Manualet dhe Thirrjet
38. Rregulloret dhe Orientimet e Kishës


“38. Rregulloret dhe Orientimet e Kishës”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“38. Rregulloret dhe Orientimet e Kishës”, Manuali i Përgjithshëm.

38.

Rregulloret dhe Orientimet e Kishës

38.1

Pjesëmarrja në Kishë

Ati ynë në Qiell i do fëmijët e Tij. “Të gjithë janë njësoj para Perëndisë” dhe Ai i fton të gjithë “të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij” (2 Nefi 26:33).

Udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës shpesh iu bëhet pyetja se cilët mund t’i frekuentojnë mbledhjet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, se cilët mund të bëhen anëtarë të Kishës dhe cilët mund të frekuentojnë një tempull.

38.1.1

Frekuentimi i Mbledhjeve të Kishës

Shpëtimtari dha mësim se dishepujt e Tij duhet t’i duan të afërmit e tyre (shihni te Mateu 22:39). Pali i ftoi të kthyerit e rinj në besim që të mos ishin “më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve” (Efesianëve 2:19). Shpëtimtari gjithashtu dha mësim që anëtarët e Kishës nuk duhet të “dëbo[jnë] askënd nga mbledhjet … publike, të cilat mbahen përpara botës” (Doktrina e Besëlidhje 46:3).

Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur që të frekuentojnë mbledhjen e sakramentit, mbledhje të tjera të së dielës dhe ngjarje shoqërore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Drejtuesi kryesues është përgjegjës për të siguruar që të gjithë njerëzit që frekuentojnë, të tregojnë respekt për mjedisin e shenjtë.

Njerëzit që frekuentojnë, duhet të shmangin ndërprerjet ose shpërqendrimet që janë në kundërshtim me adhurimin apo qëllimet e tjera të mbledhjes. Duhet të respektohen të gjitha kërkesat për moshën dhe sjelljen në mbledhjet dhe ngjarjet e ndryshme të Kishës. Kjo kërkon shmangien e sjelljes së dukshme romantike dhe të veshjes ose pamjes së jashtme që shkakton tërheqje të vëmendjes. Kjo gjithashtu përjashton bërjen e deklaratave politike ose të folurën për orientimin seksual apo karakteristika të tjera vetjake në një mënyrë që e largon vëmendjen nga mbledhjet që përqendrohen te Shpëtimtari.

Nëse ka sjellje të papërshtatshme, peshkopi ose presidenti i kunjit jep këshillë në mënyrë private dhe me një frymë dashurie. Ai i inkurajon njerëzit sjellja e të cilëve nuk është e duhur për rastin, që të përqendrohen te ndihma për të ruajtur një hapësirë të shenjtë për çdo njeri të pranishëm, me theksin e veçantë tek adhurimi i Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit.

Shtëpitë e mbledhjeve të Kishës mbeten pronësi private që u nënshtrohen rregulloreve të Kishës. Njerëzve që nuk dëshirojnë t’i ndjekin këto orientime, do t’u kërkohet në mënyrë të respektueshme që të mos i frekuentojnë mbledhjet dhe ngjarjet e Kishës.

38.1.2

Bërja Anëtar i Kishës

Anëtarësia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është në dispozicion të njerëzve që “vijnë me zemra të thyera e shpirtra të penduar”, që “janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit” dhe dëshirojnë të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhjet e shenjta të pagëzimit (Doktrina e Besëlidhje 20:37).

Një fëmijë i mitur i moshës 8 vjeç e lart mund të pagëzohet me lejen e prindit ose prindërve kujdestarë apo kujdestarit ose kujdestarëve ligjorë të tij ose të saj. Prindi ose prindërit kujdestarë apo kujdestari ose kujdestarët ligjorë duhet ta kuptojnë doktrinën e Kishës që do t’i mësohet fëmijës së tyre dhe ta përkrahin fëmijën në bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjes së pagëzimit.

38.1.3

Frekuentimi i Tempullit

Tempujt janë vende të shenjta adhurimi, në të cilët merren ordinanca thelbësore dhe bëhen besëlidhje të shenjta. Për anëtarët e Kishës, tempujt janë shtëpitë e Perëndisë. Për shkak të kësaj shenjtërie dhe besëlidhjeve të bëra, vetëm anëtarët e Kishës me një rekomandim aktual tempulli mund ta frekuentojnë tempullin. Anëtarët mund të marrin një rekomandim tempulli kur i zbatojnë besnikërisht urdhërimet e kërkuara dhe e jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

38.1.4

Pjesëmarrja dhe Bekimet e Anëtarëve të Pamartuar

Të gjithë anëtarët, edhe nëse nuk janë martuar kurrë ose nuk e kanë familjen në Kishë, duhet të përpiqen fort për idealin e të jetuarit në një familje të përjetshme. Kjo nënkupton përgatitjen për t’u vulosur si një bashkëshort ose bashkëshorte e denjë dhe për t’u bërë një atë ose nënë e dashur. Për disa, këto bekime nuk do të përmbushen deri në jetën tjetër, por synimi përfundimtar është i njëjtë për të gjithë.

Anëtarët besnikë, rrethanat e të cilëve nuk i lejojnë të marrin bekimet e martesës së përjetshme dhe të prindërimit në këtë jetë, do t’i marrin të gjitha bekimet e premtuara në përjetësitë, me kusht që t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Perëndinë (shihni te Mosia 2:41).

38.1.5

Prindërit e Pamartuar nën Moshën 18 Vjeç

Një i ri i pamartuar nën moshën 18 vjeç, i cili do të bëhet baba, mund të marrë pjesë në kuorumin e tij të Priftërisë Aarone ose në kuorumin e pleqve. Ky vendim i lihet reflektimit plot lutje të të riut, prindërve të tij dhe peshkopit.

Një e re e pamartuar nën moshën 18 vjeçe, e cila do të bëhet nënë, mund të marrë pjesë tek Të Rejat ose në Shoqatën e Ndihmës. Ky vendim i lihet reflektimit plot lutje të së resë, prindërve të saj dhe peshkopit.

Gjatë marrjes së këtij vendimi, i riu ose e reja, prindërit dhe udhëheqësit marrin parasysh sa vijon:

  • Nëse i riu ose e reja merr pjesë në orë mësimore dhe aktivitete të rinisë, fëmija nuk duhet të jetë së bashku me të.

  • Të rinjtë dhe të rejat më të mëdhenj në moshë që zgjedhin ta rritin fëmijën, mund të përfitojnë nga të qenit të mirëpritur në kuorumin e pleqve si pleq të ardhshëm ose në Shoqatën e Ndihmës.

38.2

Rregulloret për Ordinancat dhe Bekimet

Kjo pjesë jep rregullore për ordinancat dhe bekimet. Disa nga këto rregullore përfshijnë rrethana të veçanta. Informacioni i përgjithshëm rreth ordinancave dhe bekimeve jepet në kapitullin 18. Informacioni rreth ordinancave të tempullit jepet në kapitujt 27 dhe 28.

38.2.1

Interpretimi i Ordinancave dhe Bekimeve në një Gjuhë Tjetër

Është e rëndësishme që një person që merr një ordinancë ose bekim, e kupton atë që thuhet. Nëse është e nevojshme, një udhëheqës kryesues mund t’i kërkojë dikujt që të interpretojë një ordinancë apo bekim në një gjuhë që e kupton marrësi. Kjo përfshin interpretimin në gjuhën e shenjave. Nëse është e mundur, ky person duhet të mbajë priftërinë. Nëse një mbajtës i priftërisë nuk është në dispozicion, një burrë ose një grua e aftë mund ta bëjë interpretimin.

Për informacion rreth përkthimeve të shkruara të bekimeve patriarkale, shihni 38.2.10.5. Për informacion rreth interpretimit të bekimeve patriarkale në gjuhën e shenjave, shihni 38.2.10.6.

38.2.2

Fotografitë, Regjistrimet dhe Transkriptimet e Ordinancave dhe Bekimeve

Ordinancat dhe bekimet janë të shenjta. Për këtë arsye, askush nuk duhet të bëjë fotografi ose regjistrime të ordinancave, bekimeve ose të shërbesave të pagëzimit.

Bekimet patriarkale transkriptohen. Për ta lehtësuar këtë gjë, patriarku ose shkruesi/ja i/e tij bën një regjistrim zanor të bekimit.

Një familje mund të bëjë një regjistrim zanor dhe një transkriptim të bekimeve të atit. Këto bekime përshkruhen te 18.14.1. Ordinancat e tjera nuk regjistrohen saktësisht fjalë për fjalë.

38.2.3

Transmetimi i Ordinancave nëpërmjet Internetit

Kur është e mundur, ata që dëshirojnë ta shohin një ordinancë, duhet të përpiqen të marrin pjesë me prani fizike. Kur anëtarët dhe miqtë mblidhen për një ordinancë, ata ndiejnë ndikimin e Shpirtit dhe shoqërohen me njëri‑tjetrin.

Gjithsesi, kur një pjesëtar i afërt i një familjeje nuk është në gjendje të marrë pjesë me prani fizike, peshkopi ose presidenti i kunjit mund të autorizojë që ordinanca të transmetohet për të nëpërmjet internetit. Transmetimi nëpërmjet internetit lejohet, për shembull, kur pjesëtari i afërt i familjes:

  • Jeton në një vendndodhje të izoluar ose ka aftësi të kufizuar për të udhëtuar.

  • Ka sfida të shëndetit fizik, mendor ose emocional.

  • Ka gjendje të dëmtuar imunitare ose është në një godinë përkujdesjeje apo spital.

  • Ka nevojë për interpretim në gjuhën e shenjave.

  • Po shërben në një mision kohëplotë. (Kërkohet miratimi nga presidenti i misionit.)

Peshkopi mund të autorizojë transmetimin nëpërmjet internetit të bekimeve të fëmijëve, pagëzimeve, konfirmimeve dhe shugurimeve në Priftërinë Aarone. Presidenti i kunjit mund të autorizojë transmetimin nëpërmjet internetit të shugurimeve në Priftërinë Melkizedeke dhe veçimin e misionarëve.

Ordinanca e sakramentit nuk transmetohet nëpërmjet internetit. Nëse një mbledhje sakramenti po transmetohet nëpërmjet internetit, transmetimi duhet të ndalohet gjatë administrimit të sakramentit. Peshkopi mund të autorizojë një prift ose një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke që t’ua administrojë sakramentin me prani fizike atyre që nuk mund ta frekuentojnë mbledhjen.

Transmetimi i ordinancave nëpërmjet internetit nuk duhet ta largojë vëmendjen nga Shpirti. Duhet të përdoret vetëm një aparat. Në përgjithësi ai aparat vihet në përdorim nga specialisti i lagjes ose i kunjit për teknologjinë. Si aparati ashtu edhe personi që po e përdor atë, duhet të mos bien në sy.

Transmetimet e ordinancave nëpërmjet internetit duhet të fshihen brenda një dite mbas ordinancës.

38.2.4

Ordinancat për Personat që Kanë Aftësi të Kufizuara Intelektuale

Kur marrin parasysh që t’i kryejnë apo jo ordinancat për një person që ka një aftësi të kufizuar intelektuale, individi, prindërit apo kujdestarët e tij ose të saj (atje ku gjen zbatim) dhe udhëheqësit këshillohen së bashku. Me lutje ata marrin parasysh dëshirën dhe shkallën e të kuptuarit të personit. Ordinancat nuk duhet të ndalohen nëse personi është i denjë, dëshiron t’i marrë ato dhe tregon një shkallë të mjaftueshme përgjegjësie dhe përgjegjshmërie.

Peshkopi mund të këshillohet me presidentin e kunjit nëse ka pyetje rreth personave të veçantë. Presidenti i kunjit mund të vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë nëse është e nevojshme.

Individët aftësitë e kufizuara të të cilëve i bëjnë të papërgjegjshëm, “shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit” (Doktrina e Besëlidhje 137:10). Për këtë arsye ordinancat nuk nevojiten ose kryhen për ta. I vetmi përjashtim është vulosja te prindërit për ata që nuk u lindën në besëlidhje.

Për informacion rreth kryerjes së ordinancave për njerëz me aftësi të kufizuara intelektuale, shihni sa vijojnë:

  • Për pagëzimin dhe konfirmimin, 38.2.8.1

  • Për shugurimin në një detyrë në priftëri, 38.2.9.7

  • Për një bekim patriarkal, 38.2.10.1

  • Për ordinancat e dhurimit dhe të vulosjes në tempull, 27.2.1.3 dhe 27.3.1.2

38.2.5

Ordinancat dhe Bekimet që Kryhen nga dhe për Persona që Kanë Aftësi të Kufizuara Fizike

Personat që kanë aftësi të kufizuara fizike, të tilla si humbje të një gjymtyre, paralizë ose shurdhim, mund të kryejnë e marrin ordinanca dhe bekime. Udhëheqësit bëjnë përshtatje që këta persona të mund të marrin pjesë aq sa munden. Nëse udhëheqësit kanë pyetje që nuk mund t’i zgjidhin, presidenti i kunjit vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë.

Personat që janë të shurdhër apo kanë probleme me dëgjimin, mund të komunikojnë në gjuhën e shenjave kur kryejnë apo marrin një ordinancë ose bekim. Një udhëheqës priftërie i cili mbikëqyr një ordinancë, sigurohet që marrësi ta kuptojë atë nëpërmjet një interpretuesi ose me mënyra të tjera (shihni 38.2.1).

38.2.6

Vlefshmëria ose Ratifikimi i Ordinancave

Informacioni më poshtë jep arsyet përse një ordinancë nuk do të ishte e vlefshme. Ai gjithashtu përshkruan mënyrën se si të vlerësohet ose ratifikohet ordinanca.

Në disa raste një ordinancë duhet të kryhet përsëri. Kur kjo ndodh, një nëpunës e shënon datën e re në dokumentin e anëtarësisë, edhe nëse ajo është jashtë radhës së datave të ordinancave të tjera.

38.2.6.1

Viti Mungon ose Është i Pasaktë

Për qëllimet e mbajtjes së dokumenteve, një ordinancë nuk konsiderohet e vlefshme në qoftë se viti kur u krye mungon ose është i pasaktë në dokumentin e anëtarësisë. Ordinanca mund të bëhet e vlefshme me certifikatën origjinale që u lëshua kur u krye ordinanca. Me këtë certifikatë, peshkopi mund ta autorizojë një nëpunës për ta përditësuar dokumentin e anëtarësisë.

Nëse certifikata nuk mund të gjendet, ordinanca mund të bëhet e vlefshme me dëshminë e dy njerëzve që e dëshmuan atë. Të dy dëshmitarët duhet:

  • Të kenë qenë 8 vjeç e lart kur u krye ordinanca.

  • Ta kenë parë ose dëgjuar ordinancën.

  • Të jenë anëtarë të Kishës me dokument në kohën që e japin dëshminë e tyre.

  • Ta japin dëshminë e tyre me shkrim, duke deklaruar ose 1) datën e plotë kur u krye ordinanca ose 2) vitin kur u krye dhe personin që e kreu atë.

  • Ta nënshkruajnë dëshminë e tyre në prani të një anëtari të peshkopatës ose të presidencës së kunjit.

Me këtë dëshmi, peshkopi mund të autorizojë një nëpunës për ta përditësuar dokumentin e anëtarësisë. Pastaj dëshmia e shkruar mund të flaket.

Nëse certifikata ose dëshmitarët nuk mund të gjenden, ordinanca duhet të kryhet sërish.

Nëse anëtari ka marrë ordinanca të tjera pas ordinancës së pavlefshme, ato duhet të ratifikohen nga Presidenca e Parë. Për ta kërkuar këtë, presidenti i kunjit i dërgon një letër Zyrës së Presidencës së Parë.

38.2.6.2

Ordinancat u Morën Jashtë Radhe

Një ordinancë nuk është e vlefshme nëse një person e mori atë jashtë radhe. Për shembull, ordinanca e dhurimit të një burri nuk është e vlefshme nëse ai e mori përpara se të merrte Priftërinë Melkizedeke. Sidoqoftë, Presidenca e Parë mund ta ratifikojë një ordinancë të tillë. Për ta kërkuar këtë, presidenti i kunjit i dërgon një letër Zyrës së Presidencës së Parë.

38.2.6.3

Ordinanca u Krye përpara Moshës së Duhur

Një ordinancë nuk është e vlefshme nëse u krye përpara moshës së duhur. Për shembull, një pagëzim nuk është i vlefshëm nëse u krye përpara se personi të ishte 8 vjeç.

Nëse asnjë ordinancë tjetër nuk është marrë pas ordinancës së pavlefshme, ajo duhet të kryhet sërish. Nëse u morën ordinanca të tjera, ato dhe ordinanca e pavlefshme duhet të ratifikohen nga Presidenca e Parë. Për ta kërkuar këtë, presidenti i kunjit i dërgon një letër Zyrës së Presidencës së Parë.

38.2.6.4

Ordinanca u Krye pa Autoritetin e Duhur

Një ordinancë nuk është e vlefshme nëse u krye nga dikush që nuk e kishte autoritetin e duhur të priftërisë. Për shembull, një konfirmim nuk është i vlefshëm nëse u krye nga dikush që nuk mbante Priftërinë Melkizedeke. Në mënyrë të ngjashme, një konfirmim nuk është i vlefshëm nëse personi që e kryen atë, e mori Priftërinë Melkizedeke jashtë radhës ose pa miratimin e duhur (shihni 38.2.6.2; shihni edhe 32.17).

Nëse asnjë ordinancë tjetër nuk është marrë pas ordinancës së pavlefshme, ajo duhet të kryhet sërish nga dikush me autoritetin e duhur. Nëse u morën ordinanca të tjera, ato dhe ordinanca e pavlefshme duhet të ratifikohen nga Presidenca e Parë. Për ta kërkuar këtë, presidenti i kunjit i dërgon një letër Zyrës së Presidencës së Parë. Në disa raste, Presidenca e Parë mund të udhëzojë që ordinancat të kryhen përsëri.

38.2.7

Vënia e Emrit dhe Bekimi i Fëmijëve

Për informacion të përgjithshëm rreth vënies së emrit dhe bekimit të fëmijëve, shihni 18.6.

38.2.7.1

Foshnjat që Janë të Sëmura Rëndë

Nëse një foshnjë e sapolindur është e sëmurë rëndë, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke mund ta kryejë vënien e emrit dhe bekimin në spital ose në shtëpi. Ai nuk ka nevojë për autorizim nga peshkopi. Pasi e jep bekimin, ai e njofton peshkopin menjëherë që të mund të krijohet për fëmijën një dokument anëtarësie.

38.2.7.2

Fëmijët me një Prind që Nuk Është Anëtar i Kishës

Nganjëherë prindërit ose kujdestarët e një fëmije bëjnë kërkesë që fëmija të bekohet edhe pse ata nuk janë anëtarë të Kishës. Kur kjo gjë ndodh, peshkopi merr leje me gojë nga të dy prindërit ose kujdestarët përpara bekimit. Ai shpjegon se:

  • Një dokument anëtarësie do të krijohet për fëmijën.

  • Anëtarët e lagjes do të vihen në kontakt me ta herë pas here.

  • Ai ose udhëheqës të tjerë të lagjes do të propozojnë që fëmija të përgatitet për t’u pagëzuar kur ai ose ajo i afrohet moshës 8 vjeç.

38.2.8

Pagëzimi dhe Konfirmimi

Për informacion të përgjithshëm rreth pagëzimit dhe konfirmimit, shihni 18.7 dhe 18.8.

38.2.8.1

Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale

Një person me një aftësi të kufizuar intelektuale mund të pagëzohet dhe konfirmohet nëse ai ose ajo në mënyrë të arsyeshme mund të konsiderohet i/e përgjegjshëm/me. Ai ose ajo duhet të jetë në gjendje t’i kuptojë dhe mbajë besëlidhjet e pagëzimit.

Peshkopi mban çelësat për pagëzimin e personit nëse ai ose ajo është:

  • Një anëtar prej dokumentit i moshës 8 vjeç e lart.

  • I moshës 8 vjeç dhe ka të paktën një prind ose kujdestar që është anëtar (shihni 18.7.1.1).

Personi, prindërit ose kujdestarët e tij ose të saj (atje ku gjen zbatim) dhe peshkopi këshillohen së bashku për të përcaktuar nëse personi duhet të pagëzohet dhe konfirmohet.

Nëse personi është një i kthyer i mundshëm në besim, presidenti i misionit mban çelësat e pagëzimit të tij ose të saj (shihni 18.7.1.2). Në këtë rast misionarët informojnë presidentin e misionit. Ai këshillohet me personin dhe prindërit ose kujdestarët e tij ose të saj (atje ku gjen zbatim) për të përcaktuar nëse ai ose ajo duhet të pagëzohet dhe konfirmohet. Nëse peshkopi e njeh mirë personin, presidenti i misionit gjithashtu mund të kërkojë mendimin e tij.

Njerëzit që nuk janë të përgjegjshëm, nuk ka nevojë të pagëzohen pavarësisht nga mosha (shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:46–50 dhe 38.2.4 në këtë manual).

Për informacion mbi dokumentet e anëtarësisë të personave që mund të mos jenë të përgjegjshëm, shihni 33.6.10.

38.2.8.2

Të Miturit

Një i mitur, siç përcaktohet nga ligjet vendore, mund të pagëzohet kur plotësohen që të dyja kushtet vijuese:

  1. Prindi apo prindërit kujdestarë ose kujdestari/ja apo kujdestarët ligjorë japin leje. Ata duhet ta kuptojnë doktrinën që do t’i mësohet fëmijës së tyre. Ata gjithashtu duhet të jenë të gatshëm për ta përkrahur fëmijën në bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjes së pagëzimit. Personi që kryen intervistën e pagëzimit dhe konfirmimit, kërkon që kjo leje të jetë me shkrim, në qoftë se e ndien që kjo do të ndihmojë në parandalimin e keqkuptimeve. Në disa vendndodhje kërkohet leja me shkrim. Udhëheqësit e misionit dhe të zonës mund të sigurojnë udhëzim.

  2. Personi që kryen intervistën, e dallon qartë që fëmija e kupton besëlidhjen e pagëzimit. Ai duhet të ndihet vetëbesues që fëmija do të përpiqet fort për ta mbajtur këtë besëlidhje duke iu bindur urdhërimeve, përfshirë frekuentimin e mbledhjeve të Kishës.

38.2.8.3

Fëmijët, Prindërit e të Cilëve Janë të Shkurorëzuar

Një fëmijë, prindërit e të cilit janë të shkurorëzuar, mund të pagëzohet dhe konfirmohet vetëm me lejen e prindit ose prindërve që kanë kujdestarinë ligjore.

Nëse një fëmijë mban mbiemrin e njerkut të vet, fëmija mund të pagëzohet dhe konfirmohet me atë emër. Kjo është e vërtetë edhe nëse ai ose ajo nuk është birësuar zyrtarisht. Sidoqoftë, emri ligjor i fëmijës, siç përcaktohet nga ligji apo tradita vendore, duhet të shënohet në dokumentin e anëtarësisë dhe në certifikatën e pagëzimit dhe të konfirmimit.

38.2.8.4

Personat që Janë të Martuar

Një person i martuar duhet të ketë pëlqimin e bashkëshortit ose bashkëshortes së vet përpara se të pagëzohet.

38.2.8.5

Personat që po Bashkëjetojnë

Pjesëtarët e një çifti që jetojnë së bashku por nuk janë të martuar, duhet të zotohen që të jetojnë sipas ligjit të dëlirësisë përpara se secili prej tyre të mund të pagëzohet. Kjo përfshin ushtrimin e besimit deri në pendim siç përshkruhet te Doktrina e Besëlidhje 20:37. Gjithashtu përfshin të mos jetojnë më së bashku ose, në rastin e një burri dhe të një gruaje, të martohen.

38.2.8.6

Personat Anëtarësia në Kishë e të Cilëve u Hoq ose të Cilët Hoqën Dorë nga Anëtarësia

Personat anëtarësia në Kishë e të cilëve u hoq ose të cilët hoqën dorë nga anëtarësia, mund të ripranohen me anë të pagëzimit dhe konfirmimit. Ata nuk konsiderohen si të kthyer në besim. Misionarët nuk i intervistojnë ata për pagëzim. Për udhëzime, shihni 32.16.

38.2.8.7

Situatat që Kërkojnë Autorizim nga Presidenti i Misionit ose Presidenca e Parë

Kërkohet autorizimi nga presidenti i misionit përpara se një person të mund të pagëzohet, nëse ai ose ajo ndonjëherë ka:

  • Kryer një krim të rëndë (shihni 38.2.8.8).

  • Marrë pjesë në një abort (shihni 38.6.1).

Në këto raste, presidenti i misionit e interviston personin. Nëse është e nevojshme, presidenti i misionit mund të autorizojë njërin nga këshilltarët e tij që ta kryejë intervistën. Ai e jep këtë autorizim veç e veç për çdo intervistë. Këshilltari që e kryen atë, i raporton presidentit të misionit, i cili më pas mund ta autorizojë ose refuzojë pagëzimin dhe konfirmimin.

Kërkohet miratim nga Presidenca e Parë përpara se një person mund të pagëzohet, nëse ai ose ajo:

  • Është aktualisht në një kohë prove ligjore ose lirim me kusht për një krim të rëndë ose një krim që përfshin sjellje të pahijshme seksuale (shihni 38.2.8.8).

  • Ka kryer vrasje (shihni 38.2.8.8).

  • Është përfshirë në martesë të shumëfishtë (shihni 38.2.8.9).

  • Ka përfunduar kalimin në gjininë e kundërt me atë të seksit të tij ose të saj biologjik në lindje (shihni 38.2.8.10).

Presidenti i misionit e interviston personin. Nëse mund ta rekomandojë pagëzimin, ai dorëzon një kërkesë për miratim nga Presidenca e Parë për personin që do të pagëzohet. Nëse personi është një ish‑anëtar që po kërkon ripranim, peshkopi ose presidenti i kunjit e kryen intervistën. Ai ndjek udhëzimet te 32.16.

38.2.8.8

Personat që Janë Dënuar për Krime

Personave që janë dënuar për krime, nuk u lejohet të pagëzohen derisa t’i përfundojnë afatet e tyre të burgimit. Kjo është e vërtetë për të kthyerit në besim dhe për ata që po kërkojnë ripranim.

Personave që janë dënuar për krime të rënda apo ndonjë krim që përfshin sjellje seksuale, nuk u lejohet të pagëzohen dhe konfirmohen derisa të kenë përfunduar edhe afatet e tyre të kohës së provës ose lirimit me kusht. Vetëm Presidenca e Parë mund të lejojë një përjashtim. Këta persona inkurajohen që të punojnë nga afër me udhëheqësit e tyre vendorë të priftërisë. Ata përpiqen fort të bëjnë gjithçka munden për të marrë ndihmën e Shpëtimtarit që të bëhen të denjë për pagëzim e konfirmim.

Misionarët kohëplotë nuk u japin mësim njerëzve që janë në burg.

Një personi që është dënuar për vrasje nuk i lejohet të pagëzohet në qoftë se Presidenca e Parë nuk jep miratim. E njëjta gjë është e vërtetë për një person që ka rrëfyer se ka kryer një vrasje, edhe nëse rrëfimi iu bë privatisht një udhëheqësi të priftërisë. Nëse personi po kërkon pagëzim për herë të parë, presidenti i misionit e kryen intervistën dhe dorëzon kërkesën, në qoftë se ai mund ta rekomandojë pagëzimin. Peshkopi ose presidenti i kunjit e bën këtë për një anëtar të mëparshëm që po kërkon ripranim (shihni 32.16). Kërkesa për leje mund të përfshijë të gjitha hollësitë përkatëse, siç u përcaktuan në intervistë. Siç përdoret këtu, vrasja nuk përfshin abortin ose një veprim policor apo ushtarak në krye të detyrës.

38.2.8.9

Personat në Moshë Madhore që Përfshihen në Martesë të Shumëfishtë

Një person në moshë madhore që ka nxitur, ka dhënë mësim apo është përfshirë në martesën e shumëfishtë, duhet të marrë miratim nga Presidenca e Parë përpara se ai ose ajo të mund të pagëzohet. Presidenti i misionit mund ta kërkojë këtë miratim nëse ai e ka intervistuar personin, e ka gjetur të denjë dhe mund ta rekomandojë pagëzimin. Nëse personi po kërkon ripranim pas heqjes së anëtarësisë ose heqjes dorë nga anëtarësia, presidenti i kunjit e kryen intervistën dhe e kërkon këtë miratim. Kërkesa duhet të përshkruajë përfshirjen në të kaluarën e personit në martesë të shumëfishtë. Gjithashtu duhet të përshkruajë pendimin e tij ose të saj dhe situatën aktuale të familjes.

38.2.8.10

Njerëzit që e Përcaktojnë Vetveten si Transgjinorë

Një person transgjinor mund të pagëzohet e konfirmohet nëse ai ose ajo nuk po kryen një ndërhyrje mjekësore ose kirurgjikale me dëshirë për të ndryshuar në gjininë e kundërt me seksin e tij ose të saj biologjik në lindje (“ndryshimi i seksit”).

Presidentët e misioneve duhet të këshillohen me Presidencën e Zonës që t’i trajtojnë situatat individuale me dashuri si e Krishtit dhe ndjeshmëri.

Një person që e ka përfunduar ndryshimin e gjinisë nëpërmjet një ndërhyrjeje mjekësore ose kirurgjikale me dëshirë, duhet të ketë miratim nga Presidenca e Parë që të pagëzohet. Presidenti i misionit mund ta kërkojë këtë miratim nëse ai e ka intervistuar personin, përveç kësaj e ka gjetur të denjë dhe mund të rekomandojë pagëzimin. Personi nuk do të jetë në gjendje që të marrë priftërinë, një rekomandim tempulli ose disa thirrje në Kishë. Megjithatë, ai ose ajo mund të marrë pjesë në Kishë në mënyra të tjera.

Për më shumë informacion, shihni 38.6.23.

38.2.9

Shugurimi në Priftëri

Për informacion të përgjithshëm rreth ordinancave të priftërisë, shihni 18.10.

38.2.9.1

Anëtarët e Rinj

Kur një vëlla pagëzohet dhe konfirmohet, ai ka të drejtën për t’u shuguruar në një detyrë në Priftërinë Aarone, në qoftë se do të jetë të paktën 12 vjeç deri në fund të vitit. Peshkopi e interviston atë menjëherë pas konfirmimit të tij, normalisht brenda një jave. Një anëtar i peshkopatës e paraqet atë në mbledhjen e sakramentit me qëllim që anëtarët e lagjes të mund ta mbështetin shugurimin e propozuar për të (shihni 18.10.3). Më pas ai mund të shugurohet në detyrën e duhur:

  • Dhjak, nëse ai do të mbushë 12 ose 13 vjeç deri në fund të vitit

  • Mësues, nëse ai do të mbushë 14 ose 15 vjeç deri në fund të vitit

  • Prift, nëse ai do të mbushë 16 vjeç e lart deri në fund të vitit; nëse ai është 19 vjeç e lart, ai gjithashtu merret parasysh si një plak i ardhshëm (shihni 38.2.9.3)

Një anëtar i ri ka të drejtën të marrë Priftërinë Melkizedeke dhe të shugurohet si plak kur ai:

  • Është 18 vjeç e lart.

  • Ka shërbyer si prift (nuk kërkohet një kohë e specifikuar).

  • Ka kuptueshmëri të mjaftueshme për ungjillin.

  • E ka demonstruar denjësinë.

Vëllezërit e sapopagëzuar nuk shugurohen në ditën që pagëzohen ose konfirmohen. Fillimisht ata nevojitet të intervistohen nga peshkopi dhe të mbështeten nga anëtarët e lagjes.

Pagëzimet e pjesëtarëve të familjes nuk duhet të vonohen me qëllim që babai të mund të marrë priftërinë dhe t’i kryejë vetë pagëzimet.

38.2.9.2

Të Rinjtë Prindërit e të Cilëve Janë të Shkurorëzuar

Një i ri, prindërit e të cilit janë të shkurorëzuar, mund të shugurohet në detyrat e Priftërisë Aarone vetëm me leje të prindit ose prindërve që kanë kujdestarinë ligjore.

Nëse një i ri mban mbiemrin e njerkut të vet, ai mund të shugurohet me atë emër. Kjo është e vërtetë edhe nëse ai nuk është birësuar zyrtarisht. Sidoqoftë, emri ligjor i të riut, siç përcaktohet nga ligji ose tradita vendore, duhet të regjistrohet në certifikatën e shugurimit.

