Manualet dhe Thirrjet
23. Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe të Kthyer në Aktivitet


“23. Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe të Kthyer në Aktivitet”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“23. Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe të Kthyer në Aktivitet”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Pamja
njerëz duke parë në telefon

23.

Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe të Kthyer në Aktivitet

23.0

Parathënia

Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin është pjesë e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni 1.2 në këtë manual; Mateu 28:19–20). Ai përfshin:

  • Pjesëmarrjen në punën misionare dhe shërbimin si misionarë.

  • Ndihmën për anëtarët e rinj dhe ata që kthehen në Kishë, që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

23.1

Shpërndajeni Ungjillin

23.1.1

Jepni Dashuri

Të gjithë ne jemi fëmijë të një Ati Qiellor i cili i do fëmijët e Tij në mënyrë të përsosur. Ai i ofron gjithsecilit mundësinë të mbushet me dashurinë e Tij nëpërmjet Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij (shihni te Gjoni 3:16; 2 Nefi 26:24–28; Alma 26:37; Nenet e Besimit 1:3).

Një mënyrë se si ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë është kur i duam dhe u shërbejmë fëmijëve të Tij (shihni te Mateu 22:36–39; 25:40). Ne përpiqemi fort të duam dhe të shërbejmë ashtu siç bëri Jezu Krishti. Kjo dashuri na frymëzon t’ua shtrijmë dorën njerëzve të të gjitha feve, racave dhe kulturave (shihni te Veprat e Apostujve 10:34; 2 Nefi 26: 33).

23.1.2

Tregoni

Për shkak se e duam Perëndinë dhe fëmijët e Tij, natyrshëm duam të tregojmë për bekimet që Ai na ka dhënë (shihni te Gjoni 13:34–35) dhe të ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin. Ne kërkojmë t’i ndihmojmë njerëzit të ndiejnë gëzimin që ndiejmë vetë ne (shihni tek Alma 36:24). Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne e mbajmë lart dritën e Tij (shihni te 3 Nefi 18:24–25). Ne flasim hapur për Shpëtimtarin dhe ndikimin e Tij në jetën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 60:22). Ne tregojmë dashuri, ofrojmë kohë, përvojë dhe programe të Kishës për t’i bekuar fëmijët e Perëndisë dhe për t’i ndihmuar ata të afrohen më pranë Shpëtimtarit. Ne i tregojmë këto gjëra në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme si pjesë e ndërveprimeve vetjake, në internet dhe në forma të tjera.

23.1.3

Ftoni

Shpëtimtari i fton të gjithë njerëzit ta pranojnë ungjillin e Tij dhe të përgatiten për jetën e përjetshme (shihni tek Alma 5:33–34). Si dishepuj të Tij, ne ndjekim shembullin e Tij, duke i ftuar të gjithë të “[vijnë] te Krishti dhe [të] përsos[en] në të” (Moroni 10:32).

Ne lutemi për frymëzim dhe udhërrëfim mbi mënyrën se si t’i ftojmë të tjerët:

  • Të vijnë dhe të shohin bekimet që janë në dispozicion nëpërmjet Jezu Krishtit, ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij (shihni te Gjoni 1:37–39, 45–46).

  • Të vijnë dhe të na ndihmojnë që t’u shërbejmë njerëzve nevojtarë.

  • Të vijnë dhe t’i përkasin Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit.

Kur ftesat tona bazohen te nevojat dhe interesat e një personi, ai ose ajo ka më shumë gjasa t’i pranojë ato ftesa. Shpesh, të ftosh thjesht do të thotë të përfshijmë familjen, miqtë dhe fqinjët tanë në atë që po bëjmë tashmë. Për shembull, ne mund t’i ftojmë ata:

  • Të bashkohen me ne në shtëpitë tona për aktivitete.

  • Të bashkohen me ne për të adhuruar dhe për të mësuar ungjillin.

  • Të marrin pjesë në ngjarje të veçanta, të tilla si bekimi i një foshnjeje ose pagëzim.

  • Të marrin pjesë në aktivitete dhe shërbime të lagjes dhe komunitetit, përfshirë projekte të organizuara nëpërmjet faqes JustServe.org (atje ku janë në dispozicion).

  • Të marrin pjesë në programet dhe aktivitetet e Kishës. Këto përfshijnë aktivitete për Filloren, aktivitete për rininë, historinë familjare, kurse për mbështetjen te vetja, programin UBJ-Pathway Mbarëbotëror dhe kurse për shkrim e këndim dhe anglisht.

  • Të takohen me misionarët kohëplotë dhe t’i dëgjojnë mesazhet e tyre.

