mos e fajësoni veten për tërheqjen ndaj së njëjtës gjini të njeriut tuaj të dashur. Ky nuk është faji i askujt. Faji nuk është as i nevojshëm, as i dobishëm.

Kërkoni Udhërrëfim Shpirtëror

Si një pjesëtar i familjes, pyetja më pak frytdhënëse është “përse?” Lutja e dytë më pak frytdhënëse është “të lutem, hiqe këtë menjëherë”. Pyetja më e dobishme që mund të bëni është “si?” Si mund të ndihmoj? Si mund të jem përkrahja për të cilën ka nevojë njeriu im i dashur? Si mund të mësojmë nga kjo?

Kërkoni njohuri dhe mësoni gjithçka mundeni. Flisni me peshkopin ose presidentin tuaj të degës dhe merrni këshillë nga një shërbëtor i autorizuar i Zotit. Nëse ndieni nxitje, kërkojini atij një bekim priftërie për t’ju ndihmuar të përmbushni nevojat e njeriut tuaj të dashur. Disa njerëz gjejnë këndvështrim te grupet përkrahëse ose përmes frekuentimit të tempullit. Në fakt, nuk ka vend më të mirë për të gjetur paqe dhe këndvështrim sesa në tempull.

Ndërtoni Kuptueshmëri

Rrethohuni nga njerëz që ju bëjnë të ndiheni mirë. Disa njerëzve iu intereson vërtet. Disa njerëz janë kureshtarë. Bërja e pyetjeve mund të ndihmojë për të kuptuar më shumë, por gjithashtu mund të jetë rraskapitëse. Sigurohuni që ta mbushni baterinë tuaj shpirtërore duke harxhuar kohë cilësore në vende të shenjta. Askush nuk interesohet më shumë se Ati juaj në Qiell.

Të mësuarit se si të jeni prind në këtë rrugëtim, do t’ju tendosë. Ndërsa kërkoni shoqërimin e Shpirtit, do të afroheni më shumë me Perëndinë, fëmijën tuaj dhe, nëse gjen zbatim, me bashkëshortin/en tuaj. Mbajeni mend që ta respektoni lirinë e zgjedhjes. Nëse bashkëshorti/ja juaj nuk pajtohet me mënyrën se si ju i përballoni gjërat, zgjidheni këtë me respekt. Nëse fëmija juaj bën zgjedhje me të cilat nuk pajtoheni, bëjani të ditur atij/asaj se si ndiheni me dashamirësi. Asnjëherë mos u përpiqni ta kontrolloni ose manipuloni atë. Jepuni kohën tuaj dhe sigurojini për dashurinë tuaj.

Drejtpeshimi i Dashurisë dhe Ligjit

“Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, shumë prej nesh – jo të gjithë ne, por shumë prej nesh – janë të prirur të këmbëngulin te ligji dhe e bëjnë këtë në një mënyrë të ashpër.

Marr shumë letra nga njerëz që janë shkatërruar nga zgjedhjet që bëhen nga dikush në familjen e tyre. Ata thonë: ‘Çfarë duhet të bëjmë?’ Dhe gjëja e parë që u sugjeroj gjithmonë, është që të vazhdojnë t’i duan ata. Në fund, ka gjithmonë diçka që ju mund ta bëni. Ne duhet të kemi në mendje urdhërimet e Zotit, të cilave do t’u referohem si ligji, dhe gjithashtu urdhërimin e madh për të dashur njëri-tjetrin. Dhe ato do të krijojnë përplasje kur dikush me të cilin shoqërohemi, nuk po i zbaton urdhërimet ose nuk po e zbaton ligjin. Kjo na e bën më të vështirë që të shoqërohemi me ta dhe t’i duam ata. E megjithatë, nëse e duam individin dhe në të njëjtën kohë mbahemi fort tek ato që e dimë se janë përgjegjësitë tona ndaj ligjit, është e mundur ta bëjmë këtë. …

Ne nuk duhet të fillojmë ndërveprimin tonë me njerëz që po bëjnë zgjedhje të ndryshme nga ato që ne dëshirojmë, duke u grindur për zgjedhjet e tyre. Është më mirë që të fillojmë të flasim rreth pyetjeve: Cili është këndvështrimi yt? Cilat janë vlerat e tua bazë? Çfarë dëshiron të përmbushësh? Më pas në atë kontekst, ne mund të shpjegojmë se shqetësohemi për urdhërimet e Zotit pasi ajo që është e rëndësishme për ne, është të qëndrojmë në shtegun drejt jetës së përjetshme.

