Liahona
Misioni Jetëndryshues
Prill 2024


Faqet lokale

Misioni Jetëndryshues

Kam pasur shumë ditë të mrekullueshme në jetën time, por më e veçanta ishte dita e pagëzimit tim, maj 2015. Qysh në fëmijëri, babai më mësoi për Perëndinë dhe ndjekjen e shembullit të Krishtit. Kur mora një dëshmi për Librin e Mormonit dhe u pagëzova në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vendosa të shërbeja në një mision që të mund ta përhapja atë njohuri të bekuar që ndryshoi rrjedhën e vetë jetës sime.

U përgatita për katër vjet derisa koha erdhi kur unë mund të shërbeja. Në 2019 mora thirrjen time. E hapa atë në praninë e familjes dhe miqve të mi më të mirë. Isha shumë e emocionuar. Para se të hapja zarfin u luta që të mund ta pranoja thirrjen me ndihmën e Frymës së Shenjtë pavarësisht se ku do të isha thirrur. Isha thirrur në Misionin e Kalgarit në Kanada. Në fakt, unë prisja që çdo gjë të shkonte përsosurisht mirë. Por nuk e dija se çfarë do të ndodhte pas marrjes së thirrjes.

Viza për në Kanada m’u mohua dy herë. Isha shumë e lënduar shpirtërisht dhe po e pyesja Perëndinë: “Pse duhet të ndodhte kjo, pse më thirre për të shërbyer në një vend ku nuk do të më lejohej të shkoja?”. Në vitin 2019 u ricaktova në misionin e Tempullit të Solt-Lejk-Sitit. M’u desh kohë që ta pranoja këtë thirrje. Por ky nuk ishte fundi. Para se të shkoja në Provo për të filluar trajnimin në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve nisi karantina për shkak të pandemisë nga Covid-19. Kufinjtë u mbyllën dhe u bë e pamundur që të mund të shkoja në Misionin ku isha ricaktuar.

Pastaj m’u dha mundësia ose të prisja që të hapeshin kufijtë, ose ta vazhdoja misionin në Shqipëri. Pas çdo dyshimi, lëndimi dhe vuajtjeje shpirtërore gjatë atij procesi vendosa ta vazhdoj misionin tim në Shqipëri. Aty unë kuptova se arsyeja pse doja të shërbeja nuk kishte lidhje me vendin, Perëndia mund të më përdorte kudo që të isha. Gjithashtu kuptova që nuk do të lejoja asgjë të më largonte nga Perëndia dhe zotimi që kisha bërë për t’i shërbyer Atij. Tani që shoh prapa, jam tejet mirënjohëse për zgjedhjen që bëra. Gjatë misionit u rrita shumë shpirtërisht, mësova më shumë rreth Shlyerjes së Krishtit dhe se si mund ta zbatoj atë në jetën time. Gjithashtu fillova ta njoh veten time më mirë.

Unë mendova, që të folurit me njerëzit në rrugë do të më ndihmonte të isha më pak e druajtur, por kjo nuk ndodhi gjatë misionit tim. Gjithsesi Zoti më ndihmoi në këtë drejtim në një mënyrë tjetër. Pavarësisht se nuk kontaktonim dot me njerëzit në rrugë, unë dhe shoqet e mia u bekuam me njerëz që të mund t’u jepnim mësim. Shumica e tyre erdhën si rezultat i ndihmës së anëtarëve. Nga kjo kuptova sa të rëndësishëm janë anëtarët në suksesin e punës misionare. Kjo njohuri që fitova në mision më ndihmon tani që jam kthyer në shtëpi, të vazhdoj t’i ndihmoj misionarët e tjerë për punën misionare këtu në Shkodër.

Kam pasur shumë përvoja të ndryshme gjatë misionit tim që më kanë dhënë mësime të vlefshme. Do të përmend dy prej tyre.

