Eja, Më Ndiq
Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël


“Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
një vajzë duke shkruar në tabelë

Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël

Fëmijët janë të gatshëm dhe të etur për ta mësuar ungjillin nëse iu paraqitet në një mënyrë që mund ta kuptojnë. Veçanërisht nëse u jepni mësim fëmijëve të vegjël, merrni parasysh të përdorni llojet e veprimtarive në vijim për t’i ndihmuar ata që të mësojnë.

  • Këndoni. Himnet dhe këngët nga Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] na e mësojnë doktrinën në mënyrë të fuqishme. Përdorni topics index [treguesin tematik] në fund të Children’s Songbook [Librit të Këngëve të Fëmijëve] që të gjeni këngë të cilat lidhen me parimet e ungjillit që po i jepni mësim. Ndihmojini fëmijët ta lidhin mesazhin e këngëve me jetën e tyre. Për shembull, ju mund të bëni pyetje rreth fjalëve ose frazave në tekstet e këngëve. Përveç të kënduarit, fëmijët mund të kryejnë veprime që lidhen me këngët ose thjesht t’i dëgjojnë këngët si sfond muzikor ndërkohë që po bëjnë veprimtari të tjera.

  • Dëgjoni ose luani me role një histori. Fëmijët e vegjël i pëlqejnë shumë historitë – nga shkrimet e shenjta, nga jeta juaj, nga historia e Kishës ose nga revistat e Kishës. Kërkoni mënyra që t’i përfshini ata në tregimin e historive. Ata mund të mbajnë [në duar] figura ose sende, të vizatojnë figura të asaj që po dëgjojnë, ta luajnë me role historinë ose të ndihmojnë për ta treguar historinë. Ndihmojini fëmijët t’i dallojnë të vërtetat e ungjillit në historitë që tregoni.

  • Lexoni një shkrim të shenjtë. Fëmijët e vegjël mund të mos jenë në gjendje të lexojnë shumë, por ju ende mund t’i përfshini në leximin nga shkrimet e shenjta. Mund të keni nevojë të përqendroheni te një varg i vetëm, një frazë kyç ose një fjalë e vetme. Teksa e lexoni një shkrim të shenjtë me zë të lartë, ju mund t’i ftoni fëmijët të ngrihen në këmbë apo të ngrenë duart kur dëgjojnë një fjalë ose frazë të veçantë tek e cila doni të përqendroheni. Ata madje mund të jenë në gjendje të mësojnë përmendsh fraza të shkurtra nga shkrimet e shenjta nëse i përsëritin ato disa herë. Kur e dëgjojnë fjalën e Perëndisë, ata do ta ndiejnë Shpirtin.

  • Jini aktiv. Ngaqë fëmijët e vegjël janë shpesh energjikë, planifikoni mënyra që t’i lejoni të lëvizin përreth – duke marshuar, duke kërcyer, duke u hedhur, duke u përkulur, duke ecur dhe veprime të tjera që lidhen me parimin ose historinë që po u mësoni. Këto veprime gjithashtu mund të jenë të efektshme kur këndoni së bashku.

  • Shikoni një figurë ose shihni një material filmik. Kur u tregoni fëmijëve një figurë ose material filmik që lidhet me një parim të ungjillit ose me një histori nga shkrimet e shenjta, bëjuni pyetje që i ndihmojnë të mësojnë nga ajo që po shohin. Për shembull, ju mund të pyesni: “Çfarë po ndodh në këtë figurë apo material filmik?” ose “Si ju bën ajo të ndiheni?” Programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], medialibrary.ChurchofJesusChrist.org dhe children.ChurchofJesusChrist.org janë vende të mira për të kërkuar materiale filmike.

  • Tregoni përvoja. Fëmijët e vegjël mund të mos kenë aq shumë për të treguar sa ç’kanë fëmijët më të rritur, por nëse u jepni udhëzime të posaçme, ata mund të flasin për ndjenjat dhe përvojat e tyre rreth asaj që po mësojnë.

