2018
Ngritja e Themelit të Një Vepre të Madhe
Nëntor 2018


Ngritja e Themelit të një Vepre të Madhe

Mësimet që merren nëpërmjet traditave që krijojmë në shtëpitë tona, ndonëse të vogla dhe të thjeshta, janë tejet të rëndësishme në botën e sotme.

Si prindër në Sion, ne kemi një detyrë të shenjtë për ta zgjuar dëshirën dhe zotimin te fëmijët tanë për gëzimin, dritën dhe të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit. Ndërkohë që i rritim fëmijët tanë, ne krijojmë tradita brenda shtëpisë sonë dhe ndërtojmë modele komunikimi dhe sjelljeje në marrëdhëniet tona familjare. Kur e bëjmë këtë, traditat që krijojmë, duhet të ngulitin veçori të forta dhe të palëkundura të mirësisë te fëmijët tanë, që do t’i mbushin ata me forcë për t’u përballur me sfidat e jetës.

Prej shumë vitesh, familja jonë ka shijuar traditën vjetore të fushimit lart në malet Uintah në verilindje të Jutës. Ne udhëtojmë 32 km në një rrugë me gurë, të paasfaltuar, për të mbërritur në një luginë të bukur të gjelbër, me mure të larta kanionesh, përmes të cilëve rrjedh një lumë me ujë të ftohtë e të kulluar. Çdo vit, duke shpresuar që të ripohojmë vlerën e doktrinës dhe praktikave të ungjillit në zemrën e fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona, Suzana dhe unë i kërkojmë secilit prej gjashtë bijve tanë e familjeve të tyre që të përgatitin një mesazh të shkurtër mbi një temë që ata mendojnë se është një element i rëndësishëm për themelet e një shtëpie të përqendruar te Krishti. Ne më pas mblidhemi për një takim shpirtëror familjar në një vend të veçuar dhe secili paraqet mesazhin e vet.

Pamja
Mesazhe të shkruara në gurë

Këtë vit, nipërit e mbesat tona e shkruan temën e mesazhit të tyre në gurë dhe më pas një e nga një, i futën në gropë pranë njëri-tjetrit, duke përfaqësuar një themel të sigurt mbi të cilin ndërtohet një jetë e lumtur. Thurur me të gjashta mesazhet e tyre ishte e vërteta e pandryshueshme dhe e përjetshme se Jezu Krishti është guri i qoshes së atij themeli.

Me fjalët e Isaias: “Prandaj kështu thotë Zoti, [Perëndi]: ‘Ja, unë vendos si themel në Sion një gur, një gur të provuar, një kokë qosheje të çmuar, një themel të sigurt; ai që i beson atij nuk do të ngutet’”1. Jezu Krishti është ai guri i çmuar i qoshes në themelin e Sionit. Ishte Ai që i zbuloi Profetit Jozef Smith: “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.”2

Mësimet që merren nëpërmjet traditave që krijojmë në shtëpitë tona, ndonëse të vogla dhe të thjeshta, janë tejet të rëndësishme në botën e sotme. Cilat janë gjërat e vogla dhe të thjeshta të cilat, kur krijohen, do të kryejnë një vepër të madhe në jetën e fëmijëve tanë?

Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit iu drejtua një bashkësie të madhe afër Torontos në Kanada dhe u solli fuqishëm ndër mend prindërve përgjegjësinë e shenjtë që kemi për t’i mësuar fëmijët tanë. Midis përgjegjësive thelbësore që përcaktoi, Presidenti Nelson theksoi detyrat që kemi ne si prindër për t’i mësuar fëmijët që ta kuptojnë arsyen se përse e marrim sakramentin, domethënien e të lindurit në besëlidhje dhe rëndësinë e përgatitjes për bekimin patriarkal e për marrjen e tij, si dhe ai i nxiti prindërit që të prijnë drejt leximit të shkrimeve të shenjta së bashku si familje.3 Nëpërmjet këtyre përpjekjeve, profeti ynë i dashur na shtyn që t’i bëjmë shtëpitë tona “shenjtërore besimi”4.

