Dhiata e Re 2023
10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9: “Ti Je Krishti”


“10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9: ‘Ti Je Krishti’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“10–16 Prill. Mateu 15–17; Marku 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

Pamja
Shpërfytyrimi i Krishtit

The Transfiguration [Shpërfytyrimi], nga Carl Heinrich Bloch

10–16 Prill

Mateu 15–17; Marku 7–9

“Ti Je Krishti”

Leximi i shkrimeve të shenjta e fton Frymën e Shenjtë në jetën tuaj. Një nga misionet e rëndësishme të Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për Jezu Krishtin. Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta këtë javë, kushtojuni vëmendje ndjenjave shpirtërore që e forcojnë dëshminë tuaj për Shpëtimtarin.

Shënojini Mbresat Tuaja

A nuk është e çuditshme që farisenjtë dhe saducenjtë do të kërkonin që Jezusi t’u tregonte “një shenjë nga qielli”? A nuk ishin të mjaftueshme mrekullitë e Tij të mirënjohura? Po mësimet e Tij të fuqishme apo mënyrat e shumta se si Ai i kishte përmbushur profecitë e lashta? Kërkesa e tyre nuk u nxit nga mungesa e shenjave, por nga mosgatishmëria për t’i “kupt[uar] shenjat” dhe për t’i pranuar ato. (Shih Mateu 16:1–4.)

Pjetri, ashtu si farisenjtë dhe saducenjtë, i dëshmoi mrekullitë e Shpëtimtarit dhe i dëgjoi mësimet e Tij. Por dëshmia vendimtare e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”, nuk erdhi nëpërmjet ndjesive të tij fizike – “mishi[t] as gjakut” të tij. Dëshmia e tij iu zbulua nga “Ati … që është në qiej”. Zbulesa është shkëmbi mbi të cilin Shpëtimtari e ndërtoi Kishën e Tij, asokohe dhe tani – zbulesë nga qielli për shërbëtorët e Tij. Dhe ky është shkëmbi mbi të cilin ne mund ta ndërtojmë dishepullimin tonë – zbulesa se Jezusi është Krishti dhe se shërbëtorët e Tij mbajnë “çelësat e mbretërisë”. Kur ndërtohemi mbi këtë themel, “dyert e ferrit nuk do t[ë na] mundin” (Mateu 16:15–19).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 16:13–17

Dëshmia për Jezu Krishtin vjen me anë të zbulesës.

Nëse Jezu Krishti do t’i pyeste njerëzit sot: “Kush thonë njerëzit se jam unë?” çfarë mund të thonin ata? Si do të përgjigjeshit nëse Jezusi do t’ju pyeste: “Kush thoni se jam unë?” (Shih Mateu 16:13–15.)

Përsiatni mbi dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe se si e morët atë. Çfarë mësoni nga Mateu 16:15–17 që mund ta forcojë atë? Nëse do të donit të mësonit më shumë rreth dëshmisë dhe zbulesës vetjake, shqyrtojini këto shkrime të shenjta: Gjoni 15:26; 2 Nefi 31:17–18; Alma 5:45–48; dhe Doktrina e Besëlidhje 8:2–3.

Shih edhe “President Nelson: Hear Him—Personal Revelation” [“Presidenti Nelson: Dëgjoje Atë – Zbulesë Vetjake”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

Mateu 16:13–19; 17:1–9; Marku 9:2–9

“Çelësat e mbretërisë së qiejve” janë në tokë sot.

“Çelësat e mbretërisë së qiejve” që Shpëtimtari premtoi t’ia jepte Pjetrit, janë çelësat e priftërisë (Mateu 16:19). Çfarë janë çelësat e priftërisë? Përse kemi nevojë për to? Përsiatini këto pyetje ndërsa lexoni për premtimin e Shpëtimtarit te Mateu 16:13–19 dhe përmbushjen e tij te Mateu 17:1–9; Marku 9:2–9 (shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 9:3).

Burime të tjera që t’ju ndihmojnë të mësoni rreth çelësave të priftërisë përfshijnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 65:2; 107:18–20; 110:11–16; 128:9–11; “Çelësa të Priftërisë” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org); dhe mesazhi i Plakut Geri E. Stivenson “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?” (Liahona, maj 2016, f. 29–32). Ndërsa i studioni këto burime, merrni parasysh të bëni një listë të gjërave që mësoni rreth çelësave të priftërisë dhe bekimeve që vijnë prej tyre. Përse mendoni se një çelës është një simbol i mirë për të drejtën për të drejtuar shërbimin e priftërisë?

