2017
Plaku Robert D. Hejls: Një Jetë e Nderuar
Në Përkujtim: Plaku Robert D. Hejls


Plaku Robert D. Hejls: Një Jetë e Nderuar

“O, sikur të kisha zërin dhe borinë e një engjëlli që të mund t’i thosha gjithë njerëzimit se [Jezu Krishti] u ngjall dhe se Ai jeton; se Ai është Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri i Atit, Mesia i premtuar, Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë; se ai erdhi në këtë botë për të na e mësuar ungjillin me anë të shembullit. Misioni i Tij hyjnor na drejtohet mua dhe juve që të vijmë tek Ai dhe Ai do të na udhëheqë drejt jetës së përjetshme.”1

Pamja
Robert D. Hales and his wife, Mary

Kapaku: fotografi nga Stuart Johnson, Deseret News

Kur Plaku Robert D. Hejls shërbeu si pilot i një [avioni] gjuajtës reaktiv në Forcën Ajrore të SHBA-së gjatë viteve 1950, anëtarët e skuadriljes pranuan një moto që t’i frymëzonte në detyrat e tyre.

“Motoja e njësisë sonë – që shfaqej në anën e avionit tonë – ishte ‘Kthehu me Nder’”, u tha Plaku Hejls mbajtësve të priftërisë në vitin 1990 teksa shërbente si Peshkop Kryesues. “Kjo moto ishte një kujtues i vazhdueshëm për ne lidhur me vendosmërinë tonë që të ktheheshim në bazën tonë të qëndrimit me nder vetëm pasi t’i kishim bërë të gjitha përpjekjet që ta plotësonim me sukses çdo aspekt të misionit tonë.”2

Pamja
Robert D. Hales as pilot with plane; as businessman

Plaku Hejls, i cili foli shpesh për kthimin me nder, besonte se të gjithë fëmijët e Atit Qiellor mund të ndihmoheshin përgjatë shtegut të tyre të përjetshëm nëpërmjet zbatimit të kësaj motoje në jetën e tyre. Ngaqë çdo ditë e jetës është një mision, ai dha mësim: “Na nevojitet të mbajmë mend se cilët jemi dhe synimin tonë të përjetshëm për t’u ‘Kth[yer] me Nder’, me familjet tona, në praninë e Atit tonë Qiellor”3.

Në detyrat e tij si bashkëshort e baba, si drejtues biznesi dhe si Autoritet i Përgjithshëm i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për më shumë se 40 vjet, Plaku Hejls e mbajti mend se kush ishte dhe veproi në përputhje me këtë. Dhe nëpërmjet besnikërisë, bindjes, zellit dhe shërbimit të tij, ai e mishëroi moton e skuadriljes së tij gjatë gjithë jetës së vet në vdekshmëri.

Një Familje e Lidhur Ngushtë

Pamja
Robert D. Hales with his parents and siblings; as a child

Robert Din Hejlsi u lind në Nju-Jork-Siti të SHBA-së më 24 gusht 1932, fëmija i tretë i tre fëmijëve që iu lindën J. Rulon Hejlsit dhe Vera Mëri Holbruk Hejlsit. Roberti u rrit në Long-Ajllënd aty pranë, në një familje të përqendruar tek ungjilli. Prindërit e tij shërbyen në një mori thirrjesh të Kishës, përfshirë si misionarë kunji dhe çdo të diel familja udhëtonte 32 kilometra që të frekuentonte lagjen Kuins.

“Ishim një familje e lidhur ngushtë”, kujtoi Plaku Hejls. Ai e quajti shtëpinë e fëmijërisë së tij “një vend të bukur për t’u rritur” dhe familjen e tij “një burim force”.4

Shembujt e mirë, të dhënë nga prindërit e tij u bënë kujtime që e udhërrëfyen jetën e tij.5 “Ata e jetonin ungjillin, i studionin shkrimet e shenjta dhe jepnin dëshmi për Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin”, tha Plaku Hejls. “Ata gjithashtu jepnin dëshmi për Profetin Jozef Smith.”6

Që në moshë të re ai mësoi se “çelësi për forcimin e familjeve tona është që ta kemi Shpirtin e Zotit të hyjë në shtëpitë tona”7.

