Doktrina e Besëlidhje 2021
7–13 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 63: “Ajo që Vjen nga Lart, Është e Shenjtë”


“7–13 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 63: ‘Ajo që Vjen nga Lart, Është e Shenjtë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“7–13 Qershor. Doktrina e Besëlidhje 63”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021

Pamja
fushë në Misuri

Spring Hill, Konteja Dejvis, Misuri, nga Garth Robinson Oborn

7–13 Qershor

Doktrina e Besëlidhje 63

“Ajo që Vjen nga Lart, Është e Shenjtë”

Zoti tha: “Ju e merrni Shpirtin nëpërmjet lutjes” Doktrina e Besëlidhje 63:64). Merrni parasysh të luteni që Shpirti t’ju udhëheqë në studimin tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Vendi për qytetin e Sionit ishte zgjedhur. Udhëheqësit e Kishës e kishin vizituar zonën dhe e kishin përkushtuar atë si një vend mbledhjeje për shenjtorët. Sipas historisë së Jozef Smithit, “toka e Sionit ishte tani objekti më i rëndësishëm tokësor i marrë parasysh” (Doktrina e Besëlidhje 63, kreu i seksionit). Por pikëpamjet për Sionin ishin të shumëllojshme. Shumë shenjtorë ishin të zellshëm që të fillonin të mblidheshin në Misuri. Nga ana tjetër, njerëz si Ezra Buthi ishin të zhgënjyer me tokën e Sionit dhe i bënë të njohura pikëpamjet e tyre. Në fakt, kur Jozefi u kthye në Kirtland nga Misuri, ai zbuloi se përçarja dhe braktisja kishin depërtuar në Kishë ndërkohë që ai ishte larg. Ishte në këtë kuadër që u mor zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 63. Këtu Zoti trajtoi çështjen e blerjes së tokës dhe shpërnguljen e shenjtorëve për në Misuri. Por mes çështjeve të tilla praktike pati një kujtesë që erdhi në kohën e duhur: “Unë, Zoti, e lëshoj zërin tim dhe atij duhet t’i bindeni” (vargu 5). Zëri i Tij, vullneti i Tij, urdhri i Tij – të cilët të gjithë “v[ijnë] nga lart” – nuk duhet të trajtohen me cinizëm apo në mënyrë rastësore. “Është [i] shenjtë dhe duhet të flitet me kujdes” (vargu 64).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 63:1–6, 32–37

Zemërimi i Zotit është ndezur kundër të ligjve dhe rebelëve.

Kur u mor kjo zbulesë, Jozef Smithi ishte duke u përballur me kritika të ashpra nga disa anëtarë të Kishës, të cilët ishin kthyer kundër tij (shih “Ezra Booth and Isaac Morley”, Revelations in Context, f. 130–136). Çfarë paralajmërimesh dha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 63:1–6, 32–37 lidhur me të “ligj[të] dhe rebelë[t]”? Si janë paralajmërime të tilla provë e dashurisë së Perëndisë?

Doktrina e Besëlidhje 63:7–12

Shenjat vijnë me anë të besimit dhe vullnetit të Perëndisë.

Vetëm shenjat ose mrekullitë nuk prodhojnë besim të përhershëm. Në fillim të vitit 1831, Ezra Buthi, një shërbestar metodist në Kirtland, vendosi të pagëzohej pasi pa që Jozef Smithi shëroi mrekullisht krahun e mikes së Buthit, Elsa Xhonsonit.

E megjithatë, brenda vetëm disa muajve, Buthi e humbi besimin e tij dhe u bë kritik ndaj Profetit. Si mund të ndodhte kjo, duke marrë parasysh mrekullinë që ai kishte dëshmuar? Përsiatni për këtë teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 63:7–12. Ju gjithashtu mund të merrni në shqyrtim përse disa njerëz marrin shenja “për të mirën e njerëzve për lavdinë e [Perëndisë]” (vargu 12) dhe të tjerë i marrin ato “për dënimin e tyre” (vargu 11). Bazuar tek ajo që keni lexuar, në ç’mënyrë dëshiron Zoti që ju të mendoni e të ndiheni rreth shenjave?

Shih edhe Mateu 16:1–4; Gjoni 12:37; Mormoni 9:10–21; Ethëri 12:12, 18.

Doktrina e Besëlidhje 63:13–23

Dëlirësi do të thotë që t’i mbaj mendimet dhe veprimet e mia të pastra.

