Dhiata e Vjetër 2022
26 Qershor. Përse Dëlirësia Është e Rëndësishme në Planin e Perëndisë? 2 Samuelit 5–7; 11–12; 1 Mbretërve 3; 8; 11


“26 Qershor. Përse Dëlirësia Është e Rëndësishme në Planin e Perëndisë? 2 Samuelit 5–7; 11–12; 1 Mbretërve 3; 8; 11”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)

“26 Qershor. Përse Dëlirësia Është e Rëndësishme në Planin e Perëndisë?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022

Pamja
të rinj dhe të reja të ulur mbi urë

26 Qershor

Përse Dëlirësia Është e Rëndësishme në Planin e Perëndisë?

2 Samuelit 5–7; 11–12; 1 Mbretërve 3; 811

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Si i jemi afruar më shumë Shpëtimtarit? Si po përpiqemi të jemi më shumë si Ai?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka qenë në mendjen tonë kohët e fundit? Si mund t’i ndihmojmë këta individë?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund t’u përgjigjemi pyetjeve të miqve tanë rreth Kishës në një mënyrë që e forcon besimin e tyre te Shpëtimtari?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Cilat janë disa mënyra se si mund të lidhemi më mirë me pjesëtarë të rrethit familjar, të tillë si gjyshër dhe kushërinj?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Ati ynë Qiellor, i cili dëshiron të jemi të lumtur, na dha ligjin e dëlirësisë dhe Satani, i cili dëshiron të jemi të mjeruar, na mëson se ky ligj nuk është i rëndësishëm. Ai bën gjithçka mundet për të na tunduar që të kryejmë mëkat seksual. Të rinjtë dhe të rejat mund të ndikohen nga imazhet dhe mesazhet që bien në kundërshtim me atë që Perëndia na mëson rreth seksualitetit. Secili prej nesh duhet të ruhet nga tundime të tilla dhe të përpiqet fort që t’i mbajë mendimet, fjalët dhe veprimet të pastra gjatë gjithë jetës së vet. Ne e marrim këtë mësim nga përvoja e trishtuar e mbretit David. Ai ishte një shembull i besnikërisë së madhe, por iu dha tundimit dhe e shkeli ligjin e dëlirësisë (shih 2 Samuelit 11:1–5).

Ju mund të përgatiteni për të dhënë mësim duke lexuar 2 Samuelit 11, mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë” (Liahona, maj 2013, f. 41–44) dhe burime të tjera rreth dëlirësisë. Çfarë mund t’i frymëzojë anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit që ta shohin dëlirësinë në mënyrën si e sheh Perëndia? Çfarë mund t’i ndihmojë që ta refuzojnë mënyrën si e sheh Satani?

Pamja
klasë e të rinjve

Për t’i qëndruar besnikë ligjit të Perëndisë për dëlirësinë, ne duhet të përpiqemi fort çdo ditë që t’i mbajmë mendimet, fjalët dhe veprimet tona të pastra.

Mësoni së Bashku

Këtu është një mënyrë për ta paraqitur temën e dëlirësisë ndërsa i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, ta shqyrtojnë atë që kanë lexuar në shkrimet e shenjta. Shkruajini në tabelë fjalët David dhe Jozef. Më pas shqyrtoni së bashku 2 Samuelit 11:1–5 dhe Zanafilla 39:7–12. Si iu përgjigjën Davidi dhe Jozefi tundimit për të kryer mëkat seksual? Çfarë mësojmë nga shembujt e tyre? Përdorni veprimtaritë në vijim ose disa nga veprimtaritë tuaja për të frymëzuar diskutim të mëtejshëm mbi atë përse dëlirësia është e rëndësishme në planin e Perëndisë.

  • Të rinjtë dhe të rejat të cilave u jepni mësim, mund të përfitojnë nga përkufizimi i standardit të Zotit për pastërtinë seksuale. Ftojini ata të shqyrtojnë temën “Pastërtia Seksuale” te Për Forcën e Rinisë ([broshurë, 2011], f. 35–37) ose paragrafin e katërt të dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org). Si janë mësimet e Zotit rreth seksualitetit të ndryshme nga ajo që Satani dëshiron që ne të besojmë? Të rinjtë dhe të rejat mund të shqyrtojnë dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, duke kërkuar deklaratat që shpjegojnë se përse pastërtia seksuale është e rëndësishme për planin e Atit Qiellor për lumturinë. Çfarë mësojmë nga këto deklarata që na ndihmojnë të jetojmë me drejtësi në botën e sotme?

  • Ndonjëherë të tjerët nuk i kuptojnë standardet tona të moralshmërisë, kryesisht ngaqë këto standarde janë kaq të ndryshme nga ato që shumë njerëz besojnë. Si mund t’u përgjigjemi pyetjeve të tyre? Çfarë mësojmë nga Plaku dhe Motra Renland në materialin filmik “Why Is It Important to Live the Law of Chastity?” [“Përse Është e Rëndësishme të Jetohet Ligji i Dëlirësisë?”] nga “Face to Face with Elder and Sister Renlund” [“Ballë për Ballë me Plakun dhe Motrën Renland”] (ChurchofJesusChrist.org). Të rinjtë dhe të rejat gjithashtu mund të kërkojnë te shkrimet e shenjta te pjesa “Burime Mbështetëse” për deklarata që përshkruajnë bekimet e dëlirësisë. Ju mund t’u kërkoni atyre të tregojnë mendimet e tyre rreth arsyes përse zgjedhin që t’i binden standardit të Zotit për moralshmërinë seksuale.

  • Kultura e përhapur shpesh na mëson se nuk ka nevojë që të jesh i/e pastër seksualisht. Prapëseprapë, kultura i shpërfill të vërtetat rreth bekimeve të dëlirësisë dhe rreziqeve të pamoralshmërisë. Për të mësuar më shumë rreth këtyre të vërtetave, të rinjtë dhe të rejat mund të studiojnë mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”. Disa mund të studiojnë pjesën “Qëllimi i Kundërshtarit” dhe të tjerë mund të studiojnë pjesën “Bekimet e Qenies të Dëlirë”. Më pas ata mund t’ia tregojnë njëri‑tjetrit atë që mësuan. Nxitini ata të shkruajnë një frazë nga ky mesazh që dëshirojnë ta kujtojnë herën tjetër kur të hasin mesazhe të rreme rreth seksualitetit. Ju gjithashtu mund t’i drejtoni ata te pjesa e titulluar “Parimi i Pendimit”. Diskutoni se si Shpëtimtari mund t’i shërojë të gjithë ata që dëshirojnë të pendohen për mëkatin seksual. Kujtojuni atyre të cilëve u jepni mësim, se ata mund të flasin me prindërit ose peshkopin e tyre nëse kanë pyetje ose nevojë të pendohen.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Në çdo mjedis, Shpëtimtari ishte shembull dhe këshillues. Ai u mësoi dishepujve të Tij të luteshin duke u lutur me ta. Ai u mësoi atyre të donin dhe të shërbenin me anë të mënyrës se si Ai i deshi dhe u shërbeu atyre. Ai u mësoi atyre se si ta jepnin mësim ungjillin e Tij me anë të mënyrës se si Ai e dha mësim.