Eja, Më Ndiq
7–13 Janar. Mateu 1; Lluka 1: ‘Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate’


“7–13 Janar. Mateu 1; Lluka 1: ‘Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“7–13 Janar. Mateu 1; Lluka 1”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Maria dhe Elizabeta

7–13 Janar

Mateu 1; Lluka 1

“Le të Më Ndodhë sipas Fjalës Sate”

Teksa e lexoni dhe e përsiatni Mateun 1 dhe Llukën 1, mbajini shënim mbresat shpirtërore që merrni. Çfarë të vërtetash doktrinore gjeni? Cilat mesazhe do të kenë më shumë vlerë për ju dhe familjen tuaj? Idetë për studim në këtë përvijim të mësimit mund t’ju ndihmojnë të zbuloni këndvështrime të mëtejshme.

Shënojini Mbresat Tuaja

Nisur nga pikëpamja e vdekshmërisë, ishte e pamundur. Një virgjëreshë nuk mund të ngjizej. As një grua shterpë, e cila e kishte kaluar prej kohësh moshën për të lindur. Por Perëndia kishte një plan për lindjen e Birit të Tij dhe Gjon Pagëzorit, kështu që si Maria, edhe Elizabeta u bënë nëna përkundër gjithë gjasave tokësore. Mund të jetë e dobishme t’i mbajmë mend mrekullitë e përvojave të tyre, kurdoherë që përballemi me diçka që duket e pamundur. A mund t’i mposhtim dobësitë tona? A mund ta prekim zemrën e një pjesëtari të familjes painteres [për ungjillin]? Gabrieli kollaj fare mund të ketë qenë duke na u drejtuar ne, kur i kujtoi Maries: “Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Lluka 1:37). Gjithashtu, dhe përgjigjja e Maries mund të jetë përgjigjja jonë kur Perëndia na bën të ditur vullnetin e Tij: “Le të më ndodhë sipas fjalës sate” (Lluka 1:38).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Ungjijtë e Mateut dhe Llukës

Cilët ishin Mateu dhe Lluka?

Mateu ishte një tagrambledhës judeas, apo mbledhës taksash, të cilin Jezusi e thirri si një prej Apostujve të Tij (shih Mateu 10:3; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Tagrambledhës”, [f. 187]). Mateu e shkroi Ungjillin e tij kryesisht për bashkëkombësit e vet judeas; si rrjedhim, ai zgjodhi ta vinte theksin te profecitë e Dhiatës së Vjetër për Mesian, të cilat u përmbushën përmes jetës dhe shërbesës së Jezusit.

Lluka ishte një mjek johebre (jojudeas), i cili udhëtoi me Apostullin Pal. Ai e shkroi Ungjillin e tij pas vdekjes së Shpëtimtarit kryesisht drejtuar një publiku jojudeas. Ai dëshmoi për Jezu Krishtin si Shpëtimtari edhe i johebrenjve, edhe i judenjve. Ai shënoi rrëfime të ngjarjeve në jetën e Shpëtimtarit të cilat i dëshmoi me sytë e tij; dhe ai përfshiu më shumë histori që lidheshin me gratë krahasuar me Ungjijtë e tjerë.

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjijtë”, [f. 193–199], “Mateu”, [f. 113–114], “Lluka”, [f. 108].

Mateu 1:18–25; Lluka 1:28–35

Përse duhej të lindte Shpëtimtari nga një nënë e vdekshme dhe një Atë i pavdekshëm?

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se Shlyerja e Jezu Krishtit “kërkoi një flijim vetjak nga një qenie e pavdekshme që nuk i nënshtrohej vdekjes. Prapëseprapë Ai duhet të vdesë dhe ta marrë vetë trupin e Tij përsëri. Shpëtimtari ishte i vetmi që mund ta plotësonte këtë. Nga nëna e Tij, Ai trashëgoi fuqi për të vdekur. Nga Ati i Tij, Ai fitoi fuqi mbi vdekjen” (“Constancy amid Change”, Ensign, nëntor 1993, f. 34).

Lluka 1:5–25, 57–80

Bekimet e Perëndisë vijnë në vetë kohën e Tij.

Për gjithfarë arsyesh, koha e vendosur nga Perëndia kishte qëllim që bekimi i dëshiruar nga Elizabeta dhe Zakaria për të pasur fëmijë, të vinte shumë më vonë nga sa prisnin ata. Nëse e shihni se ju vetë duhet të prisni për një bekim, ose nëse ju duket sikur Perëndia nuk po i dëgjon lutjet tuaja, historia e Elizabetës dhe Zakarias mund të jenë një kujtues se Ai nuk ju ka harruar. Ai ka një plan për ju dhe Ai i mban gjithnjë premtimet e Tij ndaj Shenjtorëve të Tij të drejtë. Ashtu siç premtoi Plaku Xhefri R. Holland: “Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë” (“An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 38). Si mbetën besnikë Zakaria dhe Elizabeta? (shih Lluka 1:5–25, 57–80). A ju ndodh të prisni për një bekim? Çfarë mendoni se pret Zoti nga ju ndërsa prisni?

