2017
Nderime nga Shërbesa Mortore e Plakut Robert D. Hejls
Në Përkujtim: Plaku Robert D. Hejls


Nderime nga Shërbesa Mortore e Plakut Robert D. Hejls

6 Tetor 2017, Tabernakulli i Solt-Lejkut

Pamja
funeral for Robert D. Hales

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

“Do të më marrë malli për mikun tim të dashur Robert D. Hejls. Ne kemi shërbyer së bashku për më shumë se 40 vite në detyra dhe komitete të ndryshme si Autoritete të Përgjithshme të Kishës. Për disa vitet e fundit, jemi ulur pranë njëri‑tjetrit në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Do të na marrë malli për mendjen e mprehtë dhe komentet nganjëherë shumë zbavitëse të Plakut Hejls. Këshilla e tij e mençur dhe këndvështrimet e tij të thella … do të na mungojnë shumë të gjithëve ne. …

Në gusht të vitit 1991, Bobi pësoi infarkt për herë të parë. …

Që nga ajo kohë, problemet shëndetësore erdhën njëra pas tjetrës. Teksa u ulëm së bashku gjatë këtyre shumë viteve, unë kam dëshmuar kurajën e madhe dhe përkushtimin e plotë të Robert D. Hejlsit. Shumë herë unë jam zgjatur, i kam prekur krahun e i kam mbajtur dorën dhe, në një masë të vogël, kam ndier dhembjen dhe vështirësinë që ai po përjetonte. …

Miku im i dashur ka qenë gjithmonë një hero për mua dhe unë e di se tani ai është i lehtësuar dhe në paqe bashkë me prindërit e tij të dashur, … pjesëtarë të tjerë të familjes dhe mbi të gjitha në kthimin e tij për të qenë me Prindërit e tij Qiellorë dhe Shpëtimtarin e tij të dashur, Zotin Jezu Krisht, të cilit ai i pati dhënë gjithçka si një nga Apostujt e Tij të zgjedhur.”

Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve

“Plaku Hejls qe një anëtar i çmuar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për më shumë se 23 vjet. Nuk mund të flitet me tepri për kontributin e tij ndaj të gjithë Kishës dhe ndaj secilit anëtar të Kuorumit. Ai ishte i palodhur në shërbesën e tij. Gjatë 42 viteve e gjysmë si Autoritet i Përgjithshëm, ai ka marrë pjesë në thuajse çdo këshill dhe komitet në zyrat qendrore të Kishës. Urtësia, këndvështrimi dhe ndikimi i tij kanë pasur një pasojë të thellë në përhapjen e mbretërisë së Perëndisë përqark globit. …

… Dëshira e tij më e thellë ishte gjithmonë që ta donte dhe të kujdesej për Merin, t’i shërbente familjes së tij të çmuar dhe anëtarëve të Kishës, si dhe të ishte një dishepull i guximshëm i Zotit, të cilin e nderonte jashtëzakonisht.

Këmbëngulja e Bobit përballë sfidave shëndetësore është legjendare. Ai vazhdoi përpara me gjithë pasojat e rënda dobësuese të sfidave të pareshtura prej shëndetit të tij. Ne që e kemi vështruar atë, kemi pyetur veten, si mundet t’ia dalë ai? …

… Me guximin e një piloti avioni reaktiv, këmbënguljen e një atleti kampion, përulësinë dhe përkushtimin e një dishepulli të Zotit, Plaku Hejls e ka përfunduar misionin e jetës së tij në mënyrën më shembullore. Ai i ka kaluar provimet e vdekshmërisë dhe është kthyer në shtëpi me nderimet më të larta.”

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë

“Unë e kam vërejtur Plakun Hejls, kam punuar me të dhe kam mësuar prej tij. Kemi ndarë raste përvoje që na kanë tendosur e na kanë forcuar dhe disa që na kanë vënë në provë. Në çdo rast, unë kam mësuar prej tij dhe e kam parë atë t’i rritej fuqia shpirtërore.

Një dhunti shpirtërore duket se ka qenë e tija gjatë gjithë kohës që e kam njohur. Ajo është dhuntia e të qenit një mik përsosurisht besnik. Ju mund të gjykoni se ajo është një forcë e vogël. Por Zoti Vetë u dha nderim Apostujve të Tij me fjalë miqësie. …

… Zoti e bën të qartë se çfarë fuqie do të shkojë me një mik të tillë, i cili e braktis botën për shërbimin ndaj Zotit:

‘Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart’ (DeB 84:88). …

Tani, shpresa ime është që pasardhësit e Plakut Hejls dhe të gjithë ata që e duan atë, do t’i lexojnë ato fjalë të Zotit si përshkruese për Robert D. Hejlsin, një mik dhe dishepull përsosurisht besnik. …

… E dëshmova me sytë e mi mënyrën se si ai i kaloi provat e besnikërisë së tij sipas asaj që e dinte se dëshironte miku i tij, Perëndia.”