Dhiata e Vjetër 2022
Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Librat Historikë në Dhiatën e Vjetër


“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Librat Historikë në Dhiatën e Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“Mendime për t’i Mbajtur Parasysh: Librat Historikë në Dhiatën e Vjetër”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
ikona e mendimeve

Mendime për t’i Mbajtur Parasysh

Librat Historikë në Dhiatën e Vjetër

Librat nga Jozueut deri tek Esterit njihen tradicionalisht si “librat historikë” të Dhiatës së Vjetër. Kjo nuk do të thotë se librat e tjerë në Dhiatën e Vjetër nuk kanë vlerë historike. Përkundrazi, librat historikë quhen në këtë mënyrë pasi synimi kryesor i shkruesve të tyre ishte të tregonin dorën e Perëndisë në historinë e popullit të Izraelit. Qëllimi nuk ishte që të përshkruanin ligjin e Moisiut, siç ndodh te librat Levitiku dhe Ligji i Përtërirë. Nuk ishte që të shprehnin lavdërim ose vajtim në formë poetike, siç ndodh te librat e Psalmeve dhe Kantiku i Kantikëve. Dhe nuk ishte që të regjistronin fjalët e profetëve, siç ndodh te librat Isaia dhe Ezekiel. Në vend të këtyre, librat historikë tregojnë një ngjarje.

Një Çështje Këndvështrimi

Natyrisht, ajo ngjarje tregohet nga një këndvështrim i caktuar – në të vërtetë, nga këndvështrime të caktuara. Ashtu siç është e pamundur të shohësh një lule, një shkëmb ose pemë nga më shumë se një kënd i vetëm në të njëjtën kohë, është e pashmangshme që një rrëfim historik do të pasqyrojë këndvështrimin e personit ose grupit të personave që e shkruan atë. Ky këndvështrim përfshin lidhjet kombëtare ose etnike të shkruesve dhe normat e bindjet e tyre kulturore. Dijenia për këtë mund të na ndihmojë të kuptojmë se shkruesit dhe përpiluesit e librave historikë u përqendruan në hollësi të caktuara ndërsa i lanë të papërmendura hollësi të tjera.1 Ata bënë supozime të caktuara që të tjerët mund të mos i kishin bërë. Dhe arritën në përfundime bazuar tek ato hollësi dhe supozime. Ne madje mund të shohim këndvështrime të ndryshme nëpër librat e Biblës (dhe ndonjëherë brenda të njëjtit libër).2 Sa më shumë që jemi në dijeni për këto këndvështrime, aq më mirë mund t’i kuptojmë librat historikë.

Një këndvështrim i ngjashëm për të gjithë librat historikë të Dhiatës së Vjetër, është këndvështrimi për fëmijët e Izraelit, popullit të besëlidhjes me Perëndinë. Besimi i tyre në Zotin i ndihmoi ta shihnin dorën e Tij në jetën e tyre dhe ndërhyrjen e Tij në çështjet e kombit të tyre. Ndërsa librat historikë jofetarë nuk priren që t’i shohin gjërat në këtë mënyrë, ky këndvështrim shpirtëror është pjesë e asaj që i bën librat historikë të Dhiatës së Vjetër kaq me vlerë për ata që po kërkojnë ta ndërtojnë vetë besimin e tyre te Perëndia.

Konteksti për Pjesën Tjetër të Dhiatës së Vjetër

Librat historikë fillojnë atje ku mbaron libri Ligji i Përtërirë, me vitet kur po mbaron endja e izraelitëve nëpër shkretëtirë. Libri i Jozueut tregon për fëmijët e Izraelit që janë gati të hyjnë në Kanaan, në tokën e tyre të premtuar, dhe përshkruan se si ata e morën atë. Librat që vijojnë, libri Gjyqtarët deri te 2 Kronikave, përshkruajnë përvojën e Izraelit në tokën e premtuar, nga koha kur u vendosën atje deri në kohën kur u pushtuan nga Asiria dhe Babilonia. Librat e Ezdras dhe Nehemias tregojnë për rikthimin e disa grupeve të izraelitëve në kryeqytetin e tyre, Jerusalemin, dekada më vonë. Në fund, libri i Esterit tregon historinë e izraelitëve që jetuan në mërgim nën sundimin persian.