  • Krijoni. Fëmijët mund të ndërtojnë, vizatojnë ose ngjyrosin diçka që lidhet me historinë apo parimin që po mësojnë. Nxitini t’i çojnë në shtëpi gjërat që i krijuan, dhe t’ua tregojnë pjesëtarëve të familjes që t’i ndihmojnë fëmijët për ta kujtuar atë që mësuan.

  • Merrni pjesë në mësime me sende. Një mësim i thjeshtë me sende mund t’i ndihmojë fëmijët që ta kuptojnë një parim të ungjillit i cili është i vështirë për t’u kuptuar. Kur përdorni mësime me sende, gjeni mënyra që t’i lejoni fëmijët të marrin pjesë. Ata do të mësojnë më shumë nga një përvojë ndërvepruese sesa thjesht nga vështrimi i një demonstrimi.

  • Interpretoni me role. Kur fëmijët e interpretojnë me role një situatë të cilën ka të ngjarë ta hasin në jetën reale, ata janë më në gjendje të kuptojnë se si zbatohet një parim i ungjillit në jetën e tyre.

  • Përsëritini veprimtaritë. Fëmijët e vegjël mund të kenë nevojë t’i dëgjojnë konceptet shumë herë që t’i kuptojnë ato. Mos kini frikë t’i përsëritni historitë ose veprimtaritë shpesh, edhe gjatë të njëjtit mësim. Për shembull, ju mund ta tregoni një histori nga shkrimet e shenjta disa herë, në mënyra të ndryshme gjatë një mësimi – duke e lexuar nga shkrimet e shenjta, duke e përmbledhur me fjalët tuaja, duke shfaqur një material filmik, duke i lejuar fëmijët që t’ju ndihmojnë ta tregoni historinë, duke i ftuar ta luajnë me role historinë e kështu me radhë. Nëse një veprimtari e përdorur në orën mësimore përsëritet edhe në shtëpi, përsëritja do t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë e të mbajnë mend.

  • Ndërveproni me të tjerët. Fëmijët po zhvillojnë aftësi shoqërore dhe shpesh kënaqen kur mësojnë e luajnë me bashkëmoshatarët e tyre. Krijoni mundësi për ta që të shprehen, të veprojnë me radhë dhe të bashkëveprojnë teksa mësojnë.

  • Merrni pjesë në një larmi veprimtarish. Fëmijët e vegjël kanë zakonisht periudha të shkurtra vëmendjeje dhe kanë stile të ndryshme të të mësuarit. Përdorni larmi veprimtarish dhe kushtojuni vëmendje shenjave se fëmijët kanë nevojë për një ndryshim ritmi. Për shembull, ju mund të keni nevojë që të kaloni shpesh nga veprimtari të qeta në veprimtari gjallëruese dhe anasjelltas.

Pjesë e rolit tuaj si mësues/e i/e fëmijëve të vegjël – përveç mësimdhënies së parimeve të ungjillit – është që t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë se si të marrin pjesë siç duhet në një orë mësimore në Kishë. Për shembull, ata mund të kenë nevojë të mësojnë se si të veprojnë me radhë, të shprehen, t’i respektojnë të tjerët e kështu me radhë. Disa mësues/e krijojnë tabela me një detyrë për secilin fëmijë që të marrë pjesë në orën mësimore në një mënyrë të veçantë (të tilla si thënia e një lutjeje, mbajtja e një figure ose shpërndarja e fletëve). Detyrat mund të ndryshojnë çdo javë. Kjo i ndihmon fëmijët të veprojnë me radhë dhe të përqendrohen te sjellja e duhur në klasë.

Fëmijët – veçanërisht fëmijët më të vegjël – shpesh përfitojnë nga një rutinë e rregullt, e parashikueshme. Ngaqë fëmijët e vegjël kanë periudha të shkurtra vëmendjeje dhe nganjëherë hasin vështirësi që të përqendrohen për një orë të tërë mësimore, zakonisht është më mirë nëse kjo rutinë përfshin kalime të shpeshta nga një veprimtari në tjetrën. Për shembull, rutina e orës suaj mësimore mund të përfshijë ndërprerje me raste për të luajtur një lojë, për të ngjyrosur një figurë, për të kënduar një këngë e kështu me radhë.

Pamja
fëmijë duke luajtur me mësuese