Thirrjet në Mision
Kapitulli 10: Jepni Mësim për të Ndërtuar Besim te Jezu Krishti


“Kapitulli 10: Jepni Mësim për të Ndërtuar Besim te Jezu Krishti”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 10”, Predikoni Ungjillin Tim

Pamja
Sermon on the Mount [Predikimi në Mal], nga Harry Anderson

Kapitulli 10

Jepni Mësim për të Ndërtuar Besim te Jezu Krishti

Merreni Parasysh Këtë

  • Si mund të jap mësim me anë të Shpirtit?

  • Si mund të jap mësim nga shkrimet e shenjta?

  • Si duhet ta tregoj dëshminë time kur jap mësim?

  • Si mund ta planifikoj dhe përshtat mësimdhënien time për të plotësuar nevojat e njerëzve?

  • Si mund të bëj pyetje më të mira dhe të jem një dëgjues më i mirë?

  • Si mund t’i ndihmoj njerëzit të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre dhe të marrin udhërrëfim e forcë?

Ju jeni thirrur për t’ua mësuar ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit sa më shumë njerëzve që do t’ju pranojnë. Mësimdhënia është qendrore në çdo gjë që bëni. Teksa mbështeteni te Zoti për ndihmë, Ai ka premtuar:

“Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (Doktrina e Besëlidhje 84:88).

Lutuni, studioni dhe ushtrohuni për të përmirësuar aftësitë tuaja në mësimdhënie. Vërini në zbatim parimet në këtë kapitull dhe në kapituj të tjerë të këtij libri. Kërkojeni me zell dhuntinë e mësimdhënies në mënyrë që të mund të bekoni të tjerët dhe të lëvdoni Perëndinë. Zoti do t’ju ndihmojë me fuqi dhe autoritet teksa e kërkoni Atë me zell dhe e mësoni fjalën e Tij.

Kërkoni të Jepni Mësim siç Dha Shpëtimtari

Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi “shko[i] … duke mësuar …, duke predikuar … dhe duke shëruar” (Mateu 4:23). Ai dha mësim në shumë rrethana, në sinagoga, në shtëpi dhe në rrugë. Ai dha mësim në grupe të mëdha njerëzish dhe bashkëbisedime private. Disa prej ndërveprimeve të Tij më të fuqishme ishin shumë të shkurtra ose në rrethana të pazakonta. Ai dha mësim nëpërmjet veprimeve të Tij si edhe fjalëve të Tij.

Shpëtimtari i dha mësim çdo personi sipas nevojave të tij ose të saj të pashoqe. Për shembull, kur i shërbeu një burri të paralizuar, Ai ia fali mëkatet dhe e shëroi atë (shihni te Marku 2:1–12). Kur i shërbeu një gruaje që kishte kryer tradhti bashkëshortore, Ai e mbrojti atë dhe e ftoi të mos mëkatonte më (shihni te Gjoni 8:2–11). Kur foli me një të pasur që dëshironte jetë të përjetshme, Ai “ndjeu dashuri për të” pavarësisht refuzimit të të riut që ta pranonte ftesën e Tij për ta ndjekur Atë (Marku 10:21; shihni te vargjet 17–21).

Ju mund ta përmirësoni mësimdhënien tuaj duke mësuar mënyrën se si dha mësim Shpëtimtari. Për shembull, Ai e deshi Atin dhe ata të cilëve Ai u dha mësim. Ai ishte plot lutje. Ai dha mësim nga shkrimet e shenjta. Ai u përgatit shpirtërisht. Ai bëri pyetje të frymëzuara. Ai i ftoi njerëzit të vepronin me besim. Ai i vuri në zbatim parimet e ungjillit në jetën përditshme.

Të kërkoni të jepni mësim siç dha Shpëtimtari është një kërkim që zgjat gjithë jetën. Ajo do t’ju vijë rresht pas rreshti teksa e ndiqni Atë (shihni te 2 Nefi 28:30; Ethëri 12:41).

“[Kërko] ta Fitosh Fjalën Time”

Për të dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit, ju keni nevojë të dini doktrinën dhe parimet e tij bazë. Ju gjithashtu keni nevojë për njohuri shpirtërore dhe pohim për të vërtetat e ungjillit. Zoti tha: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time”.

Të “fitosh” fjalën e Zotit do të thotë ta studioni atë dhe ta lini të rrënjoset thellë në zemrën tuaj. Teksa e bëni këtë përpjekje, Ai premtoi: “Atëherë gjuha jote do të zgjidhet; atëherë, nëse dëshiron, ti do të kesh Shpirtin tim dhe fjalën time, po, fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit” (Doktrina e Besëlidhje 11:21).

Pamja
person duke shenjuar shkrimet e shenjta

Zoti gjithashtu tha që të “mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës” (Doktrina e Besëlidhje 84:85). Mbledhja si thesar e fjalëve të Zotit do ta rritë njohurinë tuaj dhe do ta forcojë dëshminë tuaj. Dëshira dhe aftësia juaj për të dhënë mësim ungjillin do të rriten po ashtu. (Shihni te Jakobi [LiM] 4:6–7; Alma 32:27–42; 36:26; 37:8–9.)

Fitojeni plot lutje dhe ruajeni si thesar fjalën e Zotit duke i studiuar shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të gjallë dhe mësimet te kapitulli 3.

Jepni Mësim me Anë të Shpirtit

Ungjilli i Jezu Krishtit është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Për atë arsye, mesazhi i Rivendosjes së ungjillit nevojitet të jepet mësim me anë të fuqisë hyjnore – fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Është e rëndësishme që ju të zhvilloni aftësitë e mësimdhënies. Është gjithashtu e rëndësishme që të mësoni doktrinën dhe parimet që jepni mësim. Megjithatë, kur jepni mësim të vërtetat shpirtërore, ju nuk mbështeteni në radhë të parë te aftësitë dhe njohuritë tuaja.

Të vërtetat shpirtërore jepen mësim me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Zoti tha: “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit; dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim” (Doktrina e Besëlidhje 42:14; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 50:13–14, 17–22).

Çfarë do të Thotë të Jepni Mësim me Anë të Shpirtit

Kur jepni mësim me anë të Shpirtit, ju luteni që të keni fuqinë e Frymës së Shenjtë në mësimdhënien tuaj. Ju gjithashtu luteni që njerëzit do t’i pranojnë të vërtetat me anë të Shpirtit. Njerëzit mund të binden për disa të vërteta, por që të kthehen në besim, ata duhet të kenë përvoja me Shpirtin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 8:2–3).

Përgatituni që të jeni një mjet nëpërmjet të cilit Shpirti mund të japë mësim. Konsiderojeni Frymën e Shenjtë si shokun tuaj në mësimdhënie.

Mbështetuni te Shpirti për t’ju ndihmuar që të dini se çfarë të thoni. Ai do t’ju sjellë në kujtesë doktrinën që keni studiuar. Ai do t’ju ndihmojë të planifikoni dhe përshtatni atë që jepni mësim, sipas nevojave të një personi.

Kur jepni mësim me anë të Shpirtit, Ai do ta mbartë mesazhin tuaj në zemrat e njerëzve. Ai do ta pohojë mesazhin tuaj kur të jepni dëshminë tuaj. Ju dhe ata që e pranojnë atë që jepni mësim me anë të Shpirtit, do të lartësoheni, do ta kuptoni njëri‑tjetrin dhe do të gëzoheni së bashku. (Shihni te 2 Nefi 33:1; Doktrina e Besëlidhje 50:13–22.)

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Shpirti është elementi i vetëm më i rëndësishëm i kësaj pune. Me Shpirtin që e lartëson thirrjen tuaj, ju mund të bëni mrekulli për Zotin në fushën e misionit. Pa Shpirtin, ju kurrë nuk do të keni sukses pavarësisht nga talenti dhe aftësitë tuaja” (Ezra Taft Benson, seminar për presidentët e rinj të misioneve, 25 qershor 1986).

Premtimi i Thirrjes Suaj

Ju jeni thirrur dhe veçuar “për të predikuar ungjillin tim me anë të Shpirtit, madje të Ngushëlluesit, i cili u dërgua për të predikuar të vërtetën” (Doktrina e Besëlidhje 50:14). Me raste mund të ndiheni në siklet dhe të papërshtatshëm. Ndoshta ju shqetësoheni se nuk dini mjaftueshëm ose që nuk keni mjaft përvojë.

Ati juaj Qiellor, i cili ju njeh përsosurisht, ju thirri për shkak të asaj që mund të ofroni si një pasues i zotuar i Jezu Krishtit. Ai nuk do t’ju braktisë. Mirëbesoni se Shpirti do t’i lartësojë aftësitë tuaja dhe do t’ua mësojë të vërtetën atyre që e pranojnë atë.

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

Plaku Nil L. Andersen tha: “Teksa mendoja për sfidën e një misioni, u ndjeva i papërshtatshëm dhe i papërgatitur. Më kujtohet që u luta: ‘Atë Qiellor, si mund të shërbej në një mision kur di kaq pak?’ Unë besoja te Kisha, por e ndieja se njohuria ime shpirtërore ishte shumë e kufizuar. Teksa lutesha, më erdhi ndjenja: ‘Ti nuk di çdo gjë, por di mjaftueshëm!’ Ajo siguri më dha kurajën që të ndërmerrja hapin vijues në fushën e misionit” (“Ju Dini Mjaftueshëm”, Liahona, nëntor 2008, f. 13).

Ftojeni Shpirtin kur Filloni të Jepni Mësim

Çastet e para me njerëzit janë shumë të rëndësishme. Jini të vërtetë dhe të respektueshëm. Tregoni interesim të sinqertë dhe dashuri. Kërkoni të fitoni mirëbesimin e tyre. Një mënyrë se si ta fitoni mirëbesimin, është kur njerëzit e ndiejnë Shpirtin me ju.