38.2.9.3

Pleqtë e Ardhshëm

Një plak i ardhshëm është një anëtar mashkull i Kishës, i moshës 19 vjeç e lart që nuk e mban Priftërinë Melkizedeke. Vëllezërit e martuar që janë më të rinj se 19 vjeç dhe nuk e mbajnë Priftërinë Melkizedeke, janë gjithashtu pleq të ardhshëm.

Nën drejtimin e peshkopit, presidenca e kuorumit të pleqve punon ngushtë me pleqtë e ardhshëm që t’i ndihmojë të përgatiten për të marrë Priftërinë Melkizedeke. Nëse një plak i ardhshëm nuk është një prift, ai duhet të shugurohet prift sapo të jetë i denjë. Ai nuk nevojitet të shugurohet fillimisht dhjak apo mësues. Ai mund të shugurohet plak kur të ketë zhvilluar një kuptueshmëri të mjaftueshme për ungjillin dhe ta ketë treguar denjësinë e tij. Peshkopi dhe presidenti i kunjit e intervistojnë atë që ta bëjnë këtë përcaktim (shihni 31.2.6).

Për më shumë informacion rreth ndihmës për pleqtë e ardhshëm që të përgatiten për të marrë Priftërinë Melkizedeke, shihni 8.4.

38.2.9.4

Vëllezërit që Kanë Ndryshuar Lagjet brenda Vitit të Kaluar

Nganjëherë një vëlla i cili ka jetuar në një lagje për më pak se një vit, ka nevojë ose dëshiron të shugurohet në një detyrë në priftëri. Në atë situatë, peshkopi kryen një intervistë dhe vihet në kontakt me peshkopin e mëparshëm për të vërtetuar denjësinë e vëllait.

Ndonjëherë një vëlla shugurohet ndërkohë që jeton përkohësisht larg shtëpisë së vet dhe dokumenti i tij i anëtarësisë është ende në lagjen e vendbanimit të tij. Në këtë rast, peshkopi i lagjes ku ai u shugurua, e informon peshkopin e lagjes së vendbanimit që dokumenti i anëtarësisë të mund të përditësohet. Certifikata përgatitet në lagjen ku u krye shugurimi.

38.2.9.5

Vëllezërit në Lagjet e Të Rinjve dhe Të Rejave në Moshë Madhore Beqarë dhe Personave në Moshë Madhore Beqarë

Burrat e denjë të moshave 18 vjeç e lart në lagje për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë dhe në lagje për persona në moshë madhore beqarë duhet të shugurohen si pleq. Ata që nuk janë shuguruar si pleq, janë pjesë e kuorumit të pleqve si pleq të ardhshëm.

38.2.9.6

Ushtarakët në Zona Lufte ose Zona të Izoluara

Një ushtarak normalisht intervistohet dhe shugurohet në lagjen që ka dokumentin e tij të anëtarësisë. Sidoqoftë, kjo mund të mos jetë e realizueshme nëse ushtaraku është në det për një kohë të gjatë ose shërben në një zonë lufte apo zonë të izoluar. Në raste të tilla, ushtaraku takohet me udhëheqësin e tij të grupit të anëtarëve në shërbim ushtarak. Nëse udhëheqësi i grupit ndien se ushtaraku është gati të shugurohet, ai i jep një rekomandim me shkrim udhëheqësit kryesues të njësisë së Kishës që mbikëqyr grupin e anëtarëve në shërbim ushtarak. (Nëse nuk ka një njësi të tillë të Kishës, ai ia jep rekomandimin Presidencës së Zonës.) Ai udhëheqës vihet në kontakt me peshkopin e lagjes së vendbanimit të ushtarakut për të vërtetuar denjësinë e burrit.

Për shugurimin në detyra të Priftërisë Aarone, udhëheqësi kryesues mund ta autorizojë udhëheqësin e grupit ose një kapelan shenjtor të ditëve të mëvonshme që ta intervistojë personin e të mbikëqyrë shugurimin. Për shugurim në detyrën e plakut, presidenti i kunjit, presidenti i misionit ose Presidenca e Zonës mund ta autorizojë një kapelan shenjtor të ditëve të mëvonshme që ta intervistojë personin dhe të mbikëqyrë shugurimin. Të gjitha shugurimet duhet të mbështeten ose ratifikohen sikurse shpjegohet te 18.10.3.

38.2.9.7

Vëllezërit me Aftësi të Kufizuara Intelektuale

Një anëtar mashkull i Kishës i cili ka një aftësi të kufizuar intelektuale, prindërit e tij (atje ku gjen zbatim) dhe peshkopi këshillohen së bashku nëse ai duhet ta marrë apo jo priftërinë. Ata këshillohen rreth dëshirës së tij dhe nëse ai ka një kuptueshmëri bazë për priftërinë dhe përgjegjësitë e tij.

Mbajtësit e priftërisë të cilët kanë aftësi të tilla të kufizuara, duhet të ndihmohen që ata të mund t’i përmbushin detyrat e priftërisë sa më plotësisht që të jetë e mundur.

38.2.9.8

Vëllezërit që Janë Ripranuar me Anë të Pagëzimit dhe Konfirmimit

Kur një burrë i cili nuk e kishte kryer më parë ordinancën e dhurimit, ripranohet në Kishë me anë të pagëzimit dhe konfirmimit, ai mund të shugurohet menjëherë pas kësaj. Ai shugurohet në detyrën e priftërisë që e mbante kur iu hoq anëtarësia ose ai hoqi dorë nga anëtarësia e vet.

Nëse burri e kishte kryer më parë ordinancën e dhurimit, ai nuk shugurohet në një detyrë në priftëri. Përkundrazi, detyra e tij e mëparshme rivendoset nëpërmjet ordinancës së rivendosjes së bekimeve.

Për më shumë informacion dhe udhëzime, shihni 32.17.

38.2.9.9

Njerëzit që e Përcaktojnë Vetveten si Transgjinorë

Një anëtari që ka kryer një ndërhyrje mjekësore ose kirurgjikale me dëshirë për t’u përpjekur që të ndryshojë në gjininë e kundërt me seksin e tij ose të saj biologjik në lindje (“ndryshimi i seksit”) nuk i lejohet ta marrë ose ushtrojë priftërinë. As nuk lejohet ta marrë ose ushtrojë priftërinë një anëtar që nga ana shoqërore ka ndryshuar në gjininë e kundërt me seksin e tij ose të saj biologjik në lindje.

Presidentët e kunjeve duhet të këshillohen me Presidencën e Zonës që t’i trajtojnë situatat individuale me dashuri si e Krishtit dhe ndjeshmëri.

Një anëtar mashkull i denjë i Kishës që nuk e vazhdon përpjekjen mjekësore, kirurgjikale ose shoqërore për ndryshimin drejt gjinisë së kundërt me seksin e tij biologjik në lindje, mund ta marrë dhe ushtrojë priftërinë.

Për më shumë informacion, shihni 38.6.23.

38.2.10

Bekimet Patriarkale

Për informacion të përgjithshëm rreth bekimeve patriarkale, shihni:

  • Pjesën 18.17 në këtë manual.

  • Informacione dhe Sugjerime për Patriarkët.

  • Mbledhja e Trajnimit Mbarëbotëror për Udhëheqjen: Patriarku.

38.2.10.1

Anëtarët që Kanë një Aftësi të Kufizuar Intelektuale

Një anëtar që ka një aftësi të kufizuar intelektuale, prindërit ose kujdestarët e tij ose të saj (atje ku gjen zbatim) dhe peshkopi këshillohen së bashku për të përcaktuar nëse ai ose ajo duhet ta marrë një bekim patriarkal. Ata marrin parasysh dëshirat e anëtarit/es dhe faktin nëse ai ose ajo ka aftësi bazë për ta kuptuar bekimin. Nëse po, një anëtar i peshkopatës mund të lëshojë një Rekomandim për Bekimin Patriarkal. Udhëzimet janë te 18.17.

38.2.10.2

Misionarët

Një bekim patriarkal mund të jetë burim force shpirtërore për një misionar. Nëse është e mundur, një anëtar duhet ta marrë një bekim patriarkal përpara se të fillojë shërbimin misionar. Kur kjo nuk është e mundur, ai ose ajo mund të marrë një bekim patriarkal gjatë misionit të tij ose të saj. Presidenti i misionit e interviston misionarin dhe përgatit një Rekomandim për Bekimin Patriarkal. Udhëzimet janë te 18.17.

Një misionar në një qendër të trajnimit të misionarëve (QTM) mund të marrë një bekim patriarkal vetëm kur gjejnë zbatim të gjitha sa vijojnë:

  • Misionari vjen nga një zonë ku asnjë patriark nuk është në gjendje të japë një bekim në gjuhën amtare të misionarit.

  • Misionari do të shërbejë në një mision ku asnjë patriark nuk është në gjendje të japë një bekim në gjuhën amtare të misionarit.

  • Një patriark pranë QTM‑së mund ta japë një bekim në gjuhën amtare të misionarit.

38.2.10.3

Anëtarët që Regjistrohen në Forcat Ushtarake

Një bekim patriarkal mund të jetë burim force shpirtërore për një anëtar/e që po shërben në ushtri. Nëse është e mundur, një anëtar i denjë duhet ta marrë bekimin patriarkal përpara se të fillojë shërbimin aktiv ushtarak.

Kur kjo nuk është e mundur, anëtari/ja mund ta marrë bekimin patriarkal në repartin e përhershëm ushtarak të detyrës së vet. Një anëtar i peshkopatës atje e interviston anëtarin/en dhe përgatit një Rekomandim për Bekimin Patriarkal. Udhëzimet janë te 18.17.

Për më shumë informacion, presidenti i kunjit mund të vihet në kontakt me Zyrën e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve te Q12Patriarchs@ChurchofJesusChrist.org.

38.2.10.4

Anëtarët që Jetojnë Jashtë Kunjit të Patriarkut

Një anëtar normalisht e merr një bekim patriarkal nga patriarku në kunjin e vet. Sidoqoftë, një anëtar mund të marr një bekim nga një patriark në një kunj tjetër nëse ai ose ajo:

  • Është pasardhës/e i/e drejtpërdrejtë i/e patriarkut (fëmijë, nip, mbesë, stërnip ose stërmbesë) nëpërmjet lindjes ose birësimit.

  • Jeton në një kunj që nuk ka një patriark veprues.

  • Jeton në një distrikt.

  • Nuk flet të njëjtën gjuhë me patriarkun e kunjit dhe një patriark në kunjin e afërt flet gjuhën e anëtarit/es.

Në secilin nga këto raste një anëtar i peshkopatës ose presidenti i degës e interviston anëtarin/en siç përshkruhet te 18.17. Një anëtar i presidencës së kunjit të patriarkut dhe i kunjit të marrësit ose i presidencës së misionit duhet ta miratojë rekomandimin nëpërmjet Sistemit të Bekimeve Patriarkale.

38.2.10.5

Përkthimi i Bekimeve Patriarkale

Frymëzimi dhe domethënia e një bekimi patriarkal janë të vështirë për t’u përçuar kur përkthehet. Për këtë arsye anëtarët duhet t’i marrin bekimet e tyre në gjuhën që e kuptojnë më së miri. Kisha nuk siguron përkthime të shkruara të bekimeve patriarkale.

Anëtarët nuk nxiten që t’i përkthejnë bekimet patriarkale. Sidoqoftë, nganjëherë një anëtar ka nevojë që një bekim të përkthehet në një gjuhë që ai ose ajo e kupton. Anëtari mund të gjejë një anëtar të mirëbesuar dhe të denjë të Kishës që mund ta bëjë përkthimin. Anëtari duhet të përzgjedhë një përkthyes të aftë që e kupton natyrën shpirtërore dhe konfidencialitetin e bekimit. Kopjet e përkthyera të bekimit nuk ruhen në zyrat qendrore të Kishës.

Një president kunji mund të kërkojë një transkriptim në alfabetin breil të një bekimi patriarkal. Ai vihet në kontakt me Zyrën e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve te Q12Patriarchs@ChurchofJesusChrist.org.

38.2.10.6

Interpretimi i Bekimeve Patriarkale në Gjuhën e Shenjave

Nëse një anëtar/e është i/e shurdhër ose ka probleme me dëgjimin, bekimi i tij ose i saj patriarkal mund të interpretohet në gjuhën e shenjave. Anëtari/ja përcakton një përkthyes. Është më mirë nëse ky person është një anëtar i mirëbesuar dhe i denjë i Kishës që e kupton rëndësinë doktrinore të bekimeve patriarkale. Gjithsesi, kur një anëtar i Kishës nuk mund të gjendet, një person tjetër i aftë mund të bëjë interpretimin.

38.2.10.7

Bekimet e Dyta Patriarkale

Në raste shumë të rralla, një anëtar i denjë mund të kërkojë një bekim të dytë patriarkal. Sidoqoftë, kjo nuk inkurajohet dhe kërkesa mund të mos miratohet. Nëse anëtari i denjë ka një arsye të rëndësishme për një kërkesë të tillë, ai ose ajo e diskuton atë me peshkopin. Nëse peshkopi e ndien se është i nevojshëm një bekim i dytë, ai përgatit një Rekomandim për Bekimin Patriarkal. Udhëzimet janë te 18.17.

Më pas presidenti i kunjit e interviston anëtarin dhe e lexon bekimin origjinal me të. Nëse e ndien se një bekim i dytë është i nevojshëm, ai kërkon miratim nga Zyra e Kuorumit të Dymbëdhjetëve Apostujt te Q12Patriarchs@ChurchofJesusChrist.org.

Presidenti i kunjit i njofton marrësin dhe patriarkun për vendimin e Zyrës së Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nëse kërkesa miratohet, presidenti i kunjit e miraton rekomandimin në Sistemin e Bekimeve Patriarkale. Presidenti i kunjit i thotë marrësit se bekimi i dytë zëvendëson bekimin origjinal. Patriarku më pas mund të japë një bekim të dytë patriarkal.

38.3

Martesa Civile

Udhëheqësit e Kishës i nxitin anëtarët që të kualifikohen për martesën në tempull dhe të martohen e vulosen në tempull. Nëse lejohet nga ligjet vendore, udhëheqësit e Kishës mund të kryejnë martesa civile në rrethana si ato që vijojnë:

  • Një çift planifikon të martohet në tempull, por martesat në tempull nuk njihen ligjërisht.

  • Një çift do të martohet në tempull, por një martesë civile do t’i ndihmojë prindërit ose pjesëtarët e afërt të familjes që të ndihen të përfshirë.

  • Mundësia për të shkuar në tempull nuk është në dispozicion për një periudhë të gjatë kohore.

  • Një çift nuk planifikon të martohet në tempull.

Një martesë civile është e vlefshme për aq kohë sa çifti jeton. Ajo nuk zgjat përtej jetës në vdekshmëri.

Martesat civile duhet të kryhen në përputhje me ligjet e vendit ku kryhet martesa.

Martesat civile dhe ceremonitë fetare të ngjashme nuk duhet të kryhen në Shabat. As nuk duhet të zhvillohen në orë të pazakonta.

Peshkopi këshillohet me presidentin e kunjit të tij në qoftë se ka pyetje rreth martesës civile të cilave nuk u jepen përgjigje në këtë pjesë. Presidenca e kunjit mund t’ia drejtojë pyetjet drejtpërsëdrejti Zyrës së Presidencës së Parë.

38.3.1

Kush Mund të Kryejë një Martesë Civile

Kur lejohet nga ligji vendor, drejtuesit vijues që shërbejnë aktualisht në Kishë, mund të veprojnë sipas thirrjes së tyre për të kryer një ceremoni të martesës civile:

  • Presidenti i misionit

  • Presidenti i kunjit

  • Presidenti i distriktit

  • Peshkopi

  • Presidenti i degës

Këta drejtues mund të kryejnë vetëm një martesë civile midis një burri dhe një gruaje. Të gjitha kushtet vijuese gjithashtu duhet të zbatohen:

  • Nusja ose dhëndri është anëtar/e i/e Kishës ose ka një datë pagëzimi.

  • Dokumenti i anëtarësisë së nuses ose të dhëndrit është, ose do të jetë pas pagëzimit, në njësinë e Kishës mbi të cilën kryeson drejtuesi.

  • Drejtuesi i Kishës autorizohet ligjërisht për të kryer një martesë civile brenda juridiksionit ku do të ndodhë martesa.

Kapelanët shenjtorë të ditëve të mëvonshme në detyrë aktive ushtarake mund të kryejnë martesa civile pa miratim paraprak.

Kapelanët që caktohen në njësitë e Rezervistëve ose të Gardës Kombëtare, duhet të marrin miratim paraprak nga Sektori i Kishës për Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore për të kryer një martesë civile. Shihni informacionin e kontaktit te 38.9.10.

Kapelanët joushtarakë që shërbejnë në organizatat vijuese, duhet të marrin miratim paraprak nga Sektori i Kishës për Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore për të kryer një martesë civile:

  • Spitalet

  • Organizatat e azileve

  • Qendrat e jetesës me ndihmë

  • Burgjet

  • Sektorin e patrullimit të kufirit

  • Sektorët e policisë ose të zjarrfikësve

Kapelanët e dalë në pension nuk autorizohen që të kryejnë martesa civile në cilësinë e tyre si kapelanë.

Ata që kryejnë martesa duke vepruar sipas thirrjeve të tyre si udhëheqës të Kishës ose si kapelanë, duhet të përdorin orientimet në këtë pjesë. Ata gjithashtu i ndjekin të gjitha kërkesat ligjore.

Kapelanët shenjtorë të ditëve të mëvonshme nuk konsiderohen drejtues kryesues të Kishës, në qoftë se nuk shërbejnë si president kunji, peshkop ose president dege. Kur një kapelan/e që nuk është një drejtues/e kryesues/e i/e Kishës kryen një martesë civile, ai ose ajo funksionon si një veprues për qeverinë ose organizatën civile së cilës i shërben. Si rrjedhim, formulimi i ceremonisë së martesës civile është ndryshuar paksa për këta kapelanë siç tregohet te 38.3.6.

Kapelanët shenjtorë të ditëve të mëvonshme mund të kryejnë vetëm një martesë civile midis një burri dhe një gruaje.

Drejtuesit dhe kapelanët e Kishës që kryejnë martesa civile për anëtarët e Kishës, duhet t’ia japin informacionin e nevojshëm për martesën nëpunësit të lagjes ose degës. Nëpunësi i përditëson dokumentet e anëtarësisë.

Një drejtuesi ose kapelani të Kishës i cili kryen martesa civile në një detyrë në Kishë, nuk i lejohet të pranojë tarifa.

38.3.2

Martesa Civile për Anëtarë nga Njësi të Tjera

Një drejtuesi të Kishës nuk i lejohet të kryejë një martesë për anëtarë të Kishës kur as dokumenti i anëtarësisë së nuses as ai i dhëndrit nuk është në njësinë e Kishës mbi të cilën kryeson drejtuesi (shihni 38.3.1). Përjashtim bëhet për kapelanët shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe drejtuesit e Kishës që janë zyrtarë qeveritarë.

38.3.3

Martesa Civile për Ata që Nuk Janë Anëtarë të Kishës

Një drejtuesi të Kishës nuk i lejohet të kryejë një martesë kur as nusja as dhëndri nuk janë anëtarë të Kishës, përveç nëse njëri ose të dy kanë një datë pagëzimi. Përjashtim bëhet për kapelanët shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe drejtuesit e Kishës që janë zyrtarë qeveritarë.

38.3.4

Martesat Civile që Zhvillohen në Ndërtesat e Kishës

Një ceremoni dasme mund të zhvillohet në një ndërtesë të Kishës, në qoftë se nuk e prish orarin e funksioneve të rregullta të Kishës. Dasmat nuk duhet të zhvillohen të dielave ose në mbrëmjet e të hënave. Dasmat që kryhen në ndërtesat e Kishës, duhet të jenë të thjeshta dhe me dinjitet. Muzika duhet të jetë e shenjtë, nderuese dhe e gëzueshme.

Martesat mund të kryhen në sallën e sakramentit, në sallën kulturore ose në ndonjë dhomë tjetër të përshtatshme. Martesat duhet të ndjekin orientimet për përdorimin e duhur të shtëpive të mbledhjeve (shihni 35.5.8 dhe 35.5.15).

Kisha nuk lejon që shtëpitë e mbledhjeve ose pronat e tjera të saj të përdoren për ndonjë qëllim që lidhet me martesa midis së njëjtës gjini, të shumëfishta, të paligjshme ose martesa të tjera që nuk janë në përputhje me doktrinën ose rregulloren e Kishës.

Në rrethana të rralla, peshkopi mund të lejojë përdorimin e një ndërtese të Kishës për martesa që po kryhen nga dikush që nuk është një drejtues i Kishës ose për ata që nuk janë anëtarë të Kishës. Ai fillimisht këshillohet me presidentin e kunjit. Ai këshillohet me personin që do të kryejë martesën, që të sigurohet që ai ose ajo i kupton orientimet në këtë pjesë. Një anëtar i këshillit të kunjit ose të lagjes merr pjesë për të siguruar përdorimin siç duhet dhe të kujdeset për ndërtesën.

Peshkopi mund të autorizojë një transmetim nëpërmjet internetit të një dasme që kryhet në një ndërtesë të Kishës (shihni 29.7).

38.3.5

Martesat Civile që Duhet të Kryhen nga një Zyrtar Publik ose në një Vend Publik

Në disa vendndodhje, ligjet kërkojnë që një ceremoni martese të kryhet nga një zyrtar publik. Disa kërkojnë që ceremonia të kryhet në një ndërtesë publike ose në një vend tjetër publik. Në këto raste, një drejtues i autorizuar i priftërisë mund të kryejë një mbledhje të shkurtër fetare pas martesës civile. Në këtë mbledhje ai i jep këshilla çiftit.

38.3.6

Ceremonia e Martesës Civile

Martesa është e shenjtë dhe si e tillë duhet të nderohet dhe të jetë dinjitoze. Martesat për anëtarët e Kishës që kryhen jashtë tempullit, duhet të pasqyrojnë një shpirt zotimi dhe gëzimi.

Përveçse atje ku përmendet, informacioni në këtë pjesë gjen zbatim për kapelanët shenjtorë të ditëve të mëvonshme si edhe për drejtuesit e Kishës.

Përpara kryerjes së një martese civile, një drejtues i Kishës mund ta këshillojë çiftin lidhur me natyrën e shenjtë të betimeve të martesës. Ai mund të shtojë këshilla të tjera siç e drejton Shpirti.

Për të kryer një martesë civile, një drejtues i Kishës i drejtohet çiftit dhe i thotë: “Ju lutem, jepini njëri‑tjetrit dorën e djathtë”. Më pas ai thotë: “[Emri i plotë i dhëndrit] dhe [emri i plotë i nuses], ju i keni dhënë njëri‑tjetrit dorën e djathë si shenjë e betimeve që ju do të bëni tani në prani të Perëndisë dhe të këtyre dëshmitarëve”. (Çifti mund t’i zgjedhë ose caktojë këta dëshmitarë që më parë.)

Drejtuesi më pas i drejtohet dhëndrit dhe e pyet: “[Emri i plotë i dhëndrit], a e merr [emri i plotë i nuses] si bashkëshorten tënde të martuar ligjërisht dhe a premton solemnisht me vullnetin tënd të lirë dhe zgjedhjen tënde, si shoqëruesi i saj dhe bashkëshorti i saj i martuar ligjërisht, që do të kapesh pas saj dhe askujt tjetër; që do t’i respektosh të gjitha ligjet, përgjegjësitë dhe detyrimet që i përkasin gjendjes së shenjtë të martesës; dhe që do ta duash, nderosh dhe kujdesesh për të për aq kohë sa ju të dy do të jetoni?”

Dhëndri përgjigjet: “Po”.

Drejtuesi i Kishës më pas i drejtohet nuses dhe e pyet: “[Emri i plotë i nuses], a e merr [emri i plotë i dhëndrit] si bashkëshortin tënd të martuar ligjërisht dhe a premton solemnisht me vullnetin tënd të lirë dhe zgjedhjen tënde, si shoqëruesja e tij dhe bashkëshortja e tij e martuar ligjërisht, që do të kapesh pas tij dhe askujt tjetër; që do t’i respektosh të gjitha ligjet, përgjegjësitë dhe detyrimet që i përkasin gjendjes së shenjtë të martesës; dhe që do ta duash, nderosh dhe kujdesesh për të për aq kohë sa ju të dy do të jetoni?”

Nusja përgjigjet: “Po”.

Drejtuesi i Kishës më pas i drejtohet çiftit dhe thotë: “Me anë të autoritetit ligjor që më është dhënë si një plak i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, unë ju shpall ju [emri i dhëndrit] dhe [emri i nuses] bashkëshort e bashkëshorte, të martuar zyrtarisht dhe ligjërisht për periudhën e jetës suaj në vdekshmëri”.

(Formulimi alternativ për një kapelan që nuk shërben si drejtues kryesues i Kishës: “Me anë të autoritetit ligjor që më është dhënë si një kapelan në [degën e ushtrisë ose organizatën civile], unë ju shpall ju [emri i dhëndrit] dhe [emri i nuses] bashkëshort e bashkëshorte, të martuar zyrtarisht dhe ligjërisht për periudhën e jetës suaj në vdekshmëri”.)

“Perëndia e bekoftë lidhjen tuaj me gëzim në pasardhësit tuaj dhe një jetë të gjatë e të lumtur së bashku dhe Ai ju bekoftë që t’i mbani të shenjta betimet që keni bërë. Këto bekime i kërkoj për ju në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.”

Ftesa për ta puthur njëri‑tjetrin si bashkëshort dhe bashkëshorte është jo e detyrueshme, bazuar në normat kulturore.

38.4

Rregulloret për Vulosjen

Anëtarët e Kishës bëjnë besëlidhje të shenjta me Perëndinë kur kryejnë ordinancat e tempullit. Ordinancat e vulosjes në tempull i bashkojnë familjet për përjetësinë ndërkohë që anëtarët përpiqen fort t’i nderojnë besëlidhjet që bëjnë kur e marrin ordinancën. Ordinancat vulosëse përfshijnë:

  • Vulosjen e një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje.

  • Vulosjen e fëmijëve te prindërit.

Ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do t’i ruajnë bekimet individuale që sigurohen nga vulosja. Kjo është e vërtetë edhe nëse bashkëshorti/ja i/e personit i ka shkelur besëlidhjet ose është larguar nga martesa.

Fëmijët besnikë që vulosen te prindërit ose linden në besëlidhje, e ruajnë bekimin e linjës së përjetshme familjare. Kjo është e vërtetë edhe nëse prindërit e tyre e anulojnë vulosjen e martesës së tyre, heqin dorë nga anëtarësia e tyre në Kishë ose atyre u hiqet anëtarësia në Kishë.

Anëtarët që kanë shqetësime rreth natyrës së përjetshme të ordinancës së vulosjes dhe marrëdhënieve të tyre që lidhen me familjen dhe bashkëshortin/en, nxiten që të mirëbesojnë te Zoti dhe të kërkojnë ngushëllimin e Tij.

Anëtarët duhet të këshillohen me peshkopin e tyre nëse kanë pyetje rreth rregulloreve për vulosjen të cilave nuk u jepet përgjigje në këtë pjesë. Peshkopi vihet në kontakt me presidentin e kunjit nëse ka pyetje. Presidentët e kunjeve mund të vihen në kontakt me presidencën e tempullit në distriktin e tyre të tempullit, me Presidencën e Zonës ose Zyrën e Presidencës së Parë nëse kanë pyetje.

38.4.1

Vulosja e një Burri dhe një Gruaje

Nevoja

Pjesa

Nevoja

Unë u martova në mënyrë civile dhe dëshiroj të vulosem me bashkëshortin/en tim/e.

Pjesa

38.4.1.1

Nevoja

Unë jam shkurorëzuar nga bashkëshorti/ja im/e i/e parë dhe dëshiroj të vulosem me bashkëshortin/en tim/e të tanishëm/me.

Pjesa

38.4.1.2

Nevoja

Bashkëshorti/ja me të cilin/ën u vulosa, vdiq. Me kë mund të vulosem tani?

Pjesa

38.4.1.3

Nevoja

Më nevojitet të bëj kërkesë për një anulim të vulosjes ose për një lejim për vulosje.

Pjesa

38.4.1.4

Nevoja

Më nevojitet që të hiqet një kufizim ndaj një vulosjeje në tempull.

Pjesa

38.4.1.5

Nevoja

Bashkëshorti/ja im/e dhe unë u martuam në tempull vetëm për kohën. A mund të vulosemi me njëri‑tjetrin?

Pjesa

38.4.1.6

Nevoja

Me kë mund të vulosen pjesëtarët e vdekur të familjes sime?

Pjesa

38.4.1.7

Nevoja

Si ndikon shkurorëzimi te vulosja ime?

Pjesa

38.4.1.8

Nevoja

Cilat janë efektet e anulimit të një vulosjeje?

Pjesa

38.4.1.9

Nevoja

Si ndikon vulosja ime te heqja dorë nga anëtarësia në Kishë ose heqja e anëtarësisë në Kishë?

Pjesa

38.4.1.10

38.4.1.1

Vulosja e Anëtarëve të Gjallë pas Martesës Civile

Një burrë e një grua që u martuan në mënyrë civile, mund të vulosen në tempull sapo ta lejojnë rrethanat nëse plotësohen kushtet vijuese:

  • Që të dy kanë qenë anëtarë të Kishës për të paktën një vit (shihni 27.3.1 dhe 27.2.1).

  • Janë të përgatitur dhe të denjë.

Kur u lëshojnë rekomandime tempulli një çifti që të vuloset, udhëheqësit e priftërisë sigurohen që martesa civile është e vlefshme ligjërisht. Shihni 26.3 dhe 27.3.

38.4.1.2

Vulosja e Anëtarëve të Gjallë pas Shkurorëzimit

Gratë. Një grua që është e gjallë, mund të vuloset vetëm me një bashkëshort në të njëjtën kohë. Nëse ajo dhe një bashkëshort u vulosën dhe më vonë u shkurorëzuan, ajo duhet të marrë një anulim të asaj vulosjeje përpara se të vuloset me një burrë tjetër gjatë jetës së saj (shihni 38.4.1.4).

Një grua e gjallë e cila nuk është aktualisht e martuar ose e vulosur me një burrë tjetër, mund të vuloset me një bashkëshort të vdekur nga i cili ajo u shkurorëzua gjatë jetës. Fillimisht ajo duhet të marrë një miratim me shkrim nga e veja e bashkëshortit të saj të mëparshëm (nëse ka një të ve).

Shihni kapitulli 28 për informacion rreth kryerjes së ordinancave për një bashkëshort/e të vdekur.

Burrat. Nëse një burrë dhe një grua u vulosën dhe më pas u shkurorëzuan, burri duhet të marrë një lejim për vulosje përpara se të vuloset me një grua tjetër (shihni 38.4.1.4). Një lejim për vulosje është i domosdoshëm edhe nëse: 1) vulosja e mëparshme është anuluar ose 2) bashkëshortja e mëparshme ka ndërruar jetë.

Një lejim për vulosje nevojitet vetëm nëse një burrë është shkurorëzuar nga gruaja e fundit që ishte vulosur me të. Për shembull, nëse një burrë mori një lejim për vulosje që të vulosej me një bashkëshorte të dytë pas një shkurorëzimi, dhe më pas bashkëshortja e tij e dytë vdes, atij nuk do t’i nevojitet një lejim tjetër për vulosje që të vuloset përsëri.

Një burrë i gjallë mund të vuloset me një bashkëshorte të vdekur nga e cila ai u shkurorëzua gjatë jetës. Fillimisht ai duhet të marrë një miratim me shkrim nga vejani i bashkëshortes së tij të mëparshme (nëse ka një vejan). Gjithashtu duhet të marrë një miratim me shkrim nga bashkëshortja e tij e tanishme nëse është i martuar.

Shihni kapitulli 28 për informacion rreth kryerjes së ordinancave për një bashkëshort/e të vdekur.

38.4.1.3

Vulosja e Anëtarëve të Gjallë pas Vdekjes së Bashkëshortit/es

Gratë. Nëse një bashkëshort e bashkëshorte janë vulosur dhe bashkëshorti vdes, gruas nuk i lejohet të vuloset me një burrë tjetër, përveç nëse merr një anulim të vulosjes së parë (shihni 38.4.1.4).

