Dhiata e Vjetër 2022
8–14 Gusht. Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46: “Zoti Është Bariu Im”


“8–14 Gusht. Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46: ‘Zoti Është Bariu Im’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“8–14 Gusht. Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
Jezusi duke ecur me dele

Zoti Është Bariu Im, nga Yongsung Kim, havenlight.com

8–14 Gusht

Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 4046

“Zoti Është Bariu Im”

Ky përvijim sugjeron disa fragmente të bukura te libri i Psalmeve që do t’i bekojnë fëmijët, por mos u ndieni të kufizuar vetëm tek ato. Ndiqni udhërrëfimin e Shpirtit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Pak ditë përpara, ftojini disa fëmijë që të sjellin në klasë vizatime të cilat përfaqësojnë gjëra që ata dhe familjet e tyre i lexojnë te libri i Psalmeve këtë javë, të tilla si një bari (shih Psalmeve 23:1), një kupë (shih Psalmeve 23:5), ose një zemër (shih Psalmeve 24:4). Ftojini të flasin rreth vizatimeve të tyre dhe një vargu nga libri i Psalmeve ku përmenden ato.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Psalmeve 19:1; 33:5

“Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë.”

Psalmeve 19 dhe 33 na mësojnë se ne mund të gjejmë prova të lavdisë dhe mirësisë së Perëndisë kudo përreth nesh në krijimet e Tij të bukura. Ndihmojini fëmijët të mësojnë ta kuptojnë dorën e Perëndisë në botën përreth tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve disa figura të gjërave të bukura që ka krijuar Perëndia, ose së bashku shikoni nga dritarja për t’i parë këto gjëra. Pyetini fëmijët se çfarë u pëlqen shumë nga krijimet e Atit Qiellor. Lexoni ose te Psalmeve 19:1 ose 33:5 dhe pyetini fëmijët se si ndihen ata rreth Atit Qiellor kur i shohin krijimet e Tij.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth krijimeve të Perëndisë, të tillë si “Bota Ësht’ e Bukur” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 123). Ftojini fëmijët të zgjedhin diçka që ka krijuar Perëndia (të tillë si diçka që përmendet te kënga), dhe të bëjnë një vizatim të saj për t’ua treguar familjeve të tyre.

Psalmeve 23

“Zoti është bariu im.”

Nëse fëmijët mund të mësojnë në moshë të vogël se Zoti është bariu i tyre, ata do të kenë më shumë të ngjarë që ta ndjekin Atë “nëpër shtigjet e drejtësisë”.

Veprimtari të Mundshme

  • Jepini secilit fëmijë një kopje të faqes së veprimtarisë së kësaj jave ose jepini secilit prej tyre një figurë nga faqja e veprimtarisë. Ftojini ata të dëgjojnë teksa ju lexoni te Psalmeve 23. Kërkojuni që të tregojnë me gisht ose të ngrenë lart një figurë kur ta dëgjojnë atë të përmendet në psalm. Jepni dëshminë tuaj se Jezusi kujdeset për ne, ashtu siç bariu kujdeset për delet e tij.

  • Tregojuni fëmijëve disa mënyra se si e dini që Shpëtimtari ju do. Ftojini fëmijët të ngrihen në këmbë një e nga një dhe të tregojnë disa mënyra se si e dinë që Jezusi i do ata. Këndoni së bashku një këngë që mund t’u japë atyre ide, të tillë si “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43).

Psalmeve 30:5

Jezu Krishti mund ta kthejë trishtimin në gëzim.

Përsiatni se si do t’i ndihmoni fëmijët që ta fitojnë vetë dëshminë e tyre për gëzimin që na jep Jezu Krishti kur jemi të trishtuar.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të bëjnë sikur po qajnë ndërkohë që ju lexoni prej Psalmeve 30:5: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë”. Pastaj kërkojuni atyre që të jenë të gëzuar ndërsa ju lexoni: “Por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”. Përsëriteni këtë frazë disa herë dhe dëshmojuni fëmijëve se për shkak të Jezu Krishtit, trishtimi që ndiejmë në këtë jetë, mund të zëvendësohet me gëzim.

  • Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe tregojuni fëmijëve disa nga gjërat që Ai ka bërë për ju, të cilat ju sjellin gëzim. Jepini radhën secilit fëmijë që ta ngrejë lart figurën dhe të tregojë se çfarë ka bërë Jezusi që i sjell atij/asaj gëzim.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Psalmeve 23; 27–28; 3246

Zoti më jep paqe, forcë dhe udhërrëfim.