Bëni disa pyetje të thjeshta për t’ju ndihmuar që të kuptoni rrethanat e tyre dhe pritshmëritë e tyre lidhur me vizitat tuaja. Dëgjojini me vëmendje.

Përpara se të filloni, ftojini të gjithë ata që janë të pranishëm, që të bashkohen në mësim. Nxitini që t’i largojnë shpërqendrimet në mënyrë që të mund të ndihet Shpirti i Zotit.

Shpjegoni se dëshironi ta filloni dhe ta përfundoni çdo mësim me lutje. Ofroni të jepni lutjen e hapjes. Lutuni thjesht dhe me çiltërsi që Perëndia t’i bekojë njerëzit të cilëve po u jepni mësim, në çdo aspekt të jetës së tyre. Lutuni që të mund ta ndiejnë të vërtetën e asaj që ju do të jepni mësim. Mbani mend se “shumë fuqi ka lutja e [personit] të drejt[ë] kur bëhet me gjithë shpirt” (Jakob [Bibla] 5:16).

Kini besim te fuqia e Frymës së Shenjtë për të kthyer në besim. Siç udhëhiqeni nga Shpirti, ju mund të shprehni mendime të tilla si ato që vijojnë, teksa filloni mësimdhënien:

  • Perëndia është Ati ynë i dashur Qiellor. Ne jemi të gjithë vëllezër e motra. Ai do që ne të përjetojmë gëzim.

  • Të gjithë kemi sfida dhe vështirësi. Pavarësisht se çfarë po kaloni, Jezu Krishti dhe mësimet e Tij mund t’ju ndihmojnë. Ai mund t’ju ndihmojë të gjeni paqe, shpresë, shërim dhe lumturi. Jezusi mund t’ju ndihmojë të keni forcë më të madhe për sfidat e jetës.

  • Të gjithë bëjmë gabime, të cilat mund të krijojnë ndjenja faji, turpi dhe keqardhjeje. Këto ndjenja do të largohen vetëm kur pendohemi dhe kërkojmë faljen e Perëndisë. Vetëm përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit ne mund të shërohemi plotësisht nga mëkatet tona.

  • Ne do të jemi udhërrëfyes në mënyrë që ju të mund ta mësoni vetë të vërtetën e mesazhit tonë. Ne do t’ju ftojmë të bëni disa gjëra, të tilla si leximi, lutja dhe frekuentimi i Kishës. Roli ynë është që t’ju ndihmojmë të veproni sipas këtyre ftesave dhe të shpjegojmë bekimet që mund të merrni. Ju lutemi, bëni pyetje.

  • Ne jemi thirrur nga një profet i Perëndisë për të treguar atë që dimë. E dimë se mesazhi ynë është i vërtetë.

  • Ne do t’ju mësojmë se si të bëni besëlidhje ose premtime të veçanta me Perëndinë. Këto besëlidhje do t’ju lidhin me Perëndinë dhe do t’ju lejojnë të merrni gëzim, forcë dhe premtime të veçanta prej Tij.

  • Ju do të mësoni se si të bëni ndryshime në jetën tuaj dhe të ndiqni Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Një mësim thelbësor i Jezu Krishtit dhe besëlidhja e parë që bëjmë, është të ndjekim shembullin e Tij dhe të pagëzohemi me anë të autoritetit të duhur (shihni te Gjoni 3:5; Doktrina e Besëlidhje 22).

Pamja
misionarë duke u lutur

Përpara se të jepni një mësim, jepni një pasqyrë të thjeshtë të asaj që do të jepni mësim. Ndihmojini njerëzit të shohin se si do të lidhet me ta. Për shembull, ju mund të thoni: “Jemi këtu për të ndarë mesazhin se Jezu Krishti ka themeluar Kishën e Tij në tokë sot dhe ka thirrur profetë të gjallë për të na udhëhequr”. Ose ju mund të thoni: “Jemi këtu për t’ju ndihmuar të dini se Perëndia ju do dhe ka një plan për lumturinë tuaj”.

Të gjithë njerëzit do të përfitojnë teksa e pranojnë dhe e jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit. Ati Qiellor mund t’i ketë bekuar njerëzit që ju gjeni, me përgatitje të çmuar shpirtërore (shihni tek Alma 16:16–17.)

Të ftuarit e Shpirtit dhe shpallja e së vërtetës në mbledhjen e parë do t’i ndihmojnë njerëzit që t’ju dallojnë si shërbëtorë të Zotit.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Përdorini sugjerimet në këtë pjesë për të ushtruar mënyra të ndryshme se si ta filloni një mësim.

Përdorini Shkrimet e Shenjta

Veprat standarde të Kishës janë burimet tuaja bazë për mësimdhënien e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ka shumë arsye përse është jetike që të përdorni shkrimet e shenjta si bazë për mësimdhënien tuaj. Për shembull:

  • Shkrimet e shenjta e ftojnë Frymën e Shenjtë në mësimdhënien tuaj (shihni te Lluka 24:13–32).

  • Shkrimet e shenjta kanë një efekt më të fuqishëm në mendjen e njerëzve sesa çdo gjë tjetër (shihni tek Alma 31:5).

  • Shkrimet e shenjta trajtojnë pyetje të mëdha të shpirtit (shihni te kapitulli 5; shihni edhe te 2 Nefi 32:3; Jakobi [LiM] 2:8).

  • Shkrimet e shenjta i japin autoritet dhe vlefshmëri mësimdhënies suaj.

  • Zoti dhe profetët e Tij kanë thënë të bëjmë kështu (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:12, 56–58; 71:1).

Duke i përdorur shkrimet e shenjta në mësimdhënien tuaj, ju mund t’i ndihmoni të tjerët të fillojnë që t’i studiojnë vetë shkrimet e shenjta. Ndërsa dashuria juaj për shkrimet e shenjta është e dukshme, ata do të nxiten të studiojnë. Tregoni se si studimi i shkrimeve të shenjta do t’i ndihmojë ata të mësojnë për ungjillin dhe të ndiejnë dashurinë e Perëndisë. Jepni shembuj se si shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojnë të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre dhe të marrin udhërrëfim e forcë.

Përkushtojuni studimit të shkrimeve të shenjta në mënyrë që të mund t’i jepni mësim ato në mënyrë të efektshme (shihni te kapitulli 2). Aftësia juaj për të dhënë mësim nga shkrimet e shenjta do të përmirësohet ndërsa i studioni ato çdo ditë, si personalisht ashtu edhe me shoqëruesin tuaj misionar.

Ndihmojini njerëzit të zhvillojnë besim te Jezu Krishti nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, veçanërisht nga Libri i Mormonit. Sugjerimet në vijim mund të ndihmojë.

Pamja
grup duke studiuar shkrimet e shenjta

Paraqiteni Shkrimin e Shenjtë

Përshkruani shkurtimisht sfondin historik të fragmentit. Shembujt vijues tregojnë disa mënyra se si ta paraqitni një shkrim të shenjtë:

  • “Në historinë e Jozef Smithit, Jozefi na tregon me vetë fjalët e tij çfarë ndodhi teksa shkoi në korije që të lutej. Ai tha: ‘Unë pashë një shtyllë drite …’”

  • “Në këtë fragment, profeti Alma po u jep mësim njerëzve që janë të varfër, që të ushtrojnë besimin e tyre te fjala e Perëndisë. Ai e krahason fjalën e Perëndisë me një farë që mund të mbillet në zemrat tona. A do të filloni ta lexoni vargun …?”

Lexojeni Fragmentin

Lexojini vargjet me zë të lartë ose kërkojini personit të cilit po i jepni mësim, që ta lexojë me zë të lartë. Jini i ndjeshëm ndaj atyre që kanë vështirësi me leximin. Nëse një fragment është i vështirë që ata ta kuptojnë, lexoni me ta dhe shpjegojeni sipas nevojës. Përkufizojeni çdo fjalë ose frazë të vështirë. Ose jepuni një fragment më të thjeshtë për ta lexuar. Ftojini të kërkojnë pika të veçanta në fragment.

Vërini në Zbatim Shkrimet e Shenjta

Nefi tha: “I përshtata të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23). T’i “përshtat[ni]” do të thotë t’i vini në zbatim shkrimet e shenjta në jetën tuaj.

Vërini në zbatim shkrimet e shenjta për njerëzit të cilëve u jepni mësim, duke treguar se si historitë dhe parimet lidhen me ta personalisht. Për shembull:

  • “Ashtu si ju, populli i Almës kishte barrë të rënda, pothuajse më shumë sesa mund të mbanin. Por teksa ushtruan besim dhe u lutën, Perëndia i forcoi që të mund t’i duronin sfidat. Më pas Ai i çliroi nga sprovat e tyre. Ashtu siç Ai bëri me këtë popull, unë e di se Perëndia do t’ju ndihmojë në sprovat tuaja teksa ju …” (Shihni te Mosia 24.)

  • “Udhëzimet që Alma u dha njerëzve në Ujërat e Mormonit gjejnë zbatim për ne sot. Gimi, a je i gatshëm të …?” (Shihni te Mosia 18.)

Mësojuni njerëzve si t’i “përshtat[in]” shkrimet e shenjta me veten e tyre. Zbulimi i zbatimeve vetjake do t’i ndihmojë ata të vënë në zbatim dhe të përjetojnë fuqinë e fjalës së Perëndisë.

Ftojini dhe Ndihmojini Njerëzit të Lexojnë Vetë

Njerëzit të cilëve u jepni mësim, nevojitet të lexojnë shkrimet e shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit, për të fituar një dëshmi për të vërtetën. Duke i përdorur në mënyrë të efektshme shkrimet e shenjta në mësimdhënien tuaj, ju mund t’i ndihmoni njerëzit të fillojnë që t’i studiojnë vetë shkrimet e shenjta.

