Eja, Më Ndiq
16–22 Shtator. 2 Korintasve 8–13: ‘Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar’


“16–22 Shtator. 2 Korintasve 8–13: ‘Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)

“16–22 Shtator. 2 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019

Pamja
Jezusi duke biseduar me një fëmijë të vogël

16–22 Shtator

2 Korintasve 8–13

“Perëndia Do një Dhurues të Gëzuar”

Idetë tuaja më të mira për t’i mësuar fëmijët në klasën tuaj do të vijnë ndërsa studioni plot lutje 2 Korintasve 8–13, duke pasur ata në mendje. Në këtë përvijim të mësimit mund të gjenden ide mësimdhënëse shtesë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Një mënyrë e mirë për t’i ftuar fëmijët të tregojnë është duke u kujtuar atyre diçka që ju i ftuat të bënin gjatë një mësimi të mëparshëm. Kërkojuni atyre t’i tregojnë përvojat e tyre.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Vegjël

2 Korintasve 9:6–7

Unë mund t’u jap me gëzim njerëzve në nevojë.

Është gjithmonë mirë që t’u shërbejmë të tjerëve, por është akoma dhe më e mirë të shërbejmë me gëzim. Merreni në shqyrtim atë që do ta frymëzojë çdo fëmijë të jetë një “dhurues [i] gëzuar”.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të përsëritin frazën “Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7). Çfarë do të thotë të jesh një “dhurues [i] gëzuar”? Tregoni figurën e një fytyre të lumtur dhe të një fytyre të trishtuar dhe pyetini fëmijët se cila prej tyre duket si një dhurues i gëzuar.

  • Këndoni disa herë së bashku një këngë rreth shërbimit, të tillë si “When We’re Helping” [“Kur Ne Ndihmojmë”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], nr. 198). Herën e parë, kërkojuni fëmijëve të këndojnë plot gëzim; pastaj kërkojuni atyre që të këndojnë me emocione apo qëndrime të ndryshme, të tilla si të trishtuar, të lodhur, të zemëruar apo të frikësuar. Kujtojuni fëmijëve se Ati Qiellor dëshiron që ne t’i ndihmojmë të tjerët me hare. Pastaj këndojeni këngën përsëri me gëzim.

  • Jepuni fëmijëve figura me fytyra të qeshura. Kërkojuni atyre t’i ngrenë lart figurat e tyre kur dëgjojnë fjalët buzëqeshni ose i/e buzëqeshur ndërsa këndojnë “Smiles” [“Buzëqeshje”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] nr. 267). Ata mund të bëjnë të njëjtën gjë me figurat e fytyrave të vrenjtura dhe fjalët të vrenjtur dhe i/e vrenjtur. Thuajuni fëmijëve se një fytyrë e vrenjtur nuk është e gëzuar; një mënyrë për të qenë të gëzuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve është të buzëqeshim dhe t’i ndihmojmë të tjerët të buzëqeshin.

  • Planifikoni një veprimtari klase për t’i shërbyer dikujt, të tillë si një fëmije i cili nuk merr pjesë në Fillore apo një anëtari të lagjes ose fqinji në nevojë. Ju mund të planifikoni të bëni një vizitë në shtëpinë e këtij personi, t’i shkruani pusulla të këndshme ose të vizatoni figura apo të bëni një ëmbëlsirë për t’ia dhënë.

  • Ftojeni secilin fëmijë që të planifikojë një vepër shërbimi të gëzueshme për një pjesëtar të familjes së tij apo të saj. Gjatë orës së ardhshme mësimore, kërkojuni atyre të tregojnë atë që bënë.

2 Korintasve 12:7–10

Ati Qiellor iu përgjigjet gjithmonë lutjeve, por Ai nuk më jep përherë gjithçka që unë kërkoj.

Përvoja e Palit me lutjen që “gjemb[i] në mish[in]” e tij të hiqej, na mëson se Perëndia ndonjëherë tregon dashuri për ne duke mos na e dhënë atë që duam.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një bimë me gjemba (apo një figurë të saj). Ndihmojini ata të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po të kishin një gjemb të ngulur në lëkurë për një kohë të gjatë. Përmblidheni për fëmijët 2 Korintasve 12:7–10, duke përdorur fjalë që ata do t’i kuptojnë. Shpjegoni se “gjemb[i] në mish” i Palit ishte një sprovë, e tillë si një dobësi fizike. Edhe pse Pali i kërkoi Perëndisë që t’ia hiqte sprovën, Perëndia nuk e bëri. Në vend të kësaj, Perëndia i mësoi Palit se sfidat mund të na ndihmojnë që të mësojmë të jemi të përulur e t’i mirëbesojmë Atij. Atëherë Perëndia mund të na bëjë të fortë.

  • Dëshmoni se Ati Qiellor e di se çfarë është më e mira për ne dhe Ai do të na japë atë që na nevojitet, edhe pse është e ndryshme nga ajo që mendojmë se na nevojitet. Ju gjithashtu mund të tregoni një përvojë kur lutjet tuaja morën përgjigje në një mënyrë apo kohë që ishte e ndryshme nga ajo që prisnit. Historia “Don’t Forget to Pray for Erik” [“Mos Harro të Lutesh për Erikun”] (Friend, janar 2017, f. 36–37) mund të japë ndihmesë.

