Mësimi i Gjuhës Angleze
Pyetje që Bëhen Rëndom


“Pyetje që Bëhen Rëndom”, Programi EnglishConnect për Mësuesit (2023)

“Pyetje që Bëhen Rëndom”, Programi EnglishConnect për Mësuesit

Pyetje që Bëhen Rëndom

Më poshtë janë disa pyetje të zakonshme rreth programit EnglishConnect. Në faqen englishconnect.org/help mund të gjenden pyetje shtesë që bëhen rëndom për nxënësit, mësuesit dhe udhëheqësit.

A duhet të kem përvojë mësimdhënieje për të qenë një mësues i programit EnglishConnect?

Si t’u jap mësim nxënësve nëse nuk e di gjuhën e tyre?

A mund të flasim gjuhën amtare gjatë grupit të bashkëbisedimit?

Si t’i jap mësim një grupi shumëgjuhësh?

Si t’i ndihmoj nxënësit ta ushtrojnë anglishten çdo ditë?

Si ta organizoj një grup të programit EnglishConnect?

Sa zgjat mbledhja e një grupi të programit EnglishConnect?

Sa shpesh duhet të mblidhet grupi im?

A mund të jap më shumë se një mësim në një mbledhje të grupit?

Si ta di se me cilin nivel të programit EnglishConnnect duhet të bashkohet një nxënës?

Çfarë është programi EnglishConnect 3?

Si ta ndihmoj një nxënës që i bashkohet një grupi që tashmë është në zhvillim e sipër?

Po nëse një nxënës mungon në një mbledhje të grupit ose nuk vjen më?

Si t’i përkrah nxënësit që po mësojnë me një ritëm më të ngadaltë se të tjerët në grup?

Si t’i përkrah nxënësit që po mësojnë me një ritëm më të shpejtë?

Si t’i përkrah nxënësit që kanë aftësi të ndryshme të të folurit në anglisht?

Çfarë të bëj në rastet kur një nxënës bën pyetje rreth gramatikës?

A duhet ta korrigjoj shqiptimin?

Si ta regjistroj dhe administroj grupin tim të programit EnglishConnect?

Si i marrin nxënësit certifikatat e programit EnglishConnect?

A duhet të kem përvojë mësimdhënieje për të qenë një mësues i programit EnglishConnect?

Ju nuk keni nevojë për përvojë mësimdhënieje për të qenë një mësues/e i/e programit EnglishConnect. Ndoshta nuk keni dhënë asnjëherë më parë anglisht dhe nuk ndiheni të sigurt se si të filloni. Është normale. Mësimet e programit EnglishConnect janë hartuar me kujdes dhe maturi duke përdorur parimet e mësimdhënies së gjuhës dhe parimet shpirtërore për t’ju ndihmuar të jeni të suksesshëm. Nuk është nevoja të jeni ekspert/e. Nuk ka pse ta dini përgjigjen e çdo pyetjeje. Roli juaj është të lehtësoni zhvillimin e gjuhës duke ofruar mundësi për ushtrim. Nuk ju duhet ta jepni mësim gramatikën ose ta kuptoni çdo gjë rreth gjuhës angleze. Përkundrazi, përqendrohuni te krijimi i një mjedisi ku nxënësit ndihen rehat për të folur anglisht dhe për të mësuar nga gabimet e tyre.

Si t’u jap mësim nxënësve nëse nuk e di gjuhën e tyre?

Dhënia mësim e gjuhës angleze duke përdorur vetëm atë gjuhë është shumë e zakonshme në mbarë botën. Në fakt, ky mund të jetë një bekim, sepse e rrit sasinë e anglishtes që nxënësit dëgjojnë dhe përdorin. Mos harroni që të flisni një anglishte të thjeshtë. Përdorni ilustrime pamore, gjeste me duar dhe gjuhën e trupit për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë fjalët dhe modelet e reja të fjalorit. Mund të shfaqni një fotografi, të vizatoni një figurë ose të aktroni. Ju mund t’i drejtoni nxënësit te burimet e përkthyera në EnglishConnect 1 për Nxënësit ose EnglishConnect 2 për Nxënësit, ose mund të përdorni një fjalor në internet. Kjo gjithashtu do t’u mësojë nxënësve se si të përdorin burimet në dispozicion për të gjetur përgjigjet. Shmangini shpjegimet e gjata. Në vend të tyre, thjesht tregojuni nxënësve se çfarë të bëjnë duke e demonstruar.

