Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12: Gjetja e së Vërtetës së Pastër te Mësimet e Jezu Krishtit
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12: Gjetja e së Vërtetës së Pastër te Mësimet e Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12
Gjetja e së Vërtetës së Pastër te Mësimet e Jezu Krishtit
Të jetuarit në epokën digjitale na ka dhënë qasje të mahnitshme në sasi të pashembullta informacioni. Dhe prapëseprapë Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti: “Një nga plagët e ditëve tona është se shumë pak njerëz e dinë se ku të drejtohen për të vërtetën” (“E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6). Teksa mendoni rreth mesazheve dhe zërave të ndryshëm që konkurrojnë për vëmendjen tuaj, merreni parasysh se si Jezu Krishti dhe mësimet e Tij janë burimi kryesor i së vërtetës së pastër dhe kanë fuqinë ta udhërrëfejnë, forcojnë dhe shndërrojnë jetën tuaj (shih Gjoni 14:6).
Pjesa 1
Si mund të ma përmirësojnë jetën mësimet e Jezu Krishtit?
Pas Ringjalljes së Tij, Jezusi eci me dy dishepuj që po udhëtonin drejt Emausit. Ata nuk e dalluan se Ai ishte Krishti i ringjallur. Ndërsa ecnin, Jezusi dha mësim nga shkrimet e shenjta për kuptimin e misionit të Tij hyjnor. (Shih Lluka 24:13–27.)
Jezu Krishti dha mësim me “autoritet [nga Perëndia]” dhe jo si skribët dhe farisenjtë (Joseph Smith Translation, Matthew 7:37 [në Biblën në anglisht Mateu 7:29, poshtëshënimi a]). Kur Ai dha mësim në vendlindjen e Tij në Nazaret, njerëzit “habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet” (Lluka 4:32). Por ndonëse Zoti dha mësim me autoritet, disa njerëzve mësimet dhe doktrina e Tij iu dukën tepër sfiduese dhe zgjodhën të mos e ndiqnin Atë. Në një rast të tillë, Zoti i pyeti Apostujt e Tij: “A doni edhe ju të largoheni?” (Gjoni 6:67; shih edhe Gjoni 6:68–69.)
Në kohën tonë, edhe ne mund të ndihemi të sfiduar nga mësimet dhe doktrina e Jezu Krishtit. Me raste mund të ndihemi madje të tunduar të “largohe[m]i”. Për të qëndruar besnikë gjatë gjithë jetës sonë nuk do të jetë e mjaftueshme që thjesht t’i dëgjojmë fjalët e Tij.
Pasi i mësoi të vërteta të rëndësishme të ungjillit një fariseu të quajtur Nikodem, Zoti tha: “Kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë” (Gjoni 3:21; theksimi i shtuar).
Në një rast tjetër, ndërkohë që po jepte mësim në tempull, Jezusi tha: “Në qoftë se dikush don të dijë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17; theksimi i shtuar). Më vonë, ndërsa Jezusi dha një shembull shërbimi për dishepujt e Tij duke u larë këmbët atyre, Ai tha: “ Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni” (Gjoni 13:17; theksimi i shtuar).
Duke shpjeguar rëndësinë e të vepruarit sipas mësimeve të Jezu Krishtit, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:
Pamja
Plaku Xhefri R. Holland
“‘Prandaj, çfarë?’ Mendoj se kjo është ajo që Shpëtimtari u përgjigj ditë pas dite si një element i pandashëm i mësimdhënies dhe predikimit të Tij. Predikimet dhe këshillimet e Tij nuk do të kishin asnjë dobi, në qoftë se jeta aktuale e dishepujve të Tij nuk ndryshonte.
‘Prandaj, çfarë?’ Ju dhe unë e dimë se shumë njerëz nuk e kanë bërë lidhjen midis asaj që ata thonë se besojnë dhe mënyrës se si e jetojnë në të vërtetë jetën e tyre.” (“Teaching, Preaching, Healing”, Ensign, janar 2003, f. 37)
Pamja
ikonë, studioni
Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore
Mendoni rreth mësimeve të Shpëtimtarit që gjenden tek Ungjijtë (Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni) dhe te 3 Nefi 11–27. Përzgjidhni një mësim që ka qenë veçanërisht i rëndësishëm për ju dhe studiojeni atë përsëri. (Shënim: Nëse ju nevojiten disa ide për ta rifreskuar kujtesën tuaj, shihni “The Teachings of Jesus Christ” [“Mësimet e Jezu Krishtit”], në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.)