Pas çdo vizite, sugjeroni kapituj ose vargje të veçanta që ata t’i lexojnë. Sugjeroni pyetje që ata t’i marrin parasysh teksa lexojnë. Nxitini që t’i studiojnë përditë shkrimet e shenjta vetë dhe me familjet e tyre. Ju mund t’u kërkoni edhe anëtarëve që të lexojnë me ta midis mësimeve.

Përpara se të filloni mësimin e ardhshëm, ndiqeni ecurinë duke diskutuar për atë që i ftuat njerëzit të lexonin. Si të jetë e nevojshme, ndihmojini që t’i kuptojnë dhe “përshtat[in]” këto shkrime të shenjta. Nxitini t’i shënojnë mendimet dhe pyetjet e tyre.

Kur i ndihmoni njerëzit të lexojnë, të kuptojnë dhe t’i vënë në zbatim shkrimet e shenjta – veçanërisht Librin e Mormonit – ata do të kenë përvoja shpirtërore me fjalën e Perëndisë. Ata do të kenë më shumë të ngjarë që të lexojnë vetë dhe t’i bëjnë shkrimet e shenjta një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre.

Pamja
misionarë duke i dhënë mësim një familjeje

Ndihmojini Njerëzit që të Kenë Qasje te Shkrimet e Shenjta

Shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë janë në dispozicion në më shumë mënyra dhe më shumë gjuhë se kurrë më parë. Mësoni se cilat mundësi të shtypura në letër dhe digjitale janë në dispozicion për njerëzit të cilëve u jepni mësim. Ndihmojini njerëzit që të kenë qasje te shkrimet e shenjta në mënyra që përputhen me nevojat dhe parapëlqimet e tyre. Merreni parasysh sa vijon:

  • Pyetini njerëzit se në cilën gjuhë do të donin që t’i lexojnë ose t’i dëgjojnë shkrimet e shenjta.

  • Ata që kanë vështirësi për të lexuar, ose kanë vështirësi për ta kuptuar atë që lexojnë, mund të përfitojnë nga të lexuarit me zë të lartë së bashku ose të dëgjuarit e regjistrimeve zanore. Këto janë në dispozicion nëpërmjet programeve kompjuterike dhe faqeve të internetit pa pagesë të Kishës.

  • Nëse një person ka një pajisje digjitale, ndihmojeni atë që të ketë qasje te shkrimet e shenjta, veçanërisht te Libri i Mormonit. Programi kompjuterik i Librit të Mormonit dhe Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] janë pa pagesë dhe të lehta për t’u shpërndarë.

  • Nëse përdorni mesazhe në celular, bashkëbisedime në internet ose postën elektronike, dërgoni hallka lidhëse ose fotografi të shkrimeve të shenjta. Kur jepni mësim me video, merrni parasysh të tregoni ekranin tuaj në mënyrë që t’i lexoni së bashku vargjet.

  • Ndihmojini njerëzit të kenë qasje te fjalët e profetëve të gjallë.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Sigurohuni që ju dhe shoqëruesi juaj misionar të keni burimet e përditësuara të shkrimeve të shenjta në telefonin tuaj, përfshirë programin kompjuterik të Librit të Mormonit dhe Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Përzgjidhni një nga fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë: faqja e titullit e Librit të Mormonit; 3 Nefi 11; Moroni 10:3–8; Gjoni 17:3; Romakëve 8:16–17; 1 Korintasve 15:29; Jakob [Bibël] 1:5; 1 Pjetër 3:19–20; Amos 3:7.

Përcaktoni se si:

  • Do ta paraqitni fragmentin.

  • Do të jepni sfondin historik dhe kontekstin.

  • Do ta lexoni fragmentin dhe do ta shpjegoni kuptimin e tij.

  • Do të shpjegoni fjalë të vështira.

  • Do t’i ndihmoni njerëzit të cilëve u jepni mësim, që ta zbatojnë atë në jetën e vet.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Përse është e rëndësishme të jepni mësim nga shkrimet e shenjta?

Jepni Dëshminë Tuaj

Një dëshmi është një dëshmim shpirtëror i dhënë nga Fryma e Shenjtë. Të jepni dëshminë tuaj do të thotë të jepni një deklarim të thjeshtë e të drejtpërdrejtë të njohurisë ose besimit për një të vërtetë të ungjillit. Dhënia e dëshmisë suaj i shton dëshmimin tuaj vetjak të vërtetave që keni dhënë mësim nga shkrimet e shenjta.

Dhënia e dëshmisë suaj është një mënyrë e fuqishme për ta ftuar Shpirtin dhe për t’i ndihmuar të tjerët të ndiejnë ndikimin e Tij. Një nga misionet e Frymës së Shenjtë është që të dëshmojë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ai shpesh e përmbush këtë në shoqërim me ju ndërsa jepni dëshmi.

Një dëshmi e fuqishme nuk varet nga gojëtaria ose volumi i zërit tuaj – por nga bindja dhe çiltërsia e zemrës suaj. Kini kujdes të mos nxitoni ose të mos e dramatizoni dëshminë tuaj. Jepuni njerëzve mundësinë të ndiejnë se Fryma e Shenjtë u jep dëshmi atyre se ajo që ju keni dhënë mësim, është e vërtetë.

Dëshmia juaj mund të jetë aq e thjeshtë si për shembull “Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë” ose “E kam mësuar vetë se Libri i Mormonit është i vërtetë”. Ju gjithashtu mund të tregoni një përvojë të shkurtër rreth mënyrës se si e fituat këtë dëshmi.

Kur jepni mësim, jepni dëshminë tuaj ndërsa ndiheni të nxitur, jo thjesht në fund të mësimit. Kur shoqëruesi juaj misionar po jep mësim, jepni dëshminë tuaj për të dhënë një dëshmi të dytë të asaj që ai ose ajo ka dhënë mësim.

Jepni dëshminë tuaj se parimi që po jepni mësim, do ta bekojë jetën e personit nëse ai ose ajo do ta ndjekë atë. Tregoni se si të jetuarit e parimit e ka bekuar jetën tuaj. Dëshmia juaj e çiltër do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi që njerëzit ta ndiejnë Frymën e Shenjtë ta pohojë të vërtetën.

Studimi Vetjak

Fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë janë shembuj të dhënies së dëshmisë. Merrini parasysh pyetjet ndërsa lexoni çdo shkrim të shenjtë. Shënojini përgjigjet tuaja në ditarin tuaj të studimit.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Çfarë japin mësim shkrimet e shenjta vijuese rreth parimeve dhe premtimeve të dhënies së dëshmisë?

Planifikoni dhe Përshtateni Mësimdhënien Tuaj për të Plotësuar Nevojat

Çdo person të cilit i jepni mësim, është unik. Përpiquni të kuptoni interesat, nevojat dhe shqetësimet shpirtërore të tij ose të saj. Bëni pyetje dhe dëgjoni me vëmendje. Megjithëse mund të mos i kuptoni plotësisht nevojat e personit, mbani mend se Ati Qiellor i kupton. Ai do t’ju udhëheqë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Pamja
misionarë duke i dhënë mësim një çifti

Lëreni Shpirtin të Udhëheqë Rendin e Mësimeve

Lëreni Shpirtin të udhëheqë rendin në të cilin i jepni mësimet. Ju jeni të lirë t’i jepni mësimet sipas rendit që përshtatet më së miri me nevojat, pyetjet dhe rrethanat e atyre të cilëve u jepni mësim.

Me raste ju mund të ndërthurni parime nga mësime të ndryshme për të trajtuar nevojat dhe interesat e një personi. Shihni tre shembujt vijues.

Blerta ju gjeti në internet dhe po ju pyet pse miqtë e saj në Kishë nuk pinë duhan apo pije alkoolike. Ju mund t’i mësoni asaj për bekimet e urdhërimeve duke përdorur pjesët vijuese nga kapitulli 3:

Gëzimi ndien se nuk ka përkatësi askund. Ju mund t’i mësoni atij për identitetin e tij dhe vendin e tij në familjen e Perëndisë duke përdorur pjesët e mëposhtme nga kapitulli 3:

Adriana ka studiuar shumë fe dhe dëshiron të dijë se çfarë e bën Kishën të ndryshme. Ju mund t’i mësoni asaj rreth Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit duke përdorur pjesët vijuese nga kapitulli 3:

Ati Qiellor i njeh fëmijët e Tij, prandaj kërkoni frymëzim për t’i marrë këto vendime ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Lutuni për dhuntinë e aftësisë dalluese ndërsa vendosni se çfarë të jepni mësim. Kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave që ju vijnë.

Pamja
familje duke lexuar shkrimet e shenjta

Jepuni Kohë Njerëzve të Vënë në Zbatim Atë që po Mësojnë

Kur jepni mësim, jepuni kohë njerëzve të vënë në zbatim atë që po mësojnë (shihni te 3 Nefi 17:2–3). Kërkoni mënyra të përshtatshme për t’i përkrahur ata në mbajtjen e zotimeve të tyre. Përqendrohuni për t’i ndihmuar ata me veprime që do të ndërtojnë një themel besimi, të tilla si lutja, leximi dhe frekuentimi i kishës. Kjo do t’u mundësojë atyre të mbajnë zotime të mëtejshme.

Ndërsa planifikoni dhe jepni mësim, jini të ndjeshëm në lidhje me sasinë e informacionit të ri që jepni. Një objektiv kryesor i mësimdhënies suaj është ta ndihmoni një person të ndërtojë besim te Jezu Krishti në mënyrë që të çojë drejt pendimit. Objektivi juaj nuk është të shihni se sa informacion mund të shpërndani.