Ne po i jepnim mësimet një djali të ri në moshë madhore. Ai ishte njohur me kishën nga shoqja e tij. Mësimet që ne kishim me të ishin gjithmonë të mrekullueshme dhe ndienim Shpirtin. Pavarësisht nga kjo, ai nuk po përparonte në ungjill. Për këtë arsye duhej të merrnim vendimin t’i ndalnim mësimet. E mbaj mend mësimin e fundit që ne kishim me të dhe unë dëshmova për vërtetësinë e ungjillit. I thashë: “Unë e di çfarë është e vërtetë, por dëshmia ime nuk do ta ndryshojë jetën tënde. Ti ke nevojë për dëshminë tënde dhe derisa ti të jesh i gatshëm ta hapësh zemrën për ta pranuar dhe vepruar, ne do t’i ndalojmë mësimet.” Kjo përvojë ma ritheksoi rëndësinë që liria e zgjedhjes ka në planin e Perëndisë. Gjithashtu mësova që të dish diçka është e kotë nëse nuk vepron sipas asaj që di. E di që ai do ta pranojë ungjillin kur ai të jetë gati dhe ndoshta do t’i mbajë mend gjërat që ne i mësuam, por ajo nuk ishte koha e duhur.

Përvoja e dytë ishte me një vajzë të re. Ajo ishte e martuar dhe kishte një djalë të mrekullueshëm. Unë u takova me të kur shkova në zonën e sapocaktuar të shërbimit. Ajo ishte aq e përgatitur, sa ishte gati për ta pranuar ungjillin. Mësimet me të ishin plot me Shpirtin. Ajo kishte pyetje shumë të mira dhe sa herë që ne flisnim për ungjillin dhe e ndihmonim të gjente përgjigje për pyetjet e saj, sytë e saj shndritnin nga lumturia. Ne mund ta shihnim qartësisht dëshminë e saj teksa rritej dhe forcohej. Kishim vendosur ta pyetnim a donte të pagëzohej dhe përpara se t’i nxirrnim fjalët nga goja, ajo na tha vetë që donte të pagëzohej. Ne ishim shumë të lumtura për të. Unë e di që Perëndia dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij ta pranojnë ungjillin, por Ai e respekton lirinë e tyre të zgjedhjes dhe ne si misionare bëjmë të njëjtën gjë. Jam mirënjohëse për dëshminë që mora rreth rëndësisë së lirisë së zgjedhjes dhe për forcimin e dëshmisë sime për vërtetësinë e ungjillit që mora ndërsa I shihja dëshmitë e miqve të mi të rriteshin e të sillnin fryt.

Tani që jam kthyer në shtëpi, sa herë që unë kam vështirësi me diçka, përpiqem të kujtoj kohën kur unë dhashë dëshminë time para anëtarëve dhe kërkuesve në misionin tim dhe kjo më forcon edhe sot. Dua me gjithë shpirt të vazhdoj të jem një shembull i mirë për njerëzit që unë takova në misionin tim dhe të jem gjithmonë aty për t’i forcuar dhe përkrahur ata.

Mësimi më i madh që kam marrë gjatë misionit dhe që po vazhdoj ta shoh sot është fakti që Perëndia më gjendet gjithnjë pranë për të më drejtuar. Unë e di dhe e kam parë e vazhdoj ta shoh që për aq kohë sa ne qëndrojmë pranë Perëndisë, Ai do të na udhëheqë në jetën tonë, do të na bekojë dhe forcojë që ne të mund të përmbushim potencialin tonë hyjnor.

Misioni im ka qenë një periudhe jetëndryshuese dhe tani po vazhdoj t’i ushtroj gjërat që unë kam mësuar aty. Unë e di që kjo është kisha e Perëndisë e rivendosur në këto ditë të fundit për të bekuar botën dhe për ta përgatitur atë për ardhjen e Krishtit. E di që Ungjilli i Jezu Krishtit ka përgjigjet për të gjjtha problemet e kohës sonë dhe e di që Shlyerja e Jezu Krishtit është për çdo njeri që do të përmirësohet. E di që ndërsa ne e shtrëngojmë fort dorën e Perëndisë, nuk do të lihemi vetëm apo të pashpresë.