Nëna e tij, e cila shërbeu për më shumë se 30 vjet në Shoqatën e Ndihmës, i mësoi Robertit rreth dashurisë dhe shërbimit kur e merrte me vete që t’u shërbenin të varfërve dhe nevojtarëve.8 Babai i tij, një artist profesionist në Nju-Jork-Siti, i dha Robertit mësime jetëgjata rreth priftërisë dhe Rivendosjes. Në një rast, ai e çoi Robertin te lumi Saskehana, ku Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri kishin marrë Priftërinë Aarone nga Gjon Pagëzori. Në një rast tjetër, ai e çoi Robertin te Korija e Shenjtë.

“Ne u lutëm së bashku në korije dhe shprehëm dëshirën tonë që të ishim të vërtetë e besnikë ndaj priftërisë që mbanim”, kujtoi ai. “Babai më vonë pikturoi një pikturë të vendit ku ishim lutur dhe ma dha si kujtuese për premtimet tona që i bëmë atë ditë së bashku. Sot ajo qëndron e varur në zyrën time dhe shërben çdo ditë si kujtuese e përvojës sime të shenjtë dhe e premtimeve të bëra atit tim tokësor, si edhe Atit tim Qiellor.”9

Pamja
Robert D. Hales as young baseball player; in Dodgers uniform

Një lojtar bejsbolli që kur ishte i ri, Roberti më vonë luajti në shkollën e mesme dhe në kolegj, dhe në vitin 2007 hodhi topin e parë ceremonial në një ndeshje profesionistësh.

Fotografi nga Sonja Eddings Brown

Kur ishte i ri, Robertit i pëlqente shumë të luante bejsboll dhe përfundimisht luajti për Universitetin e Jutës. Në udhëtimin me autobus duke u kthyer për në shtëpi pas ndeshjes së tij të parë jashtë qytetit me skuadrën përfaqësuese të shkollës së mesme, djaloshi në klasën e nëntë u trondit nga një pjesë e sjelljes dhe e të folurës së shokëve të skuadrës së tij. Për ta forcuar Robertin, babai i vizatoi pikturën e një kalorësi.

“Teksa ai vizatonte dhe lexonte nga shkrimet e shenjta, unë mësova se si të jem një mbajtës besnik i priftërisë – ta ruaj dhe ta mbroj mbretërinë e Perëndisë. Fjalët e Apostullit Pal ishin udhërrëfyesi im” (shih Efesianëve 6:13–17).

Duke menduar për atë mësim vite më pas, Plaku Hejls dha mësim: “Nëse jemi besnikë në priftëri, ky armatim do të na jepet si një dhuratë nga Perëndia. Na nevojitet ky armatim!”10

Plaku Hejls mësoi një cilësi tjetër të rëndësishme prej shembullit të atit të tij.

“Mësova [të kem] respekt për gratë nga përkujdesja e dhembshur e babait tim për nënën time, motrën time dhe motrat e tij”, tha ai. Pasi nëna e Plakut Hejls pësoi një hemorragji cerebrale, “përkujdesja plot dashuri [e atit të tij] për shoqen e tij të shtrenjtë” në dy vitet e fundit të jetës së saj, u bë një shembull që ai s’e harroi kurrë. “Më tha se ishte një pagesë e vogël për më shumë se pesëdhjetë vite të përkushtimit plot dashuri të nënës sime ndaj tij.”11

Njeriu më i Shtrenjtë për Të

Kur u kthye në shtëpi nga kolegji në vitin 1952, Roberti u takua me një të re të quajtur Meri Krendëll, familja e së cilës ishte shpërngulur kohët e fundit nga Kalifornia për në Nju-Jork. Ata e pëlqyen njëri-tjetrin menjëherë.