Teksa studioni dhe përsiatni, mbajini shënim mendimet tuaja rreth pyetjeve vijuese:
Çfarë ju bën më shumë përshtypje rreth këtij mësimi të veçantë nga Shpëtimtari?
Në çfarë mënyre ka ndikuar ky mësim në jetën tuaj?
Si ju ka sjellë ai më pranë Jezu Krishtit?
Ejani në klasë të përgatitur për të treguar mësimin që përcaktuat, dhe si ka ndikuar ai në jetën tuaj. Nëse nuk mund të mendoni për një mësim nga Shpëtimtari që ka ndikuar te ju, atëherë kërkoni një mësim që mund të ketë lidhje me jetën tuaj. Studiojeni atë dhe ejani të përgatitur për të treguar atë që ju bën më tepër përshtypje rreth këtij mësimi.
Pjesa 2
Cilat mësime të Zotit janë më thelbësore për shpëtimin tim?
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
Pamja
Presidenti Bojd K. Paker
“E gjithë e vërteta ia vlen të dihet. Disa të vërteta janë më të dobishme, por ka disa të vërteta që janë shumë të vlefshme për t’u ditur.” (“Truths Most Worth Knowing” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 6 nëntor 2011], ChurchofJesusChrist.org)
Ne mund të shohim te Shpëtimtari për udhërrëfim lidhur me atë që mund të jetë më e vlefshmja të dihet. Pas Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti iu shfaq shumë njerëzve, përfshirë Dymbëdhjetë Apostujve të Tij. Ai i ngarkoi Të Dymbëdhjetët që t’ua predikonin ungjillin të gjithë njerëzve. Ai gjithashtu siguroi se ata që besonin tek ungjilli i Tij dhe pagëzoheshin, do të shpëtoheshin. (Shih Marku 16:15–16.)
Kur Jezu Krishti iu shfaq nefitëve, Ai u mësoi atyre kuptimin e ungjillit të Tij dhe arsyen pse ungjilli ishte thelbësor për shpëtimin e tyre.
Vëllai Daniel K. Xhud, ish-Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës, tha:
Pamja
Vëllai Daniel K. Xhud
“Ndërkohë që ungjilli i Jezu Krishtit e përqafon të gjithë vërtetën, jo të gjitha të vërtetat kanë vlerë të barabartë. Shpëtimtari dha mësim me qartësi që ungjilli i Tij, së pari dhe mbi të gjitha, është flijimi i Tij shlyes. Ungjilli i Tij është gjithashtu një ftesë për të marrë bekimet e Shlyerjes nëpërmjet besimit te Krishti, pendimit, pagëzimit, marrjes së Frymës së Shenjtë dhe durimit me besnikëri deri në fund. …
… Është thelbësore që të ushqejmë ata që mësojmë dhe të udhëheqim duke u përqendruar mbi doktrinat … në vend që të shpenzojmë kohë të çmuar me tema dhe burime me më pak rëndësi.” (“Të Ushqehen nga Fjala e Mirë e Perëndisë”, Liahona, nëntor 2007, f. 93–94)
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, ofroi këshillën vijuese:
Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf
“Nëse mendoni se ungjilli nuk po funksionon aq mirë për ju, unë ju ftoj të bëni një hap pas, të shihni jetën tuaj nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtoni metodën tuaj të dishepullimit. Përqendrohuni te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit. Ju premtoj se Perëndia do t’ju udhërrëfejë e bekojë në shtegun tuaj drejt një jete të suksesshme dhe ungjilli sigurisht do të funksionojë më mirë për ju.” ( “Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme!”, Liahona, nëntor 2015, f. 22)
Pamja
ikonë, përsiatni
Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore
Çfarë mund të ndodhë kur i anashkalojmë mësimet bazë të ungjillit dhe përqendrohemi te mësime më pak të rëndësishme? Çfarë ju ka ndihmuar më shumë për t’ju mbajtur të përqendruar te mësimet bazë?