Një grua e gjallë e cila aktualisht nuk është e martuar ose e vulosur me një burrë tjetër, mund të vuloset me bashkëshortin e vdekur. Nëse martesa përfundoi në shkurorëzim, shihni 38.4.1.2.

Një gruaje të gjallë e cila aktualisht është e martuar, nuk i lejohet të vuloset me bashkëshortin e vdekur pa miratimin e Presidencës së Parë.

Shihni kapitulli 28 për informacion rreth kryerjes së ordinancave për një bashkëshort/e të vdekur.

Burrat. Nëse një bashkëshort e një bashkëshorte janë vulosur dhe bashkëshortja vdes, burrit mund t’i lejohet që të vuloset me grua tjetër, në qoftë se ajo nuk është tashmë e vulosur me një burrë tjetër. Në këtë rrethanë, burri nuk ka nevojë për një lejim për vulosje nga Presidenca e Parë, në qoftë se ai nuk u shkurorëzua nga bashkëshortja e tij e mëparshme përpara se ajo të vdiste (shihni 38.4.1.2).

Shihni kapitulli 28 për informacion rreth kryerjes së ordinancave për një bashkëshort/e të vdekur.

38.4.1.4

Bërja e Kërkesës për një Anulim të Vulosjes ose një Lejim për Vulosje

Shihni 38.4.1.2 për informacion rreth vulosjes së anëtarëve të gjallë pas shkurorëzimit. Shihni 38.4.1.3 për informacion rreth vulosjes së anëtarëve të gjallë pas vdekjes së një bashkëshorti/eje.

Anëtarët e secilës gjini mund të kërkojnë një anulim të vulosjes edhe nëse nuk po përgatiten për t’u vulosur me një bashkëshort/e tjetër. Një anëtar mashkull i Kishës duhet të marrë një lejim për vulosje që të vuloset me një grua tjetër pas shkurorëzimit.

Procesi për kërkimin e një anulimi të vulosjes ose të një lejimi për vulosje përvijohet më poshtë.

  1. Anëtari/ja flet me peshkopin e vet rreth kërkesës.

  2. Peshkopi sigurohet që:

    1. Shkurorëzimi është përfundimtar.

    2. Anëtari/ja i ka plotësuar të gjitha kërkesat ligjore për përkrahjen ndaj fëmijës/ve dhe bashkëshortes/it që lidhen me shkurorëzimin.

  3. Në qoftë se peshkopi rekomandon që të jepet një anulim i vulosjes ose një lejim për vulosje, ai:

    1. Plotëson një Kërkesë drejtuar Presidencës së Parë për anëtarin duke përdorur sistemin Burime të Udhëheqësit dhe Nëpunësit (BUN) [LCR]. Udhëheqësit që nuk kanë leje përdorimi të sistemit BUN [LCR], mund të përdorin një kopje të shtypur të formularit “Kërkesë drejtuar Presidencës së Parë”. Ky formular është në dispozicion nga Zyra e Dokumenteve Konfidenciale në zyrat qendrore të Kishës.

    2. Ia dorëzon kërkesën presidentit të kunjit.

  4. Presidenti i kunjit takohet me anëtarin. Presidenti i kunjit vërteton se:

    1. Shkurorëzimi është përfundimtar.

    2. Anëtari/ja i ka plotësuar të gjitha kërkesat ligjore për përkrahjen ndaj fëmijës/ve dhe bashkëshortes/it që lidhen me shkurorëzimin.

  5. Në qoftë se presidenti i kunjit rekomandon që të jepet një anulim i vulosjes ose një lejim për vulosje, ai e dorëzon kërkesën te zyrat qendrore të Kishës duke përdorur sistemin BUN [LCR] ose formularin.

  6. Në qoftë se kërkesa miratohet, Presidenca e Parë jep një letër që është lejuar anulimi i vulosjes ose lejimi për vulosje.

  7. Pas marrjes së letrës, anëtari/ja mund të caktojë një takim për një vulosje në tempull. Anëtari/ja e paraqet letrën në tempull.

Shihni 38.4.1.9.

38.4.1.5

Heqja e një Kufizimi ndaj Vulosjes në Tempull

Një personi që kryen shkelje kurore ndërkohë që është i/e martuar me një bashkëshort/e me të cilin/ën është vulosur, atij ose asaj nuk i lejohet të vuloset me partneren/in me të cilin/ën ka shkelur kurorën, pa miratim nga Presidenca e Parë.

Një çift mund të kërkojë miratim pasi të jenë martuar për të paktën pesë vjet. Procesi për bërjen e një kërkese për ta hequr një kufizim ndaj vulosjes në tempull përvijohet më poshtë.

  1. Çifti takohet me peshkopin dhe presidentin e tij të kunjit.

  2. Nëse këta udhëheqës ndiejnë se kufizimi duhet të hiqet, ata i shkruajnë letra Presidencës së Parë me rekomandimet e tyre. Letrat e tyre duhet të përshkruajnë denjësinë për [të hyrë] në tempull të personave që bënë kërkesë, dhe stabilitetin e martesës së tyre për të paktën pesë vjet.

  3. Çifti gjithashtu i shkruan një letër kërkese Presidencës së Parë.

  4. Presidenti i kunjit ia dorëzon të gjitha këto letra Presidencës së Parë. Ai mund ta dorëzojë shkresën me një kërkesë për një anulim të vulosjes ose një lejim për vulosje (shihni 38.4.1.4).

  5. Në qoftë se kërkesa miratohet, Presidenca e Parë jep një letër që thotë se është hequr kufizimi ndaj vulosjes në tempull.

  6. Pasi e merr letrën, çifti mund të planifikojë një takim për t’u vulosur. Ata e paraqitin letrën në tempull.

38.4.1.6

Vulosja pas Martesës në Tempull Vetëm për Kohën

Çiftet që u martuan në tempull vetëm për kohën, zakonisht nuk vulosen më vonë. Që të ndodhë një vulosje e tillë, gruaja fillimisht duhet të marrë nga Presidenca e Parë një anulim të vulosjes së saj të mëparshme. Nëse një peshkop dhe një president kunji e ndiejnë se një anulim mund të justifikohet, ata mund të dorëzojnë një kërkesë drejtuar Presidencës së Parë duke përdorur sistemin BUN.

Martesat në tempull vetëm për kohën nuk kryhen më (shihni 27.3.3).

38.4.1.7

Vulosja e Anëtarëve të Vdekur

Gratë e Vdekura. Një grua e vdekur mund të vuloset me të gjithë burrat me të cilët ishte e martuar ligjërisht gjatë jetës së saj. Gjithsesi, nëse ajo u vulos me një bashkëshort gjatë jetës së vet, të gjithë bashkëshortët e saj duhet të kenë vdekur përpara se ajo të mund të vuloset me burra të tjerë me të cilët ishte e martuar. Kjo përfshin bashkëshortët e mëparshëm nga të cilët ajo u shkurorëzua.

Burrat e Vdekur. Një burrë i vdekur mund të vuloset me të gjitha gratë me të cilat ishte i martuar ligjërisht gjatë jetës së tij, në qoftë se 1) ato kanë vdekur ose 2) jetojnë dhe nuk janë të vulosura me një burrë tjetër.

Çiftet e Vdekura që Ishin të Shkurorëzuar. Çiftet e vdekura që ishin të shkurorëzuar, mund të vulosen nëpërmjet mëkëmbësve me qëllim që fëmijët e tyre të mund të vulosen tek ata. Shihni 28.3.8 nëse bashkëshorti ose bashkëshortja e kishte të hequr anëtarësinë ose kishte hequr dorë nga anëtarësia në Kishë dhe nuk ishte ripagëzuar në kohën e vdekjes.

Miratimi nga Presidenca e Parë kërkohet përpara vulosjes së një çifti të vdekur që mori një anulim të vulosjes së tyre gjatë jetës.

38.4.1.8

Efektet e Shkurorëzimit

Në qoftë se një çift u vulos dhe më vonë u shkurorëzua, bekimet e asaj vulosjeje mbeten në fuqi për individët që janë të denjë, në qoftë se nuk anulohet vulosja (shihni 38.4.1.4 dhe 38.4.1.9). Një anëtar që mbetet besnik ndaj besëlidhjeve të tempullit, do të marrë çdo bekim të premtuar në tempull, edhe nëse bashkëshorti/ja i personit i ka shkelur besëlidhjet ose është larguar nga martesa.

Shihni 38.4.2.1 për informacion rreth fëmijëve të cilët lindin pas një shkurorëzimi.

38.4.1.9

Efektet e Anulimit të Vulosjes

Pasi një anulim i vulosjes të jetë miratuar nga Presidenca e Parë, bekimet që lidhen me atë vulosje, nuk janë më në fuqi. Udhëheqësit e priftërisë këshillohen me anëtarët që kërkojnë një anulim të një vulosjeje, për t’i ndihmuar ata që t’i kuptojnë këto parime. Udhëheqësit duhet ta nderojnë lirinë e zgjedhjes së anëtarëve në këto vendime.

Çdo fëmijë që lindet nga një grua pasi vulosja e saj me një bashkëshort të mëparshëm është anuluar, nuk lindet në besëlidhje në qoftë se ajo nuk është vulosur me një burrë tjetër.

38.4.1.10

Efektet e Heqjes Dorë nga Anëtarësia në Kishë ose të Heqjes së Anëtarësisë në Kishë

Pasi një çift është vulosur në tempull, në qoftë se njëri prej tyre heq dorë nga anëtarësia në Kishë apo atij ose asaj i hiqet anëtarësia në Kishë, gjithashtu hiqen edhe bekimet e tij ose të saj të tempullit. Sidoqoftë, bekimet vetjake të ordinancës së vulosjes për bashkëshortin/en dhe fëmijët e personit mbeten në fuqi nëse ata qëndrojnë besnikë.

Çdo fëmijë që i lind një çifti pasi njëri apo që të dy kanë hequr dorë nga anëtarësia e tyre ose atyre u është hequr anëtarësia në Kishë, nuk lindet në besëlidhje. Shihni 38.4.2.8.

38.4.2

Vulosja e Fëmijëve te Prindërit

38.4.2.1

Fëmijët që Linden në Besëlidhje

Fëmijët që linden pasi nëna e tyre është vulosur me një bashkëshort në tempull, linden në besëlidhjen e asaj vulosjeje. Ata nuk kanë nevojë të marrin ordinancën e vulosjes te prindërit.

Nganjëherë një grua që është vulosur me një burrë, më vonë ka fëmijë me një burrë tjetër. Kur kjo gjë ndodh, këta fëmijë linden në besëlidhjen e vulosjes së parë, në qoftë se nuk u lindën 1) pasi u anulua vulosja ose 2) pasi ajo u hoq për shkak të heqjes dorë nga anëtarësia ose heqjes së anëtarësisë në Kishë.

38.4.2.2

Fëmijët që Nuk Linden në Besëlidhje

Fëmijët që nuk linden në besëlidhje, mund të bëhen pjesë e një familjeje të përjetshme duke u vulosur te prindërit e tyre biologjikë ose birësues. Këta fëmijë marrin të njëjtat bekime sikur të kishin lindur në besëlidhje.

Fëmijët që janë të gjallë. Një fëmijë i gjallë mund të vuloset vetëm te dy prindër – një bashkëshort e një bashkëshorte – dhe jo vetëm te një prind. Shihni 27.4.1 për informacion rreth lëshimit të rekomandimeve të tempullit për fëmijët që po vulosen te prindërit e tyre.

Anëtarët që janë 21 vjeç e lart duhet të kenë kryer ordinancën e dhurimit përpara se të vulosen te prindërit e tyre.

Anëtarët e martuar që janë nën moshën 21 vjeç, nuk nevojitet të kenë kryer ordinancën e dhurimit që të vulosen te prindërit e tyre. Sidoqoftë, ata duhet të kenë një rekomandim tempulli (shihni 26.4.4).

Fëmijët e vdekur. Një person i vdekur zakonisht vuloset te prindërit e vet biologjikë ose birësues. Gjithsesi, një fëmijë i vdekur mund të vuloset edhe te:

  • Një nënë biologjike dhe njerku.

  • Një baba biologjik dhe njerka.

  • Prindërit kujdestarë të përkohshëm ose gjyshërit, të cilët e rritën fëmijën (shihni 38.4.2.4).

  • Një çift i cili kishte për qëllim që ta birësonte fëmijën, por nuk mundi ta përfundonte birësimin përpara se fëmija të vdiste (shihni 38.4.2.4).

Këto vulosje mund të bëhen edhe nëse një fëmijë i vdekur është tashmë i vulosur te prindërit e vet biologjikë ose birësues. Vulosjet te prindërit jobiologjikë ose jobirësues në rrethana të tjera nga ato që janë renditur më lart, kërkojnë miratim nga Presidenca e Parë.

38.4.2.3

Fëmijët e Birësuar ose nën Kujdestari që Janë të Gjallë

Fëmijët që janë të gjallë, që linden në besëlidhje ose janë vulosur te prindërit, nuk mund të vulosen te ndonjë prind tjetër pa miratimin e Presidencës së Parë.

Fëmijët që janë të gjallë, që birësohen ligjërisht dhe që nuk u lindën në besëlidhje e as nuk u vulosën te prindërit e tyre të mëparshëm, mund të vulosen te prindërit e tyre birësues pasi birësimi të ketë përfunduar. Një kopje e vendimit ligjor përfundimtar të birësimit duhet të paraqitet në tempull. Një vendim gjyqësor që jep kujdestari ligjore, nuk është lejim i mjaftueshëm për vulosje. Nuk është me detyrim që të përcaktohen prindërit biologjikë të këtyre fëmijëve.

Nevojitet miratimi nga Presidenca e Parë që një anëtar/e i/e gjallë të vuloset te prindërit kujdestarë. Kjo kërkesë gjen zbatim edhe nëse prindërit biologjikë të fëmijës nën kujdestari janë të panjohur. Kërkesa të tilla bëhen nga presidenti i kunjit.

38.4.2.4

Fëmijët e Birësuar ose nën Kujdestari që Janë të Vdekur

Një person i birësuar që është i vdekur, zakonisht vuloset te prindërit e tij ose të saj birësues.

Një fëmijë nën kujdestari që është i vdekur, zakonisht vuloset te prindërit e tij ose të saj biologjikë.

38.4.2.5

Vulosja e Fëmijëve që Janë të Gjallë te një Prind Biologjik dhe një Njerk/ë

Fëmijët e vegjël dhe fëmijët që nuk janë të përgjegjshëm. Fëmijët e gjallë të mitur dhe fëmijët që nuk janë të përgjegjshëm për shkak të aftësive të kufizuara intelektuale, mund të vulosen te një prind biologjik dhe një njerk/ë vetëm nëse përmbushen të gjitha kushtet vijuese:

  • Fëmija nuk u lind në besëlidhje ose nuk u vulos më parë.

  • Fëmija nuk është birësuar nga një prind tjetër.

  • Prindi tjetër biologjik ka dhënë një letër të nënshkruar miratimi që vulosja të ndodhë. Një vendim gjyqësor që jep kujdestari ligjore, nuk është lejim i mjaftueshëm për vulosje. Letra e miratimit duhet të përdorë formulim të ngjashëm me sa vijon: “Unë, [emri i prindit biologjik], jap leje për [emri i fëmijës ose fëmijëve] që të vuloset në tempull te [emri i prindërve]. E kuptoj që vulosja është një ceremoni fetare dhe nuk ka rrjedhoja ligjore.” Kjo letër paraqitet në tempull përpara vulosjes.

Nëse prindi tjetër biologjik ka vdekur ose nëse të drejtat e tij ose të saj prindërore i janë hequr plotësisht me anë të procesit ligjor, nuk kërkohet miratim.

Nëse prindit tjetër biologjik nuk mund t’i gjendet vendndodhja mbas përpjekjeve tërësore për ta gjetur atë, nuk kërkohet miratim. Në këtë rast, peshkopi dhe presidenti i kunjit vërtetojnë në procesin e verifikimit se kanë dështuar përpjekjet tërësore për të gjetur vendndodhjen e prindit që mungon. Nëse prindi tjetër biologjik shfaqet në një kohë të mëvonshme, vulosja do t’i nënshtrohet rishikimit.

Fëmijët në moshë madhore. Një anëtar i gjallë në moshë madhore mund të vuloset te njëri prind biologjik dhe një njerk/ë nëse anëtari nuk u lind në besëlidhje ose nuk ishte vulosur më parë te prindërit.

Anëtarët që janë 21 vjeç e lart duhet të kenë kryer ordinancën e dhurimit përpara se të vulosen te një prind biologjik dhe një njerk/ë.

Anëtarët e martuar që janë nën moshën 21 vjeç, nuk nevojiten të kenë kryer ordinancën e dhurimit që të vulosen te një prind biologjik dhe një njerk/ë. Sidoqoftë, ata duhet të kenë një rekomandim tempulli që të vulosen te prindërit (shihni 26.4.4).

38.4.2.6

Fëmijët e Lindur me Anë të Farëzimit Artificial ose Fekondimit In Vitro

Fëmijët e lindur me anë të farëzimit artificial ose të fekondimit in vitro linden në besëlidhje nëse prindërit e tyre janë të vulosur tashmë. Nëse fëmijët linden përpara se të vulosen prindërit e tyre, ata mund të vulosen te prindërit e tyre pasi prindërit e tyre të vulosen me njëri‑tjetrin.

38.4.2.7

Fëmijët që Linden nga Nëna Zëvendësuese

Nëse një fëmijë u lind nga një nënë zëvendësuese, presidenti i kunjit ia referon çështjen Zyrës së Presidencës së Parë (shihni 38.6.22).

38.4.2.8

Gjendja e Fëmijëve Kur një Vulosje Anulohet ose Tërhiqet

Fëmijët të cilët linden në besëlidhje ose vulosen te prindërit, qëndrojnë në këtë gjendje edhe nëse vulosja te prindërit më vonë 1) anulohet ose 2) tërhiqet nga heqja dorë prej anëtarësisë ose heqja e anëtarësisë në Kishë të cilitdo prind.

Fëmijët të cilët lindin pasi anulohet ose hiqet vulosja te prindërit e tyre, nuk lindin në besëlidhje. Këta fëmijë mund të vulosen te prindërit e tyre pasi t’u rivendosen bekimet prindërve të tyre (nëse gjen zbatim) dhe pasi të hiqet ndonjë pengesë tjetër.

38.5

Veshjet e Tempullit dhe Veshjet e Brendshme të Tempullit

38.5.1

Veshjet e Tempullit

Gjatë ordinancave të dhurimit dhe vulosjes në tempull, anëtarët e Kishës veshin veshje të bardha. Gratë veshin veshjet e bardha vijuese: një fustan me mëngë të gjata ose treçerekëshe (ose një fund dhe një bluzë me mëngë të gjata ose treçerekëshe), çorape të holla dhe këpucë ose papuçe.

Burrat veshin veshjet e bardha vijuese: një këmishë me mëngë të gjata, kravatë ose papion, pantallona, çorape dhe këpucë ose papuçe.

Gjatë ordinancave të dhurimit dhe vulosjes, anëtarët veshin veshje ceremoniale shtesë mbi veshjet e tyre të bardha.

38.5.2

Sigurimi i Veshjeve të Tempullit dhe i Veshjeve të Brendshme të Tempullit

Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve i nxitin anëtarët që e kanë marrë ordinancën e dhurimit, që të marrin veshjet e tyre vetjake të tempullit. Veshjet e tempullit dhe veshjet e brendshme të tempullit mund të blihen nga një dyqan i Kishës për Shpërndarjet ose te store.ChurchofJesusChrist.org. Nëpunësit e kunjeve dhe të lagjeve mund t’i ndihmojnë anëtarët që të porositin veshjet.

Disa tempuj kanë veshje në dispozicion që të merren me qira. Nëse një tempull nuk ka veshje me qira, anëtarët nevojitet t’i sjellin veshjet e tempullit me vete. Shihni tek temples.ChurchofJesusChrist.org që të mësoni nëse një tempull i caktuar ka në dispozicion veshje me qira.

Tempujt mbajnë një sasi të kufizuar veshjesh të tempullit që mund të përdoren nga misionarët kohëplotë. Nuk ka pagesë për marrjen me qira ndërkohë që ata janë në qendrat e trajnimit të misionarëve dhe kur autorizohen të marrin pjesë në ordinanca tempulli ndërkohë që shërbejnë në fushën e misionit. Nëse nevojitet, kjo veshje mund të përdoret nga misionarët që po marrin ordinancën e dhurimit për veten e tyre.

Për informacion rreth pëlhurave dhe stileve të veshjeve të brendshme të tempullit, shihni te store.ChurchofJesusChrist.org.

38.5.3

Veshjet e Brendshme të Tempullit dhe Veshjet e Tempullit për Anëtarët që Kanë Aftësi të Kufizuara ose Alergji

Veshje të veçanta të brendshme të tempullit mund të blihen për anëtarët që dergjen në shtrat, kanë aftësi të kufizuara fizike të mëdha ose kanë alergji ndaj pëlhurave ose veshjeve të brendshme të tempullit të caktuara (shihni te “Garments and Sacred Clothing” [“Veshjet e Brendshme të Tempullit dhe Veshjet e Shenjta”], store.ChurchofJesusChrist.org).

Rroba më të shkurtra tempulli janë në dispozicion për anëtarët që janë në karrige me rrota ose që kanë nevoja të tjera (shihni te store.ChurchofJesusChrist.org).

38.5.4

Bërja e Përparëseve të Tempullit

Anëtarët mund t’i bëjnë vetë përparëset e tyre të tempullit nëse përdorin njërin nga kompletet e miratuara për përparëset. Këto komplete janë në dispozicion nga një dyqan i Kishës për Shpërndarjet ose nga store.ChurchofJesusChrist.org.

Anëtarët nuk duhet bëjnë veshje të tjera ceremoniale të tempullit ose veshjet e brendshme të tempullit.

38.5.5

Mbajtja dhe Përkujdesja për Veshjet e Brendshme të Tempullit

Anëtarët që marrin ordinancën e dhurimit, bëjnë besëlidhje se do t’i veshin veshjet e brendshme të tempullit gjatë gjithë jetës së tyre.

Është një privilegj i shenjtë të veshim veshjet e brendshme të tempullit. Bërja e kësaj është një shprehje e jashtme e një zotimi të brendshëm për ta ndjekur Shpëtimtarin Jezu Krisht.

Veshjet e brendshme të tempullit janë një kujtues i besëlidhjeve të bëra në tempull. Kur vishen siç duhet gjatë gjithë jetës, ato do të shërbejnë si mbrojtje.

Veshja e brendshme të tempullit duhet të mbahet poshtë veshjeve të jashtme. Është një çështje parapëlqimi vetjak nëse veshje të tjera të brendshme vishen mbi ose nën veshjet e brendshme të tempullit.

Veshjet e brendshme të tempullit nuk duhet të hiqen për veprimtari që në mënyrë të arsyeshme mund të kryhen duke i pasur të veshura veshjet e brendshme të tempullit. Ato nuk duhet të modifikohen për t’iu përshtatur stileve të ndryshme të rrobave.

Veshjet e brendshme të tempullit janë të shenjta dhe duhet të trajtohen me respekt. Anëtarët/et që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, duhet të kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit të Shenjtë për t’iu përgjigjur pyetjeve vetjake mbi mbajtjen e veshjeve të brendshme të tempullit.

38.5.6

Mbajtja e Veshjeve të Brendshme të Tempullit në Ushtri

Shihni 38.9.8.

38.5.7

Heqja nga Përdorimi i Veshjeve të Brendshme të Tempullit dhe Veshjeve Ceremoniale të Tempullit

Që t’i heqin nga përdorimi veshjet e brendshme, të grisura të tempullit, anëtarët duhet t’i presin dhe t’i shkatërrojnë shenjat. Më pas anëtarët e presin pëlhurën që mbetet, që të mos dallohet si një veshje e brendshme e tempullit. Coha e mbetur mund të hidhet.

Që t’i heqin nga përdorimi veshjet e grisura ceremoniale të tempullit, anëtarët duhet ta presin materialin që të mos dallohet përdorimi fillestar. Pastaj materiali duhet të hidhet.

Anëtarët mund t’ua japin veshjet e brendshme dhe veshjet ceremoniale të tempullit që janë në gjendje të mirë, anëtarëve të tjerë që e kanë marrë dhurimin në tempull. Udhëheqësit e priftërisë dhe udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës mund të përcaktojnë njerëzit që mund të kenë nevojë për veshje të tilla. Anëtarët nuk duhet t’ua japin veshjet e brendshme ose veshjet ceremoniale të tempullit dyqaneve të artikujve të përdorur, shtëpive të ruajtjes së peshkopëve, tempujve ose organizatave bamirëse.

38.5.8

Veshjet e Tempullit për Varrimin

Nëse është e mundur, anëtarët e vdekur që e kanë marrë ordinancën e dhurimit, duhet të varrosen ose të digjen të veshur me veshjet e tempullit. Nëse traditat kulturore ose praktikat e varrimeve e bëjnë këtë gjë të papërshtatshme ose të vështirë, veshja mund të paloset dhe të vendoset pranë trupit në arkivol.

Vetëm anëtarët që e kanë marrë ordinancën e dhurimit në këtë jetë, mund të varrosen ose digjen të veshur me veshjet e tempullit. Një person që e kishte marrë ordinancën e dhurimit, që nuk i mbante më veshjet e brendshme përpara vdekjes së vet, mund të varroset ose digjet i veshur me veshjet e tempullit nëse familja e kërkon këtë gjë.

Një person të cilit nuk i janë rivendosur bekimet pas heqjes së anëtarësisë ose heqjes dorë nga anëtarësia, nuk lejohet të varroset ose digjet i veshur me veshjet e tempullit.

Një person që e kreu ordinancën e dhurimit në këtë jetë dhe vdiq duke bërë vetëvrasje, mund të varroset ose digjet i veshur me veshjet e tempullit.

Veshjet e tempullit që përdoren për varrim ose djegie, nuk nevojitet të jenë të reja, por duhet të jenë në gjendje të mirë dhe të pastra. Mund të përdoren veshjet e tempullit të vetë anëtarit.

Një anëtar që do të varroset ose digjet i veshur me veshjet e tempullit, mund të vishet nga një pjesëtar i familjes i së njëjtës gjini që e ka kryer ordinancën e dhurimit ose nga bashkëshorti/ja. Nëse një pjesëtar i familjes nuk është në dispozicion ose do të parapëlqente të mos e vishte trupin e një burri që e ka kryer ordinancën e dhurimit, peshkopi mund t’i kërkojë presidentit të kuorumit të pleqve që të ftojë një burrë që e ka kryer ordinancën e dhurimit, për ta veshur trupin ose për të mbikëqyrur veshjen siç duhet. Nëse një pjesëtare e familjes nuk është në dispozicion ose do të parapëlqente të mos e vishte trupin e një gruaje që e ka kryer ordinancën e dhurimit, peshkopi mund t’i kërkojë presidentes së Shoqatës së Ndihmës që të ftojë një grua që e ka kryer ordinancën e dhurimit, për ta veshur trupin ose për të mbikëqyrur veshjen siç duhet. Udhëheqësit sigurohen që kjo detyrë i jepet dikujt që nuk do të ketë kundërshtim në kryerjen e saj.

Trupi i një burri vishet me veshjet e brendshme të tempullit dhe veshjet e bardha vijuese: një këmishë me mëngë të gjata, kravatë ose papion, pantallona, çorape dhe këpucë ose papuçe. Trupi i një gruaje vishet me veshjet e brendshme të tempullit dhe veshjet e bardha vijuese: një fustan me mëngë të gjata ose treçerekëshe (ose një fund dhe një bluzë me mëngë të gjata ose treçerekëshe), çorape të holla dhe këpucë ose papuçe.

Veshjet ceremoniale të tempullit vishen mbi trupin siç udhëzohet në ordinancën e dhurimit. Rroba vendoset në shpatullën e djathtë dhe lidhet me kordon në të majtë në pjesën e belit. Përparësja vihet përreth belit. Shiriti vendoset përreth belit dhe lidhet si fjongo mbi ijën e majtë. Kapela e një burri zakonisht vihet pranë trupit të tij derisa është koha për ta mbyllur arkivolin ose qivurin. Kapela më pas vendoset me fjongon mbi veshin e majtë. Velloja e një gruaje mund të shtrihet mbi jastëk prapa kokës së saj. Mbulimi me vello i fytyrës së një gruaje përpara varrimit ose djegies është jo i detyrueshëm, si të vendoset nga familja.

Në disa zona, vetëm një drejtor i licencuar për shërbesa mortore ose një i punësuar nga drejtori lejohet ta përgatitë një trup të vdekur. Në këto raste, një pjesëtar i familjes që e ka kryer ordinancën e dhurimit ose një person që e ka kryer ordinancën e dhurimit, që ftohet nga peshkopi ose presidentja e Shoqatës së Ndihmës, siguron që veshja është vendosur siç duhet mbi trupin.

Disa shtete kërkojnë që personat e vdekur të vishen me veshje biodegraduese kur varrosen. Veshje tempulli biodegraduese janë në dispozicion te store.ChurchofJesusChrist.org.

Në zona ku veshjet e tempullit mund të jenë të vështira për t’u gjetur në kohë për varrimin, presidentët e kunjeve duhet të mbajnë gati të paktën dy komplete të plota të veshjeve të masës mesatare, një për një burrë dhe një për një grua.

Nëse veshjet e tempullit nuk janë në dispozicion, një anëtar i vdekur që e ka kryer ordinancën e dhurimit, vishet për varrosje me veshjet e brendshme të tempullit dhe ndonjë veshje tjetër të përshtatshme.

38.6

Rregulloret për Çështjet Morale

Disa rregullore në këtë pjesë janë rreth çështjeve që Kisha i “shkurajon”. Anëtarët e Kishës zakonisht nuk përjetojnë kufizime të anëtarësisë për shkak të vendimeve të tyre rreth këtyre çështjeve. Sidoqoftë, të gjithë njerëzit janë përfundimisht përgjegjës para Perëndisë për vendimet e tyre.

38.6.1

Aborti

Zoti urdhëroi: “Mos vrit, as mos bëj diçka të ngjashme” (Doktrina e Besëlidhje 59:6). Kisha është kundër abortit me dëshirë, për voli vetjake ose shoqërore. Anëtarët nuk duhet t’i nënshtrohen, të kryejnë, organizojnë për kryerjen, të paguajnë, të japin pëlqimin ose të nxitin një abort. Të vetmet përjashtime të mundshme janë kur:

  • Shtatzënësia ndodhi si pasojë e një përdhunimi me forcë ose incesti.

  • Një mjek kompetent përcakton që jeta ose shëndeti i nënës është në rrezik të rëndë.

  • Një mjek kompetent përcakton se fetusi ka defekte të rënda që nuk do ta lejojnë foshnjën të jetojë pas lindjes.

Edhe këto përjashtime nuk e justifikojnë abortin automatikisht. Aborti është një çështje shumë e rëndë dhe duhet të merret në konsideratë vetëm pasi njerëzit përgjegjës të jenë këshilluar me peshkopët e tyre dhe të kenë marrë miratim hyjnor nëpërmjet lutjes.

Drejtuesit kryesues i rishikojnë me kujdes rrethanat nëse një anëtar/e i/e Kishës është përfshirë në një abort. Një këshill për anëtarësinë mund të jetë i nevojshëm nëse një anëtar/e i nënshtrohet një aborti, kryen, organizon për kryerjen, nxit, jep pëlqimin ose paguan për një abort (shihni 32.6.2.5). Sidoqoftë, një këshill për anëtarësinë nuk duhet të merret në konsideratë nëse një anëtar/e u përfshi në një abort përpara pagëzimit. As nuk duhet të merren në konsideratë këshilla për anëtarësinë ose kufizime të anëtarësisë për anëtarë/e që u përfshinë në një abort për njërën nga tri arsyet e përmendura më lart në këtë pjesë.

Peshkopët ia referojnë presidentit të kunjit pyetjet mbi raste të veçanta. Presidenti i kunjit mund t’i drejtojë pyetje Zyrës së Presidencës së Parë nëse është e nevojshme.

Për aq sa është zbuluar, një njeri mund të pendohet dhe të marrë falje për mëkatin e abortit.