“Pasi e takova atë, nuk dola më në takim me asnjë vajzë tjetër”, kujtoi Plaku Hejls.12

Kur vera mbaroi, të dy ata u kthyen në Jutë për të vazhduar shkollën. Roberti ndiqte Universitetin e Jutës ndërkohë që Meri shkonte në Universitetin “Brigam Jang”, por ata nuk lejuan që largësia t’i mbante larg njëri-tjetrit. Pak kohë pasi mbaroi viti shkollor, ata u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut më 10 qershor 1953. Gjatë pesë viteve në vazhdim ata u bekuan me dy djem, Stivenin dhe Dejvidin.

Pamja
Robert and Mary Hales on wedding day; Robert and Mary with their sons

Pasi Roberti e mbaroi universitetin në vitin 1954 me një diplomë në komunikim dhe biznes, ai u fut në shërbim ushtarak aktiv me forcën ajrore, duke shërbyer si pilot i një [avioni] gjuajtës reaktiv. Kur shërbimi i tij përfundoi gati katër vjet më vonë, ai e shpërnguli familjen e tij nga Florida për në Masaçusets që të merrte një diplomë masteri në administrim biznesi. Ndërkohë që po bënte përpjekje të mëdha në Shkollën e Biznesit të Harvardit, ai u thirr si president i kuorumit të pleqve. Kjo është e vetmja kohë në jetën e tij që ai ndonjëherë e pyeti veten nëse duhej ta pranonte një thirrje të Kishës.

“Ka gjasa që të mos ia dal mbanë shkollimit tim nëse bëhem president i kuorumit të pleqve”, i tha ai Merit.

Meri iu përgjigj me fjalë që do ta ndihmonin gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së vet: “Bob, do të doja më shumë të kisha një mbajtës aktiv të priftërisë sesa një burrë që mban një diplomë masteri nga Harvardi”. Më pas ajo e përqafoi dhe shtoi: “Do t’i bëjmë që të dyja”.13

Dhe i bënë.

Të nesërmen Meri e ndau me mur një pjesë të katit përdhes të pambaruar të apartamentit të tyre, që Roberti të kishte një vend ku të studionte pa u shqetësuar.

“E vura veten në duart e Zotit kur e mora atë vendim” që ta pranoja thirrjen, tha Plaku Hejls 30 vjet më vonë. “Ai vendim qe shumë më i vështirë të merrej atëherë sesa vite më pas, kur pranova thirrjen që të shërbeja si një Ndihmës i Të Dymbëdhjetëve dhe ta lija pas karrierën time në biznes.”14

Vite më vonë, pasi familja e tij ishte bërë e siguruar financiarisht, Plaku Hejls planifikoi t’i blinte Merit një pallto të shtrenjtë. Kur e pyeti se çfarë mendonte për blerjen që kishte planifikuar, ajo pyeti: “Po e blen këtë për mua apo për vete?”

Plaku Hejls e quajti pyetjen e saj “një mësim të paharrueshëm”. Ai vërejti: “Me fjalë të tjera, ajo po pyeste: ‘A është qëllimi i kësaj dhurate të tregosh dashurinë tënde për mua apo të më tregosh se më mban mirë ose që t’i provosh diçka botës?’ E përsiata pyetjen e saj dhe e kuptova se po mendoja më pak për të e familjen tonë dhe më shumë për veten.”15

Plaku Hejls e pranoi se bashkëshortja e tij ishte njeriu më i shtrenjtë për të.16 “Nuk do të isha ai që jam pa të”, tha ai. “E dua shumë atë. Ajo ka dhuntitë e Shpirtit. Ne i studiojmë shkrimet e shenjta së bashku dhe shumë prej koncepteve që i jap mësim, kanë ardhur ngaqë kemi pasur studim e lutje së bashku. Kjo është arsyeja përse jam ai që jam.”17

Plaku Hejls ia kushtoi shumë prej asaj që ai dhe Meri e realizuan në jetë, bashkëpunimit të tyre si skuadër. “Gjithmonë kemi qenë një skuadër dhe gjithmonë do të jemi. Mendoj se të dëgjuarit e gruas sime, përkrah të dëgjuarit të Frymës së Shenjtë, ka qenë ndikimi më i rëndësishëm në jetën time.”18

