“Mësimi 185 – Ndërtimi i Forcës Emocionale te Zoti: Rritja e Sigurisë Sonë në Ndihmën e Zotit për Sfidat Tona Emocionale”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Ndërtimi i Forcës Emocionale te Zoti”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 185: Shëndeti Fizik dhe Emocional
Ndërtimi i Forcës Emocionale te Zoti
Rritja e Sigurisë Sonë në Ndihmën e Zotit për Sfidat Tona Emocionale
Për shkak se Ati Qiellor na do, Ai e dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na forcuar dhe ngushëlluar gjatë vështirësive të jetës. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndihen të sigurt që Shpëtimtari do t’i përkrahë ata në ndërtimin e ripërtëritjes emocionale.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Situata sfiduese nga ana emocionale
Shënim: Ky material ka për qëllim të jetë një studim i dobishëm rreth ndërtimit të forcës emocionale te Zoti, jo të diagnostikojë ose trajtojë sëmundjet mendore dhe emocionale. Dhe as përvoja në klasë nuk ka për qëllim të jetë ndonjë lloj terapie grupi.
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për këtë mësim, merreni parasysh t’i ftoni ata të mbledhin ide dhe të shkruajnë në tabelë disa situata sfiduese nga ana emocionale me të cilat ata, ose adoleshentë si ata, mund të përballen së shpejti. Disa shembuj mund të përfshijnë të ndierit të përqeshur nga bashkëmoshatarët e tyre, të qenit në një situatë ku ata duhet të ndërveprojnë me njerëz që nuk i njohin, ose kur diçkaje të këndshme i vjen fundi. Kërkojuni nxënësve t’i bëjnë situatat e tyre reale dhe të përshtatshme.
Më pas ftojini nxënësit të bëjnë sa vijon në ditarët e tyre të studimit:
Mendo për një situatë sfiduese nga ana emocionale me të cilën përballesh ose me gjasë do të përballesh së shpejti. Në ditarin tënd të studimit, përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Sa mirë ndien se mund të përgjigjesh ndaj situatave sfiduese nga ana emocionale? Përse?
-
Në një shkallë nga 1 deri në 10 (1 = aspak i sigurt; 10 = jashtë mase i sigurt), sa i sigurt je ti se Shpëtimtari mundet dhe do të të ndihmojë në këto situata? Përse?
Gjatë gjithë mësimit, inkurajojini nxënësit të kërkojnë me lutje të ndihen të sigurt në aftësinë e Shpëtimtarit për t’i ndihmuar në situata sfiduese nga ana emocionale dhe për t’u bërë më të fortë nga ana emocionale.
Ripërtëritja emocionale
Merreni parasysh ta shkruani termin Ripërtëritja Emocionale në tabelë. Pyetini nxënësit se çfarë kuptojnë me këtë. Mund të paraqitni edhe informacionin vijues:
Si pjesë e planit të Atit Qiellor, ne të gjithë përballemi me sfida dhe vështirësi gjatë kësaj jete. Megjithatë, ndërsa drejtohemi te Jezu Krishti dhe mbështetemi në mëshirën dhe hirin e Tij, Ai mund të na ndihmojë të ndërtojmë ripërtëritjen emocionale. Ripërtëritja emocionale është:
-
Aftësia për t’u përshtatur me sfidat emocionale me guxim dhe besim të përqendruar te Jezu Krishti.
-
Të ndihmosh veten dhe të tjerët sa më mirë që të mundesh.
-
Të kërkosh ndihmë të mëtejshme kur është e nevojshme.
Shembulli i Shpëtimtarit
Shpjegoni se, gjatë jetës së Tij të vdekshme, Jezusi përjetoi emocione si brenga ose vuajtje. Mund t’i pyetni nxënësit nëse ju vjen në mendje ndonjë shembull. Për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh t’i rregulloni nxënësit në dyshe dhe t’i ftoni ata ta vizatojnë grafikun vijues në ditarët e tyre. Inkurajojeni secilin partner ta studiojë njërin nga fragmentet e shkrimit të shenjtë të renditur në grafik. Pasi të kenë mbaruar, ftojini ata t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan.