Mbani mend se jeni duke mësuar bashkërisht. Ftojini rregullisht nxënësit t’i drejtohen Zotit për përkrahje. Duke qenë mësuesi/ja i/e tyre, ju mund të jeni një shembull besimi dhe përpjekjeje. Të folurit anglisht me nxënësit është një akt besimi. Zoti do t’ju bekojë ju dhe nxënësit ndërsa veproni me besim për të folur anglisht.

A mund të flasim gjuhën amtare gjatë grupit të bashkëbisedimit?

Ju do t’i ndihmoni më shumë nxënësit kur përqendroheni tek të folurit anglisht gjatë gjithë grupit të bashkëbisedimit. Ju mund ta bëni këtë duke dhënë shembullin tuaj. Bëni më të mirën tuaj për të folur vetëm anglisht. Përdorni fjalë të thjeshta dhe fjali të shkurtra. Flisni me ngadalë dhe përsëritini frazat shpesh. Shkruajini fjalët dhe frazat kyç në tabelë. Ju mund të përdorni një ilustrim pamor, të vizatoni një figurë ose të aktroni. Shmangini shpjegimet e gjata dhe përkthimin e çdo gjëje që thoni. Nëse duhet të përdorni gjuhën amtare, fillimisht kërkoni leje dhe përdoreni gjuhën amtare sa më pak të jetë e mundur dhe pastaj rikthejuni anglishtes. Nxitini nxënësit të flasin sa më shumë anglisht të munden dhe të mos kenë frikë se bëjnë gabime. Ndihmojini ata të përjetojnë sukses dhe lavdërojeni çdo përpjekje. Nëse nxënësit kanë nevojë për më shumë ndihmë, drejtojini te manualet e nxënësit, ku mund ta gjejnë materialin në gjuhët e tyre amtare. Ndërsa përqendroheni te ndihma ndaj nxënësve që të mësojnë duke vepruar, do të keni më pak nevojë për ta përdorur gjuhën amtare.

Si t’i jap mësim një grupi shumëgjuhësh?

T’i jepni mësim një grupi shumëgjuhësh është një mundësi e mrekullueshme për të nxitur të folurit anglisht, sepse anglishtja është gjuha e përbashkët në grup. Si mësues/e, përdorni variantin e anglishtes në manualin e nxënësit. Ndihmojini nxënësit të përdorin manualin e nxënësit në gjuhën e tyre amtare, nëse është në dispozicion, në mënyrë që të marrin dobi nga përkthimet. Nëse është e mundur, ndajini nxënësit në grupe të vogla për të diskutuar parimin e të mësuarit në gjuhët e tyre amtare, por sigurohuni që askush të mos lihet pa përfshirë. Nëse ka vetëm një folës të një gjuhe të caktuar në grup, vëreni atë grup ta diskutojë parimin e të mësuarit në një anglishte të thjeshtë në mënyrë që të përfshihen të gjithë.

Si t’i ndihmoj nxënësit ta ushtrojnë anglishten çdo ditë?

Për të mësuar anglisht, nxënësit duhet të zhvillojnë zakonin e të ushtruarit çdo ditë. Nxitini nxënësit ta krijojnë këtë zakon duke gjetur mënyra të thjeshta për ta përfshirë anglishten në veprimtaritë e tyre të përditshme (shihni pjesën “Ushtrimi i Përditshëm”). Për shembull, nxënësit mund të zgjedhin të shohin shfaqje televizive ose të dëgjojnë muzikë në anglisht. Ju mund t’i nxitni nxënësit të përdorin listën e ideve për ta përmirësuar studimin e përditshëm që gjendet pas pjesës “Personal Study Tracker” [“Gjurmuesi i Studimit Vetjak”] te parathënia e manualit të nxënësit. Përdoreni këtë listë për t’i frymëzuar nxënësit të gjejnë mënyra krijuese dhe kuptimplota për t’u ushtruar çdo ditë.