Çfarë mesazhesh të tjera mund të ketë Zoti për ju në këtë histori?

Pamja
Elizabeta dhe Zakaria me foshnjën Gjon

Pasi pritën me besnikëri, Elizabeta dhe Zakaria u bekuan me një djalë.

Mateu 1:18–25; Lluka 1:26–38

Besnikët i nënshtrohen me gatishmëri vullnetit të Perëndisë.

Ashtu si Maria, ne ndonjëherë zbulojmë se planet e Perëndisë për jetën tonë janë krejt të ndryshme nga ajo që kishim planifikuar. Çfarë mësoni ju nga Maria në lidhje me pranimin e vullnetit të Perëndisë? Shkruajini në tabelat vijuese fjalët e engjëllit dhe Maries (shih Lluka 1:26–38), bashkë me mesazhet që zbuloni në thëniet e tyre:

Fjalët e engjëllit drejtuar Maries

Mesazhi për mua

Fjalët e engjëllit drejtuar Maries

“Zoti është me ty” (vargu 28).

Mesazhi për mua

Zoti është në dijeni të situatës dhe vështirësive të mia.

Fjalët e engjëllit drejtuar Maries

Mesazhi për mua

Fjalët e engjëllit drejtuar Maries

Mesazhi për mua

Reagimet e Maries

Mesazhi për mua

Reagimet e Maries

“Si do të ndodhë kjo” (vargu 34).

Mesazhi për mua

Nuk ka problem të bëj pyetje kur nuk kuptoj.

Reagimet e Maries

Mesazhi për mua

Reagimet e Maries

Mesazhi për mua

Teksa lexoni për shembullin e drejtë të Jozefit te Mateu 1:18–25, çfarë mësoni rreth pranimit të vullnetit të Perëndisë? Çfarë mund të mësoni nga përvojat e Zakarias dhe Elizabetës? (shih Lluka 1).

Shih edhe Mosia 3:19; Lluka 22:42; Helamani 10:4–5; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gabriel”, [f. 53].

Lluka 1:46–55

Maria dëshmon për misionin e Jezu Krishtit.

Fjalët e Maries te Lluka 1:46–55 parashikuan aspekte të misionit të Shpëtimtarit. Çfarë mësoni rreth Jezu Krishtit nga fjalët e Maries? Çfarë idesh të mëtejshme merrni rreth bekimeve që ofron Shpëtimtari, nga krahasimi i këtyre vargjeve me fjalët e Anës te 1 Samueli 2:1–10 dhe me Lumturitë e Jezusit te Mateu 5:4–12? Çfarë mësimesh merrni nga Shpirti teksa i përsiatni këto ide?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 1:1–17

Kur familja juaj të lexojë gjenealogjinë e Jezusit, ju mund të shpjegoni se ajo rendit prejardhjen e Tij mbretërore nga Jozefi deri te Mbreti David. Kjo prejardhje qe domethënëse pasi kishte qenë profetizuar se Mesia do ta kishte prejardhjen prej Davidit (shih Jeremia 23:5–6). Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar mbi vetë historinë tuaj familjare dhe të tregoni disa histori rreth paraardhësve tuaj. Si e bekon familjen tuaj njohuria rreth historisë suaj familjare?

Mateu 1:20; Lluka 1:13, 30

Përse mund të kenë qenë të frikësuar njerëzit në këto vargje? Çfarë na bën të ndihemi të frikësuar? Si mund të jetë Perëndia duke na kërkuar që të “mos k[em]i frikë”?

Lluka 1:37

Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta forcojë besimin se “me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”, ju mund ta shqyrtoni së bashku Llukën 1 dhe të gjeni gjëra që bëri Perëndia, të cilat mund të mendohen të pamundshme. Çfarë historish të tjera mund të tregojnë ata – nga shkrimet e shenjta apo nga vetë jeta e tyre – në të cilat Perëndia bëri gjëra në dukje të pamundshme? Kërkimi nëpër Librin e Figurave Artistike të Ungjillit mund t’i ndihmojë të mendojnë për ide.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Zbatojini shkrimet e shenjta për jetën vetjake. Pasi ta lexoni një fragment të shkrimit të shenjtë, ftojini pjesëtarët e familjes ta zbatojnë atë për jetën e tyre (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21). Për shembull, si mund ta zbatojmë atë çfarë mësojmë në lidhje me të përgjigjurit ndaj thirrjes së Zotit, nga reagimet e individëve te Mateu 1 dhe Lluka 1?

Pamja
Gabrieli i shfaqet Maries

Ti Je e Bekuar ndër Gratë, nga Walter Rane