Në Librin e Mormonit, Enosi shënon mirënjohjen e thellë që ndjeu për shembullin e atit të tij, i cili e “mësoi [atë] në gjuhën e tij dhe gjithashtu në kujdesin dhe këshillën e Zotit”. Me emocion të madh, Enosi thirri: “Dhe bekuar qoftë emri i Perëndisë tim për këtë”5.

Unë i çmoj traditat e vogla dhe të thjeshta që kemi arritur t’i mbajmë në shtëpinë tonë gjatë 35 vjetëve tona martesore. Shumë nga traditat tona janë të thjeshta e prapëseprapë domethënëse. Për shembull:

  • Gjatë mbrëmjeve kur isha larg shtëpisë, gjithmonë e kam ditur se nën drejtimin e Suzanës, djali ynë më i madh do ta merrte vetë përgjegjësinë që ta printe familjen drejt studimit të shkrimeve të shenjta dhe lutjes familjare.6

  • Një traditë tjetër – ne nuk largohemi kurrë nga shtëpia apo nuk e mbyllim bisedën telefonike pa thënë: “Të dua”.

  • Jeta jonë është bekuar duke caktuar kohë rregullisht për të shijuar intervistat vetjake me secilin prej bijve tanë. Gjatë një interviste, unë e pyeta birin tonë rreth dëshirave dhe përgatitjes së tij për të shërbyer në një mision. Pas disa diskutimesh, pati një çast qetësie reflektimi, më pas u përkul përpara dhe mendueshëm shpalli: “Babi, a e mban mend kur isha i vogël dhe filluam të bënim intervista atërore?” Unë thashë: “Po”. “Epo”, tha ai, “atëherë të premtova se do të shërbeja në një mision dhe ti me mamin më premtuat se do të shërbenit në një mision kur të plakeshit.” Më pas pati sërish qetësi. “A po hasni ju njerëz ndonjë problem që do t’ju ndalojë së shërbyeri – sepse ndoshta mund t’ju ndihmoj?”

Traditat e vazhdueshme, të shëndosha familjare që përfshijnë lutjen, leximin e shkrimeve të shenjta, mbrëmjen familjare dhe pjesëmarrjen në mbledhjet e Kishës, ndonëse në dukje të vogla e të thjeshta, krijojnë një kulturë dashurie, respekti, uniteti dhe sigurie. Me shpirtin që i shoqëron këto përpjekje, fëmijët tanë bëhen të mbrojtur nga shigjetat e zjarrta të kundërshtarit të rrënjosura në kulturën e botës në kohën tonë.

Neve na vjen ndërmend këshilla e urtë e Helamanit drejtuar bijve të tij: “Mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”7.

Vite më parë, kur po shërbeja si peshkop në një moshë të re, një zotëri më në moshë kërkoi të takohej me mua. Ai përshkroi largimin e tij nga Kisha dhe nga traditat e drejta të prindërve të tij kur ishte në moshë të re. Ai përshkroi me hollësi dëshpërimin që provoi gjatë jetës së vet ndërsa kërkonte më kot gëzim të përhershëm mes lumturisë së çastit që bota ka për të ofruar. Tani, vite më vonë në jetën e tij, ai përjetoi ndjesitë pëshpëritëse të buta, herë-herë të vazhdueshme, të Shpirtit të Perëndisë duke e udhërrëfyer atë sërish te mësimet, praktikat, ndjenjat dhe siguria shpirtërore e rinisë së tij. Ai shprehu mirënjohje për traditat e prindërve të tij dhe me fjalë bashkëkohore, ai përsëriti thirrjen e Enosit: “Bekuar qoftë emri i Perëndisë tim për këtë”.