Gjatë mbledhjes së grupit, ftojini nxënësit ta studiojnë dhe ushtrojnë anglishten çdo ditë dhe të ndjekin ecurinë e përpjekjeve të tyre. Ju mund t’u kërkoni disa nxënësve të tregojnë gjërat e caktuara që bënë për ushtrimin e përditshëm. Ju mund të merrni parasysh krijimin e një hapësire virtuale, të tillë si bashkëbisedimi në internet si grup, për nxënësit e grupit. Këshillohuni me udhëheqësit tuaj për të gjetur mënyra të përshtatshme për ta ndihmuar grupin të qëndrojë i lidhur gjatë javës nëpërmjet mesazheve në grup ose mënyrave të tjera. Ju mund t’i përkrahni nxënësit ndërsa punojnë për të arritur synimet e tyre, por kujtoni se ata janë në fund të fundit përgjegjës për të mësuarit e tyre vetjak.

Si ta organizoj një grup të programit EnglishConnect?

Këshillohuni me udhëheqjen vendore të Kishës për të marrë vendime rreth organizimit dhe drejtimit të grupeve të programit EnglishConnect. Në rrethana ideale, dy mësues në moshë madhore caktohen për secilin grup. Merrni parasysh nevojat e nxënësve dhe kapacitetin vendor ndërsa bëni zgjedhje rreth vendndodhjes, orarit dhe ritmit.

Sa zgjat mbledhja e një grupi të programit EnglishConnect?

Mësimet e programit EnglishConnect mund të shkojnë nga 60 deri në 90 minuta. Zbatojini kufijtë kohorë të renditur për çdo veprimtari. Mos hiqni asnjë veprimtari; thjesht përdorni kohën minimale të sugjeruar për një mbledhje më të shkurtër të grupit dhe përdorni kohën më të gjatë të sugjeruar nëse e lejon koha.

Shënim: Këshillohuni me ata që po e mbikëqyrin programin, dhe merrni parasysh nevojat e nxënësve dhe kapacitetin vendor ndërsa merrni këto vendime.

Sa shpesh duhet të mblidhet grupi im?

Në përgjithësi, grupet mblidhen një herë në javë. Nëse dëshirohet, grupet mund të mblidhen më shpesh. Në mënyrë që mbledhjet e grupit të jenë më të efektshme, nxënësit duhet të kenë kohë të mjaftueshme midis mbledhjeve për të përfunduar pjesën “Personal Study” [“Studimi Vetjak”].

Programet EnglishConnect 1 dhe 2 kanë secili nga 25 mësime. Nëse grupet mblidhen një herë në javë, do të duhen gjashtë muaj për ta përfunduar një nivel. Nëse grupet mblidhen dy herë në javë, do të duhen tre muaj. Nëse dëshironi, mund ta ndani programin në sesione ose module më të vogla. Për shembull, ju mund të zgjidhni të filloni një grup që do të mblidhet vetëm tre muaj një herë në javë për të përfunduar njësitë 1 deri në 3. Përdorimi i kësaj qasjeje mund t’i ndihmojë nxënësit të qëndrojnë të zotuar.

Shënim: Kur planifikoni një mbledhje të grupit që nuk fillon me njësinë 1, merrni parasysh ta filloni programin e mësimit të grupit tuaj me mësimin 1. Kjo do të ndihmojë për t’i orientuar nxënësit te mënyra se si ta përdorin manualin. Këshillohuni me ata që po e mbikëqyrin programin, dhe merrni parasysh nevojat e nxënësve dhe kapacitetin vendor ndërsa merrni këto vendime.

A mund të jap më shumë se një mësim në një mbledhje të grupit?

Nëse dëshirohet, grupet mund të trajtojnë më shumë se një mësim gjatë një mbledhjeje të grupit. Në mënyrë që mbledhjet e grupit të jenë më të efektshme, nxënësit duhet të kenë kohë të mjaftueshme përpara mbledhjes së grupit që të përfundojnë pjesën “Personal Study” [“Studimi Vetjak”] për çdo mësim.

Shihni pyetjen “Sa shpesh duhet të mblidhet grupi im?” për më shumë informacion mbi programin dhe ritmin e mësimit.

Si ta di se me cilin nivel të programit EnglishConnnect duhet të bashkohet një nxënës?

