Eja, Më Ndiq
6–12 Maj. Lluka 12–7; Gjoni 11: ‘Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur’


“6–12 Maj. Lluka 12–7; Gjoni 11: ‘Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“6–12 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
një burrë duke përqafuar të birin

Djali Plëngprishës, nga Liz Lemon Swindle

6–12 Maj

Lluka 12–17; Gjoni 11

“Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur”

Ndërsa lexoni Llukën 12–17 dhe Gjonin 11, kërkoni plot lutje atë që Ati Qiellor do që ju të dini dhe të bëni. Studimi i këtyre kapitujve nga ana juaj mund ta hapë zemrën tuaj ndaj mesazheve që janë posaçërisht për ju.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në shumicën e rasteve, 99 dele nga 100 do të konsiderohej rezultat i shkëlqyer – por jo kur numra të tillë përfaqësojnë fëmijët e dashur të Perëndisë (shih DeB 18:10). Në atë rast, edhe një shpirt i vetëm meriton një kërkim tërësor, të dëshpëruar “deri sa ta gjej[më] atë” (Lluka 15:4), ashtu siç dha mësim Shpëtimtari në shëmbëlltyrën e deles së humbur. Më pas mund të fillojë festimi, sepse “do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Lluka 15:7). Nëse kjo duket e padrejtë, është me dobi të kujtojmë që, në të vërtetë, nuk ka njeri që “nuk ka nevojë të pendohe[t]”. Të gjithë kemi nevojë të shpëtohemi. Dhe të gjithë mund të marrim pjesë në shpëtim, duke u gëzuar së bashku për çdo shpirt që shpëtohet (shih DeB 18:15–16).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Lluka 12; 14–16

Duhet ta vendos zemrën time te gjërat e përjetshme e të rëndësishme në vend që ta vendos te gjërat e kësaj bote.

Përse Perëndia do t’i thoshte “I pamend” një burri punëtor të suksesshëm, i cili kishte ndërtuar hambarë të mëdhenj dhe i kishte mbushur me frytet e punës së tij? (shih Lluka 12:16–21). Në këta kapituj te Lluka, Shpëtimtari jep mësim disa shëmbëlltyra, të cilat mund të na ndihmojnë për ta ngritur vështrimin tonë përtej tokësores, drejt të përjetshmes. Disa prej këtyre shëmbëlltyrave renditen këtu. Si do ta përmblidhnit mesazhin e secilës prej tyre? Çfarë mendoni se po ju tregon Zoti?

Shih edhe Mateu 6:19–34; 2 Nefi 9:30; Doktrina e Besëlidhje 25:10.

Lluka 15

Ati Qiellor gëzohet kur ata që kanë humbur gjenden.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se si ndihet Ati Qiellor për ata që kanë mëkatuar apo ndryshe kanë “humbur”? Farisenjtë dhe skribët e kritikuan Jezusin vetëm që shoqërohej me njerëz të tillë. Si përgjigje, Jezusi u tregoi tri shëmbëlltyra, që gjenden te Lluka 15 – shëmbëlltyrën e deles së humbur, të monedhës së humbur dhe të djalit plëngprishës.

Ndërsa i lexoni këto shëmbëlltyra, merrni parasysh të bëni një listë të ngjashmërive dhe ndryshimeve midis tyre. Për shembull, ju mund të kërkoni se çfarë humbi dhe përse humbi, si u gjet dhe mënyrën se si reaguan njerëzit kur u gjet. Çfarë mesazhesh kishte Jezusi për ata që kanë “humbur” – përfshirë ata që nuk mendojnë se kanë humbur? Çfarë mesazhesh kishte Ai për njerëzit që i kërkojnë ata që kanë humbur?

Sigurisht, është gjithmonë më mirë që të mos humbasësh. Lidhur me Llukën 15:7, Plaku Xhejms E. Talmixh shkroi: “Nuk ka shfajësim për konkluzionin se një mëkatari të penduar duhet t’i jepet përparësi ndaj një shpirti të drejtë që i ka bërë qëndresë mëkatit” (Jesus the Christ [1916], f. 461). Gjithsesi, të gjithë mëkatojmë dhe kemi nevojë të shpëtohemi, dhe mesazhi ngushëllues i shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit është që secili prej nesh mund të pendohet dhe të kthehet në drejtësi, sepse Perëndia dëshiron që asnjë shpirt të mos mbarojë.