Pamja
Robert D. Hales with Mary in front of temple; with Mary and President and Sister Kimball

“Do të Kesh Shumë Misione”

Pasi Roberti u diplomua me master në administrim biznesi në vitin 1960, shumë shpejt iu shfaqën mundësi profesionale. Gjatë 15 viteve në vazhdim ai shërbeu si drejtues kryesor për disa kompani të mirënjohura në Shtetet e Bashkuara. Karriera e tij e shquar në biznes i çoi atë dhe familjen e vet në disa qytete amerikane, si edhe në Angli, Gjermani e Spanjë. Ato lëvizje sollën thirrje udhëheqjeje në Kishë, të cilat Roberti i pranoi me gatishmëri.

Ai shërbeu në presidencat e degëve në Spanjë, Gjermani dhe në Xhorxhia e Masaçusets në Shtetet e Bashkuara. Ai shërbeu si peshkop në Frankfurt të Gjermanisë dhe në Masaçusets e Ilinois në SHBA. Ai shërbeu si këshilltar i lartë në Londër të Anglisë dhe në Boston të Masaçusetsit, ku shërbeu edhe në presidencën e kunjit. Në Minesotë e Luizianë të SHBA-së, ai shërbeu si përfaqësues krahinor.

Në vitin 1975, teksa ndodhej në një mbledhje të bordit të biznesit, Roberti mori njoftim që Presidenti Marion G. Romni (1897–1988), në atë kohë Këshilltari i Dytë në Presidencën e Parë, po e kërkonte në telefon. Kur Roberti iu përgjigj telefonit, Presidenti Romni e thirri të shërbente si president misioni. Roberti e pranoi thirrjen, por përpara se të fillonte detyrat e tij më vonë atë vit si president i Misionit të Londrës në Angli, ai pati një telefonatë tjetër nga Solt-Lejk-Siti, këtë herë nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985).

“A e ke problem nëse të kërkojmë që të shërbesh më shumë se tre vjet?” pyeti Presidenti Kimball. Pasi Roberti tha se nuk e kishte problem, Presidenti Kimball e thirri si ndihmës të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

“Presidenti Kimball më tha se e dinte që u zhgënjeva ngaqë doja të shkoja si president misioni”, tha Plaku Hejls. Por Presidenti Kimball e siguroi atë sërish: “Mos u shqetëso për këtë; do të kesh shumë misione”19.

Një vit më vonë, Plaku Hejls u thirr në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve. Në atë detyrë tre vjet më vonë, ai u thirr sërish të shërbente si president i Misionit të Londrës në Angli dhe më pas si mbikëqyrës zone në Europë, duke punuar me Plakun Tomas S. Monson që të vendosej ungjilli në kombe të cilat kishin qenë të mbyllura ndaj Kishës dhe të ndiqnin ndërtimin e një tempulli në Gjermaninë Lindore.20

“Njëri prej gëzimeve të mia më të mëdha lidhur me shërbimin tim në Kishë erdhi gjatë tre viteve të para si Autoritet i Përgjithshëm, teksa ndihmova që të planifikoheshin njëzet e shtatë konferenca zonash”, tha Plaku Hejls. “Më pëlqente shumë të udhëtoja me anëtarë të Presidencës së Parë, Apostujt, Autoritete të Përgjithshme dhe udhëheqës të tjerë, dhe të arrija të njihesha me ta dhe bashkëshortet e tyre. Ishte e mrekullueshme të shihja profetët, shikuesit dhe zbuluesit t’iu jepnin dëshmi për vërtetësinë e ungjillit shenjtorëve nga një vend në tjetrin.”21

Në vitin 1985 Plaku Hejls u thirr si Peshkopi Kryesues i Kishës. Përvoja e tij profesionale, stili i tij plot respekt i menaxhimit dhe i negociatave, si dhe dashuria e tij për njerëzit e bënë atë mjaft të përshtatshëm për thirrjen.

