Dhiata e Re 2023
13–19 Nëntor. Jakob: “Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues”


“13–19 Nëntor. Jakob: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“13–19 Nëntor. Jakob”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
të rinj duke pastruar një mur

13–19 Nëntor

Jakob

“Bëhuni Bërës të Fjalës dhe jo Vetëm Dëgjues”

Ndërsa lexoni letrën drejtuar Jakobit, kushtojuni vëmendje frazave që ju bëjnë përshtypje. Si jeni nxitur për të qenë një “bërës” i këtyre fjalëve? (Jakob 1:22.)

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndonjëherë thjesht një varg i shkrimit të shenjtë mund ta ndryshojë botën. Vargu te Jakob 1:5 duket si një pjesëz e thjeshtë këshille – nëse keni nevojë për urti, kërkojini Perëndisë. Por, kur Jozef Smithi 14‑vjeçar e lexoi atë varg, iu “duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës [së tij]” (Joseph Smith – Historia 1:12). I frymëzuar në këtë mënyrë, Jozefi veproi sipas këshillës së Jakobit dhe kërkoi urtësi nga Perëndia nëpërmjet lutjes. Dhe Perëndia me të vërtetë dha pa kursim, duke i dhënë Jozefit një prej vizitave më mbresëlënëse qiellore në historinë njerëzore – Vegimin e Parë. Ky vegim e ndryshoi drejtimin e jetës së Jozefit dhe çoi drejt Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit mbi tokë. Ne të gjithë bekohemi sot ngaqë Jozef Smithi lexoi vargun te Jakob 1:5 dhe veproi sipas atij vargu.

Çfarë do të gjeni ndërsa studioni letrën e Jakobit? Ndoshta një ose dy vargje do t’ju ndryshojnë ju ose dikë që doni. Mund të gjeni udhërrëfim teksa përpiqeni ta përmbushni misionin tuaj në jetë. Mund të gjeni nxitje që të flisni me mirësi ose të jeni më të durueshëm. Ju mund të ndiheni të nxitur për t’i bërë veprimet tuaja të përputhen më mirë me besimin tuaj. Çfarëdo gjëje që ju frymëzon, lejojini këto fjalë të “hy[jnë] … në çdo ndjenjë të zemrës [suaj]”. Dhe më pas, kur ta “pranoni me butësi fjalën”, siç shkroi Jakobi, jini bërës të fjalës dhe jo vetëm një dëgjues (shih Jakob 1:21–22).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Kush ishte Jakobi?

Në përgjithësi besohet se autori i letrës së Jakobit është biri i Maries, nënës së Jezu Krishtit, dhe si rrjedhojë vëllai nga nëna i Shpëtimtarit. Jakobi përmendet te Mateu 13:55; Marku 6:3; Veprat e Apostujve 12:17; 15:13; 21:18; dhe Galatasve 1:19; 2:9. Prej këtyre shkrimeve të shenjta duket se Jakobi ishte një udhëheqës i Kishës në Jerusalem dhe ishte thirrur si Apostull (shih Galatasve 1:19).

Jakob 1:2–4; 5:7–11

Qëndrueshmëria me durim çon drejt përsosjes.

Pas leximit të vargjeve te Jakob 1:2–4; 5:7–11, cili do të thonit se ishte mesazhi kryesor i Jakobit rreth durimit? Mund t’ju ndihmojë të përsiatni atë që familja e Plakut Xheremi R. Jagi mësoi për qëndrueshmërinë nga këto vargje (shih “Qëndrueshmëria të Kryejë në Ju një Vepër të Përsosur dhe ta Konsideroni Një Gëzim të Madh!”, Liahona, nëntor 2020, f. 99–101). Cila është “vep[ra e] përsosur” e qëndrueshmërisë? (Jakob 1:4.) Si mund t’ia tregoni Zotit se jeni të gatshëm që të jeni të qëndrueshëm?

Jakob 1:3–8, 21–25; 2:14–26; 4:17

Besimi kërkon veprim.

Si e kuptoni nëse keni besim te Jezu Krishti? Si e tregojnë veprat tuaja besimin tuaj te Perëndia? Mendoni për këto pyetje teksa studioni mësimet e Jakobit rreth besimit. Mund të jetë interesante gjithashtu të lexoni rreth Abrahamit dhe Rahabit, dy shembujt që i përmendi Jakobi (shih Zanafilla 22:1–12; Jozueut 2). Si e treguan ata se kishin besim te Perëndia?

Leximi i vargjeve te Jakob 1:3–8, 21–25; 2:14–26; 4:17 mund t’ju ndihmojë të mendoni për mënyrat se si mund të jeni një bërës më i mirë i fjalës. Shënojeni çdo mbresë që merrni dhe bëni plane të veproni në përputhje me to.

Shih edhe Alma 34:27–29; 3 Nefi 27:21.