Lexoji fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë duke kërkuar se si u përgjigj Shpëtimtari në secilën situatë. Shëno çdo emocion që Shpëtimtari e shfaqi dhe veprimet që ndërmori Ai.
|
Situatë e vështirë nga ana emocionale |
Si reagoi Shpëtimtari |
|---|---|
Situatë e vështirë nga ana emocionale Gjon Pagëzori u vra nga Herod Antipa. | Si reagoi Shpëtimtari Mateu 14:13–23 |
Situatë e vështirë nga ana emocionale Jezusi udhëtoi për të qenë pranë Martës dhe Maries pas vdekjes së vëllait të tyre Llazarit. | Si reagoi Shpëtimtari Gjoni 11:32–44 |
-
Çfarë mësove apo ndjeve për Jezu Krishtin nga këto rrëfime të shkrimit të shenjtë?
-
Si mund ta ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit gjatë një situate të vështirë nga ana emocionale?
“Megjithatë, ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona”
Shpjegoni se, jo vetëm që Jezu Krishti është shembulli përfundimtar i ripërtëritjes emocionale, por Ai gjithashtu e kupton në mënyrë të përsosur çdo emocion dhe vështirësi të vdekshmi. Nëse është e mundur, paraqitni në tabelë një figurë të Shpëtimtarit duke vuajtur në Gjetseman. Ndërsa nxënësit e bëjnë veprimtarinë vijuese, ftojini ata të shkruajnë fjalë ose fraza kuptimplota nga Isaia 53:3–5 përreth figurës. Mund të vini në dukje se Isaia 53:3–5 është një fragment i zotërimit doktrinor dhe ftojini nxënësit ta shenjojnë atë në shkrimet e tyre të shenjta.
Lexo tek Isaia 53:3–5, duke kërkuar provat që Shpëtimtari i kupton në mënyrë të përsosur vështirësitë tona emocionale.
-
Cilat fjalë ose fraza ishin më domethënëse për ty? Përse?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta dallojnë më mirë aftësinë e Jezusit për t’i kuptuar dhe për t’i ngushëlluar përsosurisht ata, merreni parasysh të shpërndani thënien vijuese:
Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli:
“Përveç sigurimit të dhuratës madhështore të shpëtimit, Shpëtimtari na ofron ndihmë dhe ngushëllim ndërsa përballemi me mundimet, tundimet dhe dobësitë tona të jetës në vdekshmëri. … Unë mund t’ju siguroj se Krishti është gjithnjë i vetëdijshëm për fatkeqësitë që përjetojmë në vdekshmëri. Ai e kupton të gjithë hidhësinë, agoninë dhe dhembjen fizike si dhe sfidat emocionale dhe shpirtërore me të cilat përballemi. Zemra e Shpëtimtarit është e mbushur me mëshirë dhe Ai është gjithnjë i gatshëm të na vijë në ndihmë. Kjo është e mundur pasi Ai e përjetoi Vetë dhe mori mbi Vete në mish dhembjen e dobësive dhe ligështive tona.
Me butësi dhe përulësi të zemrës, Ai zbriti nën gjithçka dhe pranoi që të ishte i përçmuar, i refuzuar dhe i poshtëruar nga njerëzit, duke u plagosur për shkeljet dhe paudhësitë tona. Ai i vuajti këto gjëra për të gjithë, duke marrë mbi Vete mëkatet e botës, duke u bërë kështu kujdestari ynë i fundit shpirtëror.
Ndërsa i afrohemi më shumë Atij, duke iu dorëzuar shpirtërisht kujdesit të Tij, ne do të jemi në gjendje të marrim mbi vete zgjedhën e Tij, e cila është e ëmbël, dhe barrën e Tij, e cila është e lehtë, duke gjetur në këtë mënyrë atë ngushëllim dhe çlodhje të premtuar. Përveç këtyre, ne do të marrim forcën e cila u nevojitet të gjithëve, për të kapërcyer vështirësitë, dobësitë dhe hidhërimet e jetës, të cilat janë tej mase të vështira për t’u duruar pa ndihmën dhe fuqinë e Tij shëruese.” (Ulises Soares, “Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë”, Liahona, maj 2021, f. 83–84)
-
Nga studimi ynë, cilat të vërteta mund të mësojmë rreth Jezu Krishtit dhe aftësisë së Tij për të na ndihmuar?
Shkruajini përgjigjet e nxënësve në tabelë. Një nga të vërtetat që mund të përcaktojnë nxënësit është sa vijon: Jezu Krishti mund të na ngushëllojë dhe forcojë në sfidat tona emocionale për shkak se edhe Ai i ka përjetuar ato.