38.6.2

Keqtrajtimi

Keqtrajtimi është trajtimi i gabuar ose shpërfillja e të tjerëve në një mënyrë që shkakton dëmtim fizik, seksual, emocional ose financiar. Qëndrimi i Kishës është që keqtrajtimi nuk mund të tolerohet në asnjë formë. Ata që i keqtrajtojnë bashkëshortet/ët, fëmijët, pjesëtarët e tjerë të familjes së tyre ose dikë tjetër, shkelin ligjet e Perëndisë dhe të njeriut.

Të gjithë anëtarët, veçanërisht prindërit dhe udhëheqësit, nxiten të jenë vigjilentë e të kujdesshëm dhe të bëjnë gjithçka munden për t’i mbrojtur fëmijët dhe të tjerët nga keqtrajtimi. Nëse anëtarët vihen në dijeni për raste keqtrajtimi, ata ia raportojnë atë keqtrajtim autoriteteve civile dhe këshillohen me peshkopin. Udhëheqësit e Kishës duhet t’i konsiderojnë raportimet për keqtrajtimin me seriozitet dhe kurrë të mos i shpërfillin ato.

Të gjithë personat në moshë madhore që punojnë me fëmijët ose rininë, duhet ta kryejnë trajnimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinisë brenda një muaji nga dita e mbështetjes (shihni te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org). Ata duhet ta përsëritin trajnimin çdo tre vjet.

Kur ndodh keqtrajtimi, përgjegjësia e parë dhe e menjëhershme e udhëheqësve të Kishës është t’i ndihmojnë ata që janë keqtrajtuar, dhe të mbrojnë personat e cenueshëm nga keqtrajtimi në të ardhmen. Udhëheqësit/et nuk duhet ta inkurajojnë një person që të qëndrojë në një shtëpi ose gjendje ku keqtrajtohet ose është i pasigurt.

38.6.2.1

Shërbimi Telefonik i Ndihmës ndaj Keqtrajtimit

Në disa vende, Kisha ka ngritur një shërbim telefonik konfidencial të ndihmës ndaj keqtrajtimit që t’iu vijë në ndihmë presidentëve të kunjeve dhe peshkopëve. Këta udhëheqës duhet të marrin në telefon menjëherë shërbimin telefonik të ndihmës për çdo situatë në të cilën një person mund të jetë keqtrajtuar – ose është në rrezik të keqtrajtohet. Ata duhet të marrin në telefon gjithashtu nëse vihen në dijeni se një anëtar/e shikon, blen ose shpërndan materiale pornografike që përfshijnë fëmijë.

Ky shërbim telefonik i ndihmës është në dispozicion të peshkopëve dhe presidentëve të kunjeve që të marrin në telefon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Më poshtë jepen numrat e telefonit.

  • Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada: 1–801–240–1911 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–1911

  • Mbretëria e Bashkuar: 0800 970 6757

  • Irlanda: 1800 937 546

  • Franca: 0805 710 531

  • Australia: 02 9841 5454 (nga brenda vendit)

  • Zelanda e Re: 09 488 5592 (nga brenda vendit)

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve duhet të marrin në telefon shërbimin telefonik, kur diskutojnë situata që përfshijnë ndonjë lloj keqtrajtimi. Profesionistë ligjorë dhe mjekësorë do t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Këta profesionistë do të japin edhe udhëzime se si:

  • T’i ndihmojnë viktimat dhe të japin ndihmë për t’i mbrojtur ata nga keqtrajtimi i mëtejshëm.

  • Të ndihmojnë për t’i mbrojtur viktimat e mundshme.

  • Të veprojnë në përputhje me kërkesat ligjore për raportimin e keqtrajtimit.

Kisha zotohet që të veprojë në përputhje me ligjin për raportimin e keqtrajtimit (shihni 38.6.2.7). Ligjet ndryshojnë sipas vendndodhjes dhe shumica e udhëheqësve të Kishës nuk janë ekspertë ligjorë. Marrja në telefon e shërbimit telefonik është thelbësore që peshkopët dhe presidentët e kunjeve të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të raportuar keqtrajtimin.

Një peshkop duhet të njoftojë gjithashtu presidentin e tij të kunjit për rastet e keqtrajtimit.

Në vendet që nuk kanë shërbim telefonik të ndihmës, një peshkop i cili mëson për keqtrajtimin, duhet të vihet në kontakt me presidentin e tij të kunjit. Presidenti i kunjit duhet të kërkojë orientime nga këshilli ligjor i zonës në zyrën zonale. Ai nxitet edhe që të këshillohet me personelin e sektorit Shërbimet Familjare ose me përgjegjësin për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në zyrën zonale.

38.6.2.2

Këshillimi në Rastet e Keqtrajtimit

Viktimat e keqtrajtimit shpesh vuajnë trauma të rënda. Presidentët e kunjeve dhe peshkopët përgjigjen me dhembshuri e ndjeshmëri të përzemërt. Ata japin këshillim dhe përkrahje shpirtërore që t’i ndihmojnë viktimat për t’i kapërcyer pasojat shkatërruese të keqtrajtimit.

Nganjëherë viktimat kanë ndjenja turpi ose faji. Viktimat nuk janë fajtorë për mëkatin. Udhëheqësit i ndihmojnë ata dhe familjet e tyre që ta kuptojnë dashurinë e Perëndisë dhe shërimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shihni tek Alma 15:8; 3 Nefi 17: 9).

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët duhet t’i ndihmojnë ata që kanë kryer keqtrajtim, që të pendohen dhe ta ndalojnë sjelljen e tyre keqtrajtuese. Nëse një person në moshë madhore ka kryer një mëkat seksual ndaj një fëmije, sjellja mund të jetë shumë e vështirë të ndryshojë. Procesi i pendimit mund të jetë shumë i gjatë. Shihni 38.6.2.3.

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët gjithashtu duhet të jenë të kujdesshëm dhe të ndjeshëm kur punojnë me familjet e viktimave dhe autorët e krimit të keqtrajtimit.

Orientime për këshillimin e viktimave dhe keqtrajtuesve jepen tek Abuse: How to Help [Keqtrajtimi: Si të Ndihmoni].

Përveç marrjes së ndihmës së frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës, viktimat, keqtrajtuesit dhe familjet e tyre mund të kenë nevojë për këshillim profesional. Për informacion, shihni 31.3.6.

Për informacion rreth asaj që peshkopët dhe presidentët e kunjeve duhet të bëjnë kur mësojnë për ndonjë lloj keqtrajtimi, shihni 38.6.2.1. Për informacion rreth këshillimit në rastet e keqtrajtimit seksual, përdhunimit ose formave të tjera të sulmit seksual, shihni 38.6.18.2.

Shihni edhe te FamilyServices.ChurchofJesusChrist.org.

38.6.2.3

Keqtrajtimi i një Fëmije, një të Riu ose të Reje

Keqtrajtimi i një fëmije, të riu ose të reje është një mëkat veçanërisht i rëndë (shihni te Lluka 17:2). Siç përdoret këtu, keqtrajtimi i një fëmije, një të riu ose të reje përfshin sa vijojnë:

  • Keqtrajtimi fizik: Shkaktimi i dëmtimit të rëndë të trupit nëpërmjet dhunës fizike. Një pjesë e dëmtimit mund të mos jetë e dukshme.

  • Keqtrajtimi ose shfrytëzimi seksual: Të pasurit e çfarëdo marrëdhënieje seksuale me një fëmijë, një të ri ose të re apo lejimi ose ndihma qëllimisht për të tjerët që ta kenë një marrëdhënie të tillë. Siç përdoret këtu, keqtrajtimi seksual nuk përfshin marrëdhënie seksuale me dëshirë midis dy të miturve që kanë mosha të përafërta.

  • Keqtrajtimi emocional: Përdorimi i veprimeve dhe fjalëve për ta dëmtuar rëndë ndjenjën e një fëmije, të riu ose të reje për respektin ndaj vetes ose vlerën e vetvetes. Ky zakonisht përfshin fyerje, manipulime dhe kritika të përsëritura e të vazhdueshme që poshtërojnë e nënvleftësojnë. Gjithashtu mund të përfshijë shpërfillje të madhe.

  • Pornografia që përfshin fëmijë: Shihni 38.6.6.

Nëse një peshkop ose president kunji mëson ose dyshon për keqtrajtimin e një fëmije, të riu ose të reje, ai menjëherë ndjek udhëzimet te 38.6.2.1. Ai gjithashtu ndërmerr veprim që të ndihmojë për ta mbrojtur [viktimën] nga keqtrajtimi i mëtejshëm.

Kërkohen një këshill i Kishës për anëtarësinë dhe një shënim shpjegues në dokument nëse një anëtar në moshë madhore e keqtrajton një fëmijë, një të ri ose të re, siç përshkruhet në këtë pjesë. Shihni edhe 32.6.1.1 dhe 38.6.2.5.

Nëse një i mitur keqtrajton një fëmijë, presidenti i kunjit vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë për udhëzim.

Bullizmi fizik ose emocional midis fëmijëve, të rinjve ose të rejave të një moshe të përafërt duhet të trajtohet nga udhëheqësit e lagjes. Për këtë nuk mblidhet një këshill për anëtarësinë.

38.6.2.4

Keqtrajtimi i një Bashkëshorteje/i apo një Personi Tjetër në Moshë Madhore

Keqtrajtimi i një bashkëshorteje/i apo një personi tjetër në moshë madhore mund të ndodhë në shumë mënyra. Këto përfshijnë keqtrajtimin fizik, seksual, emocional dhe financiar. Personat në moshë madhore që janë të moshuar, të cenueshëm ose të paaftë, nganjëherë janë në rrezik të madh për keqtrajtim.

Shpesh nuk ka një përkufizim të vetëm për keqtrajtimin që mund të zbatohet në të gjitha situatat. Në vend të kësaj, ka një diapazon të ashpërsisë në sjelljeje keqtrajtuese. Ky diapazon shtrihet nga përdorimi herë pas here i fjalëve të vrazhda deri te shkaktimi i dëmtimit të rëndë.

Nëse një peshkop ose president kunji mëson për keqtrajtimin e një bashkëshorteje/i ose një personi tjetër në moshë madhore, ai menjëherë ndjek udhëzimet te 38.6.2.1. Ai gjithashtu ndërmerr veprim që të ndihmojë për ta mbrojtur [viktimën] nga keqtrajtimi i mëtejshëm.

Udhëheqësit kërkojnë drejtimin e Shpirtit për të përcaktuar nëse këshillimi vetjak ose një këshill për anëtarësinë është mjedisi më i përshtatshëm për ta diskutuar keqtrajtimin. Ata gjithashtu mund të këshillohen me udhëheqësin e tyre të drejtpërdrejtë të priftërisë rreth mjedisit. Gjithsesi, çfarëdo keqtrajtimi i një bashkëshorteje/i ose një personi tjetër në moshë madhore që ngrihet në nivelet e përshkuara më poshtë, kërkon mbajtjen e një këshilli për anëtarësinë.

  • Keqtrajtimi fizik: Shkaktimi i dëmtimit të rëndë të trupit nëpërmjet dhunës fizike. Një pjesë e dëmtimit mund të mos jetë e dukshme.

  • Keqtrajtimi seksual: Shihni situatat e specifikuara te 38.6.18.3.

  • Keqtrajtimi emocional: Përdorimi i veprimeve dhe fjalëve për ta dëmtuar rëndë ndjenjën e një personi për respektin ndaj vetes ose vlerën e vetvetes. Ky zakonisht përfshin fyerje, manipulime dhe kritika të përsëritura e të vazhdueshme që poshtërojnë e nënvleftësojnë.

  • Keqtrajtimi financiar: Përfitimi financiarisht prej dikujt tjetër. Ky mund të përfshijë përdorimin e paligjshëm ose të paautorizuar të pronësisë, parave ose gjërave të tjera me vlerë të një personi. Gjithashtu mund të përfshijë arritjen me mashtrim të fuqisë financiare mbi dikë tjetër. Mund të përfshijë përdorimin e fuqisë financiare për ta detyruar një person se si të sillet. Shih edhe 32.6.1.3.

38.6.2.5

Thirrjet në Kishë, Rekomandimet e Tempullit dhe Shënimet Shpjeguese të Dokumenteve të Anëtarësisë

Anëtarëve që i kanë keqtrajtuar të tjerët, nuk duhet t’u jepen thirrje në Kishë dhe nuk u lejohet të kenë rekomandim tempulli derisa të jenë penduar dhe t’u jenë hequr kufizimet për anëtarësinë në Kishë.

Nëse një person keqtrajtoi seksualisht një fëmijë, një të ri ose të re apo keqtrajtoi rëndë fizikisht ose emocionalisht një fëmijë, një të ri ose të re, shënim shpjegues do t’i vihet dokumentit të tij ose të saj të anëtarësisë. Atij ose asaj nuk duhet t’i jepet asnjë thirrje ose detyrë që përfshin fëmijët ose rininë. Kjo përfshin të mos i jepet një caktim për dhënie shërbese te një familje me të rinj, të reja ose fëmijë në shtëpi. Kjo përfshin gjithashtu të mos ketë një të ri ose të re si shoqërues/e shërbestar/e. Këto kufizime duhet të mbeten në dokument në qoftë se Presidenca e Parë nuk autorizon heqjen e shënimit shpjegues. Shihni 32.14.5 për informacion rreth shënimeve shpjeguese.

38.6.2.6

Këshillat e Kunjeve dhe të Lagjeve

Në mbledhjet e këshillit të kunjeve dhe të lagjeve, presidencat e kunjeve dhe peshkopatat i shqyrtojnë rregullisht rregulloret dhe orientimet e Kishës lidhur me parandalimin dhe përgjigjen ndaj keqtrajtimit. Ata japin mësim mesazhet kyç që gjenden te “Parandalimi dhe Përgjigjja ndaj Keqtrajtimit”, një material i bashkëngjitur letrës së Presidencës së Parë të datës 26 mars 2018. Ata ftojnë diskutim nga anëtarët e këshillit. Udhëheqësit dhe anëtarët e këshillit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit ndërsa japin mësim dhe diskutojnë për këtë temë delikate.

Anëtarët e këshillit gjithashtu duhet të kryejnë trajnimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinisë (shihni 38.6.2).

38.6.2.7

Çështjet Ligjore që Lidhen me Keqtrajtimin

Në qoftë se veprimtaritë keqtrajtuese të një anëtari/eje e kanë shkelur ligjin e zbatueshëm, peshkopi ose presidenti i kunjit duhet ta nxitë anëtarin/en për t’ua raportuar këto veprimtari personelit për zbatimin e ligjit ose autoriteteve të tjera të duhura qeveritare. Peshkopi ose presidenti i kunjit mund të marrë informacion rreth kërkesave vendore të raportimit nëpërmjet shërbimit telefonik të Kishës për ndihmë (shihni 38.6.2.1). Nëse anëtarët kanë pyetje rreth kërkesave të raportimit, ai i nxit ata që të sigurojnë këshillim të kualifikuar ligjor.

Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës duhet t’i përmbushin të gjitha detyrimet ligjore për t’ua raportuar keqtrajtimin autoriteteve civile. Në disa vendndodhje, udhëheqësit/et dhe mësuesit/et që punojnë me fëmijët dhe rininë, konsiderohen “raportues të urdhëruar” dhe duhet t’ua raportojnë keqtrajtimin autoriteteve ligjore. Në mënyrë të ngjashme, në shumë vendndodhje, çdo personi që mëson për keqtrajtimin, i kërkohet t’ua raportojë atë autoriteteve ligjore. Peshkopët dhe presidentët e kunjeve duhet të marrin në telefon shërbimin telefonik të ndihmës për hollësi rreth raportuesve të urdhëruar dhe kërkesave të tjera ligjore për raportimin e keqtrajtimit. Rregullorja e Kishës është që t’i bindemi ligjit.

38.6.3

Farëzimi Artificial

Shihni 38.6.9.

38.6.4

Kontrolli i Lindjeve

Intimiteti fizik midis bashkëshortit e bashkëshortes synohet që të jetë i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis bashkëshortit e bashkëshortes (shihni 2.1.2).

Është privilegji i çifteve të martuara që janë në gjendje të lindin fëmijë, për të siguruar trupa të vdekshëm për fëmijët shpirtërorë të Perëndisë, të cilët më pas janë përgjegjës t’i ushqejnë dhe t’i rritin (shihni 2.1.3). Vendimi se sa fëmijë të kenë dhe kur t’i kenë ata, është jashtëzakonisht vetjak e privat. Duhet të lihet midis çiftit dhe Zotit. Anëtarët e Kishës nuk duhet ta gjykojnë njëri‑tjetrin për këtë çështje.

Kisha e shkurajon sterilizimin kirurgjikal si një formë me dëshirë për kontrollin e lindjeve. Sterilizimi kirurgjikal përfshin procedura të tilla si vazektomia dhe mbylljet e tubave. Megjithatë, ky vendim është një çështje vetjake që përfundimisht i lihet gjykimit dhe shqyrtimit plot lutje të bashkëshortit e bashkëshortes. Çiftet duhet të këshillohen së bashku në unitet dhe të kërkojnë miratimin e Shpirtit në marrjen e këtij vendimi.

Sterilizimi kirurgjikal nganjëherë nevojitet për arsye mjekësore. Anëtarët mund të përfitojnë nga këshillimi me profesionistë mjekësorë.

38.6.5

Dëlirësia dhe Besnikëria Bashkëshortore

Ligji i Zotit për dëlirësinë është:

  • Heqja dorë nga marrëdhëniet seksuale jashtë një martese midis një burri dhe një gruaje sipas ligjit të Perëndisë.

  • Besnikëria bashkëshortore brenda martesës.

Intimiteti fizik midis bashkëshortit e bashkëshortes synohet që të jetë i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis bashkëshortit e bashkëshortes.

Vetëm një burrë e një grua që janë zyrtarisht dhe ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte, duhet të kenë marrëdhënie seksuale. Nga pikëpamja e Perëndisë, pastërtia morale është shumë e rëndësishme. Shkeljet e ligjit të dëlirësisë janë shumë të rënda (shihni tek Eksodi 20:14; Mateu 5:28; Alma 39:5). Njerëzit që përfshihen në to, keqpërdorin fuqinë e shenjtë që Perëndia e ka dhënë për të krijuar jetë.

Një këshill i Kishës për anëtarësinë mund të jetë i nevojshëm në qoftë se një anëtar/e:

  • Ka marrëdhënie seksuale jashtë një marrëdhënieje martesore të autorizuar nga ligji i Perëndisë, të tillë si shkelja e kurorës, kurvëria dhe marrëdhëniet mes së njëjtës gjini (shihni 32.6.2).

  • Është në një lloj martese ose partneriteti që nuk autorizohet nga ligji i Perëndisë, të tillë si bashkëjetesa midis një burri e një gruaje, bashkëjetesa dhe partneritetet e çifteve të së njëjtës gjini dhe martesa mes së njëjtës gjini.

  • Përdor pornografi intensivisht ose me fiksim, gjë që i ka shkaktuar dëmtim të madh martesës ose familjes së një anëtari/eje (shihni 38.6.13).

Vendimi nëse do të mbahet ose jo një këshill për anëtarësinë në këto situata, varet nga shumë rrethana. Këto përvijohen te 32.7. Për shembull, shkelja e besëlidhjeve të tempullit e rrit gjasën që një këshill të jetë i nevojshëm për ta ndihmuar një person të pendohet. Në disa raste, këshillimi vetjak dhe kufizimet joformale të anëtarësisë mund të jenë të mjaftueshme (shihni 32.8).

Shihni 32.6.1.2 për rastet kur kërkohet një këshill për mëkate seksuale.

38.6.6

Pornografia që Përfshin Fëmijë

Kisha e dënon pornografinë në çfarëdolloj forme. Nëse një peshkop ose president kunji mëson se një anëtar/e merr pjesë në pornografinë që përfshin fëmijë, ai menjëherë ndjek udhëzimet te 38.6.2.1.

Kërkohen një këshill i Kishës për anëtarësinë dhe një shënim shpjegues në dokumente nëse një anëtar/e bën, shpërndan, zotëron ose shikon në mënyrë të përsëritur pamje pornografike me fëmijë (shihni 32.6.1.2 dhe 32.14.5). Ky orientim zakonisht nuk gjen zbatim për fëmijët, të rinjtë ose të rejat përafërsisht të së njëjtës moshë, të cilët tregojnë fotografi seksuale të vetvetes ose të tjerëve. Këshillimi vetjak dhe kufizimet joformale të anëtarësisë mund të jenë të përshtatshme në këto situata.

Për më shumë orientime, shihni 38.6.13.

38.6.7

Dhurimi ose Shitja e Spermës apo Vezëve

Modeli i një bashkëshorti e një bashkëshorteje që japin trupa për fëmijët shpirtërorë të Perëndisë, është caktuar në mënyrë hyjnore (shihni 2.1.3). Për këtë arsye, Kisha e shkurajon dhurimin e spermës ose të vezëve. Megjithatë, kjo është një çështje vetjake që përfundimisht i lihet gjykimit dhe shqyrtimit plot lutje të dhuruesit të mundshëm. Shihni 38.6.9. Kisha gjithashtu e shkurajon shitjen e spermës ose të vezëve.

38.6.8

Gjymtimi Gjenital i Femrave

Kisha e dënon gjymtimin gjenital të femrave.

38.6.9

Trajtimet Mjekësore të Lindshmërisë

Modeli i një bashkëshorti e një bashkëshorteje që japin trupa për fëmijët shpirtërorë të Perëndisë, është caktuar në mënyrë hyjnore (shihni 2.1.3). Kur nevojitet, teknologjia riprodhuese mund ta ndihmojë një grua dhe burrë të martuar në dëshirën e tyre të drejtë që të kenë fëmijë. Kjo teknologji përfshin farëzimin artificial dhe fekondimin in vitro.

Kisha e shkurajon farëzimin artificial ose fekondimin in vitro duke përdorur spermë nga dikush tjetër që nuk është bashkëshorti, ose një vezë nga dikush tjetër që nuk është bashkëshortja. Megjithatë, kjo është një çështje vetjake që përfundimisht i lihet gjykimit dhe shqyrtimit plot lutje të një burri dhe një gruaje të martuar ligjërisht.

Shihni edhe tek “Adoption” [“Birësimi”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).

38.6.10

Incesti

Kisha e dënon çfarëdolloj forme të incestit. Siç përdoret këtu, incesti është marrëdhënie seksuale midis:

  • Një prindi dhe një fëmije.

  • Një gjyshi/eje dhe një nipi ose mbese.

  • Vëllezërve e motrave.

  • Një xhaxhai ose tetoje dhe një mbese ose nipi.

Siç përdoren këtu, fjalët fëmijë, nip, mbesë, vëlla dhe motër përfshijnë marrëdhënie midis njerëzve të lidhur biologjikisht, të birësuar, të lidhur nga një martesë tjetër ose të marrë nën kujdestari të përkohshme. Incesti mund të ndodhë midis dy të miturve, një personi në moshë madhore dhe një të mituri, ose dy personave në moshë madhore. Në qoftë se një president kunji ka pyetje nëse një marrëdhënie është incest sipas ligjeve vendore, ai kërkon orientime nga Zyra e Presidencës së Parë.

Kur një i mitur është viktimë e incestit, peshkopi ose presidenti i kunjit i telefonon shërbimit telefonik të Kishës për ndihmën ndaj keqtrajtimit në vendet ku është në dispozicion (shihni 38.6.2.1). Në vende të tjera, presidenti i kunjit duhet të kërkojë udhërrëfim nga këshilli ligjor i zonës në zyrën zonale. Ai nxitet edhe që të këshillohet me personelin e sektorit Shërbimet Familjare ose me përgjegjësin për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në zyrën zonale.

Kërkohen një këshill i Kishës për anëtarësinë dhe një shënim shpjegues në dokumente në qoftë se një anëtar/e kryen incest (shihni 32.6.1.2 dhe 32.14.5). Incesti pothuajse gjithmonë kërkon që Kisha t’ia heqë anëtarësinë personit.

Nëse një i mitur kryen incest, presidenti i kunjit vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë për udhëzim.

Viktimat e incestit shpesh vuajnë trauma të rënda. Udhëheqësit përgjigjen me dhembshuri e ndjeshmëri të përzemërt. Ata japin përkrahje shpirtërore dhe këshillim që t’i ndihmojnë viktimat për t’i kapërcyer pasojat shkatërruese të incestit.

Nganjëherë viktimat kanë ndjenja turpi ose faji. Viktimat nuk janë fajtorë për mëkatin. Udhëheqësit i ndihmojnë ata dhe familjet e tyre që ta kuptojnë dashurinë e Perëndisë dhe shërimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shihni tek Alma 15:8; 3 Nefi 17: 9).

Përveç marrjes së ndihmës së frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës, viktimat dhe familjet e tyre mund të kenë nevojë për këshillim profesional. Për informacion, shihni 38.6.18.2.

38.6.11

Fekondimi In Vitro

Shihni 38.6.9.

38.6.12

Okultja

“Ajo që është prej Perëndisë, është dritë” (Doktrina e Besëlidhje 50:24). Okultja përqendrohet tek errësira dhe çon drejt mashtrimit. Ajo e shkatërron besimin te Krishti.

Okultja përfshin adhurimin e Satanit. Gjithashtu përfshin veprimtari mistike që nuk janë në harmoni me ungjillin e Jezu Krishtit. Veprimtari të tilla përfshijnë (por nuk kufizohen te) parashikimin e fatit, mallkimet dhe praktikat shëruese që janë imitime të fuqisë së priftërisë së Perëndisë (shihni te Moroni 7:11–17).

Anëtarët e Kishës nuk duhet të përfshihen në ndonjë formë të adhurimit të Satanit ose të marrin pjesë në ndonjë mënyrë me okulten. Ata nuk duhet të përqendrohen te një errësirë e tillë në bashkëbisedime ose në mbledhjet e Kishës.

38.6.13

Pornografia

Kisha e dënon pornografinë në çfarëdolloj forme. Përdorimi i pornografisë i çfarëdo lloji dëmton jetën e individëve, familjet dhe shoqërinë. Ajo gjithashtu e largon Shpirtin e Zotit. Anëtarët e Kishës duhet t’u shmangen të gjitha formave të materialit pornografik dhe të kundërshtojnë prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e tij.

Kisha siguron burimet vijuese për t’i ndihmuar njerëzit jeta e të cilëve është ndikuar nga pornografia:

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët gjithashtu u japin përkrahje pjesëtarëve të familjeve sipas nevojës.

Udhëheqësit e Kishës duhet të kuptojnë se përdorimi i pornografisë mund të jetë një fiksim ose një varësi. Përveç ndihmës së frymëzuar nga këta udhëheqës, disa anëtarë mund të kenë nevojë për këshillim profesional. Udhëheqësit mund të vihen në kontakt me Shërbimet Familjare për ndihmë. Shihni 31.3.6 për informacion kontakti.

Këshillimi vetjak dhe kufizimet joformale të anëtarësisë janë zakonisht të mjaftueshme kur i jepet ndihmë një personi, që të pendohet për përdorimin e pornografisë (shihni 32.8). Zakonisht nuk mblidhen këshillat për anëtarësinë. Sidoqoftë, një këshill mund të jetë i nevojshëm për përdorim intensiv dhe me fiksim të pornografisë që i ka shkaktuar dëmtim të madh martesës ose familjes së një anëtari/eje (shihni 38.6.5). Një këshill kërkohet nëse një anëtar/e bën, shpërndan, zotëron ose shikon në mënyrë të përsëritur materiale pornografike që përfshijnë fëmijë (shihni 38.6.6).

38.6.14

Paragjykimi

Të gjithë njerëzit janë fëmijë të Perëndisë. Të gjithë janë vëllezër e motra që janë pjesë e një familjeje hyjnore (shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Perëndia i “ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat” (Veprat e Apostujve 17:26). “Të gjithë janë njësoj” para Tij (2 Nefi 26:33). Çdo qenie është “po aq e çmueshme në pamjen e tij sa tjetra” (Jakobi [LiM] 2:21).

Paragjykimi nuk është në përputhje me fjalën e zbuluar nga Perëndia. Miratimi ose mosmiratimi nga Perëndia varet nga përkushtimi ndaj Tij dhe urdhërimeve të Tij, jo nga ngjyra e lëkurës apo cilësi të tjera të një personi.

Kisha u bën thirrje të gjithë njerëzve që t’i braktisin qëndrimet dhe veprimet paragjykuese kundrejt çfarëdo grupi ose individi. Anëtarët e Kishës duhet të prijnë udhën në nxitjen e respektit për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Anëtarët ndjekin urdhërimin e Shpëtimtarit për t’i dashur të tjerët (shihni te Mateu 22:35–39). Ata përpiqen fort të jenë njerëz me mirëdashje kundrejt të gjithëve, duke e hedhur poshtë paragjykimin e çfarëdo lloji. Kjo përfshin paragjykimin bazuar te raca, etnia, kombësia, fisi, gjinia, mosha, aftësia e kufizuar, gjendja shoqërore‑ekonomike, besimi ose mosbesimi fetar dhe orientimi seksual.

38.6.15

Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini dhe Sjellja ndaj së Njëjtës Gjini

Kisha i inkurajon familjet dhe anëtarët që t’u qëndrojnë pranë me ndjeshmëri, dashuri e respekt personave që tërhiqen ndaj njerëzve të tjerë të së njëjtës gjini. Kisha gjithashtu nxit mirëkuptim në shkallë të gjerë në shoqëri, gjë që pasqyron mësimet e saj rreth zemërbutësisë, përfshirjes, dashurisë për të tjerët dhe respektit për të gjitha qeniet njerëzore. Kisha nuk mban asnjë qëndrim në lidhje me shkaqet e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini.

Urdhërimet e Perëndisë i ndalojnë të gjitha sjelljet e padëlira, qoftë midis gjinive të ndryshme si edhe së njëjtës gjini. Udhëheqësit e Kishës i këshillojnë anëtarët që e kanë shkelur ligjin e dëlirësisë. Udhëheqësit i ndihmojnë ata që të kenë një kuptim të qartë për besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, procesin e pendimit dhe qëllimin e jetës në tokë. Sjellja që nuk përputhet me ligjin e dëlirësisë, mund të jetë shkak për mbledhjen e një këshilli të Kishës për anëtarësinë (shihni 38.6.5). Ajo mund të falet nëpërmjet pendimit të sinqertë.

Nëse anëtarët ndiejnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini dhe po përpiqen fort që ta jetojnë ligjin e dëlirësisë, udhëheqësit i përkrahin dhe i inkurajojnë për vendosmërinë e tyre. Këta anëtarë mund të marrin thirrje në Kishë, të mbajnë rekomandime tempulli dhe të marrin ordinanca tempulli nëse janë të denjë. Anëtarët meshkuj të Kishës mund ta marrin dhe ushtrojnë priftërinë.

Të gjithë anëtarët që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do të marrin të gjitha bekimet e premtuara në përjetësitë pavarësisht nëse rrethanat e tyre i lejojnë ose jo që t’i marrin bekimet e martesës së përjetshme dhe të qenit prindër në këtë jetë (shihni te Mosia 2:41).

Kisha siguron burimet vijuese për t’i kuptuar dhe përkrahur më mirë njerëzit jeta e të cilëve është ndikuar nga tërheqja ndaj së njëjtës gjini:

Përveç ndihmës së frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës, anëtarët mund të përfitojnë nga këshillimi profesional. Udhëheqësit mund të vihen në kontakt me Shërbimet Familjare për ndihmë. Shihni 31.3.6 për informacion kontakti.

38.6.16

Martesa mes së Njëjtës Gjini

Si parim doktrinor, i bazuar te shkrimet e shenjta, Kisha pohon se martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore në planin e Krijuesit për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Tij. Kisha gjithashtu pohon se ligji i Perëndisë e përcakton martesën si bashkimin zyrtar dhe të ligjshëm midis një burri dhe një gruaje.

Vetëm një burrë e një grua që janë zyrtarisht dhe ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte, duhet të kenë marrëdhënie seksuale. Çdo marrëdhënie tjetër seksuale, përfshirë ato midis personave të së njëjtës gjini, është mëkatare dhe e dëmton institucionin e familjes që u krijua në mënyrë hyjnore.

38.6.17

Edukimi Seksual

Prindërit kanë përgjegjësi kryesore për edukimin seksual të fëmijëve të tyre. Prindërit duhet të kenë bashkëbisedime të ndershme, të qarta dhe të vazhdueshme me fëmijët e tyre rreth seksualitetit të shëndetshëm dhe të drejtë. Këto bashkëbisedime duhet:

  • Të jenë të përshtatshme për moshën dhe pjekurinë e fëmijës.