Për më tepër ide dhe burime, shihni share.ChurchofJesusChrist.org dhe “Sharing the Gospel” [“Shpërndarja e Ungjillit”] në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Parimet e dashurisë, të të treguarit dhe të ftuarit gjejnë zbatim edhe për të forcuar anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet.

23.2

Forcimi i Anëtarëve të Rinj

Bashkimi me Kishën është si i mrekullueshëm por edhe një sfidë për shumë njerëz. Ajo sjell bekime të mëdha, por kërkon gjithashtu përshtatje me bindjet e reja, zakonet e reja dhe marrëdhëniet e reja (shihni 1 Thesalonikasve 1:6).

Çdo anëtar i ri ka nevojë për miqësi, mundësi për të shërbyer dhe ushqim shpirtëror. Si anëtarë të Kishës, ne u japim anëtarëve të rinj dashurinë dhe përkrahjen tonë (shihni te Mosia 18:8–10) Ne i ndihmojmë që të ndiejnë një ndjesi përkatësie në Kishë. Ne i ndihmojmë që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe të “kth[ehen] në besim te Zoti” më thellësisht (Alma 23:6). Ne i ndihmojmë të “ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë, … duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit” (Moroni 6:4).

Ne mund t’i ndihmojmë gjithashtu anëtarët e rinj:

  • Të mësojnë dhe përjetojnë gëzimin e të qenit një dishepull i Jezu Krishtit.

  • Të mësojnë se si t’i dallojnë nxitjet nga Shpirti.

  • Të zhvillojnë një zakon të lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta në mënyrë vetjake dhe familjare.

  • Ta shpërndajnë ungjillin te familja dhe miqtë e tyre.

  • Të gjejnë emrat e paraardhësve dhe të përgatiten për të marrë ordinancat e tempullit për ta.

  • Të rriten nëpërmjet përmbushjes së detyrave në Kishë dhe pjesëmarrjes në shumë mundësi të tjera që ofron Kisha.

23.3

Forcimi i Anëtarëve të Kthyer në Aktivitet

Disa anëtarë zgjedhin që të mos marrin më pjesë në Kishë. “Pasi të tillëve”, tha Shpëtimtari, “ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre” (3 Nefi 18:32). Këto fjalë gjejnë zbatim për të gjithë, të cilëve për çfarëdo arsye, u nevojitet dhënie shërbese e vazhdueshme.

Anëtarët që nuk po marrin pjesë plotësisht kanë më shumë gjasa të kthehen nëse kanë marrëdhënie të forta me anëtarët e Kishës. Dashuria dhe përkrahja jonë mund t’i ndihmojnë që t’i kapërcejnë sfidat. Ashtu si anëtarët e rinj, ata kanë nevojë për miqësi, mundësi për të shërbyer dhe ushqim shpirtëror. Të kuptuarit e rrethanave dhe sfidave të tyre mund të na ndihmojë që t’u japim shërbesë me ndjeshmëri dhe dashuri.

23.4

Udhëheqësit e Kunjit

23.4.1

Presidenca e Kunjit

Presidenti i kunjit mban çelësat në kunj për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet. Ai dhe këshilltarët e tij japin drejtimin e përgjithshëm për këto përpjekje. Ai sigurohet që kjo punë të diskutohet rregullisht në mbledhjet e kunjit.

Zakonisht çdo muaj, presidenti i kunjit takohet me presidentin e misionit për të bashkërenduar përpjekjet ndërmjet udhëheqësve të kunjit dhe lagjeve dhe misionarëve kohëplotë. Të tjerë që mund të marrin pjesë përfshijnë:

  • Këshilltarët në presidencat e kunjit dhe misionit.

  • Këshilltarët e lartë të caktuar.

  • Presidentja e Shoqatës së Ndihmës të kunjit.

  • Misionarë të caktuar nga presidenti i misionit.

23.4.2

Komiteti i Kunjit i Udhëheqjes së Personave në Moshë Madhore

Komiteti i kunjit i udhëheqjes së personave në moshë madhore përfshin:

  • Presidencën e kunjit.

  • Presidencën e Shoqatës së Ndihmës të kunjit.

  • Këshilltarët e lartë të caktuar për të punuar me kuorumet e pleqve.

Këta udhëheqës i udhëzojnë dhe përkrahin presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës në lagje në punën e shpërndarjes së ungjillit dhe forcimit të anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet (shihni 23.5.2). Udhëzimi mund të ndodhë në një mjedis grupi ose individual. Udhëheqësit e misionit të lagjeve mund të ftohen që ta pranojnë këtë udhëzim.