Jepni mësim me një ritëm që është i përshtatshëm për personin. Bëni pyetje dhe dëgjoni me vëmendje që të kuptoni se sa mirë ai ose ajo po mëson dhe po e zbaton atë që po jepni mësim.

Të vërtetat që jepni mësim, të shoqëruara me fuqinë e Frymës së Shenjtë, mund të ndikojnë te njerëzit që të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes në mënyra që e ndërtojnë besimin e tyre te Krishti. Ndërsa ushtrojnë besim te Zoti duke e vënë në zbatim atë që mësojnë, ata do të arrijnë të dinë me anë të Shpirtit se ungjilli është i vërtetë.

Përdorni një Larmi Mundësish për Mësimdhënie

Mundësitë për mësimdhënie marrin shumë forma, të tilla si vizita në vend, bashkëbisedime me video, telefonata, mesazhe me celularë dhe media shoqërore.

Respektojeni Kohën e Njerëzve

Mbajeni mësimdhënien tuaj të thjeshtë dhe të shkurtër. Njerëzit kanë më shumë të ngjarë t’ju takojnë kur i respektoni kohën dhe kërkesat e tyre. Pyetini se sa kohë kanë për vizitën. Fillojeni dhe përfundojeni çdo bisedë në orarin që keni rënë dakord, qoftë kur jepni mësim me prani fizike ose në internet. Kini parasysh se në disa vende, telefonatat ose bashkëbisedimet me video mund të jenë të kushtueshme.

Do t’ju nevojiten shumë takime për të dhënë mësim parimet në një mësim. Zakonisht një vizitë mësimore nuk duhet të jetë më e gjatë se 30 minuta dhe ju mund ta mësoni një person edhe në vetëm 5 minuta. Përshtateni mësimdhënien tuaj sipas kohës së njerëzve.

Përdoreni Teknologjinë me Mençuri

Ju keni shumë mundësi për t’u dhënë mësim njerëzve duke përdorur teknologjinë. Disa njerëz parapëlqejnë rehatinë ose privatësinë e ndërveprimit përmes mjeteve elektronike. Edhe njerëzit që i vizitoni me prani fizike, mund të përfitojnë nga përkrahja shtesë nëpërmjet teknologjisë. Diskutoni për burimet që janë në dispozicion për të komunikuar. Pastaj ndiqni ecurinë dhe qëndroni të lidhur. Kjo do ta ftojë Shpirtin që t’ju udhërrëfejë në ndërveprimet tuaja.

Teknologji të tilla si thirrjet me video mund të jenë veçanërisht të dobishme për t’u dhënë mësim njerëzve që kanë orare të ngjeshura ose që jetojnë larg. Ndonjëherë është më e lehtë për anëtarët të marrin pjesë në një mësim nëpërmjet teknologjisë.

Ndihmojini Nxënësit më të Vegjël në Moshë

Gjatë shërbesës së Shpëtimtarit, Ai u tha dishepujve të Tij: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë” (Marku 10:14). Kur u jepni mësim fëmijëve, përshtateni mënyrën se si u qaseni dhe mesazhin tuaj për të plotësuar nevojat e tyre. Ndihmojini që të mësojnë ungjillin duke diskutuar për gjëra që janë të njohura për ta. Sigurohuni që të kuptojnë atë që po u jepni mësim.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 84:85. Çfarë do të thotë t’ju jepet “ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu”? Si mund ta zbatoni këtë në mësimdhënien tuaj?

Çfarë u ka premtuar Zoti misionarëve besnikë për të ditur se çfarë të thonë?

Jepni Mësim në Unitet me Shoqëruesin Tuaj Misionar

Zoti tha: “Ju do të shkoni në fuqinë e Shpirtit tim, duke predikuar ungjillin tim, dy e nga dy” (Doktrina e Besëlidhje 42:6). Ai gjithashtu ju ngarkon ju dhe shoqëruesin tuaj misionar të “jini një” (Doktrina e Besëlidhje 38:27). Mësimdhënia juaj do të jetë më e fuqishme dhe më interesante nëse ju dhe shoqëruesi juaj misionar punoni në unitet. Bëjeni me radhë që të jepni pjesë të shkurtra të mësimeve.

Gjatë studimit si dyshe misionare, diskutoni dhe ushtroni mënyrën se si do të jepni mësim që të jeni të bashkuar. Përgatituni se si do të punoni së bashku kur t’u jepni mësim njerëzve në internet. Ndiqni masat mbrojtëse për përdorimin e teknologjisë, të përvijuara te kapitulli 2.

Pamja
misionarë duke i dhënë mësim një burri

Kur shoqëruesi juaj misionar po jep mësim, lutuni për të, dëgjojeni atë dhe vështrojeni atë. Përkraheni shoqëruesin tuaj misionar duke ofruar një dëshmi të dytë për të vërtetat që ai ose ajo ka dhënë mësim (shihni tek Alma 12:1). Ndiqni mbresat tuaja kur Shpirti ju nxit të thoni diçka.

Jini sinqerisht të interesuar për njerëzit të cilëve u jepni mësim. Dëgjojini ata. Mbani kontakt sy më sy kur ata ose ju jeni duke folur. Vëzhgojini më vëmendje përgjigjet e tyre dhe dëgjojini nxitjet shpirtërore.

Ftojini Anëtarët që të Marrin Pjesë

Ftojini anëtarët që t’ju ndihmojnë për t’u dhënë mësim dhe për t’i përkrahur njerëzit me të cilët po punoni. Kjo mund të ndodhë me prani fizike ose në internet. Gjatë mbledhjes së përjavshme të bashkërendimit, këshillohuni me udhëheqësit e lagjes se kush mund të ndihmojë.

Kur anëtarët marrin pjesë në mësimdhënie dhe shoqërim, ata mund të japin ide shtesë dhe të krijojnë lidhje si miq. Ata do të ndiejnë gëzimin e punës misionare.

Ftojini Anëtarët që t’ju Ndihmojnë të Jepni Mësim

Përpara mësimeve, planifikoni me anëtarët se si të punoni së bashku. Mund të përdorni një mesazh me celular ose një telefonatë të shkurtër për të miratuar atë që do të jepni mësim, cili do të lutet, cili do ta drejtojë bisedën dhe hollësi të tjera.

Roli kryesor i anëtarëve në mësime është që të ofrojnë dëshmi të çiltër, të tregojnë përvoja të shkurtra vetjake dhe të zhvillojnë një marrëdhënie me ata të cilëve u jepet mësim. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të tregojnë se si arritën ta mësonin, pranonin dhe jetonin një parim të veçantë në mësim. Nëse janë të kthyer në besim, ftojini të tregojnë se si vendosën të bashkoheshin me Kishën.

Kur anëtarët referojnë dikë, kërkojuni të marrin pjesë në mësimdhënie. Anëtarët mund të jenë më të përfshirë në këto situata. Këshillohuni me ta se si do të donin të merrnin pjesë.

Merrni parasysh se si mund të jetë i përshtatshëm përdorimi i teknologjisë për të dhënë mësim me anëtarët. Teknologjia i lejon anëtarët të bashkohen me ju pa angazhimin kohor që kërkon një vizitë me prani fizike.

Në mbledhjen e përjavshme të bashkërendimit, planifikoni me udhëheqësit e lagjes që një anëtar të marrë pjesë në sa më shumë mësime të jetë e mundur (shihni te kapitulli 13). Merrni parasysh t’u kërkoni anëtarëve të rinj që t’ju ndihmojnë për të dhënë mësim.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Përfytyroni sikur keni një takim për t’i dhënë mësim një familjeje në shtëpinë e një anëtari. Diskutoni se si do ta përfshinit secilin prej anëtarëve të mëposhtëm që t’ju ndihmojë për të dhënë mësim:

  • Një misionar i lagjes që u kthye kohët e fundit nga një mision kohëplotë

  • Një prift

  • Një anëtar i ri

  • Presidenti i kuorumit të pleqve ose presidentja e Shoqatës së Ndihmës

Ftojini Anëtarët të Japin Përkrahje

Anëtarët mund të japin përkrahje të çmuar për njerëzit edhe midis vizitave mësimore. Ata mund të dërgojnë mesazhe me celular, të lexojnë shkrime të shenjta së bashku, t’i ftojnë njerëzit në shtëpitë e tyre ose në aktivitete, ose t’i ftojnë ata të ulen së bashku në kishë. Ata mund t’u përgjigjen pyetjeve dhe të tregojnë se si është jeta e tyre si anëtarë të Kishës. Përvoja dhe këndvështrimi i tyre për jetën mund t’i ndihmojnë ata të lidhen me njerëzit në mënyra që ndonjëherë janë shumë të ndryshme nga mënyra se si lidhen misionarët.

Këshillohuni me anëtarët rreth mënyrave se si mund të punoni së bashku për t’i përkrahur njerëzit jashtë vizitave mësimore.

Jepni Mësim për Kuptueshmëri

Jepeni mësim ungjillin e Jezu Krishtit në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë atë. Studiojini shkrimet e shenjta dhe mësimet në mënyrë që të mund të jepni mësim me qartësi prej tyre. Sa më qartë të jepni mësim, aq më e mirë është mundësia që Fryma e Shenjtë të dëshmojë për të vërtetën.

Bëni pyetje për t’i ndihmuar njerëzit të mendojnë për atë që keni dhënë mësim. Më pas dëgjoni për të parë nëse ata e kuptojnë dhe e pranojnë atë.

Pjesë e mësimdhënies për të kuptuar është të shpjegoni fjalë, fraza dhe ide. Ju mund ta përmirësoni aftësinë tuaj të mësimdhënies së ungjillit:

  • Duke kuptuar fjalët që përdorni.