  • T’i ndihmojnë fëmijët të përgatiten për lumturinë në martesë dhe ta ndjekin ligjin e dëlirësisë (shihni 2.1.2).

  • Të trajtojnë rreziqet e pornografisë, nevojën për ta shmangur atë dhe se si të përgjigjen kur ndeshen me të.

Për më shumë informacion, shihni te “Sex Education and Behavior” [“Edukimi Seksual dhe Sjellja Seksuale”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).

Si pjesë e përgjegjësisë së tyre për t’i mësuar fëmijët e tyre, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për edukimin seksual që jepet mësim në shkollë dhe të përpiqen siç duhet që të ndikojnë tek ai edukim. Prindërit japin mësim parime të sakta dhe i përkrahin udhëzimet e shkollës që janë në përputhje me ungjillin.

38.6.18

Keqtrajtimi Seksual, Përdhunimi dhe Forma të Tjera të Sulmit Seksual

Kisha e dënon keqtrajtimin seksual. Sikurse përdoret këtu, keqtrajtimi seksual përkufizohet si imponimi i çfarëdo marrëdhënieje të padëshiruar seksuale mbi një person tjetër. Marrëdhënia seksuale me një person që nuk jep ose nuk mund të japë miratim të ligjshëm, konsiderohet keqtrajtim seksual. Keqtrajtimi seksual mund të ndodhë edhe me një bashkëshort/e ose në një marrëdhënie takimesh romantike. Për informacion rreth keqtrajtimit seksual të një fëmije, një të riu ose të reje, shihni 38.6.2.3.

Keqtrajtimi seksual mbulon një gamë të gjerë veprimesh, nga ngacmimi te përdhunimi dhe forma të tjera të sulmit seksual. Ai mund të ndodhë fizikisht, gojarisht dhe në mënyra të tjera. Për orientime rreth këshillimit të anëtarëve që kanë përjetuar keqtrajtim seksual, përdhunim ose forma të tjera të sulmit seksual, shihni 38.6.18.2.

Nëse anëtarët dyshojnë ose bëhen të vetëdijshëm për keqtrajtimin seksual, ata ndërmarrin veprim për t’i mbrojtur viktimat dhe të tjerët sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky veprim përfshin raportimin tek autoritetet civile dhe paralajmërimin e peshkopit ose të presidentit të kunjit. Nëse një fëmijë është keqtrajtuar, anëtarët duhet të ndjekin udhëzimet te 38.6.2.

38.6.18.1

Shërbimi Telefonik i Ndihmës ndaj Keqtrajtimit

Në qoftë se një peshkop ose president kunji mëson për ndonjë keqtrajtim seksual, përdhunim ose ndonjë formë tjetër të sulmit seksual, ai i telefonon shërbimit telefonik të Kishës për ndihmën ndaj keqtrajtimit në vendet ku është në dispozicion (shihni 38.6.2.1 për informacion kontakti). Profesionistët ligjorë dhe mjekësorë do t’u përgjigjen pyetjeve të tij. Këta profesionistë do të japin edhe udhëzime se si:

  • T’i ndihmojë viktimat dhe të japë ndihmë për t’i mbrojtur nga keqtrajtimi i mëtejshëm.

  • Të ndihmojë për t’i mbrojtur viktimat e mundshme.

  • Të veprojë në përputhje me kërkesat ligjore për raportimin.

Në shtetet që nuk kanë shërbim telefonik të ndihmës, një peshkop i cili mëson për këto dhunime, duhet të vihet në kontakt me presidentin e tij të kunjit. Presidenti i kunjit duhet të kërkojë orientime nga këshilli ligjor i zonës në zyrën zonale. Ai nxitet edhe që të këshillohet me personelin e sektorit Shërbimet Familjare ose me përgjegjësin për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në zyrën zonale.

38.6.18.2

Këshillimi për Viktimat e Keqtrajtimit Seksual, Përdhunimit dhe Formave të Tjera të Sulmit Seksual

Viktimat e keqtrajtimit seksual, përdhunimit ose formave të tjera të sulmit seksual shpesh vuajnë trauma të rënda. Kur i tregojnë në mirëbesim një peshkopi ose presidenti kunji, ai përgjigjet me dhembshuri e ndjeshmëri të përzemërt. Ai jep këshillim dhe përkrahje shpirtërore që t’i ndihmojë viktimat për t’i kapërcyer pasojat shkatërruese të keqtrajtimit. Ai gjithashtu i telefonon shërbimit telefonik të Kishës për ndihmën ndaj keqtrajtimit për orientime atje ku është në dispozicion (shihni 38.6.18.1).

Nganjëherë viktimat kanë ndjenja turpi ose faji. Viktimat nuk janë fajtorë për mëkatin. Udhëheqësit nuk ia vënë fajin viktimës. Ata i ndihmojnë viktimat dhe familjet e tyre që të kuptojnë dashurinë e Perëndisë dhe shërimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij (shihni tek Alma 15:8; 3 Nefi 17: 9).

Ndërkohë që anëtarët mund të zgjedhin që të japin informacione rreth keqtrajtimit ose sulmit seksual, udhëheqësit nuk duhet të përqendrohen më tepër seç duhet te hollësitë. Kjo mund të jetë e dëmshme për viktimat.

Përveç marrjes së ndihmës së frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës, viktimat dhe familjet e tyre mund të kenë nevojë për këshillim profesional. Për informacion, shihni 31.3.6.

38.6.18.3

Këshillat për Anëtarësinë

Mund të jetë i nevojshëm një këshill për anëtarësinë për një person që ka sulmuar ose ka keqtrajtuar dikë seksualisht. Kërkohet një këshill për anëtarësinë në qoftë se një anëtar kreu një përdhunim ose është dënuar për një formë tjetër të sulmit seksual (shihni 32.6.1.1)

Gjithashtu një këshill duhet të mblidhet për marrëdhënie seksuale me një njeri të cenueshëm në moshë madhore. Siç përdoret këtu, një njeri i cenueshëm në moshë madhore është një person që, për shkak të kufizimeve fizike ose mendore, as nuk mund të japë miratim për marrëdhënien, as nuk mund ta kuptojë natyrën e asaj marrëdhënieje.

Për të diskutuar forma të tjera të keqtrajtimit seksual, udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit nëse këshillimi vetjak ose këshilli për anëtarësinë është mjedisi më i përshtatshëm (shihni 32.6.2.2 dhe 32.8). Në raste të rënda kërkohet një këshill. Udhëheqësit mund të këshillohen me udhëheqësin e tyre të drejtpërdrejtë të priftërisë rreth mjedisit.

Nëse kufizimet e anëtarësisë vijnë si rezultat i një këshilli për anëtarësinë që mblidhet për një autor të krimit të keqtrajtimit seksual, dokumentit të anëtarësisë së atij personi i vihet një shënim shpjegues.

Për informacion rreth këshillimit në rastet e keqtrajtimit, shihni 38.6.2.2. Për informacion rreth këshillimit të viktimave të një sulmi seksual, shihni 38.6.18.2.

38.6.19

Prindërit e Pamartuar që Presin Fëmijë

Anëtaret e Kishës që janë të pamartuara dhe shtatzënë, nxiten që të takohen me peshkopin e tyre. Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, sektori Shërbimet Familjare është në dispozicion për:

  • Këshillim me udhëheqësit e Kishës.

  • Këshillim me prindërit e pamartuar që presin fëmijë dhe familjet e tyre.

Nuk nevojitet asnjë referim nga peshkopi për këtë shërbim. Është falas. Shihni 31.3.6 për informacion kontakti për sektorin Shërbimet Familjare.

Në zona të tjera, udhëheqësit mund të vihen në kontakt me personelin e sektorit Shërbimet Familjare ose me përgjegjësin për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në zyrën zonale për këshillim.

Orientime për këshillimin e prindërve të pamartuar që presin fëmijë, jepen gjithashtu te “Unwed Pregnancy” [“Shtatëzani Jashtë Martese”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).

38.6.20

Vetëvrasja

Jeta në vdekshmëri është një dhuratë e çmuar nga Perëndia – një dhuratë që duhet të vlerësohet dhe mbrohet. Kisha e përkrah fuqimisht parandalimin e vetëvrasjes. Për informacion rreth mënyrës se si ta ndihmoni dikë që ka prirje për vetëvrasje ose dikë që është ndikuar nga vetëvrasja, shihni te suicide.ChurchofJesusChrist.org.

Shumica e njerëzve që kanë menduar për vetëvrasje, dëshirojnë të gjejnë çlirim nga dhembja fizike, mendore, emocionale ose shpirtërore. Individë të tillë kanë nevojë për dashuri, ndihmë dhe përkrahje nga familja, udhëheqësit e Kishës dhe profesionistë të kualifikuar.

Peshkopi siguron përkrahje kishtare nëse një anëtar po merr parasysh vetëvrasjen ose e ka tentuar atë. Ai gjithashtu menjëherë e ndihmon anëtarin/en që të marrë ndihmë profesionale. Ai gjithashtu i nxit njerëzit e afërt të personit që të kërkojnë ndihmë profesionale sipas nevojës.

Pavarësisht nga përpjekjet më të mira të njerëzve të dashur, udhëheqësve dhe profesionistëve, vetëvrasja nuk është gjithmonë e parandalueshme. Ajo lë pas thyerje të thellë të zemrës, trazirë emocionale dhe pyetje pa përgjigje për njerëzit e dashur dhe njerëz të tjerë. Udhëheqësit duhet ta këshillojnë dhe ngushëllojnë familjen. Ata ofrojnë ushqyerje shpirtërore dhe përkrahje. Edhe familja mund të ketë nevojë për përkrahje dhe këshillim profesional.

Nuk është e drejtë për një person që t’i japë fund jetës së vet. Megjithatë, vetëm Perëndia është në gjendje t’i gjykojë mendimet, veprimet dhe nivelin e përgjegjshmërisë së personit (shihni te 1 Samuelit 16:7; Doktrina e Besëlidhje 137:9).

Familja, në këshillim me peshkopin, përcakton vendin dhe natyrën e një shërbese mortore për personin. Familja mund të zgjedhë që të përdorë godinat e Kishës. Nëse personi e kishte kryer ordinancën e dhurimit gjatë jetës, ai ose ajo mund të varroset ose digjet i veshur me rrobat e tempullit.

Ata që kanë humbur një njeri të dashur për shkak të vetëvrasjes, mund të gjejnë shpresë dhe shërim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.

Për informacion rreth parandalimit të vetëvrasjes dhe dhënies së shërbesës, shihni te suicide.ChurchofJesusChrist.org.

38.6.21

Sterilizimi Kirurgjikal (Përfshirë Vazektominë)

Shihni 38.6.4.

38.6.22

Amësia me Zëvendësuese

Modeli i një bashkëshorti e një bashkëshorteje që japin trupa për fëmijët shpirtërorë të Perëndisë, është caktuar në mënyrë hyjnore (shihni 2.1.3). Për këtë arsye, Kisha e shkurajon amësinë me zëvendësuese. Megjithatë, kjo është një çështje vetjake që përfundimisht i lihet gjykimit dhe shqyrtimit plot lutje të bashkëshortit e bashkëshortes.

Fëmijët që kanë lindur nga një nënë zëvendësuese, nuk linden në besëlidhje. Pas lindjes së tyre, ata mund të vulosen te prindërit vetëm me miratimin e Presidencës së Parë (shihni 38.4.2.7).

38.6.23

Individët Transgjinorë

Individët transgjinorë përballen me sfida të ndërlikuara. Anëtarët dhe joanëtarët që e përcaktojnë vetveten si transgjinorë – si dhe familjet dhe miqtë e tyre – duhet të trajtohen me ndjeshmëri, zemërbutësi, dhembshuri dhe me dashuri të bollshme si të Krishtit. Të gjithë njerëzit janë të mirëpritur që të frekuentojnë mbledhjen e sakramentit, mbledhje të tjera të së dielës dhe ngjarje shoqërore të Kishës (shihni 38.1.1).

Gjinia është një karakteristikë thelbësore e planit të Atit Qiellor për lumturinë. Kuptimi i synuar i fjalës gjiniproklamatën mbi familjen është seksi biologjik në lindje. Disa njerëz përjetojnë ndjenja mospajtimi midis seksit të tyre biologjik dhe identitetit të tyre gjinor. Si rrjedhojë, ata mund të përcaktohen si transgjinorë. Kisha nuk mban një qëndrim në lidhje me shkaqet pse njerëzit e përcaktojnë veten si transgjinorë.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrjes në Kishë dhe disa ordinanca të priftërisë janë neutrale për sa i përket gjinisë. Personat transgjinorë mund të pagëzohen dhe konfirmohen sikurse përvijohet te 38.2.8.10. Ata gjithashtu mund ta marrin sakramentin dhe të marrin bekime të priftërisë. Megjithatë, shugurimi në priftëri dhe ordinancat e tempullit merren sipas seksit biologjik në lindje.

Udhëheqësit e Kishës këshillojnë të mos bëhen ndërhyrje mjekësore ose kirurgjikale me dëshirë, me qëllimin e përpjekjes për të ndryshuar në gjininë e kundërt me seksin biologjik të një personi në lindje (“ndryshimi i seksit”). Udhëheqësit këshillojnë se ndërmarrja e këtyre veprimeve do të jetë shkak për kufizime të anëtarësisë në Kishë.

Udhëheqësit gjithashtu këshillojnë kundër përpjekjeve për një ndryshim shoqëror. Një përpjekje për ndryshim shoqëror përfshin ndryshimin e veshjes ose të pamjes së jashtme, apo ndryshimin e një emri ose të përemrave, për ta paraqitur veten si dikush tjetër nga seksi i tij ose i saj biologjik në lindje. Udhëheqësit këshillojnë se ata që bëjnë përpjekje për një ndryshim shoqëror, do të përjetojnë disa kufizime të anëtarësisë në Kishë për sa kohë zgjat kjo përpjekje për të ndryshuar.

Kufizimet përfshijnë mosmarrjen ose mosushtrimin e priftërisë, mosmarrjen ose mospërdorimin e një rekomandimi të tempullit dhe mosmarrjen e disa thirrjeve në Kishë. Edhe pse kufizohen disa privilegje të anëtarësisë në Kishë, mirëpritet pjesëmarrja në veprimtari të tjera në Kishë.

Individët transgjinorë që nuk e vazhdojnë përpjekjen mjekësore, kirurgjikale ose shoqërore për ndryshimin drejt gjinisë së kundërt dhe janë të denjë, mund të marrin thirrje në Kishë, rekomandime tempulli dhe ordinanca në tempull.

Disa fëmijëve, të rinjve, të rejave dhe të rriturve u jepet një recetë për terapi hormonale nga një profesionist mjekësor i licencuar për ta lehtësuar disforinë gjinore të tyre ose për t’i pakësuar mendimet për vetëvrasje. Përpara se një person ta fillojë një terapi të tillë, është e rëndësishme që ai ose ajo (dhe prindërit e një të mituri) t’i kuptojnë rreziqet dhe përfitimet e mundshme. Nëse këta anëtarë/e nuk po orvaten që të kryejnë përpjekje për të ndryshuar drejt gjinisë së kundërt dhe janë të denjë, mund të marrin thirrje në Kishë, rekomandime tempulli dhe ordinanca në tempull.

Nëse një anëtar/e vendos ta ndryshojë emrin ose përemrat e tij ose të saj të parapëlqyer për t’iu drejtuar atij ose asaj, parapëlqimi i emrit mund të shënohet në fushën e emrit të parapëlqyer në dokumentin e anëtarësisë. Personit mund t’i drejtohen në lagje me emrin e parapëlqyer.

Rrethanat ndryshojnë shumë nga njësia në njësi dhe nga personi në person. Anëtarët dhe udhëheqësit këshillohen së bashku dhe me Zotin. Presidencat e Zonave do t’i ndihmojnë udhëheqësit vendorë që t’i diskutojnë me ndjeshmëri situatat individuale. Peshkopët këshillohen me presidentin e kunjit. Presidentët e kunjeve dhe presidentët e misioneve duhet të kërkojnë këshillë nga Presidenca e Zonës (shihni 32.6.3 dhe 32.6.3.1).

Për më shumë informacion për kuptimin dhe përkrahjen e individëve transgjinorë, shihni “Transgender” [“Transgjinorët”] te ChurchofJesusChrist.org.

38.7

Rregulloret Mjekësore dhe Shëndetësore

38.7.1

Autopsitë

Një autopsi mund të kryhet nëse familja e personit të vdekur jep miratimin dhe nëse autopsia është në pajtim me ligjin. Në disa raste një autopsi kërkohet nga ligji.

38.7.2

Varrimi dhe Djegia e Trupit

Familja e personit të vdekur vendos nëse trupi i tij ose i saj duhet të varroset ose digjet. Ata i respektojnë dëshirat e individit.

Në disa vende, ligji e kërkon djegien e trupave. Në raste të tjera, varrimi nuk është praktik ose i përballueshëm ekonomikisht për familjen. Në të gjitha rastet, trupi duhet të trajtohet me respekt dhe nderim. Anëtarët duhet të sigurohen që fuqia e Ringjalljes gjithmonë gjen zbatim (shihni tek Alma 11:42–45).

Atje ku është e mundur, trupi i një anëtari të vdekur që e ka kryer ordinancën e dhurimit, duhet të vishet me veshjet ceremoniale në tempull, kur të varroset ose digjet (shihni 38.5.8).

Një shërbesë mortore ose përkujtimore siguron mundësi për familjen që të mbledhë dhe vijojë marrëdhëniet dhe vlerat familjare (shihni 29.5.4).

38.7.3

Fëmijët që Vdesin para se të Lindin (Fëmijët që Lindin të Vdekur dhe Fëmijët e Vdekur prej Dështimit të Barrës)

Prindërit që përjetojnë vdekjen e një fëmije të palindur, vuajnë hidhërim dhe humbje. Udhëheqësit, pjesëtarët e familjes dhe vëllezërit e motrat shërbestare ofrojnë përkrahje emocionale dhe shpirtërore.

Prindërit mund të vendosnin që të mbajnë ose jo shërbesë përkujtimore ose shërbesë në varrezë.

Prindërit mund t’i regjistrojnë informacionet për fëmijën te FamilySearch.org. Udhëzimet jepen në këndin e internetit.

Ordinancat në tempull nuk janë të nevojshme për fëmijët që vdesin përpara lindjes. Kjo nuk e mohon mundësinë që këta fëmijë të mund të jenë pjesë e familjes në përjetësitë. Prindërit nxiten që të mirëbesojnë te Zoti dhe të kërkojnë ngushëllimin e Tij.

38.7.4

Eutanazia

Jeta në vdekshmëri është një dhuratë e çmuar nga Perëndia. Eutanazia është mbarimi me dëshirë i jetës së një personi që po vuan nga një sëmundje apo gjendje tjetër e pashërueshme. Një njeri që merr pjesë në eutanazi, përfshirë të ndihmuarit e dikujt që të vdesë me anë të vetëvrasjes, dhunon urdhërimet e Perëndisë dhe mund të shkelë ligjet vendore.

Ndërprerja ose heqja dorë nga masat ekstreme të mbështetjes së jetës për një person në fund të jetës, nuk konsiderohet si eutanazi (shihni 38.7.11).

38.7.5

Infeksioni me HIV dhe SIDA

Anëtarët që janë të infektuar me HIV‑in (virusin e imunodefiçencës njerëzore) ose ata që kanë SIDA‑n (sindromën e imunodefiçencës së fituar) duhet të mirëpriten në mbledhjet dhe veprimtaritë e Kishës. Pjesëmarrja e tyre nuk rrezikon shëndetin e të tjerëve.

38.7.6

Hipnoza

Për disa njerëz, hipnoza mund ta komprometojë lirinë e zgjedhjes. Anëtarët nuk nxiten të marrin pjesë në hipnozë për qëllime demonstrimi ose argëtimi.

Përdorimi i hipnozës për trajtimin e sëmundjeve ose çrregullimeve mendore duhet të vendoset në këshillim me profesionistët kompetentë mjekësorë.

38.7.7

Individët Seksi në Lindje i të Cilëve Nuk Është i Qartë

Në raste jashtëzakonisht të rralla, një foshnjë lind me organe gjenitale që nuk janë qartësisht mashkullore ose femërore (organe gjenitale të paqarta, paqartësi seksuale ose ndërthurje gjinish). Prindërve ose njerëzve të tjerë mund t’ju duhet të marrin vendime për të përcaktuar gjininë e fëmijës së tyre sipas udhëzimit të profesionistëve kompetentë mjekësorë. Vendimet rreth kryerjes së ndërhyrjes mjekësore ose kirurgjikale shpesh merren në periudhën kur fëmija sapo ka lindur. Megjithatë, ato mund të vonohen në qoftë se nuk janë të domosdoshme nga ana mjekësore.

Dhembshuri dhe urtësi e veçantë kërkohet kur të rinj, të reja ose të rritur që u lindën me paqartësi seksuale, përjetojnë konflikt emocional lidhur me vendimet për gjininë, të marra në foshnjëri ose fëmijëri, dhe gjininë me të cilën e përcaktojnë vetveten.

Pyetjet rreth dokumenteve të anëtarësisë, shugurimit në priftëri dhe ordinancave të tempullit për të rinj, të reja ose të rritur që lindën me paqartësi gjinore, duhet t’i drejtohen Zyrës së Presidencës së Parë.

38.7.8

Kujdesi Mjekësor dhe Shëndetësor

Të kërkuarit e ndihmës kompetente mjekësore, ushtrimi i besimit dhe marrja e bekimeve të priftërisë veprojnë së bashku për shërim, në përputhje me vullnetin e Zotit.

Anëtarët nuk duhet të përdorin ose nxitin praktika mjekësore apo shëndetësore që janë të diskutueshme nga ana etike, shpirtërore ose ligjore. Njerëzit që kanë probleme shëndetësore, duhet të këshillohen me profesionistë kompetentë mjekësorë, të cilët janë të licencuar në fushat ku e ushtrojnë mjekësisë.

Përveç kërkimit të ndihmës kompetente mjekësore, anëtarët e Kishës nxiten që të ndjekin urdhëresën nga shkrimi i shenjtë te Jakob [Bibël] 5:14 që “të thërras[in] pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe … ta lyejnë me vaj në emër të Zotit”. Bekimet e priftërisë për shërim jepen nga ata që mbajnë detyrën e nevojshme në priftëri. Ato jepen kur kërkohen dhe pa pagesë (shihni 18.13).

Anëtarët e Kishës nuk nxiten që të kërkojnë shërim mrekullibërës ose të mbinatyrshëm nga një individ ose grup që shpall se ka metoda të veçanta për përdorimin e fuqisë shëruese përtej lutjes dhe bekimeve të priftërisë të kryera siç duhet. Këto praktika shpesh përmenden si “shërim prej energjisë”. Përdoren edhe emra të tjerë. Premtime të tilla për shërim shpesh jepen në këmbim të parave.

38.7.9

Marijuana Mjekësore

Kisha është kundër përdorimit të marijuanës për qëllime jomjekësore. Shihni te “Fjala e Urtësisë dhe Praktikat e Shëndetshme”, (38.7.14).

Gjithsesi, marijuana mund të përdoret për qëllime mjekësore kur përmbushen kushtet vijuese:

  • Përdorimi përcaktohet që të jetë i domosdoshëm nga ana mjekësore nëpërmjet një mjeku të licencuar ose një profesionisti tjetër mjekësor të miratuar në mënyrë të ligjshme.

  • Personi ndjek dozën dhe mënyrën e përdorimit të dhënë nga mjeku i licencuar ose një profesionist tjetër mjekësor i autorizuar. Kisha nuk e miraton të pirin e marijuanës në formë avulli në qoftë se profesionisti mjekësor nuk e ka autorizuar atë bazuar në domosdoshmërinë mjekësore.

Kisha nuk e miraton të pirin e marijuanës në formë cigareje përfshirë edhe për qëllime mjekësore.

38.7.10

Dhurimet dhe Transplantet e Organeve dhe të Indeve

Dhurimi i organeve dhe indeve është një veprim vetëmohues që shpesh çon në përfitim të madh për individët në gjendje të keqe shëndetësore.

Vendimi i një personi të gjallë për t’i dhuruar një organ një njeriu tjetër ose për të marrë një organ të dhuruar, duhet të bëhet sipas këshillës kompetente mjekësore dhe shqyrtimit plot lutje.

Vendimi për të autorizuar transplantimin e organeve ose të indeve nga një person i vdekur bëhet nga personi ose familja e vet.

38.7.11

Zgjatja e Jetës (Përfshirë Përkrahjen e Jetës)

Kur përballen me sëmundje të rëndë, anëtarët duhet të ushtrojnë besim te Zoti dhe të kërkojnë ndihmë kompetente mjekësore. Megjithatë, kur vdekja bëhet e pashmangshme, ajo duhet të shihet si bekim dhe pjesë qëllimplotë e ekzistencës së përjetshme (shihni te 2 Nefi 9:6; Alma 42:8).

Anëtarët nuk duhet të ndihen të detyruar që ta zgjatin jetën në vdekshmëri me anë të mjeteve ekstreme. Këto vendime merren më mirë nga personi, nëse është e mundur, ose nga pjesëtarë të familjes. Ata duhet të kërkojnë këshillë mjekësore kompetente dhe udhërrëfim hyjnor nëpërmjet lutjes.

Udhëheqësit u ofrojnë përkrahje atyre që po vendosin a t’i heqin apo jo mjetet që e përkrahin jetën për një pjesëtar të familjes.

38.7.12

Grupet e Qenies të Vetëdijshëm për Vetveten

Shumë grupe private dhe organizata tregtare kanë programe që pretendojnë se i përmirësojnë vetëdijen për vetveten, vetëvlerësimin, shpirtshmërinë ose marrëdhëniet familjare. Këto grupe kanë prirjen të premtojnë zgjidhje të shpejta të problemeve që normalisht kërkojnë kohë, lutje dhe përpjekje vetjake për t’u zgjidhur. Ndonëse pjesëmarrësit mund të përjetojnë lehtësim ose kënaqësi të përkohshme, problemet e mëparshme shpesh kthehen, duke çuar drejt zhgënjimit dhe dëshpërimit më të madh.

Disa prej këtyre grupeve pretendojnë ose lënë të nënkuptohet se Kisha ose Autoritete të Përgjithshme individuale kanë dhënë miratimin për ta. Sidoqoftë, këto pretendime nuk janë të vërteta.

Anëtarët e Kishës paralajmërohen që disa prej këtyre grupeve mbrojnë koncepte dhe përdorin metoda që mund të jenë të dëmshme. Shumë grupe gjithashtu kërkojnë tarifa të tepruara dhe inkurajojnë zotime afatgjata. Disa i ndërthurin konceptet e botës me parimet e ungjillit në mënyra që mund ta nënvlerësojnë shpirtshmërinë dhe besimin.

Udhëheqësit e Kishës nuk duhet të paguajnë, reklamojnë apo të japin miratim për grupe ose praktika të tilla. Nuk lejohet që godinat e Kishës të përdoren për këto veprimtari.

Anëtarët që kanë shqetësime shoqërore ose emocionale, mund të këshillohen me udhëheqësit për udhërrëfim në përcaktimin e burimeve të ndihmës, të cilat janë në harmoni me parimet e ungjillit. Për më shumë informacion, shihni te 22.3.4.

38.7.13

Vaksinimet

Vaksinimet e administruara nga profesionistë mjekësorë kompetentë e mbrojnë shëndetin dhe e shpëtojnë jetën. Anëtarët e Kishës nxiten të ruajnë vetveten, fëmijët e tyre dhe komunitetet e tyre nëpërmjet vaksinimit.

Përfundimisht, individët janë përgjegjës për t’i marrë vetë vendimet e tyre në lidhje me vaksinimin. Nëse anëtarët kanë shqetësim, ata duhet të këshillohen me profesionistë kompetentë mjekësorë dhe gjithashtu të kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë.

Misionarët e ardhshëm që nuk janë vaksinuar, ka të ngjarë që do të kenë kufizimin e caktimit në detyra brenda shtetit të vendbanimit të tyre.

38.7.14

Fjala e Urtësisë dhe Praktikat e Shëndetshme

Fjala e Urtësisë është një urdhërim nga Perëndia. Ai e zbuloi atë për përfitimin fizik dhe shpirtëror të fëmijëve të Tij. Profetët kanë sqaruar se mësimet te Doktrina e Besëlidhje 89 përfshijnë mospërdorimin e duhanit, pijeve të forta (alkoolit) dhe pijeve të nxehta (çajit dhe kafes).

Profetët gjithashtu u kanë dhënë mësim anëtarëve që t’i shmangin substancat që janë të dëmshme, të paligjshme ose varësuese apo që e dëmtojnë gjykimin.

Ka substanca dhe praktika të tjera të dëmshme që nuk specifikohen te Fjala e Urtësisë ose nga udhëheqësit e Kishës. Anëtarët duhet të përdorin urtësi dhe gjykim plot lutje në bërjen e zgjedhjeve për të nxitur shëndetin e tyre fizik, shpirtëror dhe emocional.

Apostulli Pal tha: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” (1 Korintasve 6:19–20).

Zoti u premton bekime shpirtërore dhe materiale atyre që u binden Fjalës së Urtësisë dhe udhërrëfimit nga profetët e gjallë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 89:18–21).

38.8

Rregulloret Administrative

38.8.1

Birësimi dhe Mbajtja nën Kujdestari

Birësimi i fëmijëve dhe mbajtja nën kujdestari mund t’i bekojnë fëmijët dhe familjet. Nëpërmjet birësimit mund të krijohen familje plot dashuri e të përjetshme. Qoftë nëse fëmijët vijnë në familje nëpërmjet birësimit apo lindjes, ata janë një bekim po aq i çmuar.

Anëtarët që kërkojnë të birësojnë ose të mbajnë fëmijë nën kujdestari, duhet t’u binden të gjitha ligjeve që gjejnë zbatim në shtetet dhe qeveritë e përfshira.

Kisha nuk ndihmon në birësimet. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, udhëheqësit mund t’i referojnë anëtarët te sektori Shërbimet Familjare si një burim këshillimi. Për informacion kontakti, shihni te 31.3.6.

Për informacion rreth prindërve të pamartuar që presin fëmijë, shihni te 38.6.19.

Për më shumë informacion shihni te “Adoption” [“Birësimi”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).

38.8.2

Mashtrimi Duke Përdorur Afrinë

Mashtrimi duke përdorur afrinë ndodh kur një person shfrytëzon mirëbesimin ose vetëbesimin e një personi tjetër për ta mashtruar atë. Kjo mund të ndodhë kur që të dy njerëzit i përkasin të njëjtit grup, siç është Kisha. Mund të ndodhë edhe duke keqpërdorur një pozitë miqësie ose mirëbesimi, siç është një thirrje në Kishë ose një marrëdhënie familjare. Mashtrimi duke përdorur afrinë zakonisht është për përfitim financiar.

Anëtarët e Kishës duhet të jenë të ndershëm në marrëdhëniet e tyre dhe duhet të veprojnë me integritet moral. Mashtrimi duke përdorur afrinë është një tradhti e turpshme e mirëbesimit dhe vetëbesimit. Autorët e këtij krimi mund t’i nënshtrohen ndjekjes penale. Anëtarët e Kishës që kryejnë mashtrim duke përdorur afrinë, gjithashtu mund të përballen me kufizime ose heqje të anëtarësisë. Shihni 32.6.1.3 dhe 32.6.2.3 për udhëzime rreth këshillave të anëtarësisë për veprimet mashtruese.

Anëtarëve nuk u lejohet të thonë ose të lënë të kuptohet që ndërmarrjet e tyre të biznesit financohen, miratohen ose përfaqësojnë Kishën apo udhëheqësit e saj.

38.8.3

Materialet Zanoro‑Pamore

Materialet zanoro‑pamore mund të ndihmojnë për ta ftuar Shpirtin dhe për ta përmirësuar mësimdhënien e ungjillit në orët mësimore dhe mbledhjet e Kishës. Shembuj të këtyre materialeve përfshijnë materialet filmike, figurat dhe regjistrimet muzikore. Përdorimi i këtyre materialeve kurrë nuk duhet të bëhet një shpërqendrim ose vëmendja kryesore e orës mësimore apo mbledhjes.

