Dhiata e Re 2023
30 Tetor – 5 Nëntor. Hebrenjve 1–6: “Jezu Krishti ‘Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar’”


“30 Tetor – 5 Nëntor. Hebrenjve 1–6: ‘Jezu Krishti “Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar”’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“30 Tetor – 5 Nëntor. Hebrenjve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Krishti duke qëndruar me një vajzë të vogël

Balm of Gilead [Balsami i Galaadit], nga Annie Henrie

30 Tetor – 5 Nëntor

Hebrenjve 1–6

Jezu Krishti, “Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar”

Shënimi i mbresave shpirtërore ju ndihmon ta dalloni atë që dëshiron t’jua mësojë Fryma e Shenjtë. Veprimi sipas mbresave tuaja tregon besimin tuaj se ato nxitje janë të vërteta.

Shënojini Mbresat Tuaja

Secili prej nesh duhet të heqë dorë nga diçka me qëllim që ta pranojë ungjillin e Jezu Krishtit – zakonet e këqija, bindjet e pasakta, shoqëria e pashëndetshme apo diçka tjetër. Për johebrenjtë në kishën e hershme të krishterë, kthimi në besim shpesh do të thoshte të braktisje perënditë e rreme. Për hebrenjtë (ose judenjtë), kthimi në besim u provua se ishte, nëse jo më i vështirë, pak më i ndërlikuar. Në fund të fundit, bindjet dhe traditat e tyre të dashura i kishin rrënjët në adhurimin e Perëndisë së vërtetë dhe në mësimet e profetëve të Tij, që shtriheshin pas mijëra vjet. Prapëseprapë Apostujt dhanë mësim se ligji i Moisiut ishte përmbushur në Jezu Krishtin dhe se një ligj më i lartë ishte tani standardi për besimtarët. A do të thoshte pranimi i krishterimit se hebrenjtë duhej të hiqnin dorë prej bindjeve dhe historisë së tyre të mëparshme? Letra drejtuar Hebrenjve u përpoq të ndihmonte për zgjidhjen e pyetjeve të tilla nëpërmjet mësimdhënies se ligji i Moisiut, profetët dhe ordinancat janë të gjitha të rëndësishme, por Jezu Krishti është më i madhërishëm (shih Hebrenjve 1:1–4; 3:1–6; 7:23–28). Në fakt të gjitha këto gjëra çojnë drejt Krishtit dhe dëshmojnë për Krishtin si Birin e Perëndisë dhe Mesian e premtuar, për të cilin judenjtë kishin qenë duke pritur.

Kthimi në besim, në ato kohë të hershme dhe sot, do të thotë ta bëjmë Jezu Krishtin qendrën e adhurimit tonë dhe të jetës sonë. Do të thotë të mbahemi fort tek e vërteta dhe ta lëmë pas atë që na largon nga Ai, pasi Ai është “vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden” (Hebrenjve 5:9).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Kush e shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve?

Shumë studiues e kanë vënë në dyshim nëse Pali e shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve. Stili gjuhësor i librit të Hebrenjve është disi i ndryshëm nga letrat e tjera të Palit dhe variantet më të hershme të tekstit nuk e jepnin emrin e një autori. Megjithatë, ngaqë idetë e shprehura te libri i Hebrenjve janë në përputhje me mësimet e tjera të Palit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, duke e ruajtur traditën e krishterë, në përgjithësi e kanë pranuar që të paktën Pali ishte i përfshirë në shkrimin e kësaj letre.

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”.

Hebrenjve 1–5

Jezu Krishti është “vula e qenies” së Atit Qiellor.

Shumë judenj e patën të vështirë ta pranonin Jezu Krishtin si Birin e Perëndisë. Vini re se si Letra drejtuar Hebrenjve dëshmon për Të. Për shembull, ndërsa lexoni pesë kapitujt e parë, ju mund të mbani një listë të titujve, roleve, cilësive dhe veprave të Jezu Krishtit që i gjeni të përmendura. Çfarë ju mësojnë këto gjëra rreth Shpëtimtarit? Çfarë ju mësojnë rreth Atit Qiellor?

Çfarë i shton thënia vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland të kuptuarit tuaj për mësimet që gjenden në këta kapituj? “Jezusi … erdhi për ta përmirësuar këndvështrimin e njerëzve për Perëndinë dhe për t’iu përgjëruar atyre që ta donin Atin e tyre Qiellor, ashtu sikurse Ai i ka dashur gjithmonë dhe do t’i dojë gjithmonë ata. … Prandaj, duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, duke qortuar hipokrizinë, duke bërë thirrje për besim – ky ishte Krishti duke na treguar udhën e Atit” (“The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 72).

Hebrenjve 2:9–18; 4:12–16; 5:7–8

Jezu Krishti i vuajti të gjitha gjërat që Ai të mund të më kuptojë dhe ndihmojë kur vuaj.