Nga përvoja ime, rikthimi i këtij burri të dashur tek ungjilli është veçori e shumë njerëzve dhe përsëritet shpesh midis fëmijëve të Perëndisë që largohen për një periudhë për t’u kthyer më pas te mësimet dhe praktikat e rinisë së tyre. Në ato çaste, ne dëshmojmë urtësinë e shkruesit të fjalës së urtë, që i këshillon prindërit: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”8.

Çdo prind përballet me çaste shqetësimi dhe shkallë të ndryshme vendosmërie dhe force teksa i rrit fëmijët. Sidoqoftë, kur prindërit ushtrojnë besim duke i mësuar fëmijët me ndershmëri, me dashamirësi dhe duke bërë gjithçka munden për t’i ndihmuar ata gjatë rrugës, ata marrin shpresë më të madhe, saqë farat që po mbillen do të hedhin rrënjë në zemrën dhe mendjen e fëmijëve të tyre.

Moisiu e kuptoi më së miri nevojën themelore për mësimdhënie të vazhdueshme. Ai këshilloi: “Do t’ua ngulitësh bijve të tu [këto fjalë], do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh”9.

Ne gjunjëzohemi pranë fëmijëve tanë gjatë lutjes familjare, ne kujdesemi për ta nëpërmjet përpjekjeve tona për të bërë lexim kuptimplotë familjar të shkrimeve të shenjta, ne kujdesemi për ta me durim e me dashuri teksa marrim pjesë së bashku në mbrëmje familjare dhe brengosemi për ta kur gjunjëzohemi gjatë lutjeve tona vetjake drejtuar qiellit. O, sa dëshirojmë që farat që po mbjellim të hedhin rrënjë në zemrën dhe mendjen e fëmijëve tanë!

Besoj se pak rëndësi ka pyetja nëse fëmijët tanë po “e kuptojnë atë” gjatë mësimdhënies sonë, si në rastin kur mundohemi që t’i lexojmë shkrimet e shenjta ose kur bëjmë mbrëmje familjare apo marrim pjesë në veprimtaritë e përbashkëta dhe mbledhje të tjera të Kishës. Është më pak e rëndësishme [të shqetësohemi] nëse në ato çaste ata po e kuptojnë domethënien e atyre veprimtarive dhe është më tepër e rëndësishme [të shqetësohemi] nëse ne si prindër jemi duke ushtruar besim aq sa për të ndjekur këshillën e Zotit që të jetojmë me zell, të japim mësim, t’i këshillojmë dhe të vendosim pritshmëri që janë të frymëzuara nga ungjilli i Jezu Krishtit. Ajo është një përpjekje që shtyhet nga besimi ynë – bindja jonë se një ditë farat e mbjella në rininë e tyre do të hedhin rrënjë dhe do të fillojnë të mbijnë e të rriten.

Gjërat për të cilat flasim, gjërat të cilat i predikojmë dhe i japim mësim, përcaktojnë gjërat që do të ndodhin mes nesh. Teksa krijojmë tradita të shëndosha që na mësojnë për doktrinën e Krishtit, Shpirti i Shenjtë jep dëshmi për vërtetësinë e mesazhit tonë dhe i ushqen farat e ungjillit që janë mbjellë thellë në zemrën e fëmijëve tanë, me anë të përpjekjeve tona gjatë rrugës. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Isaia 28:16.

  2. Doktrina e Besëlidhje 64:33.

  3. Shih faqen e facebook-ut të Nil L. Andersenit, postuar më 19 gusht 2018, facebook.com/lds.neil.l.andersen.

  4. Në Sarah Jane Weaver, “President Nelson Urges ‘Teach the Children’”, Church News, 23 shtator 2018, f. 11.

  5. Enosi 1:1.

  6. Shih Dallin H. Ouks, “Autoriteti i Priftërisë në Familje dhe në Kishë”, Liahona, nëntor 2005, f. 24–27 [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 35–39].

  7. Helamani 5:12.

  8. Fjalët e Urta 22:6.

  9. Ligji i Përtërirë 6:7.