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 18:10–16; Jeffrey R. Holland, “The Other Prodigal”, Ensign, maj 2002, f. 62–64.

Pamja
një grua duke kërkuar monedhën

Copa e Humbur e Argjendit, nga James Tissot

Lluka 16:1–12

Çfarë po jepte mësim Krishti në shëmbëlltyrën e administratorit të pabesë?

Plaku Xhejms E. Talmixh shpjegoi një mësim që mund të mësojmë nga shëmbëlltyra: “Jini të zellshëm; sepse dita kur mund t’i përdorni pasuritë tuaja tokësore do të kalojë shpejt. Merrni mësim madje edhe prej të pandershmit dhe të ligut; nëse ata janë aq të kujdesshëm sa të sigurojnë për të vetmen të ardhme që mendojnë, sa shumë duhet ju, që besoni në një të ardhme të përjetshme, të siguroni për të! Nëse nuk keni mësuar urtësi dhe kujdes në përdorimin e ‘pasuri[së së] padrejt[ë]’, si mund të mirëbesoheni me pasuri që zgjasin më tepër?” (Jesus the Christf. 464).

Lluka 17:11–19

Mirënjohja për bekimet e mia do të më sjellë më pranë Perëndisë.

Nëse do të kishit qenë një nga dhjetë lebrosët, a mendoni se do të ishit kthyer për ta falënderuar Shpëtimtarin? Çfarë bekimesh të tjera mori lebrosi mirënjohës për shkak se dha falënderime? Si ndikon te shpirtshmëria juaj shprehja e mirënjohjes? Mund të jetë me dobi që të filloni të shkruani në një ditar atë për të cilën jeni mirënjohës, ashtu siç e përshkroi Presidenti Henri B. Ajring në mesazhin e tij “O Kujtoni, Kujtoni” (Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 66–69).

Gjoni 11:1–46

Jezu Krishti është Ringjallja dhe Jeta.

Mrekullia e ringjalljes së Llazarit prej së vdekuri ishte një dëshmi e fuqishme dhe e pamohueshme se Jezusi ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë dhe Mesia i premtuar. Cilat fjalë, fraza apo hollësi te Gjoni 11:1–46 e forcojnë besimin tuaj se Jezu Krishti është “ringjallja dhe jeta”? Si ndikon kjo njohuri në jetën tuaj dhe zgjedhjet tuaja?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Lluka 15:1–10

A e kuptojnë pjesëtarët e familjes suaj se si ndihesh kur e humbet diçka – apo të humbasësh? Të folurit rreth përvojave të tyre mund të nisë një diskutim rreth shëmbëlltyrave të deles së humbur dhe të monedhës së humbur. Ose mund të luani një lojë në të cilën dikush fshihet dhe pjesëtarët e tjerë të familjes përpiqen ta gjejnë atë. Si na ndihmon kjo veprimtari për ta kuptuar këtë shëmbëlltyrë?

Lluka 15:11–32

Si mund të jemi si babai në këtë histori, kur kemi njerëz të dashur që kanë humbur? Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e djalit më të madh, që mund të na ndihmojë të jemi më shumë si Krishti? Në çfarë mënyrash është babai në këtë shëmbëlltyrë si Ati ynë Qiellor?

Lluka 17:11–19

Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes që ta zbatojnë tregimin e dhjetë lebrosëve, ju mund t’i ftoni ata të shkruajnë shënime të fshehta mirënjohjeje dhe t’i vendosin kudo në shtëpi. Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku “Numëro Bekimet”, Himne, nr. 152, dhe të diskutoni mbi bekimet që ka marrë familja juaj.

Gjoni 11:1–46

Pjesëtarët e familjes mund të shohin materialin filmik “Lazarus Is Raised from the Dead” [“Llazari Ringjallet prej së Vdekurish”] (LDS.org) dhe të japin dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni histori dhe shembuj për të dhënë mësim parime të ungjillit. Shpëtimtari shpesh dha mësim rreth parimeve të ungjillit duke përdorur histori dhe shëmbëlltyra. Mendoni për shembuj dhe histori nga vetë jeta juaj, të cilat mund ta bëjnë një parim të ungjillit të vërtetë për familjen tuaj (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtaritf. 22).

Pamja
një burrë duke u gjunjëzuar në falënderim përpara Jezusit

Ku Janë të Nëntët, nga Liz Lemon Swindle