A e ndieni se mund “t’i afrohe[n]i … me guxim fronit të hirit” dhe të kërkoni mëshirë? (Hebrenjve 4:16.) Një mesazh i Letrës drejtuar Hebrenjve është që pavarësisht nga mëkatet dhe dobësitë tona, Perëndisë mund t’i afrohemi dhe hiri i Tij është i arritshëm. Çfarë gjeni te Hebrenjve 2:9–18; 4:12–16; 5:7–8 që e forcon vetëbesimin tuaj se Jezu Krishti do t’ju ndihmojë në sfidat tuaja të vdekshmërisë? Merreni parasysh t’i shënoni në një ditar mendimet dhe ndjenjat tuaja rreth asaj që Shpëtimtari ka bërë për ju.

Shih edhe Mosia 3:7–11; Alma 7:11–13; 34; Methju S. Holland, “Dhurata e Mrekullueshme e Birit”, Liahona, nëntor 2020, f. 45–47.

Hebrenjve 3:74:11

Bekimet e Perëndisë janë në dispozicion të atyre që “[nuk] j[anë] zemërgur”.

Duke ritreguar historinë e izraelitëve të lashtë, Pali shpresonte që t’i bindte judenjtë t’i shmangeshin gabimit që bënë paraardhësit e tyre – mohimit të bekimeve të Perëndisë për shkak të mosbindjes. (Historinë që përmendi Pali, ju mund ta lexoni te Numrat 14:1–12, 26–35.)

Merrni parasysh se si vargjet te Hebrenjve 3:74:11 mund të gjejnë zbatim për ju. Për ta bërë këtë ju mund të përsiatni pyetje të tilla si këto:

  • Si e provokuan Zotin izraelitët? (Shih Hebrenjve 3:8–11.) Cilat janë pasojat e pasjes së një zemre të ngurtësuar?

  • Kur e kam lejuar zemrën time të bëhet e ngurtësuar? A ka ndonjë bekim që Perëndia dëshiron të ma japë, të cilin nuk po e marr për shkak të mungesës së besimit?

  • Çfarë mund të bëj për të zhvilluar një zemër të butë dhe të penduar? (Shih Ethëri 4:15; Fjalët e Urta 3:5–6; Alma 5:14–15.)

Shih edhe 1 Nefi 2:16; 15:6–11; Jakobi [LiM] 1:7–8; Alma 12:33–36; Nill F. Mariot, “Dorëzimi i Zemrave Tona Perëndisë”, Liahona, nëntor 2015, f. 30–32.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Hebrenjve 1:8–9.Në ç’mënyra ka treguar Jezusi se Ai e do drejtësinë dhe e urren paudhësinë? Nëse kemi dëshira të padrejta, çfarë mund të bëjmë për t’i ndryshuar ato?

Hebrenjve 2:1–4.A mund të mendoni një mësim me sende për ta ndihmuar familjen tuaj që ta kuptojë se çfarë do të thotë të kapemi pa u lëkundur tek të vërtetat e ungjillit “që dëgjuam”? Mund ta ilustroni këtë me një send tek i cili është e vështirë të mbahemi. Si janë përpjekjet tona për ta ruajtur dëshminë tonë të ngjashme me kapjen dhe mbajtjen e këtij sendi? Si mund të sigurohemi që “at[o] që [i] dëgjuam” të mos “shkasi[n]” prej nesh? (Vargu 1.)

Hebrenjve 2:9–10.Për ta shqyrtuar frazën “realizuesin e shpëtimit të tyre”, ju mund ta filloni duke diskutuar se çfarë bën një realizues. Çfarë do të thotë shpëtim? Në ç’mënyrë Jezu Krishti është si një realizues për ne dhe për shpëtimin tonë?

Hebrenjve 5:1–5.Këto vargje mund t’ju ndihmojnë të bëni një diskutim rreth asaj se çfarë do të thotë të thirresh nga Perëndia nëpërmjet dikujt që ka autoritet. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jezu Krishtit për marrjen dhe përmbushjen e thirrjeve?

Pamja
Moisiu duke shuguruar Aaronin

“Askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po[r] ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni” (Hebrenjve 5:4). Moses Calls Aaron to the Ministry [Moisiu Thërret Aaronin në Shërbesë], nga Harry Anderson

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Çdo Or’ më Duhesh Ti”, Himne, nr. 51.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Provoni metoda të ndryshme. Në vend të të studiuarit të shkrimeve të shenjta gjithnjë në të njëjtën mënyrë, merrni parasysh ide të ndryshme për studimin. Për disa ide, shihni pjesën “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta” në fillim të këtij burimi.

Pamja
Jezu Krishti

Light of the World [Drita e Botës], nga Walter Rane