Për programin EnglishConnect 1 duhet aftësi për të shkruar e lexuar në gjuhën amtare të personit dhe aftësi për të lexuar alfabetin në anglisht dhe fjalë bazë në anglisht. Programi EnglishConnect 2 është për nxënës që mund të thonë fjali bazë dhe t’u përgjigjen pyetjeve bazë në anglisht. Për të vendosur nëse një nxënës duhet t’i bashkohet programit EnglishConnect 1 ose EnglishConnect 2, ju mund të përdorni intervistën për aftësitë me gojë në Shtojcën B.

Programi EnglishConnect 3 është një kurs i nivelit mesatar që i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësitë akademike të gjuhës angleze. Për t’iu bashkuar programit EnglishConnect 3, nxënësit duhet të bëjnë kërkesë dhe të arrijnë një rezultat kualifikues në provimin pranues. Nxënësit mund të bëjnë kërkesë në englishconnect.org/join.

Çfarë është programi EnglishConnect 3?

Programi EnglishConnect ka disa nivele për t’i ndihmuar pjesëmarrësit të përparojnë. Nivelet EnglishConnect 1 dhe 2 i ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë aftësitë bazë të gjuhës angleze. Programi EnglishConnect 3 është një kurs i nivelit mesatar që i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësitë akademike të gjuhës angleze. Ai i ndihmon nxënësit të përgatiten për programin UBJ‑Pathway Mbarëbotëror. (Mësoni më shumë për UBJ‑Pathway Mbarëbotëror në byupathway.org.)

Programi EnglishConnect 3 është një kurs me kosto të ulët në internet me mbledhje për bashkëbisedime që zhvillohen virtualisht ose në një shtëpi vendore të mbledhjeve. Programi EnglishConnect 3 përfshin burime për të mësuar në internet me përshtypje të individualizuara në dëgjim, të folur, lexim dhe shkrim. Nxënësit mund të përparojnë në kurs sipas ritmit të tyre. Nxënësit mund ta përsëritin programin EnglishConnect 3 sa herë të dëshirojnë për të përmbushur synimet e tyre. Përfundimi i nivelit EnglishConnect 3 iu lejon nxënësve ta anashkalojnë vlerësimin e gjuhës angleze kur të bëjnë kërkesë për të hyrë në programin UBJ‑Pathway Mbarëbotëror.

Për t’u përgatitur për nivelin EnglishConnect 3, nxënësit duhet të përfundojnë nivelet EnglishConnect 1 dhe 2, duke përfshirë veprimtaritë e fletores së punës, veçanërisht veprimtaritë për lexim dhe shkrim. Nxitini nxënësit e nivelit EnglishConnect 2 të bëjnë kërkesë për nivelin EnglishConnect 3 në englishconnect.org/join.

Programi EnglishConnect 3 ofrohet nëpërmjet programit UBJ‑Pathway Mbarëbotëror në bashkëpunim me udhëheqësit vendorë dhe misionarët me shërbim në Kishë. Udhëheqësit e interesuar mund të punojnë me përgjegjësit për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në zonën e tyre për të ofruar programin EnglishConnect 3 në vendndodhjet e tyre.

Si ta ndihmoj një nxënës që i bashkohet një grupi që tashmë është në zhvillim e sipër?

Mësimet janë hartuar në mënyrë të tillë që nxënësit e rinj të mund t’i bashkohen një grupi të programit EnglishConnect në çdo kohë. Nëse nxënësit dëshirojnë të bashkohen me grupet pasi ata tashmë kanë filluar, mirëpritini ata, sigurojuni atyre manualin EnglishConnect 1 për Nxënësit ose EnglishConnect 2 për Nxënësit (ose tregojuni atyre se si të kenë qasje te manuali në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) dhe ndihmojini të marrin pjesë. Ju ose një nxënës tjetër mund t’i ndihmoni nxënësit e rinj të bëhen pjesë e grupit duke u treguar atyre se si të përgatiten për mësimin e radhës. Nxënësit gjithashtu mund të zgjedhin ta përsëritin një nivel nëse u nevojitet për më tepër ushtrim.

Po nëse një nxënës mungon në një mbledhje të grupit ose nuk vjen më?