Anëtarët nuk duhet të përdorin materiale zanoro‑pamore në mbledhjet e sakramentit apo në sesionin e përgjithshëm të konferencës të kunjit. Megjithatë, muzika e regjistruar mund të përdoret në këto mbledhje nëse nevojitet që të shoqërojë himnet.

Anëtarët duhet t’u binden të gjitha ligjeve të së drejtës së autorit kur përdorin materialet zanoro‑pamore (shihni 38.8.10). Ata duhet të përdorin vetëm materiale që janë në harmoni me ungjillin dhe ndihmojnë për ta ftuar Shpirtin.

38.8.4

Autografet dhe Fotografitë e Autoriteteve të Përgjithshme, Drejtuesve të Përgjithshëm dhe Të Shtatëdhjetëve Zonalë

Anëtarët e Kishës nuk duhet të kërkojnë autografe nga Autoritetet e Përgjithshme, Drejtuesit e Përgjithshëm ose Të Shtatëdhjetët Zonalë. Anëtarët as nuk duhet t’u kërkojnë këtyre udhëheqësve që t’u nënshkruajnë shkrimet e shenjta, librat e himneve ose programet e tyre të shtypura. Bërja e kësaj gjëje tërheq vëmendjen nga thirrjet e tyre të shenjta dhe fryma e mbledhjeve. Gjithashtu mund t’i pengojë që të përshëndetin anëtarë të tjerë.

Anëtarët nuk duhet të bëjnë fotografi të Autoriteteve të Përgjithshme, Drejtuesve të Përgjithshëm ose Të Shtatëdhjetëve Zonalë në godinat kishtare.

38.8.5

Bizneset

Shtëpitë e mbledhjeve dhe godinat e tjera të Kishës, mbledhjet dhe klasat e Kishës, këndet e internetit dhe kanalet në mjetet shoqërore të Kishës nuk lejohet të përdoren për të nxitur ndonjë biznes ose subjekt që nuk është i Kishës.

Listat e grupeve të Kishës ose informacione të tjera rreth anëtarëve nuk lejohet t’u jepen ndonjë biznesi ose subjekti që nuk është i Kishës. Këto përfshijnë (por nuk janë të kufizuara tek) ata që nxitin daljen në takime, arsimimin dhe mundësitë për punësim. Shihni 38.8.30.

38.8.6

Punonjësit e Kishës

Punonjësit e Kishës duhet t’i jetojnë dhe t’i mbrojnë standardet e Kishës në të gjitha kohët. Ata gjithashtu duhet të pajtohen me ligjet vendore të punësimit.

Për ta filluar apo vazhduar punësimin në Kishë, anëtarët duhet të jenë të denjë për një rekomandim tempulli. Herë pas here, përfaqësues të Sektorit të Burimeve Njerëzore të Kishës do të vihen në kontakt me presidentët e kunjeve ose peshkopët që të verifikojnë denjësinë për në tempull të punonjësve të tanishëm ose të mundshëm të Kishës. Udhëheqësit duhet të përgjigjen menjëherë.

38.8.7

Revistat e Kishës

Revistat e Kishës përfshijnë:

Presidenca e Parë i nxit të gjithë anëtarët që t’i lexojnë revistat e Kishës. Revistat mund t’i ndihmojnë anëtarët që të mësojnë ungjillin e Jezu Krishtit, të studiojnë mësimet e profetëve të gjallë, të ndihen të lidhur me familjen mbarëbotërore të Kishës, t’i përballojnë sfidat me besim dhe të afrohen më shumë te Perëndia.

Udhëheqësit i ndihmojnë anëtarët që t’i përdorin revistat si vijon:

  • I ndihmojnë anëtarët të abonohen në revistat e shtypura dhe t’i rinovojnë abonimet e tyre.

  • U tregojnë anëtarëve se si ta përdorin përmbajtjen e revistave te ChurchofJesusChrist.org, programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe programi Gospel Living [Të Jetuarit e Ungjillit]. Kjo përmbajtje digjitale është falas.

  • Pak kohë pasi anëtarët e rinj pagëzohen, tregojuni atyre se si t’i përdorin revistat e Kishës në mënyrë digjitale. Nëse parapëlqejnë një revistë të shtypur në letër, jepuni atyre një abonim njëvjeçar duke përdorur fonde nga buxheti i njësisë.

  • Sigurojuni abonime të vazhdueshme të gjithë fëmijëve dhe të rinjve e të rejave që marrin pjesë në kishë pa një prind ose kujdestar. Përdorni fonde nga buxheti i njësisë.

Peshkopët mund të thërrasin një përfaqësues të revistave për t’i ndihmuar anëtarët që t’i përdorin revistat. Ose ata mund të caktojnë sekretarin ekzekutiv të lagjes për të ofruar ndihmë (shihni 7.3).

Përfaqësuesi i revistave ose sekretari ekzekutiv gjithashtu mund të ndihmojë për të mbledhur përvojat besimnxitëse dhe dëshmitë nga anëtarët vendorë për t’i treguar në revistat.

Abonimet në revistat e shtypura në letër janë në dispozicion te store.ChurchofJesusChrist.org, në Sektorin e Shërbimit Botëror dhe dyqanet me pakicë të Qendrës së Shpërndarjes. Në disa zona njësitë porositin në emër të anëtarëve të tyre dhe i shpërndajnë revistat në shtëpitë e tyre të mbledhjeve. Për më shumë informacion, vihuni në kontakt me Sektorin e Shërbimit Botëror ose një dyqan të qendrës së shpërndarjes.

38.8.8

Emri, Marka Emërore Dalluese dhe Simboli i Kishës

Pamja
Marka emërore dalluese dhe simboli i Kishës

Emri, marka emërore dalluese dhe simboli i Kishës janë përcaktues kyç të Kishës. Ata regjistrohen si marka ose mbrohen ligjërisht në mënyra të tjera në të gjithë botën. Ata përdoren për të identifikuar literaturën, lajmet dhe ngjarjet zyrtare të Kishës.

Identifikuesit kyç të Kishës duhet të përdoren vetëm në përputhje me orientimet e dhëna më poshtë.

Emri i shkruar i Kishës. Njësitë vendore mund të përdorin emrin e shkruar të Kishës (jo markën emërore dalluese ose simbolin) kur përmbushen të gjitha kushtet vijuese:

  • Aktiviteti ose ceremonia me të cilën lidhet emri, financohet zyrtarisht nga njësia (për shembull, një program i mbledhjes së sakramentit).

  • Emri i njësisë vendore përdoret si një fillim para emrit të Kishës (për shembull, Lagjja Kampo Rosa e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme).

  • Stili i shkrimit nuk imiton apo ngjan me markën emërore dalluese zyrtare të Kishës.

Marka emërore dalluese dhe simboli. Marka emërore dalluese dhe simboli i Kishës (shihni ilustrimin më lart) duhet të përdoren vetëm siç miratohet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ato nuk lejohet të përdoren si elemente zbukurues. As nuk mund të përdoren në një mënyrë personale, tregtare ose reklamuese.

Pyetjet duhet të drejtohen te:

Intellectual Property Office

50 East North Temple Street

Salt Lake City, UT 84150-0005

Telefoni: 1-801-240-3959 ose 1-800-453-3860, numri i brendshëm 2-3959

Faksi: 1–801–240–1187

Adresa e postës elektronike: cor‑intellectualproperty@ChurchofJesusChrist.org

38.8.9

Kompjuterat

Kompjuterat dhe programet kompjuterike që përdoren në shtëpitë e mbledhjeve të Kishës, sigurohen dhe administrohen nga zyrat qendrore të Kishës ose zyra zonale. Udhëheqësit dhe anëtarët i përdorin këto burime për të përkrahur qëllimet e Kishës, përfshirë punën për historinë familjare.

Të gjithë programet kompjuterikë në këta kompjutera duhet të jenë të licencuar siç duhet nga Kisha.

Presidenti i kunjit mbikëqyr vendosjen dhe përdorimin e kompjuterave në kunj, përfshirë kompjuterat në qendrat e historive familjare. Specialisti i kunjit për teknologjinë sigurohet që ata përditësohen dhe mirëmbahen siç duhet, ashtu si përvijohet te 33.10.

38.8.10

Materialet me të Drejtë Autori

E drejta e autorit është mbrojtja e dhënë nga ligji për krijuesit e veprave origjinale të autorësisë, të cilat shprehen në një formë të prekshme (përfshirë formën digjitale), duke përfshirë:

  • Veprat letrare, muzikore, dramatike dhe koreografike.

  • Veprat e artit, fotografinë dhe skulpturën.

  • Veprat zanore dhe ato zanoro‑pamore (të tilla si filma dhe materiale filmike, CD dhe DVD).

  • Programet ose lojërat kompjuterike.

  • Baza të dhënash në internet dhe të tjera.

Ligjet që qeverisin veprat krijuese dhe përdorimin e tyre me leje, ndryshojnë sipas shteteve. Rregulloret e Kishës të përvijuara në këtë pjesë janë në përputhje me traktatet ndërkombëtare që gjejnë zbatim në shumicën e shteteve. Për thjeshtësi, kjo pjesë u referohet të drejtave të një krijuesi si “e drejta e autorit”. Sidoqoftë, disa prej këtyre të drejtave mund të njihen me emra të ndryshëm në disa shtete.

Anëtarët e Kishës duhet t’i zbatojnë me rreptësi të gjitha ligjet e të drejtës së autorit. Në përgjithësi, vetëm pronarët e të drejtës së autorit mund të autorizojnë përdorimet vijuese të punës së tyre:

  • Shumëfishimin (kopjimin)

  • Shpërndarjen

  • Shfaqjen në publik

  • Paraqitjen publike

  • Krijimin e ndryshimeve

Përdorimi i një vepre në ndonjë prej këtyre mënyrave pa autorizim nga pronari i të drejtës së autorit, është në kundërshtim me rregulloren e Kishës. Një përdorim i tillë mund ta bëjë Kishën ose përdoruesin përgjegjës ndaj detyrimeve ligjore.

Një përdorues i një vepre duhet të hamendësojë se ajo mbrohet nga e drejta e autorit. Veprat e botuara zakonisht përfshijnë një njoftim të së drejtës së autorit, të tillë si “© 1959 by John Doe”. (Për regjistrimet zanore, simboli është ℗.) Megjithatë, nuk kërkohet një njoftim i së drejtës së autorit për mbrojtje ligjore. Në mënyrë të ngjashme, fakti që një botim nuk shtypet më ose botohet në internet, nuk do të thotë që atij i është hequr e drejta e autorit. As nuk justifikon kopjimin, shpërndarjen, shfaqjen, paraqitjen ose bërjen e ndryshimeve në të pa leje.

Intellectual Property Office (IPO) [Zyra për Pronën Intelektuale (ZPI)] e Kishës vjen në ndihmë lidhur me përpunimin e kërkesave për të përdorur materiale ose programe të Kishës që kanë të drejtë autori, përfshirë materiale ku e drejta e autorit mbahet nga Intellectual Reserve, Inc. (IRI). IRI është një korporatë e veçuar, jofitimprurëse që zotëron pronësinë intelektuale të përdorur nga Kisha. Për informacion se si të kërkohet përdorimi i materialeve që janë pronë e Kishës, shihni te “Kushtet e Përdorimit” te ChurchofJesusChrist.org.

Pyetjet dhe përgjigjet vijuese mund t’i ndihmojnë anëtarët që t’i kuptojnë dhe t’u përmbahen ligjeve të së drejtës së autorit kur përdorin në kishë dhe në shtëpi materiale që kanë të drejtë autori. Nëse anëtarët kanë pyetje që nuk marrin përgjigje në këto orientime, ata mund të vihen në kontakt me IPO‑në [Zyrën për Pronën Intelektuale (ZPI)]:

Intellectual Property Office

50 East North Temple Street

Salt Lake City, UT 84150–0005

Telefoni: 1-801-240-3959 ose 1-800-453-3860, numri i brendshëm 2-3959

Faksi: 1–801–240–1187

Adresa e postës elektronike: cor‑intellectualproperty@ChurchofJesusChrist.org

A mund të kopjoj materiale të botuara nga Kisha? Nëse nuk tregohet ndryshe, materialet e Kishës mund të kopjohen për t’u përdorur në Kishë, në shtëpi dhe familje, jo për tregti. Kushtet e përdorimit që shoqërojnë një faqe interneti apo program kompjuterik të Kishës, tregojnë se si mund të përdoret materiali në këto kënde interneti dhe programe kompjuterike. Asnjë përdorim për qëllime tregtie nuk mund të bëhet për materiale të Kishës pa leje të posaçme me shkrim nga IPO‑ja [ZPI‑ja].

A mund ta kopjoj muzikën? Për muzikën gjejnë zbatim ligje të veçanta të së drejtës së autorit. Një person mund të kopjojë muzikë nga burimet vijuese për përdorim në Kishë, shtëpi e familje, jo për tregti, në qoftë se nuk shënohet një kufizim te një himn ose këngë:

Kopjimi i muzikës së shtypur ose të regjistruar, pa autorizim nga pronari i të drejtës së autorit, është në kundërshtim me rregulloren e Kishës.

A mund të kopjoj materiale që nuk janë pronë e Kishës? Në përgjithësi jo. Ligjet e të drejtës së autorit qeverisin përdorimin e materialeve që janë pronë private. Zakonisht ka kufizime që japin kushtet të cilat publiku duhet t’i ndjekë përpara kopjimit të materialeve që nuk janë të Kishës. Këto kufizime zakonisht renditen pranë fillimit të një botimi. Anëtarët duhet t’i zbatojnë me rreptësi të gjitha ligjet e së drejtës së autorit.

A mund të shfaq produkte zanoro‑pamore për qëllime tregtie në ceremoni të Kishës? Në përgjithësi jo. Anëtarët e Kishës nuk duhet t’i shkelin paralajmërimet dhe kufizimet që vendosen mbi produktet zanoro‑pamore për qëllime tregtie. Kjo përfshin filmat, materiale të tjera filmike dhe muzikën. Përdorimi i produkteve zanoro‑pamore tregtare në ceremoni të Kishës në përgjithësi kërkon leje nga pronarët e së drejtës së autorit.

A mund të shkarkoj ose kopjoj programe kompjuterike dhe programe të tjera për përdorim në Kishë? Në përgjithësi jo. Programet kompjuterike dhe programe të tjera informatike nuk lejohet të kopjohen ose shkarkohen, në qoftë se të gjitha licencat nuk janë blerë siç duhet.

Çfarë leje nevojitet që të jepen shfaqje muzikore dhe teatrale? Shfaqjet që janë pronë e Kishës ose IRI‑t, mund të jepen në mjedise të Kishës pa leje nga zyrat qendrore të Kishës. Në qoftë se një shfaqje me të drejtë autori nuk është pronë e Kishës, anëtarët duhet të marrin lejen e pronarit të së drejtës së autorit që ta shfaqin të gjithë atë ose pjesë të saj në një mjedis të Kishës. Zakonisht pronari i të drejtës së autorit kërkon tarifa ose honorare edhe nëse shfaqjet janë falas. Të gjitha paraqitjet duhet të kenë miratimin e udhëheqësve vendorë të priftërisë.

38.8.11

Materialet e Programit Mësimor

Kisha siguron materiale për t’i ndihmuar anëtarët të mësojnë dhe ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit. Këto përfshijnë shkrimet e shenjta, mesazhet e konferencave të përgjithshme, revistat, manualet, librat dhe burime të tjera. Udhëheqësit i nxitin anëtarët t’i përdorin shkrimet e shenjta dhe burime të tjera sipas nevojës për ta studiuar ungjillin në shtëpi.

Të mësuarit dhe mësimdhënia e ungjillit duhet të përqendrohet te Shpëtimtari dhe doktrina e Tij. Që të ndihmojnë për ta ruajtur këtë përqendrim në klasat e Kishës, udhëheqësit sigurohen që mësuesit përdorin materialet e miratuara. Për informacion rreth materialeve të miratuara, shihni tek Udhëzime për Programin Mësimor.

38.8.12

Direktoritë

Anëtarët dhe udhëheqësit nxiten që t’i përdorin direktoritë e anëtarëve që jepen nga Kisha. Këto direktori janë në dispozicion në veçorinë Direktoria dhe Harta e Lagjes te ChurchofJesusChrist.org dhe në programin kompjuterik Mjetet e Anëtarit. Ata sigurojnë informacione bazë kontakti për anëtarët. Udhëheqësit e kunjeve dhe të lagjeve janë në gjendje të shohin informacione shtesë që janë të dobishme për thirrjet e tyre. Udhëheqësit gjithashtu mund t’i shohin këto informacione te sistemi Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit.

Anëtarët mund ta kufizojnë dukshmërinë e informacionit të tyre digjital të kontaktit. Këtë e bëjnë duke përzgjedhur nivele privatësie në profilin e vatrës së tyre familjare.

Udhëheqësit e kunjeve dhe të lagjeve duhet ta respektojnë veçorinë e privatësisë që ka përzgjedhur anëtari. Këta udhëheqës gjithashtu sigurojnë që informacioni përdoret vetëm për qëllime të miratuara nga Kisha.

Në përgjithësi nuk nevojiten direktoritë e shtypura të kunjeve dhe të lagjeve. Nëse udhëheqësit vendosin që ka një nevojë të vërtetë, direktoritë e shtypura mund të krijohen vetëm duke përdorur veçorinë Direktoria dhe Harta e Lagjes te ChurchofJesusChrist.org. Këto direktori nuk përfshijnë gjininë, moshën ose datën e lindjes së anëtarëve.

Listat e anëtarësisë nuk duhet të shtypen për përdorim jo nga Kisha.

38.8.13

Veshja dhe Pamja e Jashtme

Burrat dhe gratë janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (shihni te Zanafilla 1:26–27; Abraham 4:27). Trupat në vdekshmëri janë një dhuratë e shenjtë.

Anëtarët e Kishës nxiten që të tregojnë respekt për trupin nëpërmjet zgjedhjeve të tyre rreth veshjes dhe pamjes së jashtme. Ajo që është e përshtatshme, ndryshon sipas kulturave dhe për raste të ndryshme. Për shembull, për mbledhjen e sakramentit individët veshin rrobat e tyre më të mira të së dielës, që i kanë në dispozicion, për të treguar respekt për ordinancën e sakramentit (shihni 18.9.3). Po ky parim gjen zbatim për frekuentimin e tempullit (shihni 27.1.5). Dishepujt e Jezu Krishtit do ta dinë më së miri se si të vishen dhe çfarë paraqitje të jashtme të kenë.

Anëtarët dhe udhëheqësit nuk duhet t’i gjykojnë të tjerët nisur nga veshja dhe pamja e jashtme. Ata duhet t’i duan që të gjithë njerëzit, siç urdhëroi Shpëtimtari (shihni te Mateu 22:39; Gjoni 13:34–35). Të gjithë njerëzit duhet të mirëpriten në mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës (shihni 38.1.1).

Kur lëshojnë rekomandime tempulli dhe thirrje në lagje dhe kunj, udhëheqësit marrin parasysh denjësinë dhe udhërrëfimin e Shpirtit (shihni 26.3, 30.1.1 dhe 31.1.1).

38.8.14

Përgatitja e Skajshme ose Praktikat për Mbijetesë

Kisha nxit mbështetjen te vetja. Anëtarët nxiten që të jenë shpirtërisht dhe fizikisht të përgatitur për sfidat e jetës. Shihni 22.1.

Megjithatë, udhëheqësit e Kishës kanë këshilluar kundër përgatitjes së skajshme ose të tepruar për ngjarje të mundshme katastrofike. Përpjekje të tilla nganjëherë quhen praktika për mbijetesë. Përpjekjet për t’u përgatitur duhet të nxiten prej besimit, jo frikës.

Udhëheqësit e Kishës i kanë këshilluar anëtarët që të mos futen në borxh për të krijuar rezerva ushqimore. Përkundrazi, anëtarët duhet të krijojnë një furnizim ushqimesh rezervë në shtëpi dhe një rezervë financiare dalëngadalë. Shihni 22.1.4 dhe “Food Storage” [“Rezerva Ushqimore”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).

38.8.15

Dita e Agjërimit

Anëtarët mund të agjërojnë në çdo kohë. Megjithatë, ata zakonisht e mbajnë Shabatin e parë të muajit si një ditë agjërimi.

Një ditë e zakonshme agjërimi përfshin lutje, mosngrënie ushqimi dhe mospirje uji për një periudhë 24‑orëshe (nëse mund t’ia dilni fizikisht) dhe dhënien e një oferte bujare të agjërimit. Një ofertë agjërimi është një dhurim për të ndihmuar njerëzit nevojtarë (shihni 22.2.2).

Nganjëherë mbledhjet anembanë Kishës ose mbledhjet vendore mbahen në Shabatin e parë të muajit. Kur kjo ndodh, presidenca e kunjit përcakton një Shabat tjetër për ditën e agjërimit.

38.8.16

Kumari dhe Lotaritë

Kisha e kundërshton kumarin dhe këshillon kundër kumarit në çfarëdo formë. Kjo përfshin vënien e basteve për sportet dhe lotaritë e financuara nga qeveritë.

38.8.17

Folësit ose Mësuesit e Ftuar

Në shumicën e mbledhjeve dhe aktiviteteve në Kishë, folësit dhe mësuesit duhet t’i përkasin lagjes ose kunjit vendor.

Një folës ose mësues i ftuar është dikush që nuk i përket lagjes ose kunjit. Kërkohet miratimi i peshkopit përpara se një folës i ftuar të ftohet në një mbledhje ose aktivitet të lagjes. Kërkohet miratimi i presidentit të kunjit për të ftuar folës të ftuar në mbledhjet ose aktivitetet e kunjit.

Peshkopi ose presidenti i kunjit i shqyrton me kujdes folësit ose mësuesit e ftuar. Kjo mund të përfshijë vënien në kontakt me peshkopin e personit.

Peshkopi apo presidenti i kunjit sigurohet që:

  • Paraqitja është në harmoni me doktrinën e Kishës.

  • Folësit apo mësuesit e ftuar nuk paguhen, nuk rekrutojnë pjesëmarrës dhe nuk tërheqin blerës apo klientë.

  • Shpenzimet e udhëtimit për personin nuk paguhen as me fondet e buxhetit të njësisë vendore as me kontribute private.

  • Paraqitjet janë në pajtim me orientimet për përdorimin e godinave të Kishës (shihni 35.5.2).

38.8.18

Imigrimi

Anëtarët që qëndrojnë në vendlindjet e tyre, shpesh kanë mundësi për ta ngritur dhe forcuar Kishën atje. Sidoqoftë, imigrimi në një shtet tjetër është zgjedhje vetjake.

Anëtarët që shpërngulen në një shtet tjetër, duhet t’u binden të gjitha ligjeve që zbatohen atje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:21).

Misionarët nuk duhet të ofrojnë që të financojnë imigrimin e të tjerëve. As nuk duhet t’u kërkojnë prindërve, të afërmve të tyre ose njerëzve të tjerë që ta bëjnë këtë gjë.

Kisha nuk e financon imigrimin nëpërmjet punësimit në Kishë.

Anëtarë të Kishës ofrojnë kohën, talentet dhe miqësinë e tyre për t’i mirëpritur imigrantët dhe refugjatët si pjesëtarë të komuniteteve të tyre (shihni te Mateu 25:35; shihni edhe 38.8.34 në këtë manual).

38.8.19

Interneti

38.8.19.1

Burimet Zyrtare të Kishës në Internet

Kisha mirëmban këndet zyrtare në internet, ditarët në internet dhe llogaritë në mjetet shoqërore. Këto burime përcaktohen qartësisht si zyrtare nëpërmjet përdorimit të markës emërore dalluese ose simbolit të Kishës (shihni 38.8.8). Ato gjithashtu pajtohen me kërkesat ligjore dhe rregulloret e Kishës për pronësinë intelektuale dhe privatësinë.

38.8.19.2

Përdorimi i Internetit nga Anëtarët në Thirrjet e Kishës

Anëtarëve nuk u lejohet të krijojnë kënde interneti, ditarë në internet ose llogari në mjetet shoqërore në emër të Kishës ose për të përfaqësuar zyrtarisht Kishën dhe pikëpamjet, doktrinën, rregulloret dhe procedurat e saj. Megjithatë, ata mund të krijojnë kënde interneti, ditarë në internet ose llogari në mjetet shoqërore për të ndihmuar në thirrjet e tyre. Kur e bëjnë këtë gjë, anëtarët duhet të veprojnë në pajtim me orientimet e mëposhtme:

  • Krijimi i një këndi interneti, një ditari në internet ose një llogarie në mjetet shoqërore duhet të miratohet fillimisht nga presidenti i kunjit (për burimet e kunjit) ose peshkopi (për burimet e lagjes).

  • Marka emërore dalluese ose simboli i Kishës nuk lejohet të përdoret ose të imitohet (shihni 38.8.8).

  • Burimi në internet duhet të ketë një qëllim e synim dhe t’i vihet emri i duhur. Emri mund të përfshijë emrin e një lagjeje ose kunji. Megjithatë, nuk lejohet të përfshihet emri zyrtar i Kishës.

  • Anëtarëve nuk u lejohet të thonë ose të lënë të nënkuptohet që përmbajtja e burimit, figurat apo materiale të tjera në internet financohen ose kanë marrë miratim nga Kisha ose përfaqësojnë zyrtarisht Kishën në ndonjë mënyrë. Përkundrazi, duhet të përfshihet një deklarim që thotë se nuk është një produkt zyrtar dhe i financuar nga Kisha.

  • Gjithë përmbajtja duhet të jetë domethënëse për publikun që ka për qëllim dhe duhet të kontrollohet aktivisht.

  • Burimi në internet duhet të përfshijë informacionin e kontaktit.

  • Më shumë se një administrator duhet të jetë përgjegjës për burimin në internet. Kjo mund të sigurojë vazhdimësi kur ndryshon thirrja ose detyra e një personi. Gjithashtu kjo e ruan një person nga të qenit shumë i rënduar me përditësimin dhe vëzhgimin e burimit.

  • Veprat e artit, materialet filmike, muzika ose materiale të tjera që janë pronë e Kishës, nuk lejohet të publikohen nëse përdorimi nuk autorizohet qartësisht nga Kushtet e Përdorimit në këndin zyrtar të Kishës në internet ose nga Zyra e Kishës për Pronën Intelektuale. Përmbajtja me të drejtë autori nga burime të tjera nuk duhet të përdoret, në qoftë se pronari i përmbajtjes nuk ka dhënë fillimisht leje me shkrim. Për më shumë informacion rreth përdorimit të një materiali me të drejtë autori, shihni te 38.8.10.

  • Kur përdorni figura, materiale filmike ose informacione vetjake, kërkohet miratimi nga pronari i përmbajtjes ose individët e përfshirë. Miratimi mund të merret nëpërmjet një formulari për lejen, një njoftimi publik, një shenje të afishuar për një ngjarje të veçantë ose leje me shkrim kur nevojitet. Duhet të ndiqen ligjet e shtetit për privatësinë.

  • Burimet në internet nuk duhet të riprodhojnë mjete dhe veçori që janë tashmë në ChurchofJesusChrist.org, Mjetet e Anëtarit ose burime të tjera të Kishës.

  • Udhëheqësit dhe misionarët duhet të bashkërendojnë që të parandalohet komunikimi i riprodhuar.

  • Burimet në internet duhet të hiqen nga përdorimi kur ato nuk nevojiten më. Mjete të rëndësishme (siç janë fotografitë dhe materialet filmike) duhet të ruhen në historinë e lagjes ose të kunjit.

Për orientime shtesë, shihni tek internet.ChurchofJesusChrist.org.

38.8.19.3

Përdorimi Vetjak i Internetit dhe Mjeteve Shoqërore

Interneti dhe mjetet shoqërore kanë shumë përdorime pozitive. Mes këtyre janë mundësitë për të dhënë dëshmi për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij të rivendosur. Ditarët në internet, mjetet shoqërore dhe teknologjitë e tjera të internetit i lejojnë anëtarët që të reklamojnë mesazhe paqeje, shprese dhe gëzimi, që e shoqërojnë besimin te Krishti.

Anëtarët nxiten të shpërndajnë përmbajtje lartësuese. Ata gjithashtu duhet të jenë shembuj të mirësjelljes në të gjitha ndërveprimet në internet, përfshirë mjetet shoqërore. Ata duhet të shmangin grindjen (shihni 3 Nefi 11:29–30; Doktrina e Besëlidhje 136:23).

Anëtarët duhet t’i shmangin të gjitha deklaratat për paragjykimin e të tjerëve (shihni 38.6.14). Ata përpiqen fort të jenë si Krishti ndaj të tjerëve në të gjitha kohët, përfshirë internetin, dhe pasqyrojnë respekt të çiltër për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Anëtarët nuk duhet të përdorin në internet gjuhë ose figura kërcënuese, bullizuese, poshtëruese, të dhunshme ose keqtrajtuese në ndonjë mënyrë tjetër. Nëse në internet ndodhin kërcënime për veprime të paligjshme, duhet të kontaktohen menjëherë autoritetet e zbatimit të ligjit.

Anëtarët nuk duhet të lënë të kuptohet që mesazhet e tyre përfaqësojnë Kishën ose janë të financuara nga Kisha.

38.8.20

Pajisjet për Internetin, Satelitin dhe Materialet Filmike

Pajisjet e Kishës për internetin, satelitin dhe materialet filmike duhet të përdoren vetëm për qëllime jotregtare të Kishës. Çfarëdo përdorimi duhet të autorizohet nga presidenti i kunjit ose peshkopata.

Kjo pajisje nuk lejohet të përdoret për të hyrë te programet që nuk financohen nga Kisha, apo për t’i regjistruar ato. As nuk lejohen të përdoren burime të Kishës, të tilla si lidhjet e internetit, për të hyrë apo regjistruar programe të tilla.

Vetëm njerëzit që trajnohen për ta vënë në punë pajisjen, mund ta bëjnë këtë gjë. Ajo duhet të mbyllet me çelës në mënyrë të sigurt kur nuk është në përdorim. Nuk lejohet që pajisjet të hiqen nga ndërtesa për përdorim vetjak.

38.8.21

Ligjet e Vendit

Anëtarët duhet t’u binden, t’i nderojnë dhe t’i mbështetin ligjet në cilindo vend që jetojnë ose udhëtojnë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:21–22; Nenet e Besimit 1:12). Kjo përfshin ligjet që e ndalojnë predikimin fetar.

38.8.22

Këshilli Ligjor për Çështje të Kishës

Kur nevojitet ndihmë ligjore për çështje të Kishës, udhëheqësit duhet të vihen në kontakt me këshillin ligjor të Kishës. Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, presidenti i kunjit vihet në kontakt me Zyrën e Kishës për Këshillim të Përgjithshëm:

1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–6301

1–801–240–6301

Jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, presidenti i kunjit vihet në kontakt me këshillin ligjor të zonës në zyrën zonale.

38.8.22.1

Përfshirja ose Dokumentet në Procedurat Ligjore

Udhëheqësit e Kishës nuk duhet të përfshihen në çështje civile ose penale për anëtarët në njësitë e tyre, pa u këshilluar më parë me këshillin ligjor të Kishës. Po e njëjta rregullore gjen zbatim kur bëhet fjalë për të folur me avokatët ose personelin e gjykatës ose për t’u shkruar atyre, përfshirë edhe postën elektronike.

Udhëheqësit duhet të flasin me këshillin ligjor të Kishës nëse, në pozicionet e tyre në Kishë:

  • Ata besojnë se duhet të dëshmojnë ose komunikojnë për një çështje ligjore.

  • Atyre u kërkohet nga procesi ligjor që të dëshmojnë ose komunikojnë për një çështje ligjore.

  • Ata urdhërohen që të japin prova.

  • Atyre u kërkohet të japin dokumente ose informacion vullnetarisht.

  • Atyre u kërkohet të komunikojnë me avokatë ose autoritete civile rreth procedurave ligjore, përfshirë seancat gjyqësore të dhënies së dënimit ose të lirimit me kusht.

Sado me qëllime të mira, dhënia e informacionit nga udhëheqësit e Kishës në procedurat ligjore mund të keqinterpretohet dhe mund të jetë dëmtuese. Një dhënie e tillë informacioni mund të jetë veçanërisht e dëmshme për viktimat dhe familjet e tyre. Ndjekja e rregullores së Kishës gjithashtu ndihmon që Kisha të qëndrojë larg përfshirjes së papërshtatshme në çështje ligjore.