  • Duke përkufizuar fjalët që të tjerët mund të mos i kuptojnë.

  • Duke u bërë njerëzve pyetje si “A do të na tregoni si e kuptoni atë që sapo shpjeguam?” ose “A do të ishit të gatshëm ta përmblidhnit atë për të cilën folëm?”

Teksa e jepni mësim doktrinën te kapitulli 3, vini re ndonjë fjalë, frazë dhe ide që njerëzit mund të mos e kuptojnë. Përkufizojini ato duke përdorur burimet te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], të tilla si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Mbajeni mësimdhënien tuaj të thjeshtë dhe të shkurtër. Mbajeni të përqendruar tek ungjilli i Jezu Krishtit, duke ndërtuar të kuptuarit e doktrinës dhe parimeve bazë. Ndihmojini njerëzit të kërkojnë kuptueshmërinë që vjen nga Fryma e Shenjtë. Ndërsa e fitojnë këtë kuptim, ata do të arrijnë ta besojnë mesazhin e ungjillit.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Përse duhet ta shpjegojmë me kujdes doktrinën?

Si mësojmë ne? Përse është e rëndësishme ta japim mësim informacionin gradualisht?

Përse është e rëndësishme qartësia?

Çfarë mund të mësoni nga vargjet e mëposhtme rreth mënyrës se si komunikon Perëndia me fëmijët e Tij?

Bëni Pyetje

Shpëtimtari bëri pyetje që i ftuan njerëzit të mendonin thellësisht për të vërtetat që Ai i dha mësim, dhe t’i ndienin thellësisht ato. Pyetjet e Tij nxitën kërkim të thellë në shpirt dhe zotim.

Pyetjet e mira janë gjithashtu të rëndësishme në mësimdhënien tuaj. Ato do t’ju ndihmojnë të kuptoni interesat, shqetësimet dhe pyetjet e njerëzve. Pyetjet e mira mund ta ftojnë Shpirtin dhe t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë.

Bëni Pyetje të Frymëzuara

Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit për të bërë pyetje të mira. Pyetjet e duhura në kohën e duhur mund t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë për ungjillin dhe të ndiejnë Shpirtin.

Pyetjet e frymëzuara dhe të dëgjuarit në mënyrë të sinqertë do t’i ndihmojnë njerëzit të ndihen më rehat për të folur hapur dhe për të shprehur ndjenjat e tyre. Kjo mund t’i ndihmojë ata të zbulojnë një dëshmi që po rritet. Ata gjithashtu do të jenë më rehat t’ju bëjnë pyetje kur nuk e kuptojnë diçka ose kanë ndonjë shqetësim.

Tabela vijuese tregon disa parime për të bërë pyetje të frymëzuara, së bashku me disa shembuj.

Parime dhe Shembuj të Pyetjeve të Frymëzuara

Parime

Shembuj

Bëni pyetje që i ndihmojnë njerëzit ta ndiejnë Shpirtin.

  • A mund të tregoni një përvojë kur e ndiet ndikimin e Perëndisë në jetën tuaj?

  • Si e keni ndier dashurinë e Perëndisë për ju?

Bëni pyetje që janë të thjeshta dhe të lehta për t’u kuptuar.

  • Çfarë keni mësuar nga ky shkrimi i shenjtë rreth Jezu Krishtit?

Bëni pyetje që i ndihmojnë njerëzit të mendojnë rreth asaj që po jepni mësim.

  • Si është kjo e ngjashme me atë që ju tashmë besoni? Si është ajo e ndryshme?

Bëni pyetje që ju ndihmojnë të dini se sa mirë njerëzit po e kuptojnë atë që po jepni mësim.

  • Çfarë pyetjesh keni rreth asaj që kemi dhënë mësim sot?

  • Si do ta përmblidhnit bashkëbisedimin tonë sot?

Bëni pyetje që i ndihmojnë njerëzit të shprehin atë që po ndiejnë.

  • Si ju ka ndihmuar Jezu Krishti në jetën tuaj?

  • Çfarë ishte më e rëndësishmja për ju nga ajo që folëm sot?

Bëni pyetje që tregojnë dashuri dhe shqetësim.

  • Si mund t’ju ndihmojmë?

Bëni pyetje që i ndihmojnë njerëzit të vënë në zbatim atë që mësojnë.

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky shkrim i shenjtë?

  • Si mund t’ju ndihmojë ky shkrim i shenjtë në jetën tuaj?

  • Ndërsa kemi folur, çfarë u ndiet i nxitur të bëni nga ajo që keni mësuar?

Studimi në Dyshe Misionare

Rishikoni planin tuaj mësimor nga një mësim që dhatë kohët e fundit. Shkruani një pyetje për secilin nga parimet kryesore të përvijuara në planin tuaj.

Rishikojini pyetjet tuaja për të parë nëse ato janë në harmoni me parimet në këtë pjesë.

Pastaj, përgjigjjuni çdo pyetjeje sikur të ishit dikush të cilit po i jepej mësim.

Tregojani pyetjet tuaja shoqëruesit tuaj misionar. Së bashku, vlerësojini dhe përmirësojini pyetjet tuaja.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Njerëzit të cilëve po u jepni mësim, mund të ndeshen me përvojat vijuese:

  • Ata kanë një përvojë shpirtërore ndërkohë që lexojnë Librin e Mormonit.

  • Shokët e punës tallen rregullisht me gjërat shpirtërore.

  • Pjesëtarët e familjes janë anëtarë të fortë të një kishe tjetër.

  • Miqtë besojnë se “mormonët” nuk janë të krishterë.

Mendoni për një pyetje që do të bënit për të mësuar më shumë për secilën nga këto situata. Shkruajini këto pyetje në ditarin tuaj të studimit. Diskutoni me shoqëruesin tuaj misionar se si mund t’i përmirësoni pyetjet që keni shkruar.

Shmangini Pyetjet e Paefektshme ose të Tepruara

Përpiquni të mos bëni pyetje që:

  • Kanë përgjigje të dukshme.

  • Mund ta vënë dikë në siklet nëse ai ose ajo nuk e di përgjigjen.

  • Përfshijnë më shumë se një ide.

  • I përkasin një doktrine të cilën nuk e keni dhënë mësim ende.

  • Nuk kanë një qëllim të qartë.

  • Janë të tepruara.

  • Janë hetuese dhe mund t’i zemërojnë ose fyejnë njerëzit.

Sa vijojnë janë shembuj të pyetjeve më pak të efektshme:

  • Cili ishte profeti i parë? (Personi mund të mos e dijë përgjigjen.)

  • Si do të na ndihmojë mbajtja e trupit tonë të pastër që ta kemi Shpirtin dhe të tregojmë se jemi të gatshëm të ndjekim një profet të Perëndisë? (Ka më shumë se një ide.)

  • A është e rëndësishme të dimë rreth urdhërimeve të Perëndisë? (Kjo është një pyetje me përgjigje po ose jo dhe përgjigja është e qartë.)

  • Çfarë është diçka që mund ta bëjmë çdo ditë, që do të na ndihmojë të ndihemi pranë Perëndisë? (Kjo është një pyetje e paqartë që po kërkon një përgjigje konkrete: Të lutemi.)

  • Kush ishte profeti tjetër pas Noeut? (Personi mund të mos e dijë përgjigjen dhe pyetja nuk është e rëndësishme për mesazhin tuaj.)

  • A e kuptoni atë që po them? (Personi mund të ndihet sikur po e nënçmoni.)

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Mbajini parasysh nevojat e dikujt të cilit po i jepni mësim. Diskutoni se si ai ose ajo mund t’iu përgjigjet pyetjeve tuaja. Planifikoni për të bërë disa pyetje që ndjekin orientimet në këtë pjesë. Diskutoni se si këto pyetje mund ta ftojnë Shpirtin dhe ta ndihmojnë personin të mësojë ungjillin.

Dëgjoni

Kur i dëgjoni me vëmendje të tjerët, i kuptoni ata më mirë. Kur ata e dinë se mendimet dhe ndjenjat e tyre janë të rëndësishme për ju, ka më shumë të ngjarë që t’i pranojnë mësimet tuaja, të tregojnë përvoja vetjake dhe të bëjnë zotime.

Ndërsa dëgjoni, ju do të fitoni ide se si ta përshtatni mësimdhënien tuaj sipas nevojave dhe interesave të tyre. Do të keni kuptueshmëri më të mirë se cilat të vërteta të ungjillit do të ishin më të dobishme për ta.

Veçanërisht dëgjoni për pëshpëritjet e Shpirtit. Kur të tjerët tregojnë ndjenjat e tyre, Fryma e Shenjtë mund t’ju nxitë me mendime ose ide. Shpirti mund t’ju ndihmojë të kuptoni atë që të tjerët po përpiqen t’ju shprehin.

Pamja
misionarë duke i folur familjes

Dëgjoni me Përkujdesje të Vërtetë

Të dëgjuarit kërkon përpjekje dhe përkujdesje të vërtetë. Ndërkohë që të tjerët flasin, sigurohuni që të përqendroheni tek ajo që ata po thonë. Shmangeni prirjen për të planifikuar atë që do të thoni.