Ndonjëherë nxënësit kanë sfida që e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen në grup, dhe shpesh ngurrojnë të rikthehen për shkak të sikletit ose frikës. Ata mund të hamendësojnë se kanë humbur shumë dhe nuk mund ta kapin ritmin. Kontaktojini dhe ftojini nxënësit që mungojnë, të vijnë në mësimin e radhës, pavarësisht se sa shumë kanë humbur nga mësimi. Ofroni përkrahje dhe inkurajim. Sigurojini ata që programi EnglishConnect është hartuar në mënyrë të tillë që nxënësit të mund t’i ribashkohen në çdo kohë. Nxënësit mund t’i fillojnë sërish mësimet duke marrë pjesë në grup dhe duke u përgatitur për mësimin e radhës. Merrni parasysh të ftoni një ose më shumë anëtarë të grupit që të vihen në kontakt me nxënësin që mungon, dhe të shprehin përkrahje.

Shënim: Mos e jepni informacionin e kontaktit të një personi pa lejen me shkrim të tij ose të saj.

Si t’i përkrah nxënësit që po mësojnë me një ritëm më të ngadaltë se të tjerët në grup?

Disa nxënësve u duhet më tepër kohë për ta kuptuar dhe folur një gjuhë. Këta nxënës do të marrin më shumë dobi nga përfundimi i pjesës “Personal Study” [“Studimi Vetjak”] përpara se të marrin pjesë në çdo grup bashkëbisedimi. Ftojini ata t’i ushtrojnë fjalorin dhe modelet e fjalive përpara se të mblidhet grupi. Gjatë mësimit, caktojini në dyshe këta nxënës me nxënës të tjerë që mund të japin inkurajim dhe përkrahje. Nxitini të gjithë nxënësit që të bëjnë sa më shumë të munden dhe t’i pranojnë gabimet si pjesë të procesit të të mësuarit. Ju gjithashtu mund të zgjidhni që t’i shqyrtoni dhe përsëritni veprimtaritë. Kujtojuni të gjithë nxënësve se përfundimi i pjesës “Personal Study” [“Studimi Vetjak”] para se të marrin pjesë në grupin tjetër të bashkëbisedimit, është jetik për përparimin e tyre.

Si t’i përkrah nxënësit që po mësojnë me një ritëm më të shpejtë?

Ndërsa angazhoheni me nxënësit, mund të vini re se disa e kuptojnë mirë dhe janë të aftë t’i kryejnë pa problem veprimtaritë e ushtrimit. Merrni parasysh t’i sfidoni këta nxënës që ta thellojnë të mësuarit e tyre duke përfshirë më shumë hollësi ose duke bërë të njëjtën veprimtari në një kontekst tjetër. Për shembull, kur nxënësit ushtrohen për të takuar dikë, kërkojuni atyre të ushtrohen për të takuar një mik të ri ose një shef të ri. Këta nxënës gjithashtu mund t’i përforcojnë njohuritë e tyre mbi anglishten duke i përkrahur nxënësit që po mësojnë me një ritëm më të ngadaltë. Të gjithë nxënësit mund të marrin dobi nga mësimdhënia ndaj një bashkëmoshatari dhe ndihma ndaj të tjerëve që të ushtrojnë fjalorin dhe modelet në anglisht.

Si t’i përkrah nxënësit që kanë aftësi të ndryshme të të folurit në anglisht?

Të kesh nxënës me nivele të ndryshme aftësie të të folurit në anglisht është e natyrshme dhe është një mundësi për ta ndihmuar njëri‑tjetrin. Ndihma ndaj njëri‑tjetrit mund të kultivojë shoqërim dhe rritje. Çdokush ka diçka për të ofruar. Për shembull, disa nxënës mund të jenë në gjendje t’i ndihmojnë të tjerët të ndiejnë vetëbesim, sepse janë të gatshëm të bëjnë gabime. Caktojini në dyshe nxënësit në mënyra të ndryshme. Ju mund t’i caktoni nxënësit në dyshe me dikë me një nivel të ngjashëm për t’i ndihmuar ata t’i shtrijnë më tej aftësitë e tyre së bashku. Ose mund t’i caktoni nxënësit në dyshe me dikë me nivel tjetër. Nxënësi me nivel më të ulët do të marrë dobi nga përshtypja dhe përkrahja. Nxënësi me nivel më të lartë do të marrë dobi nga mësimdhënia ndaj një bashkëmoshatari dhe shpjegimi në anglisht. Kujtoni se pasja e një grupi me aftësi të ndryshme komunikimi në anglisht është diçka normale dhe mund të jetë një mundësi e mrekullueshme që nxënësit të marrin dobi nga ndihma ndaj njëri‑tjetrit.