Dhe këtu mbaron edhe kronologjia e Dhiatës së Vjetër. Disa njerëz që e lexojnë Biblën për herë të parë, habiten kur zbulojnë se faktikisht e kanë përfunduar leximin e historisë së Dhiatës së Vjetër përpara se të kenë lexuar më tepër se gjysmën e faqeve të saj. Pas librit të Esterit, ne nuk marrim shumë informacion lidhur me historinë e izraelitëve. Përkundrazi, librat që pasojnë – veçanërisht librat e profetëve – përfshihen brenda afatit kohor që paraqitin librat historikë.3 Shërbesa e profetit Jeremia, për shembull, ndodhi gjatë ngjarjeve që regjistrohen te 2 Mbretërve 22–25 (dhe tregimi paralel te 2 Kronikave 34–36). Dijenia për këtë mund të ndikojë në mënyrën se si ju i lexoni rrëfimet historike si edhe librat profetikë.

Pamja
dorë duke mbajtur një copëz të figurëformueses me figurëformuesen e papërfunduar mbi tavolinë

Disa fragmente të shkrimeve të shenjta mund të jenë si copëza figurëformuese, të cilat ne nuk dimë si t’i përshtatim me pjesën tjetër të figurëformueses.

Kur Diçka Nuk Përshtatet

Kur e lexoni Dhiatën e Vjetër, ashtu si me çdo histori, ka të ngjarë të lexoni për njerëz që bëjnë ose thonë gjëra që, për këndvështrimin modern, duken të çuditshme apo madje shqetësuese. Ne duhet ta presim këtë – shkruesit e Dhiatës së Vjetër e panë botën nga një këndvështrim që ishte, në njëfarë mënyre, krejt ndryshe nga këndvështrimi ynë. Dhuna, marrëdhëniet etnike dhe rolet e grave janë vetëm disa nga çështjet që shkruesit e lashtësisë mund t’i kenë parë ndryshe nga mënyra se si i shohim ne sot.

Prandaj çfarë duhet të bëjmë kur hasim fragmente në shkrimet e shenjta që duken shqetësuese? Së pari, mund t’ju ndihmojë fakti që secili fragment të merret parasysh në një kontekst më të gjerë. Si përshtatet ai me planin e Perëndisë për shpëtimin? Si përshtatet me atë që ju dini për natyrën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Si përshtatet me të vërtetat e zbuluara në shkrimet e tjera të shenjta ose mësimet e profetëve të gjallë? Dhe si përshtatet me pëshpëritjet e Shpirtit në vetë zemrën dhe mendjen tuaj?

Në disa raste, fragmenti mund të duket sikur nuk përshtatet dhe aq mirë me asnjërën prej këtyre. Ndonjëherë fragmenti mund të jetë si një copëz e figurëformueses që duket sikur nuk ka vend midis copëzave të tjera që tashmë i keni mbledhur. Përpjekja për ta vendosur me forcë copëzën që të përshtatet, nuk është metoda më e mirë. Por as nuk është të heqësh dorë nga e gjithë figurëformuesja. Përkundrazi, mund t’ju nevojitet ta lini mënjanë copëzën tani për tani. Ndërsa mësoni më shumë dhe vendosni së bashku më shumë copëza të figurëformueses, ju mund të jeni në gjendje të shihni më mirë se si copëzat përshtaten së bashku.

Gjithashtu mund t’ju ndihmojë të mbani mend se përveç që kufizohen nga një këndvështrim i veçantë, historitë e shkrimeve të shenjta iu nënshtrohen gabimeve njerëzore (shih Nenet e Besimit 1:8). Për shembull, përgjatë shekujve “shumë gjëra të qarta dhe të çmueshme [u] h[oqën] nga [Bibla]”, përfshirë të vërteta të rëndësishme rreth doktrinës dhe ordinancave (1 Nefi 13:28; shih edhe vargjet 29, 40). Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se edhe vetë këndvështrimet tona janë të kufizuara: gjithmonë do të ketë gjëra që nuk i kuptojmë plotësisht dhe pyetje që ende nuk mund t’u përgjigjemi.