Për më shumë informacion rreth mbledhjeve të këtij komiteti, shihni 29.3.9.

23.4.3

Këshilltarët e Lartë

Presidenca e kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë për të udhëzuar dhe përkrahur presidencat e kuorumeve të pleqve dhe udhëheqësit e misioneve të lagjeve. Një ose më shumë këshilltarë të lartë mund të caktohen për t’i udhëhequr këto përpjekje. Sidoqoftë, të gjithë këshilltarët e lartë i kanë këto përgjegjësi për lagjet dhe kuorumet në të cilat janë caktuar.

23.4.4

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të Kunjit

Nën drejtimin e presidentit të kunjit, presidenca e Shoqatës së Ndihmës të kunjit udhëzon dhe përkrah presidencat e Shoqatave të Ndihmës të lagjeve në përgjegjësitë e tyre për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet.

Pamja
fqinj duke biseduar

23.5

Udhëheqësit e Lagjes

23.5.1

Peshkopata

Peshkopata bashkërendohet me presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave së Ndihmës ndërsa udhëheqin përpjekjet e lagjes në shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet. Këta udhëheqës këshillohen së bashku rregullisht.

Peshkopata sigurohet që këto përpjekje të diskutohen dhe të bashkërendohen në mbledhjet e këshillit të lagjes dhe mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë. Peshkopata gjithashtu shqyrton dhe miraton planin e lagjes për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet (shihni 23.5.6).

Peshkopata këshillohet me presidentin e kunjit për të përcaktuar nëse duhet thirrur një udhëheqës i misionit të lagjes (shihni 23.5.3 për më shumë informacion).

Peshkopi interviston anëtarët e rinj që janë në moshë të përshtatshme, për një rekomandim tempulli për të kryer pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës (shihni 26.4.2). Ai gjithashtu interviston vëllezërit në moshën e përshtatshme për të marrë Priftërinë Aarone (shihni 38.2.9.1). Ai zakonisht i kryen këto intervista brenda një jave nga konfirmimi i anëtarit.

Peshkopata bashkërendohet me udhëheqës të tjerë për t’u siguruar që anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet të kenë mundësi për të shërbyer. Mundësi të tilla mund t’i ndihmojnë këta anëtarë të rriten shpirtërisht dhe të ndiejnë fuqinë e Zotit në jetën e tyre. Shërbimi gjithashtu mund t’i ndihmojë anëtarët të ndiejnë gëzim dhe të krijojnë marrëdhënie të ngushta me të tjerët në lagje. Këto mundësi duhet të bazohen te nevojat dhe aftësitë e anëtarit. Në disa raste, një thirrje është e përshtatshme. Në të tjerat, një detyrë më pak formale është më mirë.

23.5.2

Presidencat e Kuorumit të Pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës

Presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës udhëheqin përpjekjet e përditshme të lagjes për të shpërndarë ungjillin dhe për të forcuar anëtarët e rinj dhe ata të kthyer në aktivitet (shihni 8.2.3 dhe 9.2.3). Presidenca e kuorumit të pleqve i udhëheq këto përpjekje për anëtarët e kuorumit të pleqve. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës i udhëheq përpjekjet për anëtaret e Shoqatës së Ndihmës. Ata punojnë së bashku për t’i udhëhequr këto përpjekje me këshillin e lagjes, nën bashkërendimin e peshkopit.

Këta udhëheqës kanë përgjegjësitë vijuese:

  • Ndihmojnë për t’i frymëzuar anëtarët që t’i duan fëmijët e Perëndisë, ta shpërndajnë ungjillin dhe t’i ftojnë të tjerët të marrin bekimet e Shpëtimtarit (shihni 23.1).

  • Këshillohen me anëtarët e kuorumit ose anëtaret e Shoqatës së Ndihmës për mënyrën se si ta shpërndajnë ungjillin. Diskutojnë se si të gjejnë njerëz për misionarët që t’u japin mësim dhe se si t’i përkrahin njerëzit të cilëve po u jepet mësim. Këshillohen së bashku për nevojat e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet dhe se si të japin përkrahje.

  • Caktojnë vëllezër dhe motra shërbestare tek anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet (shihni 21.2.1). Vëllezërit dhe motrat shërbestare mund t’u caktohen gjithashtu njerëzve të cilët po marrin mësimet nga misionarët (kjo bëhet në bashkërendim me misionarët). Nëse është e mundur, udhëheqësit caktojnë anëtarë që kanë ose mund të zhvillojnë miqësi të ngushtë me këta individë. Udhëheqësit i nxitin vëllezërit dhe motrat shërbestare të japin dashuri dhe përkrahje si të Krishtit.