Pamja
Robert D. Hales with Mary and others at Freiberg temple dedication

Peshkopi Kryesues Hejls ndihmoi në përgatitjen për një tempull në Gjermaninë Lindore. Ai dhe Meri Hejlsi (në qendër) së bashku me (nga e majta në të djathtë) arkitektin Emil Fecër, Elisa Uirthlinin, Plakun Xhozef B. Uirthlin, Frensis Monsonin dhe Plakun Tomas S. Monson në përkushtimin e tempullit në vitin 1985.

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, shërbeu në Peshkopatën Kryesuese me Plakun Hejls. Ai e quajti Plakun Hejls një burrë të mençur, të thjeshtë, të ndershëm biznesi, i cili ishte i ndjeshëm ndaj njerëzve dhe dinte se si t’i mbaronte punët me sukses. “Ai solli po ato cilësi në udhëheqjen e Peshkopatës Kryesuese”, tha Presidenti Ajring.22

“Ai nuk ka aspak dredhi”, tha bashkëshortja e tij, Meri. “Ai ka një zemër të dëlirë dhe thjesht dëshiron të bëjë atë që është e drejtë.”23

Mes doktrinave që Plaku Hejls i theksoi si Peshkop Kryesues, ishin parimet e mirëqenies. “Ti më ngri mua dhe unë do të të ngre ty, dhe ne do të lartësohemi së bashku”, thoshte shpesh ai, duke cituar një prej fjalëve të urta të parapëlqyera të tij.24

Ai lutej që shenjtorët të “mund të kuptonin se ne kemi fuqinë dhe përgjegjësinë që t’i ndihmojmë njerëzit nevojtarë, si engjëj shërbyes të Zotit Jezu Krisht, që do të na duan ngaqë ne kemi dashuri, që do të ngushëllohemi ngaqë ne jemi të dhembshur, që do të falemi ngaqë ne e kemi treguar aftësinë për të falur”25.

Mësimet dhe Dëshmia

Kur Plaku Hejls u mbështet në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve nëntë vjet më vonë, më 2 prill 1994, thirrja e tij e re peshoi rëndë mbi të.

“Tani jam gjashtëdhjetë e një vjeç dhe jam sërish një djalosh”, tha ai gjatë bisedës së tij të parë si Apostull në konferencën e përgjithshme. “Ka burra të ulur në këtë podium të cilët kanë qenë Apostuj dhe në Presidencën e Parë për gjysmën e moshës sime.”

Ai tha se të qenit Apostull i Jezu Krishtit ishte një proces – “një proces i pendimit dhe përulësisë, për të parë brenda vetes siç jemi udhëzuar dhe për të kërkuar falje e forcë që të jem ai që duhet të jem”. Ai kërkoi lutjet e shenjtorëve që të mund të “farkëto[nte] forcën shpirtërore që kërkohet për ta bërë zërin [e tij] dhe dëshminë [e tij] për Zotin Jezu Krisht që t’i përshko[nte] zemrat e atyre që do ta dëgjo[nin]”26.

Për më shumë se 20 vjet, dëshmia apostolike e Plakut Hejls për Shpëtimtarin dhe dëshmia e tij për ungjillin e rivendosur i përshkoi zemrat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme anekënd botës. Predikimet e tij përfshinë tema të tilla si familja dhe besimi, sprovat dhe dëshmia, dashuria dhe durimi, shërbimi dhe bindja, integriteti moral dhe liria e zgjedhjes.

Duke dhënë mësim rreth përdorimit të urtë të lirisë së zgjedhjes, Plaku Hejls tregoi një histori rreth një shoku që shërbeu me të në forcën ajrore.