38.8.22.2

Dëshmia në Procedurat Ligjore

Udhëheqësve të Kishës nuk u lejohet të dëshmojnë në emër të Kishës në asnjë procedurë ligjore pa miratimin paraprak nga Zyra e Këshillimit të Përgjithshëm. Kjo rregullore gjithashtu gjen zbatim për gjyqet e dhënies së dënimit dhe të lirimit me kusht. Udhëheqësve të Kishës nuk u lejohet të japin prova me gojë ose me shkrim në cilësinë e tyre si udhëheqës pa këtë miratim.

Udhëheqësit nuk duhet të sugjerojnë ose të lënë të kuptohet se dëshmia e tyre në një procedurë ligjore, përfaqëson pozicionin që mban Kisha.

Udhëheqësit nuk duhet të ndikojnë te dëshmia e një dëshmitari në çfarëdo procedure ligjore.

Informacioni i kontaktit për këshillin ligjor të Kishës jepet te 38.8.22.

38.8.23

Përdorimi i Kutisë së Postës

Në shumë vende, është shkelje e rregullave të shërbimit postar që të vendoset ndonjë material pa pagesë postare brenda kutive të postës në vendbanim ose mbi to. Ky kufizim gjen zbatim për çdo material që lidhet me Kishën, të tilla si fletushkat, buletinet ose lajmërimet. Udhëheqësit e Kishës duhet t’i udhëzojnë anëtarët dhe misionarët që të mos vendosin artikuj brenda në kutitë e postës ose mbi to.

38.8.24

Komunikimi i Anëtarëve me Zyrat Qendrore të Kishës

Anëtarët e Kishës nuk inkurajohen që t’i marrin në telefon, t’u dërgojnë mesazhe elektronike ose t’u shkruajnë letra Autoriteteve të Përgjithshme rreth pyetjeve doktrinore, sfidave ose kërkesave vetjake. Po t’u përgjigjen personalisht do ta bënte të vështirë për Autoritetet e Përgjithshme që t’i përmbushnin detyrat e tyre. Anëtarët nxiten që t’u drejtohen udhëheqësve të tyre vendorë, përfshirë presidentes së tyre të Shoqatës së Ndihmës ose presidentit të tyre të kuorumit të pleqve, kur kërkojnë udhërrëfim shpirtëror (shihni 31.3).

Në shumicën e rasteve, korrespondenca nga anëtarët drejtuar Autoriteteve të Përgjithshme do t’u rikthehet për shqyrtim udhëheqësve vendorë. Një president kunji që ka nevojë për qartësim rreth çështjeve doktrinore ose çështjeve të tjera të Kishës, mund t’i shkruajë Presidencës së Parë në emër të anëtarëve.

38.8.25

Punësimi i Anëtarëve

Anëtarët e Kishës duhet të kërkojnë punësim që është në përputhje me parimet e ungjillit dhe për të cilin me ndërgjegje të mirë mund të kërkojnë bekimet e Zotit. Kjo është një çështje vetjake që përfundimisht i lihet gjykimit dhe shqyrtimit plot lutje të anëtarit.

38.8.26

Anëtarët me Aftësi të Kufizuara

Udhëheqësit dhe anëtarët nxiten për t’i trajtuar nevojat e të gjithë njerëzve që jetojnë brenda njësisë së tyre. Anëtarët me aftësi të kufizuara vlerësohen dhe mund të japin ndihmesë në mënyra kuptimplote. Aftësitë e kufizuara mund të jenë intelektuale, shoqërore, emocionale ose fizike.

Anëtarët e Kishës nxiten të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për t’u dhënë shpresë, kuptueshmëri dhe dashuri atyre që kanë aftësi të kufizuara. Udhëheqësit duhet t’i njohin ata që kanë aftësi të kufizuara, dhe të shfaqin interes e shqetësim të çiltër.

Udhëheqësit gjithashtu përcaktojnë anëtarët që mund të kenë nevojë për përkujdesje shtesë ngaqë një prind, bashkëshort/e, fëmijë, motër ose vëlla ka një aftësi të kufizuar. Përkujdesja për një pjesëtar të familjes që ka aftësi të kufizuar, mund të jetë si shpërblyese ashtu edhe sfiduese.

Udhëheqësit bëjnë përpjekje që tʼi gjejnë dhe t’u japin shërbesë anëtarëve me aftësi të kufizuara që po jetojnë në shtëpi përkujdesjeje në grupe apo godina të tjera larg nga pjesëtarët e familjes.

38.8.26.1

Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Kuptueshmërisë

Udhëheqësit, mësuesit dhe anëtarë të tjerë përpiqen ta kuptojnë çdo individ që ka një aftësi të kufizuar, dhe anët e forta dhe nevojat e tij ose të saj. Ata mund ta rritin kuptueshmërinë e tyre duke folur me personin dhe pjesëtarët e familjes së tij ose të saj. Ka burime në dispozicion te disability.ChurchofJesusChrist.org.

38.8.26.2

Dhënia e Ndihmës

Udhëheqësit i vlerësojnë nevojat e atyre që kanë aftësi të kufizuara, dhe të përkujdesësve të tyre. Këta udhëheqës përcaktojnë mënyrën se si burimet e lagjes ose të kunjit mund të përdoren për të ndihmuar për plotësimin e nevojave si të jetë e përshtatshme. Udhëheqësit i nxitin anëtarët që të ndihmojnë dhe ta shtrijnë dorën e ndihmës me dashuri dhe miqësi.

Peshkopata ose presidenca e kunjit mund të thërrasë një specialist të lagjes ose kunjit për aftësitë e kufizuara që të ndihmojë individët, familjet, mësuesit dhe udhëheqësit e tjerë (shihni 38.8.26.9)

Udhëheqësit mund të përcaktojnë gjithashtu burime të përshtatshme në komunitet që mund t’i ndihmojnë individët që kanë aftësi të kufizuara, dhe familjet e tyre.

Për më shumë informacion rreth dhënies së ndihmës ndaj personave që kanë aftësi të kufizuara, shihni te disability.ChurchofJesusChrist.org. Udhëheqësit gjithashtu mund të vihen në kontakt me sektorin Shërbimet Familjare (aty ku është në dispozicion; shihni te 31.3.6 për informacion kontakti).

Udhëheqësit dhe anëtarët nuk duhet të përpiqen të shpjegojnë se përse dikush ka një aftësi të kufizuar ose përse një familje ka një fëmijë me një aftësi të kufizuar. Ata nuk duhet të sugjerojnë se një aftësi e kufizuar është një ndëshkim nga Perëndia (shihni te Gjoni 9:2–3) apo një privilegj i veçantë.

38.8.26.3

Dhënia e Ordinancave

Shihni 38.2.4.

38.8.26.4

Dhënia e Mundësive për të Shërbyer dhe për të Marrë Pjesë

Shumë anëtarë me aftësi të kufizuara mund të shërbejnë në pothuaj çdo detyrë në Kishë. Udhëheqësit marrin parasysh me lutje aftësitë, rrethanat dhe dëshirat e çdo personi dhe më pas japin mundësi të përshtatshme për të shërbyer. Udhëheqësit gjithashtu këshillohen me individin dhe familjen e tij ose të saj. Ata marrin parasysh efektet e një thirrjeje në Kishë te personi dhe familja e tij ose e saj ose përkujdesësi/ja i/e tij ose i/e saj. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:15.)

Kur merren parasysh detyra ose thirrje në Kishë për përkujdesësit për njerëz me aftësi të kufizuara, udhëheqësit vlerësojnë me kujdes rrethanat e përkujdesësve.

Udhëheqësit dhe mësuesit duhet t’i përfshijnë anëtarët me aftësi të kufizuara sa më shumë që të jetë e mundur në mbledhje, klasa dhe aktivitete. Mësimet, bisedat dhe metodat e mësimdhënies duhet të përshtaten për të plotësuar nevojat e secilit person. Për informacion rreth përshtatjes së mësimeve, shihni te disability.ChurchofJesusChrist.org.

Peshkopata mund ta ftojë një anëtar të lagjes që ta ndihmojë një person me një aftësi të kufizuar në një mbledhje ose aktivitet. Për një klasë që përfshin një anëtar me aftësi të kufizuara, peshkopata mund të thërrasë disa mësues. Mësuesit punojnë së bashku për të plotësuar nevojat e gjithë anëtarëve të klasës.

Nëse një person nuk mund të marrë pjesë në një mbledhje, klasë ose aktivitet, udhëheqësit dhe mësuesit mund të këshillohen me familjen e tij ose të saj rreth mënyrës se si t’i plotësojnë nevojat e anëtarit. Presidenti i kunjit ose peshkopi mund ta miratojë organizimin e klasave ose programeve të posaçme për anëtarët me aftësi të kufizuara (shihni 38.8.26.5). Nëse një person nuk është në gjendje të marrë pjesë në mbledhjet e Kishës, udhëheqësit dhe mësuesit mund të sigurojnë materiale të shtypura, regjistrime ose transmetime nëpërmjet internetit të mësimeve.

Transmetimi nëpërmjet internetit i ngjarjeve, përfshirë mbledhjet e sakramentit dhe shërbesat mortore, synohet vetëm për ata që nuk mund të marrin pjesë me prani fizike (shihni 29.7). Për më shumë informacion rreth marrjes së sakramentit, shihni te 18.9.3.

Udhëheqësit i nxitin mbajtësit e priftërisë që kanë aftësi të kufizuara, që të marrin pjesë në ordinanca kur është e përshtatshme. Duke filluar nga janari i vitit që mbushin 12 vjeç, mbajtësit e priftërisë dhe të rejat që janë pagëzuar e konfirmuar dhe që janë të denjë, mund të pagëzohen dhe konfirmohen për të vdekurit në tempull. Për orientime rreth anëtarëve me aftësi të kufizuara që marrin ordinancat e tyre vetjake të tempullit, shihni te 27.2.1.3 dhe 27.3.1.2.

38.8.26.5

Organizimi i Klasave, Programeve apo Njësive të Posaçme

Anëtarët që kanë aftësi të kufizuara ose nevoja të veçanta, nxiten të marrin pjesë në mbledhjet e së dielës në lagjet e tyre të vendbanimit, në qoftë se nuk jetojnë në një godinë përkujdesjeje ose në një program trajtimi rezidencial ku organizohen programe të Kishës (shihni 37.6).

Njësitë dhe grupet. Mund të krijohen lagje ose degë për anëtarët që kanë nevoja unike, të tillë si anëtarët janë të shurdhër dhe përdorin gjuhën e shenjave (shihni 37.1). Miratimi jepet vetëm nga Presidenca e Parë.

Një lagjeje mund t’i kërkohet të mirëpresë një grup njerëzish me aftësi të kufizuara, të tillë si ata që përdorin gjuhën e shenjave. Për informacion rreth dokumenteve të anëtarësisë së atyre që frekuentojnë njësi ose grupe të tilla, shihni te 33.6.11.

Anëtarët e shurdhër që nuk jetojnë brenda një largësie të arsyeshme nga një njësi për të shurdhrit, mund të marrin pjesë virtualisht në një njësi. Ata duhet të marrin leje nga udhëheqësit e asaj njësie. Udhëheqësit vendorë të lagjes sigurohen që të tregohet kujdes për anëtarët e shurdhër dhe që ata kanë mundësinë të marrin pjesë rregullisht në sakrament.

Klasat. Anëtarët me aftësi të kufizuara marrin pjesë në klasat e së dielës me anëtarët e lagjes së tyre. Sidoqoftë, kur nevojitet që të plotësohen nevojat e anëtarëve në moshë madhore ose të rinisë me aftësi të kufizuara të ngjashme, një lagje ose kunj mund të organizojë klasa të veçanta të Shkollës të së Dielës (shihni 13.3.2).

Programet e aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara. Kur nevojitet për të plotësuar nevojat e anëtarëve në moshë madhore me aftësi të kufizuara intelektuale, një lagje, një grup lagjesh, një kunj ose një grup kunjesh mund të organizojë një program aktivitetesh për njerëzit me aftësi të kufizuara. Ky program i shtohet dhënies së shërbesës, shërbesave të Kishës në të dielat dhe aktiviteteve në njësinë vendore.

Një program aktivitetesh për njerëzit me aftësi të kufizuara zakonisht u shërben individëve të moshave 18 vjeç e lart. Duhet të bëhet çdo përpjekje për t’i përfshirë anëtarët nën moshën 18 vjeç në lagjet dhe kunjet e tyre. Në situata të pazakonta, udhëheqësit mund të sigurojnë aktivitete shtesë për rininë duke filluar nga viti kur mbushin 12 vjeç.

Kur marrin pjesë shumë lagje në një program të aktiviteteve për njerëz me aftësi të kufizuara, presidenti i kunjit cakton një peshkop veprues për ta mbikëqyrur programin. Kur marrin pjesë shumë kunje, Presidenca e Zonës cakton një president kunji veprues për ta mbikëqyrur programin.

Peshkopi veprues ose presidenti i kunjit veprues këshillohet me peshkopët ose presidentët e tjerë të kunjeve pjesëmarrëse për të vendosur se si do të financohen këto programe.

Udhëheqësit e aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara. Anëtarë në moshë madhore mund të thirren si udhëheqës të aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara. Këta udhëheqës e planifikojnë dhe zbatojnë programin e aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara. Ata këshillohen me specialistët e lagjeve dhe kunjeve për njerëzit me aftësi të kufizuara (shihni 38.8.26.9) për t’i ftuar anëtarët me aftësi të kufizuara që të marrin pjesë. Ata këshillohen së bashku rreth mënyrës se si të plotësojnë nevojat e atyre anëtarëve.

Udhëheqësit e aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara thirren dhe veçohen nën drejtimin e peshkopit veprues ose presidentit të kunjit veprues. Një president kunji mund të caktojë edhe një këshilltar të lartë për të shërbyer si udhëheqës i aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Udhëheqësit që u shërbejnë njerëzve të çdo moshe me aftësi të kufizuara, kryejnë trajnimin te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org. Për kërkesat shtesë të sigurisë për udhëheqësit, shihni tek Aktivitetet për Anëtarët me Aftësi të Kufizuara.

Kur ftohen, udhëheqësit e aktiviteteve të njerëzve me aftësi të kufizuara mund të marrin pjesë në mbledhjet e udhëheqjes së kunjeve ose lagjeve.

Orientimet për programet e aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara. Programet e aktiviteteve për njerëzit me aftësi të kufizuara organizohen për t’i ndihmuar pjesëmarrësit që të zhvillohen nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale (shihni te Lluka 2:52). Udhëheqësit përcaktojnë shpeshtësinë e aktiviteteve. Ata marrin parasysh numrin e pjesëmarrësve, largësitë e udhëtimit dhe rrethana të tjera.

Disa njerëz mund të mos jenë në gjendje të marrin pjesë për shkak të rrethanave të ndërlikuara mjekësore, fizike, intelektuale ose të sjelljes. Udhëheqësit kërkojnë mënyra të tjera që t’u japin shërbesë nevojave të tyre.

Standardet e pjesëmarrjes dhe sigurisë. Të paktën dy persona në moshë madhore të përgjegjshëm duhet të jenë të pranishëm në të gjitha aktivitetet. Dy personat në moshë madhore mund të jenë dy burra, dy gra ose një çift i martuar. Në përgjithësi nevojiten më shumë persona në moshë madhore që të mbikëqyrin aktivitetet për anëtarët me aftësi të kufizuara sesa nevojiten për aktivitete të tjera.

Personat në moshë madhore që ndihmojnë për aktivitetet, kryejnë trajnimin te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org. Ata duhet të marrin miratim nga peshkopi i tyre përpara se të marrin pjesë. Për kërkesat shtesë të sigurisë, shihni tek “Aktivitetet për Anëtarët me Aftësi të Kufizuara”.

Në qoftë se ka sjellje të papërshtatshme, përgjegjësia e menjëhershme e udhëheqësve është të mbrojnë dhe ndihmojnë personin e cenueshëm. Për informacion rreth përgjigjes ndaj keqtrajtimit të dyshuar, shihni te 38.6.2.1 dhe abuse.ChurchofJesusChrist.org.

38.8.26.6

Interpretuesit për Anëtarët që Janë të Shurdhër apo Kanë Probleme me Dëgjimin

Anëtarët që janë të shurdhër apo kanë probleme me dëgjimin, ndërmarrin hapat që të punojnë me udhëheqësit për t’i plotësuar nevojat për komunikimin. Anëtarët dhe udhëheqësit punojnë së bashku që të sigurohen që ka interpretues në dispozicion.

Interpretuesit duhet të ndodhen atje ku anëtarët mund t’i shohin ata si edhe personin që po flet. Interpretuesit nuk duhet domosdoshmërisht të jenë te foltorja.

Gjatë një ordinance ose interviste, interpretuesi ulet apo qëndron në këmbë pranë personit që e kryen ordinancën ose e bën intervistën. Për më shumë informacion rreth interpretimit të ordinancave dhe bekimeve, shihni te 38.2.1.

Nëse ka mjaft interpretues në dispozicion, ata ndërrohen gati çdo 30 minuta për të shmangur lodhjen.

Kur përgatiten për situata me ndjeshmëri, të tilla si intervistat vetjake apo këshillat e Kishës për anëtarësinë, udhëheqësit këshillohen me anëtarin/en e shurdhët. Kur anëtari dëshiron, udhëheqësit kërkojnë një interpretues që nuk është pjesëtar i familjes, për të ruajtur konfidencialitetin.

Po këto parime gjejnë zbatim për njerëzit që janë të shurdhër ose kanë probleme me dëgjimin dhe nuk e përdorin gjuhën e shenjave, por kanë nevojë për një interpretues gojor që i ndihmon të lexojnë buzët.

Udhëheqësit mund të organizojnë klasa në lagje ose kunj për të dhënë mësim gjuhën e shenjave që përdoret në zonën e tyre. Një burim i dobishëm është Dictionary of Sign Language Terms for The Church of Jesus Christ of Latter‑day Saints [Fjalori i Termave të Gjuhës së Shenjave për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme].

38.8.26.7

Privatësia

Udhëheqësit duhet ta respektojnë privatësinë e anëtarëve me aftësi të kufizuara si gjatë dhe pas mbledhjeve të udhëheqjes ku diskutohen nevojat. Udhëheqësit nuk i tregojnë diagnozat ose informacione të tjetra vetjake pa leje.

38.8.26.8

Kafshët e Shërbimit

Peshkopët dhe presidentët e kunjeve mund të përcaktojnë nëse do të lejojnë që personat me aftësi të kufizuara të përdorin qen shërbimi të trajnuar në shtëpitë e mbledhjeve. Lloje të tjera kafshësh, përfshirë kafshë për përkrahje emocionale (kafshë qetësuese), përgjithësisht nuk lejohen në shtëpitë e mbledhjeve ose në ngjarje të financuara nga Kisha, përveç kur kërkohet konkretisht nga ligji. (Në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara, Kisha nuk ka detyrim ligjor që të pranojë qen shërbimi apo kafshë për përkrahje emocionale në shtëpitë e adhurimit.) Peshkopët dhe presidentët e kunjeve marrin vendime për njësitë vendore. Ata marrin parasysh nevojat e personave me aftësi të kufizuara dhe nevojat e njerëzve të tjerë në bashkësi.

Për orientime shtesë lidhur me përdorimin e kafshëve të shërbimit në godinat e Kishës, shihni te 27.1.3 dhe disability.ChurchofJesusChrist.org.

38.8.26.9

Specialisti për Njerëzit me Aftësi të Kufizuara

Peshkopata ose presidenca e kunjit mund të thërrasë një specialist të lagjes ose kunjit për njerëzit me aftësi të kufizuara. Specialisti i ndihmon anëtarët me aftësi të kufizuara dhe përkujdesësit e tyre që të marrin pjesë në mbledhjet dhe aktivitetet Kishës dhe të ndihen të përfshirë.

Specialisti u shërben anëtarëve dhe udhëheqësve në mënyrat vijuese:

  • Arrin t’i njohë individët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.

  • U përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve nga përkujdesësit, udhëheqësit dhe njerëz të tjerë që lidhen me aftësitë e kufizuara.

  • I ndihmon individët që të përdorin materialet, mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës. Kjo mund të ndodhë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe në mënyra të tjera (shihni 38.8.26.10).

  • Përcakton mundësi kuptimplote për anëtarët me aftësi të kufizuara që të shërbejnë.

  • Përcakton nevojat e veçanta të familjeve dhe, ku është e përshtatshme, përcakton burimet e komunitetit, të lagjes dhe të kunjit.

Specialisti mund t’i ndihmojë anëtarët me aftësi të kufizuara dhe përkujdesësit e tyre që të shpërndajnë tek të tjerët informacione rreth aftësive të kufizuara.

38.8.26.10

Burimet

Burimet për anëtarët me aftësi të kufizuara, për familjet, përkujdesësit e tyre, udhëheqësit dhe mësuesit janë në dispozicion te disability.ChurchofJesusChrist.org. Ky kënd interneti siguron:

  • Informacion për të ndihmuar në rritjen e kuptueshmërisë për sfidat me të cilat përballen njerëzit që kanë aftësi të kufizuara.

  • Burimet për t’i ndihmuar anëtarët që kanë aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre që të gjejnë ngushëllim në ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Renditjet e materialeve të Kishës në formate që janë të përdorshme për anëtarët me aftësi të kufizuara (shihni edhe te store.ChurchofJesusChrist.org).

Pyetjet mund të drejtohen te:

Members with Disabilities [Anëtarët me Aftësi të Kufizuara]

50 East North Temple Street

Salt Lake City, UT 84150–0024

Telefoni: 1–801–240–2477 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–2477

Adresa e postës elektronike: disability@ChurchofJesusChrist.org

38.8.27

Dhënia e Shërbesës ndaj Anëtarëve që Janë të Prekur nga Krimi dhe Burgosja

Udhëheqësit e Kishës nxiten të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për t’u dhënë shpresë, kuptueshmëri dhe dashuri atyre që janë të prekur nga krimi, dhe atyre që janë të burgosur (shihni te Mateu 25:34–36, 40).

Presidentët e kunjeve drejtojnë përpjekjet për dhënie shërbese në burgje. Këto përpjekje përfshijnë përkrahjen e njerëzve në moshë madhore dhe të rinjve e të rejave që janë në kujdestari ose që kohët e fundit janë liruar nga burgu. Kjo punë përfshin gjithashtu përkujdesjen për familjet dhe fëmijët me një prind ose një njeri tjetër të dashur që është në burg.

Udhëheqësit që kanë një burg brenda kufirit të njësisë së tyre, duhet të ndërmarrin hapa që të bëhen të vetëdijshëm për mundësitë dhe nevojat për të dhënë shërbesë. Për burime dhe orientime, udhëheqësit mund të vihen në kontakt me Sektorin e Kishës për Dhënie Shërbese në Burg:

Adresa e postës elektronike: PrisonMinistry@ChurchofJesusChrist.org

Telefoni: 1–801–240-2644 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–2644

38.8.28

Besimet e Tjera Fetare

Shumë gjëra që janë frymëzuese, fisnike dhe të denja për respektin më të lartë, gjenden në shumë besime të tjera fetare. Misionarët dhe anëtarët e tjerë duhet të jenë të ndjeshëm dhe plot respekt kundrejt bindjeve fetare dhe traditave të të tjerëve. Ata duhet t’i shmangen edhe fyerjes ndaj tyre.

Presidentët e kunjeve dhe të misioneve që kanë pyetje rreth marrëdhënieve me besimet e tjera fetare, duhet të vihen në kontakt me Presidencën e Zonës. Udhëheqës të tjerë vendorë të cilët kanë pyetje të tilla, duhet të vihen në kontakt me presidentin e kunjit ose të misionit.

38.8.29

Veprimtaria Politike dhe Civile

Anëtarët e Kishës nxiten të marrin pjesë në çështje politike dhe qeveritare. Në shumë shtete kjo mund të përfshijë:

  • Votimin.

  • Anëtarësimin ose shërbimin në partitë politike.

  • Dhënien e përkrahjes financiare.

  • Komunikimin me zyrtarë dhe kandidatë të partive.

  • Pjesëmarrjen në protesta paqësore dhe të ligjshme.

  • Shërbimin në pozicione të caktuara nëpërmjet zgjedhjeve ose emërimit në qeverinë vendore dhe kombëtare.

Anëtarët gjithashtu nxiten që të marrin pjesë aktivisht në kauza të denja për t’i bërë komunitetet e tyre vende të shëndetshme për të jetuar dhe për të rritur familjet.

Në përputhje me ligjet vendore, anëtarët nxiten të regjistrohen për të votuar dhe për të studiuar me kujdes çështjet dhe kandidatët. Parime që përputhen me ungjillin, mund të gjenden në parti të ndryshme politike. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë detyrim të veçantë për të kërkuar dhe për të përkrahur udhëheqës që janë të ndershëm, të mirë dhe të urtë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 98:10).

Kisha është e paanshme për sa u përket partive politike, platformave politike dhe kandidatëve për poste politike. Kisha nuk i jep miratim asnjë partie ose kandidati politik. As nuk i këshillon anëtarët se si të votojnë.

Në raste të jashtëzakonshme, kur përfshihen çështje morale ose praktika të Kishës, Kisha mund të mbajë një pozicion lidhur me çështjet politike. Në raste të tilla Kisha mund të përfshihet në diskutimin politik për të paraqitur pikëpamjet e veta. Vetëm Presidenca e Parë mund të autorizojë:

  • Shprehjen e pozicionit të Kishës për çështjet morale.

  • Zotimin e Kishës për të përkrahur ose kundërshtuar legjislacionin e caktuar.

  • Shprehjen e këndvështrimit të Kishës për çështjet juridike.

Udhëheqësit vendorë të Kishës nuk duhet t’i organizojnë anëtarët që të marrin pjesë në çështje politike. Udhëheqësit nuk duhet as të përpiqen të ndikojnë mbi mënyrën se si marrin pjesë anëtarët.

Anëtarët e Kishës që kërkojnë një pozicion publik të caktuar nëpërmjet zgjedhjeve ose emërimit, nuk duhet të lënë të kuptohet se kanë miratim nga Kisha ose udhëheqësit e saj. Udhëheqësit dhe anëtarët gjithashtu duhet t’i shmangin deklaratat ose sjelljet që mund të interpretohen si dhënie miratimi nga Kisha për ndonjë parti, platformë, rregullore ose kandidat politik.

Edhe kur ndërmerr një pozicion në një çështje politike, Kisha nuk u kërkon zyrtarëve të zgjedhur që të votojnë në një mënyrë të caktuar ose të mbajnë një pozicion të caktuar. Anëtarët që janë zyrtarë të zgjedhur, i marrin vetë vendimet e tyre. Këta zyrtarë mund të mos jenë dakord me njëri‑tjetrin ose me një pozicion të shprehur publikisht nga Kisha. Ata nuk flasin në emër të Kishës.

Zgjedhjet dhe lidhjet politike nuk duhet të jenë subjekte të ndonjë mësimi ose rekomandimi në mjediset e Kishës. Udhëheqësit sigurojnë që mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës përqendrohen te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij.

Anëtarët nuk duhet ta gjykojnë njëri‑tjetrin për çështje politike. Shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme mund t’u përkasin një larmie partish politike dhe të votojnë për një larmi kandidatësh. Të gjithë duhet të ndihen të mirëpritur në mjediset e Kishës.

Nuk lejohet që dokumentet, direktoritë dhe materiale të ngjashme të Kishës të përdoren për qëllime politike.

Nuk lejohet që godinat e Kishës të përdoren për qëllime politike. Sidoqoftë, godinat mund të përdoren për votime ose për regjistrimin e votave, atje ku nuk ka mundësi tjetër të arsyeshme (shihni 35.5.2.3).

38.8.30

Privatësia për Anëtarët

Udhëheqësit e Kishës janë të detyruar ta mbrojnë privatësinë për anëtarët. Nuk lejohet që dokumentet, direktoritë dhe materiale të ngjashme të Kishës të përdoren për qëllime vetjake, tregtare apo politike (shihni edhe 38.8.12).

Udhëheqësit e lagjeve dhe kunjeve nuk duhet të ruajnë ose shpërndajnë informacion konfidencial të Kishës jashtë programeve, sistemeve ose shërbimeve në internet të siguruara nga Kisha. Shembujt e informacionit konfidencial të Kishës për një person përfshijnë:

  • Gjendjen e anëtarësisë.

  • Nevojat materiale.

  • Informacion tjetër vetjak që nuk është në dispozicion për publikun.

Komunikimet nga individët ose zyrat qeveritare lidhur me materiale që ndikohen nga ligjet për privatësinë e të dhënave, duhet t’i referohen menjëherë Zyrës së Kishës për Privatësinë e të Dhënave.

Adresa e postës elektronike: DataPrivacyOfficer@ChurchofJesusChrist.org.

Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve nuk duhet t’u përgjigjen këtyre kërkesave.

Për njoftimin e Kishës mbi privatësinë, shihni te “Njoftimi mbi Privatësinë” te ChurchofJesusChrist.org. Anëtarët mund t’u kërkojnë gjithashtu udhëheqësve të kunjeve ose të lagjeve që t’i ndihmojnë për ta gjetur rregulloren.

38.8.31

Shkrimet e Botuara Privatisht

Anëtarët nuk duhet t’u kërkojnë Autoriteteve të Përgjithshme, Drejtuesve të Përgjithshëm ose Të Shtatëdhjetëve Zonalë që të jenë bashkautorë ose të japin miratimin e tyre për libra të Kishës ose shkrime të tjera të Kishës.

38.8.32

Regjistrimi, Transkriptimi ose Transmetimi nëpërmjet Internetit i Mesazheve nga Autoritetet e Përgjithshme, Drejtuesit e Përgjithshëm dhe Të Shtatëdhjetët Zonalë

Anëtarët nuk duhet të bëjnë regjistrime, transkriptime ose transmetime nëpërmjet internetit të mesazheve nga Autoritetet e Përgjithshme, Drejtuesit e Përgjithshëm dhe Të Shtatëdhjetët Zonalë. Megjithatë, disa mbledhje ku flasin këta udhëheqës mund të transmetohen nëpërmjet internetit nën drejtimin e peshkopit ose presidentit të kunjit. Për informacion, shihni 29.7.

Anëtarët mund t’i regjistrojnë transmetimet e konferencës së përgjithshme në pajisje në shtëpi për përdorim vetjak, jo për tregti.

38.8.33

Përmendja e Kishës dhe e Anëtarëve të Saj

Emri i Kishës iu dha me anë të zbulesës Profetit Jozef Smith në vitin 1838: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (Doktrina e Besëlidhje 115:4). Përmendja e Kishës dhe anëtarëve të saj në mënyrat e përshkruara më poshtë përcakton një lidhje midis Jezu Krishtit dhe anëtarëve të Kishës së Tij.

Përmendjet e Kishës duhet të përfshijnë emrin e saj të plotë kurdoherë që është e mundur. Pas një përmendjeje fillestare të emrit të plotë, nëse nevojitet një përmendje e shkurtuar, termat vijues janë të saktë dhe nxitet të përdoren:

  • Kisha

  • Kisha e Jezu Krishtit

  • Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit

Kur u referohen anëtarëve të Kishës, termat vijues janë të saktë dhe të parapëlqyer të përdoren:

  • Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

  • Shenjtorët e ditëve të mëvonshme (ky është një emër i dhënë nga Zoti për popullin e Tij të besëlidhjes në ditët e mëvonshme)

  • Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit

Nuk inkurajohet përmendja e anëtarëve të Kishës me tituj të tjerë, të tillë si “mormonë” ose “shdm”.

Termi Mormon përdoret me saktësi për emra të përveçëm, të tillë si Libri i Mormonit. Gjithashtu përdoret me saktësi si mbiemër në shprehje historike të tilla si “Shtegu Mormon”.

Termi mormonizëm është i pasaktë dhe nuk inkurajohet përdorimi i tij. Kur përshkruhet ndërthurja e pashoqe e doktrinës, kulturës dhe mënyrës së jetës në Kishë, fraza “ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit” është e saktë dhe e parapëlqyer.

38.8.34

Refugjatët

Shumë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre duke kërkuar shpëtim nga dhuna, lufta, përndjekja fetare dhe situatat jetëkërcënuese. Si pjesë e përgjegjësisë së tyre për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë (shihni te Mosia 4:26), anëtarët e Kishës ofrojnë kohën, talentet dhe miqësinë e tyre për t’i mirëpritur refugjatët si pjesëtarë të komuniteteve të tyre. Shihni te Mateu 25:35; ChurchofJesusChrist.org/refugees.

