Liahona
Ushqejeni Shpirtin Tuaj me Lutje të Shpeshtë
Prill 2024


“Ushqejeni Shpirtin Tuaj me Lutje të Shpeshtë”, Liahona, prill 2024

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Prill 2024

Ushqejeni Shpirtin Tuaj me Lutje të Shpeshtë

Ne kemi nevojë për ushqimin shpirtëror të komunikimit me Atin tonë Qiellor, një bekim që është në dispozicion për ne kudo dhe përherë.

Pamja
Enosi duke u lutur

Fotografi e një aktori që portretizon Enosin nga Matt Reier

Të gjithë ne kemi ndier uri më parë. Shtrëngimet nga uria janë mënyra se si trupi na tregon se ka nevojë për ushqim. Dhe kur jemi të uritur, e dimë se çfarë kemi nevojë të bëjmë – të hamë.

Shpirti ynë gjithashtu ka mënyra për të na bërë të ditur se kur na nevojitet ushqim shpirtëror. Por duket se është më e lehtë për ne që thjesht ta shpërfillim urinë shpirtërore sesa urinë fizike.

Ashtu siç ka larmi të madhe të ushqimeve që mund të hamë kur jemi të uritur, ashtu ka gjëra ta ndryshme që mund të bëjmë për ta shuar urinë tonë shpirtërore. Për shembull, ne mund të “ushqeh[emi] me bollëk me fjalët e Krishtit” (2 Nefi 32:3) në shkrimet e shenjta dhe përmes fjalëve të profetëve. Ne mund ta frekuentojmë rregullisht kishën dhe të marrim sakramentin (shihni te Doktrina dhe Besëlidhje 59:9). Ne mund t’i shërbejmë Perëndisë dhe fëmijëve të Tij (shihni te Mosia 2:17).

Por ka një burim tjetër të ushqimit shpirtëror që është në dispozicion për ne gjatë gjithë kohës, në çdo çast të jetës sonë, pavarësisht nga rrethanat tona. Ne mund të komunikojmë gjithmonë me Atin Qiellor përmes lutjes.

“Shpirti Im Ishte i Uritur”

Teksa profeti Enos gjuante kafshë në pyll, ai mendoi për “fjalët që [i] kish[te] dëgjuar shpesh atin [e tij] të fliste në lidhje me jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve”. Këto fjalë “hynë thellë në zemrën [e tij]” (Enosi 1:3).

Për shkak se Enosi ishte në këtë gjendje shpirtërore të mendjes, ai ndjeu një nevojë të fortë: “Shpirti im ishte i uritur” – tha ai (Enosi 1:4; theksimi i shtuar).

Çfarë bëri Enosi kur ndjeu këtë uri shpirtërore, këtë nevojë për ushqim shpirtëror? “Unë u gjunjëzova para Krijuesit tim” – tha ai – “dhe iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë për shpirtin tim” (Enosi 1:4).

Kaq e madhe ishte uria shpirtërore e Enosit sa ai u lut “gjithë ditën … dhe kur ra nata, [ai] e ngrit[i] akoma zërin [e tij] lart, saqë ai arriti qiejt (Enosi 1:4). Përfundimisht, Perëndia iu përgjigj lutjes së tij dhe ia fali mëkatet. Enosi ndjeu se fajësia e tij u fshi. Por ushqimi i tij shpirtëror nuk përfundoi aty.

Ai mësoi për fuqinë e besimit te Jezu Krishti dhe e derdhi tërë shpirtin e tij në emër të popullit të vet – madje edhe të armiqve të tij. Ai i bëri besëlidhjet me Zotin dhe mori premtime prej Tij. Dhe pas lutjes së vet të fuqishme, Enosi shkoi mes popullit të tij duke profetizuar dhe duke dëshmuar për gjërat që kishte dëgjuar e parë. (Shihni tek Enosi 1:5–19.)

Jo çdo lutje do të marrë përgjigje në një mënyrë kaq mbresëlënëse, por përvojat tona me lutjen mund të jenë ende kuptimplota dhe jetëndryshuese. Ne mund të marrim disa mësime të rëndësishme nga përvoja e Enosit me lutjen. Për shembull:

  • Përpjekja për ta jetuar plotësisht ungjillin mund të na ndihmojë të kuptojmë urinë tonë shpirtërore.