Gjetja e Xhevahireve

Por ndërkohë, pyetjet pa përgjigje nuk nevojitet të na mbajnë larg nga xhevahiret e së vërtetës së përjetshme që gjenden në Dhiatën e Vjetër – edhe nëse ndonjëherë ato xhevahire fshihen në terrenin shkëmbor të përvojave shqetësuese dhe zgjedhjeve të këqija, të bëra nga njerëz të papërsosur. Ndoshta xhevahiret më të çmuara janë historitë dhe fragmentet që dëshmojnë për dashurinë e Perëndisë – veçanërisht ato që e drejtojnë mendjen tonë te sakrifica e Jezu Krishtit. E parë nga çdo pikëpamje, xhevahiret si këto shkëlqejnë sot me po aq shkëlqim sa dikur. Dhe për shkak se këto tregime flasin për popullin e besëlidhjes së Perëndisë – burra dhe gra që kishin dobësi njerëzore dhe megjithatë e donin dhe i shërbenin Zotit – xhevahiret e së vërtetës janë me bollëk në librat historikë të Dhiatës së Vjetër.

Shënime

  1. Rrëfimet historike të Biblës që kemi sot, janë kryesisht puna e shumë shkruesve dhe përpiluesve pa emër, të cilët ndonjëherë punuan shumë vite, madje edhe shekuj, pas periudhave kohore që përshkruajnë. Ata u mbështetën në një larmi burimesh historike dhe morën vendime rreth asaj se çfarë të përfshinin në tregimet e tyre dhe çfarë të përjashtonin.

  2. Për shembull, ndonëse librat 1–2 Kronikave trajtojnë afërsisht të njëjtën periudhë kohore si 1 Samuelit 31 deri në fund të 2 Mbretërve, librat 1–2 Kronikave theksojnë hollësi të ndryshme dhe paraqesin një këndvështrim të ndryshëm. Ndryshe nga librat 1 Samuelit – 2 Mbretërve, librat 1–2 Kronikave përqendrohen thuajse vetëm në Mbretërinë Jugore të Judës dhe shpesh i lënë pa përfshirë historitë negative rreth Davidit dhe Salomonit (krahaso, për shembull, 2 Samuelit 10–12 me 1 Kronikave 19–20 dhe 1 Mbretërve 10–11 me 2 Kronikave 9). Manuali Eja, Më Ndiq thekson studimin e rrëfimit te 1 dhe 2 Mbretërve, edhe pse ka vlerë krahasimi i atij rrëfimi me librat e 1 dhe 2 Kronikave. Mund të jetë e dobishme të dini se puna me librat 1 Samuelit – 2 Mbretërve ka të ngjarë që filloi përpara se perandoria babilonase të pushtonte Judën dhe përfundoi gjatë mërgimit në Babiloni. Anali që u bë 1–2 Kronikave, nga ana tjetër, u përpilua pasi judenjtë u rikthyen në Jerusalem nga mërgimi i tyre. Ndërsa lexoni, ju mund të merrni parasysh se si këto rrethana të ndryshme mund të kenë ndikuar në këndvështrimet e përpiluesve të rrëfimeve të ndryshme.

  3. Nga fillimi i këtij materiali burimor do të gjeni pjesën “Vështrim i Përgjithshëm për Dhiatën e Vjetër”, një bosht kohor që tregon se si përfshihet shërbesa e çdo profeti në historinë e Izraelit (për aq sa mund të përcaktohet). Ju do të vini re se pjesa më e madhe e librave profetikë të Dhiatës së Vjetër ndodhen afër fundit të atij boshti kohor – pikërisht përpara dhe menjëherë pasi fëmijët e Izraelit i pushtuan, i çuan në mërgim dhe i shpërndanë armiqtë e tyre.