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “Më e rëndësishme se të folurit është të dëgjuarit. Këta njerëz nuk janë objekte pa jetë sa për një statistikë pagëzimi. … Pyetini këta miq se çfarë ka më shumë rëndësi për ta. Çfarë çmojnë ata dhe çfarë është e shtrenjtë për ta? Dhe më pas, dëgjoni. Nëse mjedisi është i duhuri mund të pyesni se çfarë frike kanë, çfarë dëshirojnë fort ose çfarë mendojnë se u mungon në jetën e tyre. Ju premtoj se diçka në atë që ata thonë, do të nxjerrë në pah gjithmonë një të vërtetë të ungjillit për të cilën ju mund të jepni dëshmi dhe për të cilën më pas mund të ofroni më shumë. … Nëse dëgjojmë me dashuri, ne nuk do të kemi nevojë të vrasim mendjen se çfarë të themi. Do të na jepet, me anë të Shpirtit dhe me anë të miqve tanë” (“Witnesses unto Me”, Ensign, maj 2001,f. 15).

Vëzhgoni për Mesazhet e Pashprehura

Njerëzit komunikojë edhe përmes gjuhës së tyre të trupit. Vini re mënyrën se si ulen, shprehjet e tyre të fytyrës, çfarë bëjnë me duart e tyre, tonin e zërit dhe ku po shikojnë. Vëzhgimi i këtyre mesazheve të pashprehura mund t’ju ndihmojë të kuptoni ndjenjat e atyre të cilëve u jepni mësim.

Kini parasysh edhe gjuhën e trupit tuaj. Dërgoni një mesazh se jeni të interesuar dhe entuziast duke dëgjuar me çiltërsi.

Jepuni Kohë Njerëzve të Mendojnë dhe të Përgjigjen

Shpëtimtari shpesh bënte pyetje që një personi i duhej kohë për t’iu përgjigjur. Kur bëni një pyetje, ndaloni për t’i dhënë personit një mundësi të mendojë dhe të përgjigjet. Mos u druani nga heshtja. Njerëzve shpesh u nevojitet kohë të mendojnë dhe t’u përgjigjen pyetjeve apo të shprehin atë që ndiejnë.

Ju mund të ndaloni pasi të bëni një pyetje, pasi të tregoni një përvojë shpirtërore, apo kur njerëzit kanë vështirësi për të shprehur veten. Sigurohuni që t’u jepni kohë atyre për të shprehur plotësisht mendimet e tyre përpara se të përgjigjeni. Mos i ndërpritni kur janë duke folur.

Përgjigjuni me Ndjeshmëri

Kur një person i përgjigjet një pyetjeje, fillojeni përgjigjen tuaj duke shprehur empati nëse është e përshtatshme. Empatia tregon se ju kujdeseni vërtet. Përmbahuni nga arritja në përfundime, ofrimi i zgjidhjeve të menjëhershme ose të dukeni sikur i keni të gjitha përgjigjet.

Pohojeni se e Kuptoni Atë që Thonë Njerëzit

Kur përpiqeni të kuptoni atë që po thotë një person, bëni pyetje për t’u siguruar se e kuptoni. Për shembull, ju mund të pyetni: “Pra, ajo që po thoni është . Apo jo?” ose “Nëse ju kuptoj saktë, ju ndieni se ”. Kur nuk jeni të sigurt nëse e kuptoni, pyeteni personin për sqarime.

Administrojini Ndërveprimet Sfiduese me Njerëz

Ju do t’i ndihmoni njerëzit më së shumti duke u mësuar atyre ungjillin e Jezu Krishtit. Disa njerëz mund të duan të flasin ata vetë pjesën më të madhe të kohës. Ndonjëherë njerëzit thjesht kanë nevojë që dikush t’i dëgjojë me dhembshuri për vështirësitë dhe ndjenjat e tyre. Njerëz të tjerë mund të kërkojnë të dominojnë ose debatojnë.

Mësoni t’i trajtoni situata të tilla me takt dhe dashuri. Ju mund të jeni në gjendje ta përshtatni mësimdhënien tuaj për të trajtuar diçka që një person e tregoi. Ose mund t’ju duhet të thoni me mirësjellje se dëshironi të diskutoni për shqetësimin e tyre në një rast tjetër. Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se si të përgjigjeni në situata sfiduese.

Ndihmojini Njerëzit të Ndihen Rehat që të Shprehin Ndjenjat e Vërteta

Për të shmangur sikletin, disa njerëz do t’u përgjigjen pyetjeve ashtu siç mendojnë se ju doni që ata të përgjigjen, në vend që të tregojnë ndjenjat e tyre të vërteta. Kërkoni të kultivoni një marrëdhënie që u lejon atyre të ndihen rehat për të treguar ndjenjat e tyre të vërteta me ju.

Të kuptuarit e njerëzve dhe lidhja me ta do t’ju lejojë që t’i ndihmoni ata, të plotësoni interesat dhe nevojat e tyre dhe t’u shprehni atyre dashurinë e Shpëtimtarit. Krijoni një marrëdhënie mirëbesimi duke qenë të ndershëm me ta, duke ruajtur një marrëdhënie të përshtatshme misionare dhe duke treguar respekt.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Reflektoni se sa mirë po i dëgjoni të tjerët. Shkruajini përgjigjet tuaja në ditarin tuaj të studimit për pyetjet më poshtë: Ose diskutojini ato me shoqëruesin tuaj misionar.

A = Kurrë e vërtetë për mua, B = Ndonjëherë e vërtetë për mua, C = Zakonisht e vërtetë për mua, D = Gjithmonë e vërtetë për mua

  • Kur të tjerët flasin me mua, mendoj për përvoja të ngjashme që mund t’i tregoj, në vend që të dëgjoj me kujdes.

  • Kur të tjerët më tregojnë për ndjenjat e tyre, përpiqem ta vendos veten në pozicionin e tyre për të parë se si do të ndihesha.

  • Kur u jap mësim njerëzve, mendoj se çfarë do të them ose do të jap mësim më pas.

  • Acarohem kur njerëzit flasin shumë.

  • Kam vështirësi për të ndjekur ose kuptuar atë që të tjerët po përpiqen të më thonë.

  • Mendja ime shpesh endet ndërkohë që shoqëruesi im misionar po jep mësim.

  • Mërzitem nëse dikush po më flet dhe të tjerët më ndërpresin ose ma shpërqendrojnë vëmendjen.

  • Marr nxitje shpirtërore për të thënë ose bërë diçka, por i shpërfill ato.

Ndihmojini Njerëzit të Gjejnë Përgjigje për Pyetjet dhe Shqetësimet e Tyre

Bëni një përpjekje të zellshme për të trajtuar pyetjet e njerëzve dhe për t’i ndihmuar ata që të zgjidhin shqetësimet e tyre. Sidoqoftë, nuk është përgjegjësia juaj për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje. Përfundimisht, njerëzit duhet t’i zgjidhin vetë pyetjet dhe shqetësimet e tyre.

Kuptojeni se jo të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve mund t’u jepet përgjigje plotësisht. Disa përgjigje bëhen më të qarta me kohën. Të tjera nuk janë zbuluar ende. Përqendrohuni te ndërtimi i një themeli të fortë i të vërtetave bazë e thelbësore të ungjillit. Ky themel do t’ju ndihmojë ju dhe ata të cilëve u jepni mësim, që të shkoni përpara me durim e besim kur ka pyetje pa përgjigje ose të vështira.

Në këtë pjesë janë përvijuar disa parime për dhënien e përgjigjeve ndaj pyetjeve.

Pamja
Jezusi dhe Gruaja Samaritane te Pusi

Kuptojeni Shqetësimin

Disa prej gjërave që u mësoni njerëzve, mund të duken të vështira ose të panjohura. Nëse njerëzit kanë pyetje ose shqetësime, kërkoni fillimisht t’i kuptoni ato qartë. Ndonjëherë, shqetësimet e njerëzve janë si një ajsberg. Vetëm një pjesë e vogël është e dukshme mbi sipërfaqe. Këto shqetësime mund të jenë të ndërlikuara. Lutuni për dhuntinë e aftësisë dalluese dhe ndiqni Shpirtin në mënyrën se si përgjigjeni. Ati Qiellor i njeh zemrat dhe përvojat e gjithë njerëzve (të gjithë ajsbergun). Ai do t’ju ndihmojë të dini se çfarë është gjëja më e mirë për secilin person.

Shpesh shqetësimet janë më tepër shoqërore sesa doktrinore. Për shembull, disa njerëz mund të kenë frikë nga kundërshtimi i pjesëtarëve të familjes nëse bashkohen me Kishën. Ose mund të kenë frikë nga refuzimi prej miqve të tyre në punë.

Kërkoni të kuptoni burimin e shqetësimit duke bërë pyetje dhe duke dëgjuar. A lindi shqetësimi sepse personi nuk ka një pohim shpirtëror për të vërtetën e Rivendosjes? A lindi sepse personi nuk dëshiron të zotohet për të jetuar një parim të ungjillit? Njohja e thelbit të shqetësimit të tyre do t’ju ndihmojë të dini nëse duhet të përqendroheni te dëshmia apo zotimi.

Përdorni Shkrimet e Shenjta, Veçanërisht Librin e Mormonit, për të Ndihmuar që t’u Përgjigjeni Pyetjeve

Tregojuni njerëzve se si mund të ndihmojnë të vërtetat në shkrimet e shenjta për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre dhe për të trajtuar shqetësimet e tyre. (Shihni te Libri i Mormonit Trajton Pyetjet e Shpirtit” në kapitullin 5.) Kur njerëzit kërkojnë frymëzim duke i studiuar dhe vënë në zbatim shkrimet e shenjta, ata do ta rritin aftësinë e tyre për ta dëgjuar dhe ndjekur Zotin. Besimi i tyre në Të do të rritet. Me besim të shtuar do të vijë dëshmia, pendimi dhe ordinanca e pagëzimit.