“Teksa stërvitesha që të isha pilot i një [avioni] gjuajtës reaktiv, … po ushtrohesha që të vendosja se kur të dilja nga një avion, në qoftë se ndizej drita paralajmëruese e zjarrit dhe filloja të rrotullohesha pa kontroll”, kujtoi ai. “Më kujtohet një mik i dashur i cili nuk i bëri këto përgatitje. Ai do të gjente një mënyrë që të largohej nga trajnimi me simulator dhe më pas shkonte të luante golf apo të notonte. Kurrë nuk i mësoi procedurat e veta të urgjencës! Disa muaj më vonë, zjarri shpërtheu në avionin e tij dhe me flakë ai rrotullua duke rënë drejt tokës. Duke e vënë re dritën paralajmëruese të zjarrit, shoqëruesi i tij më i ri, ngaqë kishte zhvilluar një reagim të parakushtëzuar, e dinte se kur të dilte nga avioni dhe të zbriste me parashutë drejt sigurisë. Por miku im, i cili nuk ishte përgatitur që ta merrte atë vendim, mbeti në avion dhe vdiq kur avioni u rrëzua.”

Njohuria se si të veprosh dhe kur të veprosh, kur paraqitet një zgjedhje e rëndësishme, mund të ketë pasoja të përjetshme, shtoi Plaku Hejls.27

“Kur isha një djalë i vogël në Nju-Jork, unë u rrita si njëri prej vetëm dy ose tre anëtarëve të Kishës në një shkollë të mesme me disa mijëra studentë. Kohët e fundit në një përkujtim të 50-vjetorit, ish-shokët e mi të klasës kujtuan se si unë jetoja në përputhje me vlerat dhe bindjet e mia. E kuptova atëherë se një shkelje e Fjalës së Urtësisë ose një shkelje e vlerave morale do të kishte nënkuptuar se unë kurrë nuk mund të thosha: ‘Kjo është gjëja që besoj’ dhe të mirëbesohesha nga shokët e mi.

Ne mund ta shpërndajmë ungjillin vetëm deri në përmasën që e jetojmë atë.”28

Gjatë viteve të fundit të shërbesës së Plakut Hejls, ai i nxiti shenjtorët që të jetonin të denjë për “dhuratën mbresëlënëse të Frymës së Shenjtë”29. Ai gjithashtu i nxiti anëtarët e Kishës që ta përmirësojnë dishepullimin e tyre duke u bërë të krishterë më të mirë, duke pasur kurajë të krishterë dhe duke qëndruar të fortë në vende të shenjta.

“Kjo është thirrja e Krishtit për çdo të krishterë sot: ‘Kulloti qengjat e mi! … Ki kujdes për delet e mia’ – ndani ungjillin tim me këdo pavarësisht moshës, duke i lartësuar, bekuar, ngushëlluar, inkurajuar dhe duke i ngritur moralisht, veçanërisht ata të cilët mendojnë dhe besojnë në mënyrë të ndryshme nga ne”, dha mësim ai.30

Pamja
Robert D. Hales visiting with Boy Scouts

Fotografi nga Jeffrey D. Allred, Deseret News

Lidhur me ata të cilët “duan që ne të zbresim nga vendi i sigurisë dhe të bashkohemi me ta në një përleshje teologjike në baltë”, Plaku Hejls i këshilloi shenjtorët e ditëve të mëvonshme që të përgjigjen me dëshmitë e tyre dhe të qëndrojnë me Shpëtimtarin.

“Ne tregojmë dashurinë e Tij, që është e vetmja forcë që mund të nënshtrojë kundërshtarin dhe t’u përgjigjet akuzuesve tanë pa iu kthyer atyre me akuza. Kjo nuk është dobësi. Kjo është kuraja e Krishterë.”31

Ashtu sikurse Shpëtimtari ishte “i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit” (Isaia 53:3; Mosia 14:3), edhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të përjetojnë keqkuptim, kritikë dhe akuza të rreme. “Është privilegji ynë i shenjtë të qëndrojmë me Të!” tha Plaku Hejls.32

Duke Pritur për Zotin

Kur Plaku Hejls foli rreth pritjes për Zotin, ai e njihte mirë këtë temë. Probleme të zemrës, operacione të mëdha dhe sfida të rishfaqura shëndetësore, që e penguan të fliste gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2011, u bënë një barrë fizike, por i sollën atij këndvështrime shpirtërore.