Neve na janë dhënë urdhërime. Kur u bindemi atyre urdhërimeve, ne jemi të bindur. Pasoja e të qenit të bindur ndaj urdhërimeve është të jemi në harmoni me ligjin e përjetshëm që na lejon të rritemi dhe të përparojmë drejt jetës së përjetshme. Shpëtimtari i urdhëroi pasuesit e Tij: ‘Ta doni njëri‑tjetrin; sikurse unë ju kam dashur’ (Gjoni 13:34). Prandaj ne shohim te mënyra se si na deshi Ai. Ai flijoi jetën e Tij për ne. Ai ishte gjithmonë i interesuar për individin. Ai i ndihmonte njerëzit në një mënyrë të mrekullueshme. Unë mendoj se ata janë të gjithë tregues të mënyrës se si ne mund ta duam njëri-tjetrin siç Ai na deshi. Nëse e bëjmë Atë shembullin tonë, ne gjithmonë duhet të përpiqemi që t’i afrohemi çdo njeriu për ta përfshirë” (Dallin H. Oaks, “Love and Law”, ChurchofJesusChrist.org).

Dashuria hyjnore nuk e justifikon mëkatin – “Unë, Zoti, nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit” – por dëshiron që të falë: “Megjithatë, ai që pendohet dhe i bën urdhërimet e Zotit, do të falet” (Doktrina e Besëlidhje 1:31–32). Në të njëjtën mënyrë, ne nuk duhet të bëjmë lëshime te mënyra se si i jetojmë dhe i mbrojmë urdhërimet e Perëndisë por, që ta pasqyrojmë tërësisht dashurinë e Perëndisë, ne gjithashtu duhet ta duam njëri-tjetrin aq sinqerisht dhe plotësisht, saqë asnjë njeri të mos ndihet i braktisur ose i vetmuar apo i pashpresë.

Të Flasësh për Depresionin dhe Vetëvrasjen

Ndjenjat e depresionit janë të vërteta dhe mund të jenë dërrmuese dhe ligështuese. Shpesh këshillimi profesional dhe kujdesi mjekësor mund t’i ndihmojnë njerëzit që përballen me depresionin. Kur ndjenjat e depresionit kthehen në mendime për vetëvrasje, është vendimtare që të keni dikë me të cilin të flisni. Njerëzit që kanë prirje vetëvrasëse, kanë dhembje të konsiderueshme fizike, mendore ose emocionale; shpesh izolohen dhe mund të ndiejnë se nuk kanë shpresë për të ardhmen. Ata mund të ndiejnë se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’i dhënë fund dhembjes gjymtuese përveçse duke marrë jetën e vet. Mendimet për vdekje nëpërmjet vetëvrasjes shpesh sillen ndër mend, merren në konsideratë dhe rimerren në konsideratë përpara se të bëhet ndonjë përpjekje. Gjatë kësaj periudhe kur janë duke e menduar, ndërhyrja mund të shpëtojë një jetë.

Parandalimi i vetëvrasjes fillon me njohjen e shenjave paralajmëruese. Për një listë të shenjave paralajmëruese, ju mund të vizitoni faqen [vetëm në anglisht] American Foundation of Suicide Prevention [Fondacioni Amerikan i Parandalimit të Vetëvrasjeve].

Nëse duket se dikush mund të jetë në rrezik, gjëja më e mirë që një person mund të bëjë, është të flasë me atë lidhur me rrezikun. Mund të duket e vështirë ose mendjemadhësi, por njerëzit që janë në depresion shpesh kanë nevojë të skajshme për dikë me të cilin të flasin, dikë që t’i ndihmojë të përpunojnë mendimet dhe ndjenjat. Këto bashkëbisedime mund të jenë të vështira, por janë vendimtare për të zvogëluar ndjenjat e izolimit dhe mungesës së shpresës që mund të çojnë në vetëvrasje. Nëse duket se një person rrezikon menjëherë që të kryejë vetëvrasje, telefonojini shërbimit telefonik kombëtar, në dispozicion çdo ditë në 24 orë, te numrat: 116111 për fëmijët dhe adoleshentët deri në moshën 18 vjeç, 116117 për vajza të moshës mbi 18 vjeç dhe për gra. Për informacion më të hollësishëm vizitoni faqen e internetit https://alo116.al.

Shërbimet Telefonike për Ndihmë në Raste Krizash, ChurchofJesusChrist.org