Pamja
Abrahami duke u lutur jashtë tendës së vet

“Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi” (Jakob 2:23). Abraham on the Plains of Mamre [Abrahami në Rrafshinat e Mamreut], nga Grant Romney Clawson

Jakob 1:263:1–18

Fjalët që them, kanë fuqinë t’i lëndojnë ose t’i bekojnë të tjerët.

Mes shprehjeve të pasura figurative që Jakobi i përdori në të gjithë letrën e tij, disa nga shprehjet më të gjalla gjenden në këshillën e tij rreth gjuhës. Merrni parasysh të bëni një listë të të gjitha mënyrave se si Jakobi e përshkroi gjuhën ose gojën. Çfarë sugjeron secili krahasim ose secila metaforë për fjalët që flasim? Mendoni për diçka që mund të bëni për ta bekuar dikë me fjalët tuaja (shih Doktrina e Besëlidhje 108:7).

Jakob 2:1–9

Si dishepull i Jezu Krishtit, unë duhet t’i dua të gjithë njerëzit pavarësisht nga rrethanat e tyre.

Jakobi i paralajmëroi shenjtorët veçanërisht kundër përkrahjes së të pasurve dhe përbuzjes së të varfërve, por paralajmërimi i tij mund të zbatohet ndaj çfarëdo njëanësie ose paragjykimi që mund të kemi kundrejt të tjerëve. Teksa i studioni me lutje vargjet te Jakob 2:1–9, shqyrtojeni vetë zemrën tuaj dhe mbani vesh për nxitjet e Frymës së Shenjtë. Mund t’ju ndihmojë t’i zëvendësoni frazat në këto vargje, të tilla si “një i varfër me një rrobë të fëlliqur” (vargu 2), me fjalë apo fraza të tjera që përshkruajnë dikë që ju mund të tundoheni ta gjykoni padrejtësisht. A ndieni se keni nevojë të bëni ndonjë ndryshim lidhur me mënyrën se si i trajtoni të tjerët apo të mendoni për ta?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Jakob 1:5.Pasi të lexoni vargun te Jakob 1:5, familja juaj mund të përmbledhë rrëfimin e Vegimit të Parë (shih Joseph Smith – Historia 1:8–20) ose të shohë materialin filmik “Ask of God: Joseph Smith’s First Vision” [“Kërkoji Perëndisë: Vegimi i Parë i Jozef Smithit”] te (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini pjesëtarët e familjes të japin dëshmitë e tyre për Profetin Jozef Smith dhe përvojat kur Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të tyre.

Jakob 1:26–27.Merrni parasysh të shihni materialin filmik “True Christianity” [“Krishterimi i Vërtetë”] (ChurchofJesusChrist.org). Më pas lexoni përkufizimin e Jakobit për “fe[në] e pastër” në vargjet te Jakob 1:26–27 dhe diskutoni për mënyrat se si familja juaj mund ta bëjë më të pastër ushtrimin e besimit nga ana juaj.

Jakob 3.Vargjet te Jakob 3 përfshijnë shumë ide që mund të frymëzojnë mësime mbresëlënëse me sende për ta ndihmuar familjen tuaj që të mbajë mend për të folur me mirësi. Për shembull, ju mund të ndizni një zjarr së bashku dhe të flisni rreth asaj se si fjalët e pakta dhe të pasjellshme mund të shkaktojnë një problem të madh (shih vargjet 5–6). Ose mund të shërbeni diçka të thartë për diçka që zakonisht përdoret për ushqime të ëmbla – si lëngu i limonit në një kavanoz mjalti. Kjo mund të çojë në një diskutim rreth përdorimit të fjalëve të ëmbla dhe lartësuese (shih vargjet 9–14).

Jakob 4:5–8.Përse duhet të “afroh[emi] te Perëndia” (Jakob 4:8) kur përballemi me tundime?

Jakob 5:14–16.Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se “prindërit duhet të nxitin më shumë bekime të priftërisë në familje” (“Fuqitë e Priftërisë”, Liahona, maj 2018, f. 67). Ndoshta leximi i vargjeve te Jakob 5:14–16 dhe tregimi i përvojave rreth marrjes së një bekimi priftërie mund t’i nxitë pjesëtarët e familjes të kërkojnë një bekim kur janë të sëmurë ose kanë nevojë për forcë shpirtërore.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?”, Himne, nr. 139.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Veproni sipas asaj që mësoni. Teksa studioni, ua vini veshin nxitjeve nga Shpirti rreth mënyrës se si mund ta zbatoni në jetën tuaj atë që po mësoni. Zotohuni t’i ndiqni këto nxitje dhe ta jetoni më tërësisht ungjillin. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 35.)

Pamja
Jozefi Smithi duke lexuar Biblën

Këshilla e Jakobit për të “kërk[uar] nga Perëndia” (Jakob 1:5) e frymëzoi Jozef Smithin të kërkonte urtësi nga Perëndia. Fotografia nga Christina Smith.