  • Uria jonë shpirtërore mund dhe duhet të na bëjë të ulemi në gjunjë për të kërkuar ndihmën e Atit Qiellor.

  • Lutja ndaj Atit Qiellor mund të na ndihmojë ta kënaqim urinë tonë shpirtërore – dhe shumë më tepër.

  • Ne mund të lutemi kudo, në çdo kohë.

  • Lutja mund të na ndihmojë të pendohemi.

  • Lutja mund ta forcojë besimin tonë te Jezu Krishti.

  • Ne mund të marrim një dëshmi vetjake se Ati ynë Qiellor na dëgjon dhe është në dijeni për ne.

  • Dëshmia dhe forca që marrim përmes lutjes, mund të na ndihmojë që t’u shërbejmë të tjerëve dhe t’i forcojmë ata.

Pamja
Plaku Soares kur ishte djalosh

Përvoja Ime me Fuqinë e Lutjes

Ashtu si Enosi, i mësova disa prej po këtyre mësimeve nëpërmjet përvojës vetjake. Prindërit e mi u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur isha djalë i vogël dhe u pagëzova kur isha tetë vjeç. Gjithmonë kisha një ndjenjë të mirë e të ngrohtë në zemrën time rreth Atit tim Qiellor dhe rreth Jezu Krishtit, ungjillit të Tij të rivendosur dhe Kishës së Tij. Por nuk ndodhi derisa isha pothuaj 16 vjeç që u luta për herë të parë për të vërtetën e këtyre gjërave.

Peshkopi im i frymëzuar më kërkoi që të jepja mësim në një klasë të shkollës të së dielës për rininë. Duhej të jepja një mësim rreth mënyrës se si mund të fitojmë një dëshmi për ungjillin nëpërmjet lutjes. Kjo detyrë nga peshkopi im më bëri të mendoj më thellë për vetë dëshminë time. E kisha gjetur kohën për ta studiuar Librin e Mormonit dhe gjithmonë kisha ndier se Kisha ishte e vërtetë. Kisha besuar gjithmonë te Shpëtimtari Jezu Krisht, por nuk e kisha marrë kurrë parasysh premtimin e Moronit që gjendet te Moroni 10:4–5. Nuk isha lutur kurrë për vërtetësinë e ungjillit.

Mbaj mend që në zemrën time ndjeva se, nëse do t’u mësoja këtyre të rinjve se si të fitonin një dëshmi nëpërmjet lutjes, unë duhet të lutesha vetë për një dëshmi. Shpirti im ishte i uritur – ndoshta në një mënyrë tjetër nga Enosi, por megjithatë ndjeva një nevojë shpirtërore.

Ndërsa përgatitja mësimin, u gjunjëzova dhe ia ofrova dëshirën e zemrës sime Atit tim Qiellor për ta konfirmuar të vërtetën që ndieja përbrenda. Nuk prisja ndonjë manifestim të madh. Por kur e pyeta Zotin nëse ungjilli është i vërtetë, më hyri në zemër një ndjenjë shumë e ëmbël – ai zë i qetë dhe i vogël, duke më konfirmuar se ishte i vërtetë dhe se duhet të vazhdoja të bëja atë që po bëja.

Ndjenja ishte aq e fortë sa nuk mund ta shpërfillja kurrë atë përgjigje dhe të thosha se nuk e dija. E kalova gjithë atë ditë duke u ndier shumë i lumtur. Mendja më rrinte atje duke përsiatur ndjenjën e bukur në zemrën time.

Të dielën pasuese, qëndrova përballë tre ose katër shokëve të mi të klasës, të cilët ishin të gjithë më të rinj se unë. U dëshmova atyre se Ati Qiellor do t’u përgjigjej lutjes së tyre nëse do të kishin besim.

Pamja
Plaku Soares

Një lutje me përgjigje që Plaku Soares e mori kur ishte i ri, e ka lejuar atë të dëshmojë – si misionar (lart), baba e bashkëshort dhe apostull – se Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve të bëra me besim.