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Ndonjëherë shkoj te shkrimet e shenjta për doktrinë. Ndonjëherë shkoj te shkrimet e shenjta për udhëzim. Shkoj me një pyetje dhe pyetja zakonisht është ‘Çfarë do të donte Perëndia që të bëja?’ ose ‘Çfarë do të donte Ai që të ndieja? Në mënyrë të pandryshueshme gjej ide të reja, mendime që nuk i kam pasur kurrë më parë, dhe marr frymëzim, udhëzim dhe përgjigje për pyetjet e mia” (Henry B. Eyring, në “A Discussion on Scripture Study”, Ensign, korrik 2005, f. 22).

Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se shumë prej të kuptuarit tonë për ungjillin e Jezu Krishtit vjen nga ajo që i është zbuluar Profetit Jozef Smith dhe atyre që e pasuan atë. Pyetjet rreth vërtetësisë së ungjillit mund të zgjidhen duke fituar një dëshmi se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Leximi i Librit të Mormonit dhe lutja për të është një mënyrë jetike për ta fituar këtë dëshmi.

Ndihmojini njerëzit të përqendrohen te forcimi i besimit të tyre te Jezu Krishti. Leximi i Librit të Mormonit dhe lutja për të është një mënyrë e rëndësishme për ta forcuar besimin e tyre.

Ftojini Njerëzit të Veprojnë me Besim

Ndërsa njerëzit e zhvillojnë dhe e forcojnë dëshminë e tyre për ungjillin e rivendosur, ata do të jenë në gjendje t’i trajtojnë pyetjet dhe shqetësimet e tyre nga një themel besimi. Ndërsa veprojnë me besim mbi të vërtetat që besojnë, ata do të jenë në gjendje të fitojnë dëshmi për të vërteta të tjera të ungjillit.

Disa mënyra për të vepruar me besim përfshijnë:

  • Të luten shpesh dhe me qëllim të vërtetë për frymëzim e udhërrëfim.

  • Të studiojnë shkrimet e shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit.

  • Të frekuentojnë Kishën.

Studimi në Dyshe Misionare

Zgjidhni që të bëni një ftesë kur jepni mësim. Më pas përcaktoni shqetësimet që mund ta pengojnë dikë për ta pranuar ftesën ose për ta mbajtur zotimin. Diskutoni dhe ushtrohuni se si mund t’i ndihmoni njerëzit të punojnë për të zgjidhur shqetësimet e tyre.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Në ditarin tuaj të studimit, shkruani se si do t’i referoheshit Jozef Smithit dhe Librit të Mormonit për t’iu përgjigjur shqetësimeve vijuese:

  • “Nuk besoj se Perëndia u flet më njerëzve.”

  • “Besoj se mund ta adhuroj Perëndinë sipas mënyrës sime dhe jo nëpërmjet një feje të organizuar.”

  • “Pse duhet të heq dorë nga pirja e verës me vaktet e mia nëse bashkohem me kishën tuaj?”

  • “Përse më nevojitet feja?”

Lini Diçka që Njerëzit ta Studiojnë dhe të Luten për Të

Në fund të çdo vizite mësimore, jepuni njerëzve diçka për ta studiuar, për ta përsiatur dhe për t’u lutur që të përgatiten për takimin e ardhshëm. Leximi, lutja dhe përsiatja midis vizitave mësimore ftojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre.

Ju mund t’i ftoni njerëzit të lexojnë kapituj specifikë në Librin e Mormonit. Ose ju mund t’i nxitni ata të përdorin burimet e Kishës, të tilla si Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të gjetur përgjigje ndaj pyetjeve, për të mësuar për një temë ose për të parë një material filmik. Kjo mund të bëhet një temë e hapur për diskutim herën tjetër që takoheni.

Pamja
person duke studiuar shkrimet e shenjta

Shmangeni që t’u jepni njerëzve shumë pjesë për lexim, veçanërisht nëse keni ndërveprime të shkurtra dhe të shpeshta mësimore me ta.

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Mbani parasysh çdo person që keni planifikuar t’i jepni mësim këtë javë. Cilët kapituj në Librin e Mormonit do të jenë më të dobishëm për ta? Çfarë burimesh të tjera do të ishin të dobishme për ta? Shënojeni atë që keni ndërmend të siguroni për secilin person. Shënoni gjithashtu se çfarë do të bëni për të ndjekur ecurinë gjatë vizitës suaj të ardhshme.

Ndihma ndaj Njerëzve që Kanë Varësi

Ju mund t’i ndihmoni njerëzit që po luftojnë për të kapërcyer varësitë, duke diskutuar me dashuri për betejat e tyre, duke i përkrahur ata dhe duke i lidhur me burimet. Ju mund t’i nxitni që të marrin pjesë në një nga grupet përkrahëse të Kishës për shërimin nga varësitë. Këto grupe mund të takohen me prani fizike ose në internet. (Shihni te AddictionRecovery.ChurchofJesusChrist.org.) Nxitini të përdorin burimet te pjesa “Varësitë” në Life Help [Ndihmë për Jetën] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Udhëheqësit dhe anëtarët vendorë të Kishës gjithashtu mund të ofrojnë përkrahje. Disa njerëz me varësi mund të kenë nevojë për trajtim profesional mjekësor dhe të shëndetit mendor.

Këtu janë disa sugjerime se si mund t’i përkrahni njerëzit që po luftojnë për të kapërcyer varësitë:

  • Përforcojini përpjekjet e tyre që të vijnë te Krishti. Ndihmojini të shohin se përpjekjet e tyre për t’u përmirësuar dhe për t’u shëruar njihen dhe vlerësohen nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Mësojuni se ata mund të forcohen nëpërmjet Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij. Ai e njeh plotësisht qëllimin e zemrës së tyre për të bërë mirë.

  • Lutuni për ta në lutjet tuaja vetjake dhe lutuni me ta. Si të jetë e përshtatshme, nxitini që të kërkojnë një bekim priftërie nga udhëheqësit vendorë të priftërisë.

  • Vazhdoni që t’u mësoni ungjillin e Jezu Krishtit. Mësojuni se Ati Qiellor, Shpëtimtari dhe Fryma e Shenjtë i duan dhe dëshirojnë që ata t’ia dalin mbanë.

  • Nxitini ta frekuentojnë rregullisht kishën dhe të krijojnë miqësi me anëtarët.

  • Jini pozitivë dhe përkrahës, veçanërisht nëse ata rikthehen te varësia.

Pamja
Jezusi duke i ardhur në ndihmë një gruaje

Varësia është e vështirë për t’u kapërcyer dhe mund të ndodhin rikthime të saj. Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës nuk duhet të tronditen nga kjo. Ata duhet të tregojnë dashuri, jo të gjykojnë.

Një anëtar i ri që ndalon së frekuentuari kishën, mund t’i jetë kthyer një varësie të vjetër dhe mund të ndihet i padenjë dhe i shkurajuar. Një vizitë e menjëhershme për t’i dhënë kurajë dhe përkrahje mund të ndihmojë. Anëtarët duhet të tregojnë me fjalë dhe vepra se Kisha është një vend ku mund të gjendet dashuria e Krishtit (shihni te 3 Nefi 18:32).

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Mendoni për dikë të cilit po i jepni mësim, ose për një anëtar të ri ose të kthyer në aktivitet që po përpiqet të kapërcejë një varësi. Shqyrtoni pjesët “Besimi te Jezu Krishti” dhe “Pendimi” nga mësimi “Ungjilli i Jezu Krishtit” në kapitullin 3.

  • Çfarë mund t’i mësoni këtij personi nga ai mësim dhe nga ky kapitull që mund ta ndihmojë atë?

  • Krijoni një plan mësimor për ta ndihmuar këtë person.

Mësimdhënia për Njerëzit që Nuk Kanë një Formim të Krishterë

Disa nga njerëzit të cilëve u jepni mësim, mund të mos kenë një prejardhje të krishterë ose mund të mos besojnë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Sidoqoftë, shumë nga këta njerëz kanë bindje, zakone dhe vende që i kanë të shenjta. Është thelbësore që të tregoni respekt për bindjet dhe traditat e tyre fetare.

Ndihmojini të Kuptojnë se Kush Është Perëndia

Ju mund të pyesni veten se si duhet ta përshtatni mësimin tuaj për njerëzit që nuk kanë një prejardhje të krishterë. Parimet që e ndihmojnë një person të ndërtojë besim, janë të njëjta në të gjitha kulturat. Ndihmojini njerëzit të fitojnë një kuptim të saktë për Perëndinë dhe misionin hyjnor të Jezu Krishtit. Mënyra më e mirë që ata t’i mësojnë këto të vërteta, është duke pasur përvoja vetjake shpirtërore. Disa mënyra se si mund t’i ndihmoni ata që t’i kenë këto përvoja, janë përvijuar më poshtë:

  • Jepni mësim se Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe Ai na do. Ne jemi fëmijët e Tij. Ftojini ta kërkojnë atë dëshmi për veten e tyre.

  • Jepni mësim rreth planit të shpëtimit.

  • Jepni mësim se Perëndia Ati dhe Jezu Krishti iu shfaqën Profetit Jozef Smith.

  • Jepni dëshmi të çiltër për ungjillin, përfshirë mënyrën se si e ndieni dashurinë e Atit Qiellor dhe pse zgjidhni ta ndiqni Jezu Krishtin.

  • Ftojini të bëjnë lutje të thjeshta e të përzemërta, me ju dhe më vete.

  • Ftojini ta lexojnë Librin e Mormonit çdo ditë, me ju dhe më vete.

  • Ftojini ta frekuentojnë kishën.

  • Njihini me anëtarë të Kishës të cilët mund të shpjegojnë se si arritën të besonin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

  • Ftojini që t’i zbatojnë urdhërimet.

