Shembulli i Shpëtimtarit për Bindjen
Shembulli i Tij cakton modelin për të gjithë ne që ta ndjekim.
“Nga të gjitha mësimet që marrim nga jeta e Shpëtimtarit, asnjëri nuk është më i qartë dhe më i fuqishëm se mësimi i bindjes”, dha mësim Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në konferencën e përgjithshme të prillit 2014. Shembulli i Shpëtimtarit na mëson jo vetëm arsyen përse bindja ndaj Atit Qiellor është e rëndësishme, por edhe mënyrën se si ne mund të jemi të bindur. Ndërsa shqyrtoni shembujt vijues nga shërbesa e Tij, mendoni për mënyrën se si ata mund të përcaktojnë një shteg për ju që ta ndiqni në jetën tuaj.
1. Ndonëse Jezusi ishte pa mëkat, Ai iu nënshtrua pagëzimit për të “përmbush[ur] çdo drejtësi” (Mateu 3:13–17; shih edhe 2 Nefi 31:4–7; Gjoni 3:5).
2. Në moshën 12 vjeç, kur Jozefi dhe Maria e gjetën Jezusin duke dhënë mësim në tempull, Ai iu “bind atyre” dhe me bindje u kthye në shtëpi me ta (shih Lluka 2:42–51).
3. Megjithëse u lut nëse kupa mund të largohej prej Tij, Ai iu nënshtrua vuajtjes në Kopshtin e Gjetsemanit (shih Mateu 26:36–44; Lluka 22:39–54).
4. Ai e mbante Shabatin dhe merrte pjesë në shërbimet në sinagogë (shih Lluka 4:16–44).
5. Jezusi pranoi që të gjykohej nga njerëzit që të bënte të ndodhte vepra dhe lavdia e Atit (shih Isaia 53:7; Mateu 26:53; Moisiu 1:39).
6. Ai e përfundoi punën e Tij duke lejuar njerëz të ligj ta kryqëzonin Atë (shih Mateu 27:35; Gjoni 10:17–18; Galatasve 1:3–5).
7. Gjithnjë i bindur ndaj Atit të Tij, Jezusi shkoi në botën e shpirtrave dhe organizoi punën misionare atje (shih 1 Pjetër 3:18–20; 4:6).
8. Jezusi u tundua nga Satani, por nuk u dorëzua (shih Mateu 4:1–11; DeB 20:22).
9. Ai vazhdon të bëjë vullnetin e Atit dhe të drejtojë Kishën (shih Joseph Smith – Historia 1:16–17; DeB 19:2, 24).