Shih edhe Dallin H. Ouks “Priftëria Melkizedeke dhe Çelësat”, Liahona, maj 2020, f. 69–72; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpërfytyrim”.

Pamja
statuja e Pjetrit duke mbajtur çelësa

Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë.

Mateu 17:14–21; Marku 9:14–29

Kur kërkoj besim më të madh, mund të filloj me besimin që kam.

Babai që përmendet te Mateu 17 dhe Marku 9 kishte arsye për t’u ndier i pasigurt se Jezusi mund ta shëronte birin e tij. Ai u kishte kërkuar dishepujve të Jezusit që ta shëronin birin e tij dhe ata nuk mundën ta bënin atë. Por kur i kërkoi Shpëtimtarit një mrekulli, ai zgjodhi që të shprehte besim. “Unë besoj, o Zot”, tha ai. Më pas, duke e pranuar se besimi i tij nuk ishte i përsosur, shtoi: “Ndihmo mosbesimin tim”.

Çfarë ju mëson Shpirti ndërkohë që lexoni rreth kësaj mrekullie? Si ju ka ndihmuar Ati Qiellor që ta rritni besimin tuaj? Çfarë mund të bëni për të ndërtuar mbi besimin që ju tashmë e keni? Ndoshta ju mund të hartoni një listë me shkrime të shenjta, mesazhe konferencash apo përvojash që e kanë forcuar besimin tuaj.

Shih edhe Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 93–95.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Mateu 15:7–9; Marku 7:6–7.Cili është ndryshimi midis nderimit të Perëndisë me buzët, ose fjalët tona, dhe nderimit të Tij me zemrën tonë?

Mateu 15:17–20; Marku 7:18–23.Përse jemi të kujdesshëm për çfarë vendosim në gojën tonë? Bazuar në ato që Jezusi dha mësim te këto vargje, përse duhet të jemi edhe më të kujdesshëm me ato që na dalin nga goja – dhe nga zemra jonë? Si mund ta mbajmë zemrën tonë të pastër?

Mateu 16:15–17.Si na e zbulon Perëndia se Jezusi është “Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”? (Vargu 16.) Si mund ta përgatitim vetveten për ta marrë këtë zbulesë prej Tij?

Mateu 16:13–19; 17:1–9.Për t’u dhënë mësim fëmijëve për çelësat e priftërisë, ju mund të tregoni historinë e Plakut Geri E. Stivenson që ngeli jashtë makinës (shih materialin filmik “Ku Janë Çelësat?” në ChurchofJesusChrist.org). Ju mund t’i lini fëmijët tuaj që t’i përdorin çelësat për të hapur shtëpinë, makinën apo brava të tjera. Merreni parasysh të tregoni një fotografi të Presidentit të Kishës dhe të dëshmoni se ai i mban të gjithë çelësat e priftërisë, ashtu siç bëri edhe Pjetri.

Mateu 17:20.Profetët me besim te Jezu Krishti kanë lëvizur malet me tërë kuptimin e fjalës (shih Jakobi [LiM] 4:6; Moisiu 7:13). Por zakonisht, ajo nuk është mrekullia që kemi nevojë. Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Nëse kemi besim sa një kokërr sinapi, Zoti mund të na ndihmojë që t’i zhvendosim malet e shkurajimit dhe të dyshimit në detyrat përpara nesh, kur shërbejmë me fëmijët e Perëndisë, përfshirë pjesëtarët e familjes, anëtarët e Kishës dhe ata që nuk janë ende anëtarë të Kishës” (“Dhurata të Çmuara nga Perëndia”, Liahona, maj 2018, f. 10). Cilat janë disa male në jetën tonë që kanë nevojë të lëvizen? Si mund të tregojmë besim te fuqia e Perëndisë që të na ndihmojë t’i lëvizim këto male?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Himni i sugjeruar: “Un’ Besoj në Krisht”, Himne, nr. 72.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Mblidhuni shpesh së bashku. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Kurrë mos e humbisni rastin që t’i mblidhni fëmijët së bashku për të mësuar doktrinën e Jezu Krishtit. Çaste të tilla janë kaq të rralla në krahasim me përpjekjet e armikut” (“The Power of Teaching Doctrine”, Ensign, maj 1999, f. 74).

Pamja
një burrë me djalin e sëmurë përpara Jezusit

Master, I Have Brought unto Thee My Son [Mësues, të Prura Djalin Tim], nga Walter Rane