  • U japin anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet mundësi që të shërbejnë si motra ose vëllezër shërbestarë. Për më shumë informacion rreth dhënies së shërbesës, shihni kapitullin 21.

  • E ndihmojnë këshillin e lagjes që të zhvillojë një plan për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet (shihni 23.5.6).

  • Udhëheqin punën e udhëheqësit të misionit të lagjes. Nëse ky udhëheqës nuk thirret, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol (shihni 23.5.3).

Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës caktojnë një anëtar/e të presidencës për të ndihmuar për udhëheqjen e këtyre përpjekjeve. Anëtarët e këtyre dy presidencave punojnë së bashku. Ata i frekuentojnë mbledhjet e bashkërendimit çdo javë (shihni 23.5.7).

23.5.3

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Udhëheqësi i Misionit i Lagjes

Peshkopata këshillohet me presidentin e kunjit për të përcaktuar nëse duhet thirrur një udhëheqës i misionit i lagjes. Nëse ata vendosin ta japin këtë thirrje, peshkopata këshillohet me presidentin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës për të përcaktuar se kë të thërrasin. Ky person duhet të jetë një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Nëse ky udhëheqës nuk thirret, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol.

Udhëheqësi i misionit të lagjes përkrah presidencën e kuorumit të pleqve dhe presidencën e Shoqatës së Ndihmës në përgjegjësitë e tyre misionare. Ai gjithashtu ka përgjegjësitë vijuese:

  • Të bashkërendojë punën e anëtarëve dhe udhëheqësve të lagjes, misionarëve të lagjes dhe misionarëve kohëplotë. Kjo mund të përfshijë bashkërendimin e përpjekjeve për mësimdhënie, shërbesat e pagëzimit dhe përpjekjet për të forcuar anëtarët e rinj. Mund të përfshijë gjithashtu planifikimin e mënyrave për t’i ndihmuar anëtarët e lagjes ta shpërndajnë ungjillin.

  • Të dhëheqë mbledhjet e bashkërendimit çdo javë (shihni 23.5.7).

  • Të frekuentojë mbledhjet e këshillit të lagjes kur ftohet.

  • Të ndihmojë këshillin e lagjes që të zhvillojë dhe të zbatojë një plan lagjeje për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet (shihni 23.5.6).

  • Atje ku lejohet, të organizojë që misionarët kohëplotë të hanë vakte me anëtarët. Të kërkojë për mundësi që misionarët të hanë me familje pjesërisht anëtare dhe më pak aktive, nëse është e mundur. T’i nxitë ata t’u japin këtyre familjeve një mesazh për ungjillin.

  • Të punojë me udhëheqësin dhe këshilluesit e lagjes për tempullin dhe historinë familjare për t’i ndihmuar ata që po mësojnë për ungjillin, anëtarët e rinj dhe anëtarët e kthyer në aktivitet që të përfshihen në punën e tempullit dhe për historinë familjare.

23.5.4

Misionarët e Lagjes

Misionarët e lagjes i ndihmojnë anëtarët e lagjes të përjetojnë gëzimin e shpërndarjes së ungjillit siç përshkruhet te 23.1. Ata shërbejnë nën drejtimin e udhëheqësit të misionit të lagjes ose anëtarit të presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol. Presidentët e kuorumit të pleqve dhe presidentet e Shoqatës së Ndihmës mund të sugjerojnë anëtarë që mund të shërbejnë.

Misionarët e lagjes japin mësim me anë të fjalës dhe shembullit se si t’i duan të tjerët, të tregojnë besimin e tyre dhe t’i ftojnë të tjerët të marrin bekimet e ungjillit. Ata gjithashtu i ndihmojnë anëtarët e lagjes t’u japin shërbesë anëtarëve të rinj të dhe të kthyer në aktivitet.

Misionarët e lagjes marrin pjesë në mbledhjet e bashkërendimit çdo javë (shihni 23.5.7).

23.5.5

Këshilli i Lagjes dhe Këshilli i Lagjes për Rininë

Shpërndarja e ungjillit dhe forcimi i anëtarëve të rinj dhe atyre të kthyer në aktivitet duhet të diskutohen rregullisht në mbledhjet e këshillit të lagjes. Peshkopi mund t’i kërkojë presidentit të kuorumit të pleqve ose presidentes së Shoqatës së Ndihmës t’i drejtojë këto diskutime, të cilat duhet të përqendrohen tek individët. Peshkopi mund ta ftojë udhëheqësin e misionit të lagjes që të frekuentojë mbledhjet e këshillit të lagjes.