Pas shërimit nga tre operacione të mëdha në vitin 2000, ai u tha shenjtorëve të ditëve të mëvonshme: “Gjatë dy viteve të kaluara, kam pritur nga Zoti mësime për vdekshmërinë që m’u dhanë gjatë periudhave të dhembjes fizike, ankthit mendor dhe përsiatjes. Mësova se dhembja e vazhdueshme, e madhe është një pastrues i shkëlqyer shenjtërues që na përul dhe na afron më pranë Shpirtit të Perëndisë.”33

Nuk na nevojitet të ndeshemi të vetëm me sfidat, sepse mund t’i drejtohemi “përkujdesësit të pashoq”, dha mësim Plaku Hejls.34 “Sipas rastit, kur Zoti e dëshironte, unë do të ngushëllohesha me vizita të ushtrive qiellore, që sollën ngushëllim dhe sigurime të përjetshme në kohën kur më nevojiteshin.”35

Edhe pse mund të mos e dimë kur apo se si do të marrin përgjigje lutjet tona, dëshmoi Plaku Hejls, përgjigjet do të vijnë në vetë mënyrën e Zotit dhe sipas afatit të Tij kohor. “Për disa përgjigje ne mund të na duhet të presim deri pas kësaj jete. … Le të mos i heqim shpresat tek Zoti. Bekimet e Tij janë të përjetshme, jo të përkohshme.”36

Pamja
Robert D. Hales and various Church leaders

“Kam pasur privilegjin që të punoj mes Vëllezërve më të mirë që mund të ketë kjo tokë.” Fjalët që ai i tha kur u lirua si Peshkopi Kryesues, u provuar që ishin të vërteta edhe kur ishte Apostull.

Fotografi me mirësinë e arkivit të Deseret News

Fotografi nga Stuart Johnson, Deseret News

Një Dishepull Besnik

Si Peshkopi Kryesues, Plaku Hejls dha dëshmi duke e zgjuar kujtimin e fjalëve të Alma të Riut. Ai shpalli: “O, sikur të kisha zërin dhe borinë e një engjëlli që të mund t’i thosha gjithë njerëzimit se [Jezu Krishti] u ngjall dhe se Ai jeton; se Ai është Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri i Atit, Mesia i premtuar, Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë; se ai erdhi në këtë botë për të na e mësuar ungjillin me anë të shembullit. Misioni i Tij hyjnor na drejtohet mua dhe juve që të vijmë tek Ai dhe Ai do të na udhëheqë drejt jetës së përjetshme.”37

Në bisedën e tij të parë në konferencën e përgjithshme, pasi ishte thirrur në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, ai citoi Mormonin, duke e bërë të vetën atë dëshmi të lashtë të profetit: “Vini re, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Unë u thirra prej tij të njoftoj fjalën e tij mes popullit të tij, që ata të mund të kenë jetë të përjetshme” (3 Nefi 5:13).38

Për katër dekada si Autoritet i Përgjithshëm, Plaku Robert D. Hejls me guxim dhe fuqi i shpalli fjalët e Shpëtimtarit nëpërmjet bisedave dhe jetës së tij shembullore. Dhe ai e mbajti mend këshillën e vet në jetën e tij personale, profesionale dhe kishtare: “Nëpërmjet bindjes besnike dhe durimit deri në fund, ne mund të kthehemi një ditë me nder në praninë e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit”39.

Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, të cilët kanë besim si ai te Shpëtimtari, Plaku Hejls nuk po mungon. Përkundrazi, ai është kthyer në shtëpi – dhe e ka bërë këtë me nder.