  • Këndoni me fëmijët një këngë për dashurinë e Atit Qiellor, të tillë si “A Child’s Prayer” [“Lutja e Një Fëmije”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 12–13). Pyetini fëmijët se çfarë do t’i thoshin dikujt që e pyet veten nëse Ati Qiellor i dëgjon dhe iu përgjigjet lutjeve. Këndojeni sërish këngën dhe theksoni rreshtat që përshkruajnë mënyrën se si ndihet Ati Qiellor rreth nesh.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Mëdhenj

2 Korintasve 9:6–9

Unë mund t’u jap me gëzim njerëzve në nevojë.

Pali dëshironte t’i frymëzonte shenjtorët që të jepnin nga bollëku i tyre për t’i ndihmuar të varfrit. Si do t’i përdorni fjalët e tij për t’i frymëzuar fëmijët që t’u shërbejnë të tjerëve?

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruajini në tabelë fjalët e 2 Korintasve 9:7 dhe fjalët kyç lërini bosh. Ftojini fëmijët të gjejnë se cilat janë fjalët që mungojnë. Pastaj lërini ta lexojnë vargun në shkrimet e shenjta që të plotësojnë vendet bosh. Çfarë do të thotë të japësh “me keqardhje [apo] nga shtrëngimi”? Çfarë do të thotë të jesh një “dhurues [i] gëzuar”?

  • Ftojini fëmijët që t’ju ndihmojnë të gjeni figura të Shpëtimtarit duke u shërbyer të tjerëve (ka disa tek Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Pyetini se çfarë shohin në këto figura që i ndihmon të dinë se Jezusi u shërbeu të tjerëve me dashuri. Vendosni një synim si klasë të thoni “po” kur pjesëtarë të familjes apo të tjerë do të na kërkojnë të shërbejmë javën e ardhshme, si për shembull duke ndihmuar rreth shtëpisë apo duke u kujdesur për të tjerët.

  • Ndihmojini fëmijët që të zbukurojnë gurë të vegjël. Ftojini ata që t’i mbajnë “gurët e shërbimit” në xhepat e tyre këtë javë, që t’i ndihmojnë të kujtohen për t’u shërbyer të tjerëve me gëzim.

  • Ndihmojini fëmijët të krijojnë vargje të reja për një këngë rreth shërbimit, të tillë si “Fun to Do” [“Argëtuese për ta Bërë”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] nr. 253), e cila na mëson se është argëtuese që t’u shërbejmë të tjerëve në një mori mënyrash.

2 Korintasve 12:7–10

Ati Qiellor u përgjigjet gjithmonë lutjeve, por Ai nuk më jep përherë gjithçka që kërkoj.

Pali i kërkoi Perëndisë që t’ia hiqte dobësinë, por Perëndia e dinte se lëngata e Palit do ta përulte dhe do ta bënte më të fortë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të krahasojnë 2 Korintasve 12:9–10 me Ethërin 12:27. Cilat fjalë apo fraza përsëriten? Çfarë po na mësojnë këto vargje? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se Pali po e krahasonte sfidën e tij me një gjemb në lëkurën e tij.) Çfarë i mësoi Perëndia Palit rreth sprovave?

  • Ftojini fëmijët të renditin disa sprova që njerëzit kanë në jetë. Ndihmojini ata të marrin në shqyrtim mënyrën se si dikush mund të mësojë nga këto sprova dhe të bekohet prej tyre.

  • Lexoni me fëmijët “Will Heavenly Father Always Answer My Prayers?” [“A Do t’i Përgjigjet Gjithnjë Ati Qiellor Lutjeve të Mia?”] (Friend, janar 2017, f. 12–13). Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë përvoja kur ata u lutën për diçka dhe nuk e morën atë. Kërkojuni atyre të tregojnë atë që mësuan nga përvojat e tyre. Ju mund të tregoni edhe përvojat tuaja. Jepni dëshminë tuaj se Ati Qiellor iu përgjigjet gjithmonë lutjeve tona në mënyrën dhe kohën që do të na bekojë më shumë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Ftojini fëmijët të jenë dhurues të gëzuar në shtëpitë e tyre këtë javë dhe të vijnë në klasë javën e ardhshme të përgatitur për të raportuar mbi mënyrën se si i shërbyen dikujt në nevojë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Reagoni ndaj ndërprerjeve me dashuri. “Nganjëherë një fëmijë vepron në mënyra që e ndërpresin të mësuarin e të tjerëve në klasë. Kur kjo ndodh, jini të duruar, të dashur dhe të kuptueshëm rreth sfidave që mund të hasë fëmija. … Nëse fëmija që shkakton ndërprerje, ka nevoja të veçanta, flisni me specialistin/en e lagjes apo të kunjit për paaftësitë ose vizitoni disabilities.lds.org për të gjetur mënyra se si mund t’i plotësoni më mirë ato nevoja” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit f. 26).