Shumica e njerëzve do ta pranonin se tradhtia bashkëshortore është e gabuar. Por te Doktrina e Besëlidhje 63:13–19, Shpëtimtari e bëri të qartë se edhe mendimet plot epsh kanë pasoja të rënda shpirtërore. “Pse epshi është një mëkat aq vdekjeprurës?” pyeti Plaku Xhefri R. Holland. “Epo ja, veç ndikimit krejtësisht Shpirt-shkatërrues që ai ka mbi shpirtin tonë, unë mendoj se ai është mëkat ngaqë e përdhos marrëdhënien më të lartë e më të shenjtë që Perëndia na jep në jetën e vdekshme – dashurinë që një burrë e grua kanë për njëri-tjetrin dhe dëshirën që ka çifti për të sjellë fëmijë në një familje që synohet të jetë përgjithnjë” (“Jo më Vend për Armikun e Shpirtit Tim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 44).

Çfarë pasojash përmend Zoti te Doktrina e Besëlidhje 63:13–19, do t’u vijnë atyre që nuk pendohen për mendimet dhe veprimet jo të dëlira? Vini në dukje bekimet që u premton Shpëtimtari te vargjet 20 dhe 23 atyre që janë besnikë. Çfarë bekimesh kanë ardhur në jetën tuaj nga bindja ndaj ligjit të dëlirësisë? Si ju ndihmon Shpëtimtari që të qëndroni ose të bëheni të pastër?

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 121:45; Linda S. Rivs, “Të Denja për Bekimet Tona të Premtuara”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 9–11.

Pamja
një burrë dhe grua në tempull

Ne bekohemi teksa i mbajmë mendimet dhe veprimet tona të pastra.

Doktrina e Besëlidhje 63:24–46

Zoti drejton çështjet shpirtërore dhe tokësore të shenjtorëve të Tij.

Pasi Zoti kishte përcaktuar se ku do të ndërtohej Sioni, shenjtorët në Ohajo kishin ende nevojë për drejtim se kur duhej të fillonin të shpërnguleshin dhe ku të gjenin paratë për të blerë tokën. Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 63:24–46, kërkoni drejtimin shpirtëror e tokësor që dha Zoti lidhur me Sionin. Çfarë drejtimi shpirtëror e tokësor po ju jep Zoti?

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Doktrina e Besëlidhje 63:7–12.Historia e Ezra Buthit që u largua nga Kisha, megjithëse dëshmoi shërimin e Elsa Xhonsonit (shih hollësitë e shkurtra te pjesa “Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta” dhe veprën e artit që e shoqëron këtë përvijim) mund të nxitë një diskutim rreth mrekullive. Ndoshta pjesëtarët e familjes suaj mund të flasin rreth mrekullive që e kanë forcuar besimin e tyre, përfshirë përvojat nga familja juaj ose historia juaj familjare. Si e ushtruan ata besimin që u nevojitej për t’i marrë këto mrekulli? Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 63:7–12 për marrëdhënien midis besimit dhe mrekullive?

Doktrina e Besëlidhje 63:13–19.Si mund ta mbrojmë veten tonë nga ndikimet e padenja, përfshirë pornografinë? (Ju mund të gjeni më shumë burime të dobishme për familjet te faqja AddressingPornography.ChurchofJesusChrist.org.) Cilat janë bekimet e të jetuarit të ligjit të dëlirësisë?

Doktrina e Besëlidhje 63:23.Si mund ta ndihmoni familjen tuaj të kuptojë mënyrën se si janë “misteret e mbretërisë”, ose të vërtetat e ungjillit, si një “burim uji të gjallë”? Për shembull, ju mund të udhëtoni për te një burim uji apo një lumë aty pranë (ose të shfaqni një material filmik apo të tregoni një figurë të njërit prej tyre). Në ç’mënyrë janë të vërtetat e ungjillit si uji?

Doktrina e Besëlidhje 63:58.Çfarë paralajmërimesh gjejmë te seksioni 63? Cilat janë disa nga paralajmërimet që po dëgjojmë nga udhëheqësit tanë të Kishës sot?

Doktrina e Besëlidhje 63:58–64.Tregojini familjes suaj një thesar të çmuar familjar. Si e trajtojmë këtë send ndryshe nga gjërat e tjera që nuk janë aq të çmuara? Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 63:58–64 rreth asaj që mund të bëjmë për t’i nderuar gjërat e shenjta?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Nderimi Ësht’ Dashuri”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 12.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Jetojeni atë që po mësoni. “Ndërsa ndieni gëzimin që vjen nga kuptueshmëria e ungjillit, ju do të ndieni dëshirën për ta zbatuar atë që mësoni. Përpiquni të jetoni në harmoni me botëkuptimin tuaj. Duke e bërë këtë do të forconi besimin, njohurinë dhe dëshminë tuaj” (Predikoni Ungjillin Tim, f.19).

Pamja
Jozef Smithi duke mbajtur dorën e gruas

Shërimi i Shpatullës së Elsa Xhonsonit, nga Sam Lawlor