Shënime

  1. Robert D. Hales, “‘What Think Ye of Christ?’ ‘Whom Say Ye That I Am?’”Ensign, maj 1979, f. 79.

  2. Robert D. Hales, “The Aaronic Priesthood: Return with Honor”, Ensign, maj 1990, f. 39.

  3. Në “Fireside Commemorates Aaronic Priesthood Restoration”, Ensign, korrik 1985, f. 75.

  4. Në “Elder Robert D. Hales of the Quorum of the Twelve”, Ensign, maj 1994, f. 105.

  5. Shih Robert D. Hales, “How Will Our Children Remember Us?” Ensign, nëntor 1993, f. 8.

  6. Robert D. Hales, “Gratitude for the Goodness of God”, Ensign, maj 1992, f. 64.

  7. Robert D. Hales, “Strengthening Families: Our Sacred Duty”, Liahona, korrik 1999, f. 38.

  8. Shih Robert D. Hales, “Gratitude for the Goodness of God”, f. 63.

  9. Robert D. Hales, “How Will Our Children Remember Us?” f. 8–9.

  10. Robert D. Hales, “Stand Strong in Holy Places”, Liahona, maj 2013, f. 48.

  11. Robert D. Hales, “How Will Our Children Remember Us?” f. 9.

  12. Në LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales: ‘Return with Honor’”, Ensign, korrik 1994, f. 50.

  13. Shih Robert D. Hales, “Celestial Marriage – A Little Heaven on Earth” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 9 nëntor 1976), speeches.byu.edu.

  14. Në LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales: ‘Return with Honor’”, f. 48.

  15. Robert D. Hejls, “Të Bëhemi Kujdestarë të Matur, Materialisht dhe Shpirtërisht”, Liahona, maj 2009, f. 8–9.

  16. Shih Robert D. Hales, “Gratitude for the Goodness of God”, f. 65.

  17. Robert D. Hales, “Gifts of the Spirit”, Ensign, shkurt 2002, f. 19.

  18. Në LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales: ‘Return with Honor’”, f. 51.

  19. Spencer W. Kimball, në LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales, ‘Return with Honor’”, f. 52.

  20. Shih LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales, ‘Return with Honor’”, f. 52.

  21. Në “Elder Robert D. Hales of the Quorum of the Twelve”, f. 105–106.

  22. Intervistë me Presidentin Henri B. Ajring, 11 qershor 2015.

  23. Në LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales, ‘Return with Honor’”, f. 53.

  24. Robert D. Hales, “Making Righteous Choices at the Crossroads of Life”, Ensign, nëntor 1988, f. 11.

  25. Robert D. Hales, “Welfare Principles to Guide Our Lives: An Eternal Plan for the Welfare of Men’s Souls”, Ensign, maj 1986, f. 30.

  26. Robert D. Hales, “The Unique Message of Jesus Christ”, Ensign, maj 1994, f. 78–79.

  27. Shih Robert D. Hejls, “Priftërisë Aarone: Përgatituni për Dekadën e Vendimit”, Liahona, maj 2007, f. 48–49.

  28. Robert D. Hales, “Ten Axioms to Guide Your Life”, Liahona, shkurt 2007, f. 38–39.

  29. Robert D. Hejls, “Fryma e Shenjtë”, Liahona, maj 2016, f. 105.

  30. Robert D. Hejls, “Të Qenit më Shumë i Krishterë si Krishti”, Liahona, nëntor 2012, f. 91.

  31. Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Liahona, nëntor 2008, f. 74, 72.

  32. Robert D. Hales, “Qëndroni në Vende të Shenjta”, Liahona, maj 2013, f. 50.

  33. Robert D. Hales, “The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Liahona, janar 2001, f. 6.

  34. Robert D. Hales, “Healing Soul and Body”, Ensign, janar 1999, f. 19.

  35. Robert D. Hales, “The Covenant of Baptism”, Liahona, janar 2001, f. 6.

  36. Robert D. Hejls, “Të Presësh nga Zoti: U Bëftë Vullneti Yt”, Liahona, nëntor 2011, f. 73.

  37. Robert D. Hales, “‘What Think Ye of Christ?’ New Era, prill 1987, f. 7.

  38. Robert D. Hales, “The Unique Message of Jesus Christ”, f. 80; shih edhe Robert D. Hejls, “Kuraja e Krishterë”, f. 75.

  39. Në LaRene Gaunt, “Elder Robert D. Hales, ‘Return with Honor’”, f. 53.