Çfarë të bëj në rastet kur një nxënës bën pyetje rreth gramatikës?

Në vend që të jepni udhëzime të gjata gramatikore ose të shpenzoni shumë kohë duke folur për rregullat, drejtojini nxënësit përsëri te modelet. Nxënësit do të shmangin shumë gabime duke ndjekur modelet. Është më e efektshme të mësojnë duke e ushtruar gjuhën në vend që të flasin rreth gjuhës. Çdo shpjegim rreth gramatikës duhet të jetë i thjeshtë, i përmbledhur dhe i zbatueshëm. Nëse jepni mësim një parim, jepni shembuj fjalish dhe ftojini nxënësit të ushtrohen duke e zbatuar parimin. Nxënësit marrin më shumë dobi nga të dëgjuarit dhe ushtrimi i anglishtes.

A duhet ta korrigjoj shqiptimin?

Mos shpenzoni shumë kohë duke korrigjuar shqiptimin. Kujtojuni nxënësve se të të kuptojnë është më e rëndësishme sesa të kesh një shqiptim të përsosur. Nxitini nxënësit ta ushtrojnë shqiptimin gjatë studimit të tyre vetjak, në mënyrë që të mund të ushtrohen me ritmin e tyre. Mbani në mendje se nëse nxënësit janë tepër të shqetësuar rreth shqiptimit të tyre, do të jenë ngurrues për ta ushtruar bashkëbisedimin. Nxitini nxënësit të përdorin modulet e shqiptimit në internet në englishconnect.org/learner/resources.

Si ta regjistroj dhe administroj grupin tim të programit EnglishConnect?

Përdorni mjetin QuickReg (quickreg.englishconnect.org) për ta regjistruar dhe administruar grupin tuaj të programit EnglishConnect. QuickReg është një mjet regjistrimi në grup i siguruar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Mund ta përdorni mjetin QuickReg për:

  • Të krijuar një grup: Zgjidhni ditën, orën dhe vendndodhjen e grupit tuaj.

  • Të administruar një grup: Shihni informacionin e pjesëmarrësve dhe përditësojeni informacionin e grupit.

  • Të ftuar njerëz që të marrin pjesë: Grupi juaj do të renditet në internet në englishconnect.org/join. Ju mund të shpërndani një hallkë lidhëse për të ftuar njerëz që të regjistrohen për grupin tuaj.

  • Të shpërndarë certifikata: Në fund të grupit tuaj, ju mund të hyni në sistem dhe të shtypni certifikatat.

Si i marrin nxënësit certifikatat e programit EnglishConnect?

Nivelet EnglishConnect 1 dhe 2: Në përfundim të grupit, nxënësit mund të marrin certifikatat e pjesëmarrjes. Certifikatat mund t’i shpërndajnë udhëheqësit, specialistët ose mësuesit. Në disa vende mund të mos miratohet shpërndarja e certifikatave për programin EnglishConnect. Ju lutemi, shqyrtojini kërkesat ligjore vendore para dhënies së certifikatave (shihni tek englishconnect.org/leader/approved-locations).

Shënim: Për të pasur të drejtë hyrjeje dhe për t’i shpërndarë certifikatat, grupi juaj duhet të regjistrohet në mjetin QuickReg në quickreg.englishconnect.org. (Shihni pyetjen “Si ta regjistroj dhe administroj grupin tim të EnglishConnect?” në këtë pjesë të PBR‑ve.)

Niveli EnglishConnect 3: Nxënësit mund të pajisen me certifikatat e përfundimit kur të plotësojnë nivelet e kërkuara në kurs. Përfundimi i nivelit EnglishConnect 3 iu lejon nxënësve ta anashkalojnë vlerësimin e gjuhës angleze kur të bëjnë kërkesë për të hyrë në programin UBJ‑Pathway Mbarëbotëror.