Shumica e njerëzve dëshirojnë të kenë një lidhje më të madhe me Perëndinë dhe të gjejnë qëllim e kuptim në jetë. Ndihmojini të shohin se si janë fëmijë të një Ati të dashur në Qiell dhe se si Ai ka një plan për ta. Për shembull, ju mund të filloni duke thënë diçka të ngjashme me sa vijon:

Perëndia është Ati ynë në Qiell, dhe Ai na do. Ne jemi fëmijët e Tij. Ne jetuam me Të përpara se të lindnim. Për shkak se jemi të gjithë fëmijë të Tij, ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra. Ai dëshiron që ne të kthehemi tek Ai. Për shkak të dashurisë së Tij për ne, Ai ka siguruar një mënyrë se si të kthehemi tek Ai përmes Birit të Tij, Jezu Krishtit.

Përshtateni Mësimdhënien Tuaj sipas Nevojës

Shumë të kthyer në besim me prejardhje jo të krishterë thonë se nuk kuptonin shumë nga ato që po jepnin mësim misionarët. Sidoqoftë, ata e ndien Shpirtin dhe donin të bënin atë që kërkuan misionarët. Bëni gjithçka që mundeni për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë doktrinën e ungjillit. Jini të duruar dhe përkrahës. Mund të duhet kohë që njerëzit të mësojnë të përcaktojnë dhe shprehin ndjenjat e tyre. Mund t’ju duhet të përshtatni ritmin dhe thellësinë e mësimdhënies suaj për t’i ndihmuar ata.

Sugjerimet vijuese mund të ndihmojnë ndërsa përgatiteni për t’u dhënë mësim njerëzve që nuk kanë një prejardhje të krishterë:

  • Kuptoni se çfarë nevojash ose interesash shpirtërore i nxitin ata të takohen me ju.

  • Jepni vështrime të përgjithshme dhe rishikime të thjeshta për secilin mësim.

  • Kërkojuni që t’ju tregojnë atë që kuptojnë dhe atë që kanë përjetuar.

  • Përkufizojini fjalët dhe parimet thelbësore. Njerëzit mund të mos i njohin shumë prej fjalëve që ju përdorni ndërsa jepni mësim.

  • Kthejuni një mësimi të dhënë më parë, për ta dhënë mësim doktrinën më qartë. Kjo mund të jetë e nevojshme në çdo kohë gjatë procesit të mësimdhënies.

  • Përcaktoni ftesat që mund të bëni për t’i ndihmuar njerëzit të provojnë bekimet e ungjillit.

Më poshtë janë disa burime te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] që mund t’i përdorni për të ndihmuar ata që nuk kanë prejardhje të krishterë:

  • Who Is God?” [“Kush është Perëndia?”]

  • Who Is Jesus Christ?” [“Kush është Jezu Krishti?”]

  • Jesus Christ, Son of God” [“Jezu Krishti, Biri i Perëndisë”]

  • What to Expect When Visiting with Missionaries of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints” [“Çfarë të Prisni kur ju Vizitojnë Misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”]

  • Muslims and Latter-day Saints: Beliefs, Values, and Lifestyles” [“Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme: Bindjet, Vlerat dhe Mënyrat e Jetesës”]

Studimi Vetjak ose në Dyshe Misionare

Nëse është e mundur, përcaktoni një të kthyer në besim që nuk kishte prejardhje të krishterë përpara se të takohej me misionarët. Organizoni të takoheni dhe pyeteni për përvojën e tij ose të saj të kthimit në besim. Për shembull, ju mund ta pyetni personin:

  • Se çfarë e çoi të besonte tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

  • Se si ishte përvoja e parë e lutjes.

  • Çfarë ndjeu për herë të parë kur mori një përgjigje për lutjen.

  • Për rolin e shkrimeve të shenjta në kthimin e tij ose të saj në besim.

  • Se si ishte ta frekuentoje kishën.

Shkruajeni atë që mësoni, në ditarin tuaj të studimit.

Merreni parasysh ta ftoni personin që t’ju ndihmojë të mësoni dikë që nuk ka një prejardhje të krishterë.


Ide për Studim dhe Zbatim

Studimi Vetjak

  • Hamendësoni sikur jeni vënë në situatat vijuese. Si mund t’i përdorni parimet dhe aftësitë në këtë kapitull për t’i ndihmuar këta njerëz të përparojnë? Planifikoni se si do t’i vini ato në zbatim në çdo situatë.

    • Dikush që po përgatitej për pagëzimin, ju thotë se ai ose ajo nuk dëshiron më të takohet me ju.

    • Ju po takoheni për herë të shtatë me një person që është mësuar nga disa misionarë gjatë një periudhe dyvjeçare. Ka pasur pak ose aspak shenja përparimi.

  • Përzgjidhni njërin nga mësimet e misionarëve. Përcaktoni një ose dy fragmente të shkrimit të shenjtë nga secili parim kryesor. Ushtrojeni mësimdhënien nga ato fragmente siç përvijohet te pjesa “Përdorini Shkrimet e Shenjta” e këtij kapitulli.

Studimi në Dyshe Misionare dhe Shkëmbimet në Dyshet Misionare

  • Lexoni rrëfimin e Amonit dhe të mbretit Lamoni tek Alma 18–19 dhe rrëfimin e Aaronit tek Alma 22:4–18. Teksa i lexoni, përcaktoni dhe përshkruani mënyrën se si Amoni dhe Aaroni:

    • E ndoqën Shpirtin dhe dhanë mësim me dashuri.

    • Filluan të jepnin mësim.

    • E përshtatën mësimdhënien e tyre për të plotësuar nevojat.

    • Dhanë dëshmi

    • I përdorën shkrimet e shenjta.

    • Bënë pyetje, dëgjuan dhe i ndihmuan ata të cilëve u dhanë mësim, që t’u jepnin zgjidhje shqetësimeve të tyre.

    • I nxitën ata të cilëve u dhanë mësim, që të bënin zotime.

    Diskutoni se si ndikuan shërbimi dhe mësimdhënia e tyre te mbreti Lamoni, ati i tij dhe Abishi.

Këshilli i Distriktit, Konferencat e Zonës dhe Këshilli i Udhëheqjes së Misionit

  • Ftojini anëtarët ose ata të cilëve po u jepet mësim aktualisht, në mbledhjen tuaj. Shpjegojini grupit se dëshironi që misionarët të përmirësojnë aftësinë e tyre për të treguar mesazhin e tyre të rëndësishëm. Përzgjidhni një mësim dhe një aftësi. Bëjini misionarët që t’i mësojnë personit ose njerëzve mësimin që keni përzgjedhur për 20 minuta, duke u përqendruar tek aftësia që keni përcaktuar. Bëni që pas 20 minutash ata të ndryshojnë grupet të cilave u japin mësim. Pasi misionarët të kenë dhënë mësim, mblidheni grupin së bashku. Vëreni personin ose njerëzit që t’u tregojnë misionarëve se çfarë ishte më e efektshme dhe një mënyrë se si mund të përmirësohen.

  • Tregoni shembuj videosh të misionarëve që japin mësime ose vihen në kontakt me njerëz. Përzgjidhni një aftësi dhe diskutoni se sa mirë misionarët i vunë në zbatim parimet për atë aftësi.

  • Përzgjidhni një aftësi dhe përcaktoni doktrinën ose fragmentin e shkrimit të shenjtë që e përkrah atë. Mësojuni misionarëve themelin doktrinor të aftësisë.

Udhëheqësit e Misionit dhe Këshilltarët e Misionit

  • Me raste, shoqërojini misionarët teksa japin mësim. Planifikoni se si mund të merrni pjesë në mësimdhënie.

  • Nxitini udhëheqësit vendorë të marrin pjesë me misionarët në vizitat e tyre mësimore.

  • Tregojuni dhe ndihmojini misionarët të ushtrojnë një nga aftësitë e mësimdhënies të përshkruar në këtë kapitull, të tilla si bërja e pyetjeve të mira dhe të dëgjuarit.

  • Tregoni përdorimin e efektshëm të shkrimeve të shenjta kur u jepni mësim misionarëve në konferencat e zonës, këshillin e udhëheqjes së misionit dhe intervista. Bëni të njëjtën gjë kur u jepni mësim atyre.

  • Ndihmojini misionarët të kuptojnë shkrimet e shenjta dhe të zhvillojnë dashuri për to. Plaku Xhefri R. Holland i këshilloi udhëheqësit e misionit:

    “Bëjeni dashurinë për fjalën e Perëndisë krejtësisht qendrore në kulturën e misionit tuaj. … Bëjeni njohjen me zbulesat dhe përdorimin e rregullt të veprave standarde një nga karakteristikat kryesore të misionarëve tuaj për pjesën tjetër të jetës së tyre.

    Kur u jepni mësim misionarëve tuaj – dhe kjo është gjatë gjithë kohës – mësojini ata nga shkrimet e shenjta. Lërini të shohin se nga ku e merrni forcën dhe frymëzimin tuaj. Mësojini të duan dhe të varen nga ato zbulesa të grumbulluara.

    Presidenti [im] i misionit dha mësim nga Libri i Mormonit dhe nga shkrime [të tjera] të shenjta sa herë që ishim në praninë e tij, ose kështu dukej. Intervistat vetjake ishin të lidhura me shkrimet e shenjta. Përvijimet për … mbledhjet nxirreshin nga veprat standarde. …

    Ne nuk e dinim në atë kohë, por presidenti ynë po na armatoste në të djathtë dhe në të majtë, duke na nxitur me gjithë energjinë e shpirtit të tij dhe me të gjithë aftësinë që zotëronte, që të mbaheshim fort te shufra e hekurit me qëllim që të mos mbaronim kurrë [shihni te 1 Nefi 15:23–25]” (“The Power of the Scriptures”, seminar për udhëheqësit e rinj të misioneve, 25 qershor 2022).