Këshilli mund të diskutojë planin e lagjes për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet. Ata gjithashtu diskutojnë për detyrat që nevojitet të bashkërendohen nëpër organizata. Formularë si ata që vijojnë mund të ndihmojnë në këto diskutime:

  • Dokumenti i Përparimit të Misionarit. Misionarët kohëplotë e përdorin këtë formular për të raportuar përparimin e njerëzve të cilëve po u japin mësim. Ky formular i ndihmon misionarët dhe anëtarët të bashkërendojnë punën e tyre. Në zonat ku misionarët përdorin programin Libri i Planifikimit Zonal, ky formular është në dispozicion për udhëheqësit e lagjes te Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (BUN) [LCR] dhe te programi Member Tools [Mjetet e Anëtarit]. Në zona të tjera, misionarët kohëplotë përdorin një kopje në letër.

  • Përparimi i Anëtarit të Ri dhe të Kthyer në Aktivitet. Udhëheqësit e lagjes e përdorin këtë formular për të planifikuar mënyra se si t’i ndihmojnë anëtarët të përparojnë shpirtërisht. Ai është në dispozicion në BUN.

Për më shumë rreth këshillit të lagjes, shihni 29.2.5.

Gjatë diskutimit për nevojat e rinisë në lagje, këshilli i lagjes për rininë u kushton vëmendje të veçantë anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet dhe të rinjve e të rejave që marrin mësimet nga misionarët. Këshilli diskuton gjithashtu për mënyrat se si të rinjtë e të rejat mund të marrin pjesë në planin e lagjes për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet. Për më shumë rreth këshillit të lagjes për rininë, shihni 29.2.6.

23.5.6

Plani i Lagjes për Shpërndarjen e Ungjillit dhe Forcimin e Anëtarëve të Rinj dhe të Kthyer në Aktivitet

Çdo lagje duhet të ketë një plan të thjeshtë për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet. Ky plan mund të ndihmojë në udhëheqjen e mbledhjeve, shërbimeve dhe aktiviteteve. Ky plan mund të përfshijë plane dhe ide për:

  • T’i ndihmuar të gjithë të ndihen të mirëpritur në mbledhjet dhe aktivitetet e lagjes.

  • T’i ndihmuar anëtarët të provojnë gëzimin e shpërndarjes së ungjillit.

  • T’i përkrahur njerëzit të cilëve po u jepet mësim nga misionarët.

  • T’i ndihmuar anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet që të përparojnë shpirtërisht.

Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës e ndihmojnë këshillin e lagjes që të krijojë planin. U vjen në ndihmë edhe udhëheqësi i misionit të lagjes. Peshkopi e shqyrton dhe e miraton atë.

Anëtarët e këshillit të lagjes marrin në dorë zbatimin e planit. Ata raportojnë lidhur me përparimin në mbledhjet e këshillit të lagjes. Ata gjithashtu e përditësojnë planin sipas nevojës.

23.5.7

Mbledhjet e Bashkërendimit

Çdo javë, zhvillohen mbledhje të shkurtra joformale për të bashkërenduar përpjekjet për të shpërndarë ungjillin dhe për të forcuar anëtarët e rinj dhe të kthyer në aktivitet. Nëse thirret një udhëheqës i misionit të lagjes, është ai që i drejton këto mbledhje. Përndryshe i drejton anëtari i presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol.

Njerëz të tjerë që ftohen, përfshijnë:

  • Anëtarë/e të caktuar/a të presidencave të Shoqatës së Ndihmës dhe kuorumit të pleqve.

  • Misionarët e lagjes.

  • Një ndihmës në kuorumin e priftërinjve (ose presidenti i kuorumit të mësuesve apo dhjakëve nëse nuk ka priftërinj në lagje).

  • Një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe të Të Rejave.

  • Misionarët kohëplotë.

Ata mund të diskutojnë për:

  • Zbatimin e planit të lagjes për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe të kthyer në aktivitet. Ata e bashkërendojnë këtë plan me planet dhe synimet e misionarëve kohëplotë.

  • Detyrat e dhëna në takimet e mëparshme.

  • Si t’i përkrahin ata që po marrin mësimet nga misionarët.

  • Planet për shërbesat e ardhshme të pagëzimit dhe të ftuarit e anëtarëve për të marrë pjesë në to.

Këto mbledhje mund të zhvillohen me prani fizike ose në distancë. Bashkërendimi mund të ndodhë edhe në mënyra të tjera, duke përfshirë telefonatat, mesazhet me celular dhe me postë elektronike.