38.8.35

Kërkesat për Ndihmë Financiare nga Kisha

Programet e krijuara nga Kisha japin ndihmë financiare për njerëzit nevojtarë dhe për kauza të përshtatshme.

Ndihma e Kishës ndaj anëtarëve nevojtarë administrohet nga peshkopët (shihni 22.3.2). Peshkopët ndjekin parime dhe rregullore të hartuara për të ndihmuar që të sigurohet që fondet e Kishës përdoren siç duhet (shihni 22.4 dhe 22.5).

Anëtarët nevojtarë nxiten për të folur me peshkopin e tyre në vend që të vihen në kontakt me zyrat qendrore të Kishës apo të kërkojnë para nga udhëheqës ose anëtarë të tjerë të Kishës. Peshkopi ka të ngjarë që do t’u kërkojë udhëheqësve të kuorumit të pleqve ose udhëheqëseve të Shoqatës së Ndihmës për të ndihmuar që të vlerësohen nevojat.

38.8.36

Studimi Kërkimor në Kishë

Qëllimi i studimit kërkimor në Kishë është që të mbledhë informacione të besueshme për të përkrahur diskutimet e udhëheqësve të përgjithshëm të Kishës. Nënsektori Kërkimor për Marrëdhëniet e Ndërsjella (NKMN) është e vetmja agjenci e autorizuar për studim kërkimor në Kishë. NKMN‑ja gjithashtu mund të vihet në kontakt me agjenci të palëve të treta për ta kryer studimin kërkimor.

Kur kërkues të autorizuar nga Kisha vihen në kontakt me anëtarët ose udhëheqësit, ata japin informacionin e kontaktit si punonjës të NKMN‑së. Ky punonjës mund t’u japë përgjigje pyetjeve rreth studimit kërkimor.

NKMN-ja përpiqet t’i mbrojë identitetin dhe përgjigjet e pjesëmarrësve në studimin kërkimor. Personat mund të mos pranojnë që të marrin pjesë në çdo kohë. Ata mund të zgjedhin të mos u përgjigjen njërës ose të gjitha pyetjeve.

Prindërit ose kujdestarët duhet të japin pëlqim përpara se fëmijët nën moshën 18 vjeç të ftohen për të marrë pjesë në një studim.

Udhëheqësit vendorë nuk duhet të miratojnë asnjë studim kërkimor për sa i përket Kishës. Kjo përfshin përdorimin e anëtarëve si subjekte të studimit kërkimor.

NKMN‑ja u bindet të gjitha ligjeve për privatësinë e të dhënave. Udhëheqësit vendorë gjithashtu duhet t’u binden këtyre ligjeve dhe nuk duhet t’ua japin informacionet personale të anëtarëve studiuesve dhe agjencive të paautorizuara kërkimore.

Disa studime kërkimore kërkojnë grumbullimin e informacionit në mbledhjet e Kishës. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse mbledhja është vetë përqendrimi i studimit kërkimor. Në raste të tilla, NKMN‑ja do të punojë me udhëheqësit vendorë për të siguruar që prania e studiuesve nuk e largon vëmendjen nga mbledhjet.

Për të verifikuar cilëndo kërkesë për studim kërkimor, vihuni në kontakt me Nënsektorin Kërkimor për Marrëdhëniet e Ndërsjella:

Telefoni: 1–801–240-2727 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–2727

Adresa e postës elektronike: research@ChurchofJesusChrist.org

38.8.37

Respektimi i Kufizimeve Vendore për Shpërndarjen e Ungjillit

Kisha punon që të përmbushë urdhërimin e Jezu Krishtit për ta çuar ungjillin në të gjithë botën (shihni te Mateu 28:19). Misionarët shërbejnë vetëm në shtete ku ata pranohen zyrtarisht dhe mirëpriten nga qeveritë vendore.

Kisha dhe anëtarët e saj i respektojnë të gjitha ligjet dhe kërkesat për sa u përket përpjekjeve misionare. Për shembull, në disa vende të botës, misionarët dërgohen vetëm për të shërbyer në misione humanitare ose misione të tjera të specializuara. Ata misionarë nuk e predikojnë ungjillin. Kisha nuk dërgon misionarë në disa shtete.

38.8.38

Siguria në Ndërmarrjet e Kishës për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja

Shumë ndërmarrje të mirëqenies dhe mbështetjes te vetja në Kishë kanë pajisje dhe makineri që mund të shkaktojnë dëmtim nëse nuk përdoren siç duhet. Presidentët e kunjeve veprues (ose ata që caktohen) dhe përgjegjësit e këtyre ndërmarrjeve duhet të marrin masa për sigurinë e punonjësve dhe të vullnetarëve.

Punëtorët duhet të udhëzohen rregullisht për praktikat e sigurisë. Mjedisi i punës duhet të inspektohet herë pas here. Rreziqet ndaj shëndetit dhe sigurisë duhet të eliminohen. Duhet të jepet gjithmonë mbikëqyrje e përshtatshme për të siguruar që punëtorët i ndjekin udhëzimet, i përdorin siç duhet veglat e pajisjet dhe e shmangin sjelljen e rrezikshme.

Normalisht, ata që punojnë në këto ndërmarrje, duhet të jenë 16 vjeç e lart. Ata që vënë në punë pajisjen, duhet të jenë njerëz të pjekur, të trajnuar siç duhet dhe me përvojë në përdorimin e saj. Vetëm të rriturit mund t’i venë në punë pajisjet me motorë elektrikë.

Nëse ndodh një aksident, përgjegjësi i ndërmarrjes ia raporton atë sektorit vijues:

  • Shërbimet për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja: 1–801–240–3001 ose 1–800–453–3860, numri i brendshëm 2–3001

  • Nënsektori i Administrimit të Rrezikut te zyrat qendrore të Kishës (shihni te 20.7.6.3 për informacion kontakti)

38.8.39

Shkrimet e Shenjta

38.8.39.1

Botimet e Biblës

Kisha përcakton botime të Biblës që përputhen mirë me doktrinën e Zotit në Librin e Mormonit dhe në zbulesën moderne (shihni te Nenet e Besimit 1:8). Një botim i parapëlqyer i Biblës më pas zgjidhet për shumë gjuhë të folura nga anëtarët e Kishës.

Në disa gjuhë, Kisha publikon botimin e vet të Biblës. Botimet e publikuara nga Kisha bazohen në tekstet e Biblës standarde. Shembujt përfshijnë:

  • Variantin e Mbretit Xhejms në anglisht.

  • Variantin Reina-Valera (2009) në spanjisht.

  • Variantin Almeida (2015) në portugalisht.

Botimet e publikuara nga Kisha të Biblës përfshijnë poshtëshënime, tregues të temave dhe mjete të tjera ndihmëse për studim.

Kur është e mundur, anëtarët duhet të përdorin një botim të parapëlqyer ose të publikuar nga Kisha të Biblës në klasat dhe mbledhjet e Kishës. Kjo ndihmon që të ruhet qartësia gjatë diskutimeve dhe kuptueshmëria e vazhdueshme e doktrinës. Botime të tjera të Biblës mund të përdoren për studim vetjak ose akademik.

38.8.39.2

Përkthimi i Shkrimeve të Shenjta

Zoti i drejton profetët dhe apostujt e Tij për t’i ruajtur shkrimet e shenjta në mënyrë të sigurt (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:56). Këshilli i Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve e mbikëqyr nga afër përkthimin e shkrimeve të shenjta të Kishës. Përdorimi i proceseve të miratuara ndihmon që të sigurohet saktësia doktrinore dhe të ruhet prova e zanafillave të tekstit.

Presidencat e Zonave ia dorëzojnë kërkesat zyrtare për përkthime të reja të shkrimeve të shenjta Sektorit të Bashkërendimit të Kishës.

38.8.39.3

Shkrimet e Shenjta në Gjuhën Bashkëkohore

Këshilli i Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve nuk ka autorizuar përpjekje për të përkthyer ose rishkruar tekstin e shkrimeve të shenjta në gjuhë bashkëkohore ose joformale. Kjo këshillë nuk zbatohet te botimet e Kishës për fëmijët.

38.8.39.4

Mundësia e Përdorimit të Shkrimeve të Shenjta

Kopje të shtypura të shkrimeve të shenjta, përfshirë disa botime të parapëlqyera të Biblës, janë në dispozicion nga Shërbimet e Kishës për Shpërndarjen. Botimet e parapëlqyera të Biblës gjithashtu mund të jenë në dispozicion në dyqanet vendore të librave, në internet dhe në programet për celularë të Biblës. Teksti elektronik dhe regjistrimet zanore të botimeve të publikuara nga Kisha dhe disa botime të parapëlqyera janë në dispozicion në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe te scriptures.ChurchofJesusChrist.org. Këto burime gjithashtu japin lista të shkrimeve të shenjta që janë në dispozicion sipas gjuhës.

38.8.40

Kërkimi i Informacionit nga Burime të Besueshme

Në botën e sotme është e lehtë të gjendet dhe të shpërndahet informacioni. Ky mund të jetë një bekim i madh për ata që kërkojnë të edukohen dhe informohen. Megjithatë, shumë burime informacioni nuk janë të besueshme dhe nuk të lartësojnë moralisht. Disa burime përpiqen të nxitin zemërim, grindje, frikë ose teori të pabaza komplotesh (shihni te 3 Nefi 11:30; Mosia 2:32). Prandaj është e rëndësishme që anëtarët e Kishës të jenë të urtë teksa kërkojnë të vërtetën.

Anëtarët e Kishës duhet të kërkojnë dhe të shpërndajnë vetëm burime informacioni të besuara, të besueshme dhe të bazuara në fakte. Ata duhet t’i shmangin burimet që janë spekulative ose të bazuara në thashetheme. Udhërrëfimi i Frymës së Shenjtë, së bashku me studimin e kujdesshëm, mund t’i ndihmojë anëtarët që të dallojnë të vërtetën dhe të gabuarën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 11:12; 45:57). Në çështjet e rregullores së doktrinës dhe Kishës, burimet autoritare janë shkrimet e shenjta, mësimet e profetëve të gjallë dhe Manuali i Përgjithshëm.

38.8.41

Seminaret dhe Grumbullime të Ngjashme

Kisha i paralajmëron anëtarët kundër seminareve dhe grumbullimeve të ngjashme që përfshijnë paraqitje të cilat:

  • Përçmojnë, tallin ose janë të papërshtatshme në ndonjë mënyrë tjetër në trajtimin nga ana e tyre të çështjeve të shenjta.

  • Mund ta dëmtonin Kishën, mund ta largonin nga misioni i saj ose të rrezikonin mirëqenien e anëtarëve ose udhëheqësve të saj.

Anëtarët nuk duhet të lejojnë që pozita ose statusi i tyre në Kishë të përdoret për të nxitur ose nënkuptuar miratimin për grumbullime të tilla.

Për më shumë informacion, shihni te 35.5.2, 38.6.12 dhe 38.7.8. Shihni edhe te Jakobi [LiM] 6:12.

38.8.42

Përkrahja për Anëtarët në Spitale dhe Qendra Përkujdesi

Udhëheqësit u japin përkrahje anëtarëve në spitale dhe qendra përkujdesi brenda njësive së tyre. Ata ndjekin orientimet e vendosura nga godinat.

Për informacion rreth administrimit të sakramentit për anëtarët në këto godina, shihni te 18.9.1. Për informacion rreth krijimit të një lagjeje ose dege, shihni te 37.6.

38.8.43

Aktivitetet e Tatueshme

Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve sigurojnë që aktivitetet vendore të Kishës nuk e vënë në rrezik statusin e Kishës si e përjashtuar nga taksat dhe tatimet. Për orientime, shihni 34.8.1.

38.8.44

Taksat

Anëtarët e Kishës duhet t’u binden ligjeve tatimore të vendit ku banojnë (shihni te Nenet e Besimit 1:12; Doktrina e Besëlidhje 134:5). Anëtarët që nuk bien dakord me ligjet tatimore, mund t’i kundërshtojnë ato siç e lejojnë ligjet e shteteve të tyre.

Anëtarët e Kishës janë në konflikt me ligjin dhe me mësimet e Kishës nëse:

  • Qëllimisht dështojnë ose refuzojnë të paguajnë tatimet e kërkuara.

  • Sjellin argumente të pavlefshme ligjore për të shmangur pagimin e tatimeve.

  • Refuzojnë të pajtohen me një gjykim përfundimtar në një procedurë tatimore që u kërkon atyre të paguajnë tatime.

Këta anëtarë mund të mos kualifikohen që të marrin një rekomandim tempulli. Ata nuk duhet të thirren në pozicione udhëheqëse në Kishë.

Kërkohet një këshill i Kishës për anëtarësinë, në qoftë se një anëtar dënohet për një krim të rëndë të shkeljes së ligjeve të tatimeve (shihni 32.6.1.5).

38.8.45

Rregulloret e Udhëtimeve

Një burrë dhe një grua nuk duhet të udhëtojnë bashkë, vetëm ata të dy, për në aktivitetet, mbledhjet ose detyrat e Kishës, përveç rastit kur janë të martuar me njëri‑tjetrin ose që të dy janë të pamartuar. Për rregullore të tjera për udhëtimet, shihni te 20.7.7.

38.9

Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët ndihmojnë që bekimet e pjesëmarrjes në Kishë të jenë në dispozicion të anëtarëve që shërbejnë në ushtri. Programet e Kishës për marrëdhëniet ushtarake dhe shërbimet kapelanore përbëhen nga:

  • Përkrahja prej kunjeve dhe lagjeve.

  • Orientimi nga Kisha për anëtarët që hyjnë në shërbimin ushtarak.

  • Organizimi i lagjeve, degëve apo grupeve të anëtarëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme në shërbim ushtarak.

  • Miratimi i kapelanëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe përkrahja nga ata.

  • Informacioni mbi mënyrën se si të vishen veshjet e brendshme të tempullit në ushtri.

  • Përkrahja nga çiftet misionare në moshë që caktohen në repartet e përzgjedhura ushtarake.

38.9.1

Udhëheqja e Kunjit për Marrëdhëniet Ushtarake

Nëse në një kunj ka reparte ushtarake apo anëtarë që shërbejnë në ushtri, presidenca e kunjit ka përgjegjësitë e përvijuara në këtë pjesë. Nëse reparte të tilla ushtarake gjenden në një mision dhe jo në një kunj, këto përgjegjësi i përmbush presidenti i misionit.

Një anëtar i presidencës së kunjit mbikëqyr orientimin nga Kisha para shërbimit ushtarak në kunj. Ai sigurohet që orientimi t’u ofrohet të gjithë anëtarëve që hyjnë në shërbimin ushtarak. Sekretari ekzekutiv i kunjit mund ta bashkërendojë këtë orientim. (Shihni 38.9.3.)

38.9.1.1

Shërbimet e Kishës në Repartet Ushtarake

Nëse shërbesat e Kishës mbahen në një repart ushtarak, presidenti i një kunji ku ndodhet reparti organizon për personelin ushtarak dhe familjet e tyre njërën nga sa vijojnë (shihni 38.9.4):

  • Një lagje me një peshkopatë (kur autorizohet nga Presidenca e Parë)

  • Një degë me një presidencë dege

  • Një grup të anëtarëve në shërbimin ushtarak me një udhëheqës të grupit të anëtarëve në shërbim dhe ndihmësit e tij

Presidenti i kunjit thërret, veçon dhe mbikëqyr udhëheqësit e këtyre njësive. Ai ia jep informacionet e kontaktit të këtyre udhëheqësve Sektorit të Kishës për Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore. Ai mund të caktojë një lagje për të përkrahur secilin grup anëtarësh në shërbimin ushtarak.

Presidenti i kunjit punon me Sektorin e Marrëdhënieve Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore që t’u japë një letër caktimi çdo peshkopi, presidenti dege ose udhëheqësi grupi. Kjo letër përvijon përgjegjësitë e tij dhe e autorizon të kryesojë mbi njësinë dhe të drejtojë mbledhjet. Një kopje e letrës duhet t’i jepet kapelanit të repartit ushtarak.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara kërkon që një kapelan të bëjë mbikëqyrje administrative për çdo shërbesë fetare që mbahet në një repart ushtarak. Nëse ka një kapelan shenjtor të ditëve të mëvonshme në repartin ushtarak, ai zakonisht e jep një mbikëqyrje të tillë për një njësi të Kishës që mblidhet atje. Kapelani nuk kryeson në shërbesat e adhurimit, në qoftë se ai nuk është peshkopi, presidenti i degës ose udhëheqësi i grupit. Gjithsesi, pritet që ai të frekuentojë dhe të marrë pjesë.

Një anëtar i presidencës së kunjit bashkërendon me kapelanin më me përvojë në detyrë në çdo repart ushtarak në kunj. Ai sigurohet që peshkopët e lagjeve, kufijtë e të cilave përfshijnë një repart ushtarak, të bëjnë të njëjtën gjë. Këta udhëheqës e informojnë kapelanin për programin e mbledhjeve të lagjes, vendin e mbledhjeve dhe personin e kontaktit. Kapelani mund t’ua japë këtë informacion anëtarëve në repartin ushtarak.

38.9.1.2

Kapelanët Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme në Kunje

Presidenti i kunjit interviston çdo vit secilin kapelan shenjtor të ditëve të mëvonshme që jeton brenda kunjit të tij. Ai përcakton mirëqenien dhe denjësinë e kapelanit për të shërbyer. Presidenti i kunjit e interviston veçmas edhe bashkëshorten e secilit kapelan çdo vit.

Kapelanët dhe bashkëshortet e tyre duhet të kenë thirrje në lagje ose në kunj. Një kapelan që mban Priftërinë Melkizedeke, mund të shërbejë në thirrje udhëheqjeje, të tilla si në këshillin e lartë ose të kryesojë mbi një lagje apo degë ushtarake, ose mbi një grup anëtarësh në shërbim ushtarak. Sidoqoftë, kjo thirrje nuk mund të bjerë ndesh me detyrat e tij ushtarake.

Kapelanët mund ta ndihmojnë presidentin e kunjit në mënyrat vijuese:

  • Të raportojnë në mbledhjet e këshillit të kunjit mbi mbledhjet e njësive të Kishës në repartet ushtarake. Këto raporte duhet të përfshijnë informacione rreth anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet.

  • Të shërbejnë si ndërlidhës midis udhëheqësve ushtarakë dhe presidentit të kunjit.

  • Ta ndihmojnë presidentin e kunjit që të përcaktojë anëtarët në shërbimin ushtarak për t’i thirrur si udhëheqës për grupin e anëtarëve në shërbim ushtarak.

  • Të ndihmojnë në përpjekjet për të forcuar anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet në Kishë, që janë në ushtri.

  • T’i ndihmojnë anëtarët në ushtri që të përgatiten për të marrë ordinancat e shenjta dhe për të bërë besëlidhjet e tyre.

38.9.2

Udhëheqja e Lagjes për Marrëdhëniet Ushtarake

Një anëtar i peshkopatës takohet me anëtarët e lagjes përpara se të largohen për shërbim ushtarak. Ai sigurohet që ata të kenë mundësi të marrin pjesë në orientimet nga Kisha para shërbimit ushtarak (shihni 38.9.3).

Për informacion rreth dokumenteve të anëtarësisë për një person që po hyn në ushtri, shihni te 33.6.9. Disa anëtarë caktohen në një vendndodhje të largët apo të izoluar ose dislokohen në një zonë lufte. Në këto raste, peshkopi vihet në kontakt me Sektorin e Kishës për Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore për orientime rreth dokumenteve të anëtarësisë (shihni 38.9.10).

Udhëheqësit në lagjen e vendbanimit duhet të mbajnë lidhje rregullisht me çdo anëtar të lagjes që është larguar në shërbim ushtarak.

Peshkopi bashkërendon me kapelanin më me përvojë në detyrë në çdo repart ushtarak në lagje.

38.9.3

Orientimi nga Kisha para Shërbimit Ushtarak

Orientimi nga Kisha para shërbimit ushtarak i ndihmon anëtarët që hyjnë në shërbimin ushtarak, të mësojnë se çfarë të presin lidhur me shërbesat dhe aktivitetet e Kishës në ushtri. Orientimi mund të mbahet në nivel kunji ose lagjeje.

Një anëtar i presidencës së kunjit ose peshkopatës thërret një instruktor të parashërbimit ushtarak që të japë orientimin. Parapëlqehet që ky instruktor të ketë pasur përvojë ushtarake të kohëve të fundit. Atje ku nuk është në dispozicion një instruktor i kualifikuar, presidenti i kunjit ose peshkopi vihet në kontakt me Sektorin e Marrëdhënieve Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore për orientime.

Për më shumë informacion, shihni tek “Orientimi nga Kisha para Shërbimit Ushtarak” te ChurchofJesusChrist.org.

38.9.4

Njësitë e Kishës për Anëtarët në Shërbim Ushtarak

Anëtarët në ushtri normalisht marrin pjesë në lagjet që ndodhen pranë reparteve të tyre ushtarake. Sidoqoftë, në rrethanat vijuese, presidenti i kunjit ose i misionit mund të organizojë një lagje, degë apo grup anëtarësh në shërbim ushtarak për personelin ushtarak dhe familjet e tyre në repartin ushtarak:

  • Nuk ka një lagje brenda një largësie të arsyeshme nga reparti ushtarak.

  • Personeli ushtarak nuk e kupton gjuhën që flitet në lagjen vendore.

  • Personeli ushtarak nuk mund ta largohet nga reparti ushtarak për shkak të kërkesave trajnuese ose kufizimeve të tjera.

  • Njësia ushtarake e anëtarëve është ose do të dislokohet në një vendndodhje ku gjen zbatim një nga sa vijon:

    • Kisha nuk është e organizuar.

    • Njësia vendore e Kishës nuk mund të përshtatet për anëtarët ngaqë flitet një gjuhë tjetër.

    • Frekuentimi i mbledhjeve vendore nuk është i mundur.

  • Anëtarët u përkasin njësive të Rezervistëve apo të Gardës Kombëtare dhe marrin pjesë në stërvitje ushtarake në fundjavë ose në stërvitjet trajnuese vjetore.

Lagjet dhe degët në repartet ushtarake krijohen duke përdorur procedurat e përvijuara në kapitullin 37.

Lagjet dhe degët kryesisht krijohen për të përkrahur si anëtarët ushtarakë ashtu edhe familjet e tyre. Një lagje ose degë gjithashtu mund të krijohet për anëtarët ushtarakë pa familjet e tyre. Njësi të tilla mund të krijohen për anëtarët që ndjekin trajnim bazë apo të avancuar ose të caktuar në një zonë të largët. Ushtria normalisht nuk lejon anëtarë të Kishës që nuk kanë lidhje me ushtrinë, që të përfshihen në një lagje apo degë që përdor godinat e repartit ushtarak.

Nëse numri i anëtarëve ose nëse rrethanat e tjera nuk e justifikojnë krijimin e një lagjeje apo dege në një repart ushtarak, presidenti i kunjit ose i misionit mund të krijojë një grup anëtarësh në shërbim ushtarak. Një grup anëtarësh në shërbim ushtarak është një njësi e vogël e Kishës që mban mbledhje Kishe dhe kujdeset për anëtarët. Udhëheqësi i grupit nuk ka çelësa priftërie. Për shkak të kësaj, ai nuk është i autorizuar të marrë të dhjetat dhe ofertat, t’i këshillojë anëtarët për mëkate të rënda, të kufizojë privilegjet e anëtarësisë apo të kryejë detyra të tjera që kërkojnë çelësa priftërie (shihni 37.7). Për informacion rreth grupeve të anëtarëve në shërbim ushtarak, shihni te “Service Member Groups and Responsibilities of Group Leaders” [“Grupet e Anëtarëve në Shërbim Ushtarak dhe Përgjegjësitë e Udhëheqësve të Grupeve”] te ChurchofJesusChrist.org.

Kur një njësi e Kishës krijohet në një repart ushtarak, udhëheqësi i njësisë bashkërendon me kapelanin më me përvojë në detyrë në repart për të organizuar oraret e mbledhjeve dhe përdorimin e godinave të bazës. Nëse repartit ushtarak nuk i është caktuar një kapelan, presidenti i kunjit këshillohet me oficerin që komandon.

38.9.5

Udhëheqësit e Grupeve në Zona të Largëta ose Zona Lufte

Presidentët e kunjeve ose të misioneve zakonisht thërrasin e veçojnë udhëheqës grupi për anëtarët në shërbim ushtarak. Sidoqoftë, kjo mund të mos jetë e mundur në disa vendndodhje të largëta ose zona lufte. Gjersa një udhëheqësi grupi nuk i jepen çelësat e priftërisë kur thirret, është e lejueshme që ai të caktohet pa u veçuar. Udhëheqësi i priftërisë që është përgjegjës për vendndodhjen, mund të caktojë një mbajtës të denjë të Priftërisë Melkizedeke për të shërbyer si udhëheqësi i grupit. Ai fillimisht vërifikon denjësinë e burrit me peshkopin dhe presidentin e tij të kunjit. Nëse një kapelan shenjtor i ditëve të mëvonshme është në zonë, udhëheqësi i priftërisë mund ta autorizojë atë që të thërrasë dhe veçojë një udhëheqës grupi.

Udhëheqësit e grupeve për anëtarët në shërbim ushtarak në vendndodhje të izoluara mund të marrin furnizime dhe materiale të Kishës duke u vënë në kontakt me Sektorin e Kishës për Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore (shihni 38.9.10).

Nganjëherë një anëtar në shërbim ushtarak dislokohet në një zonë ku është i izoluar nga anëtarët e tjerë të Kishës. Nëse anëtari në shërbim ushtarak mban Priftërinë Melkizedeke ose është prift në Priftërinë Aarone, peshkopi i vet mund ta autorizojë që të administrojë dhe marrë sakramentin. Nëse ka më shumë se një anëtar në vendndodhjen e dislokimit, duhet të thirret një udhëheqës grupi.

Sektori i Kishës për Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore duhet të njoftohet kur thirret një udhëheqës grupi. Atij do t’i dërgohet një letër për caktimin (shihni 38.9.1.1).

38.9.6

Shërbimi Misionar dhe Detyrimi Ushtarak

Për shtetet me shërbim të detyrueshëm ushtarak, anëtarët e Kishës në përgjithësi duhet të përfundojnë shërbimin e tyre ushtarak përpara se të mund të shërbejnë në një mision. Disa shtete mund të lejojnë që shërbimi i detyrueshëm ushtarak të shtyhet deri pas shërbimit misionar. Presidentët e kunjeve dhe peshkopët duhet të njohin kërkesat e shtetit të tyre me qëllim që të mund t’i këshillojnë siç duhet anëtarët. Anëtarët që shërbejnë në Rezervistët apo Gardën Kombëtare mund të jenë në gjendje të shërbejnë në misione pasi të përfundojnë trajnimin bazë dhe të avancuar.

Për më shumë informacion, shihni te “Shërbimi Misionar dhe Detyrimet Ushtarake” te ChurchofJesusChrist.org.

38.9.7

Kapelanët Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme

Sektori i Kishës për Marrëdhëniet Ushtarake dhe Shërbimet Kapelanore jep miratim të centralizuar për kapelanët meshkuj dhe femra që shërbejnë në një sërë mjedisesh qeveritare dhe joqeveritare. Këto mjedise përfshijnë:

  • Ushtrinë.

  • Spitalet.

  • Organizatat e azileve.

  • Burgjet.

  • Qendrat e paraburgimit.

  • Sektorët e policisë dhe të zjarrfikësve.

  • Sektorin e policisë kufitare.

  • Organizatat qytetare dhe për veteranët.

  • Kolegjet dhe universitetet.

Çdo organizatë krijon kërkesat e veta arsimore dhe shërbestare për kapelanët. Megjithatë, shumica kërkojnë miratimin e Kishës përpara se një person të mund të shërbejë si kapelan shenjtor i ditëve të mëvonshme.

Kapelanët shenjtorë të ditëve të mëvonshme:

  • U shërbejnë njerëzve të të gjitha besimeve fetare, përfshirë shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

  • Sigurohen që individëve u jepet liria fetare.

  • Ndihmojnë që të lehtësohen ose përmbushen nevojat fetare të njerëzve të cilëve u shërbejnë.

Për më shumë informacion, shihni te “Latter-day Saint Chaplains” [“Kapelanët Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme”] te ChurchofJesusChrist.org.

38.9.8

Mbajtja e Veshjeve të Brendshme të Tempullit në Ushtri

Peshkopët sigurohen që anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët hyjnë në shërbimin ushtarak, i kuptojnë orientimet vijuese.

Kur është e mundur, anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët janë në shërbim ushtarak, duhet t’i mbajnë veshjet e brendshme të tempullit njësoj si çdo anëtar tjetër. Sidoqoftë, anëtarët duhet ta shmangin ekspozimin e veshjeve të brendshme të tempullit para atyre që nuk e kuptojnë domethënien e tyre. Anëtarët duhet të kërkojnë udhërrëfim nga Shpirti dhe të përdorin takt, maturi dhe urtësi. Ndoshta do të ishte më mirë që veshjet e brendshme të tempullit të lihen mënjanë përkohësisht dhe të vishen përsëri kur e lejojnë kushtet. Sidoqoftë, thjesht sikleti për t’i mbajtur veshjet e brendshme të tempullit nuk e justifikon lënien e tyre mënjanë.

Nganjëherë rregulloret ushtarake nuk e lejojnë një anëtar që të veshë veshjet e brendshme të tempullit. Në këto raste, statusi fetar i anëtarit/es nuk ndikohet, me kushtin që ai ose ajo të qëndrojë i/e denjë. Gjithsesi anëtari/ja do t’i marrë bekimet shpirtërore që lidhen me mbajtjen e veshjeve të brendshme të tempullit. Nëse anëtarët në shërbim ushtarak nuk mund t’i mbajnë veshjet e brendshme të tempullit, ata duhet t’i veshin ato përsëri sapo t’ua lejojnë rrethanat.

Anëtarët në shërbim ushtarak duhet të këshillohen me shërbimet e tyre individuale ushtarake mbi kërkesat e veçanta që duhet të plotësojnë veshjet e brendshme, të tilla si ngjyra apo prerja te qafa. Sektori Shërbimet për Shpërndarjen nuk është në gjendje të ruajë një inventar të të gjitha stileve, ngjyrave ose pëlhurave. Nëse ata nuk e kanë ngjyrën ose llojin e nevojshëm të një veshjeje të brendshme të tempullit, anëtari në shërbim ushtarak mund të bëjë një porosi të veçantë. Për të bërë porosi të veçanta për veshjet e brendshme të tempullit, anëtarët mund të vihen në kontakt me sektorin e Shërbimeve për Shpërndarjen ose të përdorin Uniform Garment Marking Order Form [Formularin e Porositjes së Bërjes së Shenjave të Veshjeve të Brendshme në Uniformë].

38.9.9

Çiftet e Misionarëve në Moshë

Çifte ushtarake të dala në pension mund të thirren që të shërbejnë si misionarë për marrëdhëniet ushtarake në baza të përzgjedhura ushtarake. Ata i ndihmojnë udhëheqësit vendorë të priftërisë për t’i forcuar anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet. Ata gjithashtu u japin përkrahje familjeve të anëtarëve të dislokuar që shërbejnë në ushtri, gjatë periudhave të ndarjes së familjes.

38.9.10

Informacion Tjetër

Për informacion rreth dokumenteve të anëtarësisë për anëtarët në shërbim ushtarak, shihni te 33.6.9.

Për informacion rreth bekimeve patriarkale për anëtarët në shërbim ushtarak, shihni te 38.2.10.3.

Për informacion rreth shugurimit të anëtarëve në shërbim ushtarak në vendndodhje të izoluara, shihni te 38.2.9.6.

Për informacion rreth lëshimit të rekomandimeve të tempullit në vendndodhje të izoluara, shihni te 26.3.2.

Nëse udhëheqësit e Kishës kanë pyetje rreth marrëdhënieve ushtarake, mund të vihen në kontakt me:

Military Relations and Chaplain Services Division [Sektori i Marrëdhënieve Ushtarake dhe Shërbimeve Kapelanore]

50 East North Temple Street, Room 2411

Salt Lake City, UT 84150–0024

Telefoni: 1–801–240–2286

Adresa e postës elektronike: pst-military@ChurchofJesusChrist.org