Liahona
Jezu Krishti në Librin e Mormonit
Janar 2024


“Jezu Krishti në Librin e Mormonit”, Liahona, janar 2024.

Jezu Krishti në Librin e Mormonit

Sa herë përmendet Zoti në Librin e Mormonit?

Pamja
Jezu Krishti duke u dhënë shërbesë njerëzve të kontinentit amerikan

Cili do të thoshit ju se është figura qendrore në Librin e Mormonit? Ndërkohë që disa mund të sugjeronin Nefi, Alma ose Mormoni, figura e vërtetë kryesore është Jezu Krishti. Nefi shkroi:

“Ne punojmë me zell që të shkruajmë, të bindim fëmijët tanë … të besojnë në Krisht. …

Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin” (2 Nefi 25:23, 26).

Në vitin 1978, Suzana Uord Istoni botoi një artikull historik, duke treguar me shifra se Jezu Krishti është figura qendrore në Librin e Mormonit. Ajo identifikoi titujt e ndryshëm të Jezu Krishtit dhe tregoi se Ai ishte përmendur me emër ose me titull 3 925 herë në Librin e Mormonit, që mesatarisht i bie të jetë një herë në çdo 1.7 vargje.1

Ky studim me vlerë nxjerr në pah rolin qendror të Shpëtimtarit në Librin e Mormonit; megjithatë, ai e ul ndjeshëm shpeshtësinë me të cilën Krishti përmendet duke përjashtuar përemrat që i referohen Atij.

Përfundimisht, numri i referencave për Jezu Krishtin nuk është detaji më i rëndësishëm për të mësuar nga Libri i Mormonit; megjithatë, çdo referencë për Të mund të na mësojë rreth natyrës dhe misionit të Tij hyjnor. Ne e analizuam me kujdes Librin e Mormonit, duke kërkuar të gjitha rastet kur përmendet Jezu Krishti, përfshirë titujt dhe përemrat. Ne përcaktuam 7 452 referenca në total, mesatarisht më shumë se një referencë për varg.2 Titujt e Krishtit përbëjnë afro 50 përqind të referencave për Krishtin në Librin e Mormonit, ku pjesa tjetër e mbetur rrjedh nga përemrat.

Kërkimi për Jezu Krishtin siguron një mënyrë të pashoqe për të mësuar rreth Tij. Merrni parasysh se si vargu vijues e vë theksin tek Ai: “Filloni të besoni në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet e tyre; dhe se ai do të ngrihet përsëri nga të vdekurit, që do të shkaktojë ringjalljen, që të gjithë njerëzit do të qëndrojnë para tij për t’u gjykuar, sipas veprave të tyre, ditën e fundit dhe të gjykimit” (Alma 33:22; theksimi i shtuar).

Në studimin origjinal të Motrës Iston, ky varg do të ishte numëruar si një referencë për Krishtin nga titulli “Biri i Perëndisë”. Megjithatë, Shpëtimtari përmendet edhe pesë herë të tjera. Ky varg thekson jo vetëm se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, por edhe se Ai është i vetmi që do të na shëlbojë nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij të përhershme dhe do të jetë gjykatësi ynë.

Ndoshta, gjëja më e fuqishme është se Krishti i referohet Vetes së Tij në Librin e Mormonit. Për shembull, ne lexojmë se Shpëtimtari thotë: “Në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27; theksimi i shtuar). Ndonëse emri i Krishtit nuk shfaqet në këtë varg, Shpëtimtari i referohet Vetes së Tij tetë herë. Roli i Tij del në pah teksa e kërkojmë Shpëtimtarin në këtë fragment.

Vargjet vijuese tregojnë lidhjen vetjake që ndjeu Shpëtimtari me secilin individ dhe se çfarë ndien ata ndaj Tij:

“Ejani tek unë, që të mund të vini duart tuaja në anën time dhe gjithashtu të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës.

… Turma shkoi përpara dhe i vunë duart në anën e tij, dhe ndien gjurmët e gozhdëve në duart e tij dhe në këmbët e tij” (3 Nefi 11:14–15; theksimi i shtuar).

Ndonëse ne ende nuk mund t’i ndiejmë fizikisht shenjat e Tij, nëpërmjet Librit të Mormonit ne mund ta thellojmë dëshminë tonë vetjake për Jezu Krishtin.

Referencat e shpeshta për Zotin në Librin e Mormonit na ndihmojnë të shohim rolin e Tij qendror në këtë vepër të shenjtë. Identifikimi i Shpëtimtarit në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, është një mënyrë e fuqishme për t’iu afruar më shumë Atij.

Shënime

  1. Shih Susan Ward Easton, “Names of Christ in the Book of Mormon”, Ensign, korrik 1978, f. 60–61.

  2. Disa vargje përmbajnë referenca të shumta për Krishtin, ndërsa disa të tjera nuk kanë asnjë. Mesatarisht, ka nga një referencë për Jezu Krishtin për çdo 0.88 vargje në Librin e Mormonit.