-
Si mund ta ndihmojë të drejtuarit te Shpëtimtari dhe ndjekja e shembullit të Tij në besim një person që të ndërtojë më tepër ripërtëritje emocionale?
Përfytyrimi i ndihmës së Shpëtimtarit
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë se si ky parim mund t’i ndihmojë ata, mund të jetë e dobishme aftësia vijuese. Bëni sa vijon për të përkufizuar, dhënë shembull të aftësisë dhe për ta ushtruar atë:
-
Përkufizoni aftësinë: Shpjegojuni nxënësve se përfytyrimi se Shpëtimtari është me ne dhe na ndihmon gjatë situatave tona sfiduese nga ana emocionale mund të ftojë ndihmën dhe drejtimin e Tij.
-
Jepni modelin për zotësinë: Mendoni për një situatë sfiduese nga ana emocionale me të cilën jeni përballur ose mund të përballeni në të ardhmen, që do të ishit të gatshëm t’ua tregoni nxënësve. Duke përdorur hapat më poshtë, tregoni se si e përfytyroni Shpëtimtarin me ju, duke ju forcuar dhe se si mund t’iu përgjigjeni disa prej pyetjeve më poshtë. Nëse dëshironi mund ta mendoni me kujdes këtë si një pjesë të përgatitjes së mësimit.
-
Ushtroni: Për t’i ndihmuar nxënësit ta ushtrojnë këtë aftësi, merreni parasysh t’i organizoni ata dhe ta ftoni secilin grup të mendojë për një situatë sfiduese nga ana emocionale për një adoleshent. Pasi të kenë menduar për një skenar ku e gjejnë veten, ftojini ata të bëjnë sa vijon vetë dhe më pas t’ia tregojnë përgjigjet grupit të tyre. Nëse dëshironi mund t’i këshilloni nxënësit lidhur me tregimin e ndonjë gjëje tepër vetjake nga jeta e tyre.
Mbylli sytë dhe përfytyroje Shpëtimtarin e ringjallur me ty gjatë vështirësisë sate. Përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Ku do të ishte Shpëtimtari në lidhje me ty gjatë vështirësisë sate? Çfarë mund të bënte Ai nëse do të ishte me ty?
-
Çfarë mund të mendoje ose ndieje ndërkohë që ishe pranë Jezu Krishtit?
-
Si munden prania, dashuria dhe përkrahja e Tij të të ndihmojnë ta mbash nën kontroll dhe ta kapërcesh stresin tënd emocional?
-
Nga ajo që di rreth Shpëtimtarit, çfarë mund të të thoshte Ai ty? (Nëse dëshiron mund të përdorësh frazat nga shkrimet e shenjta që Ai ua ka thënë të tjerëve.) Çfarë mund të të kërkonte Ai të bëje? Kujt mund të të kërkojë Ai t’i drejtohesh për më shumë ndihmë?
Ftoni grupe të shumta ta tregojnë atë që diskutuan dhe se si ajo mund të ndihmojë. Mund të vini në dukje se për sfida emocionale të rënda ose të zgjatura nxënësit duhet të kërkojnë ndihmë dhe udhërrëfim nga prindërit, udhëheqësit e Kishës dhe profesionistët e licencuar.
Merrini parasysh pyetjet vijuese dhe të tregoni ndjenjat tuaja rreth forcës dhe ngushëllimit në dispozicion nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti:
-
Kur e ke ndier ti ose dikush që ti e njeh ndihmën e Shpëtimtarit gjatë një situate të vështirë nga ana emocionale?
-
Përse mendon se të drejtuarit te Zoti na bën më të ripërtërirë nga ana emocionale?
Për ta përmbyllur, ftojini nxënësit të shkruajnë ndonjë ndjenjë ose mbresë që kanë marrë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe aftësisë së Tyre për t’i ndihmuar ata dhe njerëzit e tyre të dashur të ndërtojnë ripërtëritje emocionale.
Inkurajojini nxënësit të mbështeten te Jezu Krishti për ndihmë dhe forcë gjatë vështirësive dhe pengesave emocionale. Mësimet e ardhshme do të përqendrohen në mënyrat e veçanta se si ata mund të kërkojnë ndihmën e Zotit për mendimet, stresin, ankthin, depresionin e tyre e të tjera.