Shumë nga psalmet dëshmojnë për bekimet e Zotit në jetën tonë. Ju mund t’i përdorni psalmet për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë t’i mirëbesojnë Atij dhe të kthehen tek Ai.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë: Zoti është . Lërini fëmijët të zgjedhin që të lexojnë një ose më shumë nga shkrimet e shenjta vijuese: Psalmeve 23:1; 27:1; 28:1; 28:7; 32:7; 46:1. Kërkojuni që ta plotësojnë fjalinë në tabelë duke përdorur atë që mësojnë nga shkrimet e tyre të shenjta. Ndihmojini fëmijët që të diskutojnë se çfarë na mësojnë këto simbole rreth Zotit.

  • Tregojuni fëmijëve një figurë të një qengji. Kërkojuni atyre të përmendin disa gjëra për të cilat një qengj ka nevojë që ai të jetë i sigurt dhe i shëndetshëm dhe nxitini ata të kërkojnë ide te Psalmeve 23:1–4. Pastaj tregoni një fotografi të një fëmije. Për çfarë kemi nevojë ne që të jemi shpirtërisht të sigurt dhe të shëndetshëm? Lexoni së bashku te Psalmeve 23 dhe pyetini fëmijët se si mund të krahasohen gjërat që bën bariu në këtë psalm, me ato që bën Jezu Krishti për ne.

Pamja
Tempulli i Konsepsionit, Kili

Ne duhet të jemi shpirtërisht të pastër dhe të dëlirë për të hyrë në praninë e Zotit.

Psalmeve 24:3–4

Për të hyrë në tempull, ne kemi nevojë të jemi të pastër “nga duart dhe [të] pastër nga zemra”.

Ndërsa fëmijët presin me dëshirë të madhe për të hyrë në tempull një ditë, ndihmojini të kuptojnë se ata mund të përgatiten duke u bërë shpirtërisht të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një fotografi të një tempulli. Ftojini të lexojnë te Psalmeve 24:3 dhe të gjejnë fjalë që u kujtojnë atyre tempullin. Më pas lexoni së bashku vargun 4, për të mësuar se kush mund të hyjë në tempull (përkufizoni cilëndo fjalë të panjohur). Si bëhen pis fizikisht duart tona? Si bëhen pis shpirtërisht duart dhe zemrat tona? Si t’i pastrojmë fizikisht duart tona? Si na ndihmon Shpëtimtari që t’i pastrojmë shpirtërisht duart dhe zemrat tona? (Nëse është e dobishme, shpjegoni se fjala “duart” në këtë varg mund të përfaqësojë veprimet tona dhe “zemra” mund të përfaqësojë dëshirat tona.)

  • Shqyrtojini me fëmijët kërkesat për të marrë një rekomandim tempulli (shih Rasëll M. Nelson, “Fjala e Mbylljes”, Liahona, nëntor 2019, f. 120–122, ose ftojeni një anëtar të peshkopatës për t’i diskutuar me klasën këto kërkesa). Ftojini fëmijët të zgjedhin një gjë që ndihen të frymëzuar të bëjnë për t’u përgatitur që të jenë të denjë për të hyrë në tempull.

Psalmeve 46:10

“Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi.”

Gjetja e kohës për të qenë nderues dhe për t’u ndalur, pavarësisht angazhimeve rrotull nesh, mund të na ndihmojë të ndërtojmë dëshminë tonë se Perëndia jeton.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh rreshtin e parë nga Psalmeve 46:10: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi”. Flisni me ta rreth asaj se ç’do të thotë “ndaluni”, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Tregojuni fëmijëve një përvojë kur “ndal[ja]” e forcoi dëshminë tuaj për Atin Qiellor. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë çfarëdo përvoje që kanë pasur. Përse ndalja është një mënyrë e rëndësishme për ta ditur se Perëndia jeton?

  • Ftojini fëmijët të shqyrtojnë me ju atë që ata bëjnë gjatë një dite të zakonshme. Ndihmojini të mendojnë për çaste gjatë ditës së tyre kur ata mund të përpiqen të “ndal[en]” dhe të ndihen pranë Atit Qiellor. Nxitini ata të vendosin një synim për t’i përdorur çaste të tilla gjatë javës së ardhshme për ta forcuar dëshminë e tyre për Atin Qiellor.

  • Ftojini fëmijët të renditin disa gjëra që mund të bëjmë, për ta ditur vetë se Ati Qiellor është i vërtetë dhe se Ai na do. Ftojini të zgjedhin diçka nga lista që duan të bëjnë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të zgjedhin një varg që e pëlqejnë nga psalmet, për të cilin kanë folur sot. Nxitini që t’ia tregojnë atë varg një pjesëtari të familjes ose një miku/eje.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përqendrohuni te nevojat e fëmijëve. Si mësues, ju jeni në një pozitë të pashoqe për të kuptuar nevojat e atyre të cilëve u jepni mësim. Përvoja juaj, afërsia juaj me fëmijët dhe udhërrëfimi i Shpirtit do t’ju ndihmojnë të dini se çfarë veprimtarish mësimore kanë më shumë të ngjarë që ta ndërtojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.