Që prej asaj kohe e tutje, kjo dëshmi ka qëndruar me mua. Më ka ndihmuar të marr vendime, veçanërisht në çastet kur jam përballur me sfida. Ajo lutje në atë ditë, së bashku me dëshmitë e tjera që kam marrë gjatë viteve, më ka lejuar t’u dëshmoj njerëzve, me bindje, se ata mund të marrin përgjigje nga Ati Qiellor nëse luten me besim. Kjo ka qenë e vërtetë ndërsa unë kam dëshmuar si misionar, si udhëheqës i Kishës, si baba dhe bashkëshort, madje edhe sot si Apostull.

Kur dhe për Çfarë të Lutemi

Sigurisht, ne nuk lutemi vetëm kur ndiejmë një nevojë veçanërisht të fortë shpirtërore. Pra, kur duhet të lutemi? Dhe për çfarë duhet të lutemi? Përgjigjja e shkurtër është në çdo kohë dhe për çdo gjë.

Perëndia është Ati ynë Qiellor. Dijenia për këtë e ndryshon mënyrën se si lutemi. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Kur kemi njohuri për Perëndinë, fillojmë të dimë si t’i qasemi Atij dhe si të pyesim në mënyrë që të marrim përgjigje. … Kur ne jemi gati të vijmë tek Ai, Ai është gati të vijë tek ne.”1

Ati ynë Qiellor është përherë i gatshëm që të na dëgjojë dhe dëshiron që ne t’i lutemi Atij rregullisht dhe shpesh. Ne duhet të “këshilloh[emi] me Zotin për të gjitha veprimet [tona]” (Alma 37:37) dhe të lutemi në mëngjes, në mesditë dhe natën. Ne duhet të lutemi në shtëpi, në punë, në shkollë – kudo ku mund të jemi dhe për çdo ndërmarrje tonën (shihni tek Alma 34:17–26).

Ne duhet të lutemi në familjet tona (shihni tek 3 Nefi 18:21). Ne duhet të lutemi “me zë dhe në zemrën t[onë], në publik dhe në fshehtësi” (Doktrina e Besëlidhje 81:3). Dhe “kur [ne] të mos i përgjërohe[m]i Zotit, le të jenë zemrat t[ona] plot, të hapura në lutje tek ai vazhdimisht, për mirëqenien t[onë] dhe gjithashtu për mirëqenien e atyre që janë rreth e përqark [nesh]” (Alma 34:27). Dhe ne duhet t’i lutemi gjithmonë Atit në emrin e Jezu Krishtit (shihni tek 3 Nefi 18:19–20).

Pamja
Jozef Smithi kur ishte i ri

Ilustrim i Jozef Smithit nga Walter Rane, nuk lejohet kopjimi

Qasja tek Ati Ynë Qiellor

Ati ynë në Qiell dëshiron të na bekojë. Dhe Ai do të na bekojë, nëse ia kërkojmë. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Kujtoni se pa kërkuar ne nuk mund të marrim asgjë; prandaj, kërkoni me besim dhe ju do të merrni të tilla bekime që Perëndia sheh të përshtatshme t’ju dhurojë”2.

Lutjet tona të rregullta dhe të shpeshta janë një pjesë thelbësore e një diete të ekuilibruar të ushqimit shpirtëror për shpirtrat tanë të uritur. Komunikimi me Atin Qiellor nëpërmjet lutjes është në dispozicion dhe i mirëpritur kudo dhe përherë.

Një nga shkrimet e mia të shenjta të parapëlqyera na mëson se si duhet t’i qasemi Atit tonë Qiellor kur gjunjëzohemi për t’u lutur: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (Doktrina e Besëlidhje 112:10). Kur jemi të përulur dhe të bindur, Ati Qiellor do të jetë me ne. Ai do të na udhëheqë për dore. Ai do të na frymëzojë se ku të shkojmë dhe çfarë të bëjmë. Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona sipas vullnetit, mënyrës, kohës dhe njohurisë së Tij absolute rreth asaj që është e mirë për ne.

Ne duhet ta mbajmë mend këtë dhe t’i çmojmë shumë mundësitë për t’iu qasur fronit të Perëndisë dhe për të marrë bekime nga dora e Tij.

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 42.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 135.