Biblioteka
Ndihmojini Ata Gjatë Gjithë Rrugëtimit të Tyre


“Ndihmojini Ata Gjatë Gjithë Rrugëtimit të Tyre”, Tema dhe Pyetje (2023)

Pamja
babë e bir që ecin së bashku

Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre

Ndihmojini Ata Gjatë Gjithë Rrugëtimit të Tyre

Disa njerëz që hasin vështirësi lidhur me pyetje rreth besimit të tyre, i zgjidhin shqetësimet e tyre shpejt dhe bëjnë përpara. Për shumë veta, mundimi lidhur me pyetjet kërkon kohë. Dashuria, inkurajimi dhe gatishmëria juaj për të rrugëtuar së bashku me ta mund t’i ndihmojnë që të gjejnë shpresë.

Vazhdoni ta jetoni ungjillin ndërkohë që e ndihmoni mikun ose njeriun tuaj të dashur në rrugëtimin e vet. Shtigjet tuaja të ndryshme mund të ndërthuren dhe t’ju ndihmojnë që të qëndroni të lidhur, në vend që t’ju çojnë në shtigje të ndara. “Rrugëtimet e jetës sonë janë individuale”, – dha mësim Plaku Gerit W. Gong, – “por ne mund të vijmë përsëri te Perëndia, Ati ynë dhe te Biri i Tij i Dashur nëpërmjet mirëbesimit te Perëndia, te njëri-tjetri dhe te vetja.”1 Ja disa parime për t’i përkrahur dhe inkurajuar të tjerët:

  • Jini një burim i sigurt për diskutim. Kur një mik ose pjesëtar i familjes jua shpreh juve pyetjet e veta, ndoshta nuk po kërkon dikë që të zgjidhë një problem, por përkundrazi po kërkon një njeri të dashur që është i gatshëm të ecë përkrah tij/saj në rrugëtimin e vet. Jini mirëkuptues. Bëjani të ditur se do të vazhdoni të tregoni kujdes për të pavarësisht nga shqetësimet dhe zgjedhjet e tij/saj.

  • Ndihmojeni atë të kërkojë përgjigje. Një mënyrë për të ndihmuar mund të jetë që t’i tregoni për parimet e diskutuara në pjesën “Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja” në këtë burim. Ndihmojeni mikun ose pjesëtarin e familjes suaj që të gjejë materiale të botuara nga Kisha për pyetje të zakonshme dhe jini i gatshëm që të flisni me të rreth këtyre burimeve. Nxiteni që t’i bëjë këndvështrimet besnike lidhur me pyetjet sfiduese, një pjesë qendrore të studimit të vet. Kur nxiteni nga Shpirti, kujtojeni për shkrime të shenjta të dobishme dhe nxiteni që të vazhdojë të lutet.

  • Jini një shembull si Krishti. Një nga mënyrat më të mira për të folur për ungjillin është të tregoni dashuri si të Krishtit dhe të jetoni një jetë plot mirësi. Teksa qëndroni besnik dhe i mbani besëlidhjet tuaja, ju ua demonstroni gëzimin e të jetuarit të ungjillit njerëzve që i ndihmoni. Ata mund të zgjedhin që të mos e dëgjojnë këshillën ose dëshminë tuaj, por do të ndikohen nga shembulli juaj i dashurisë së sinqertë dhe i besnikërisë.

  • Ndërtoni mbi gjëra të përbashkëta. Mund ta mbani të fortë marrëdhënien tuaj duke ndërtuar mbi bindjet fetare dhe interesat që i keni të përbashkëta. Shmangni që t’i bëni pyetjet e tyre përqendrimin e të gjitha ndërveprimeve tuaja. Thjesht ngaqë ata hasin vështirësi me disa gjëra, nuk do të thotë që e kanë mohuar gjithçka. Vazhdoni të shpenzoni kohë me ta duke u kënaqur me veprimtari që i keni bërë në të shkuarën. Në këtë proces mund të zbuloni gjëra të reja për t’i shqyrtuar dhe për t’i kryer së bashku.

  • Gjeni mënyra që të bëni vepra të mira së bashku. Ftojeni mikun tuaj ose pjesëtarin e familjes që të bashkohet me ju teksa veproni sipas parimeve të ungjillit që ju sjellin gëzim. Ju mund t’i kërkoni atij apo asaj që t’u shërbejë të tjerëve bashkë me ju, të marrë pjesë në një veprimtari që ju rrit moralisht, apo ta forconi së bashku komunitetin tuaj. Ju që të dy dëshironi ta përmirësoni botën përreth jush, pavarësisht nga pyetjet e tij/saj për besimin.

  • Kuptojeni se kjo mund të kërkojë kohë. Kur një njeri i afërt për ne ka shqetësime ose pyetje rreth besimit të vet, ne mund të shpresojmë se një argumentim bindës ose një dëshmi e çiltër do t’i zgjidhë me të shpejtë gjërat. Mbani mend se nuk ka gjithmonë një zgjidhje të shpejtë kundrejt shqetësimeve ose pyetjeve shpirtërore. Jini të përgatitur që të ndërmerrni një rrugëtim më të gjatë me të. Jepini atij/asaj kohë dhe hapësirë që të zhvillohet. Pranojeni që mënyra se si ai/ajo e shpreh besimin e vet mund të duket e ndryshme për ju nga çfarë u duk në të shkuarën dhe kjo gjë është në rregull.

Shkrime të shenjta kyç: Isaia 35:3–4; Galatasve 6:2; 1 Pjetër 3:15; Mosia 18:9; Doktrina e Besëlidhje 11:21

Shtyp në Letër