2021
Perëndia na Tha që të Pagëzohemi
Shkurt 2021


“Perëndia na Tha që të Pagëzohemi”, Liahona, Shkurt 2021

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Shkurt 2021

Perëndia na Tha që të Pagëzohemi

Jezu Krishti dha shembullin e pagëzimit nga dikush me autoritetin e Perëndisë.

Ndonëse nuk kemi shumë hollësi rreth jetës personale të Jezu Krishtit, ne vërtet e dimë se Ai u pagëzua kur ishte rreth 30 vjeç (shih Lluka 3:23). Këtu janë disa gjëra që mësojmë për pagëzimin nga shembulli i Tij.

Për Çdo Person

Nëse jemi rritur dhe pjekur aq sa ta dallojmë ndryshimin midis së drejtës dhe së gabuarës, Ati Qiellor dëshiron që të pagëzohemi (shih Doktrina e Besëlidhje 18:42). Jezusi ishte i përsosur, por Ai prapëseprapë zgjodhi të pagëzohej që të zbatonte urdhërimet e Perëndisë (shih Mateu 3:13–17; 2 Nefi 31:7). Edhe ata që tashmë kanë vdekur, mund ta pranojnë pagëzimin. Ne ua ofrojmë pagëzimin atyre duke u pagëzuar për ta në tempuj. (Shih Doktrina e Besëlidhje 128:15–18.)

Pamja
pagëzimi

Bërë me Autoritet

Jezusi nuk u pagëzua thjesht nga një njeri çfarëdo. Ai shkoi posaçërisht te kushëriri i Tij, Gjoni, i cili kishte autoritetin e priftërisë nga Perëndia. Pasi Jezusi vdiq dhe dishepujt e Tij u vranë, ai autoritet i priftërisë humbi nga toka. Më pas, në vitin 1829, Gjoni Pagëzori iu shfaq Jozef Smithit dhe i dha atij autoritet për të pagëzuar në emër të Perëndisë. Për shkak të asaj rivendosjeje, ne mund të pagëzohemi me po të njëjtin autoritet sot.

Pamja
rivendosja e Priftërisë Aarone

Një Premtim Dypalësh

Pagëzimi përfshin një premtim ose besëlidhje dypalëshe, midis nesh dhe Perëndisë. Ne premtojmë:

  1. Të marrim mbi vete emrin e Krishtit.

  2. Gjithmonë ta kujtojmë Atë.

  3. Të zbatojmë urdhërimet e Tij.

Në këmbim, Perëndia premton që Shpirti i Tij do të jetë gjithmonë me ne. Fjalët e lutjeve të sakramentit na e kujtojnë këtë besëlidhje çdo javë. (Shih Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79.)

Pamja
familje në mbledhjen e sakramentit

Marrja e Frymës së Shenjtë është një Pjesë e Rëndësishme e Pagëzimit

Pasi Jezusi u pagëzua, Fryma e Shenjtë u shfaq në formën e një pëllumbi (shih 2 Nefi 31:8). Sot, pasi njerëzit pagëzohen, ata konfirmohen. Kjo do të thotë që ata marrin një bekim të veçantë në të cilin ftohen të marrin dhuratën pastruese shpirtërisht të Frymës së Shenjtë (shih 2 Nefi 31:17). Fryma e Shenjtë mund të na paralajmërojë për rrezikun, të na ngushëllojë, të na drejtojë për të marrë vendime të mira dhe mund të na ndihmojë ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë (shih Doktrina e Besëlidhje 39:6).

Pamja
grua duke u konfirmuar

Ne Mund të Pendohemi Gjithmonë

Perëndia e dinte se ne do të bënim gabime. Pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, ne do të mëkatojmë dhe nuk do të arrijmë t’i jetojmë premtimet tona të pagëzimit. Ndaj Ai i jep secilit prej nesh mundësinë për t’u penduar. (Shih Doktrina e Besëlidhje 18:13.) Çdo ditë, ne mund të bëjmë më të mirën tonë për të kërkuar falje dhe për të ndrequr çdo gabim. Ne mund të lutemi dhe të kërkojmë faljen e Perëndisë. Më pas, kur e marrim sakramentin me një zemër të përulur, ne mund të kemi Frymën e Shenjtë me vete (shih 3 Nefi 18:11).

Pamja
grua duke u lutur pranë shtratit

Çfarë Thonë Shkrimet e Shenjta për Pagëzimin?

Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përgatiten për pagëzim (shih Doktrina e Besëlidhje 68:25).

Ata që janë më të vegjël se tetë vjeç/e, nuk kanë nevojë të pagëzohen (shih Moroni 8).

Kur pagëzohemi ne premtojmë të “vajto[jmë] me ata që vajtojnë; … të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9).